• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDAHET NGA JETA GERTI BOGDANI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

September 18, 2024 by s p

E nderuar familja Bogdani/

Me keqardhje të thellë dhe dhimbje të madhe mësova lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta tokësore të politikanit, profesionistit ekselent, djalit të përkryer, dhe qytetarit model Gerti Bogdani.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e parakohshme të të shtrenjtit tuaj, mikut tim të çmuar Gerti Bogdani.

Unë i kam të freksëta bisedat, takimet dhe kujtimet me Gert Bogdanin, tironsin fisnik e djalin brilant. Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë familjes Bogdani, familjarëve, anëtarëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve e bashkëpunëtorëve të tij në këto momente dhimbjeje, trishtimi, zie e lamtumire dhe lusim Zotin për shpirtin e tij.

Gerti Bogdani pushoftë në paqe e përjetësi.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Politike

TAKIMI MED24 NË TIRANË: “Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqës”

September 18, 2024 by s p

Mesazh nga Papa Françesku në 10-vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Disa burime kombëtare dhe ndërkombëtare lajmesh kanë njoftuar ditët e fundit për një takim në Tiranë që është jo aq i jashtzakonshëm sepse është hera e katërt që mbahet një takim i tillë ndërkombëtar mesdhetar – më heret takime të tilla janë mbajtur në Bari, në Firence dhe në Marseille – por ndoshta dallohet për nga përmbajtja, temat që po diskutohen dhe sidomos për nga pjesëmarrja.  (#MED24Tirana —#med24tirana #tiranacity –Losservatore Romano, Vatican news, Radjo Vatikani e tjera).

Takimi MED24 i të rinjve nga disa shtete të Mesdheut, sipas lajmeve, nga Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, disa vende të Lindjes së Mesme, Turqia, Armenia, Gjorgjia, Rumania, Greqia, Kroacia, Kosova, Malta, Franca, Italia, Spanja dhe Shqipëria. Të rinj me përkatësi fetare e kulturore të ndryshme po diskutojnë dhe po reflektojnë (nga 15-21 shtator) mbi kulturën e dialogut, paqës dhe drejtësisë në të ardhmen, në vendet e brigjeve të Mesdheut – “Mare Nostrum”, por dhe Detit të Zi — me temën: “Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqës”. 

Duket se Shqipëria mund të jetë përzgjedhur për një takim të kësaj natyre si një vend që tani konsiderohet, botërisht, të pakën për nga bashkjetesa fetare, e njohur tanimë, në radhët e shqiptarëve, si një vend vlerash bashkjetese e tolerance fetare.  Pritet që të rinjt nga vendet mesdhetare, gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë e Shqipëri, të përjetojnë vlerat e diversitetit fetar dhe jetesës në paqë midis feve të ndryshme në trojet shqiptare.  Përveç të rinjve nga këto vende të lartëpërmendura, thuhet se po marrin pjesë edhe ipeshkvinj të këtyre vendeve me qëllim që të inkurajohet dialogu dhe bashkpunimi midis udhëheqësve fetarë dhe përfaqësuesve të rinisë, të mbledhur këto ditë në Tiranë, nga vendet mesdhetare – për të folur mbi sfidat e përbashkëta por edhe mbi mundësitë për krijimin e një hapësire ose atmosfere për një kulturë më të madhe solidariteti midis tyre, me qëllim promovimin e paqës dhe shpresës në vendet që përfaqësohen në MED 24, në kryeqytetin e shqitarëve. 

 Njoftohet gjithashtu se përveç Tiranës, pjesmarrësit në MED24 do të vizitojnë edhe Shkodrën e Fierin, ku do të informohen për krimet e komunizmit kundër fesë dhe klerikëve, në përgjithsi, nga regjimi totalitar sllavo-bolshevik dhe do të takohen edhe me përfaqsues institucionesh të Shqipërisë, nga të cilët do të informohen edhe për rolin që luan Shqipëria në promovimin dhe ruajtjen e paqës në rajon dhe në Mesdhe.  

Në takimin e vitit të kaluar (MED23) në Marsej të Francës, kishte marrë pjesë edhe Papa Françesku, por ndonëse ai gjëndet në vizitë në disa shtete të Azisë jugore, udhëheqsi i Kishës Katolike, iu dërgoi një video mesazh pjesmarrësve shqiptarë dhe të huaj në takimin MED24 në Tiranë, duke shënuar kështu edhe 10-vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri – e para vizitë e tij në një vend evropian, si udhëheqsi shpirtëror i Kishës Universale Katolike.  Papa Françesku iu drejtua pjesëmarrësve të takimit MED24 në Tiranë me temën “Shtegtarët e shpresës, Ndërtues të Paqës” –paqeja ndërtohet – indiferenca vret — me një videomesazh:   Videomesazh i Papës për Med24 në Tiranë: paqja ndërtohet, indiferenca vret – Vatican News

“Med 24”, parte dai giovani la costruzione della pace - Vatican News

Takimi Med 24 në Tiranë po mbahet nën kujdesin e Sh.T Imzot Arjan Dodaj i Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës

Në fjalën e tij, Papa iu drejtua të rinjve pjesëmarrës në MED24 në Tiranë, duke iu referuar, fillimisht, martirëve të fesë nën regjimin diktatorial komunist, duke i porositur të rinjt: “Të dini të ecni në gjurmët e martirëve. Guximi i tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë më shumë impenjimin tuaj për t’i rezistuar gjithë dhunës, e cila e shpërfytyron njerëzimin, siç bëri e Lumja Marie Tuci, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç”.

See related image detail. Communist Europe (3)

Marie Tuci, simbol i vuajtjeve dhe martirizimit nën regjimin komunist të Shqipërisë –“simbol i guximit dhe i dëshmisë së gjallë”, ashtu e cilësoi Papa Françesku, martirën mirditore.

Papa Francesku vazhdoi të përshëndesi pjesëmarsit e takimit MED24 në Tiranë, duke iu referuar atyre si, “Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe mesdhetarë”. Ai u kujtoi atyre vizitën e tij në Shqipëri dhjetë vjet më parë. “Është gëzim për mua t’ju shoh të mbledhur në Tiranë, dhjetë vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, më 2014: Nuk harroj, eh!, dhe më kujtohet ai udhëtim i paharruar, gjatë të cilit munda të takoj popullin tuaj, një popull me shumë fytyra, por i bashkuar nga guximi. Siç u thashë atëherë të rinjve, “Ju jeni brezi i ri i Shqipërisë”, Tiranë, 21 shtator 2014). Shtoj sot, të dashur të rinj nga pesë brigjet e Mesdheut: ju, brezi i ri, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut”, u tha Papa Françesku të rinjve shqiptarë dhe atyre nga mesdhetarë, të mbledhur në Tiranë deri më 21 shtator, 2024. 

“Jemi të gjithë shtegtarë të shpresës”, vazhdoi Papa mesazhin e tij drejtuar të rinjve në takimin MED24 në Tiranë, “duke ecur në kërkim të së vërtetës dhe duke e jetuar fenë përmes ndërtimit të paqës. E paqja duhet ndërtuar…Zoti i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallim mes nesh. Vëllazërimi ndërmjet pesë brigjeve të Mesdheut, që ju po e krijoni, është përgjigjja – përgjigjja! – përgjigjja më e mirë, që mund t’u japim konflikteve dhe indiferencave, që vrasin.  Sepse indiferenca vret!  Mësoni së bashku të interpretoni shënjat e kohës.  Kundrojeni larminë e traditave tuaja si pasuri, një pasuri e dëshiruar nga Zoti. Uniteti nuk është uniformitet, dhe ndryshimet mes identiteteve tona kulturore dhe fetare janë dhuratë e Zotit. Rrituni në respekt të ndërsjellë, siç dëshmojnë paraardhësit tuaj”, ka thenë ndër të tjera Papa Françesku në mesazhin e tij të martën në takimin MED24 në Tiranë.

Foto e disa pjesëmarrësve në MED 24 në Tiranë, Foto: L’Osservatore Romano

 Il Mediterraneo non sia più un cimitero ma il volto della pace   QUO-210

Papa Françesku përfundoi mesazhin e tij drejtuar të rinjve shqiptarë dhe mesdhetarë në takimin e Tiranës duke i porositur që të kujdesen për Mesdheun, brigjet e të cilit i bashkojnë: “Mesdheu ju bashkon, ju bashkon si një kopsht i bukur për t’u kultivuar. Ruajeni frymën e shërbimit në të gjitha rrethanat, kujdesuni për çdo krijesë, që u është besuar duarve tuaja…të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës dhe të ndiqni shenjat e Zotit, në mënyrë që Mesdheu të rigjejë fytyrën e tij më të bukur: atë të vëllazërimit dhe të paqes. E të mos jetë më varrezë”, ka përfunduar Papa Françesku porosinë e tij për të rinjt shqiptarë, në 10-vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri, por edhe drejtuar përfaqsuesve të rinisë nga vendet mesdhetare të mbledhur këto ditë në Tiranë, për takimin e radhës, MED24 kushtuar temës:  “Shtegtarë të shpresës, ndërtues të paqes” — në shërbim të drejtësisë dhe paqes, si themele për të ardhmen e Mesdheut ose –Mare Nostrum– Deti ynë,  siç e kanë quajtur dikur romakët e vjetër.

Frank Shkreli

A group of people sitting in chairs watching a presentation

Description automatically generated

Pjesëmarrsit e rinj 20-32 vjeç, që vijnë nga të pesë brigjet e Mesdheut dhe kanë fe e kultura të ndryshme në takimin MED24 në Tiranë duke dëgjuar video-mesazhin e Papa Françeskut

May be an image of text that says 'MED24 ED24 Pilgrims of HOPE Builders of PEACE Tirana 15-21 September Tirana,15-21September2024 2024 ALBANIA AK. ㅂ 44 Σ TUESDAY 17 SEPTEMBER 2024 INSIDE THE MEDITERRANEAN: HISTORY AND RELIGION, DIALOGUE AND PEACE. INTERVENT PROF. ARDIAN NDRECA 9:00 INTERVENT PROF. GENTI KRUJA 9:30 ဒုမ် CONGRESS'S PALACE, TIRANA FOR THE PARTICIPANTS MED24'
¿Qué es el Mare Nostrum? | Página de curiosidades y más

Filed Under: Komente

MASSIMO D’ALEMA: “ U TAKOVA ME PRESIDENTIN SERB  NË KLINIKËN E DENTISTIT TIM. MË PAS QE I NEVOJSHËM SULMI NË KOSOVË”

September 18, 2024 by s p

Nga FRANCESCO VERDERAMI – “Corriere della Sera” , 16 shtator 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

“Jam kryeministri që çoi Italinë në luftë. Kriza e Kosovës shënoi përvojën time në drejtimin e qeverisë. Në 21 tetorin e vitit 1998 Massimo D’Alema kaloi derën e Pallatit Chiggi i shoqëruar nga profecia e Francesco Kossigës, simbas së cilës “udhëheqësi i së majtës është i domosdoshëm për të bërë të mundëshme luftën në Kosovë”, të shpërthyer pesë muaj mbrapa. Ka pra një arsye nëse kryeministri i parë pas komunist i historisë republikane bën hapin e parë duke thënë  “ne kemi qënë aleatë të ndershëm të amerikanëve por, së bashku me evropianë të tjerë, në një marrëdhënie dialektike që nuk ka qënë gjithmonë e lehtë”. Prandaj fillon tregimin mbi luftën në Ballkan duke u nisur nga një ngjarje pararendëse.

“Kur qeveria e Romano Prodit  ra ishim në një gjëndje para lufte. Në fakt Prodi kishte vendosur l’activation order, që është akti me të cilin qeveritë e Aleancës Atllantike venë Fuqitë e tyre t’armatosura nën komandën e bashkuar të NATO-s. Ishte një çast lufte të mundëshme dhe të menjëherëshme. Ishte e dukshme se ideja e Prodit për të dalë nga kriza me zgjedhje të parakohëshme nuk ishte realiste. Në këtë drejtim hulumtova presidentin e Republikës. Oscar Luigi Scalfaro qe i prerë: “Ju jeni të marrë”. Rruga për votime ishte e mbyllur. Ky falt kushtëzoi  të gjithë zhvillimin e krizës. Un bëra çmos  për të shmangur arritjen e luftës. Gjithshka”.

  Në ç’kuptim gjithshka?

“Shkova të takoj fshehurazi presidentin e Sërbisë Milan Milutinoviç, që ishte një njeri shumë i afërt i presidentit të Federatës jugosllave Sllobodan Millosheviç. Takimi u organizua nga dentisti im”. 

Dentisti i juaj?

“Një njeri, pjestar i asaj bote “xhuliane”  që ka jetuar dhe ushtruar profesionin në kapëcyell mes Italisë e Jugosllavisë e që kishte si pacient Milutinoviçin. Në klinikën e tij në Romë organizoi takimin tonë. Qe një bisedë dramatike, sepse ndodhi të nesërmen e plojës së Rajçakut, në të cilën paraushtarakët sërbë kishin vrarë dhjetra civilë kosovarë të etnisë shqiptare. I thashë: “Ju nuk arrini . të kuptoni tragjedinë që keni shkaktuar e që ushqen shtysën për një ndërhyrje ushtarake”. M’u përgjigj në mënyrë cinike: “Ne nuk kemi frikë nga këta kërcënime. NATO nuk do të ketë kurrë guximin për të vënë këmbë tek ne”. Ishte shenjë e një klase politike të papërgjegjëshme që nuk kuptonte atë që po ndodhte”.

Qe atëherë që i u nënështrove luftës?

“Qe më vonë. Kur spastrimi etnik u bë më i fuqishëm, organizuam një mision humanitar së bashku me Shqipërinë në kufijtë e Kosovës. Kalova Pashkën në qafën e Kukësit e pashë mijra të ikurish që largoheshin nga lufta me historitë e tyre të vuajtjeve. Atë ditë u binda se nuk kishte alternativa ndaj një veprimi ushtarak. Ishte pragu i sulmit”.

Kështu vendosët të merrnit pjesë në misionin? 

“Së pari pata një bisedim delikat me Bill Clintonin. Ai diskutim me presidentin amerikan do të ishte shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e ngjarjeve e për rolin e Italisë. Clintoni më tha: “Kuptoj që jeni në një pozitë të vështirë. E kuptoj vëshirësinë e qeverisë tënde. Por nëse vini në dispozicion bazat tuaja ushtarake e në NATO nuk kundërshtoni  urdhërat e Aleancës, nuk do të jetë e domosdoshme pjesëmarrja e juaj e drejtpërdrejtë. Veprimet do të jenë të bashkërenduar nga një katërshe: Shtetet e Bashkuar, Britania e Madhe, Franca e Gjermania”.

E ju ?

“I u përgjigja: në këtë ndodhi nuk do të jetë një katërshe. Do të jetë një pesëshe”. Nëse do t’a kishim katandisur Italinë  në rolin e një aeroplanmbajtëse të NATO-s, nuk do të llogariteshim fare, nuk do të kishim patur peshë politike në drejtimin e krizës. Dhe pesëshe qe. Hymë në rrethin e Vendeve që merrnin përgjegjësi të plotë. E patëm dinjitet të barabartë me aleatët. “

Kështu më 24 shkurt 1999 u vutë përkrah tyre, duke filluar sulmin ndaj Jugosllavisë. Dhe pa mandatin e OKB-s.

“Drejtimi i luftës qe i ndërlikuar. E pati çaste kundërshtie të hapur ndërmjet pjesëmarrësve të pesëshes. Ne për shembull ishim kundër bombardimeve të qyteteve serbe. E si neve ashtu edhe gjermanët. “

Por Beogradi u gjuajt.

“Ata veprime  u kryen nga amerikanët dhe anglezët me raketa të lëshuara nga aeroplanmbajtëset që qëndronin në Adriatik e aeroplanë që vinin nga Shtetet e Bashkuar, të furnizuar në fluturim para sulmit. Flota e jonë ajrore u përqëndrua mbi trupat serbe që qëndronin në Kosovë, që ishin synimi themelor i veprimit ushtarak.“ 

Qe i vetmi kalim delikat?

“Çasti më dramatik  erdhi në prillin 1999, në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Washington, me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Aleancës. Lufta në Kosovë vazhdonte por Millosheviçi nuk prapsohej. Kështu gjatë një mbledhjeje u ndamë”. 

Kush ishte veç jush në takim?

“Clintoni, kryeministri anglez Tony Blair, kançelari gjerman Schröder, presidenti francez Jacques Chirac dhe kryeministri spanjoll José Maria Aznar, që ishte ftuar të merrte pjesë. Natyrisht ishte edhe gjenerali amerikan Wesley Clarc, komandani i përgjithshëm i Forcave NATO.

Çfarë ndodhi?

“Blair, i mbështetur nga Aznari, përkrahu  nevojën e një mësymjeje të vërtetë me trupa të tokës. Diskutimi u bë shumë i ashpër. Italia, Franca dhe Gjermania kundërshtonin atë zgjidhje. Clarc tha “Do t’a bëjmë kur të na urdhërohet. Kemi plane, por mos mendoni se do të çojmë ushtarët tanë të lëvrijnë si guerrilje në malet e Kosovës. Nëse do të vendosnim për të ndërhyrë do të na duhej të hynim në Serbi. Formalisht mbeti asnjanës, por duke vënë theksin mbi madhështinë e veprimit e mbi rreziqet e tij, na ndihmoi të mbizotëronte arsyeja. Në kundërshtim me atë që mendohe tushtarakët janë gjithmonë më të maturit në kryerjen e luftës, sepse e njohin. Janë politikanët më luftënxitësit.

Mbetej Clintoni për të folur.

“Dhe presidenti amerikan mrekullisht i dha fund diskutimit, duke thënë: “Nuk do të bëjmë asgjë që ndan Evropën. Do të bëjmë atë për të cilën të jemi të gjithë në një mëndje. Presidenti i Shteteve të Bashkuar nuk mund të ndajë Evropën”. Kështu hamëndja e mësyemjes u arkivua. Por, e përjashtuar mësyemja shtrohej problemi si të shtyhej për një zgjidhje politike. Asnjëri gjatë luftës nuk tha kurrë  “Duam të fitojmë luftën me Serbinë”. Kjo fjali e marrë nuk u shqiptua kurrë. Ne përsërisnim se trysnia ushtarake kishte si synim t’a detyronte Serbinë të tërhiqte trupat e saj nga Kosova dhe të mbronte popullsinë. Duhej punuar pra për zgjidhjen politike. U a shpjegova amerikanëve”.

Po ats?

“ Italia ishte i vetmi Vend që kishte mbajtur të hapur ambasadën e saj në Beograd e kishim ruajtur kanalet. Ata kanale ushqeheshin edhe nga bashkësia e Shën Egjidit e veçanërisht nga arqipeshkvi Vincenzo Paglia, që luajti një rol të rëdësishëm në marrëveshje me qeverinë. I thashë atëherë Clintonit se duhej negociuar me Millosheviòin lirimi i Ibrahim Rugovës: “Gandi i Ballkanit”, simbol i qëndresës jo të dhunëshme kosovare. Ai përfaqësonte pjesën e moderuar të kombëtarizmit kosovar, atë më të prirur për bashkëjetesë etnike me serbët. Rugova ishte në arrest shtëpie e ne negociuam lirimin e tij, në një mëndje me amerikanët. E gjithmonë në një mëndje me amerikanët përziemë edhe Rusinë në ndërmjetësim”.

Por Rusia në OKB a nuk kishte vënë veton ndaj sulmit të NATO-s kundër Serbisë?

“Është e vërtetë, por ish kryeministri rus Viktor Çernomirdin erdhi dy herë fshehtas në Romë.

Hëngrëm darkë bashkë në pallatin Kixhi  e pastaj thirrëm Clintonin për të  përkuar caqet e bisedimeve. Të nesërmen Çernomirdini shkoi në Beograd për të folur me Millosheviçin. E gjithë kjo ndërsa vazhdonte lufta.”

Po Clintoni?

“ Kishte vetëm një shqetësim: “Nëse Millosheviçi liron Rugovën, si pacifist ai mund të flasë kundër veprimit të NATO-s. Më besoi. E Rugova u lirua. Qe ndonjë vëzhgues që n’atë kohë shkruajti: “Italia ka liruar një kufomë politike”. Në të vërtetë Rugova  qe i çmuar për zgjidhjen e krizës dhe stërfitoi zgjedhjet mbas luftës. Shërbimet tona shkan dhe morën për t’a sjellë në Romë. Sapo mbërriti tha: “Falënderoj NATO-n që po mbron popullin tim”. Isha rrugës kur mora një telefonatë nga Clintoni, që falënderoi për suksesin e operacionit. Toka për zgjidhjen politike ishte përgatitur.”

Çfarë do të thotë?

“Që kjo punë ndihmoi të gjindej një rrugëzgjidhje diplomatike, duke i hapur rrugën nismës zyrtare të presidentit finlandez Ahtisaari. Kur u arrit marrëveshja me Serbinë dhe ajo u tërhoq, në Kosovë nuk u fut NATO, por një trupë ushtarake nën drejtimin e Kombeve të Bashkuar, në të cilën bënin pjesë edhe ushtarakë rusë. Kështu u ndreq edhe ai kuadër ligjor ndërkombëtar që ishte prishur, me që Nato kishte vepruar pa miratimin e OKB-së. Nëse mendoj të djeshmen e shoh sot ajo që më bën përshtypje është: ku ka mbaruar politika? Ku qëndron mundi për të ndërtuar një skenar të pranueshëm mbrapa?”. 

E keni fjalën për luftën në Ukrainë ?

E kam fjalën për disa fjalime pa kuptim, për disa njerëz që thonë “Duhet të fitojmë luftën”. Mendoj për Blair-in apo ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg. Kjo është një luftë që askush nuk mund t’a fitojë: nga një anë është një fuqi bërthamore e nga tjetra fuqia ushtarake e Perëndimit. Nëse nuk ndalet përfundimi mund të jetë një katastrofë botërore. Politika do të duhej të gjente  një rrugëdalje”.

A është e mendueshme një rrugëdalje, në bazë të së cilës Ukraina duhet të pranojë humbjen e një pjese të territorit të saj?

“Po Kosova a nuk ishte një pjesë e Serbisë? Ai që përcaktoi qe populli kosovar. Ndoshta edhe tashti, nën mbrojtjen ndërkombëtare, mund të jenë qytetarët e Donbasit  ata që vendosin.”

“Corriere della Sera” , 16 shtator 2024         Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

Lake Gjermani…

September 18, 2024 by s p

Gezim Zilja

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Arian Sotir Naqellari alias Lake Gjermani

Lake Gjermani

  1. Jeta e një djali plot dëshira në diktaturë 

Duke shfletuar fb-në në statusin e ish të burgosuri politik Arian Sotir Naqellari (Lake Gjermani), gjeta këtë shkrim: “ Si sot më kujtohet deri sa të vdes, shoku ynë Xhevit Bilali, i pushkatuar në njëmbëdhjetë shtator, tetëdhjetëekatër. Të kujtoj unë i paharruari Xhevit!”

Rrallë kam parë një dedikim të tillë ku në të vendoset zemra dhe shpirti i një njeriu që është përndjekur, arrestuar e burgosur (1979-1989), katër herë në harkun kohor të dhjetë viteve. As 17 vjeç  nuk kishte mbushur kur u arrestua për herë të parë me arsyet nga më absurdet. Rregjimi i gjuante këta djem simpatikë, që kryesisht vinin nga familje të varfëra plot halle, rebelë të lindur,  që visheshin ndryshe nga moshatarët e tyre, mbanin flokë të gjatë, një formë proteste kundër ideologjisë komuniste dhe kishin ndikim te rinia e kohës. Në fushat sportive vetëm për një thirrje apo tifozllëk të tepruar (sharje arbitrit) i fusnin në biruca me orë të tëra, duke i rrahur barbarisht e qethur kokën zero. Këta djem qyteti që me mënyrat e tyre të sjelljeve shprehnin përbuzjen e kundërshtimin ndaj rregjimit komunist, sigurimi i shtetit i vinte në shënjestër dhe për shkaqe shpesh të sajuara, ua nxinte jetën derisa i shkatërronte fizikisht e mendërisht, duke i bërë shembull për  të rinjtë shqiptarë me moton: Nëse dilni sadopak nga vija e partisë ky do të jetë fati i juaj!

  1. Shkruaj ndonjë ditë edhe për mua.
  • Ç’kemi o Lake gjermani?- e përshëndeta aty në Baret e shumtë të Skelës, ku gjelbërimin e përhershëm e ka pushtuar betoni dhe disa pisha azmatike që kanë dhjetë vjet të mbajtura nga skelete çeliku.  
  • Po ti ulu të pish një kafe me ne fukarenjtë!
  • Një herë tjetër,- u përgjigja si zakonisht gjithë dashamirësi.
  • Mbase kam diçka për të të thënë….

Më kapi butësisht nga krahu dhe më uli me “zor” në karrige. 

  • Po ti shkruaj ndonjëherë diçka për mua dhe Xhevit Bilalin. Kemi vuajtur shumë dhe kot. Njëzetepesë vjeç ishte Bilali kur e pushkatuan. Ditën e gjyqit i lindi e shoqja vajzë….

 E pashë si i zënë në faj dhe fillova ta vështroj me vëmendje, këtë burrë që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Nga sa e mbaja mend në rini ishte futur jo pak në ujë. Ishte plakur e mpakur por sytë e tij të vegjël e të thellë, kur filloi të fliste  u veshën me një dritë jo të zakontë. Megjithëse tashmë i thinjur, nga mëngët e shkurtëra të bluzës verore, spikatnin ende dy krahë të fuqishëm me ato format e bukura të një sportisti. Gjithë kohën kur më tregoi tmerret e kaluara, drita e syve herë errej e herë ndriçonte por lotë në sytë e tij nuk pashë deri në fund. Fliste por merakun më të madh e kishte të shkruaja emrat e persekutorëve, tmerrin e burgjeve të diktaturës dhe atë shpërblimin që nuk iu dha për nëntë muaj që bëri burg politik. 

  • Të jap fjalën!- i thashë!

 Kaluan kohë dhe nuk po bëhesha mukajet për të shkruar megjithëse shënimet i kisha përherë para syve në ditarin tim. Dhe ja tani ky status plot gabime ortografike, më erdhi si një ulërimë, si një akuzë plot dhimbje, si një thirrje, për të kujtuar e respektuar njerëzit e dënuar padrejtësisht, që diktatura u preu rininë në mes, i gjymtoi dhe i vrau. U pendova shumë, më erdhi turp nga vetja që e kisha lënë pas dore atë premtim. Ndoshta Lakja e kuptoi gjendjen time, kaloi gishtat mbi flokët ku ngjyra e dëborës  dëbora zotëronte mbi atë gri,  buzëqeshi  dhe më ngushëlloi:

  • Ti nuk e dije të tërë historinë time, se po ta dije do të kishe shkruar ndonjë gjë edhe për mua. 
  1. Viti 1979, ende pa mbushur 17 vjeç

Akuza: Shoqërohesh me rrugeçër, ke braktisur shkollën, vjen vërdallë gjithë ditën në lagje, bredh natën, nuk e ke qejf punën dhe kemi të dhëna që je pleksur me hajdutë të pronës private. Tre muaj në hetuesi rrahje sistematike që të pohonte se ishte vjedhës i pronës shtetërore. U la i lirë deri sa të gjykohej. Apeloi dhe Gjykata e Lartë i dha pafajësinë pas tetë muajsh. Hetues ka qenë Preng Prenga, një polic nga veriu, që kur merrte kërbaçin në dorë nuk dinte të pushonte. Djali pa mbushur ende shtatëmbëdhjetë vjeç, pëson një tronditje të madhe fizike dhe shpirtërore, shtrohet një muaj në spital për tu kuruar dhe pas daljes nga spitali gjykata vendos të rrijë një vit nën kujdesin e familjes. 

  1. Viti 1981 akuzohet si vjedhës ordiner

Vazhdon i papunë. Spiunohet nga vlonjati H. N. dhe shoferi i kamionit Mitat Ashiku (Arshiu,) një nga informatorët e shumtë të sigurimit të shtetit,  se kishte vjedhur fenerët e kamionit të Rezervave të Shtetit. Këtë rradhë hetuesia zgjati plot gjashtë muaj. Me gjithë torturat Ariani, nuk pranoi se ka qenë autor i vjedhjes së fenerëve, edhe pse e njihte shumë mirë hajdutin e vërtetë. Gjashtë muaj fjalët e tij ishin: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! Asnjë fjalë tjetër dhe asnjë letër e firmosur. Hetues sërish ishte Preng Prenga, që banonte te pallati trekatësh në lagjen e Tre Racave. E rrahu deri në shpërfytyrim fizik por  nuk e detyroi dot të firmoste se kishte vjedhur fenerët. Pas gjashtë muajve hetuesi lirohet për mungesë provash.

  1. 1983-1984, akuzohet për grup kriminal

Shkon ushtar dhe aty pas provokimeve, që i bënin njerëz të porositur dhe disa zënkave me eprorët e arrestojnë.  Mbahet disa kohë në hetuesi, e lirojnë nga ushtria për arsye shëndetësore.  Internohet në fshatin Mërtiraj. Në janar 1984 arrestohet aty, nga Veli Thana, por këtë rradhë akuzat ishin tepër të rënda si pjesëtar i një grupi të organizuar kriminal vjedhës të pasurisë socialiste. U organizua një gjyq “shembullor” në Pallatin e Kulturës Perlat Rexhepi, në një sallë mbushur (sot Hotel Partner) plot e përplot me spiunë, sigurimsa, anëtarë partie e oficerë. Jashtë ishin me dhjetëra njerëz, që ndiqnin gjyqin me anë të autoparlantëve të montuar në dy shtylla elektrike. Numri i të akuzuarve ishte dymbëdhjetë dhe shumë prej tyre nuk njiheshin me njëri-tjetrin,. – Unë,- thotë Lakja – njihja vetën dy vetë Xhevitin dhe Agron Karajin. Nëntë të tjerët nuk i njihja. 

Akuza u katandis në vjedhjen e disa thasëve me fasule, e miell, në Magazinat e Ushqimores,  kompostove e kutive të konservave të peshkut në kombinatin Ernest Telman, veshje punëtorësh si kominoshe, sqeparë, çizme, ( Sa sende mund të marrë një njeri në një thes nga një magazinë e çdo lloji qoftë!?) kapele, xhupa punëtorësh etj. Akuzoheshin dhe për hapjen e dy kasafortave njëra në fabrikën e çimentos, ku kishin marrë 20.000 lekë (të vjetra) dhe tjetra në zyrat e ndërrmarrjes P. Rexhepi, disa blloqe me tollona nafte që vështirë të përdoreshin. Laken e bashkuan me këtë grup dhe ca të tjerë, që ishin vjedhës të rëndomtë por jo të organizuar si ishte akuza. Grupi kriminal i sajuar nga policia, ishin të gjithë të papunë, disa ishin familjarë, që vidhnin për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Pas torturave muaj me rradhë, firmosën çfarë u kërkuan. Përsëri hetuesi i Lakes ishte Preng Prenga. 

  • Këtë herë nuk ke për të dalë gjallë nga duart e mia po nuk firmose!- iu gërmush Arianit. Sërish përgjigja e tij ishte: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! 

Skelarët dhe vlonjatët e mbajnë mend atë gjyq farsë, ku të arrestuarit, që u akuzuan për grup kriminal, deklaruan se kishin firmosur gjithçka nga torturat, që u ishin bërë në hetuesi. Deklaratat e tyre në gjyq pohonin se kishin vjedhur për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Mjaft nga të arrestuarit thanë se nuk njiheshin më parë. N. B. deklaroi se kishte vjedhur ( u dënua shtatë vjet) se fëmijët kishin dy ditë pa bukë. Kishte vjedhur në magazinat e ndërrmarjeve vetëm dy thasë me miell, dhe më vonë një xhup, një palë çizme, një palë kominoshe, një sqepar dhe një sëpatë për të bërë dru për ngrohjen e fëmijëve. Ndërsa i akuzuari trim, çami Xhevit Bilali, deklaroi midis të tjerash: Kam firmosur për grup kriminal se nuk duroja dot torturat.  As në kampin e Mat’hauzenit nuk bëheshin torturat që na janë bërë neve në hetuesi. 

– Ta tregojmë ne Mat’hauzenin ty!- ulëriti prokurori, Brahim Aliko. 

Gjatë kohës së hetuesisë Arjanin e shtrojnë në spital në Vlorë dhe më vonë në Tiranë për diagnostikim, nga e kthyen sërish në Vlorë, me diagnozën: I aftë dhe i përgjegjshëm para ligjit. Dënimet ishin mjaft të rënda për dëmin që gjoja i ishte bërë pasurisë socialiste.

Xhevit Bilali u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua më 10 shtator 1984. La pas vajzën një muajshe ( Vajza lindi me 10 korrik 1984 ditën që filloi gjyqi) dhe djalin tre vjeç. Edhe sot nuk dihet varri i tij. Aristir Dimo, (Ristua) shoku im i fëmijërisë, ishte nga një familja e ardhur nga Myzeqeja, ku varfëria ishte ulur këmbëkryq qysh se kishte lindur dhe uria e shoqëronte edhe në gjumë. Pak kohë kishte që ishte liruar. Vuajti tetë muaj burg për dy kilogram portokalle, një trastë ullinjë, dhe ca qepë të njoma, të vjedhura në Ndërmarrjen Frutore.  Me akuza absurde u dënua me 25 vjet. E cilësuan si profesor të grupit. Ristua qeshi kur e dëgjoi dhe deklaroi: -Unë dhe klasën e shtatë me “shqelma’ e kam mbaruar e ju më quani profesor. Faleminderit për titullin.- Harrilla Dimo 25 vjet, Ismail Refati 8 vjet, Arjan Kasaj 8 vjet, Arjan Naqellari (Lake) 7 vjet, Skënder Aliaj 3 vjet e me rradhë. Pothuaj të gjithë përfshirë dhe Laken, u dënuan me pesë vjet internim, heqje e të drejtës së votës, dhe po aq vjet punë korrektonjëse, pasi të  mbaronin dënimin. Të gjithë u çuan në burgun e Spaçit.  Prokuror i çështjes ishte Brahim Aliko. Në trupin gjykues bënin pjesë Arqile Nini, Hasan Luçi  dhe Aranit Çela. 

  1. Arrestimi i fundit 1989

Arian Naqellari ( Lake Gjermani) tregon:

Më ishte qepur këmba-këmbës policia. Jetim hesapi, qysh shtatë vjeç, ters më shkoi jeta, nuk më qeshi buza kurrë. Ishim pesë fëmijë me nënën pa punë e jetonim vetëm me pensionin e babait, që nuk jetonte. Pak muaj pasi kisha dalë nga burgu, më arrestojnë sërish. Këtë herë arrestohem për politikë prill1990 dhe nëse nuk do të kishte ardhur demokracia, sot nuk do të figuroja më me të gjallët. Një shok  qe kisha pasur në burgun e Spaçit nga Tirana (emri nuk më kujtohet) më dërgoi disa fletushka (trakte) ku shkruhej, Liri Demokraci, kishte një foto me një njeri me dy gishtat lart dhe një lajmërim ku njerëzve u bëhej thirrje të mblidheshin në stadium (muaji prill) pasdite në orë 17.00 për miting. I shpërndava fletushkat me dy shokë të mi Klement Fejzaj dhe Selman Ruço, si na kishin udhëzuar, në kryqëzime rrugësh dhe njerëzve të besuar. Disa ditë më vonë na kapin dhe mua më çojnë në Dhomën e Shurrës. Aty më lanë. Na morën në pyetje veç e veç. Më rrahën sa më kanë vdekur Ilirjan Mustafaraj, Sefer Rama, Agron Meta, Florion Kolaneci për të treguar se kush mi kishte dërguar fletushkat.

 -Po nuk tregove do të varim këtu para degës më thanë.- Nuk tregova. U thashë atë që kisha thënë dhjetë vjet me rradhë: Nuk di gjë, nuk kam bër gjë, mos më pyesni më. Kërcënuan gruan që ishte shtatzënë, i thanë të kërkonte divorcin se unë isha armik i popullit dhe burgaxhi. Pas çdo rrahje dhjetë minuta pushim dhe përsëri dru, ditë me rradhë. Pas nëntë muajve, hetuesi dhe burg (prill-dhjetor) u lirova në dhjetor 1990, kur burgjet u hapën për të gjithë. Nëntë muaj që bëra burg politik nuk më kanë dhënë asnjë dëmshpërblim. Më gënjejnë. S’ka dosje më thonë… Po shumë nga ata janë ende gjallë… Ç’të bësh?  Kam shumë për të thënë por jo të gjitha i mbaj mend. Ndoshta një herë tjetër do të them dhe të tjerat që nuk mu kujtuan sot… 

Filed Under: ESSE

GJENERALI AMERIKAN CHRISTOPHER CAVOLI “DOCTOR HONORIS CAUSA”

September 17, 2024 by s p

(Gjeneral Christopher Cavolit Komandant Suprem i NATO-s dhe i Forcave Amerikane në Europë u nderua sot me titullin e lartë të nderit “Doctor Honoris Causa”, në një ceremoni sinjifikative në UET, për kontributin e dukshëm të mikut të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë në Europë, veçanërisht për angazhimin serioz ndaj Europës Juglindore brenda Aleancës Euroatlantike, NATO)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Këtë mes shtatori një ngjarje e veçantë ka sjellë në Shqipëri një ndër mendjet më të mençura të gjeneralëve amerikanë, Gjeneral Cavolon komandant suprem të NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë. Do të ishte nder për çdo Universitet të kishte në auditoret e veta një figurë kaq të shquar amerikane, por fati i buzëqeshi UET, që e nderoi Gjenerali Christopher G. Cavoli me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”. Në fakt nuk ishte vetëm UET por ishte Prof. Dr. Kristaq Xharo dhe ish Rektori/Komandanti i AFA Dr Albert Mullai që mundësuan udhëtimin e një udhëheqësi amerikan drejt Shqipërisë. Në fakt është Shqipëria e nderuar të presë dhe nderojë një ushtarak të klasit më të lartë, me një pushtet ushtarako-politik shumë të fuqishëm euroatlantik.

Gjeneralit Christopher Cavoli, komandant suprem i NATO-s dhe i Forcave Amerikane në Europë vjen në vendin tonë jo vetëm si mik, por si personalitet botëror që vlerësohet nga EUT, sikurse ka nderuar e vlerësuar figura të shquara shqiptare e botërore, të fushave nga më të ndryshmet: ekonomike, filozofike, juridike, të letërsisë, artit, kulturës, arsimit, sportit. Nderimi i një figure të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, është edhe vlerësim për situatën kaq komplekse europiane dhe botërore. Motivacioni është i spikatur: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik, përkushtimit ndaj bashkëpunimit transatlantik, inovacionit në strategjitë ushtarake dhe frymëzimit të gjeneratave të reja”. Një motivacion i gjetur plot sqimë dhe krejt real, pasi gjenerali amerikan erdhi në Europë dy vite më parë kur një luftë plot sfida është jo larg kufijve të NATO-s, një luftë që përmbysi dekada të tëra të ruajtjes së sigurisë në kontinentin e vjetër Europian dhe riktheu frikën e një lufte të tretë botërore, ku kërcënimet vijojnë të jenë të hapura.

Nismëtarët e këtij vlerësimi janë padyshim Profesor Xharo dhe Profesor Mullai. Fakt është se një cerek shekulli më parë, K. Xharo ka ndjekur bashkë me Gjeneral Cavoli një master në Kansas të SHBA, ndërkohë që askush nuk ja dinte rrugëtimin e njëri-tjetrit. Prof. Dr. Kristaq Xharo u kthye në Shqipëri dhe përtej anagzhimit të tij si përfaqësues ushtarak kombëtar në Shtabin e NATO-s në vitet 2007-2010, iu dedikuar karrierës akademike, e fokusuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qernë i sukseshëm në studimet akademike në fushën e sigurisë e mbrojtjes.

Përtej Atlantikut Gjenerali Christopher G. Cavoli vijoi përkushtimin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke shënuar një karrierë të gjatë ushtarake përafërsisht në katër dekada. Prej dy vitesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë, ai ka marrë detyrën e komandantit suprem të NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë, një detyrë tejet e lartë dhe shumë e përgjegjshme që është gjithmonë syzgjuar në përkushtim të funksionit dhe mbi të gjitha të misionit që ka mbi supe. Nisma e profesor K. Xharos për t’i rekomanduar Universitetit Europian të Tiranës, që të nderonte me titullin “Doctor Honoris Causa” ish-shokun e tij të klasës u mbështet nga drejtuesit më të lartë të UET-së, por edhe e profesor Mullait, i kudondodhur me mendim të pjekur profesionist në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Titulli i lartë Gjeneral Cavolit iu dorëzua në ambientet UET, nën nderimin e figurave politike, ushtarake, diplomatike, nga kryeministri, Ministri i Jashtëm, Ministri i Mbrojtjes si dhe profesorë të shquar të Universiteteve shqiptare. Strategjist ushtarak dhe frymëzues i gjeneratave të reja gjenerali amerikan do të suprizohej nga fjalët e profesor Xharos: “Edhe atëherë ishit mentor për mua, u tregut një lider i mirë dhe më dhatë shumë mbështetje. Sot jam shumë krenar të them që kam qenë shokë klase me një gjeneral me katër yje, komandant Superm i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë”.

Po kush është Gjeneralit Christopher Cavoli? Christopher Gerard Cavoli është një gjeneral me katër yje në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që shërben si komandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara që nga 1 korriku 2022 dhe Komandant Suprem i Aleatëve për Evropë që nga 4 korriku 2022. Më parë ai shërbeu si gjeneral komandues i Shteteve të Bashkuara Ushtria e Evropës dhe Afrikës nga tetori 2020 deri në qershor 2022, dhe para kësaj si gjeneral komandues i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë nga janari 2018 deri në shtator 2020. Cavoli ka shërbyer në Korpusin e Trajnimit të Oficerëve Rezervë, në Luftën në Afganistan, ka drejtuar një brigadë të Divizionit të 1-të të Blinduar, në Komandën e Përbashkët Shumëkombëshe dhe Divizionin e 25-të të Këmbësorisë.

Cavoli ishte lindur nga një oficer i ushtrisë italo-amerikane gjatë Luftës së Ftohtë në Ëürzburg, Gjermania Perëndimore, Cavoli u rrit në Romë, Verona, Vicenza dhe Giessen. Ai u diplomua në Universitetin Princeton. Më tek karriera ushtarake vijoi në këmbësori në Korpusin e Trajnimit të Oficerëve Rezervë në Princeton. Nga viti 1988 deri më 1991 ka qenë i sukseshëm në nivelet e gradave të ulëta, ndërkohë që gradohet kapiten dhe shërbeu si instruktor në “Ranger School” nga 1992 deri 1994. Më 1995 u diplomua në Universitetin “Yale” një Master të Arteve në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore në 1997. Në vitin 1999, ai u bë shef i operacioneve të ardhshme për Divizionin e 10-të Malor si major dhe u vendos në Bosnje me Forcën e Stabilizimit, përpara se të shërbente si oficer i operacioneve të batalionit të këmbësorisë midis 2000 dhe 2001. Në gradën nënkolonel Cavoli shërbeu radhazi si Drejtor për Rusinë në Drejtorinë e Planeve Strategjike dhe Politikave të Shtabit të Përbashkët nga viti 2001, si zëvendës asistent ekzekutiv për Kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit nga viti 2003 dhe u bë anëtar i lartë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare. në vitin 2004. Cavoli u bë komandant i Batalionit të I-rë, Regjimentit të 32-të të Këmbësorisë të ekipit luftarak të Brigadës së 3-të, Divizioni i 10-të Malor në vitin 2005. Batalioni u dislokua në provincën Kunar gjatë Luftës në Afganistan. Më pas ai komandoi Ekipin Luftarak të Brigadës së 3-të, Divizionin e Parë të Blinduar, shërbeu si zëvendës komandant i Komandës Rajonale Perëndimore në Herat gjatë Luftës në Afganistan. Cavoli shërbeu edhe si drejtor i Grupit Koordinues të Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Stacioni i radhës ka qenë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Qendrën George C. Marshall për Studimet e Sigurisë Evropiane në Garmisch-Partenkirchen si dhe në Grupin e Studimeve Strategjike të Shefit të Shtabit të Ushtrisë. Si udhëheqës i Komandës Evropiane të SHBA-së, Cavoli është përgjegjës për operacionet dhe aktivitetet ushtarake të SHBA brenda 50 shteteve të pavarura në Evropë dhe rajonin e Kaukazit, si dhe për mirëqenien e 103.000 anëtarëve të shërbimit amerikan dhe familjeve të tyre në atë rajon. Si Komandant Suprem i Aleatëve, gjenerali me katër yje mbikëqyr të gjitha operacionet ushtarake të NATO-s, planifikimin dhe angazhimin strategjik. Shërbimi mjaft i gjerë në pozicione e funksione në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi,përfshirë atë si zëvendëskomandant i Komandës Rajonale Perëndimore në Herat, Afganistan, si dhe ka qenë drejtor për Rusinë në Shtabin e Përbashkët. Mban diploma nga Universiteti Princeton, Universiteti Yale dhe ka marrë çmime e vlerësime të ndryshme për kontributin e tij.

Titulli i akorduar në UET është titulli i 19-të “Doctor Honoris Causa” që ju dha Gjeneral Cavoli, që më parë e kanë marrë edhe znj. Deborah L. Wince-Smith, presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Konkurueshmërisë, nobelisti i ekonomisë Muhammad Yonus, Lordi Anthony Giddens, filozofi anglez Roger Scruton, diplomati Christofer Hill, filozofi francez Luc Ferry, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, ish-trajneri Gianni De Biasi dhe shumë të tjerë. UET nuk i bëri nder gjeneralit amerikan Cavolit, përkundrazi ishte nder dhe vlerësim për universitetin dhe mbarë vendin që komandanti suprem i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë, pranoi të vlerësohej në Shqipëri me titullin honorifik “Doctor Honoris Causa”.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 743
  • 744
  • 745
  • 746
  • 747
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT