• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasador Anton Berisha, in memoriam…

January 3, 2025 by s p

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh keqardhje të thellë për ndarjen nga jeta, para kohe, të njërit prej anëtarëve të saj krenarë dhe të çmuar, Ambasador Anton Berisha.

Anton Berisha i përkiste gjeneratës së parë të ambasadorëve të karrierës të Republikës së Kosovës, i emëruar në vitin 2009.

Ai shërbeu si ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni dhe më pas mbajti disa pozita të tjera të rëndësishme diplomatike, përfshirë atë të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit dhe përfaqësues diplomatik në Selinë e Shenjtë.

Ambasador Berisha ishte një figurë e shquar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku dha një kontribut të çmuar në fushën e politikës së jashtme dhe integrimeve evropiane.

Ai ishte një mbështetës i madh i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe një zë i fuqishëm për çështjen kombëtare shqiptare. Në çdo detyrë që mori përsipër, ai e përfaqësoi Republikën e Kosovës me dinjitet dhe përkushtim, duke dëshmuar dashurinë e tij të madhe për vendin.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij të dashur, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë.

Prehu në paqe, miku ynë i nderuar🙏

Filed Under: Analiza

ME PLIS TË BARDHË PARA HASMIT PËR LIRINË E KOSOVËS

January 3, 2025 by s p

Skënder KARAÇICA/

Në fshatin Baicë të Drenicës, ka vdekur i burgosuri politik i viteve 1981,Sejdi (Sadri) Leku,i cili tërë jetën ishte në krah të frymës kombëtare për Liri dhe Pavarësi të Kosovës. Me punën  e tij të ndershme ai në punëtorinë e tij bënte dyer e dritare për shtëpitë e reja në Drenicë. Në punë dhe në veprimzarinë e tij prej veprimtari e burrit të odës, nuk e hoqi plisin e bardhë nga koka. E kishte për nder e për kujtim të traditës e të porosisë së babait Sadri Leku, njeriu i përkushtuar për tokën e bukës dhe për rritjen e fëmijëve, të djemëve dhe të vajzave në Drenicën e halleve të kohës…

Ishte viti 1981 kur tërë Kosova vlonte nga brohortijet e demonstratave të rinisë,të studentëve dhe të popullit,në kërkim të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Regjimi shekullor i Serbisë  e kishte mbushur kupën me kurthat ,hilet ,vrasjet dhe skenarët e varfërisë dhe të shfarosjes për shqiptarët në tokën e vet. Kosova në këto vite ishte pjesa më e varfër e ish-Jugosllavisë dhe, për këtë nuk i prishej rahatia regjimit antishqiptar të Serbisë.Për shqiptarët në Drenicë, edhe kur shkonin në arat e bukës për të punuar, jetën e kishin luftë me regjimin serbo-jugosllav.

Sejdi (Sadri) Leku, në Gllogofc të kohës punoi si mjeshtër i mirë për dyer e dritare të reja. Ai gëzohej kur shihte që në fshatrat e Drenicës ndërtoheshin shtëpitë e reja dhe, mjeshtria e tij e vyer, bëhej pjesë e kulmeve të kuqe të shtëpive të reja, ku, bëhej dasmë e gëzime të familjes shqiptare nën vëzhgimin e pa rreshtur të regjimit se çfarë po bëjnë në Drenicë…?!Djali i Baicës, djali i Sadri Lekut, njeriut të vuajtur të udhëve të jetimit, e kishin burrëruar para kohe djalin e madh të tij Sajdiun, që me plis të bardhë,më ballin e hapur punoi natë e ditë për të mbajtur familjen me shumë anëtarë. Sejdiu u bë i njohur si mjeshtër për dyer e dritare në Drenicë dhe, përmes ,,fabrikës,, së tij ai mbijetoi kundër regjimit të kohës, vrastare dhe antishqiptare…

Në kronikën e jetë së tij ai kujtohet kur në demonstratat e rinisë shkollore në Gllogofc (1981)e mbylli duqanin e tij dhe u bashkua me turmën  e shpirtit liridashës në Drenicë, me thirrjen e zëshme përtej maleve ,,Kosova Republikë,, ! Nuk u ndal vetëm me kaq, përditë Sejdiu në krah të rinisë e të demonstratave…Pushteti serb dhe udbashët e kishin  përcjellë hap pas hapi burrin  nga Baica dhe,në fund të udhës të shpirtit kryengritës të rinisë së Drenicës, e ndalin Sejdi (Sadri) Leku dhe ia vëjnë hekurat në duart e tij për të dërguar prapa grillave të burgut në Prishtinë. Aty nis kalvari i vuajtjeve, të maltertimeve,të rrahjes me hekurat shkopinj të policisë për të kërkuar fjalën e tij: Se kush qëndrona pas turmës së madhe të historisë më të re të Drenicës kundër regjimit serbo-jugosllav dhe për parollën me motive të platformës kombëtare ,,Kosova Republikë,,!

Në burgun e Prishtinës  dhe më vonë në burgjet e Serbisë, i denuar për veprimtari armiqësore sipas ligjeve të kohës, Sejdi (Sadri) Leku në tërë kalvarin e përgjakjes së trupit të tij, nuk e hoqi nga koka plisin e bardhë ,shenjë e traditës të maleve për liri të Drenicës…!Kështu mbeti tërë jetën burri dhe kryengritësi me frymën e lëvizjes së madhe,deri në kohën kur në Drenicë, doli para regjimit vrastar të Serbisë dhe para botës UÇK-ja në varrimin e mësuesit të vrarë në shkollën e Llaushës.

Tashti në vitin 1998 në Gllogofc,kishin ardhur forca të shumëta policore,ushtarake dhe paramilitare për të vrarë, për të djegur e shfarosur Drenicën. Në udhëkryqin Gllogofc-Skenderaj gjëndej shtëpia e vëllait të tij Gani Leku dhe,për shkak të rethimit e të bombardimit me armat më të rënda serbe,shumë familje shqiptare ia mësyen qendrës së Gllogofcit,që të shpetojnë nga skenarët e Serbisë të njohur për kohën,,Patkoj,,! Çaste të rënda,kishin ardhur për këtë anë të njohur në luftëra të prëgjakura,ku,në historinë shekullore të pushtimit e të ripushtimit nga Serbia,nuk ia ndali pushkën në malet kazerma të Ahmet Delisë, të Azem Bejtës, të Shaban Palluzhës dhe së fundi kryengritja e kthesës së madhe të historisë të Komandantit Legjendar të UÇK-së të Adem Jasharit.

Gllogofci në vitin 1998 ishte i rrethuar nga të katër anët nga forcat serbe.Sejdi (Sadri)Leku kishte dalur tek shkallët e shtëpisë dhe kishte filluar të grinte pak duhat(kaçak)për kutinë e burrërisë së tij.Në këto çaste po i thonë Sejdiut,hajde më shpejtë se jemi të rrfethuar e,hasmi nuk na pret…!Paksa si me humor,Sejdiu ua kthej fjalën:Pa e gri duhanin,nuk e kam ndërmend me e lshua shëtpinë…!Hjade me shpejt se ata erdhën në oborrin tonë,i thanë ata të shtëpisë përseri. Sejdiu nguli këmbë dhe,forcat armike të Serbisë i priti në tokën e vet,me plis të bardhë e para vdekjes…!

Përseri pas torturave të përgjakura, Sejdiu  për herë të dytë u gjënd në burgjet e Serbisë,i dërmuar para vdekjes…!Dhe,në katrahurën deri në shkallë të gjenocidit,Kosova dhe shqiptarët,në vitin 1999, në krah të ndërhyrjes së forcave ushtarake(NATO) të aleatëve të udhëhequr nga Amerika,rrezet e diellit të lirisë së Kosovës erdhën me Lirinë dhe Pavarësinë.Në odat e Drenicës,historia shqiptare është shpjeguar se qyshse nga viti 1912-1999,shqiptarët asnjëherë nuk e kanë pranuar për shtet të vetin Jugosllavinë e aq më shumë Serbinë fashiste.

Sejdi (Sadri) Leku, kohën e Lirisë e të Pavarësisë së Kosovës e pati pritur ne zemër hapur dhe, shpeshherë thoshte: Të qofshin falë plagët dhe gjaku im, Kosova e Lirë!

Filed Under: Analiza

MBËSHTETJA PËR SHKOLLAT SHQIPE NË AMERIKË, AKT PATRIOTIK E HISTORIK I FEDERATËS VATRA E GAZETËS DIELLI

December 31, 2024 by s p

Sokol Paja/

Viti 2024 ka qenë një vit historik për Federatën Vatra e gazetën Dielli si institucione të shenjta të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja ndaj shkollave shqipe në Amerikë me flamuj kombëtarë, abetare, libra shqip dhe gazeta Dielli e rikthyen Vatrën në lavdinë e saj shekullore në mbështetje të gjuhës shqipe, historisë kombëtare, identitetin kulturor shqiptar, traditës e trashëgimisë së shkëlqyer atdhetare në mërgatën e Amerikës. Në vitin e gjuhës shqipe, Federata Vatra dhe gazeta Dielli iu gjend pranë shoqatave e organizatave patriotike që punojnë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ndërsa vetë si organizata më e fuqishme dhe më e vjetër funksionale mes shqiptarëve të Amerikës, drejton tri shkolla shqipe duke dhënë një ndihmëse të jashatëzakonshme në ruajtjen e gjuhës kombëtare në mërgatë.

Shkolla Shqipe “Vatra” në Tampa e Tasim Rukos, Klubi Patriotik “Flas Shqip” në Miami e Dr. Iris Halilit dhe Shkolla Shqipe “Gjergj Fishta” në New York e Dr. Paulin Markut, mbështetja nga degët e Vatrës në Boston, Chicago, Michigan, New Jersey, Connecticut etj janë dëshmi e fuqishme se Vatra këtë vit ishte flamurmbajtësja e veprimtarive atdhetare e komunitare në mbrojtje të gjuhës e kulturës kombëtare në Amerikë.

Më 3 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” në Bronx, New York. Vatranët shprehën falenderim, vlerësim e mirënjohje për punën e shkëlqyer të shkollave shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Vatrës theksoi se puna e shkëlqyer e mësuesve dhe shkollave shqipe do të ruajë të pastër trashëgiminë kulturore shqiptare në brezat që do vijnë. Shkollat shqipe në Amerikë e kudo ku ka diasporë shqiptare janë vazhdimësi identitare dhe përpjekje dinjitoze në mërgatën e Amerikës duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shqiptarinë. Mësuesit e shkollave shqipe në mërgatën e Amerikës dhe në diasporën shqiptare kudo në botë janë misionarë të shenjtë të kombit shqiptar.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra e mbështet arsimin shqip e shkollat shqipe që prej vitit 1912 ku vetëm në vitet 1918-1940 Vatra dërgoi më shumë se 120 mijë libra në Shqipëri të shtypura në Shtypshkronjën e Diellit. Më 12 tetor 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut.

Më 4 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Mëso Shqip” dhe “Fol Shqip” në Staten Island dhe Queens, New York. Aktivistët, patriotët e vullnetarët shprehën vlerësim të lartë për Vatrën e gazetën Dielli si ikona të shqiptarizmës. Vatranët shprehën falenderim të përzëmërt për punën e shkëlqyer patriotike, edukative dhe kulturore të mësuesve, prindërve dhe drejtuesve të shoqatave të cilët mbështesin shkollat shqipe. Shpirti atdhetar i patriotëve, puna profesionale e mësuesve, pasioni i tyre, këmbëngulja e prindërve e mbështetja e drejtuesve të shoqatave përbëjnë një garanci për të ardhmen e mësimit shqip në mërgatën e Amerikës ku Vatra do jetë aty për ta përgjithmonë. Zoti i nderoftë të gjithë patriotët, atdhetarët e mbështetësit e mësimit shqip, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e jashtëzakonshme ndjesia që përjeton në shpirt teksa sheh gjeneratat që flasin, mendojnë, studiojnë, vallëzojnë e jetojnë shqip.

Kjo mbështetje shpirtërore e materiale e Vatrës të bën krenar e mbush zemrën plot. Më 14 shtator 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga në Riverdale New Jersey. Më 21 shtator 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 30 flamuj kombëtar, 30 libra shqip dhe 30 gazeta Dielli për fëmijët shqiptarë të shkollës shqipe të shoqatës Iliria në Saint Louis. Më 14 tetor 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për punën e jashtëzakonshme edukative, patriotike, kulturore e atdhetare. Dhurimi u bë ceremoninë e përurimit të Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, nëpërmjet gazetës Dielli është kthyer në promotorën më të fuqishme të shkollave shqipe në diasporën e Amerikës e Europës. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë përpjekjet e shenjta të çdo shqiptari për gjuhë, flamur, komb e atdhe.

Filed Under: Featured

ARSHI PIPA DHE VEPRA MADHORE E TIJ MERITOJNË NDERIM TË PËRJETSHËM

December 31, 2024 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

In memoriam

Arshi Pipa, njëri nga tre disidentët më të shquar të ish vendeve komuniste, sikurse e kanë cilësuar. Intelektual me profil të spikatur atdhetar, ai ishte kundërshtari më i madh ndaj ç`do diktature në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti. Nuk e kishte vetëm nga librat urrejtjen për atë sistem gjakatar, por e kishte provuar hakmarrjen barbare të tij mbi kurrizin e tij dhe të familjes së tij. Bir i një juristi me ide përparimtare nga Libohova për të cilat kishte kryer edhe burgimin, vendlindja e tij qe Shkodra, qyteti me kulturën e njohur dhe prirjet më evropiane e demokratike i Shqipërisë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen, Arshiu i kreu pranë Kuvendit Jezuit, ku dhe dolën në pah prirjet e tij letrare qysh kur ishte 16 vjeç. Studimet e mëtejshme i vazhdon në Firencen e historisë dhe artit magjik, ku pasi përfundon Universitetin, laureohet doktor në Filizofi. I mahnitur pas “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe lirikave të tij novatore, si dhe nga vepra e poetit dhe historianit Francesco Petrarca, ai përvetëson disa gjuhë të huaja dhe bëhet adhurues i holandezit me origjinë hebreje Baruch Spinoza, Berklit etj. Por krahas admirimit për gjithçka të mirë kishte trashëguar Italia, ai kuptoi shpejt se ku donte ta shpinte atë doktrina fashiste të cilën e urren dhe e lufton së bashku me vëllanë e tij, avokatin me emër Myzafer Pipa.

Pas çlirimit të vendit, ai gjithashtu kupton demagogjinë e sistemit që partia komuniste me Enver Hoxhën në krye po instalonin në atdheun e tij dhe nuk e fsheh mospajtimin me të, gjersa në vitin 1946 e arrestojnë së bashku me të vëllanë i cili pak më parë kishte qenë i internuar nga fashistët në Ventotene dhe më pas në Prishtinë nga nazistët gjermanë. Krimi i këtij të fundit kishte qenë se duke kryer detyrën e tij si avokat, ai kishte marrë përsipër mbrojtjen në gjyqin special të “armiqve të popullit”, pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Në pohimet e Koçi Xoxes e Vaskë Kolecit, kur u erdhi vetë radha për të dalë në gjyq, deklarohen torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj tij derisa vdiq. Arshiun 26 vjeçar e dënojnë me 11 vjet burgim. Në burg, Arshiu shkruan poezi plot brengë e dhimbje në letra cigaresh dhe i nxjerr ato me anën e rojës së burgut, njeriut të ndershëm Hasan Gjozaj të cilit i mbetet mirënjohës, për t`ua dhënë motrave të cilat përjetuan gjithashtu egërsinë e regjimit.

Koha e vuajtjes së dënimit në kënetën famëkeqe të Maliqit, torturat dhe mizoritë që ai pa dhe provoi atje, janë përshkruar me art dantesk te “Libri (i tij) i burgut”. Ja si shkruan ai këtu: “Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë, / na këllasin e na shtyjnë / n`gërmaz me grushta, e uj kur bajm me lypë / qeshin e na pështyjnë. / na lagin dimnit qelat, elektrikun / na venë ndër veshë e gojë, / e deri ndër turpe… E qeshin tue na fikun cigaret n`sy për lojë.” Si mbaron afati i dënimit, dhe sheh se për të nuk ka asnjë perspektivë, Arshiu gjen mundësinë dhe në vitin 1958 largohet nga Shqipëria dhe përfundon në SH.B.A. vend ku demokracia krijonte mundësi të reja. Këtu, ai pas përpjekjeve të pareshtura, caktohet për të dhënë mësim në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe pastaj në Universitetin e Minasotës ku jep lëndën e tij të preferuar, atë të letërsisë italiane. Bie në sy erudicioni i tij i jashtëzakonshëm në disa fusha si gjuhësi, letërsi, filozofi, sociologji, publicistikë etj. dhe në këto vite shkruan e boton veç librit të sipërpërmendur edhe një mori veprash të tjera që e bënë mjaft të njohur si “Lundërtarë”, “Rusha”, “Meridiana”, “Kritika letrare”, “Montale dhe Dante”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia shqipe: perspektiva sociale”, “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, “Vargu popullor shqiptar”, “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, “Shqipëria staliniste. Aspekte ideopolitike”, “Studime mbi Kosovën”, “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare”, “Humanistët italo – shqiptarë”, libri i shkruar në burg qysh në 1955 “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (italisht) etj.

I palodhur, si studiues dhe polemist i pakompromis, ai ka marrë pjesë aktive në shumë simpoziume e takime shkencore, dhe ka botuar një sërë artikujsh me shumë vlerë në revista të ndryshme si në Amerikë ashtu edhe në Evropë. I djegur nga malli e dashuria për atdheun e tij, me përmbysjen e komunizmit, Arshiu, tani i renditur krahas Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, erdhi në Shqipëri, ku pa se ëndrra e tij ishte bërë realitet. U çmall me njerëzit e tij të dashur, motrat e tij të shtrenjta, Bukurushin, Nedretin dhe burrat e tyre, intelektualë të mrekullueshëm, të ndjerët shkrimtarë Bardhyl Shehu dhe Uran Kalakulla i cili kishte kaluar plot 21 vjet në burgferrin shqiptar të asaj kohe së bashku me të respektuarin demokrat Pjetër Arbnorin. Në moshën 77 vjeçare profesor Arshi Pipa, tani i vlerësuar në vendin e tij, ndërron jetë në Washigton. Besimi i tij te demokracia, neveria e hapur ndaj diktaturës, urrejtja për barbarinë komuniste, guximi qytetar për t`i shprehur bindjet e veta, karakteri i tij i pathyer, mosnjohja e asnjë kompromisi me të keqen, etja e pashuar për dije, vullneti për të krijuar sa më shumë, dashuria për vendin e tij, ishin tiparet kryesore të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Nuk e di në ç`rrethana filozofi materialist anglez Tomas Hobsi të cilin dua të besoj se vetë ai nuk do ta ketë pasur dhe aq për zemër, pati thënë se “Çdo njeri është i rëndësishëm pasi vdes”, por di se vepra e tij shumëplanëshe dhe përherë në shërbim të kulturës tonë, e bënë Arshi Pipën jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pavdekshëm. Se fjala dhe mendimi i tij, nuk lindën thjesht nga talenti, por edhe pse, sikurse thotë vetë: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.” Se ai gjithmonë ka pasur bindjen e Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e të djeshmes.”

Filed Under: Emigracion

Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vititi 2024

December 31, 2024 by s p

Adnan Mehmeti

President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

New York, 29 dhjetor 2024

May be an image of text

Viti 2024 për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë shënoi një kapitull të suksesshëm në historinë e saj. Me një axhendë të pasur, e mbushur me aktivitete letrare, promovime librash, çmime ndërkombëtare dhe botime cilësore, Shoqata e Shkrimtarërve Shqiptaro-Amerikanë dëshmoi përkushtimin e saj ndaj ruajtjes dhe promovimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare në Amerikë.

Më 7 prill 2024, Shoqata e Shkrimtarëve zhvilloi zgjedhje të reja.  Drejtimin e saj e morën figura të njohura të letërsisë shqipe. Kryetare u zgjodh Dr. Yllka Filipi. Nenkryetare Arjeta Ferlushkaj Kotrrri dhe sekretar Dr. Bexhet Asani. Presidenti aktual, Adnan Mehmeti do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij. Kjo kryesi e re vjen me energji dhe vizion për të çuar përpara misionin e Shoqatës. Në këtë kontekst, falenderime të veçanta ju drejtojmë kryesisë së mëparshme, të drejtuar nga Mëhill Velaj për kontributin dhe angazhimin gjatë viteve.

Panairi i 3-të i Librit Shqip në Amerikë.

Ky event ishte një nga ngjarjet kulturore më të mëdha të vitit në Amerikë, ku mblodhi shkrimtarë dhe lexues nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara në bibliotekën “Ferguson Library” në Stamford, Connecticut. Ngjarja u cilësua si një moment kulmor për diasporën shqiptare, për promovimin e librave shqip, por edhe si një urë lidhëse midis autorëve dhe lexuesve. Të gjitha kumtesat dhe veprat e paraqitura gjatë panairit u përfshinë në suplementin e posaçëm të revistës letrare “PENA”, organi zyrtar i Shoqatës, duke u bërë një pasqyrë gjithëpërfshirëse e krijimtarisë së anëtarëve.

Çmime ndërkombëtare dhe nderime për autorët shqiptarë.

Viti 2024 ishte gjithashtu i pasur me dekorime ndërkombëtare për anëtarët e Shoqatës, të cilët dëshmuan vlerat e letërsisë shqipe në arenën globale.

Visar Zhiti mori çmimin ndërkombëtar “Camaiore” në Camaiore dhe “Çmimin e Ekselencës” në Milano, Itali, duke nderuar jo vetëm Shoqatën, por edhe kulturën dhe letërsinë shqipe në tërësi.

Vlashi Fili, ish-nënkryetar i Shoqatës, u nderua me çmimin prestigjioz “Artium Mundus Prize 2024”, një çmim letrar nga revista ndërkombëtare e letërsisë dhe arteve me seli në Dallas.

Promovime librash dhe anëtarë të rinj.

Gjatë vitit u organizuan një numër i konsiderueshëm promovimesh librash, ku u prezantuan krijimet më të reja të autorëve si Gjekë Marinaj, Visar Zhiti, Mëhill Velaj, Namik Selmani, Besim Muhadri, Hys Hasa, Bexhet Asani, Age Ivezaj, Sabije Dervishi Veseli, etj.

Një moment i rëndësishëm ishte edhe mirëpritja e anëtarëve të rinj në Shoqatën e Shkrimtareve, duke zgjeruar kështu radhët e saj me emra premtues si: Eva Dori, Sami Mulaj, Nexhmedin Syla, Aurel Naqi, Nosh Mernacaj, Gjon Frani Ivezaj, Premisa Kerthi dhe Azgan Berbati.

Kontribute për komunitetin shqiptar.

Një iniciativë e veçantë erdhi nga bashkëpunimi mes Shoqatës së Shkrimtarërve dhe Aleancës Shqiptare të New Jersey-it, ku falë përkushtimit të anëtares Arjana Gaba, një koleksion librash në gjuhën shqipe iu dhurua Bibliotekës Publike të Garfield-it. Kjo iniciativë pasuroi fondin e bibliotekës dhe ndihmon në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në këtë komunitet.

Ju dha denjësisht lamtumira e fundit kontribuesve të mëdhenj të letërsise shqipe.

Viti 2024 solli edhe momente të dhimbshme për Shoqatën dhe letërsinë shqipe në përgjithësi.

Shoqata humbi dy anëtarë të saj, Prof. Sami Repishtin dhe Agim Dëshnicën, si dhe kolosin e letërsisë shqiptare, Ismail Kadarenë, një mik i Shoqatës dhe një ikonë e kulturës shqiptare. 

Revista letrare “PENA”

Kryesia e re e Shoqatës realizoi një botim të ri të revistës “PENA”, e cila vazhdon të mbetet një platformë e rëndësishme për promovimin e krijimtarisë së anëtarëve të saj. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë vazhdon të jetë një burim frymëzimi për diasporën shqiptare dhe një mbështetëse e zërit letrar shqiptar në botë.

Urojmë që viti 2025 të sjellë suksese të reja dhe krijimtari të begatë për ta çuar lart e me lart zërin dhe vlerat e letërsisë shqiptare në Amerikë e më gjerë.

May be an image of 9 people and text
May be an image of 8 people and text
May be an image of 10 people, the Oval Office and text
May be an image of 15 people and text

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 717
  • 718
  • 719
  • 720
  • 721
  • …
  • 2936
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT