• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRA PËR DOM SHTJEFËN KURTIN DHE QIRINJ NGA KOSOVA…

September 11, 2024 by s p

Do të më jepte librat për Dom Shtjefën Kurtin menjëherë sa të kthehej nga Kosova, se do të sillte prej andej qirinj me fytyrën ikonike të Domit. Dhe ashtu u bë. Takimi me z. Nikolin Kurti ishte i shpejtë dhe mallëngjyes për mua: në rrugë, ku ai zbriti nga taksia sa për pak dhe do të ikte po me atë taksi se qëllimi i tij ashtu si dhe dëshira e tij ishin të dhuronte veprën për martirin Dom Shtjefën Kurti. E njoh përkushtimin e z. Nikolin, jo thjesht si nip i denjë i Domit, por si qytetar dhe misionar i kujtesës kolektive, i një çështjeje të madhe, i patriotizmit dhe i besimit, i një të vërtetë dramatike, i dëshmisë së punës dhe veprës së njerit prej atyre, pishtar i dritës së shenjtë, që e përndoqën, e burgosën dhe e vranë, por ai e sfidoi të keqen, djallin dhe sot ndrit më shumë se kurrë.

Mora dy librat e çmuar, “I lumi Dom Shtjefën Kurti – Jeta dhe pavdekësia” me autorë Dr. Nikollë Loka dhe vetë Ing. Nikolin Kurti, botimi është dy gjuhësh, edhe anglisht, “Blessed Dom Shthefën Kurti – Life and Immortality” dhe shoqërohet me dokumentacion dhe me një album fotografish me ngjyra, që flasin, që nga Domi e deri te Papa. Libri tjetër, i përgatitur nga Dr. Nikollë Loka sërish, është i një rëndësie tjetër të veçantë dhe historike, “Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigi Gashi”. Poshtë emra e të tyre është shkruar: Dëshmirarë të popullit martir”. Kjo trini klerikësh në vitin 1930, në janarin e ashpër të maleve, kaluan ilegalisht kufirin nga Jugosllavia për në Shqipëri, nga Tirana shkuan në Romë duke u keqkuotuar se mos kishin ndërprerë shërbimin në Kosovë, por jo, përkundrazi dhe nga Roma shkuan në Gjenevë. Në zyrat e Lidhjes së Kombeve dorëzuan Promemorien ‘Për gjendjen e minoritetit shqiptar në Jugosllavi’, si u shkekeshin të drejtat, shtypeshin, dëboheshin apo vriteshin… Dhe ky akt madhor e bëmat më pas do t’i kushtonin jetën Dom Shtjefen Kurtit duke e çuar burgjeve të Shqipërisë, në pushkatim, por dhe në udhën e lume të shenjtërimit…

Dom Shtjefën Kurti është nga Ferizaj, më thotë në takimin tonë nipi i tij, z. Nikolin. Dija për të. Kur ai u shpall ‘I lumtur” nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, unë punoja në Vatikan, drejtoja Ambasatën tonë dhe erdha në meshën që u celebra në Katedralen e Shkodrës, ku u lumturuan 38 martirë shqiptarë, mes të cilëve dhe Dom Shtjefën Kurti.

Do të shfletoja librat e dhuruar.

Shtjefęni ishte fëmija i gjashtë i Jakut dhe Katrinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, Ferizaj, më pas ndoqi Seminarin Papnor në Shkodër e më pas në kolegjin Canisianum në Insbruck të Austrisë dhe në kolegjin “Propaganda Fide” në Romë, ku dhe u urdhërua meshtar.

U kthye në vendlindje, ku shërbeu si famullitar në Ferizaj, Novosele si dhe në dioqezën e Shkupit.

Me sivëllezërit Dom Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi, të përkrahur nga Mbreti Zogu I, përpiluan më 5 maj 1930 promemorjen, – që kisha ndër duar, – “Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, që iu nis në sekretarin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Erik Drumund.

Dom Shtjefën Kurti ishte ai, ku rrëfehej Nënë Tereza dhe në oborrin mbretëror, ku rrëfehej Mbretëresha Geraldinë.

Gjatë Luftës II Botërore të vështira do të ishte famulltar në kishën katolike në Tiranë (në Bulevard). U arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimorëve. U lirua nga Burgu i Burrelit në vitin 1966, por u arrestua sërish në vitin 1971 duke shtuar “për spiunazh, sabotazh” dhe shkak ishin kryerjet në fshehtësi të riteve fetare. U fajësua për një pagëzim një fëmije, kur kjo gjë ishte e ndaluar. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend që s’dihej deri vonë.

Në librin për Dom Shtjefën Kurtin gjej faqet ku shtypi botëror i bëri jehonë të madhe kësaj vrasjeje dhe shoh i tronditur imazhet në kërkim të varrit të tij, ku paraprinte dhe z. Nikolin. Ja, eshtrat në një varr masiv.

Në reliken e shenjtë, ku ka cifla nga eshtrat e martirëve tanë, të përziera me pakëz dhè, që ne e kemi në shtëpi një të tillë, ime shoqe, Eda, lutet për jetën, për paqe e gëzime mes njerëzve.

Homazhe dhe përkujtimore per Dom Shtjefën Kurtin janë bërë në shumë vende në Europë e deri në SHBA…

Mora dhe qiririn e ardhur nga Kosova, me portretin e Dom Shtjefën Kurtit, që ma dhuroi nipi i tij, z. Nikolin Kurti.

Kur të ndes këtë qiri, do të shoh sërish nga drita e shpirtit të martirit dhe e gjithë martirëve tanë.

Vetëm me një dritë të tillë ne mund të shkojmë përpara dhe na pret një e nesërme më e bukur, shpirtërore…

Visar Zhiti

Filed Under: Interviste

Rajmond Teme Sejko viziton shtëpinë e gjyshit në Çamëri, si shtetas amerikan 

September 11, 2024 by s p

Tragjedia e tmerrshme që u ndodhi në Berat familjes së Teme Sejkos, ish-  Kundëradmiralit të Flotës, siç ma tregoi i biri në Spaç, pasi ai…”/ Rrëfimi  i Kaso Hoxhës nga SHBA-ës –

I biri i gjeneral-leitnant Teme Sejkos, ish-komandant i Flotës Detare Shqiptare i pushkatuar nga regjimi komunist, Rajmond Sejko, i mbijetuari i vetëm i Familjes Sejko, së  bashku me djalin, vajzën dhe nipin e tij, shkuan në  Filat si shtetas amerikanë  dhe vizituan shtëpinë   e gjyshit, Mehmet Sejko, një  nga personalitetet e rralla të Çamërisë, kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” të  Filatit, protagonist i hapjes së  shkollave shqipe dhe  firmëtar i Memorandumit që i bënë çamët Fuqive të Mëdha në vitin 1919 për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë.

“Shpirti  i babait tim Teme, i xhaxhallarëve Taho e Sulo Sejko, i vëllait tim Sokolit dhe i nënës Shpresa, nuk janë  të  qetë , tha  Rajmondi për “Diellin”. …Por as ne të gjallët nuk jemi të qetë, përderisa viktimat e familjes Sejko janë pa varr. Përderisa nuk kemi ku t’i qajmë, se shtëpinë e vatanin na e kanë marrë. S’më  mbante vendi derisa më  në  fund munda të  shoh shtëpinë  e gjyshit tim në Filat dhe, së  bashku me djalin dhe nipin tim, të  bënim këtë  vizitë, si një  përshpirtje për gjithë  njerëzit tanë. Shtëpia na mahniti ashtu hijerëndë, mes shkëlqimeve të  hirta drithëruese, me muret e saj të  qëndresës. M’u duk më e bukura në botë. Sikur na lutej të hynim brenda. Qëndronte aq solide dhe e pavdekshme në  pritje të  të  zotëve, edhe pse çatia kish rënë  me kohë. U çmalla gjatë  me shtëpinë  dhe m’u duk se për disa çaste dremita pak. Muzgu ra ngadalë si një psherëtimë. Gjethet u drodhën. Gjerdanë  ëndërrash më  erdhën radhë. Dhe vetëm njëra më  përmendi: Shihja çamët që  ktheheshin varganë – varganë  drejt shtëpive”!

***

Rajmondi është ishte vetëm 11 vjeç, kur nisi tragjedia e familjes së tij. Ajo fillon me arrestimin e vrasjen e babait të tij, Teme Sejko, më pas vazhdon me të vëllanë Sokolin e më tej me të ëmën Shpresa, e cila i dha fund jetës në pamundësi për të duruar persekutimin ekstrem të diktaturës komuniste, mbi djemtë e saj dhe të shoqin. Shpresa Sejko vendosi t’i japë fund jetës, kur komunistët arrestuan djalin e saj, tashmë i vetëm pas vrasjes së Sokolit, Rajmondin. Kur Rajmondi u arrestua, e ëma Shpresa u vetëvra.

Për Rajmondin, e enjtja e zezë e 28 korrikut ‘60, ishte fillimi i fundit të Teme Sejkos që pak nga pak e ditë pas dite, solli një tragjedi të tmerrshme.

 I mbijetuari i vetëm i familjes Sejko ndalon pak si për të sistemuar mendimet dhe vazhdon i mallëngjyer me momentet, kur ka humbur të dashurit e vet: “I pari, iku babai, Temja. Pas një procesi maratonë thanë se e pushkatuan. E pushkatuan, po mbeti pa varr. I dyti, im vëlla, Sokoli. E vranë edhe atë me plumb. E pushkatuan si sabotator natën për ta lënë pa varr. E treta, ime më, Shpresa. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. E mira nënë, mbylli sytë ditën e arrestimit tim. Ikën të gjithë pas njëri tjetrit. Nuk m’u dha rasti të përcjellë asnjërin për në banesën e fundit…” Por, Rajmond Sejko ka edhe një tjetër peng: “Ende nuk di ku pushojnë eshtrat e tyre”. 

Prandaj, rikthehet herë pas here nga Amerika, ku jeton prej vitesh dhe gjurmon pa pambarim në kërkim të vendvarrimit të të atit dhe vëllait. 

Arben Iliazi

Filed Under: Reportazh

Kosova me Amerikën, kujton 11 Shtatorin 2001…

September 11, 2024 by s p

-Para 23 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/

-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/

– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Shtator 2024/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 23 viteve – 11 Shtatorit 2001. Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave. Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.

Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe. Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:

I nderuari President,

Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi. E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.

Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.

Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.

Juaji sinqerisht,

Dr.Ibrahim Rugova

GAZETA RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA” NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ

Në 11 Shtator 2002 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.

Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.

Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.

Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.

Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.

Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.

Gazeta “Kosova Sot” kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.

Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.

Kryeministri Kurti bën homazhe në përkujtim e nderim të viktimave të 11 Shtatorit 2001

Prishtinë, 11 shtator 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përkujtim të viktimave të atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti u shpreh se sot kujtimi ynë shkon për viktimat, si dhe solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.

Kryeministri më tej kujtoi se në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.

Ai shtoi se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan, secilit qytetar liridashës, i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie, që nuk diskriminon asnjeri.

“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit,” përfundoi kryeministri.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu bashkë me zëvendëskryeministren, me ministra e zëvendësministra, dhe me zëvendës ambasadoren amerikane për të nderuar viktimat e 11 Shtatorit 2001, viktimat e atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujtimi ynë shkon për viktimat, solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, dhe gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anembanë botës të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë kundër terrorizmit.

Para 23 viteve, 2977-të qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kullat Binjake, në Pentagon, në katër avionët dhe 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtojnë ata, humbën jetën, ranë heroikisht dhe shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re, që prej atëherë, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë, dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri.

Në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë që gjithashtu i kujtojmë, të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.

Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën, dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit.

Nderime dhe lavdi të gjitha viktimave dhe qëndresës e sakrificës së zjarrfikësve dhe policëve amerikanë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 11 shtatorin e vitit 2001, e që sipas Presidentes Osmani, kjo ditë ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

11 shtatori- ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive. Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!

Filed Under: Kronike

Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna Tereze (1979)

September 11, 2024 by s p

Don Lush Gjergji/

45 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe

Një këtë përvjetor të madh dhe të rëndësishëm një vend i spikatur dhe i pamohueshëm i takon edhe familjes Bojaxhiu, sidomos Kolë Bojaxhiut, i cili përpos bamirësit, ndërtimtarit, tregtarit, ishte edhe patriot i dalluar në disa fushëveprime: në ndërtimin e Teatrit të Shkupit, në projektimin dhe financimin e hekurudhës Shkup-Kosovë, në përkrahjen e shkollës shqipe pranë famullisë së Zemrës së Krishtit në Shkup, në bashkëpunimin e ngushtë me Imzot Lazër Mjedën dhe me atdhetarët e shquar dhe të dalluar për liri dhe pavarësi, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qyrtezi e shumë të tjerë.

Kujtimi i marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shiptare – Nënës Tereze, saktësisht para 45 0 viteve, më 10 dhjetor 1979, pra, është një ditë e madhe dhe e bekuar për të gjithë Shqiptarët, sepse Bija-Motra dhe Nëna Tereze është e para shqiptare Nobeliste e Paqes.

Kjo befasoi botën atëherë, sepse shumë njerëz pyetshin: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë?
Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulur, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër. Ajo veçmas ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të pa lindur, si dhe të atyre që tashmë ishin në buzë të vdekjes.
Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:
· “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
· “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
· “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urrejtje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim… Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka… Kur marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre nejrëzve… Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve… Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tejtrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë…”. [i]

Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë, e cila ishte flijuar dhe dhuruar për të mirën e të gjithëve pa asnjë dallim apo përjashtim kombëtar, racor, gjinor, kastor apo fetar.

Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jipet bamirëses së njerëzimit… mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nëna Tereze është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”.[ii]

Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aeroportin e Oslos, gjatë përcjelles së Nënës Tereze për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:” Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënedrojmë asaj, që e ka pranuar këtë Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë… Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Shpërblimit të Nënës Tereze do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një personalitet të dimensioneve të ngjashme si Nëna Tereze…Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë Dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si mahi, vr. ime).[iii]

Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.

Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufinjve të kohës dhe të hapësirës, të nacionit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave…

“Recepti” i Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, i mundshëm dhe përshtatshëm për çdo njer: “Punë të vogla me dashuri të madhe”. Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979. Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë (1918-1996).
Dolëm për ta pritur Nënën Tereze në aeroportin e Oslos. Me Nënën Tereze ishte edhe vëllau i saj, Lazër Bojaxhiu, dhe bija e tij, Age lind. Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël shqiptare.

Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për mua?”. Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha :”Jo, por kemi ardhur për t’i parë bukuritë natyrore rë Norvegjisë”. Nëna Tereze, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si t’kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”.[iv]
Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në botën shqiptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.
Ja përgjigja e Nënës Tereze: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjanë atje. Një gjë vetëm e dijë: UNË MUND TË THEM VETËM SE LUTËM SHUMË PËR SHQIPËRINË, QË ZOTI T’IU JEPË DRITË PËR TË PARË SE NËSE DËSHIROJNË TË JETOJNË NË PAQE, ATËHERË DO TA DOJNË NJËRI-TJETRIN…”[v]

Gjatë Konferencës për shtyp ajo ndër të tjera tha dhe e shkrojiti me dorën e saj në gjuhën shqie: “UNE GJITHMON E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR. SHUM LUTI ZOTIN QI PAGJA E TIJ TË VJEN NË ZEMRAT TONA, NË GJITHA FAMILJET TONA, NË GJITH BOTËN. LUTUNI SHUM PËR FUKARAT E MI – DHE PËR MUA DHE MOTRAT E MIJA.
UNE LUTEM PËR JUVE.
M. TEREZA BOJAXHIU”, OSLO; 10/12/79.”. [vi]

Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobel për Paqe?”

Nëna Tereze tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë posaçe, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë. Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë… Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe…Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”[vii]

Nëna Tereze pa dyshim është ajo që pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e bashkon shpirtërisht dhe kulturalisht kudo popullin Shqiptar, është Ambasadorja e historisë, traditës, kulturës, me shekuj edhe fesë tonë të përbashkët.

Për ne ka rëndësi të madhe jo vetëm nderimi, falënderimi, dashuria ndaj Nënës Tereze, por nëpërmjet jetës dhe frymëzimit të saj, zbatimi i dashurisë për njëri-tjetrin, apo si shprhej ajo bukur: “PËR ZOTIN DASHURI dhe PËR VËLLAU

Nëna Tereze thoshte: “JEPE PJESËN MË TË MIRË TË VETVETES“, e ajo është kujdesi, nderimi, falënderimi, frymëzimi, dashuria, zemra, që na bënë të lumtur së bashku me të tjerët dhe për të tjerët.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna jonë Tereze.
Prishtinë, 11. 09. 2024
Radio Maria – Kosovë
[i] Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Drita, Ferizaj, 1990, f. 201-205; Më gjerësisht lexo fjalimin e Nënës Tereze në Oslo, 10 dhjetor 1979, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, f. 196-205.
[ii] Po aty, f. 213.
[iii] Po aty, f. 213-214.
[iv]i Dr. Lush Gjergji, ve. e cit. f. 208.
[v] DRITA 12/1979, f. 8; Më gjerësisht lexo: DRITA, Po aty, f. 1-9.
[vi] Po aty, f. 9.
[vii] Dr. Lush Gjergji, ve. e cit. , f. 290.

Filed Under: ESSE

“Zëri i Amerikës” : Harris, Trump kritikojnë ashpër qëndrimet politike të njëri-tjetrit në debatin e tyre të parë

September 11, 2024 by s p

11 shtator, 2024

  • AP dhe Reuters

(COMBO) This combination of pictures created on September 10, 2024 shows
former US President and Republican presidential candidate Donald Trump (L) and US Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris participating in a presidential
(COMBO) This combination of pictures created on September 10, 2024 shows former US President and Republican presidential candidate Donald Trump (L) and US Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris participating in a presidential

Debati i parë mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump u shoqërua me polemika luftarake mbi ekonominë, emigracionin, abortin, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.

Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, kritikoi synimin e zotit Trump për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, një propozim që ajo tha se do të ishte një taksë për klasën e mesme, ndërsa foli mbi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet amerikane dhe bizneset e vogla.

“Donald Trump na la nivelin më të ulët të punësimit që nga Depresioni i Madh (rënia e madhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara e viteve 1930)”, tha zonja Harris, duke iu referuar viteve të tij si president nga viti 2017 deri në vitin 2021. Niveli i papunësisë arriti kulmin në 14.8% në prill të vitit 2020 dhe ra në 6.4% kur ai u largua nga detyra.

Zoti Trump, 78 vjeç, kritikoi zonjën Harris për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës së Presidentit Biden, megjithëse ai e mbivlerësoi nivelin e rritjes së çmimeve. Ai gjithashtu iu drejtua shpejt çështjes së tij kryesore, emigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga “azilet e të çmendurve” po kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Inflacioni, tha ai, “ka qenë një katastrofë për njerëzit, për klasën e mesme dhe gjithë të tjerët.”

Debati filloi me një shtrëngim duarsh mes dy rivalëve, të cilët nuk ishin takuar më parë.

Politika e Jashtme

Kandidatët gjithashtu shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe agresionin rus në Ukrainë, megjithëse asnjëri nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtyre konflikteve.

Demokratja Harris akuzoi republikanin Trump se ishte i gatshëm të të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të fituar favorin e Presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur zotin Trump një “turp”, ndërsa zoti Trump pretendoi se zonja Harris “urren” Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.

Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris për tërheqjen e pa organizuar të trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se ata lanë duart e talebanëve pajisje ushtarake amerikane me vlerë prej miliarda dollarësh.

Sulmet personale

Zoti Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj zonjës Harris, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i zëmëruar nga kritikat e zonjës Harris.

Zoti Trump u pyet nga moderatorët për një nga ato sulme, kur ai tha në një konferencë me gazetarë afrikano-amerikanë në korrik se zonja Harris së fundmi ishte “bërë një person me ngjyrë”.

“Nuk më intereson aspak kjo çështje”, tha ai. “Çfarëdo që ajo dëshiron të jetë është në rregull me mua.”

Zonja Harris, me origjinë zezake dhe aziatike u përgjigj: “Unë mendoj se është një tragjedi që ne kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës së tij është përpjekur të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan”.

Ajo kritikoi zotin Trump për shpalljen fajtor nga një juri për fshehjen e pagesave për një aktore e filmave pornografikë, si dhe paditë e tij të tjera dhe një gjyq civil për sulm seksual. Zoti Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi zonjën Harris dhe demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij pa prova.

Ish Presidenti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden, ishin manipuluar dhe e quajti zonjën Harris një “marksiste” dhe pohoi në mënyrë të rreme se migrantët kanë shkaktuar një rritje të madhe të krimit të dhunshëm në vend.

Ky mund të jetë debati i vetëm mes tyre në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Debati mbahet tetë javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet e vendit.

LEXONI EDHE KËTË

Qëndrimet kontradiktore të kandidatëve Trump dhe Harris përpara debatit të tyre të parë

Debatet presidenciale nuk ndryshojnë domosdoshmërisht mendjet e votuesve, por ato mund të jenë shumë të rëndësishme. Paraqitja e dobët e zotit Biden në debatin me zotin Trump në qershor çoi në tërheqjen e tij nga gara për president më 21 korrik.

Debati, i organizuar nga kanali ABC, u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia. Siç ishte rënë dakord nga drejtuesit e fushatave, nuk kishte audiencë të drejtpërdrejtë dhe mikrofonat e kandidatëve ishin të fikur në momentet kur kandidatët nuk e kishin radhën e tyre për të folur.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 753
  • 754
  • 755
  • 756
  • 757
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT