• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBËSHTETJA PËR FEDERATËN VATRA E GAZETËN DIELLI SI AMANET I PËRJETSHËM PATRIOTIK

July 26, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Vatra e gazeta Dielli janë pasuria më e çmuar atdhetare, shpirtërore, patriotike e kulturore e shqiptarëve të Amerikës. Këto dy institucione të shenjta kombëtare përgjatë historisë i kanë dhënë shtetit, kombit dhe individëve krenari, identitet, dinjitet, nder dhe privilegj. Përgjatë një shekulli e një dekade, askush si Federata Vatra nuk e ka ndërkombëtarizuar çështjen kombëtare në diplomacinë e perëndimore e institucionet e shtetit amerikan. Askush si Dielli nuk zhvilloi, promovoi, debatoi, kultivoi dhe luftoi për çështjen kombëtare, historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë e identitetin kombëtar. Çdo shqiptar patriot i ka borxh të përjetshëm Vatrës e Diellit, sidomos mërgimtarët e Amerikës. Këto dy institucione të vyera kombëtare, dy superfuqi patriotike përgjatë historisë së mundimshme të shtetit e kombit tonë, kanë pasur rol deçiziv duke shkruar e promovuar historinë e lavdishme të shqiptarëve të Amerikës e jo vetëm. Vatrës e Diellit të gjithë i kemi borxh, dhe mbështetja është detyrë, detyrim e amanet i përjetshëm ndër brezat pasardhës. Të gjithë shqiptarët duhet të sakrifikojnë pak për ti shërbyer, mbështetur, promovuar aktivitetet e Federatës Vatra, pasi janë shpirti i komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Kontributi fenomenal dhe veprimtaria gjeniale në shërbim të Atdheut e Vatrës dhe Diellit kanë lartësuar kombin e flamurin tonë.

Kombëtarisht Vatra luftoi për të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike, për pavarësinë e Shqipërisë, për konsolidimin e zhvillimin e shtetit shqiptar, luftën kundër komunizmit, ardhjen e demokracisë, lidhjen e fortë me Amerikën, luftën e UÇK, pavarësinë e Kosovës, proceset euroatlantike e forcimin e marrëdhënieve të kombit tonë me aleatin e përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka do harrohej nëse çdo sukses historik dhe arritje kombëtare nuk do të promovohej e shënohej në Diellin e shqiptarëve të Amerikës, Diellin e kombit, Diellin e shenjtë të Vatrës. Federata Vatra e gazeta Dielli u “shkrinë” për komb, atdhe e komunitet.

Sukseset historike të Federatës Vatra si: përpjekjet e fuqishme për pavarësinë e Shqipërisë, mbledhja e fondeve nga diaspora e Amerikës për shpëtimin e Shqipërisë (fushata: Mbahu nëno mos ki frikë se je djemtë në Amerikë), pjesëmarrja për mbrojtjen e kufijve jugor të Shqipërisë, vendosja e një përfaqësuesi nga shqiptarët e Amerikës në Washington para se të vendoseshin zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Amerikë, lobimi për Shqipërinë në Konferencën e Paqes, dërgimi i deputetit shqiptar nga Amerika në Parlamentin e Shqipërisë, oponenca ndaj regjimit komunist nëpërmjet veprimtarisë së fuqishme publicistike në gazetën Dielli, mbledhja e fondeve me fushata të herëpashershme për komb e komunitet si dhe organizimi i diasporës shqiptare në USA për çlirimin e Kosovës, protestat për çështjen kombëtare në Uashington, New York, Boston etj, pritje-përcjelljet e delegacioneve kombëtare politike, diplomatike e kulturore prej shteteve amë, promovimet e librave të krijuesve, artistëve e shkencëtarëve shqiptarë, botimi i Abetareve për zhvillimin e gjuhës shqipe në Amerikë, bashkimi i komunitetit shqiptar në Amerikë në darkën e flamurit kombëtar, reagimet e fuqishme e deklaratat publike ndaj padrejtësive të shqiptarëve në trojet etnike etj tregojnë për një veprimtari të jashtëzakonshme të Federatës Vatra në shërbim të kombit e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës e jo vetëm. Vatra është lideri i padiskutueshëm patriotik i Shqiptarëve të Amerikës.

Federata Vatra mbetet organizata më e vjetër e diasporës shqiptare jashtë kufijve politik të Shqipërisë e gazeta Dielli media më e fuqishme në diasporat shqiptare nëpër botë ku nëpërmjet zërit dhe fuqisë intelektuale atdhetare, Vatra e Dielli me angazhim, përkushtim dhe devotshmëri e ndershmëri patriotike ngritën gjithmonë lart vlerat kombëtare shqiptare. Ndaj, për këto arsye e shumë e shumë te tjera, kërkojmë mbështetjen e fuqishme e kontributin e shqiptarëve në Amerikë e jo vetëm për të lartësuar dhe çuar përpara këto institucione të vlerave dhe kontributeve më të larta kombëtare shqiptare.

Sot Vatra dhe Dielli rrezatojnë patriotizëm, atdhedashuri, e krenari kombëtare me vazhdimësinë e palëkundur në shekullin e dytë. Federata Vatra e gazeta Dielli i kanë promovuar, nderuar e dekoruar shqiptarët e Amerikës, si asnjë institucion tjetër. Sot është koha për mirënjohje të paktën. Forcimi i Vatrës e Diellit, do të thotë të forcosh komunitetin dhe kombin shqiptar. Askush si Federata Vatra e gazeta Dielli nuk e ka luajtur rolin e ambasadorit e promotorit të shqiptarizmës. Punët e mëdha kombëtare të Vatrës e Diellit janë dëshmi e aspiratave për liri, demokraci, përparim e qytetnim të shqiptarëve. Vatra e Dielli kanë pasqyruar e rrezatuar vlerat më të larta kombëtare, vyrtytet më të çmuara e aspiratat më të veçanta shoqërore, patriotike e atdhetare. Gazeta Dielli e Federata Vatra u dhanë gjithçka ndër vite të dimrit e beharit e sot shqiptarët nuk duhet të kursehen për të mbajtur të fortë institucionet e shenjta të kombit tonë, Vatrën e Diellin, identitet, vlerë, dinjitet, frymëzim e krenari e çdo shqiptari në Amerikë e trojet etnike. Mbështetja është detyrë, përkrahja amanet i përjetshëm. Rroftë Vatra, rroftë Dielli.

Filed Under: Opinion

Banka

July 26, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Edhe komunistët do të përdornin bankat si një mjet pushteti: Rudolf Hilferding (një ithtar i leximit “ekonomik” të Karl Marksit) i dha Leninit teorinë se bankierët dhe bankat mund të ishin armiq të rrezikshëm, por janë gjithashtu një mjet i fuqishëm, ndoshta mjeti më i fuqishëm në fazat e hershme të një revolucioni Nëse dikush dëshiron të ndërtojë shpejt një bashkësi komuniste, siç bëri Lenini, duhet jo vetëm të nacionalizohet industria dhe toka, dhe të socializohet, të organizohet dhe të qeveriset shpërndarjen e mallrave; duhet të përdoren edhe bankat për të kapur kapitalin financiar Në kohën kur Lenini hipi në tren në Cyrih më 9 prill 1917, i nisur për në stacionin e Finlandës në Shën Petersburg për t’iu bashkuar përfundimisht Revolucionit, ai kishte përvetësuar prej kohësh mësimet e komunarëve. ‘A mund ta ruajnë bolshevikët pushtetin shtetëror?’ pyeti ai në titullin e broshurës së tij të famshme, të botuar në tetor 1917. “Po”, ishte përgjigjja, “duke përdorur bankat!”.

“Skeleti” i një shoqërie socialiste, në frazën e Leninit, përbëhet nga “mbajtja e kontabilitetit në mbarë vendin”. Me këtë ai nuk nënkupton thjesht regjistrimin pasiv të rezultateve financiare të transaksioneve, por ekzekutimin aktual të atyre transaksioneve, llojin e mbajtjes së kontabilitetit që bëjnë bankat kur i këmbejnë borxhet e tyre me ato të klientëve në librin e tyre dhe më pas i pastrojnë ato duke i vendosur njëra kundër tjetrës për një bankë më të madhe, më të mirë, më gjithëpërfshirëse, ‘Një bankë e vetme shtetërore, më e madhja nga të mëdhatë, me degë në çdo rreth rural, në çdo fabrikë’, e cila ‘do të përbëjë sa nëntë të dhjetat e aparatit socialist’ . Vizioni i Leninit për shtetin komunist ishte që kjo bankë e vetme të mbante një libër gjigant në të cilin ajo ekzekutonte çdo transaksion të vetëm, duke balancuar librin e përgjithshëm të vendit; në këtë mënyrë kjo kjo mbibankë do të mund të menaxhonte dhe të mbikëqyrte të gjithë ekonominë. Me ndihmën e kësaj banke të plotfuqishme, duke balancuar librin e saj të gjithëdijshëm e të gjithëfuqishëm, Lenini do të ishte në gjendje ta bënte ekonominë komuniste të funksiononte pa probleme, me efikasitet dhe, në të vërtetë, pa para. Do të ishte ëndrra e Marksit e realizuar, parajsa komuniste, e ndërtuar duke përdorur një mjet, sistemin bankar, gati nga kapitalizmi.

Por gjërat nuk funksionuan ashtu siç kishte planifikuar Lenini. Smolny është një kompleks i madh në qendër të Shën Petersburgut. E ndërtuar në vitin 1805, ajo dikur kishte qenë një shkollë për vajzat e aristokracisë ruse. Më 1917, Smolny, me shtyllat e tij greke dhe sallën e madhe të pritjes, u bë selia e Bolshevikëve, shtëpia e Komitetit Revolucionar Bolshevik dhe Komitetit Ushtarak-Revolucionar. “Ishte,” shkroi Trotsky në Historinë e Revolucionit Rus (1930), “sikur Pallati i Dimrit dhe Smolny të kishin ndryshuar vendet.”

Në tetor, Smolny kishte një furi aktiviteti; ishte qendra nervore e revolucionit. Sovjetikët e armatosur hynë në qytet për të pushtuar ndërtesat kryesore qeveritare; brenda, udhëheqësit bolshevikë lëviznin nga një dhomë në tjetrën, duke organizuar revolucionin. Lenini mbërriti në Smolny në mbrëmjen e 24 tetorit 1917, i maskuar si punëtor, i veshur me një parukë, një fashë dhe grim. Momenti për marrjen e pushtetit kishte ardhur. ‘Nuk mund të ketë vonesa!’ i tha ai Komitetit Qendror Bolshevik. Më 25 tetor, Lenini iu drejtua shokëve të tij në sallën kryesore në Smolny: “Aparati i vjetër shtetëror do të shkatërrohet dhe një aparat i ri administrimi do të krijohet në formën e organizatave sovjetike”. Kishte punë për të bërë. Ishte koha për të kapur bankat — sepse bankat janë aparati shtetëror i nevojshëm për të sjellë socializmin. Rusia nuk ishte Franca. Dhe bolshevikët nuk ishin komunarë.

Historia thotë se menjëherë pasi mbërriti në Smolny, Lenini endej nëpër një korridor dhe hasi një burrë që flinte në një divan, me një etiketë të ngjitur në të: “Komisariati i Popullit i Financave”. Lenini e njohu formën e gjumit: një bolshevik polak, Vyacheslavi, nga një familje fisnike që kishte punuar për një kohë në Credit Lyonnais në Paris dhe të cilin partia e kishte vënë në krye të financave. Ai nuk ishte një njeri që admirohej – një diletant, poet, romancier dhe gjuhëtar brilant, ishte i njohur për të luajtur Chopin në një piano madhështore në Smolny, duke i mërzitur shumë shokët e tij bolshevik. Trocki më vonë shkroi për të: ‘Përshtypja që la tek unë mund të përshkruhej më së miri duke thënë se ai nuk lahej fare’. Por të paktën vishej si një bankier – kostume me tre pjesë, një kapele derbi, pince-nez – dhe Lenini ishte i etur për ta vënë atë në punë. Ishte Vyacheslavi ai që Lenini udhëzoi të merrte kontrollin e Bankës Shtetërore – bankën qendrore të Rusisë, më e madhja nga të mëdhatë, e ngarkuar me menaxhimin e parave dhe mbikëqyrjen e sistemit bankar të vendit. Të tjerë mund të ishin përgatitur për të sulmuar Pallatin e Dimrit; Vyacheslav ishte njeriu që u zgjodh për të kapur çelësat e aparatit shtetëror.

Banka e Shtetit ishte vetëm pak blloqe larg Smolny. Plani ishte i thjeshtë: Vyacheslav dhe roja e tij e armatosur do të vinin dhe do t’i kërkonin drejtorit të bankës të dorëzonte çelësat e institucionit, plus një milion rubla në para. Vyacheslav pastaj do të merrte çelësat dhe paratë dhe do t’ia dorëzonte Leninit dhe misioni i tij do të ishte i plotë; me sa duket ai mund të kthehej në divanin e tij dhe në Shopenin e tij. Problemi i vetëm ishte se kur Vyacheslav mbërriti, drejtori i bankës refuzoi të dorëzonte as çelësat, as paratë. Kështu që Vyacheslav e kërcënoi atë – në atë moment, drejtori dhe i gjithë stafi i tij menjëherë hynë në grevë. Kjo paraqiste një problem: asnjë bolshevik që respektonte veten nuk do të përdorte dhunë kundër një kolegu punëtor që ushtronte të drejtën e tij për grevë. Ishte një qëndrim klasik rus, krejtësisht absurd dhe megjithatë disi krejtësisht i zakonshëm, si diçka nga një histori e Gogolit: një grusht ushtarësh dhe marinarësh të armatosur bolshevikë që pushtuan selinë e Bankës së Shtetit, të paaftë për ta marrë atë sepse punonjësit ishin në grevë. Bllokim.

Pra, Vyacheslav i varfër duhej të kthehej në Smolny, ku organizoi që Komisariati i Financave të nxirrte një dekret që zëvendësonte drejtorin e bankës me një bolshevik mjaft më të bindur, i cili do të bënte pikërisht atë që i thuhej. Ky drejtor i sapoemëruar respektoi siç duhet, duke i mundësuar Vyacheslav-it t’i siguronte Leninit çelësat e sistemit bankar rus, plus një kamion me para. Dhe kështu marrja e Bankës së Shtetit më në fund përfundoi. Ishte, në mënyrën e tij, një episod krejtësisht tipik i revolucionit të 1917: pjesërisht tragjedi, pjesërisht farsë. Dhe 100 për qind katastrofik për të ardhmen e popullit rus. Revolucioni Bolshevik nuk ishte një pjesë plotësisht e orkestruar me muzikën e kompozuar tashmë. Ai ishte i ndërlikuar, si shumica e ngjarjeve të tjera, nga konfuzionet dhe keqkuptimet, nga përpjekjet njerëzore dhe dështimet, ku rezultati i befasoi fituesit po aq sa i mahniti të mundurin.

Lenini ishte ndoshta më pak i befasuar se të tjerët. Ai kishte shpenzuar dekada duke planifikuar dhe teorizuar revolucionin dhe tani kishte aparatin shtetëror që i nevojitej për të qenë në gjendje të ndryshonte mënyrën në të cilën Rusia prodhonte dhe konsumonte mallra: ai kishte bankën. Dhe shpejt filloi të zbatonte planin e tij. Pasi e shtetëzoi Bankën e Shtetit, udhëheqja bolshevike e quajti atë Banka Popullore; kjo Bankë Popullore mori më pas çdo institucion bankar dhe thuajse bankar në vend; Komisariati i Financës u shkri më pas me Bankën Popullore; dhe kështu sistemi bankar i vendit u bë shpejt Administrata Qendrore e Buxhetit dhe Kontabilitetit të Rusisë Sovjetike, mbajtësja e librit që regjistronte dhe fshinte të gjitha borxhet dhe pretendimet në ekonomi. Plani i madh po funksiononte. Kishte vetëm një problem: realitetin.

Filed Under: Fejton

ZGJEDHJET E SHBA E NJË EVROPË E PAMBROJTUR

July 26, 2024 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 22 korrik 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Dorëheqja e Bidenit hap një lojë që dukej tashmë e mbyllur. Ndoshta Trumpi do të fitojë njëlloj zgjedhjet e nëndorit, por së paku, demokratët janë rivënë në kushte për të mundur të luftojnë. Demokracia amerikane vërteton gjallërinë e saj, por si evropianë ne duhet të pyesim veten se pse ky beleg zgjedhor do të jetë për ne kaq i rëndësishëm, cili është ndryshimi ndërmjet tij dhe gjithë zgjedhjeve presidenciale që janë zhvilluar para tij mbas luftës së Dytë botërore. Ndryshimi qëndron në atë, se nëse do të fitonte Trumpi, Amerika do t’i a mbathte, do të braktiste Evropën në fatin e saj. Do të përcaktohej një thyerje në brëndësi të bashkësisë së demokracive perëndimore, me rrezatime mbi gjithshka: me rrezikun për shembull, të një ashpërsimi të masave mbrojtëse. E me një ndikim të fuqishëm mbi sektorin e brishtë të sigurisë e të mbrojtjes. Pikërisht në një çast në të cilin kontinenti i vjetër është përsëri i pështjelluar në një luftë të armatosur. Që nga lufta e Dytë botërore evropianët janw mbrojtur nga amerikanët. Secili kishte leverdinë e tij të mirë: evropianët mund të investonin rezervat e tyre në mirëqënie pa kthyer shumë mbi mbrojtjen, ndërsa amerikanët përfitonin nga pranimi evropian i udhëheqjes së tyre. Gjithshka do të mund të ndryshonte nëse Trumpi do të fitonte.

Sepse siguria evropiane, një përparësi e të gjitha Administratave nga 45 e këndej, nuk është e tillë për Trumpin e ndjekësit e tij. Nuk është e rastit që filo-rusët e Evropës janë miqtë e tij. Ukraina, marrëdhëniet evropiane me Rusinë, mbrojtja evropiane: mbi secilën prej këtyre temave qeveritë tona do të duhej të shihnin fund e majë agjendën e tyre politike.

Është e mundur që me Trumpin Ukraina duhet të pranojë një ndalim zjarri që do t’i linte Putinit territoret e pushtuar, do t’i lejonte atij të deklarohej fitues, të merrte frymë e të përgatitej për aventura të reja ushtarake. Filo-putinianët të djathtë e të majtë, të përforcuar nga fitorja e Trumpit, do të kërkonin, n’emër të “paqes” paqëtimin ndërmjet Evropës e Rusisë, ose (siç thuhej në kohët e Luftës së Ftohtë), “finlandizimin” e Evropës. Një pjesë e madhe e evropianëve (por jo ndërmarrjet e shumta, që do të donin të rifillonin allishverishet me Rusinë), me dëshirë nuk do t’ishte e gatëshme të ndiqte miqtë e Putinit në këtë rrugë. Por duhet të bëjë llogaritë me përparësitë e reja të Administratës amerikane, duke filluar nga kërkesa, madje urdhëri për të rritur menjëherë shpenzimet ushtarake në kuadër të NATO-s ( krejt tjetër nga pritja e ndonjë viti , siç do të dëshëronte qeveria e jonë, për të shpënë një shpenzim të tillë në 2 përqind të PPI).

Evropa do të vihej nën trysni. Do t’i duhej të vinte para saj problemin e famshëm të “këmbës evropiane” të NATO-s, për të cilën është folur shumë kur të folurit nuk kushtonte politikisht asgjë. Do të ishte me arsye fillimi i një psiko-drame të përgjithëshme n’Evropë, i një konflikti çjerrës që do të rishkruante aleanca, miqësi e armiqësi. Mbas kaqë lloqeve, më të shumtat të mërzitëshme, mbi mbrojtjen evropiane do të duhej të kalohej në faktet, duke u shpjeguar evropianëve se, në kushte të reja, bëhet fjalë të zhvendosen (menjëherë) rezerva nga mirëqënia në luftë, nga gjalpi në topa.

Evropianistët, të cilët deri tani kanë mundur të kërkojnë mbrojtjen evropiane pa shkaktuar skandal, do të vizatoheshin atëherë si luftënxitës nga putinian-pacifistët të së djathtës e të së majtës, nga Orbani tek Melenchoni, duke kaluar nëpër të gjithë të tjerët. Me pasoja paradoksale. Megjithë Brexitin e namin e “evroskeptiçizmit”, Britania e Madhe do të bëhej pika e riferimit për të gjithë ata që nuk duan një Evropë të pambrojtur, ushqim për ujqërit. Britania e Madhe, e drejtuar nga një laburist, do të kthehej me pëlqim, veç udhëheqjes morale, edhe në një fuqi tërheqëse në përpjekjen për të mbështetur Ukrainën, ashtu si dhe për të krijuar këmbën evropiane të sipërpërmendur. Ndërsa Franca, vendi tjetër evropian që, së bashku me Britaninë e Madhe, nuk ka ëndërruar kurrë “të verë lulet mbi topat e saj” do t’ishte e ndarë ndërmjet kërkesës për të dhënë ndihmesën në mbrojtjen evropiane dhe kushtrimit të të parëve, vullnetit të një pjese të konsideueshme të francezëve për të mos hequr dorë nga ajo pak që mbetet nga Madhështia e lashtë, pra nga pavarësia e plotë ushtarake.

Mund të pritet edhe ndonjë rrëshqitje nga shumica që sapo ka votuar në Parlamentin e Strasburgut për Ursula von der Leyen, nga të gjelbërit por edhe nga socialistët.

Pasojat do të ishin veçanërisht të rënda për demokracitë e dala nga humbja e luftës së Dytë botërore, Gjermania e Italia. Vlen edhe për Italinë ajo që ka shkruajtur pak kohë më parë një historian gjerman, Michel Stürmer për Vendin e tij: bëhet fjalë për demokraci që për kundërveprim ndaj nazizmit e fashizmit, kanë zëvendësuar shpatën me tregëti, kanë besuar të fortë në mbrojtjen amerikane, se nuk do të kenë nevojë të kujdesen për sigurinë e tyre duke ndërtuar, qoftë edhe në hijen e NATO-s një aparat të qëndrueshëm e të efektëshëm ushtarak. Një prirje që është fuqizuar me fundin e Luftës së Ftohtë. Klasat drejtuese dhe opinionet publikë gjermanë e italianë kanë përfunduar së besuari se në botë kishte vetëm miq me të cilët të mund të bëheshin allishverishe, asnjë armik për t’i u ruajtur, (me përjashtim të ndonjë terroristi).

Bëhet fjalë për një vështrim të botës që në Itali e Gjermani ka farkëtuar mendësi, ka ushqyer një ndjenjë të përhapur kundër-ushtarake, ka bërë opinionin politik të pandjeshëm ndaj nevojës së sigurisë. Është kthyer në një përbërës të identiteve përkatës kombëtarë. Prandaj u duk gjëmëmadh lajmërimi gjerman, menjëherë mbas fillimit të luftës në Ukrainë, për një plan armatimi. Ndërsa nuk habit që ai vendim nuk ka prodhuar rezultate të mëdha deri sot.

N’Itali, në rastin e fitores së Trumpit, mund të pritet shpërthimi i një konflikti të padëgjuar. Me shumë kalime frontesh, nga ai evropian tek ai kundërevropian (në dobi apo kundër mbrojtjes evropiane) dhe anasjelltas. Do të ishte e dobishme të kuptohej , duke mbajtur parasysh peshën që zgjedhjet e saj kanë në Itali, se si do të qëndronte Kisha katolike në këtë konflikt. Nëse fiton Trumpi na pret një psiko-dramë. Më mirë të përgatitemi.

“Corriere della Sera”, 22 korrik 2024 E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi

DISA EMËRTIME GJEOGRAFIKE ME EMRIN ALBAN(Y) NE AMERIKËN E VERIUT

July 26, 2024 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Nga shfletimi i literaturave të ndryshme, enciklopedive të njohur botërore dhe kërkimet në internet, mund të gjejmë lehtësisht vende të ndryshme gjeografike, si; qytet, lumë, liqen, kodër, mal, etj., me emrin Alban ose Albany. Emërtimet Alban(y) i gjejmë jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikën e Veriut. Edhe pse shumë studiues nuk japin shumë shpjegime, por thjeshtë shkruajnë se i kanë vendosur kolonizatorët nga Europa. Në fakt emërtimet Alban(y) e kanë origjinë nga emri i fisit ilir të Albanëve. Disa prej këtyre emërtimeve gjeografike do t’i përshkruaj shkurtimisht karakteristikat e tyre.

Një nga vendbanimet më të njohurat me emrin Albany ndodhet në shtetin e Nju Jorkut (New York). Aty ku ndodhet sot ky qytet ishte arenë përplasjesh ndërmjet holandezëve dhe anglezëve. Fillimisht qyteti quhej Beverwijck, më pas në 1664 ky emër u ndryshua në Albany, për ndër të Dukës së Albanit. Duka e Albanit ishte një titull skocez i dhënë që nga viti 1398, për një djalë të vogël të mbretit të Skocezëve (Albany, Dukes of- Hugh Chisholm). Emri rrjedh nga Alba, emri gaelik për Skocinë. Emri Alba ishte edhe shkurtimi i emrit të fisit ilir të Albanëve. Një fakt që e mbështet këtë është edhe kryqi i zbuluar në Ilirinë e Jugut (Shqipërinë e Mesme) skocezët e kanë sot në flamurin e tyre kombëtare (Libri Misteri i Shfaqur, The Secret Unveiled-Albert Kurti).

Albany City shtrihet 230 km në veri të qytetit të Nju Jorkut. Është qytet-port, termini verior i kanalit të thellë të lumit Hudson, dhe një pikë transshipmenti natyror midis anijëve që lundrojnë në oqean dhe rrugëve të Sistemit të Kanaleve të Shtetit të Nju Jorkut për në Liqenet e Mëdha. Që nga viti 1797 Albany është kryeqytet i shtetit të Nju Jorkut (Britannica). Aktualisht në këtë qytet banojnë 101 mijë banorë.

Një tjetër vendbanim me emrin Albany, por me madhësi shumë të vogël ndodhet në qarkun Prince, në ishullin Princ Eduards në Kanada.

Në shtetin e Oregonit në SHBA, konstatohet një tjetër qytet me emrin Albany, i themeluar në vitin 1848. Ai është qendra e qarkut të Lin dhe përsa i përket numrit të popullsisë, renditet në vendin e 11 në këtë shtet (City Populations: Adair Village-Echo). Në regjistrimin e vitit 2020, qyteti numëron rreth 56 mijë banorë. Vendbanimi shtrihet në luginën e Willamette dhe popullsia merret kryesisht me aktivitetet bujqësore.

Me emrin Albany nuk kemi jo vetëm vendbanime, por edhe liqene apo kodra e male. Një nga këta është liqeni Albany në shtetin e Uinskonsit (Wisconsin): ndodhet në jug. Ai është liqen glacial dhe ekzistonte midis vitëve 15000 dhe 12600 vjet (Wikipedia). Albany si liqen u formua nga shkrirja e ujit nga një akullnajë në tërheqje (zhdukje). Liqeni u tha rreth 10500 vjet më parë për shkak të rikthimit të akullnajave.

Një mal me emrin Mont Alban e ndeshemi në Meksikë. Ky mal shtrihet në shtetin e Oaksakës (Oaxaca) në jugperëndim të Meksikës. Ai përfaqëson rrënojat e qendrës së lashtë të Zapotec (Britannica), në lartësi 400 m mbi nivelin e detit. Këtu ndodhet një nga zonat më të rëndësishme arkeologjike në Meksikë.

Filed Under: Emigracion

“Papa Shqiptar Klemens XI – Albani”

July 26, 2024 by s p

Jaho Brahaj/

Në keto ditë të 375 vjetorit të lindjes së Papa Albanit autorët Eqrem Zenelaj dhe Dod Luli na sjellin botimin historik kushtuar ketij Pape me gjak shqiptar që dha nje kontribut të jashtëzakonshëm për Kombin tonë. Për herë të parë sillen të dhëna të vlefshme nga Gjenealogjia e kesaj familje fisnike shqiptare e vendosur në fillim në Brgamo të Italisë. Kjo gjeanologji sillet për herë të parë si rezultat i kerkimeve arkivore të autorëve. Nga kjo familje rrjedin nje plejadë njerzish të shquar të politikës, artit dhe klerikale, por që shendrit figura e Papes Klementi i XI Albani.

Në ketë botim i behet një analizë dhe botimit të gramatikës së gjuhës shqipe nga Fr. Maria Da Lecce, vepër e inicuar dhe mbeshtetur nga Papa Albani, që u botu në vitin 1716. Ndriqohet me burime arkivore që kjo vepër ishte nën patronazhin e Papës dhe me porosi të Tij.

Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.

Në historinë shqiptare, si dhe ne fusha te tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI- Albani, do ruhet si Pape me “origjine shqiptare,” si Papa qe ka thirrur Kuvendin e Arbërit me 1703 dhe se ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare.

Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbërit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. I dha kështu dheut të të parëve të tij, ndihmesën e çmuar për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit. Papa Klementi XI vdiq më 19 mars 1721 në Romë.

Kuvendi Kishtar i Arbërit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14-15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Merqi të Lezhës, me nismën dhe përkrahjen e Klementi XI – Albani

Kuvendi i Arbërit shqyrtoi gjendjen shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve, duke synuar të vërë në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë islamizmit të vazhduar të popullsisë. Ndër vendimet e marra ishin edhe kërkesat për të hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan gjatë shek. XVIII e XIX me disa botime fetare të bëra në dialektin e Shkodrës.

Aktet e Kuvendit të Arbërit u shtypën si botim më vete në gjuhën shqipe që më 1706. Ato kanë vlerë në radhë të parë si dokument gjuhësor me rëndësi.

U hartu programi për mbajtja e shkollave shqipe pranë famullive që ekzistonin, por edhe rihapja e atyre që ishin mbyllur, gjithashtu u vendos ringritja e kishave të rrënuara, si dhe u vendos që katolikët të kenë bekimin e kishës vetëm atëherë kur jetojnë në bazë të dokeve e zakoneve shqiptare të miratuar e predikuar prej shekujsh nga doktrina kristiane.

Të gjitha këto do të bënin të mundur vazhdimin e qëndresës e palëkundur të Shqiptarëve nën pushtuesin mizor otoman, pushtim që kërkonte të zhdukte pa mëshirë jo vetëm të identitetit të etnisë tonë dhe të traditave.

Fatmirësisht Kuvendi e kreu detyrën. Bota shqiptare e njohu dhe e përkrahu Kuvendin e Arbërit të 14 e 15 janarit të vitit 1703. Në këtë botim monografik përmblidhen dhe dokumenti, aktet e Kuvendit të Arbënit (Arbërit) siq është shtypur në gjuhën shqipe në ato vite.

Ketu sillen dhe të dhëna historike dhe arkivore në përpjekje për të saktësuar se nga cila treve e Shqipërisë u shperngul familja fisnike e Mikel Lacit, paraardhësit e Papa Albanit, temë që mbetet e hapur per gjurmime në të ardhmen.

Ky studim monografik shkencor historik i autorëve Eqrem Zenelaj dhe Dd Luli ka vlera dhe mirpritet nga qarqet e studiuesve dhe lexuesit të gjerë sepse eshte me referenca te shumta, bibliografi e njohur per herë të parë, e me e rendësishmja eshte se është bazuar dhe ne hulumtime e gjurmime në arkiva te rendësishëm, materiale qe gjejnë pasqyrim ne faqet e keti botimi.

Së dyti, publiku shqiptar njihet me kontributin e keti personaliteti që jo vetëm nuk e harroi origjinën familjare, por dhe krenohej me gjakun shqiptar të Tij.

Së treti njohja me jetën dhe veprintarinë e Papa Albanit na shpalos dhe faqe të historisë tone kombëtare ne ato ditë e vite të veshtira.

Libri i Ri: “Papa Shqiptar Klemens XI – Albani” – Autorë: Eqrem M. Zenelaj, Dod Luli.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 836
  • 837
  • 838
  • 839
  • 840
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT