• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mollët e Pavdekësisë: Lidhja e Fshehtë mes Shqiptarëve dhe Pellazgëve

January 7, 2025 by s p

Ndrek Gjini
MA, University of Galway, Ireland/

Ritualet e vdekjes tek shqiptarët, janë dëshmi e një trashëgimie mijëravjeçare që lidhet me besimet e lashta pellazge.

Këto rite, të cilat përfshijnë elemente simbolike si mollët, monedhat e objekte të tjera, dëshmojnë për vazhdimësinë kulturore dhe lidhjen e thellë të shqiptarëve me historinë e tyre të hershme.

Mollët: Simbol i jetës dhe vdekjes

Një nga elementet më të veçanta në ceremonitë mortore shqiptare është përdorimi i mollëve. Ky frut simbolik ka qenë pjesë e ritualeve funerale që nga kohët e Pellazgëve, të cilët vdekjen shpesh e lidhnin me mollët. Sipas mitologjisë së lashtë, mollët përfaqësonin kalimin në botën tjetër dhe shërbenin si dhurata për shpirtrat që prisnin të ndjerin në jetën pas vdekjes.

Në Shqipëri, kjo traditë ruhet ende në disa zona. Siç dokumenton etnografi Jani Nushi në studimin e tij mbi mitologjinë dhe besimet në Myzeqe, pas larjes dhe përgatitjes së trupit të të ndjerit, atij i vendosen mollë në duar. Besohej se këto mollë do t’u dhuroheshin fëmijëve që kishin ndërruar jetë më herët ose shpirtrave të tjerë që prisnin të ndjerin në botën tjetër. Në disa raste prekëse, nënat që kishin humbur fëmijët e tyre ia linin këto mollë të ndjerit me porosi që t’ua çonte fëmijëve në atë botë.

Monedhat dhe udhëtimi drejt botës tjetër

Një tjetër element i rëndësishëm i ritualeve mortore shqiptare është vendosja e monedhave pranë trupit ose në gojën e të ndjerit. Kjo praktikë lidhet me besimin se monedhat do t’i shërbenin të ndjerit për të paguar udhëtimin drejt botës tjetër ose për të siguruar një vendbanim atje. Kjo traditë ka paralele me praktikat funerale të lashta greke dhe romake, ku monedha vendosej në gojën e të vdekurit për ta paguar Haronin, rojtarin mitik që transportonte shpirtrat përtej lumit Styx.

Në disa zona të Shqipërisë veriore dhe jugore, kjo praktikë ruhet ende, duke dëshmuar vazhdimësinë e besimeve pagane edhe në epokat më moderne. Madje, në disa raste praktikohet dhe vendosja në arkivol e cigareve, e një shisheje të vogël rakie, e ndonjë vegle pune që i vdekuri e ka përodor më shumë, e orës që ka mbajtur, e unazave (të cilat para varrimit ua heqin nga gishti dhe ua vendosin në anë të arkivolit në krahun e majtë), etj.

Vendosja e të vdekurit në karrige

Në Mirditë, një nga zonat më të njohura për ruajtjen e traditave dhe zakoneve të lashta shqiptare, janë dokumentuar raste të veçanta funerale ku i ndjeri vendosej në karrige gjatë ceremonisë mortore. Ky rit unik, i cili është praktikisht i rrallë dhe pothuajse i panjohur në pjesë të tjera të Shqipërisë, ka ngjallur interes të madh për studiuesit e kulturës dhe antropologjisë.

Sipas dëshmive lokale, ky zakon kishte një simbolikë të thellë dhe lidhej me nderimin e figurës së të ndjerit si një autoritet në familje apo në komunitet. Vendosja e trupit në karrige, shpesh e veshur me rrobat më të mira, përfaqësonte një formë të fundit të respektit dhe nderimit ndaj tij. Karrigia simbolizonte pozicionin e tij në jetë, si një udhëheqës familjar ose një figurë me ndikim në shoqëri.

Ky rit mund të lidhet me praktika të lashta pagane që kanë mbijetuar në kulturën shqiptare përmes shekujve. Në shumë kultura antike, pozicioni i trupit gjatë varrimit ose ceremonisë mortore kishte rëndësi simbolike, duke përfaqësuar statusin ose rolin e individit në shoqëri. Në rastin e Mirditës, vendosja e të ndjerit në karrige mund të ketë qenë një mënyrë për ta paraqitur atë si “të gjallë” për herë të fundit para se të ndahej nga kjo botë.

Paralelizmi me kultura të tjera

Riti i vendosjes së trupit në karrige nuk është unik vetëm për Mirditën. Në disa kultura të tjera botërore janë gjetur praktika të ngjashme. Për shembull, populli Tinguian nga Filipinet ka zakonin që trupin e të ndjerit ta vendosë në një karrige, duke e veshur me rrobat më luksoze dhe madje duke i vendosur cigare në buzë, si një mënyrë për ta paraqitur atë sikur është ende i gjallë. Kjo praktikë ka për qëllim t’i japë nderimet e fundit individit dhe ta mbajë atë “të pranishëm” gjatë ceremonisë.

Gjithashtu, në disa rajone të Evropës Lindore dhe Ballkanit janë gjetur raste ku trupat janë vendosur në karrige gjatë ceremonive mortore për arsye rituale ose simbolike. Kjo tregon se zakonet funerale shqiptare mund të kenë lidhje me traditat më të gjera paleo-ballkanike dhe pellazgjike.

Vajtime: Një art i dhimbjes dhe kujtimit

Vajtimeve u kushtohet një vend i veçantë në ritet mortore shqiptare. Vajtimtaret,(vajtojcat)—zakonisht gra—shprehin dhimbjen për humbjen e një njeriu të dashur përmes vajtimit me vargje,(si këngë) dhe fjalëve plot emocion. Në veri, ky rit njihet si “gjama”, një vajtim kolektiv që shpesh shoqërohet me akte vetëndëshkimi si gërvishtja e fytyrës apo shkulja e flokëve. Ndërsa në jug, vajtimet janë më poetike dhe me rima, (të zgjatura me oi,oi), duke u fokusuar te jeta dhe arritjet e të ndjerit.

Kjo traditë ka rrënjë të thella në kulturën pagane dhe është praktikuar edhe nga popujt ilirë dhe pellazgë. Vajtimeve u jepet rëndësi jo vetëm si formë shprehjeje emocionale, por edhe si mënyrë për t’i dhënë lamtumirën simbolike shpirtit që largohet.

Elemente arkitekturore: Varret tradicionale shqiptare

Varret tradicionale shqiptare ofrojnë një tjetër dëshmi mbi trashëgiminë kulturore mijëravjeçare. Arkeologët kanë zbuluar varre ilire që datojnë nga 1650-1400 p.e.s., ku trupi i të ndjerit vendosej në këmbë mbi gurë ose drurë brenda një strukture rrethore prej guri. Kjo formë varrimi ngjan shumë me varret pellazgjike ose ato tholos (dhoma bletësh) që gjenden edhe në Greqinë antike.

Krahas strukturës së veçantë fizike, varret shpesh përmbanin objekte personale si stoli prej bronzi apo armë, duke treguar rëndësinë që u jepej sendeve personale si pjesë e udhëtimit shpirtëror drejt botës tjetër.

Ndikimi i besimeve fetare

Me kalimin e kohës dhe ndikimin e feve monoteiste si krishtërimi dhe islami, disa elemente pagane janë transformuar ose janë integruar me praktika fetare moderne. Për shembull, ndezja e qirinjve ose mbajtja ndezur e një llambe për 40 ditët pas vdekjes konsiderohet sot si një rit fetar kristian. Megjithatë, origjina pagane e këtij zakoni lidhej me nevojën për t’i ndriçuar rrugën shpirtit drejt botës tjetër.

Në disa zona rurale shqiptare ende praktikohet mbajtja hapur e dyerve gjatë natës së fundit para varrimit ose vendosja e bukës (kulaç) pranë trupit si simbol ushqimi shpirtëror për udhëtimin.

Trashëgimia kulturore: Një thesar për brezat

Ritet mortore shqiptare nuk janë thjesht akte ceremoniale; ato janë një thesar kulturor që lidh brezat me rrënjët e tyre historike. Ruajtja dhe dokumentimi i këtyre traditave është thelbësore jo vetëm për identitetin kombëtar shqiptar, por edhe si kontribut unik ndaj trashëgimisë kulturore botërore.

Sot, ndërsa modernizimi po ndryshon mënyrën se si njerëzit trajtojnë vdekjen dhe humbjen, shumë familje shqiptare vazhdojnë t’u japin rëndësi këtyre traditave duke i përshtatur ato me kohën moderne. Ky proces garanton mbijetesën kulturore ndërkohë që respektohen ndryshimet sociale.

Ritet mortore shqiptare janë më shumë sesa kujtesa për ata që nuk jetojnë më; ato janë një lidhje midis së kaluarës dhe së ardhmes—një kujtesë se historia jonë nuk është thjesht diçka që lexohet në libra por diçka që jeton brenda nesh çdo ditë.

Filed Under: Mergata

Një çati për kulturën – Nismë për të mbrojtur trashëgiminë vendase të Kukëlit (Shkodër)

January 7, 2025 by s p

Inesa Sulaj

Andi Tepelena/

Para se të kthehej në muzeun e Mjedës, vend që reflekton dhe ruan trashëgiminë mbi jetën, veprën dhe praktikën e poetit të shquar shqiptar Ndre Mjeda, Kukëli ishte banesa e tij e kahhershme. Kukëli për Mjedën ishte vendi i frymëzimit të përditshëm, vend nga ku kanë buruar vepra të jashtëzakonshme në letërsinë shqiptare, e si hapësirë është e lidhur fort me identitetin tonë kombëtar.

Kjo hapësirë muzeale, ka përbri një ndërtesë e cila ka nevojë për ndihmën tonë të menjëhershme për t’ia kthyer vendasve për art, kulturë dhe ekonomi të qëndrueshme. Kukëli mban me krenari traditat tona e tanimë kemi mundësinë që të gjithë të krijojmë një mjedis që artizanët vendas ta kenë një shtëpizë për të paraqitur punimet e tyre dhe për të krijuar një mundësi për shkëmbim të frytshëm.

Në thelb, kjo ndërtesë që gjendet pranë kompleksit muzeal Mjeda, ka nevojë për restaurim të çatisë në mënyrë që të mos thellohet rrënimi i saj. Bashkë me renovimin e çatisë vjen edhe një plan i rehabilitimit të ndërtesës që ruan të gjitha aspektet dhe karakteristikat arkitekturore të saj, e mbi të gjitha e bën hapësirën e jetueshme për vendasit që duan ta përdorin e që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në Kukël. Qëllimi ynë përfundimtar është të transformojmë kompleksin muzeal Ndre Mjeda në një park kulturor dhe letrar, një hapësirë ​​ku studiues, shkrimtarë, poetë dhe artistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota mund të mblidhen për seminare, konferenca dhe festivale kushtuar letërsisë, poezisë, dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ndaj para nesh paraqitet një rast unik, ku secili prej nesh mund të kontribuojë në një rijetëzim e një vendi që u jep dëshirë vendasve të paraqesin punët e tyre ashtu sikurse e meritojnë, duke u dhënë jo vetëm shpresë, por edhe stabilitetet se ajo çfarë ata kanë dhënë për Kukëlin do t’u kthehet në vlerësim e mbështetje.

Ndihma e secilit prej nesh do të ishte mëse e vyer.

Për të dhuruar për këtë nismë si dhe për të mësuar më me detaje mbi qëllimet, planet si dhe për prapavijën historike të ndërtesës dhe Kukëlit mund të klikoni në këtë vegëz:
https://whydonate.com/en/fundraising/preserve-mjedas-legacy-strengthening-community-through-culture-and-craft

Filed Under: Fejton

KRUSHA E MADHE U BË GJEOGRAFIA E VDEKJES PËR LIRINË E KOSOVËS

January 7, 2025 by s p

Skënder Karaçica/

Krusha e Madhe e Bajram Currit, Ukshin Hotit dhe dr.Fahredin Hotit u bë gjeografia e vdekjes për lirinë e Kosovës. Doktori dhe poeti dr.Fahredin Hoti kishte ndjenjë vdekjeje për përgjakje të Kosovës. E kishin pëcjellë ata të veshur në të zeza, që erdhën nga larg (Serbia) të qartur e të përjargur për të vrarë doktorin dhe krushjanët në kasaphanën (1998-1999) në Krushën e Madhe të Rahovecit.

Këto ditë doli nga shtypi libri (monografi) “Doktori” që i dha jetë Lirisë (Dr.Fahredin Hoti, Dëshmor i kombit, shkruar nga i biri i tij Besnik F.Hoti, ish zëvëndesministër i punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Në fjalën e autorit faqe (13-19) thuhet se ishte një zë i brendshëm i ndërgjegjës historike për dëshmorin e kombit dr.Fahredin Hoti që u bë pjesë e epokës së historisë më të re kombëtare dhe lufta për çlirimin e trojeve të pushtuara në zjarret e pushkëve të djelmenisë së UÇK-së.

Dr. Fahredin Hoti, thuhet në faqet e kësaj monografie u bë krah i luftës së drejtë jo me pushkë në dorë por me stetoskop, të ilaçeve dhe të pajisjeve të mjekësisë së doktrinës së luftës. Në dritën e këtyre ngjarjeve, doktori i luftës, u ndihmoi njerëzit me ilaçe e mjekim, por ishte në krah të djelmenisë të luftëtarëve të UÇK-së deri në çastet e rënies në fushë të nderit më 26 mars 1999, bashkë me të birin e tij Kreshnik Hoti.

Në Krushë të Madhe, tërë makineria luftarake e logjistikës fashiste e me skenar të gjenocidit të Serbisë u zbrazën në mesin e krushjanëve të pa mbrojtur, ku, siç thotë autori Besnik F.Hoti,u shkrua historia me shkronja të gjakut. Në kronikat e kohës dhe të shkrimeve, të dëshmitarëve të gjallë, përmendet nata e 25-26 të marsit 1999, ku makineria serbe përmes logjistikës vrastare deri në shfarosje të substancës kombëtare “Patkoi” nisi kasaphanën e përgjakur të pushkatimit të mëshkujve karushjanë, të rinj e pleqë para syve të familjarëve. Në këtë fshat të përgjakur me pamjen “Krusha e madhe si Srebrenica” u vranë 241 krushjanë të pushkatuar e të djegur për së gjalli në mesin e tyre 7 fëmijë e 5 gra dhe të tjerët të dëbuar nga shtëpitë e veta nën masën e terrorit e të përsekutimit më të egër antishqipar, thuhet në faqën 15 të monografisë, ku, më të drejtë për Krushën e Madhe dhe për krushjanët nuk pati verdikt të drejtësisë ndërkombëtare, thuhet në në monografinë e autorit Besnik F.Hoti.

Për monografinë “Doktori që i dha jetë lirisë” prof.Nusret Pllana, Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, thekson se në këtë monografi të historisë më të re të Kosovës, në vete paraqet një shumësi rrëfimesh, secili më i vyer se tjetri, që, flasin për luftën e përgjakur për liri në rrugëtimin nga fëmijëria e deri të rënia e Dëshmorit të Kombit dr.Fahredin Hoti në mesin e popullit të tij në Krushë të Madhe të Rahoveci. Duke hedhur dritë për monografinë, prof.Nusret Pllana i mbushur me frymë me kujtesën e luftës së djelmenisë së UÇK-së e thekson zëshëm se, historikisht dihet se atdheu i tij është i përgjsymuar nga grabitjet e fqinjve nën ambrellën e pansllavizmit Serbo-Rusi-Greqi-Mali i Zi dhe fati i dhimbjes për Kosovën. Po në këtë dritë, prof.N.Pllana e përmend kohën dhe faktin e historisë, duke cituar kyreministrin anglez Grei(1913) që pati thënë se duke flijuar tokat shqiptare ishte krijuar “qetësia evropiane”. Por, kjo e dhënë antishiptare u shemb përmes frymës së lavdisë së djelmenisë së UÇK-së kur më 28 nëntor 1997 doli publikisht para popullit të vet të Kosovës.

Në këtë monografi, janë botuar edhe disa të dhëna që për lexuesit të brezit të Republikës së Kosovës, do të sjellin orën e historisë për të praë nga afër se cila është Krusha e Madhe e Rahovecit. Po në këtë fshat heroik, afër shtëpisë së dr.Fahredin Hoti, pati lindur Plaku i Maleve, Bajram Curri dhe intelektuali e politilogu i kombit Mr.Ukshin Hoti. Në rrugëtimin e tij dr. Fahredin Hoti me mantilin e bardhë shërbeu me dinjitet në fushën e mjekësisë në Rahovec, Malishevë, Prizren dhe Prishtinë. Në familjen Hoti, thuhet në kronikat e kohës, ora e dhimbje dhe tragjikja nuk përfundoi vetëm me kaq. Ende pa u varrosur trupat e dr.Fahredin dhe Kreshnik Hoti, makineria e Serbisë vrastare vazhduan skenarët e orëve të shfarosjes e të gjenocidit kundër krushjanëve. Në vijat e këtyre skenaëve nuk shpetoi as babai i tij Shemsedini, i cili nga fakturat e shumta të gjakderdhjes së brendshme, vdiq afër Zhurit, pranë kufirit shqiptaro-shqiptar në moshën 67 vjeçare.

Në fund të monografisë “Doktori që i dha jetë lirisë” dr. Fahredin Hoti-Dëshmor i Kombit, janë botuar pesëdhjetë e dy paraqitje të kujtimeve të përsonaliteve të fushës së mjeksësisë, të eprorëve ushtarakë të djelmenisë së UÇK-së, të veprimtarëve, të intelektualëve nga vendet e ndryshme të Kosovës dhe Amerika, që e përmbushin porosinë me kronikat e historisë të jetës e të shërbimit pranë popullit të tij si doktor e si njeri me shpirt luftarak për kombin, atdheun dhe lirinë e Kosovës.

Besnik F.Hoti: “Doktori që i dha jetë Lirisë”: Dr.Fahredin Hoti, dëshmor i Kombit, botues Emira 2024, Rahovec.

Filed Under: Interviste

Justin Trudeau, dha dorëheqjen. Çfarë pritet më tej për marrëdhëniet SHBA-Kanada?

January 7, 2025 by s p

Përktheu Rafael Floqi nga Christopher Sands Canada Institute/

Më 6 janar 2025, kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi synimin e tij për të dhënë dorëheqjen si kreu i Partisë Liberale sapo partia të jetë në gjendje të zgjedhë një udhëheqës të ri. Në sistemin parlamentar të Kanadasë, kryeministër bëhet lideri i partisë me numrin më të madh të vendeve në Dhomën e Komunave.

Trudeau gjithashtu ka kërkuar dhe ka marrë një zgjatje të Parlamentit deri më 24 mars. Vendimi për prorogim është marrë nga Guvernatori i Përgjithshëm Mary Simon, e cila është përfaqësuesja e mbretit Charles III, i cili është Mbret i Kanadasë si dhe i Mbretërisë së Bashkuar. Prorogacioni përfundon një seancë parlamentare, dhe ndërsa është shtyrë, nuk mblidhet asnjë komision parlamentar dhe i gjithë legjislacioni që është në proces do të duhet të rifutet. Por votat e mosbesimit mund të kthehen derisa Parlamenti të kthehet në seancë. Gjatë kësaj periudhe, Trudeau mbetet kryeministër me kompetenca të gjera, duke përfshirë aftësinë për të zbatuar çdo autoritet ligjor të dhënë më parë nga Parlamenti, kështu që shërbimet qeveritare dhe aftësia për të vepruar do të vazhdojnë. Ministrat aktualë të kabinetit dhe nëpunësit civilë vazhdojnë normalisht në punët e tyre.

Partia Liberale mund të zëvendësojë Trudeau para 24 marsit. Procesi drejtohet nga rregullat e partisë. Udhëheqësi i ardhshëm liberal do të shërbejë si kryeministër deri më 20 tetor 2025, datë fikse për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme federale.

Kur Parlamenti të rikthehet, qeveria e re do të paraqesë një fjalim nga froni (duke vendosur axhendën e qeverisë, e nevojshme në fillimin e një sesioni të ri të Parlamentit) dhe do ta ndjekë këtë me një buxhet federal në prill. Liberalët kontrollojnë 153 nga 338 vendet në Dhomën e Komunave, një pluralitet por jo një shumicë. Trudeau po jep dorëheqjen nga vendi i tij, gjë që mund të reduktojë Liberalët në 152 vende. Kjo do të thotë se partitë opozitare mund të përdorin votat për Fjalimin e Fronit dhe buxhetin si mocione besimi dhe të detyrojnë zgjedhje.

Në të kaluarën, Trudeau ka arritur me një pakicë vendesh në Dhomën e Komunave, sepse partitë opozitare nuk ishin gati për zgjedhje, megjithatë qeveria aktuale, e zgjedhur në vitin 2021, është qeveria e pakicës më jetëgjatë në historinë kanadeze, që do të thotë se opozita, veçanërisht konservatorët e udhëhequr nga Pierre Poilievre, të mirëfinancuar dhe të gatshëm për zgjedhje. Kjo e bën situatën politike në Kanada veçanërisht të paqëndrueshme dhe koha e dorëheqjes së Trudeau do të krijojë vrull që Partia e tij Liberale ta zëvendësojë atë shpejt dhe që opozita të detyrojë zgjedhjet nëse mundet përpara tetorit.

Për të përmbledhur, në 12 muajt e ardhshëm, Trudeau do të zëvendësohet si lider i Partisë Liberale dhe si kryeministër? Zgjedhjet do të përcaktojnë renditjen e partive në Dhomën e Komunave? dhe kryeministër do të bëhet kryetari i partisë me më shumë mandate pas zgjedhjeve të 2025. Me potencialisht tre kryeministra në një vit, 2025 do të jetë një vit i paqëndrueshmërisë së pazakontë politike në Kanada.

Për Shtetet e Bashkuara, ka disa pyetje që shtron dorëheqja e Trudeau, ndër të cilat më të rëndësishmet janë:

Siguria Kombëtare: Justin Trudeau vizitoi me Presidentin e zgjedhur Trump në Mar-a-Lago më 30 nëntor dhe u zotua të rrisë sigurinë kufitare dhe përpjekjet për të ndaluar fentanyl dhe trafikimin e qenieve njerëzore në kufirin verior të SHBA-së për të shmangur një tarifë prej 25 përqind për eksportet kanadeze në Shtetet e Bashkuara. Në samitin e NATO-s në korrik 2024, Trudeau premtoi të rrisë shpenzimet kanadeze të mbrojtjes në 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2032, por nuk shpalli një plan për të arritur këtë qëllim. A do t’i respektojë Kanadaja këto premtime nën një udhëheqës të ardhshëm?

Marrëdhëniet Ndërkombëtare: Kanadaja pret samitin e liderëve të Grupit të Shtatë në Alberta në qershor, për të cilin takimet ministrore kanë qenë në pritje të konfirmimit të Senatit të SHBA për anëtarët e kabinetit amerikan. Sa kohë do të dimë se kush do të përfaqësojë Kanadanë? Ndërkohë, Kanadaja ka punuar me Shtetet e Bashkuara për të mbështetur Ukrainën pas pushtimit rus dhe kryerjen e patrullave të lirisë së lundrimit me Marinën e SHBA në Detin e Kinës Jugore. A do t’i mbështesë kryeministri i ardhshëm këto misione? Dhe a do të jetë në gjendje qeveria e ardhshme kanadeze të përfshihet në Haiti dhe kriza të tjera të Amerikës Latine nga Kuba në Venezuelë?

Tregtia: Marrëveshja e Shteteve të Bashkuara të Meksikës së Kanadasë që zëvendësoi NAFTA-n është në pritje për rishikim dhe madje ndoshta negociata të reja deri në vitin 2026. Trudeau ndoqi Kryeministrin e Ontarios Doug Ford dhe Kryeministrin e Albertës Daniele Smith duke sugjeruar publikisht se meqenëse Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë të lidhura me tregtinë kineze dhe investimet dhe Meksika nuk është, mund të jetë më mirë të negociohet një marrëveshje e re tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë dhe të lihet Meksika jashtë. Dhe të tre qarqet po bashkëorganizojnë Kupën e Botës FIFA të futbollit në vitin 2026. Cili do të jetë qëndrimi i ardhshëm i qeverisë kanadeze për marrëveshjet e Amerikës së Veriut?

Energjia: Kanadaja është vendi më i madh i Shteteve të Bashkuara furnizuesi i energjisë së huaj, duke ofruar energji hidroelektrike dhe lëndë djegëse si nafta, gazi, hidrogjeni dhe uraniumi. Këto nuk do të ndikohen nga pasiguria politike kanadeze. Kjo pasiguri mund të ngadalësojë më tej përpjekjet e planifikuara për nxjerrjen e mineraleve kritike dhe tokave të rralla dhe të planifikojë për investime të mëdha në kapacitetin e përpunimit të mesëm. Për më tepër, një mosmarrëveshje mbi gazsjellësin Enbridge Line 5 nuk zgjidhet në vitin 2025.

Tregtia dixhitale: Taksa e shërbimit dixhital të qeverisë Trudeau prej 3 përqind të të ardhurave të krijuara nga përdoruesit kanadezë të platformave të huaja teknologjike hyri në fuqi më 28 qershor 2024 dhe zbatohet në mënyrë retroaktive në 2022. Firmat e teknologjisë amerikane janë të bashkuara në kundërshtim me këtë taksë dhe do të bëjnë presion. Administrata Trump do të hakmerret, por një tërheqje e negociuar nga Kanadaja mund të arrihet me pasardhësin e Trudeau.

Ndërsa kanadezët punojnë në këtë periudhë të tranzicionit politik, Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol të rëndësishëm sepse çështjet kryesore me të cilat përballet Kanadaja lidhen në mënyra të ndryshme me Shtetet e Bashkuara. Rreziku është që administrata e ardhshme të keqvlerësojë sfidat dhe mundësitë e angazhimit me qeverinë Trudeau.

Nëse Uashingtoni i afrohet Kanadasë pa kujdes gjatë këtij tranzicioni, liberalët që zgjedhin liderin e tyre të ardhshëm dhe kanadezët kur të shkojnë në zgjedhje më vonë këtë vit, do të kërkojnë një kryeministër dhe qeveri të aftë për të shtyrë prapa në mbrojtje të interesave kanadeze: një nacionalist, apo edhe anti. – Udhëheqësi amerikan. Një qasje e menduar nga Uashingtoni tani mund të përmirësojë shanset për angazhim konstruktiv mbi çështjet dypalëshe dhe globale nga Otava. Për shkak se shumica e kanadezëve i pëlqejnë dhe vlerësojnë Shtetet e Bashkuara si partnerë, qeveritë e tyre e bëjnë gjithashtu. Ky moment politik kanadez duhet të ketë një fund të lumtur për interesat e SHBA.

Nëse jo, Uashingtoni do të fajësojë veten.

Filed Under: Kronike

“Kisha e Zojës Nunciatë dhe Kuvendi Françeskan në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë”

January 7, 2025 by s p

Paulin Zefi/

* Ndërtimi i Kishës së Zojës Nunciatë dhe i Kuvendit Françeskan bashkangjitur thuhet se lidhen me kalimin në këto anë të Shën Françeskut të Asizit gjatë kthimit të tij nga Toka e Shenjtë (1) në vitet 1220- 1221 (2). Të gjitha rrëfimet e Urdhrit Françeskan ia dedikojnë themelimin e këtij Manastiri krijuesit të urdhrit, Shën Françekut të Asizit (3), dhe në fakt, dihet se françeskanët filluan të shfaqen në Arbëri që në vitet e para të krijimit të Urdhërit (4). Nga banorët e Lezhës ky objekt kulti njihet kryesisht si “Kisha e Dom Lleshit.” Thuhet se Dom Lleshi ishte një ndër meshtarët që, mbasi Shën Françesku shkeli tokën arbëre, veshi petkun françeskan dhe me të hollat që mblodhi nëpër besimtarë, bëri të mundur ndërtimin e Kishës dhe të Kuvendit Françeskan sipas planimetrisë që kishte shënuar vetë Shën Françesku me një shkop/bastun pishe, të cilin Shenjti e mori me vete në përkujtim të atij udhëtimi (5). Historia e bastunit prej pishe të Shën Françeskut nuk mbaron me kaq!..

Në Arkivin e Kuvendit Françeskan ruhet një gojëdhënë shumë interesante, ku thuhet se: “Shën Françesku, tue kthye prej Sirije, u përshkue nëpër Shqypni, ku nxjerrë nji shkop prej deget të nji pishës s’eger, e muer me vedi deri në Venedik, e aty e nguli në tokë afër nji kuvendit të ktij qytetit, ku edhe xû, e u rrít në nji mënyrë të bindëshme, tue u bâ landë e madhe fort. E, edhe tash, po deshtem me i ndejë gojdhanës së popullit, ruehet trupi i thám i ksajë lande, rrethue gjithkahë prej parmakësh, qi mos t’a presë kush e mos t’a marrë me vedi. Kjo landë njifet me emrin “Pisha e Sh’Françeskut”, e i dahen grimcat e saja popullit qi i lypë për divocjon. Sot, ky trup pishe mundet me u pa, rujtë me shum kujdes, në fund të Kishës së Kuvendit Françeskan ngrehë m’nji ishull, afer Venedikut, banue vetem prej françeskanve e qi njihet me emrin “Deserto (6).” Bëhet fjalë për “Convento di San Francesco del Deserto (Kuvendi i Shën Fraçeskut të Shkretëtirës)”, i themeluar nga vetë Shën Françesku i Asizit në vitin 1223, i cili ndodhet në një ishull të vogël, 6 km në verilindje të qytetit Venecia, në Lagunën homonime. Pra, nëse i besojmë traditës, kemi të bëjmë me një lidhje të fortë shpirtërore, historike dhe materiale midis të dy Kuvendeve Françeskane, këtij në Lezhë dhe atij në Venecia.

Ndërsa, përsa i përket kohës së ndërtimit të Kishës së Zojës Nunciatë dhe Kuvendit Françeskan në Lezhë, dëshmia më e hershme pasqyrohet në arkitraun prej shtufi të portës kryesore (perëndimore) të Kishës. Këtu lexohet një mbishkrim në gjuhën latine, të cilit i mungojnë disa fragmente: “HOC TE[MPL]VM [FRATR]VM MINO[RUM] ÆDIFI[CATUM] EST ANNO DOMINI MC[C 40] (Ky tempull i Fretërve Minorë u ndërtua në vitin e Zotit, 1240)”. Pra, kisha u ndërtua prej Françeskanëve 14 vite mbas vdekjes së themeluesit të saj, Shën Françeskut, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1226 (7). Kurse, burimi i parë dokumentar, që provon ekzistencën në Lezhë të një Manastiri të Urdhrit të Fretënve Minorë i përket vitit 1464 (😎. Mbi arkitraun e portës anësore (jugore) lexohet një mbishkrim i gdhendur me shkronja të bukura gotike, në gjuhën veneciane, të cilit fatkeqësisht i mungon fillimi: “[…] XXXXXVI • ADI • PRIMO • DI • SETENBRIO • SER • […] • LEGRO • PABON • DEL • NAVILIO.” Sipas Th.Ippen, shkronjat gotike të mbishtrimit ngjajnë plotësisht me ato të monedhave të Balshajve, pra të viteve 1380 – 1442, por gjithashtu ato ngjajnë edhe me shkronjat e monedhave veneciane të Shkodrës gjatë viteve 1436 – 1442 (9).

Mirëpo, ky mbishkrim, mjaft i vështirë për t’u deshifruar, datohet në vitin 1456 dhe mendohet se gjetja në fjalë është me prejardhje nga ndonjë ndërtesë e afërt e portit antik lumor të Lezhës. Sigurisht që fjalët, “Legro Pabon del Navilio” duhet të jenë emër personi (10) dhe duke qenë se “Navilio” nënkupton tërësinë e mjeteve të lundrimit, që karakterizohet nga një funksionalitet ose rëndësi specifike, është shumë i drejtë kosntatimi se arkitrau që mban këtë mbishkrim i përket një ndërtese të portit lumor të Lezhës. Sulmi që ushtria osmane e sulltan Mehmetit II Fatih kreu mbi qytetin e Lezhës më 5 shtator me 1478 e dëmtoi rëndë kishën dhe manastirin, duke qenë se këtu ishin mbledhur shumë të krishterë, të cilët gjatë luftimeve me osmanët iu shkaktuan atyre me qindra ushtarë të vrarë dhe arritën të çajnë rrethimin (11). Kur u siguruan se vendi ishte i zbrazur, ushtarët osmanë së bashku me komandantin e tyre, Selim Pashën, hynë brenda në Kishë dhe kur panë statujat e Shën Françeskut dhe Shën Ndout, besuan se kishin qenë ata të dy që ua kishin ndalur hovin dhe Selim Pasha i ftoi të larguarit për t’u kthyer në vend, duke siguruar edhe një ferman të sulltanit, sipas të cilit askush nuk do të guxonte t’i prekte me dorë (12).

Po ashtu, komandanti osman u angazhua menjëherë, me shpenzimet e veta, për të rindërtuar Kishën dhe Kuvendin Françeskan pas dëmeve që kishte pësuar gjatë luftimeve (13). Në vitin 1591 kisha është përsëri në përdorim, por fretërit ishin transferuar në qytet, në një bujtinë modeste me një kapelë (kishëz) bashkëngjitur (14). Në relacionin e tij të vitit 1610, arqipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, shkruan për Kishën e Zojës Nunciatë, se: “Në Kishën e sipërthanun thonë se ka qenë vorrosë i famshmi Aleksandër Kastrioti, i quejtun me emër tjetër Skanderbeg (il famoso Allessandro Castrioto, chiamato per altro nome Scanderbegh), i cili u da në shenj me shumë luftime të vlerta kundër turqve, të cilat, të qituna në vargje, këndohen n’atë gjuhë prej të gjithë shqiptarëve, edhe në praninë e turqve (15).” Ky njoftim i dhënë nga M.Bici, ka bërë që disa autorë t’i mëshojnë tezës, sipas së cilës “Varri fizik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ndodhet në Kishën e Zojës Nunciatë, në Lezhë.” Mirëpo, një variant të tillë nuk e ndeshim në asnjë burim tjetër dokumentar dhe e vetmja mënyrë për ta provuar me siguri të plotë ose për ta hedhur poshtë, është zhvillimi i një ekspedite arkeologjike, çka në fakt është e pamundur, sepse aq i madh ka qenë numri i njerëzve që janë varrosur në këtë kishë deri në shek. XVII, sa duhet gërmuar e gjithë hapësira e saj e brendshme! Kisha e Shën Marisë përtej Drinit (Santa Maria ultra Drinum) së bashku me Kuvendin Françeskan (Convento di frati di San Francesco) përmenden në mënyrë të dendur në relacionet kishtare dërguar Selisë së Shenjtë në Romë, nga ipeshkvijtë e Lezhës, për gjendjen në Dioqezën e tyre.

Benedikt Orsini e përmend në vitin 1629; Gjergj Vladanji më 1663, 1672, 1680 e 1685 dhe Nikollë Vladanji më 1694 (16). Më herët, më 1668, “Chiesa de fratti chiamata S.Maria” përmendet në njoftimin e Antonio di Spoleto mbi gjendjen e Dioqezave të Arbërisë dhe në vitet 1671-1672 nga vizitatori apostolik, Stefano Gaspari (17). Në skicën e hartës (dorëshkrim) së panjohur italiane të shek. XVII, e cila mban emërtesën “DI ALESSIO”, emri i Kuvendit Françeskan shënohet “Gia’ Monast:” dhe i kishës, “S. Maria.” Në hartën e punuar në vitin 1688 nga Vincenzo Maria Coronelli (1650-1718), Kisha e Zojës Nunciatë del e shënuar si “S.Maria Chiesa” dhe një vit më vonë, më 1689, Giacomo Cantelli da Vignola (1643-1695), e paraqet këtë kishë me emrin “S. Maria.” Në relacionet e tij të viteve 1702-1703, arqipeshkëvi i Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç (1670-1745), shkruan se: “Kuvendi i Etërve Observantë i Shën Marisë, që thuhet e Lezhës (Conuento de PP. Osseruanti di S.ta Maria detta d’Alessio) është i rrënuar prej tërmetit për tri të katërtat dhe rrënojat tregojnë madhështinë dhe madhësinë e ndërtesës, siç i përshtatet dhembshurisë së të madhit Skënderbe, i cili e themeloi (alla Pietà del gran Scanderbego, che ne fù il fondatore).

Ka mbetur [në këmbë] pjesa e katërt, por as kjo e plotë, vetëm me gjashtë dhoma të ngushta dhe një dhomë më të gjerë për mysafirët. Kuvendit i përgjigjet ambienti i kishës, i gjatë 40 krahë dhe vetëm 12 i gjerë, i cili ka qenë restauruar me dhembshurinë e besimtarëve, por është në gjendje shumë të mirë materiale. Aty është altari i madh me titullin e Zojës Nunciatë (SS.ma Annunziata), që mbahet mirë dhe i stolisur me orendi të vjetra, por jo të leckosura. Ka dy altarë të tjerë në mes të kishës, njëri i kushtuar Shna Ndout (S. Antonio) dhe tjetri Shën Françeskut (S.Francesco), që të dy të mbajtur mirë. Është e furnizuar me orenditë e shugurueshme, madje të çmueshme, megjithëse të vjetra. Është pa kelshejt, që ja kanë vjedhur (18).” “Kisha e Shën Marisë matanë Drinit (la Chiesa di S.ta Maria di là del fiume Drino)” përmendet në vitin 1753 nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Anton Kryeziu (19). “Chiesa di S.Maria de’ PP. Osservanti” përmendet në vitin 1785 nga ipeshkvi i Lezhës, Giorgio Junchi dhe dy vite më vonë nga Mikel Kryeziu, i cili, në relacionin që mban datën 17 dhjetor 1787 përshkruan me detaje fushatën ushtarake osmane të udhëhequr nga Mehmet Pashë Çausholli, që i vuri zjarrin Kishës dhe Kuvendit Françeskan, ku mjerisht u dogjën edhe shumë objekte të Katedrales së Shën Nikollit (të kthyer nga xhami), që ruheshin në këtë vend (20).

Në vitin 1792, kisha rindërtohet edhe më madhështore se ç’kishte qenë më parë me kontributin e besimtarëve dhe ndihmën e Kongregacionit të Shenjtë (21). Mbi gjendjen e shkëlqyer të Kishës pas rindërtimit, e cila ishte djegur shpesh nga turqit (più volte abbruciata dai Turchi), flet në relacionin e tij të vitit 1795 arqipeshkvi i Durrësit, Tommaso Mariani; në vitet 1807, 1817 e 1821 e ndeshim në relacionet e ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Malçi dhe më 1844 e 1846 te ipeshkvi Ivan Topich (22). Më 1 tetor 1848, Kisha e Zojës Nunciatë dhe Kuvendi Françeskan vizitohen nga piktori, poeti dhe shkrimtari i njohur anglez, Edward Lear, gjatë udhëtimit të tij në drejtim të Shkodrës dhe pasi ai kthehet nga Shkodra, vendos të qëndrojë një natë në këtë vend, më 7-8 tetor 1848, me ftesë të Fra Pietro (23). Kisha dhe Kuvendi Françeskan përmenden në vitet 1864-1865 nga ipeshkvi i Lezhës, Pal Dodmasej dhe më 1866 nga konsulli i Francës në Shkodër, M.Wiet (24). Viti 1892 shënon kompletimin me një kambanare hijerëndë, të ngritur pranë këndit veriperëndimor të kishës (25).

Në vitet 1896-1897, në këtë kishë famullitare, të dielave dhe në ditë festash, i kryente shërbesat At Gjergj Fishta, i cili, asokohe qëndronte kryesisht pranë Kuvendit dhe Kolegjit Françeskan të Troshanit. Në vitin 1907, Kisha e Zojës Nunciatë dhe Kuvendi Françeskan vizitohen nga konsulli i Austro-Hungarisë në Shkodër, Theodor Ippen, i cili evidenton dhe shpëton dy objekte të rrallë dhe shumë të rëndësishëm (26). Bëhet fjalë për arkitraun e gdhendur me shkronja gotike, në gjuhën veneciane, që sot ndodhet mbi portën jugore të kishës, të cilin e ka gjetur të zhytur pjesërisht në tokë, në anën e majtë të portës kryesore dhe një pllakë varri me mbishkrim dhe e stolisur me emblemë, të cilën e ka gjetur në kalldrëmin para kishës dhe me porosinë e tij ka qenë vendosur fillimisht në murin e kishës. Objekti i dytë është guri i varrit të fisnikut arbër, Anton Skura, i cili në shek. XIV ka qenë kreu i familjes Skura. Mbi këtë gur është e gdhendur një stemë heraldike, e cila paraqet një luan të ngritur në dy këmbët e pasme me një brazdë të tërthortë, që është e dekoruar në pjesët fundore me dy yje me tetë cepa. Në këndin e djathtë emblema është e dekoruar me një zambak. Nga emblema varen, gjithashtu dy litarë, të cilët përfundojnë me nga një zambak në fund. Mbi stemë ka një mbishkrim në latinisht, i cili për fat të keq, nuk është i plotë, ngaqë është dëmtuar. Në të shkruhet: “SEPULTURA … ANTONIO SC … CUM ERE[D]ES SUO.” Sot, ky artefakt i çmuar ruhet dhe është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë.

Përveç dy objekteve të lartpërmendur, Th.Ippen flet edhe për një fragment të vogël guri të një varri analog të murosur në altarin kryesor dhe po ashtu, rrëfen se në vetë Manastirin ruhet një fragment i vogël guri i një mbishkrimi nderi kushtuar perandorëve romakë, Septimus Severius dhe Karakalla, prejardhja e të cilit nuk dihet (27). Në fundin e Luftës së Parë Botërore, më 1918 (28), pasi e kishte përdorur si qendër shëndetësore, ushtria austro-hungareze në tërheqje e sipër, do ta digjte kompleksin dhe Manastiri do të rindërtohej vetëm në vitin 1930 (29). Mirëpo, gjasat janë që që zjarri duhet të jetë vendosur pas largimit të tyre, kur dihet shumë mirë roli vendimtar i Perandorisë Austro-Hungareze në krijimin e Shtetit Shqiptar, por në veçanti në shpëtimin e mbrojtjen e Komunitetit Katolik Shqiptarë dhe të Kishave tona gjatë periudhës së pushtimit osman. Kuvendi Françeskan u rindërtua sipas një projekti të arkitektit italian U.Piazzo (30) dhe ndërsa muret e Kishës së Zojës Nunciatë u restauruan në vitin 1933 sipas një projekti të hartuar nga At Gjergj Fishta. Mirëpo, kisha do të mbetej pa çati edhe një dekadë më shumë (31). Mjerisht, punimet restauruese të realizuara pas vitit 1940, duket qartë se janë bërë me mundësi shumë të kufizuara ekonomike. Po ashtu, për fat të keq, kisha dhe manastiri nuk i shpëtuan dot histerisë së Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967, ku u shkatërruan shumë pjesë të tyre, në veçanti kambanorja hijerëndë e vitit 1892. Nga viti 1967 dhe deri më 1991, ky ansambël ndërtimor madhështor u përshtat në funksionin e vendqëndrimit të kamionëve, si ofiçinë mekanike dhe si magazinë. Një krim monstruoz! Kisha ka një planimetri katërkëndëshe, të orientuar, pa absidë dhe përmasat e saj janë mjaft të mëdha: 27.8 m gjatësi dhe 9.5 m gjerësi, 8.5 m në pjesën e altarit (32). Muret e kishës kanë një trashësi rreth 1 m dhe teknika me të cilën janë ndërtuar është ajo e murit me një faqe të jashtme me gurë të latuar katërkëndorë dhe një veshje e brendshme me gurë pak të punuar, që suvatoheshin (33). Navata e vetme e kishës është e ndarë në dy zona, njëra e rezervuar për klerikët (kori dhe presbiteri) dhe tjetra për laikët. Kisha është e pajisur me tri hyrje, porta kryesore (ajo perëndimore), porta jugore dhe porta verilindore, që lidh Kishën me Kuvendin, e cila përdoret vetëm nga klerikët. Hapësira e brendshme ndriçohet prej 6 dritareve, të cilat kanë forma të ndryshme. Dritarja mbi fronton në anën perëndimore ka formë rrethore, dritarja në faqen lindore është trungkonike dhe 4 dritaret në anën jugore, janë të larta, të gjera dhe të mbuluara me qemer guri. Manastiri i Shën Françeskut dhe Kisha e Zojës Nunciatë janë restauruar tërësisht në vitet 1993-1997, duke ruajtur në arkitekturën e tyre krahas veprave të reja edhe të mureve të vjetra, që dëshmojnë historinë e saj të lavdishme gati 800 vjeçare.

BIBLIOGRAFIA:

1) A.Degrand, Souvenirs de la Haute-Albanie, f. 178; E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 184.

2) T.Çobani, Paralele kulturore të një qyteti: Studime dhe artikuj, f. 123.

3) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 256-257.

4) G.Valentini, Passeggiate storiche nell’Alta Albania, në: “Drini – Bollettino mensile del Turismo albanese”, Nr. 1, Anno … II, Tirana: giugno 1941, f. 128.

5) M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 96, Shënimi nr. 2.

6) V.Prendushi, Sh’Françesku i Asizit, Botimi i dytë, f. 64.

7) Ibidem, f. 64.

😎 G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 41.

9) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 258.

10) Ibidem, f. 258.

11) M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 96.

12) M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 96-97.

13) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 41.

14) Ibidem, f. 42.

15) I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell’Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga – Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga – riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 102-103, Dok. Nr. 2.

16) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86, 93, 125, 130, 137, 146-147.

17) Ibidem, f. 105, 116.

18) V.Zmajevich: P.Bartl / I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë / Relazione dello stato d’Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij botimi: Albert Ramaj, Zef (Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 116, 269-270.

19) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 209.

20) Ibidem, f. 234, 245.

21) Ibidem, f. 262.

22) Ibidem, f. 275, 301, 312, 321, 332-333, 354.

23) E.Lear, Journals of a Landscape Painter in Albania, Illyria & c., Second Edition, London: Richard Bentley, M.D.CCC.LII (1852), f. 121-126, 149-153.

24) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 375, 387-388, 393.

25) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 42.

26) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 155, 257-259.

27) Ibidem, f. 155.

28) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimivarii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 132.

29) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 42.

30) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimivarii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 132.

31) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 42.

32) Ibidem, f. 42.

33) Ibidem, f. 42-44.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 711
  • 712
  • 713
  • 714
  • 715
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT