• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUTI I ATË GJERGJ FISHTËS PËR SHKOLLËN SHQIPE DHE MENDIMI I TIJ PEDAGOGJIK

November 2, 2024 by s p

Gëzim Puka – Gjovalin Çuni/

Qysh në hyrje të këtij shkrimi do të kërkohej mirëkuptimi juaj, për vetë natyrën e temës së përzgjedhur dhe bashkëkohësisë, që e ka vënë albanologjinë në mes sfidash të mëdha në këto kohë globalizmash, që paradoksalisht ngjajnë më kohët rilindjes së kombit tonë, kur ishte në përballje të vazhdueshme ardhmëria e gjuhës dhe kulturës sonë. Autorët e vjetër, rilindësit dhe vijuesit e rrugëtim të tyre, ndër të cilët spikat Gjergj Fishta, nuk mund të kuptohen pa rendjen drejt horizontit të idealit kombëtar i kuptuar, së pari, si një mision për një gjuhë dhe shkollë shqipe. “…En seh dasunit seh botesse saneh…”. Nga ana tjetër citojmë: “Nuk ka asnjë të kaluar, nga e cila duhet të përmallohemi, ka vetëm diçka të re dhe të përjetshme, e cila formohet nga elemente e përzgjedhur të së kaluarës..” është shprehje e Goethe-s, gjeniut gjerman, i vlerësuar nga Fishta, “për mendje fort të hollë e kthelltë – skjyrtuese, e me kulturë të haptë” .

Nëse e vërejmë me kujdes situatën, në pjesën më të madhe, shoqëria e sotme, së bashku me atë edhe shkencat filologjike kanë ngelur më tepër tek “përmallimi”. Edhe atëherë kur duam të përcaktojmë të renë dhe të zgjedhim elementet mbështetëse nga e kaluara, në shumicën e rasteve nuk gjejmë dakordësime, apo më keq, shpesh ka edhe manipulime. Kështu ndodh edhe me Fishtën, vijojmë të jemi të përmalluar dhe akoma nuk e kemi të përcaktuar “të renë e përjetshme”, që do të na shërbejë. Nisur nga ky këndvështrim, studimi i misionit të tij për shkollën shqipe, mendojmë se përbën së paku një ngjarje.

Historik i shkurtër i shkollave qytetëse parafishtjane

Roli i Fishtës, në arsimin shqip filloi më 1902, vit në të cilin “Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane”. Eshtë gabim nëse vlerësojmë që historia e edukimit françeskan fillon me Fishtën. Ai veproi mbi një terren arsimor të kultivuar në ambientin shkodran.

E vështirë të përcaktosh saktësisht kufirin kohor dhe vendin kur e ku u hap shkolla e parë në Shkodër. Duhet theksuar që në Shkodër si qendër vilajeti ekzistonin që nga shekulli XVII, një rrjet shkollash, kryesisht private, por edhe pranë institucioneve fetare. Hapja e këtyre shkollave, sado që mund të cilësoheshin fillestare, ndihmuan sadopak në zhvillimin kulturor, por edhe në nevojat praktike, sidomos të “shtresave të pasura të qytetit”që kërkonin edukimin e fëmijëve për t’ju përshtatur “zhvillimit të tregtisë dhe të komunikimit me botën”, thënë ndryshe, të dinin sadopak gjuhën amtare, gjuhë të huaja dhe veprime të thjeshta matematikore.

Historianët e arsimit theksojnë që shkollimi i fëmijëve myslimanë në nivele të ndryshme bëhej pranë xhamive të qytetit dhe të pazarit, “ku për shumë e shumë vjet kan mësue e i kan lanë naam vedit edhe kta msuesa, d.m.th. Daud Efendi Boriçi, Musa Efendi Boriçi, Jusuf Efendi Kraja, Mulla Medja”, ndërsa ai i katolikëve ishte bazuar kryesisht në shkollat private të administruara nga të huaj e shqiptarë, mësues dhe mësuese, që shpeshherë populli bazuar në cilësitë e karakterit i shoqëronte me nofka. Të tilla ishin: shkolla e Gegë Kodhelit i quajtur Bushiqi; Gaspër Benussit (italian); Jaku i Tushit të Mark Krajës apo Jak Specit; Gjon Shkrumit; Zef Kamsit; Shor Markja (shkurtim i titullit, “Signore” nga shkodranët) etj. Ndërsa për vajza që në vitin 1862 “…hapet një qendër mësimore shqipe (private) nga Kushe Mica e Terezina Bërdica, e më vonë shkolla e Tina Nikës”. Deri në vitin 1861 në Shkodër kishte 8 shkolla për djem dhe 4 për vajza.

Në analizën e Karl Gurakuqit në fletët e revistës “Dituria”, më 1929, këto shkolla bënin “.. nji shërbim të madh, pse, në mos paçin bâm tjetër gjâ, mjaft âsht që luftuen analfabetizmin tue mbajtë gjallë shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe. Këtë gjâ na e provojnë pleqt dhe plakat, që dijnë të shkruejnë dhe të këndojnë gjuhën amtare”.

Viti 1861, i cilësuar si vit i themelimit të shkollës françeskane, përmendet nga shumë autorë, mes të cilëve edhe prof. Vehbi Bala, në monografinë e parë për At Gjergj Fishtën në periudhën komuniste.

Karl Gurakuqi më 1929, Kolec Çefa, më 2003, Prof. Njazi Kazazi më 2014, bashkohen në mendimin që fillimet e shkollës fretnore duhet t’i gjejmë gjatë viteve 1854-1855, kur Ipeshkvi i Shkodrës Ivan Topič, i ftonte françeskanët të zinin vend në Shkodër dhe “.. të mujshin me marrë përsipër edhe mësimin e kalamajve”.

Ekzistenca e kësaj shkolle evidentohet edhe në raportin me shpjegime që Konsullata Austriake e Shkodrës i dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 4 korrik 1863, mbi shkollën e re, që populli e quante, “Shkolla Fretnore”.

Në të vërtetë argumentet rreth hapjes së shkollës françeskane më 1861, të sjella nga Pal Duka-Gjini (Daniel Gjeçaj) dhe Njazi Kazazi, sqarojnë jo vetëm arsyen pse shumë autorë mbajnë për fillim të arsimit françeskan, vitin 1861, por edhe karakterin e kësaj shkolle. Krahas datës, një tjetër problem që ka ngjallë diskutime është edhe përcaktimi i saktë i emërtesës: “shkollë fetare”, “shkollë klerikale”, “shkollë popullore” apo “publike”, që shpesh përdoren edhe gabim. Shkollat fetare janë institucione të përgatitjes së kuadrit fetar, ndërsa “shkollat popullore” (publike) janë shkolla private jofetare, të cilat janë të administruara si në të kaluarën, ashtu dhe në të sotmen nga entet e ndryshme fetare.

Shkolla Fretnore, “.. e cila ma vonë do të bâhej shkolla “për antonomazi” shqiptare” u mbështet dhe u përkrah nga hierarkët kishtar të kohës, mes të cilëve edhe ipeshkvi françekan Pal Çiurçia dhe imzot Karl Poten (Arqipeshkëv i Shkodrës, më 1867).

Që nga viti 1857 Austro-Hungaria jepte një ndihmë të përvitshme prej 1200 fiorintash, që më 1867 arriti në 1560 të tilla.

“Kështu qëndrou puna deri në vjetin 1902, d.m.th. deri sa u êmnue si drejtuer i shkollës At Gjergj Fishta. Mbasi deri atëherë drejtorët e shkollës qén gjithmonë franciskanë të komit te huaj”.

Shkollat françeskane nën drejtimin e Fishtës

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, shënojnë “shumimin” e fretërve shqiptarë në Provincë. Të përgatitur në shkollat më të mira të kohës, kryesisht në Bosnjë e në Austri, si dhe të kthyer në Atdhe, u pa e arsyeshme që shkolla t’u lihej atyre në drejtim “për me u bâ,- siç shtonte At D. Kurti,- voter kulturet për vendin tonë e pishtar të dashurisë për Atdhe”.

Detyrën e Drejtorit të shkollës Fishta do ta merret në dhjetor të vitit 1902, nga P. Justin Girardi, “ma i mbrami Drejtuer shkollet i huej, mbas 41 vjet, që ishte shkolla ..”

Vendosja e Fishtës në krye të Shkollës fretnore do të pritej me shumë entuziazëm nga françeskanët shqiptarë, të cilët nuk ngurruan ta cilësonin “një datë me rëndësi”. Duhet të pranohet se Fishta në fushën e arsimit ishte vijues i punës së fretërve të huaj.

Një element tjetër i rëndësishëm i së kaluarës, që vjen në ditët tona si kujtesë për zhvillimin e arsimit, është edhe publikimi i arritjeve, por edhe i prespektivave përmes botimeve të veçanta. Françekanët e huaj u larguan nga drejtimi i shkollës duke publikuar çdo gjë të arritur.

Mendimi pedagogjik i Fishtës, reformat e sjella nga ai në sistemin arsimor edhe pse të trajtura nga autorë të ndryshëm dhe në forma të ndryshme, si: kumtesa e referate, analiza të pjesshme apo monografi të plota, vijojnë të jenë të vlefshme, pasi siç shprehej studiuesi Aurel Plasari: “…Botimi (dhe ribotimi)“, i mendimit fishtjan bëhet sot kusht i domosdoshëm për rishtënien në dorë të vlerave të fshehura”.

Studiuesi Mark Vuji që ishte njohës i thellë i veprimtarisë së Fishtës në fushën e mendimit pedagogjik dhe të reformës arsimore, e periodizon veprimtarinë e tij në dy periudha.

E para “… fillon më 1902, kur emërohet drejtor i shkollave françeskane dhe shkon deri sa zgjidhet deputet në parlamentin e parë shqiptar. Gjatë kësaj kohe mbrojti gjuhën dhe shkollën shqipe[…] krijoi kompleksin e tij arsimor, që përfshinte filloren dhe kursin e ulët dhe të lartë të shkollës së mesme” .

E dyta në vlerësimin e autorit “…nis me fillimin e veprimtarisë si parlamentar dhe shkon deri në fund të jetës së tij duke përgatitë për këtë qëllim, në vitin 1921 një platforme të plotë, për të bërë reformën e parë arsimore”.

Bashkëkohësit e tij, por më vonë edhe studiues të ndryshëm ishin krenarë dhe vlerësonin veprimet e para të Fishtës, që sipas D. Kurtit (njohësit dhe shkruesit të historisë së Provincës Franceskane Shqiptare), “ … i dha Shkollës një drejtim të ri: Vuni porsi gjuhë mësimi nder të gjitha landët gjuhën shqype; shtini në veprim ndër të gjitha lëndët programin e Shkollave t’Austrisë, që ishte i plotë në çdo pikpamje e i provuem, e ia përshtati vendit dhe kohës, tue i dhanë nji shkas përparimit të nxansave e me plotësue trupin mësimuer me mësuesa t’aftë, ndër të cillët kjenë: Mati Logoreci, Gaspër Mikeli, Luigj Muzhani, Gaspër Beltoja, Ndoc Lezhja, Kolë Kodheli, Kolë Margjini, Luigj Kromiçi, Luigj Shala etj”.

Rruga nuk qe aspak e lehtë, ajo pati “ndeshtrashat” e saj, duke filluar që nga ndërthurja e gjeopolitikës së kohës, autoriteve shtetërore, por edhe të klerikëve dhe bashkëvëllezërve të tij, të cilët të formuar në shkollat austriake, përpiqeshin të kundërshtonin rrymën boshnjake të edukimit françeskan të përfaqësuar nga treshja Fishta – Gjeçovi – Bardhi.

I pari veprim “ të vuemit e gjuhës shqipe, si gjuhë mësimi”, ishte menduar me kohë nga Fishta, “..që më 1908, si mbështetje për punën në shkollë, botoi “Gjuha mësimit”, ku mbron idenë së në çdo vend të botës mësimi jepet në gjuhën amtare, sidomos në arsimin fillor e të mesëm . Po në këtë vit boton dhe “Nevoja e mësimit”:

Ne, po, n’daçim qi sod shqyptaria,

T’ marrë hovin ka ‘i drejtë qytetnimi,

Shkollat do t’ ndjekim, ku nepet mësimi”.

Vendosja e gjuhës shqipe në shkollë është shoqëruar me replika të ndryshme, sa i takon kohës dhe personave që punuan për këtë, kryesisht Fishta dhe Gjeçovi.

Në një artikull të botuar në vitin 1862 prej Gioachino Velletri ish-drejtor shkolle shkruhej: “ Në një vjetë të vetme kaq dobi kanë nxjerrë nxanësat prej shkollet, sa të gjithë janë çuditë”. Të gjitha këto (monologë, dialogë, vjersha) kjenë ba në gjuhën shqipe”[…]“Provimet kjenë ba publikisht mbi katekizëm, mbi gramatikë italishte, mbi mënyrë se si me i shkrue letrat e mbi matematikë. Sigurisht provimet mbi katekizëm, ishin shqyp, pse edhe tekstet ishin shqyp”

Edhe vetë Donat Kurti në citimet e mësipërme duke përcaktuar “…Budin, me Kuvendin e Arbnit, me Logorecin e me Babin, qi i kishin, si teksta mësimit”, por edhe të tjerë si Junku dhe Nikaj lë të kuptohet që shqipja ishte prezente në procesin mësimor para Fishtës. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Justin Rrota, që pohonte: “…f.v. (fjala vjen- shën. ynë) disa landë si: besim i historinë shejte, historinë kishtare etj., që s’më kujtohet tashti, i bajshim gjithnji edhe në klasë ma të nalta të filloreve në gjuhën amtare”. Më tej i njëjti autor shton që më 1902“ ..nder shkolla françeskane ndërroi puna… A. Gjergj Fishta… ky vuni gjyhën shqype, dëboi italishten”

Vendosja vetëm e shqipes si gjuhë mësimi, dëbimi i italishtes nga shkolla, krahas thelbit patriotik ishin shprehje e italofobisë për të cilën Fishta akuzohej shpesh. Së bashku me dobësimin e ndikimit italian në shkolla, ky veprim u shoqërua edhe me humbjen e mësimit të kësaj gjuhe nga nxënësit, gjë që shkaktoi shumë trazime jo vetëm në ambientin politik të kohës, ku Fishta thuajse dilte haptazi kundër italianëve, por edhe në ambientin qytetar të Shkodrës.

Siç e cilëson D. Gjeçaj, ky veprim ishte “një barrë delikate ndër rrethana kritike e të vështira” Fishta, ndonëse tek “Anzat e Parnasit” apo në poezinë “Bujari”, stigmatizonte aristokratët katolikë dhe myslimanë që për shumë arsye pune dhe studimi përbuznin shqipen dhe donin zotërimin e italishten, frëngjishten apo turqishten, nuk mundi të ndalë rrjedhën e largimit nga shkolla të shumë të fëmijëve të familjeve qytetare.

“Pat asish, – shkruen D. Gjeçaj,- që mbas klasëve të para i tërhoqën fëmijët për t’i shkrue në shkolla të hueja”

Është një rrëfim që mbivlerëson rolin e Fishtës për fillesat e mësimit shqip në shkollë, nën drejtimin e poetit. Të bën përshtypje një citim i këtij autori i vënë në gojë të Fishtës për situatën e krijuar.

Ndër të tjera ai shkruan: “Atë Gjergji rrëfen më vonë për shkollën e çilun… Qe barometri i dashtunisë së Shqyptarëve për gjuhën e vet! Kjo e jona asht e vetmja e e para shkollë, ku shqypja mësohet dhe rrin, jo si fëmija gijetun, por si zojë shpijet. E këtu a e shef ? – na kanë mësy vetëm, e gadi vetëm, djelmtë e Gjeloshavet! Zotnitë e Shkodrës s’kanë të lodhët për gjuhën e vet: duenë gjuhët e hueja…”.

Me tepër modesti pyesim: A mos vallë Fishta, nëse do ishte gjallë në kohët e sotme, ku fëmijët e qytetarëve dhe të Gjeloshave i janë sulur skajeve të botës duke e boshatisur këtë vend, do të kishte të njëjtat mendime?!

Puna e bërë nga Fishta në administrimin dhe zhvillimin e shkollave françeskane mund të shërbejë edhe në ditët e sotme si model i zhvillimit të arsimit shqiptar, duke ju kundërvënë drejtimit me hamendje e pa plan.

Besnik idealit të tij, pa e tradhtuar “ ..as për një të rrahur të qerpikut Kombin e Popullin e vet”, Fishta diti të vendosë ura lidhëse edhe me pushtuesit që kohët i sollën në këto troje, të cilët e nderuan edhe me mirënjohje të ndryshme, ndërsa vetë shqiptarët për vite e vite të tëra e akuzonin “ për tradhti e bashkëpunim servil me të huejin”. Pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve me ata ishin edhe problemet e arsimit.

Mbështetjen më të madhe e kërkoi tek Austro-Hungaria. Krahas përcaktimit të zhvillimit të mësimit bazuar në metodikën e didaktikën austriake, futjen e gjermanishtes si gjuhë të dytë në shkollat françeskane, Fishta i bënte kërkesa infrastrukturore Perandorisë Dualiste, mes të cilave materiale didaktike, sidomos ndihmë financiare për libra shkollorë.

Në letrën drejtuar konsullit Von Zambauer, të datës 22 dhjetor 1910, pasi ngre shqetësimin e mungesës së librave, kërkon “dy mjete”, shpërblimin përpjestimor për autorët e hartimit të librave në gjuhën shqipe dhe të përkthyesve nga gjuha gjermane, por dhe financimin e botimit të tyre.

Fishtës nuk i munguan asnjëherë mjetet financiare. Për t’i siguruar ata duhet të dish ku, dhe si të trokasësh, që dyert të të hapen. Mjaft rëndësi Fishta i kushtonte edhe publikimeve të karakterit pedagogjik në fletoret më në zë që kishte Shqipëria e atyre viteve, por edhe në fletore jashtë vendit.

Konsolidimi i shtetit shqiptar, pas viteve ’20 të shekullit të kaluar, shënon një etapë të re në tërë veprimtarinë arsimore të Fishtës. Shkollat françeskane njihen si pjesë e arsimit kombëtar. Ata ishin shkolla private që gëzonin mbështetjen e Qeverisë dhe si të tilla financoheshin nga buxheti i Ministrisë së Arsimit.

Në shtator të vitit 1921, Fishta së bashku me të tjerë franceskanë të mëdhenj, të vendosur kryesisht në Kuvendin e Troshanit, hapin “Gjimnazin Françeskan” që bazohej “..në programin e shkollave të mjesme klasike të shkollavet t’ Austrisë”, por në gjyhën shqipe .

Gjergj Fishta që drejtori i parë, “drejtor onorifik deri në vdekjen e tij më 30 dhjetor 1940” .

Përfundim

Duke bërë këtë vështrim diakronik për kontekstin dhe punën e këtij misionari të fjalës shqipe në shkollë, i cili krahas përzgjedhjes letrare dhe thurjes së bukur të saj në tekstin apo veprën e tij madhore, që na la trashëgim, ne s’bëjmë gjë tjetër, veçse rivlerësojmë përpjekjen e misionin e tij artistik, të cilin ai e përjetësoi në vargje. E kishin dëshmuar më herët rilindësit, që kombi ynë është së pari komb i gjuhës, e për më tepër i gjuhës së ruajtur në monumentet e këngëve folklorike.

Fishta shkruante:

“Kur në shkollë zbutun shqiptari

N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën

E me dije të ketë kapun aj punën

Shqypnisë fati do t’i çilet taman”

Fati i Shqipërisë i është “çilë kaherë” dhe fatbardhësia do ta ndjekë nëse do të punojmë në të njëjtën gjatësi vale anekënd shqiptarisë, për ta ruajtur shkollën dhe shkollimin në çdo nivel, aq më tepër në atë universitar. Vetëm kështu nderohen përmendoret letrare të Gjergj Fishtës dhe shkrimtarëve të tjerë të shquar të këtij vendi.

BIBLIOGRAFI

BALA,Vehbi: Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra, Shtëpia Botuese “Ombra GVG”, Tiranë, 1998, 165 f.

ÇEFA, Kolec: Luigj Gurakuqi. Në një optikë të re. Instituti i Historisë, Prishtinë, 2011, 191 f.

ÇEFA, Kolec: Nëpër gjurmë të Fishtës, Botime Françeskane, Shkodër, 2003, 152 f.

FISHTA, Gjergj: Estetikë dhe kritikë (Antologji e përgatitur nga Persida Asllani), Shtëpia Botuese “Hylli i Dritës dhe Shtëpia e librit”, Tiranë, 1999, 223 f.

GJEÇAJ, Daniel: Gjergj Fishta jeta dhe vepra, Botimet Françeskane, Shkodër, 2007, 330 f.

GURAKUQI, Karl: “Franciskanët në Shqipëri”, Revista “Dituria”, nr.3, 1928

HÖFLECHNER,Ë: Hyrje në studimin e historisë, Shtypshkronja “Shkodra”, Shkodër, 2000, 192 f.

HOXHA, Fiqiret: Vatër e dijes shkodrane (Shkolla “Ismail Qemali” 1913-2013), Shtëpia Botuese “Albas”, 2014, 688 f.

KAZAZI, Njazi: Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër ( nga fillimet e tij deri në vitet ’20 të shek. XX), Shkodër, 2014, 188 f. 15.

KURTI, Donat: Provinça Françeskane Shqiptare. Botime Françeskane, Bot.2-të, Shkodër, 2019, 320 f.

Meshari i Gjon Buzukut-botim kriktik punuar nga Eqrem Çabej, (pjesa e parë hyrje dhe transliterim), Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë, 1968, 299 f.

Revista “Përparimi”, nr.10, Shkodër, 1915, f. 184.

SHLLAKU, Ludovik: Shkollat klerikale. Shtëpia Botuese “Camaj-Pipaj”, Shkodër, 2002. 176 f.

VUJI, Mark: Filozofia arsimore e akademikut Gjergj Fishta, Shtëpia Botuese “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2007. 390 f.

Filed Under: Opinion

Kjo është Monaliza e piktorit Freitag. Edhe pse është portreti i Gabrieles!

November 2, 2024 by s p

Frrok Kovaçi/

Monaliza është mahnitëse se fsheh mistere brënda vehtes. Gabriela fsheh dritën brënda portretit. Dhe është e dukshme se jan pikturu dy Gabriela në një portret (Impresionizmi të lejon shum hapsira për mahnitje). Nuk e di çfar ka patur në mendje piktori. Gabrielen engjullore në njëren anë e ate toksore në gysmen tjeter. Apo Gabrielen poete në njëren anë e Gabrielen femër në tjetrën anë. Gabrielen burrnesh e Gabrielen zanë. Apo një sibil malsore.

Dominanca e ngjyrës së gjelbërt është pikërisht limfa e pranverës që e lidh portretin me natyrën (jo natyra e shkretë si tek Monaliza). Përdorimi i ngjyrës së kuqe, pak në kafe i jep pamjes goxha agresivitet, jetë, guxim, mbase ka mendu, se poetet e ngjyjnë penën në gjakun e vet. Ata vdesin dhe rilindin brenda poezis. Pjesa e majtë ka më shum sfumatura të gjelbërta, me shum ëndrrime, pjesa e djathtë, sfumon drita e mendimit vertikal, ajo pjesë e ballit është në ngjitje, lart. Nga kjo prerje e portretit mjekrra e harkuar butsisht është krejt femrore. Kontrast me pjesën tjetër pak më vendosmeri maskile. Dhe, tërsija e portretit, është e dominuar nga mbivendosje,- dritë mbi dritë. Ndriqimi djellor i jashtëm, me diellin gati shpërthys së brendeshmi.

Urimet më të mira piktorit. Dhe je me fat që të ka ndodh të njohish një piktor të tillë. Kalofsh sa më bukur!

Filed Under: Kulture

Në takimet me profesor Anton Çetta…

November 2, 2024 by s p

Skender Karaqica/

Në takimet me profesor Anton Çetta: Si po e lë Kosovën dhe çfarë t`u them kur të shkojë të Isa Boletini, Azem e Shotë Galica, Gjergj Fishta,Hasan Prishtina dhe Ylfete Humolli…?

Në takimet e shpeshta me profesor Anton Çetta në Prishtinë, në kujtimet e motshme, me vijnë pajada fjala e tij e shqipes së ëmbel për kohën shqiptare, për brezat, për universitetin dhe fati i Kosovës…! Profesori nuk harroi të flasë për trevën e Drenicës dhe për kajzit e tregimeve të gjeniut popullor, që u bën të motshme në dritën e studimeve të letërsisë popullore.

Shëndeti kishte filluar të përthekoj shtatin e tij burrëror e intelektual me hijeshinë e një burri të shqiptarisë, ku zemra i rrihte për kombin dhe atdheun e për dhimbjet e trupit as që bënte fjalë profesori Anton Çetta! Në Prishtinë,koha e motshme `90 dhe dimri i madh i vetmisë nën rrethimin e regjimit fashist të Serbisë, në shtëpinë e tij për mua ishte takimi i fundit me profesorin që përmes dhimbjes së mushkërive e të frymarrjes,me fliste ngadale e më porosi të motit shqiptar.

– Unë së shpejti do të shkojë të Isa Boletini, Azem e Shotë Galica,Gjergj Fishta, Hasan Prishtina dhe të Ylfete Humolli e çfarë t`u them se si po e lë Kosovën, – ishin fjalët e fundit në Prishtinë të profesor Anton Çetta.

Filed Under: ESSE

Votuesit po e shohin njëri-tjetrin sipas ndarjes partiake me armiqësi në rritje

November 1, 2024 by s p

Përktheu Rafael Floqi

UASHINGTON (AP) – Presidenti Joe Biden u përpoq të shpjegonte këtë javë se ai nuk mendon vërtet se mbështetësit e Donald Trump janë “plehra”, por kjo nuk do të thotë se njerëzit e tjerë nuk besojnë se etiketa përshtatet herë pas here.

“Unë do të thoja se disa prej tyre janë plehra,” tha Samantha Leister, 32 vjeç, e cila shkoi për të parë Kamala Harris në një miting në Harrisburg, Pensilvani.

Po për pjesën tjetër të tyre? Pasi, prindërit dhe vjehrri i të cilit po mbështesin Trumpin, Leister thotë se ata janë “të gabuar”.

Po atë ditë, në tubimin e Trump në Green Bay, Wisconsin, ideja për të votuar për Harris ishte e pamundur të kuptohej.

“Unë mendoj se ata janë të paarsimuar dhe i besojnë të gjitha gënjeshtrat,” tha Shawn Vanderheyden, 44 vjeç, i cili shkoi të takonte Trumpin me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla. “Është për të ardhur keq.”

Vanderheyden ende ka besim te disa njerëz që po mbështesin nënpresidenten demokrate, duke thënë “shpresojmë që ata të hapin sytë”.

E vërteta e qëndrueshme e politikës amerikane – ajo që padyshim do të zgjasë polemikën mbi komentet e Biden dhe fushatën presidenciale të këtij viti – është se shumë votues të Trump dhe Harris e shohin njëri-tjetrin me përbuzje dhe dyshim. Në rastin më të mirë, ata ndihen të hutuar nga njerëzit që mbështesin palën tjetër dhe të shqetësuar për të ardhmen e vendit pas zgjedhjeve.

Dasia mes amerikanëve nuk është e re, por intervistat me votuesit në shtetet e fushëbetejës zbulojnë se ajo vetëm sa po bëhet më e thellë dhe më e pakapërcyeshme. Ka ndarë familjet dhe miqtë, dhe i ka shtyrë njerëzit më tej në fiset e tyre politike.

Disa thanë se besojnë se vendi po shkon drejt një copëtimi edhe më dramatik.

Braxton Wadford, 20 vjeç, parashikoi se do të kishte një “eksod masiv” të amerikanëve pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush fiton. Ai tha se njerëzit në të dyja palët nuk mund të imagjinojnë të jetojnë nën udhëheqjen e partisë kundërshtare.

“Ëndrra amerikane po kthehet në largim nga Amerika”, tha Wadford, i cili votoi herët për Trump në Karolinën e Veriut.

Jennifer Phelan, 60 vjeç, ka qenë vullnetare për fushatën e Harris në të njëjtin shtet, duke i shtyrë votuesit e pavendosur të votojnë për nënpresidenten. Ajo është e shqetësuar për zgjedhjet dhe nuk mund ta kuptojë pse janë kaq afër.

“Duket shumë si një karikaturë e së mirës dhe së keqes,” tha ajo në mitingun e Harris në Raleigh.

Armiqësia politike është ndërtuar për një kohë, e ndihmuar nga trazirat historike. Kishte shpërthimin e një pandemie globale, një kryengritje të dhunshme në Kapitolin e SHBA dhe protesta mbarëkombëtare për padrejtësinë racore – dhe kjo ishte vetëm në harkun e një viti të vetëm.

Qendra Kërkimore Pew zbuloi se demokratët dhe republikanët po bëhen më të prirur për t’i parë anëtarët e partisë tjetër si jointeligjent, dembel, imoral ose të pandershëm. Dhe pothuajse të gjithë kanë një pikëpamje shumë ose disi të pafavorshme për palën kundërshtare, sipas një sondazhi të AP-NORC nga shtatori.

Travis Waters, 54 vjeç, tha se mbështetësit e Trump-it janë “të shkëputur nga realiteti”. Ai nuk ka asnjë të afërt me të që është një mbështetës i Trump – dhe ai nuk po kërkon të shtojë ndonjë.

“Unë do të mendoj se njerëzit me të cilët zgjedh të shoqërohem nuk janë njerëz që mbështesin pushtimin e Kapitolit, që thonë se Haitianët po hanë kafshë shtëpiake dhe thonë gënjeshtra,” tha Waters ndërsa priste në radhë për eventin e Harris në Harrisburg.

Trump ka qenë një figurë dominuese në politikën amerikane për gati një dekadë, duke kontribuar në polarizimin duke demonizuar kundërshtarët e tij politikë dhe duke nxitur një ndjenjë persekutimi midis ndjekësve të tij.

“Shiko si ju kanë trajtuar,” tha ai në një nga mitingjet e tij këtë javë. “Ata ju kanë trajtuar si plehra.”

Ishte një referencë ndaj komenteve të Biden pas ngjarjes së fundit të Trump në Madison Square Garden, ku një komedian e quajti Porto Rikon një “ishull lundrues mbeturinash”.

Gjatë një thirrjeje për fushatën e organizuar nga grupi i avokimit hispanik Voto Latino, Biden tha se “të vetmet mbeturina që shoh që qarkullojnë atje janë mbështetësit e tij. Demonizimi i tij i latinëve është i pandërgjegjshëm dhe është joamerikan.

Biden më vonë theksoi se ai po fliste për retorikën, jo për mbështetësit e Trump. Dhe Harris tha se ajo nuk pajtohet “me çdo kritikë ndaj njerëzve bazuar në atë për kë votojnë”.

Norma Jeffcoat, 72 vjeç, tha se ishte prekur nga kritikat për mbështetjen e saj për Trump.

“Kanë dashur që mendojnë se po votoj për një racist,” tha ajo në një tubim në Karolinën e Veriut. “Më thyen zemrën. Unë e dua shumë vendin tim.”

Jeffcoat është besnike e devotshme ndaj ish-presidentit, i cili tha se ka vuajtur padrejtësisht nga ndjekjet penale, sulmet politike dhe tentativat për vrasje.

Një flamur Trump i varur jashtë shtëpisë së saj është copëtuar nga era, por ajo hodhi poshtë përpjekjet e burrit të saj për ta zëvendësuar atë.

“Unë thashë ‘jo’,” tha Jeffcoat. “Po qëndron atje deri pas zgjedhjeve sepse simbolizon gjithçka që ai ka kaluar”.

Nick Sandquist, 47 vjeç, tha se Trump ishte një hipokrit për të kritikuar Biden për komentin e tij “mbeturina”.

“Është ironike që Donald Trump të përdorë thirrjen e emrit për avantazhin e tij”, tha ai në një tubim të Harris në Wisconsin. “Ne nuk jemi tipi ju duhet të shqetësoheni për sulmin në Kapitol.”

Ai tha se herë pas here flet për zgjedhjet me vëllain dhe babanë e tij, të cilët mbështesin Trumpin, por “nuk shkon shumë mirë”.

Ishte një refren i zakonshëm edhe nga të tjerët, të cilët e përshkruajnë diskutimin e politikës si më shumë telashe sesa ia vlen.

“Për çdo gjë që themi, ata kanë një përgjigje qesharake,” tha Debi Franz, 66 vjeç. “Është e tmerrshme të thuash sepse nuk kemi më shumë biseda. Është e pafrytshme.”

Burri i saj, Phil, 68 vjeç, u pajtua.

“Unë thjesht e shmang atë,” tha ai ndërsa prisnin që Harris të dilte në skenë në Madison.

Por të paktën një person vendosi t’i jepte një goditje këtë javë.

Annette Uhlenberg, 52 vjeçe, mori pjesë në mitingun e Harris në Raleigh dhe tha se ishte frymëzuar nga fjalimi i saj për ngritjen mbi mosmarrëveshjet politike.

Kështu ajo bëri një foto me shenjën e saj të fushatës, shkroi një mesazh për vendosjen e “e vendit mbi partinë” dhe ua dërgoi atë tre miqve të saj që ajo beson se do të votojnë për Trump.

Asnjëri prej tyre nuk ia ktheu menjëherë.

Por ndoshta, shpreson Uhlenberg, “të paktën të hap derën për bisedë.

Filed Under: Analiza

Dear Business Owner, thank you for bringing your light to Dielli

November 1, 2024 by s p

Dielli (The Sun) Newspaper is the oldest Albanian and English language periodical still in circulation that serves a growing community in the New York area. For more than a century, Dielli Newspaper has kept the community informed about current events, exciting historic discoveries, personalities, new businesses, local and international issues important to you. As our readers discover more about the community, we are expanding our readership in the Tri-state area and beyond. The newspaper is available in the print form once a month and has fresh daily content online at www.gazetadielli.com

Your ad dollars enable the non-profit Dielli to publicize its informative platform and further its positive mission. Most importantly, Dielli has launched a publicity campaign that we would like you to be a part of by placing your ad in the special November issue that has the biggest circulation. You will find our lowest rates are meant to be inclusive and agreeable.

Dielli Ad Rates (color)
¼ Page $250 Half Page $400 Full page $600

Dielli Ad Rates (black and white)
¼ Page $200 Half Page $300 Full page $400

One easy form of payment is by check to The Pan -Albanian Federation of America Vatra. Thank you for bringing your light to Dielli.

Dielli Newspaper
Contact: gazetadielli@gmail.com

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 828
  • 829
  • 830
  • 831
  • 832
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT