• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU MEVLAN SHANAJ…

November 19, 2024 by s p

Raimonda Belli Gjençaj/

“Piazza” e sotme, që në rininë tonë njihej me emrin “Postiqe”, për shkak të mikro –velenxave që “derdheshin” mbi ulëse, ka pasur dikur atmosferën e një vatre familjare. Nuk e ka humbur frymën as sot, ndërsa të pret me sharmin e një aristokrateje të lindur. Mbase falë ngjyrave të ngrohta të arredimit, mbase për shkak të vezullimit të pasqyrave, që shoqërojnë buzëqeshjen e vajzës mikpritëse, që shfaqet sa kalon pragun…Mbase dikush, po ta pyesja, mund të kishte informacion për emra të njohur mes bujtësve të saj, por nuk di të ketë pasur një mbrëmje tjetër si kjo e 7 Nëntorit 2024, kur artisti Mevlan Shanaj, bëri bashkë miq të tij, regjisorë, aktorë, njerëz të shtypit e të letërsisë. Nuk aktroi, nuk recitoi, nuk foli për filma, apo skenarë…Na tregoi se si e pushtoi një ëndërr që do të realizohej në formatin e një libri, që do të na mbante mbërthyer mbi dimensionet njerëzore të ikonave të kulturës dhe artit. Në katër kapituj, lexuesi gjen Artin e Kinemasë, Ikona të ekranit shqiptar, Meditime, reflektime dhe kujtime, dhe zhdërvjelltësinë përmbyllëse me Intervista. Të gjitha këto duan kohën e tyre për t’ua zbuluar bukurinë në librin me titull” “Të fshehta jashtë ekranit”. Tani le të zbulojmë atë që fshihet pas autorit…

Elokuenca është art. Mevlani e zotëron. Talentin e ka të lindur. Modestia është virtyt. Mevlani e ka me tepri. Nuk sforcohet për ta nxjerrë në pah. Do të thosha, se edhe po të dojë, nuk e fsheh dot. Aq natyrshëm e gjeneron kudo ku ndodhet. Për këtë, Mevlani është një mësim i vyer. E mbani mend djaloshin me sy të qeshur te “I teti në bronx”? Pa dyshim që po. Edhe sot ka të njëjtin vështrim. Përmbytur nga mirësia dhe dashuria për njeriun…

Ai kujton ditën kur e thirrën për filmin, që do të bëhej fat i madh i artistit, ende student. Plot ngashërim erdhën fjalët që rrëfyen emocionet duke kulmuar me emrat: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Pandi Raidhi, Piro Mani.

– Isha student, me një fjalë axhami…U gjenda mes një oqeani, por ata nuk ishin peshkaqenë…Ishin luanë. Ata më mësuan respektin, më mësuan artin, më mësuan punën…Ata, …ata…ata…

Nëse nuk e keni vënë re, Mevlan Shanaj pëlqen gjithmonë të përdorë vetën e tretë. Rrallë, kur nuk ka nga ia mban, i kthehet vetës së parë. Por edhe kur e bën këtë, i vijnë në ndihmë notat e humorit fin, që ia mbulojnë disi trazimin që i provokon e folura për veten. Edhe sonte ia doli me marifet, t’i ikte vetes e të fliste për të tjerët. Disa syresh ishin në sallë. Nuk përtuan “ia kthyen kusurin”. Folën për vlerat e artistit, por, sikur ta kishin bërë me fjalë, gjuha u shkonte te Njeriu Mevlan Shanaj. Ishte prekëse ta dëgjoje. Ama ishte mahnitëse ta lexoje në parathënien e shkruar mjeshtërisht nga Kujtim Çashku, se prej nga buronte kjo cilësi e rrallë që i rri aq natyrshëm Mevlanit. Se s’ka njeri në botë të ta mëkojë, nëse nuk është Nëna. “Bëje të mirën dhe hidhe në det”…”Mos ia bëj tjetrit atë që nuk e do për vete”… I ka sjellë vetë autori në kujtimet e tij, bashkë me mallin dhe dëshirën që ajo t’i rivijë”…Sidoqoftë ajo ishte sonte përmes dashurisë së të birit, ishte dhe u ngroh nga dashuria me të cilin miqtë e rrethuan birin e saj, që shkuan nga shkuan, tek ekrani i madh, tek ekrani i vogël, tek udhëtimet, peripecitë e xhirimit, episodet, suksesi, fama…për të mbetur në fund te NJERIU.

Urime Mevlan Shanaj! Për librin, domosdo, por mbi të gjitha që ke mbetur Njeri…

Filed Under: Kulture

PËRKTHIMI I NJË KRYEVEPRE APO PËRKTHIM KRYEVEPËR

November 19, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Kultura jonë letrare zë fill nga përkthimet. Për dimensionet e një letërsie si e jona, pa kaluar në gjykime euforike as narciste, roli i përkthyesve është më i madhi. Ky rol është i tillë, sepse u bë mekanizmi numër një dhe i vetmi që e vendosi individin e zgjuar shqiptar me aspirata të vërteta kulturore, përballë veprave më madhore që ka krijuar gjenia e letrarëve botërorë. Dhe kjo punë fillon qysh me Gjon Buzukun e këtej. Për fat ne kemi pasur përkthyes apo shqipërues të mrekullueshëm, të cilët kanë kombëtarizuar librat e shenjtë, eposet e botës, gjenitë e penës që nga Homeri e deri në ditët e sotme. Siç është marrë vesh me kohë përkthimi është një krijim i mirëfilltë letrar. Duke qenë i tillë, edhe ky domen i letërsisë ka hierarkinë e vet, ka korifejtë dhe kulminacionet e pavdekshme të artit të shqipërimit. Meqenëse shijet janë personale, secili lexues ka të drejtë të paraqesë pëlqimet e veta për përkthimin më mbresëlënës nga letërsia e huaj. Kuptohet se një përkthim kryevepër, jo gjithmonë përkon me përkthimin e një kryevepre të shkruar nga një shkrimtar i huaj. Në këtë kontekst dhe me të drejtën e ushtrimit të shijes sime, unë do të vendosja në krye të vendit përkthimin e Dhimitër Paskos të romanit “Frymë të vdekura” të Nikollai V. Gogol. Pse më duket mua i tillë? Çfarë ka ndodhur që është rindërtuar për së dyti një kryevepër nga origjinali. Në një kuturisje parabolike guxoj ta krahasoj në mënyrë pak të vrazhdë punën që ka bërë Mitrushi me këtë ngrehinë artistike. Kjo i ngjan punës së një arkitekti që ka dëshirë të ndërtojë në brigjet shqiptare një godinë të shkëlqyer, identike me atë që ka parë diku në ndonjë vend të botës. Dhe ia ka dalë. Ka qenë tejet e vështirë, pasi ky libër është një sfings, është një bukuri që vret (vret shumë përkthyes). Sfidës së shqipërimit i shtohet të qenit një poemë, siç e quan vetë Gogoli i madh dhe aspektit poetik i shtohet edhe një humorizëm ndërtuar mbi antifrazën dhe groteskun e një abstragimi të nivelit të epërm. Nga ana tjetër, natyralizmi që përshkon këtë vepër kërkon një arsenal të pazakontë leksikor dhe një virtuozitet stilistik që e kishte veç Mitrushi. Duket sikur kjo vepër kishte lindur për t’u përkthyer veç prej Kutelit. Kjo për arsye se përveç shqipërimit, Mitrushi ka lundruar ëndshëm në dallditë e stilit të vet të harlisur, duke e ngjyrosur veprën e autorit të huaj me AND-në e vet letrare, a thua se është ky vetë krijuesi i parë i saj. Të thotë mendja se gjithçka e kësaj vepre mban vulën e Mitrush Kutelit, aq sa në përhumbjet e një leximi të përqendruar, kur lexuesi shkëputet për një çast të meditojë mbi gjeninë e autorit, i duket se po mediton mbi autorin shqiptar, duke “harruar” emrin e gjigantit rus Nikollai V. Gogol. Këtyre duhet t’u shtojmë edhe një fakt tepër të rëndësishëm: Në një vështrim të ftohtë dhe objektiv Mitrush Kuteli është nga prozatorët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, qysh në themelimin e saj, aq sa është e vështirë t’i vihet përkrah dikush tjetër.

Filed Under: Sofra Poetike

Ballkani si viktimë e ideologjive ekspansioniste dhe praktikave të kolonializmit

November 19, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Shtetet e Ballkanit janë shtete kliente (në faza të ndryshme në raste të ndryshme edhe shtete kukulla), që në krye të herës nuk janë formuar si shtet-kombe, po janë të vizatuara për interesat egoiste e militariste të Fuqive të Mëdha. Rolin si shtete kukulla a kliente, nuk ua kanë suspenduar as kur ndonjë fuqi ka rënë dhe është zëvendësuar nga ndonjë tjetër. Patroni është zëvendësuar, por varësia ka mbetur. Fjala vjen, shtete si Mali i Zi, Bullgaria e Serbia, janë formuar për t’u shërbyer interesave ruse në Ballkan. (Bllokimi i hapësirës ajrore për ministirn rus Llavrov nga Bullgaria e nga Mali i Zi në qershor 2022, paraqet një moment kur këto shtete kalojnë në sferën atlantike, si shtete partnere të SHBA.) Greqia është formuar si projekt britanik e rus, për ta përdorë si pykë për çmontimin e Shtetit Osman në Mesdhe, me Qipron si trofe britanik. Shqipëria është formuar si projekt austriak, për të mos lënë shtetet satelite të Rusisë të dilnin më Detin Adriatik. Në kohën më të vonë, në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë bërë shtete si projekte ameriko-atlantike. Përderi sa Kroacia e Sllovenia janë projekte gjermano-atlantike, Bosnja e Hercegovina dejtoniane duket si projekt ruso-amerikan. (Ka edhe variacione, por këtu po ndiqet “atësia” në vijat më të trasha.) Mbetet fakti që asnjëri nga shtetet e sotme ballkanike nuk është formuar pa sponsorizim, pa mbikëqyrje. Ky nuk është mallkim nga arsenali i mitologjive antike pellazge, helene a ilire. Ky realitet është si pasojë e ideologjive ekspansioniste e praktikave të kolonializmit.

Filed Under: Komente

SHQIPËRIA JONË E VOGËL BËN EDHE NJËHERË JEHONË GLOBALE

November 19, 2024 by s p

Lumnohen në Shkodër Át Luigj Palaj e Dom Gjon Gazulli.

Nga Frank Shkreli

Lumnimi në Katedralën e Shkodrës i dy martirëve shqiptarë Dom Gjon Gazulli nga Shqipëria dhe At Luigj Palaj nga Kosova: një ditë historike për Kishën Katolike shqiptare, një ditë e madhe për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar – dy martirë të lumë radhiten dhe ngrihen në altarin e lumnisë — jo vetëm në nivel të Kishës Katolike Shqiptare — por të mbarë Kishës universale. Këta pra janë dy martirët — që i shtohen 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare të kohës së komunizmit gjakatar, të lumnuar me 2016: Dom Gjon Gazulli i varur nga regjimi i Ahmet Zogut dhe Luigj Palaj i vrarë nga ushtria serbo-malazeze.

Në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, u zhvillua me 16 nëntor, mesha dhe ceremonia për lumnimin e dy meshtarëve, njëri françeskan e tjetri dioqezan. Ceremonia e lumnimit u kryesua nga i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut kardinali Marcello Semeraro, i ardhur enkas për këtë qëllim. Ai përshëndeti të pranishmit duke folur për dy të lumnuarit: At Luigj Palaj, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, lindur në Janjevë të Kosovës, tokë që dikur Shën Gjon Pali II e pati kujtuar si “të pasur me histori të lavdishme…” (Audienca e 15 nëntorit 1989); tjetri, Gjon Gazulli, meshtarin dioqezan i kësaj Kishe të shenjtë të Shkodrës. Për të dy u plotësua fjala e Jezusit: “…për shkak timin, do t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë…”, ka thenë, ndër të tjera, përfaqsuesi i Vatikanit në ceremoninë e lumnimit në Shkodër të dy martirëve të rinj të Kishës Katolike Shqiptare.

“Dy të Lumët tanë bënin të mira, por shpifën për ta dhe, me mashtrime, u dënuan”, than ë predikimin e tij, përfaqsuesi i Papa Françeskut dhe vazhdoi: “Kështu ndodhi për Át Palajn – historia e të cilit bën pjesë në Luftën e parë Ballkanike – kur në famullinë e Pejës, ku shërbente, pushtuesit nga Mali i Zi, aleat i Serbisë, ushtronin një politikë shtypëse kundër popullsisë me etni shqiptare, duke kryer qëllimisht dhunë e vrasje…Edhe vrasja e të Lumit Gazulli u motivua me gënjeshtra e në zanafillën e vdekjes së tij qe një proces-farsë: u dënua me akuza të rreme dhe u var në periferinë e Shkodrës, në zonën e quajtur “Fusha e druve”, tha, ndër të tjera, përfaqsuesi Vatikanit gjatë ceremonisë së lumnimit të dy martirëve në Shkodër.

“Sa e rëndësishme është bërë, sidomos në epokën tonë, kjo tema e gënjeshtrës, e falsitetit, e mashtrimit! Sigurisht, mund të themi se këto sjellje të trishta njerëzore kanë ekzistuar gjithmonë; por, sot, në atë që quhet epoka pas-së-vërtetës (post-truth), çështja është ndërlikuar më tej” ka theksuar kardinali Marcelo Semeraro. “Mjafton të mendojmë sa dezinformim e sa gënjeshtra, që ia shkatërrojnë jetën të afërmëve dhe popujve, kalojnë në internet, aq sa të bëhet jashtëzakonisht problematike ndarja e së vërtetës nga gënjeshtra. Po sot, a na intereson ende “e vërteta”? ka pyetur përfaqsuesi i Papa Françeskut në predikimin e tij në katedralën e Shkodrës. Një ditë pas lumnimit të dy martirëve të fesë e të Atdheut,të shtunën në Shkodër — nga Vatikani përshëndeti këtë akt edhe Papa Françesku gjatë Lutjes Engjulli i Zotit në Vatikan, për Lumnimin e Martirëve Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq, ndërsa në turmën e madhe në Sheshin e Shën Pjetrit valvitej lartë dhe me kranri flamuri i Kombit shqiptar.

Në këtë ceremoni fetare morën pjesë gjithashtu ipeshkvijtë e Shqipërisë, (përfshir kardinalin shqiptar Ernest Troshani), ipeshkvijtë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia, si edhe autoritetet civile e fetare shqiptare, përveç mijëra besimtarëve brenda dhe jashtë katedralës, ose Kishës së madhe, siç njihet në Shkodër. Mediat njoftojnë se, pas ceremonisë së lumnimit, besimtarët shkuan drejtë Varrezave të Rrëmajit ku është përuruar monumenti në nder të Dom Gjon Gazullit, i varur në konop nga regjimi i Zogut në vitin 1927.

Ndërkaq, një ditë pas lumnimit të dy martirëve të fesë e të Atdheut të shtunën në Shkodër — nga Vatikaniditën e dielë përshëndeti këtë akt edhe Papa Françesku gjatë Lutjes Engjulli i Zotit në Vatikan, për Lumnimin e Martirëve Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq, ndërsa në turmën e madhe në Sheshin e Shën Pjetrit valvitej lartë dhe me kranri flamuri i Kombit shqiptar.

Po, kush janë këta dy “martirë, dëshmitarë të fesë, mbrojtës të të drejtave themelore të njeriut e të popullit, shembuj dashurie, shërbimi e guximi”?

Át Luigj Palaj është personifikimi më i qartë i persekutimit të katolikëve shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1913, ndërsa në Kosovë dhe më konkretisht në Gjakovë, vazhdonte fushata e egër e persekutimit dhe e asimilimit të katolikëve shqiptarë, Át Palaj i inkurajonte besimtarët e asaj treve të mos hiqnin dorë nga feja e të parëve dhe nga identititeti shqiptar. Për këtë arsye, për shkak të një urrejtjeje patologjike ndaj çdo gjëje katolike dhe shqiptare, pushtuesit malazezë e arrestuan dhe e torturuan në mënyrë çnjerëzore. Pas një periudhe të gjatë burgosjeje në Gjakovë, ku edhe pse nën tortura të tmerrshme nuk e pranoi ndërrimin dhe mohimin e fesë, ai u tërhoq zvarrë nëpër rrugë dhe u shporua me bajoneta në Pejë, duke ndërruar kështu jetë.

Martiri tjetër, Dom Gjon Gazulli, nga fisi i njohur i Gazullorëve, u ekzekutua nga mbreti Zog me varje, në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Ai ishte kundërshtar i tij, për shkak të politikave shpeshherë diskriminuese për zonat katolike, sidomos për Dukagjinin. Gjithashtu, kundërshtoi ashpër dhe hapur të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë” më 2 janar 1927. (Radio Vatikani shqip)

Me vrasjen e tyre barbare dhe me luminimin e tyre të shtunën në Shkodër, këta të lumë shqiptarë, Dom Gjon Gazulli dhe At Luigj Palaj kanë kapërcyer tanimë kufijtë kombëtarë të trojeve shqiptare ndërkohë që tashti përfaqësojnë jo vetëm Kishën Katolike universale, por edhe vlerat universale të mbarë njerëzimit, si “mbrojtës të të drejtave themelore të njeriut e të popullit, shembuj dashurie, shërbimi e guximi”. Me sakrificën e tyre sublime ata janë shembull për të gjithë ne se si duhet të mbrohet nderi, liria, feja dhe identiteti kombëtar përballë barbarëve dhe diktatorëve. Shembulli i tyre do të mbetet përgjithmonë një frymëzim për breznitë e ardhshme të shqiptarëve dhe jehonë globale nga një vend I vogël si Shqipëria se si duhet luftuar duke dhënë edhe jetën për ideale, për vlerat, liritë dhe të drejtat njerëzore universale e kombëtare.

Filed Under: Komente

Vrasja e elitës së kombit, ftesë që të mos harrojmë

November 19, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

80 vite më parë, më 17 nëntor 1944, Tirana do të gdhihej e përgjakur me trupat e intelektualëve të Tiranës të vrarë nga barbarët komunistë, vetëm se ata nuk ishin komunistë. 80 vite më vonë, sot kremtojnë 80-vjetorin e vrasjes së tyre përballë murit ideologjik të diktaturës të rikrijuar në emër të “demokracisë” dhe pa dhënë llogari për krimet që kishte bërë Partia Komuniste Shqiptare. Mbas 80 vitesh, këta intelektualë nuk kanë një varr, sot shumicës së tyre nuk u është dhënë dëmshpërblimi sepse nuk janë vrarë pas 25 tetorit, një arsyetim banal klasor, që vetëm klasa politike shqiptare e bënte me mbeturinat e komunizmit që kishin zënë kolltuqet e ligjvënëse shqiptarë. Sot shoqëria shqiptare ndodhet në një ndarje të pashmangshme, në antikomunistë dhe komunistë që kanë ndërruar emrin në socialistë.

Ku vemi, ku vete Shqipëria, kujt i intereson kjo ndarje, pse ne antikomunstët duhet të përballemi me urrejtjen klasore të pasardhësve të diktaturës, përse nuk e shembim këtë mur siç u shemb Muri i Berlinit 35 vite më parë. A po përballemi ne me të kaluarën tonë si shoqëri e si komb…? Vëllavrasjet e shumta që shkaktoi Lufta e Dytë Botërore, për marrjen e pushtetit nga komunistët, arratisjet e shumë shqiptarëve antikomunistë, prej atyre që dinin stuhinë që po vinte, ishin të ndërgjegjshëm se çështja shqiptare qe shitur tek ata që u shërbenin antishqiptarëve. Vrasjet e pafundme pa gjyq, arrestimet, dënimet, pushkatimet, rezistenca në male, djegiet e kullave, shpronësimet, zaptimet e dhunshme të shtëpive, rrëmbimi i pasurive të arit, internimet masive të familjeve, gra, pleq e fëmijë të krejt elitës shqiptare e shndërruan pesëdhjetëvjeçarin e pushtetit diktatorial një faqe të zezë, më makabren të një gjenocidi ende të panjohur për botën demokratike.

Të mos heshtësh përpara së keqes është mision… Ky mision kombëtar është emergjent për shoqërinë tonë, në këtë periudhë postkomuniste, ku diktatura ka mbetur legjitime e padënuar. 80- vjetori i vrasjes makabër të elitës së kombit siç ishin 39 intelektualët e Tiranës të vitit 1944, na kujton dhe obligon: Dënimin e krimeve komuniste juridikisht, siç e kërkon Europa, siç e kërkojnë konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut. Demokracia nuk është për të mbrojtur krimin, por për ta dënuar atë që të mos përsëritet. Në një shoqëri normale demokratike, ata që i kanë shërbyer diktaturës nuk kanë referencë morale për të qënë udhëheqës politikë në një sistem demokratikë. Por, çfarë ndodh mbas 34 vitesh pluralizëm në Shqipëri?! Partia Komuniste përgjegjëse direkt në krime, ndërroi emrin dhe nuk u penalizua ligjërisht për krime ndaj kombit të vet. Klasa politike shqiptare si produkt i diktaturës ktheu në ligje datat selektive të diktaturës siç janë 5 maji, 17 nëntorin dhe 29 nëntorin, vendosjen e regjimit diktatorial në Shqipëri. Partia që ndërroi emrin, sot është mazhoranca e vendit dhe po përgatitet për të kremtuar 80-vjetorin e të ashtuquajtur “çlirim” dhe rehabilitimin e diktatorit Enver Hoxha. Këto data nuk janë aspak në shërbim të së vërtetës dhe shoqërisë, por mbrojtje politike, që i bëhet sistemit diktatorial në Shqipëri. E vërteta dhe e dokumentuar dhe nga arkivat e huaja është ndryshe, luftën ndaj fashizmit e nazizmit e bënë shqiptarët pa dallim feje, krahine apo ideje.

Atë luftë e vaditi me gjakun e tij ushtaraku i mbretërisë shqiptare Mujo Ulqinaku e Abas Kupi me trimat e tij, trimi i Vlorës, ballisti Hysni Lepenica. Pra, ishin shqiptarët pa ideologjinë komuniste, që e rreshtuan vendin e tyre në koalicionin botëror kundra diktaturave së asaj kohe. Komunistët luftuan për marrjen e pushtetit me sloganet e diktatorit rus “Bijtë e Stalinit jemi ne” dhe e realizuan mision e tyre fatkeq me 29 nëntor 1944, ku instaluan diktaturën dhe diktatorin më të lig të Europës në pushtet. Kjo diktaturë vrau mbi 6000 shqiptarë dhe e rrënoi vendin për 45 vite. 17 e 29 nëntori 1944 janë ditët më të zeza për Shqipërinë e shqiptarët, se e shkëputen Shqipërinë nga Europa, dhe ne humbën shansin për të qenë vend demokratik. E vërteta dhe shoqëria duhet t’ua çjerrin maskën deformuesve, nostalgjikëve dhe enveristëve që na dalin si kërpudha mbas shiut. Diktatori Enver Hoxha është në historinë e popullit shqiptar Si Polt Poti i Kamboxhias dhe Stalini i fundit në shekullin e kaluar. Ai do të njihet në histori për vrasjet që i bëri kombit të tij. Nuk ka historian që mund ta shpëtojë. Është koha që të gjithë forcat antikomuniste, institucionet religjione, partitë, intelektualët me mendim liberal, media progresive të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekjeje të mbarsur me moral pervers, që po kërkon t’i serviret dhe t’i imponohet brezit të ri.

Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje duhet konsideruar tradhti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për liri e demokraci. Mesazhi përkujtues i 80-vjetorit të vrasjes së intelektualëve të Tiranës konkludon në dy çështje madhore për antikomunistët dhe të përndjekurit politikë të Shqipërisë për shqiptarët në përgjithësi: E para, të luftojmë kundër harresës. Harresa është vdekja e dytë e viktimës, komunistët kanë vrarë mbi 6000 burra e gra dhe ua kanë zhdukur kufomat. Por po të harrojmë sakrificat e tyre, dëshmorët do të vdesin përfundimisht dhe po të ngjasë kjo, ne të gjithë jemi përgjegjës.

Me rikujtimin e tyre ne shpëtojmë nga vdekja e përhershme heronjtë, dëshmorët dhe viktimat. Ne që i mbijetuam katastrofës kolektive të terrorit të kuq e kemi për detyrë. Ne duhet çdo ditë të ballafaqojmë përpara shoqërisë të vërtetën përpara hipokrizisë, mashtrimit dhe gënjeshtrën komuniste, kësaj helmatisje antikombëtare. E dyta, është fare e qartë se askush nuk shqetësohet për fatin e të përndjekurve politikë. Ajo që na mbetet është solidariteti në mes nesh. Solidariteti njerëzor ashtë forma më sublime e dashurisë për njëri-tjetrin e mirëkuptimit dhe ndihmesës së ndërsjellë.

T’i japim dorën njëri-tjetrit, të ndihmojmë njëritjetrin. Ka sot me mijëra ish-të persekutuar politikë që kanë mbetur rrugëve pa familje, pa fëmijë, pa shtëpi. Kjo masë fatmjerësh është turpi i pushtetit politik sot në Shqipëri. Na bie detyra kombëtare të shkatërrojmë murin politik klasor, që ka ndërtuar prej 34 vitesh klasa politike shqiptare kundrejt familjeve dhe fëmijëve tanë. Asnjë i përndjekur politikë nuk lejohet të jetë në administratë apo institucione të shtetit shqiptar. Ky është krimi i dytë klasor ndaj të përndjekurve politikë shqiptarë. Ne duhet të punojmë me solidaritet në mes njëri-tjetrit për të ardhmen e fëmijëve tanë. T’u themi ‘ndal’ revansheve ideologjike që na shfaqën me kostume demokratike. Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve, i përket demokracisë dhe jo të kaluarës diktatoriale.

Grupi parlamentar i opozitës duhet urgjent brenda këtij sesioni parlamentar të aprovojë ditën e kujtesës kombëtare dhe të dënojë me ligj krimet e komunizmit, siç ka vepruar Europa e pas-Luftës së Ftohtë, mbas shembjes së Murit të Berlinit. Dhe mos të harrojmë fjalët e një të burgosuri politik spanjoll: “Mos e mbyllni librin e krimeve komuniste derisa çdo rresht, çdo faqe të lexohet nga të gjithë”, mesazh që vlen për shoqërinë shqiptare! Lavdi dhe krenari për intelektualët e kombit shqiptar, që me veprën e tyre ndaj kombit na drejtojnë dhe na ftojnë të mbrojmë lirinë dhe shenjtërinë e saj.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 796
  • 797
  • 798
  • 799
  • 800
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT