• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHË SHQIPE, HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË SHKOLLAT SHQIPE TË ZVICRËS

August 6, 2024 by s p

Nexhat Maloku, mësimdhënës dhe i angazhuar në detyra të ndryshme në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër (LAPSH), përkthyes dhe ndërmjetësues ndërkulturor në fushën e arsimit në Zvicër, udhëheqës i kusit të gjuhës shqipe për të rritur për të huajtë në Shkollën e Lartë të Udhëtimeve në Zürich, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër, nëpërmjet mësimit të gjuhës, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesin Nexhat Maloku bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLË SHQIPE TË MËSIMIT PLOTËSUES NË ZVICËR

Shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër lindi si nevojë e domosdoshme për mësimin, ruajtjen, kultivimin dhe zgjerimin e njohurive të gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kombëtar të nxënësve shqiptarë në Zvicër. Fundi i viteve 80-të u përshkua me një dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera, i cili ushtrohej nga sistemi represiv i Serbisë gjegjësisht i Jugosllavisë. Me mijëra familje gjetën strehim nëpër shtete të ndryshme të Evropës Perëndimore. Edhe në Zvicër u vendos një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare. Për dallim prej gjeneratave të mëhershme të emigrantëve, të cilët zakonisht ishin punëtorë që kishin emigruar në mënyrë individuale, tani po emigronin familje të tëra. Në klasat e shkollave nëpër kantonet e Zvicrës gjithnjë e më shumë po shtohej numri i fëmijëve shqiptarë. Shtimi i numrit të nxënësve, lindi nevojën e organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, jashtë juridiksionit të Jugosllavisë së atëhershme. Hapja e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe u shoqërua me vështirësi të ndryshme. Aktivistët e shoqatave ekzistuese, bashkë me mësimdhënësit e përfaqësuesit e partive të sapoformuara duhej të shkonin nëpër lokalitetet ku banonin shqiptarët, të regjistronin nxënësit, t’i bindnin prindërit për rëndësinë e vijimit të mësimit plotësues nga fëmijët e tyre, ngase kishte paqartësi të ndryshme lidhur me këtë mësim. Duhej lidhur kontaktet me institucionet shkollore zvicerane për të paraqitur qëllimin e organizimit të këtij mësimi në mënyrë të pavarur dhe për të marrë klasat në shfrytëzim. Në anën tjetër, elementë të ndryshëm të lidhur me ambasadën jugosllave, bënin çmos që të pengonin organizimin e mësimit plotësues në Gjuhën shqipe. Por këmbëngulja e aktivistëve, e përfaqësuesve të partive e shoqatave të ndryshme bëri që gjithnjë e më shumë prindër t’i regjistronin fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Formimi i Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë në janar të 1991 dhe tre muaj më vonë i Këshillit të Prindërve Shqiptarë, në prill 1991, i dha një përkrahje të fuqishme organizimit më të mirë të shkollës shqipe në Zvicër, ngase të dy shoqatat çështje primare kishin organizimin sa më të suksesshëm të mësimit në gjuhën shqipe. Formimi i Qeverisë së Kosovës në egzil, e në kuadër të saj krijimi i Ministrisë së Arsimit i dha një mbështetje të vazhdueshme përpjekjeve për organizimin më të mirë të mësimit në gjuhën shqipe. Në kuadër të kësaj ministrie kontributin e tyre e dhanë ministri dr. Muhamet Bicaj dhe koordinatori i kësaj ministrie për shkollat shqipe në diasporë prof. Meriman Braha, i cili me angazhimin e tij të vazhdueshëm u bë një shtyllë e fortë në funksionimin e shkollës shqipe jo vetëm në Zvicër por edhe në vendet tjera. Gjatë vitit shkollor 1990/91, në disa kantone të Zvicrës u hapën klasat e para të shkollës shqipe të mësimit plotësues. Klasa e parë e shkollës shqipe të pavarur e mësimit plotësues konsiderohet ajo në Glarus, më 20 shtator 1990, në të cilën filloi të punonte mësuesja Drita Krasniqi, për të vazhduar gjatë muajve në vijim me hapjen e klasave në Illnau, Dielsdorf e Glattbrugg të kantonit të Cyrihut, në Biel të kantonit të Bernës, në Sion të kantonit të Valis-it e në kantone të tjera. Gjatë atij viti shkollor disa qindra nxënës i ndoqën mësimet e para në gjuhën shqipe.

INSTITUCIONET ARSIMORE ZVICERANE E MIRËPRITËN ORGANIZIMIN E MËSIMIT PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE

Institucionet arsimore zvicerane e mirëpritën organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, duke e mundësuar mbajtjen e mësimit në objektet shkollore edhe pse fillimisht ende nuk ishim njohur zyrtarisht si bartës të këtij mësimi. Duke parë angazhimin dhe seriozitetin e komunitetit shqiptar në Zvicër, bashkëpunimi me institucionet zvicerane vazhdoi të forcohej gjithnjë e më shumë. Gjatë viteve në vazhdim numri i nxënësve shqiptarë të cilët vijonin në mësimin e gjuhës shqipe po shtohej gjithnjë e më shumë. Në këtë periudhë u angazhuan mësuese e mësues të cilët jetonin në Zvicër. Ata edhe pse me një përkrahje simbolike financiare, e cila bëhej nga prindërit e fëmijëve që vijonin mësimin, vazhduan me shumë vullnet të organizonin e mbanin mësimin në objektet shkollore nëpër lokalitetet e ndryshme në Zvicër. Mungesa e teksteve të përshtatshme për mësimin me grupmosha të ndryshme dhe në kushtet e emigrimit, krijonte vështirësi plotësuese për një mësimdhënie të suksesshme. Pasi që Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Lidhja e Prindërve Shqiptarë kishin një qëllim të përbashkët, organizimin dhe mbajtjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, u zhvilluan takime dhe konsulta mes këtyre subjekteve dhe përfaqësuesve të qeverisë në egzil për të bashkërenduar aktivitetet për një organizim më të suksesshëm në periudhën e ardhshme. Fryt i këtyre takimeve ishte bashkimi i këtyre subjekteve në një organizëm, në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” Zvicër, në kuvendin konstituiv në Zofingen më 26 mars 1995. Pas dorëzimit të kërkesës së LAPSH-së për njohjen e saj tek organet zvicerane, EKA dhe EDK e pranuan zyrtarisht Lidhjen më 30 tetor 1995, si bartëse e mësimit plotësues. Njohja e LAPSH-së i dha një hov të ri hapjes së klasave në gjuhën shqipe, ku gjatë vitit shkollor 1996/97 mësimin e ndoqën 6295 nxënës. LAPSH edhe pse ishte në një gjendje të mjerueshme financiare, megjithatë kontribuoi në fondin e 3% të Qeverisë së Kosovës në egzil, pastaj në fondin “Vendlindja thërret”, u solidarizua me Universitetin e Tetovës ku mblodhi një shumë të konsiderueshme të hollash, ndihmoi aksionin për Drenicën etj. Gjatë kësaj kohe, LAPSH ishte angazhuar edhe në demonstratat e ndryshme që mbaheshin në Zvicër e shtete të tjera të Evropës, të cilat kishin për qëllim që tek opinioni zviceran dhe evropian të paraqesin terrorin e Serbisë në Kosovë. LAPSH, falë punës këmbëngulëse për sensibilizimin e opinionit zviceran dhe bashkëpunimit me mësimdhënësit zviceranë, ndikoi që disa kantone të përkrahin për një periudhë pjesërisht edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe, siç ishin kantoni i Bern-ës, i Schwiz-it, i Zug-ut, i Gjeneve-s, Turgau-t dhe i Cyrihut. Gjithashtu edhe Shoqata e Mësuesve Zviceranë ndihmoi me një shumë simbolike mësimdhënësit në Kosovë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë u kthyen një numër i madh i familjeve të cilat ishin strehuar përkohësisht në Zvicër e me ta edhe shumë nxënës/-e që kishin ndjekur mësimin në gjuhën shqipe. Gjatë dekadës së parë të viteve 2000 ndodhi një rënie e numrit të nxënësve që ndjeknin shkollën shqipe për disa arsye. Deri më tani janë bërë përpjekje të ndryshme që mësimi plotësues të institucionalizohet nga ana e shtetit të Kosovës e gjithashtu janë dërguar projekte tek institucionet zvicerane që Zvicra të marrë përsipër financimin e mësimit, por ende nuk është arritur ky qëllim. Në vitin e kaluar shkollor mësimin plotësues në Zvicër e kanë ndjekur rreth 2000 nxënës. Angazhimi im në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër ka filluar prej vitit 1993 e deri më sot. Në këtë periudhë mbi 30-vjeçare përpos mësimdhënies kam kryer detyra të ndryshme, duke filluar si kryetar i LAPSH për kantonin e Cyrihut e pastaj si koordinator si dhe kam udhëhequr LAPSh-në në nivel të Zvicrës në tri mandate.

KURRIKULA MËSIMORE, BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

Ne përdorim kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë e miratuar nga dy ministritë e arsimit, e Kosovës dhe e Shqipërisë, në vitin 2018, të cilën e përdorin mësuesit kudo në mërgatë. Në bazë të kësaj kurrikule janë hartuar edhe tekstet mësimore të cilat u shpërndahen falas nxënësve. Me gjithë përpjekjet që bëhen në shtete të ndryshme nga mësuesit/-et në mënyrë që sa më shumë nxënës të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, rezultatet janë tejet simbolike krahasuar me numrin e madh të fëmijëve të cilët jetojnë në diasporë. Vijimi aq i vogël i mësimit të gjuhës hsqipe nga ana e fëmijëve lidhet me faktorë të ndyshëm, duke filluar nga mungesa e institucionalizimit të këtij mësimi nga ana e shteteve tona, pastaj angazhimi i fëmijëve nëpër aktivitete të tjera jashtëshkollore e deri te vullneti jo i fortë i prindërve për t’i lajmëruar fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Shpesh dëgjojmë mendime nga ana e prindërve se nëse fëmijët ndjekin edhe mësimin në gjuhën shqipe, atëherë do të kenë vështirësi për ta mësuar gjuhën e vendit ku jetojnë, por hulumtimet e ndryshme shkencore kanë vërtetuar se fëmijët të cilët e mësojnë gjuhën e tyre amtare, kanë sukses më të mirë në shkollë se sa ata të cilët nuk e ndjekin këtë mësim. Ne vazhdimisht u bëjmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin shqip, ngase kështu ata ua krijojnë fëmijëve të tyre një mundësi të jashtëzakonshme që ata të mësojnë gjuhën shqipe t’i zgjerojnë njohuritë e tyre për historinë, gjeografinë e kulturën shqiptare si dhe të integrohen në mënyrë pozitive në shoqërinë e vendit pritës. Mësimi në gjuhën shqipe forcon identitetin e shëndoshë kombëtar të fëmijëve shqiptarë dhe forcon lidhjen me vendin e prejardhjes së tyre. Nga përvoja ime mbi 30-vjeçare në mësimdhënie mund të konstatoj lirisht se fëmijët të cilët e ndjekin rregullisht mësimin shqip deri në përfundimin e shkollës fillore arrijnë një nivel shumë të mirë të zotërimit të gjuhës shqipe, nivel ky i cili ua hap atyre mundësitë për të vazhduar në mënyrë të pavarur të merren me gjuhën, historinë e kulturën shqiptare në një nivel më të lartë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Nëpërmjet të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, unë përpiqem që nxënësit shqiptarë të kenë një formim të shëndoshë kombëtar, në mënyrë që ata të mos harrojnë gjuhën dhe prejardhjen e tyre. Jo vetëm në orët mësimore jepen përmbajtje që kanë për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, por kjo bëhet edhe nëpërmjet të aktiviteteve të ndryshme jashtëshkollore, si shënimit të datave të rëndësishme të historisë sonë. Fëmijët të cilët rriten në mërgim nganjëherë ndeshen me problemin e identitetit të tyre dhe e kanë të vështirë të shpërfaqin hapur prejardhjen e tyre, jo duke u lavdëruar, por thjeshtë duke qenë shqiptar, që jetojnë në një vend pritës, ku kanë lindur ose kanë emigruar. Në këtë prizëm është me shumë rëndësi që tek të rinjtë tanë të forcohet kompetenca ndërkulturore, pra aftësia për të ndërvepruar në një mjedis ku ndeshen kultura e identitete të ndryshme. Pikërisht në mësimin plotësues forcimi i kësaj kompetence është njëra ndër çështjet kryesore të cilën e vlerësojnë edhe institucionet arsimore zvicerane.

ZVICRA E KA NJOHUR ZYRTARISHT MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE EDHE NË KOHËN KUR KOSOVA ENDE NUK ISHTE SHTET

Siç u theksua edhe më lart, Zvicra e ka njohur zyrtarisht mësimin plotësues në gjuhën shqipe edhe në kohën kur Kosova ende nuk ishte shtet, sepse tek LAPSH-ja ka parë angazhimin konstruktiv të mësimdhënësve dhe seriozitetin në fushën e bashkëpunimit me palën zvicerane. Mësuesit zviceranë i informojnë prindërit për mundësinë që kanë për t’i regjistruar fëmijët e tyre në mësimin shqip dhe gjithashtu në takimet me prindërit shqiptarë theksojnë rëndësinë e mësimit në gjuhën amtare. Gjithashtu ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Arsimit të kantonit të Cyrihut dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut e cila ofron kurse të veçanta për mësimdhënësit të cilët janë të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhë të ndyshme. Shkolla e Lartë Pedagogjike ka përkrahur fort LAPSH-në dhe mësimin shqip në përgjithësi. Në vitin 2012 në bashkëpunim me Shkollën Lartë Pedagogjike të Cyrihut u botuan 19 tekste shkollore për nxënësit që nga kopshti parashkollor e deri në klasën e nëntë. Gjithashtu u përgatit një uebfaqe me materiale të ndryshme didaktike (www.mylanguageheritage,com/sq) si dhe u përkthyen shtatë tekste didaktike të shkruara nga profesionistë të kësaj fushe nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Nga pala zvicerane ende mungon përkrahja financiare edhe pse janë bërë përpjekje në këtë drejtim që Zvicra të marrë përsipër financimin e mësimit të gjuhës dhe kulturës së atdheut për të gjitha gjuhët e njohura nga pala zvicerane. Një bashkëpunim i ngushtë i LAPSH-së është zhvilluar gjatë këtyre tri dekadave me shoqatat e ndryshme shqiptare që veprojnë në Zvicër, ngase shoqata jonë është një institucion apartiak i cili kultivon kontakte të shëndosha që shkojnë në të mirë të të gjithë komunitetit shqiptar në Zvicër. Natyrisht edhe shoqatat shqiptare e poashtu edhe mediat shqipe në Zvicër e përkrahin shkollën shqipe, ngase janë të vetëdijshme për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës amtare tek fëmijët shqiptarë. Kur organizohen manifestime të ndryshme, shpesh ato zhvillohen në bashkëpunim me shoqata të ndryshme kulturore, duke përquar një mesazh të rëndësishëm tek komuniteti shqiptar për rëndësinë e dërgimit të fëmijëve të tyre në mësimin shqip. Përkrahje në këtë drejtim jepet edhe nga ambasadat e konsullatat e shteteve tona në Zvicër.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Mësimi plotësues në gjuhën shqipe është shumë specifik dhe kërkohen aftësi të veçanta të mësuesve për të arritur sukses ngase në klasat e mësimit shqip kam nxënës me aftësi të ndryshme gjuhësore, nxënës me mosha të ndryshme nga klasa e parë e deri në të nëntën, me sfond të ndryshëm social etj. Këtu kërkohet që mësimi të individualizohet sa më shumë që të jetë e mundur ngase ka nivele të ndryshme brenda një klase dhe nuk është e mundur që të gjithë nxënësit të kenë një temë me përmbajtje të njëjtë. Pra duhet përgatitur materiale didaktike të cilat janë të përshtatshme për nivelin gjuhësor të nxënësve. Një sfidë plotësuese në vitet e fundit krijojnë nxënësit nga familjet e përziera, ngase niveli i njohjes së gjuhës shqipe tek ta lë shumë për të dëshiruar. Në mësimin e gjuhës shqipe natyrisht se shfrytëzojmë programe të ndryshme teknologjike. Periudha e covidit përpos që solli vështirësi të mëdha na krijoi edhe shansin për ta përdorur më shumë teknologjinë në këtë fushë. Për fat të mirë një numër shkollash në kantonin e Cyrihut na e mundësojnë kyqjen në internet në klasat ku zhvillojmë mësimin.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Nxënësit që kanë përfunduar mësimin plotësues në gjuhën shqipe kanë pasur mundësinë që të njihen me historinë e kulturën shqiptare. Nëpërmjet të zgjedhjes së temave të ndryshme nga e kaluara jonë, ata kanë marrë njohuri të rëndësishme mbi përpjekjet e kombit shqiptar për të fituar lirinë. Tek nxënësit është forcuar ndjenja patriotike sa më shumë që ata janë njohur me të kaluarën tonë. Natyrisht këtu kam pasur kujdes që ata të edukohen me ndjenja të shëndosha patriotike.

SEMINARI I XVII MBARËKOMBËTAR I PRISHTINËS

Seminari i XVII mbarëkombëtar me temën “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë” kësaj radhe u mbajt në Prishtinë, në të cilin, përpos organizatorëve dhe përfaqësuesve të shteteve tona, morën pjesë një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve të cilët punojnë në shtetet e ndryshme të botës. Ky seminar tashmë tradicional i cili organizohet nga institucionet e dy shteteve tona, është një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvojat tona dhe për të përfituar nga njëri-tjetri. Unë kam marrë pjesë në shumicën e seminareve dhe zakonisht jam prezantuar me tema nga fusha e didaktikës. Kësaj radhe në seancën plenare të ditës së tretë të seminarit, në cilësinë e bashkëpunëtorit të IPE-së (International Projects in Education) të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, prezantova temën “Bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe mësuesit zviceranë faktor i rëndësishëm i njohjes së mësimit plotësues në gjuhën shqipe”. E paraqita këtë temë për të theksuar në njërën anë rëndësinë e bashkëpunimit me instirucionet e vendeve pritëse dhe në anën tjetër për të përfituar nga shembujt e ndryshëm të bashkëpunimit, për të parë mundësinë se cilat forma të bashkëpunimit janë të mundshme në shtetet e ndryshme ku punojnë mësimdhënësit. Në paraqitjen time shpalosa një mori shembujsh të bashkëpunimit për më se tri dakada dhe theksova disa ide se si mund të forcohet ky bashkëpunim në të ardhmen, gjithnjë duke pasur parasysh se kushtet ndryshojnë prej një shteti në shtetin tjetër.

KUSH ËSHTË MËSUESI NEXHAT MALOKU?

Nexhat Maloku vjen nga komuna e Gjilanit, ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Pastaj ka studiuar në Universitetin e Prishtinës në degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe, të cilën e ka kryer në afatin e paraparë. Pas përfundimit të fakultetit ka regjistuar magjistraturën të cilën e ka kryer me sukses duke mbrojtur temën “Krijues shqiptarë në Zvicër 1981-2010”. Në periudha të ndryshme kohore është burgosur tri herë për shkak të angazhimit në lëvizjen kombëtare. Në vitin 1991 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1993 e deri më tash punon mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në kantonin e Cyrihut. Gjatë kësaj periudhe, përpos mësimdhënies është angazhuar edhe në detyra të ndryshme në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër (LAPSH) fillimisht në cilësinë e kryetarit e pastaj të koordinatorit në kantonin e Cyrihut si dhe ka udhëhequr LAPSH-në në nivel të Zvicrës në tri mandate. Ka udhëhequr kursin e gjuhës shqipe për të rritur për të huajtë në Shkollën e Lartë të Udhëtimeve në Zürich, është angazhuar si përkthyes dhe ndërmjetësues ndërkulturor në fushën e arsimit në Zvicër. Në Shkollën e Lartë për Punë Sociale në Cyrih ka përfunduar me sukses një studim në fushën e mediacionit ku është certifikuar si mediator. Ka bashkëpunuar me Drejtorinë e Arsimit të kantonit të Cyrihut si koordinator i LAPSH-së për kantonin e Cyrihut. Në një mandat ka qenë përfaqësues i komunitetit shqiptar në Këshillin për të Huajtë në qytetin e Cyrihut. Ka udhëhequr seminare të ndryshme për mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, Gjermani, Angli, Suedi, Belgjikë, Itali e Greqi. Nga viti 2000 e deri më 2008 ka udhëqur projektin e financuar nga Zvicra “Në hap me kohën” në tri komuna të Kosovës, në Gjilan, Viti dhe Dardanë (Kamenicë) në të cilin kanë marrë pjesë mbi 1700 mësimdhënës dhe janë realizuar mbi 40 projekte të vogla në fushën e infrastrukturës nëpër shkolla. Ka qenë për një periudhë bashkëpunëtor i organizatës HEKS të Zvicrës. Nga viti 1997 e deri më tani është bashkëpunëtor në disa projekte i SHkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Është udhëheqës i qëndrimeve studimore të mësuesve zviceranë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë Veriore dhe i mësuesve nga Kosova në Zvicër. Është bashkautor i teksteve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Është paraqitur me prezantime në seminare të ndryshme dhe në shkollat zvicerane e institucionet e ndryshme arsimore. Ka përkthyer dokumente të ndryshme të fushës arsimore si dhe një numër librash për fëmijë e poashtu edhe gjashtë tekstet didaktike për mësimin në gjuhën e prejardhjes. Është autor i publikimeve mbi mësimin plotësues të botuara në Zvicër e Kosovë. Është bashkëkoordinator i botimit të librit jubilar “30 vjet shkollës shqie e mësimit plotësues në Zvicër”, etj. Është nderuar me mirënjohje të ndryshme, si mësues i dalluar në vitin 1995 nga qeveria në egzil e Republikës së Kosovës dhe më vonë nga Ministria e Arsimit e Kosovës, si dhe disa herë nga LAPSH-ja për angazhimin në kuadër të saj. Është vlerësuar nga kryetari i qytetit të Cyrihut për punën në kuadër të Këshillit për të Huajtë të qytetit të Cyrihut. Është nderuar me mirënjohje nga një numër shkollash në komunën e Gjilanit, Vitisë dhe Dardanës gjatë periudhës së realizimit të projektit “Në hap me kohën”. Është nderuar me mirënjohje nga shkolla “Hasan Prishtina” e Prishtinës për kontributin e dhënë si mësues për një periudhë dhe për bashkëpunimin mes mësuesve zviceranë dhe atyre kosovarë etj.

Filed Under: Featured

Besa Sharrah for Ohio Senate

August 6, 2024 by s p

I want to take a moment to express my heartfelt gratitude for all the incredible support you’ve shown me! Your encouragement has truly inspired me. 🙏 As I focus on my journey, I’ve realized that I’ve exceeded my personal capacity for friends on facebook and I invite you to follow my official page to stay updated on my campaign.

You can also follow us on instagram @besasharrah

If you’re interested in learning more or would like to contribute to our campaign, please visit our campaign website and paige Besa Sharrah For Ohio Senate

Together, we can make a difference! We stop when the job is done, not when we are tired

💪, let’s go Ohio!

#OhioSenate#sharrahforohio

Filed Under: Emigracion

Praktikë e tepërt dhe e rëndomtë

August 6, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Turistët dhe çmimet në Shqipëri janë bërë çështje dite, ngado që të rrotullosh pultin televiziv, ato lajme do të shohësh. Krahasuar me botën, kur nëpër aeroportet amerikane çdo minutë ulet e ngrihet një avion, SHBA-të njihen si një nga vendet që mirëpresin më së shumti vizitorë. Të paktën në New York, pas pandemisë ato janë plot, si rrjedhojë edhe hotelet. Për njewjorkezët ky është një fakt tepër i ndjeshëm i dukshëm. Rradhët nëpër lokalet ku serviret ushqim dhe ku janë ankoruar anijet turistike janë të gjata qysh herët në mëngjes, por nuk shikon askënd me mikrofon e kamera në duar duke i pyetur: “Si ju duket ushqimi, sa para shpenzuat sot, ku hani, ku pini, ku flini, ose sa para do të harxhoni për ditët në vijim” etj….Ose duke iu referuar edhe revistës shqiptare “Monitor” që shkruan: “Turistët që vijnë në Shqipëri, sa “koprracë”.

Personalisht këtë “fenomen të çuditshëm” po e has rëndom vetëm në Shqipëri e mendoj se është një praktikë e tepërt mediatike. Vendi ynë ka aq shumë halle e pikëpyetje të pazgjidhura, që gazetarëve nuk besoj t’i dalë koha për ti pasqyruar të gjitha, si dhuna në familje që është shqetësim serioz, korrupsioni, mos likujdimi financiar për ish të dënuarit politikë nga diktatura, shëndetësia, punësimi, strehimi etj. Aq më tepër që gjejnë kohë për të intervistuar të huajt, se sa harxhojnë ku e si i harxhojnë.

Askush nuk t’i fal të ardhurat mujore, jashtë ato njerëzia i fiton me djersë e mund të madh, e askush nuk ka të drejtë të gjykojë apo paragjykojë nëse ai/ajo janë koprracë apo jo. Edhe nëse janë është, nuk është biznesi i askujt të marrë nëpër gojë e të nëpërkëmbë të ardhurat e dikujt tjetër duke i përfolur e bullizuar në mënyrë të ulët turistët. Denigrimi duke përfolur xhepat e turistëve është bërë e modës në Shqipëri, e nuk ka të ndalur, por që në të vërtetë është një banalitet që tregon mungesë kulture dhe që nuk i shërben aspak të ardhmes së turizmit shqiptar.

Nëse jashtë pyet dikë se sa i ka të ardhurat mujore, tregon injorancë, i pyeturi jo që do ndihet i fyer, por sigurisht as përgjigjen që i kërkohet nuk ka për ta dhënë kurrë. Fakte bullizimi ndaj turistëve të huaj, qofshin shqiptarët që kthehen në atdhe për arsye të ndryshme kjo vihet re deri tek emisionet e TV-Top Channel, ku artistët e famshëm shqiptarë ose vipat shqiptarë tallen duke thënë e qeshur live: “Ja vijnë shqiptarët nga jashtë edhe për të rregulluar dhëmbët në Shqipëri, ha, ha, ha”.

Ka më turp se kaq….

Rritja e çmimeve të hoteleve dhe ushqimit tashmë është bërë problematikë, por çdo pronar biznesi duhet ta ketë të qartë se, milionerë nuk mund të bëhesh brenda ditës e natës bashkë, se ja ku jemi sot, turistët kanë ulur përqindijen e ardhjes së tyre në Shqipëri veçanerisht në jug të vendit. Vërtetë mund të ketë rritje të çmimeve jashtë nëpër strukturat e turizmit, por infrastruktura, standartet që ato ofrojnë dhe eksperienca e turizmit të tyre është e hershme e nuk mund të krahasohet me Shqipërinë. Një pyetje tjetër lind natyrshëm, pse nga vjet në sivjet çmimet e ushqimit dhe hoteleve u rritën në mënyrë drastike në jug të vendit?

Paksa në faj duhet të ndihen edhe shqiptarët e vetë bizneseve, sepse nuk kanë treguar kujdes në mirëpritjen e tyre. Mënyra e të komunikuarit, sjellja, higjena, ngritja e çmimeve të ushqimit dhe hotelerive pa kriter detyrimisht që i largon turistët. Kudo ku shkon në SHBA, në hyrje të lokaleve shikon tabela me çmimet e ushqimeve që i shërbejë konsumatorit, ose sa ulesh kamarieri të sjell menunë me çmimet përkatëse, ku s’le vend për abuzim ndaj klientit. Ndërsa kur hyn nëpër disa webside shqiptare për të rezervuar një dhomë hoteli për një apo më shumë ditë, ka hotele që nuk i paraqesin çmimet ditore apo javore. Kjo vlen për të dëshëruar dhe larguar këdo që ka dëshirë të kalojë disa ditë pushime në Shqipëri. Pra së pari fajin ta shikojmë tek vetja e jo tek turistët.

Vërtetë Shqipëria nuk e ka luksin për një turizëm elitar, por ajo çfarë vemë re tjetër është edhe diferencimi i të shërbyerit dhe sjelljes ndaj një të huaji dhe një shqipfolësi. Në bregdet nëpër restorante i zoti lokalit kur vëren që je shqiptar, ndryshe të shërben ty e shumë më ndryshe një të huaji. Në një nga restorantet e njohur në Golem, jo shumë larg tavolinës tonë u ulën disa italianë, kamarierët i shërbyen me një sjellje krejt të përulur do të thoja krahasuar me shqiptarët. Tavolinës tyre i shtruan mbulesë e peceta pëlhyre të bardhë edhe shishen e verës ia servirën me peceta pëlhure, ndërsa për tavolinat e tjera përdornin material konsumi, mbulesa e peceta letre.

Shumë mirë, kënaqësi të respektosh e nderosh të huajt, por jo në mënyrë kaq ashiqare duke lënduar bashkatdhetarët e tu kur pagesa merret njësoj nga të dy palët. Sigurisht Shqipëria akoma nuk është e gatshme për një turizëm klas-i, pasi i mungojnë shumë faktorë, por të paktën mikëpritjen që na e lakmon edhe bota duhet ta ruajmë si një traditë të çmuar e ta shpalosim tek çdo kush që shkel vendin e shqiponjave.

Edhe siguria e jetës nga rojet bregdetare, të cilët i ze gjumi në krye të detyrës, është një hap pas e shkak që i largon pushuesit, siç u paraqit një qytetar duke filmuar rojen bregdetare në Golem duke fjetur ditën me diell (e dielë) në shkallët e Kullës Vrojtuese.

Kur Shqipëria nuk ishte e gatshme akoma për një turizëm siç ofron Turqia, Greqia përse qeveria duhej të harxhonte fonde pa hesap për të reklamuar turizmin në Shqipëri, duke i favorizuar e dhënë X- Televizoni shuma të mëdha parash, vetëm për propagandë turistike, pasi pasojat në këtë rast kanë prekur edhe shtetin e buxhetin e tij.

Filed Under: Ekonomi

Shtëpia e re e shqiptarit në Philadelphia JU PRET!

August 6, 2024 by s p

Bijtë e Shqipes/

Të nderuar bashkatdhetarë! E pabesueshme në fillim nisma jonë; por tashmë realitet! Përpjekje, sfida të përballuara, përkushtim, mbështetje, mundim, vullnet, dhurim, punë, guxim, dhe kontribut nga të gjithë “ Bijtë e Shqipes” dhe Shtëpia e Shqiptarit u ngrit!

Me 13 Tetor 2024, ditën e Diel, Shoqata Mbarëshqiptare Social kulturore “BIJTE E SHQIPES” do të organizojë festën më të madhe të realizuar ndonjëherë kushtuar komunitetit shqiptaro-amerikan, Përurimin e Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia. Të gjithë jemi krenarë për këtë sukses. Ne e ndërtuam së bashku, ne duhet të festojmë dhe të gëzojmë së bashku me aktivitete te ndryshme për të rritur, familjarë dhe fëmijë dhe me një program të vecantë dhe emocionues. Personalitete të njohura do të na bashkohen për të festuar këtë moment historik. FALENDEROJME TE GJITHE BASHKEPUNETORET E KETIJ RRUGETIMI TE GJATE DHE TE SUKSESSHEM!

Ejani të festojmë arritjen tonë të përbashkët ! Le t’i hapim dyert e shtëpisë sonë, Shtëpisë së Shqiptarisë së fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve tanë!

Të ndezim zjarr atmosferën të gjithë bashkë! Ju mirepresim!

Ceremoni Përurimi

E Diel, 13 Tetor 11:00am-5:00pm

3322 Willits Rd

Philadelphia, PA 19136

Filed Under: Komunitet

E ngarkuara me Punë e SHBA mesazh në gjuhën shqipe, Nancy VanHorn: Mbështes Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian

August 6, 2024 by s p

“Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Nancy VanHorn dhe jam e nderuar të filloj punë si e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve këtu në Tiranë.

Nga viti 2007 iu bashkova shërbimeve të jashtëm të SHBA. Kam punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat e Ukrainës, Armeni dhe Rusi.

Jam e emocionuar që jam në Shqipëri dhe që do të punojmë për qëllimet e përbashkëta, për të promovuar vlerat demokratike. Për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-së, për të çuar përpara rritjen ekonomike. Jam e përkushtuar që të mbështes Shqipërinë në rrugën drejt BE dhe të forcojmë lidhjet mes dy vendeve tona.

Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të njoh dhe kulturën e pasur të Shqipërisë dhe për këtë më duhet ndihma juaj. Kam tri pyetje për ju; cilin vend duhet të vizitoj të parin, cilin ushqim duhet të provoj patjetër dhe cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni?

Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë në vendin tuaj të bukur. Pres me kënaqësi, të zbuloj, mësoj dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, shprehet ajo.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 818
  • 819
  • 820
  • 821
  • 822
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT