• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ILIROLOGU ALEKSANDËR STIPÇEVIQ

September 5, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

Me rastin e përvjetorit të vdekjes.

Aleksandër Stipçeviqi (Arbënesh/Arbanasi, 10 retor 1930 – Zagreb, 1 shtator 2015) është arkeolog, bibliograf, albanolog dhe historian kroat me prejardhje shqiptare, profesor ordinar i Universitetit të Zagrebit. Shquhet në lëmin e arkeologjisë, bibliotekarisë etj.

Lindi në Arbnesh/Arbanasi afër Zagrebit në një familje shqiptare. Sot është lagje e Zarës (kroatisht: Zadar), qytet në bregdetin dalmatin. Ata ndoqi shkollën fillore dhe gjimnazin. Në vitin 1954 diplomoi arkeologjinë në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. Në vitin 1977 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zarës me tezën “Simbolizmi religjioz tek ilirët”. Pesëmbëdhjetë vjet ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime albanologjike”. Një kohë të shkurtër punoi në Muzeun Arkeologjik të Zarës dhe në Entin e Shkencave Historike në Zarë. Në vitin 1957 kalon në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb në detyrën e shefit të Sektorit të librave të botuar. Në vitin 1974 e merr detyrën e drejtorit të Bibliotekës së Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Arteve (AJShA), ndërsa kah fundi i vitit 1983 kalon në Entin Leksikografik “Mirosllav Kërlezha” ku e merr detyrën e kryeredaktorit të Leksikonit Biografik Kroat.

Aleksandër Stipçeviqi ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në nëntor të vitit 1987, pas daljes nga shtypi të vëllimit të dytë, kalon në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, Dega për shkenca informatike: Katedra e bibliotekarisë, ku i ligjëron lëndët, si: Historia e librit dhe e bibliotekave, Bibliografia, dhe Sociologjia e librit dhe e bibliotekave. Në shkurt të vitit 1978 merr titullin e këshilltarit të bibliotekarisë, ndërsa po atë vit Akademia Jugosllave e Shkencave dhe të Arteve (AJShA) ia njeh titullin e këshilltarit shkencor në lëmin e shkencave historike. Në vitin 1990 i jepet titulli i këshilltarit shkencor në lëmin e shkencave informatike. Në vitet 1970-1973, në cilësi të ligjëruesit të lartë, në fakultetin Filozofik të Prishtinës, si bashkëpunëtor i jashtëm, ligjëron lëndën “Bazat e arkeologjisë”. Kah fundi i vitit 1971 zgjidhet si ligjërues i lëndës “Bazat e historisë së librit dhe të bibliotekave” në studimet pasuniversitare të bibliotekarisë, të dokumentacionit dhe të shkencave informatike të Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1978 zgjidhet si profesor inordinar me honorar në katedrën e sapoformuar të bibliotekarisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1987 u zgjodh profesor i rregullt në të njëjtin fakultet. U pensionua në vitin 1997.

* * *

Aleksandër Stipçeviqi është autor i shumë studimeve në fushën e ilirologjisë, si:

– “Gli Illiri”, 1967 (“Ilirët”);

– “Arte degli Illiri” 1967 (“Arti i ilirëve”);

– “Bibliographia Illyirica”, 1967 (“Bibliografi për ilirët”);

– “Simbolet e kultit te ilirët”, 1983; “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualizimi i tij politik sot” etj.

Është autor veprash edhe në fushën e albanologjisë:

– “Interpretime albanologjike”;

– “Etnogjeneza e shqiptarëve”, “Albanologjia në Kroaci” etj.

Veprat

– Arti ilir (Ilirska umjetnost; Arte degli Illiri, 1963); Bibliografia e arkeologjisë antike në Jugosllavi I-II (1977);

– Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji I–II (1977);

– Simbolet e kultit tek ilirët (Kultni simboli kod Ilira. 1981);

– Ilirët (historia, jeta, kultura) – Iliri (povijest, život, kultura) (1974);

– Historia e librit (Povijet knjige, 1985);

– Censura në biblioteka (Cenzura u knjižnicama. 1992);

– Për censorin e përsosur (O savršenom cenzoru, 1994);

– Rrëfim për leksikonin biografik kroat (Priča o hrvatskom biografskom leksikonu (1997);

– Fati i librit (Sudbina knjige, 2000);

– Historia sociale e librit te kroatët I-II (Socijalna povijest knjige u Hrvata I–II (2004-2005);

– Kultura e traditës e Arbëreshëve të Zarës (Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa) (2011).

* * *

Në vitin 2025 i është dhënë Certifikata për merita “Millan Shuflaj”.

Prej datës 12 maj 2017, dega e Bibliotekës së qytetit Zarë në lagjen Arbanasi e mban emrin Dega “Aleksandër Stipçeviq“ – Arbanasi.

* * *

Arbëneshi është lagje periferike e qytetit të Zarës në Dalmaci (Republika e Kroacisë). Dikur ka qenë fshat, i quajtur Arbanasi dhe Borgo Erico (Borgo Erizzo). U themelua në vitin 1726 nga shqiptarët të ardhur prej Briskut dhe Shestanit në perëndim të liqenit të Shkodrës. Shqiptarët ikën nga dhuna turke dhe u vendosën këtu në valë të ndryshme, në vitet 1726-1727, 1733 e më pas. Përpos nga Brisku e Shestani, ata erdhën edhe Larja që ndodhet ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit. E folmja e arbëreshëve të Zarës i përket gegërishtes dhe përfaqëson një gjendje më të hershme të këtij dialekti.

Pra, arbëreshët e Zarës e kanë prejardhjen nga rajoni i Krajës, përkatësisht nga fshatrat Brisk, Shestan, Ljare dhe Podë, sot pjesë e Komunës së Tivarit në Mal të Zi. Si pasojë e pushtimit osman të trevave shqiptare, kjo popullatë emigroi në Kroaci, në dy periudha të ndryshme: E para, në vitin 1655 për në Pullë (Pula), Istrie (Istra) dhe e dyta, në vitet 1726-27 dhe 1733, për në rajonin e Zarës. Kjo e fundit u mbështet nga kryepeshkopi i Tivarit dhe Zarës, Vicko Zmajeviq (1670-1745) dhe nga Republika e Venedikut. Prej kroatëve quhen Arbanas, Arbanasi.

Kjo e folme është studiuar nga albanologu gjerman Gustav Vajgand (Gustav Weigand, 1860-1930), nga gjuhëtari italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1982) dhe nga gjuhëtari e akademiku Idriz Ajeti (Tupallë të Medvegjes, Kosova lindore, 1917 – Prishtinë, 2019).

Nga radhët e tyre kanë dalë veprimtarë të mirënjohur në fushën e dijes dhe të kulturës, si poeti dhe tregimtari Shime Deshpali (1897-1980) dhe Josip Rela (1895-1966), autor i një numri pjesësh melodramike dhe të shkruara në gegërishten e tij arkaike. Më e njohur nga veprat e tij është tragjedia në katër akte “Nita”, Rilindja, Prishtinë, 1976, faqe 77, e cila evokon fatin tragjik të një vajze nga Brisku, të zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Tragjedia “Nita” e Josip Relës është e para dramë shqipe e shkruar dhe e botuar në Jugosllavi.

Shime Deshpali dhe Josip Rela kanë shkruar në të folmen e arbëreshëve të Zarës. Këtij mjedisi i përket edhe Bruno Kërstiqi i cili njihet edhe për një libër kushtuar historisë së formimit të këtij ngulimi dhe për një fjalor të gjuhës së arbëreshëve.

Arbëreshë të njohur kanë qenë:

– Josip Vladoviq Rela (1895-1966) – dramaturg;

– Shime Deshpali (1897-1981) – poet, kompozitor, profesor muzike;

– Aleksandër Stipçeviq (1930- 2015) – arkeolog, historian, ilirolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;

– Pavle Deshpali (1934- ) – kompozitor, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë;

– Valter Deshpali (1947- ) – violonçelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb;

– Shime (Simeone) Duka (1915-2006) – sekretar i arkivave të Vatikanit;

– Josip Gjergja (1937- ) – basketbollist i Zarës dhe i kombëtares basketbolliste të Jugosllavisë;

– Mlladen Gërdoviq (1958- ) – këngëtar;

– Bozhidar Kalmeta (1958- ) – kryetar i Zarës në vitet 1994-2003; në vitin 2013, ministër në qeverinë kroate;

– Ratimir Kalmeta (1916-2005) – gjeograf dhe gjuhëtar;

– Bruno Kërstiq (1905-1987) – leksikograf;

– Hërvoje Macanoviq (1904-1980) – gazetar sporti;

– Gjani Marshan (1944- ) – këngëtar, muzikant, diplomat, konsull kroat;

– Bepo Mateshiq – këngëtar i tenorit;

– Berto Mateshiq – këngëtar i tenorit;

– Ivica Mateshiq Jeremija (1959- ) – shkrimtar, diplomat ushtarak;

– Ivo Peroviq (1882-1958) – Ban (guvernator) dhe regjent i Jugosllavisë në vitet 1934-1941;

– Ivan Prengja (1939-2010) – kryepeshkop i Kryepeshkopatës së Zarës;

– Ennio Stipçeviq (1959- ) – muzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë.

– Josip Gjergja (Arbënesh/Arabanasi, Zarë, 11 shkurt 1911 – Beograd, 18 shkurt 1990) – Politikan dhe diplomat kroat me prejardhje shqiptare (arbëreshe). Në vitet 1945-1948 ka qenë ambasador i Jugosllavisë në Shqipëri. Pas kësaj ka qenë ambasador në Hungari, në Bullgari, në Egjipt, në Libi, në Indi dhe në Birmani. Në vitet 1970-1972 nënkryetar i Kuvendit Federativ të Jugosllavisë. Në vitin 1972, Josip Brozi i largon nga skena politike udhëheqësit “nacionalistë” kroatë. Me këtë veprim të Titos, Josip Gjergja nuk u pajtua. Dha dorëheqje nga funksionet politike.

Foto: Wikipedia.org

Filed Under: Analiza

Astrit Lulushi, in memoriam…

September 5, 2024 by s p

Ilir Ikonomi/

Sa keqardhje për Astrit Lulushin, kolegun tonë të Zërit të Amerikës! Sot në mëngjes mësova me tronditje se ishte ndarë nga jeta pas një operacioni të vështirë në veshkë.

Astriti ishte fjalëpak, por me një mendje prej filozofi dhe shpirt prej poeti. Ato që nuk i thoshte me gojë i ka lënë në shumë e shumë libra interesantë që botoi gjatë viteve. Aty, ai fliste për kuptimin e jetës, analizonte natyrën dhe dijen njerëzore, veset dhe virtytet, tregonte për historinë dhe për njerëzit e saj të shquar, zhytej në honet e qenies njerëzore si askush tjetër për të eksploruar misteret dhe provokuar pyetje.

Ishte njeri që mendonte me kokën e vet dhe prandaj e çmonte shumë lirinë e gjetur në Amerikë. Nuk i kishte qejf klishetë, kërkonte në heshtje mendimin ndryshe. Thonë se njeriu i heshtur është ai që vlen të dëgjohet më shumë. Prandaj më pëlqente t’i dëgjoja mendimet e tij.

Shpesh e shihje të trishtuar, por kur gëzohej qeshte si fëmijë, të merrte mënjanë dhe të tregonte ndonjë anekdotë, nga ato që e shtrydhin tërë filozofinë e botës në një ose dy fjali të vetme.

Ikja e dikujt që e ke njohur prej kaq shumë vitesh të sjell pyetje, të mëdha e të vogla, shumica e të cilave mbeten pa përgjigje. Astriti dinte t’u përgjigjej, por tani ai nuk është më.

Filed Under: Komente

5 SHTATORI 1997 DITA E SHKUARJES NË AMSHIM TË SHENJËTORES NËNË TEREZA

September 5, 2024 by s p

Ndue Bacaj/

Si sot me 5 shtator 1997 nga planeti Tokë u shua një yllë mbi yje që sillte dritë, paqe, harmoni e shpresë për jetën. U shua nga kjo botë e përkohëshme për t’u ngjitur lart në Qiell në amshim Nënë Tereza. U shua duke na lënë si kujtim veprat e saja në sherbim të njerzëve në nevojë thuajse në çdo cep të globit tonë, duke na lënë në këtë tokë trupin të cilin e kishte marrë përkohësisht, ndërsa shpirti i saj shkoi në Parajsën qiellore ku rrinë Engjëjt, pranë Jezu Krishtit me emrin e të cilit jetoj e veproi. E ne vetëm tani e kuptojmë se Nënë Tereza nuk kishte qenë një njeri i kësaj toke, por kishte qenë një Engjëll i vërtetë që vetë Zoti ja kishte falë përkohësisht kësaj bote halleshume. Është fat i paçmuar për Racen tonë Ilire-Shqiptare që vetë Krijuesi zgjodhi bijën tonë për ta shenjtëruar, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë shenjtore. Kur kishte lindur Nënë Tereza ishte pagëzuar me emrin Gonxhe Bojaxhi, ndërsa emrin Nënë e mori gjatë misionit të saj të bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia si dhe sëmundjet e Epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin e saj shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe. Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Në këtë pervjetor të shkuarjes në amshim të shenjëtores Nënë Tereza, sot në ditë-festen e saj, mendova të citoj fjalët shqip (se ajo si shqiptare dinte të shkruante e lexonte shqip), për ne gjininë e saj të datës 10 dhjetor të vitit 1979 në Oslo ,kur do të merrte çmimin nobel: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë i luti Zotit që Paqja e Tij te vij ne zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”. M. Teresa Bojaxhiu. Gjithashtu për t’a mbylluar këtë shënim zgjodha të citoj disa “sentenca” të Shejtes Nënë Tereza, që kanë vlera të perjetshme:

-Paqja fillon me një buzëqeshje.

-Fjalët e sjellshme mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u shqiptuar, por jehoha e tyre është e pafundme.

-Uria për dashuri është shumë më e vështirë të largohet se uria për bukë.

-Nëse nuk ushqeni dot 100 njerëz, ushqeni një.

-E shkuara iku, e tashmja nuk ka mbërritur ende. Kemi vetëm të sotmen. Le t’ia nisim.

-Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjesia e të qenurit i padëshiruar.

-Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni.

-Çfarë mund të bëni për të reklamuar paqe në botë? Shkoi në shtëpi dhe dashuroni familjen tuaj.

-Nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit.

-Nuk na duhen armë dhe bomba për të sjellë paqen, por dashuri dhe dhembshuri.

Filed Under: Sociale

Kryetari i “Vatrës” për “Bota Sot”: “Kosova dhe SHBA me miqësi të përjetshme”, Berisha flet për deklaratat e zyrtarëve amerikanë për situatën në veri/ Ja kur duhet të hapet Ura

September 5, 2024 by s p

Naile EjupiNGA NAILE EJUPI MË 4 SHTATOR 2024 NË ORA: 16:47

Elmi Berisha

Intervistë me Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha“SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta”

  • Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha, thotë se në raportet aktuale në mes Kosovës dhe SHBA-së mund të ketë dallime në qasje, apo edhe mos pajtime në mënyrën e veprimit, por kurrsesi ftohje të raporteve dhe kundërvënie ndaj mikut dhe aleatit strategjik të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.

Berisha në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta, andaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndjekin me besim të plotë këshillat dhe sugjerimet e aleatit tonë strategjik për pjesën veriore të Kosovës.

Sipas tij, Ura e Ibrit duhet dhe do të hapet, por nëse ambasadori amerikan kërkon që të shtyhet për pak kohë, atëherë qeveria duhet ta respektojë këtë kërkesë, kjo për shkak se kur ura të hapet me mbështetjen 100 për qind të SHBA-së, atëherë ajo nuk guxon të mbyllet kurrë.

Berisha në intervistë ka ‘këshilluar’ pozitë e opozitën të jenë unikë sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës, gjersa kërkon që një draft i asociacionit të dërgohet sa më parë në kushtetuese.

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ka folur edhe për angazhimet e tyre për lobim, afrimim dhe avansimin e çështjes shqiptare në SHBA, por edhe rreth zgjedhjeve në Amerikë e Kosovë.

Intervista e plotë:

Bota sot: Z. Berisha, si i vlerësoni marrëdhëniet SHBA-Kosovë në dy rrafshe; atë historik dhe në aktualitet?

Elmi Berisha: Vlerësoj se marrëdhëniet SHBA-Kosovë tani po hynë në dekadën e katërt, që nga viti 1986 kur për herë të parë u miratua rezoluta e parë në Kongresin e SHBA-ve nga miqtë e Kosovës, Diogardi, Doll dhe të tjerë, mbështetur fuqishëm nga i madhi Jim Xhema. Këto marrëdhënie vazhduan të forcohen, duke arritur vetëm për pak vite në partneritet strategjik, duke pritur zyrtarisht udhëheqësit e Kosovës në krye më Presidentin Historik dr. Ibrahim Rugova në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1996. Ky partneritet strategjik dhe kjo miqësi me shtetin dhe popullin amerikan u pasqyrua me vendimin e Presidentit Klinton për të bombarduar Serbinë me 1999, që kulmoj me lirinë e Kosovës. SHBA ishin me Kosovën dhe popullin e saj në secilin hap të ndërtimit të Kosovës, progresin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, që kulmoj me mbështetjen e gjithanshme amerikane si aleati kryesor edhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 nën administratën e Presidentit Bushi i ri. SHBA ishin me Kosovën dhe në krah të Kosovës edhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e gjithmbarshëm në të gjitha aspektet. Miqësia e popullit amerikan dhe atij të Kosovës është unike, e paluhatshme, e përjetshme, pa marrë parasysh se kush qeverisë në të dy shtetet. Në raportet aktuale në mes Kosovës dhe SHBA mund të ketë dallime në qasje, apo edhe mospajtime në mënyrën e veprimit, por kurrsesi ftohje të raporteve dhe kundërvënie ndaj mikut dhe aleatit strategjik të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.

Bota sot: A ka gjasa që mospajtimet e herëpashershme ose edhe në të ardhmen, ta zbehin raportin historik mes Kosovës dhe Amerikës?

Elmi Berisha: Nuk dua të besoj që dallimet në qasje do të zbehin miqësinë në mes të dy popujve dhe shteteve. Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë, SHBA është garanca më e sigurt e ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës dhe prosperimit drejt integrimit euro-atlantik. Është miqësi e përjetshme.

Bota sot: Tendencat qeveritare për të shtrirë rend dhe siguri në veri të Mitrovicës nga Kosova, kanë hasur në barriera. Si i shihni komentet e zyrtarëve amerikanë karshi Kosovës për zhvillimet e fundit?

Elmi Berisha: Unë jam mbështetës i veprimeve kushtetuese dhe zbatimit të ligjit në secilën pjesë të Republikës së Kosovës. Janë disa çështje senzitive që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin rajonal si dhe interesat gjeopolitike, në këtë kontekst mbështes në plotëni qëndrimet e zyrtarëve të shtetit mik amerikan dhe apeloj te qeveria e Kosovës që të koordinohen ngushtë dhe për secilin veprim që tangon sigurinë e rajonit dhe interesin gjeopolitik amerikan. Vlerësoj se SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta, andaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndjekin me besim të plotë këshillat dhe sugjerimet e aleatit tonë strategjik.

Bota sot: Veçanërisht, Ura e Ibrit është temë aktuale dhe ka tërhequr vëmendjen si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Sipas jush, cilat mund të jenë ato arsyet e forta që po i shtyjnë ndërkombëtarët për alarmim, të cilët edhe kanë bërë thirrje që kjo çështje të lihet për një kohë tjetër?

Elmi Berisha: Sa i takon kësaj çështjeje vlerësoj se ura mbi lumin Ibër duhet dhe do të hapet sepse ajo është çështje e dakorduar vite më parë ne dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Në situata të tilla, kur për arsye të sigurisë dhe implikimeve të tjera që prekin çështje senzitive, konsideroj se qeveria e Kosovës duhet të ketë koordinim të plotë me SHBA-të. Nëse ambasadori i SHBA në Prishtinë kërkon që kjo çështje të shtyhet për pak kohë, atëherë vlerësoj se qeveria e Kosovës duhet të respektojë këtë kërkesë të aleatit tonë më të besueshëm. Hapja e urës të bëhet me mbështetje 100% nga SHBA-të dhe pasi të hapet nuk guxon të mbyllet kurrë. I bëjë thirrje qeverisë së Kosovës t’i respektojnë në plotëni kërkesat reale të mikut të madh të Kosovës ambasadorit Hovenier.

Bota sot: Në sfond na mbetet çështja e asociacionit, si i komentoni zhvillimet ose çfarë kahjesh mund të merr çështja për asociacionin. Kosova refuzon modelet e kaluara, derisa Serbia insiston në to. Çfarë epilogu mund të rezultojë në fazën finale?

Elmi Berisha: Duhet të jemi real. Përfaqësuesit institucional të Kosovës e kanë pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneks marrëveshjen e Ohrit, ku parashihet edhe formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Inkurajoj Kryeministrin që në koordinim dhe konsultime por edhe me garanca nga SHBA-të të dërgoj draft statutin për asociacionin në gjykatën kushtetuese e cila është gardiani i rendit kushtetues në Kosovë. SHBA-të përmes zyrtarëve më të lartë kanë deklaruar disa herë se nuk ka ndarje dhe as bosnizim të Kosovës, dhe kur flet Shtëpia e Bardhë, Senati, Kongresi dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, atëherë nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen në plotëni, kjo i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe pa diskutim në fund të procesit edhe njohjen nga Serbia. Alternativë tjetër nuk ka.

Bota sot: Nga prizmi juaj, çfarë këshillash apo sugjerimesh do të kishit për qeveritarët pozitarë dhe opozitarë karshi Amerikës dhe vendeve aleate në rrethanat e tanishme?

Elmi Berisha: Qeveria dhe opozita duhet të jenë unik sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës. Duhet të jenë bashkë në proceset integruese, politikën e jashtme dhe në koordinimin me partnerët tanë strategjik në krye më SHBA-të. Inkurajoj spektrin politik të Kosovës që të thellojnë bashkëpunimin dhe koordinimin me SHBA-të në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në këtë segment të koordinohen ngushtë, në fushën e energjisë, Intelegjencës Artificiale dhe disa sektorëve tjerë vital për të ardhmen e Kosovës. Bashkëpunimi, mbështetja, këshillat dhe asistenca amerikane në këta sektorë janë garancë e prosperitetit, zhvillimit dhe sukseseve të Kosovës në integrimet euro-atlantike që është edhe orientim strategjik i shtetit dhe popullit të Kosovës.

Bota sot: “Vatra” të cilën e drejtoni, ka lobuar e mbështetur Kosovën vazhdimisht në të kaluarën. Por ju lutem na thoni, çfarë planesh keni tani dhe si po shkojnë gjërat në rrugën lobuese. Në çfarë pikash jeni mbështetur, a keni takime apo biseda me zyrtarë amerikanë rreth Kosovës dhe zhvillimeve të fundit?

Elmi Berisha: “Vatra” si organizata më e vjetër e shqiptarëve në SHBA, po vazhdon me misionin e etërve themeltarë, Nolit e Konicës në ndihmën, lobimin, afirmimin dhe avansimin e cështjes shqiptare në SHBA. Gjatë këtyre 4 viteve kemi zhvilluar një numër rekord aktivitetesh, organizimesh, marrëveshje me Tiranën, Prishtinën, Shkupin dhe të gjitha trevat etnike shqiptare. Kemi riorganizuar, freskuar dhe avansuar shumë aktivitetin e “Vatrës” si në aspektin lobues, politik, diplomatik, akdemik, kulturor dhe medial si dhe ngritjen në nivelin ma të lartë të komunikimit dhe kontakteve me përfaqësuesit e shtetit dhe institucioneve të Amerikës. Vetëm para pak ditësh u pritëm si lidership i “Vatrës” në Shtëpi të Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, ku biseduam shtruar me zyrtarët më të lartë kompetent për Ballkanin, ku pashmangshëm Kosova ishte tema kryesore. Kemi organizuar takime substanciale me Senator dhe Kongresmen nga të dy kampet politike dhe kemi pritur në selinë e “Vatrës” zëra të fuqishëm të shqiptarëve dhe Kosovës në Senatin dhe Kongresin amerikan. Do të vazhdojmë të lobojmë dhe avansojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me institucionet e shtetit amerikan dhe poashtu po koordinohemi edhe me ambasadat e SHBA-ve në Prishtinë, Tiranë dhe ato që mbulojnë të gjitha trevat shqiptare në mënyrë që këto angazhime shumëdimenzionale të jenë efektive, të dobishme dhe në kohën e duhur. Do të vazhdojmë të jemi avokuesit kryesor të kombit tonë në të gjitha adresat dhe qendrat vendimarrëse në SHBA.

Bota sot: Ka zgjedhje në Amerikë. Por kemi zgjedhje edhe në Kosovë në fillim të vitit 2025. Nëse veç keni prognozime të hapura, a mund të na jepnit ndonjë mendim se kush do ta drejtojë Amerikën në mandaturën e radhës dhe kush mund ta ketë primatin e qeverisjes në Kosovë?

Elmi Berisha: “Vatra” është organizatë kombëtare, apolitike. Ne kemi relacione me të dy kampet politike në SHBA për dekada me radhë. Cilido kandidat që fiton garën për Shtëpinë e Bardhë nga cilido kamp politik është adresë e njohur për neve dhe i kemi dyert e hapura. Një gjë mund të ju garantoj se pa marrë parasyshë se kush fiton në SHBA, politika amerikane do të jetë konsistente dhe gjithmonë në mbështetje të fuqishme për shqiptarët dhe Kosovën. Këtu nuk kemi fare dilema. Ne e respektojmë votën e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kushdo që fiton garën në zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm në Kosovë, ne do e respektojmë secilën qeveri të dalë nga vota e popullit dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e ardhshme në funksion të forcimit të miqësisë SHBA-Kosovë dhe do e ndihmojmë shtetin e Kosovës me tërë potencialin tonë.

Filed Under: Interviste

Ndahet nga jeta Astrit Lulushi, “Vatra” e “Dielli” telegram ngushëllimi

September 5, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i shprehin ngushëllimet më të dhimbshme familjes Lulushi, miqve e të afërmve të tij për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar të “Zërit të Amerikës” Astrit Lulushi. Në këtë ditë të dhimbshme për familjen e miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët, veçanërisht gazeta “Dielli” shpreh keqardhjen e thellë dhe ndan dhimbjen për ndarjen nga jeta të një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë e më cilësorë të viteve të fundit. Ai do të kujtohet jo vetëm për kontributin e lartë afro tri dekada në “Zërin e Amerikës” por mbi të gjitha për integritetin e lartë njerëzor, mirësinë dhe profesionalizmin e spikatur. Astrit Lulushi la pas një trashëgimi të shkëlqyer mediatike e publicistike.

Qoftë i paharruar. Pushoftë në paqen e përjetshme.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 765
  • 766
  • 767
  • 768
  • 769
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT