• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“I arratisuri”…

October 2, 2024 by s p

Miho Gjini/

“Të bëjmë të dëgjohen zërat e padëgjuar”, Papa Françesku.

Letërsia, edhe në të kaluarën, është përpjekur të jetë PASQYRË E KOHËS e atyre autorëve të talentuar e plot guxim që kanë rrokur e interpretuar “të veçantën” e njeriut e të shoqërisë, përbrenda fletëve të saj, herë tronditëse e herë gazmore. E destinuar t’i përballoj edhe kohërave të mëvonshme, teksa letërsia e një kohe i flet edhe një kohe tjetër që përsërit, befas, po ato gjëma e tipare të së kaluarës, që nuk duhen harruar asnjëherë nga brezat e së ardhmes!

Dhe, të mos habitemi, që kemi pasur e kemi ende, autorë “të padëgjuar”, që e meritojnë emrin e shkrimtarit e që duhen lexuar e vlerësuar. Duke e pasuruar letërsinë, por edhe duke “thyer mite” dhe paragjykime! Edhe kur ata janë “jashtë trungut mëmë”. “Se ti je aq jashtë, sa jam edhe unë brenda”,-thoshte Shekspiri… Para do kohe shkrimtari “i padëgjuar” Thanas Medi që ndodhet në Greqi (në hallet e kohës së vet), më fton për një kafe në Athinë dhe më jep për të lexuar librin e tij, që i kishte “përvëluar” shpirtin: “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” që dikush tjetër ia kishte mbajtur në sirtar me vite, të mbuluar nga heshtja, teksa romani i tij qe “shpërthyes” i një kohe dhe i një fisi nomad, që lëvizte ngarkuar me tragjeditë e “kasollet” e tyre mbi samarët e mushkave. Ndërsa s’ka pak kohe që më vjen nga Kanadaja një zarf i trashë që përmbante vetëm një libër, që po ashtu, përmbante “zjarre” përbrenda saj. Po për ato kohëra të së kaluarës që na shfytyruan si komb e si njerëz. Për të mos u habitur, si me Thanas Medin (kur befas e vlerësuan në Shqipëri si “shkrimtari më i mirë i vitit” e skeptikët kishin thirrur: “E nga na doli ky autor i padëgjuar kurrë”?! E tani çfarë duhet të themi për këtë kanadezin shqiptar, -për Taip Sulkon, që më dërgoi nga përtej oqeanit romanin e tij “I arratisuri”, për atë gjendje kaotike që na varfëroi si njerëz, që na rraskapiti e na ndëshkoi për 50 vite?! Po rumunëve, italianëve e grekëve që u “ngutën” ta botojnë sërish romanin e Medit, bile edhe ta xhirojnë kineastët e huaj si film artistik?

Nuk bëhet fjalë për të arratisurit nga kufiri, po për “të arratisurit nga vetja e tyre”, për largimet nga shtëpia e qyteti i tyre, nga stresi e mungesa e lirisë dhe e punës krijuese, kur s’dinë ç’të bëjnë, kur errësira, varfëria e dhuna “pushtojnë” vendin e ligështojnë frymëmarrjen. Është gati e njëllojtë me ato ikjet individuale a masive, më përtej kufirit shtetëror, për të shpëtuar e gjetur veten diku tjetër, ku ka ajër e liri vetiake… Në afërsi të absurdit! Kur s’ka liri të vërtetë, por dhunë, si në atë tablonë piktorike të Delakruasë, teksa gruaja Parisiane shqyen gjoksin e saj para bajonetave! Si një simbol evident. Kur jeta e njeriut barabitet si me qentë e rrugës. “Jetë qenësh” edhe për njerëzit. (Sabaçnij Zhizn!),-shprehej edhe Çehovi). Shkruhet për “kuisje qeni të egërsuar, që sapo e ka parë se i është drejtuar një tytë pushke” dhe që më pas do t’u drejtohet edhe njerëzve që kanë humbur lirinë e endeshin rrugëve. Ky është edhe subjekti e objekti i këtij libri rrëqethës që të krijon mornica trupit. Një ngjarje e madhe, si i vetmi fenomen kohor, dramatik e i ngjeshur, i cili “rrjedh në mënyrë kaotike”, si vetë sistemi i dikurshëm. E rrëfyer në trajtën vetiake, thuajse me një frymë, si monolog brejtës i një personi e i një shoqërie të tërë. Parashtruar në ngjarje, veprime e konflikte, si në dramë e tragjedi.

Dhe autori do të rrëfejë se si “arratisej (të parën herë), antiheroi i tij (alteregua), në një pyll, ku “do të ishte më mirë aty,-me kafshët e drurët, sesa me njerëzit”,-thotë ai. Ku do ta magjepste jeta e ciganëve që jetonin të lirë a “gjysmë të lirë”, buzë një lumi, në afërsi të pyllit. “Unë jam cigane, unë jam e lirë. Unë dua një mendje dhe krah që i thyen shtigjet”,-shprehet Anja, cigania bukuroshe që trulloste edhe burrat e fjetur… Se, “edhe mes ankthit dhe skamjes lindte vetveten”,- shpreh shkrimtari idenë e tij, në faqet e mëtejshme të këtij romani që “rrjedh e shkon” si ai lumi i rrëmbyer që merr me vete trungje, po edhe trupa të vrarësh të pabindur”!

Po e keqia mbetet (megjithatë) dhe hyn në jetën e njerëzve. Se vjen edhe “Qoftëlargu”, më i tmerrshëm akoma, i cili prish ëndërrimet e frikshme. E fletët e romanit mbushen me ankthe e me elemente reale, ireale, fantastike, me kobe, imazhe të frikshme dhe me të gjallët e të vdekurit bashkë. Ka aty imazhe surreale “me dreqër e shpirtëra të këqij”. Personazhet e romanit janë të tejmbushur me tipare e imazhe të qena e të paqena, të rrethuar nga e keqja dhe që pyesin: “jam, a s’jam në ëndërr”?! Dhe personazheve u duket se janë gjithmonë pas një dere që do të mbyllet një herë e përgjithmonë. Ndërkohë që shtrëngesa e sistemit rritej e presioni gjithashtu… Të gjithë këta personazhe,-shkruan autori. “futen në një qerthull të pakuptimtë dhe qesharak”. Duke mos ditur se ku ndahet kufiri midis së mirës dhe së keqes. Dhe “arratisja” e parë e personazhit kryesor, Ermirit, do të ndërpritet sa herë që i fanitet Jezu Krishti i mbërthyer në kryq!

Po në këtë “qerthull” do të zhvillohet edhe “arratisja dytë”. Po këtë herë do të jetë i ati i këtij djali që do të gjunjëzohet para Krishtit të mbërthyer me gozhda, gjersa t’i dalë edhe atij ëndërrimi i tmerrshëm. Ndërsa në “ëndërrimin e tretë”, kaplluar përbrenda arratisjes, do të kemi aventurën me të dashurën Sindrita, e cila tashmë është e bashkuar me grupin e “Teatrit Shëtitës” të Ëngjëllit, ku do të marrë pjesë edhe Ermiri i dashuruar… Po edhe ky përkushtim do të shuhet sa vjen aty Enver Hoxha dhe shfaqja e këtyre aktorëve amatorë vihet në shënjestrën e pamëshirshme të konkluzionit absurd se “dora e armikut punon”.

Karakteri rrëfimtar i romanit, që i largohet strukturës klasike të kompozicionit, shpalos pa ndëprerje jetën e këtyre njerëzve me shpresa të vagëlluara që nuk u dalin asnjëherë ëndrrat që shohin natën… Në një triptik real, që plotësojnë njëra-tjetrën si libra. Personazhet e qytezës së Anadellit: Ermiri, Agimi dhe Luani,-si shokë të pandarë, Lalë Rrapi e Mentari që kanë rënë në dashuri me të njëjtën femër lozonjare. Artisti i talentuar i teatrit që do përfundoj tragjikisht, me emrin ËngjëII. I Plotfuqishmi i pushtetit vendor e prifti Hal Kryevidhi i degraduar si klerik. Dhe sidomos Anja, cigania e bukur që nuk pyet për askënd, veçse ta gëzojë jetën që i jepet. Janë që të gjithë karaktere të individualizuar mirë nga autori. Dhe midis tyre Ermiri, që përfaqëson zërin e autorit, në linjën erotike të romanit, me Sindritën e dashuruar. Edhe ajo, me një bukuri perëndeshe, që e ka dehur personazhin tonë, bashkë me aventurën e tij të “arratisë”!

Gjithçka e shprehur me një gjuhe shqipe të epërme, me kolor, ajër, emocione, simbole e metafora që rrjedhin e depërtojnë tek lexuesi. Ndonëse nuk mungon veprimi i çastit në ngjarjet e faktet e njëpasnjëshme, ndodh që rrëfimi i shtrirë në të gjithë librin, bëhet nganjëherë i lodhshëm. Por vijnë befas kapituj romantikë e erotikë, të shkruara me frymëzim që e rrëmbejnë lexuesin, si me episodin e ciganëve, që qëndron mrekullisht edhe si një novelë më vete… Me ato përshkrime poetike, kur “ndriçimi i hënës bënte që drurët (e pyllit) të dukeshin më të lartë dhe si në jetë ëndrre”. Po sa mirë autori “derdh” emocione të ndjera me grupimin teatral të Ëngjëllit, si ta kishte jetuar vetë jetën e aktorëve endacakë, që mbetën të tillë në jetë të jetëve, për shpirtin e tyre të pasur e me jetën e varfër, si të ishin të papërfillur nga të gjitha sistemet shoqërore, teksa ua nxinë jetën edhe politika-kurvë! Ashtu sikundër ka në faqet e fundme të romanit episode tronditëse, me arrestime, dëbim-internime dhe vrasje pa gjyq, sipas modeleve mesjetare…

Po a ka ndonjë të metë ky roman interesant e shqiptarit kanadez Taip Sulko? As që ia vlen të thuhen ato, karshi vlerave artistiko-letrare. E megjithatë, ky autor fare i panjohur për mua, do t’i sugjeroja atij një “krehje” dhe aq, bashkë me evitimin e ndonjë episodi të pamotivuar, të asaj murgeshës që nuk është murgeshë, po e veshur si e tillë e që do t’i rrëfehet Ermirit, pa e njohur fare, rrethanat e tradhëtisë së burrit të saj!. Po njëlloj, sikundër do t’i kisha sugjeruar edhe evitimin e episodit të makrabitetit të prerjes së veshëve, si shënja primitiviteti e aspekte të natyralizmit. Sido që, gjithsesi, ka të ngjarë, që edhe për kritikët, është i pranishëm, jo pak herë edhe subjektizmi… Sepse, nuk mund të ketë sot edhe “receta” të gatshme a të “prera me thikë”

Dhe mbetet vetëm kënaqësia e epërme, për ta gjykuar veprën letrare të shkruar bukur, ndaj nivelit artistik të së cilës përulem si për një autor “TË DËGJUAR”. Përtej varfërisë në ato botime origjinale e “panaire libri”,-ku jo pak herë mbizotërojnë përkthimet nga letërsia e huaj, ndonse jo që të gjitha me përkthime dinjitoze… Për të mos u ankuar gjithë-heri se: “nuk kemi lexues”! Duke pasur parasysh edhe thënien e Gëtes se, vepra e mirë letrare e gjen vetë lexuesin e saj…

Piqeras, shtator 2024.

Filed Under: ESSE

EDHE NJЁ VEPЁR E RЁNDЁSISHME QЁ RREZATON SHUMЁSI PROBLEMESH GJUHЁSORE

October 2, 2024 by s p

Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu/

(Begzad Baliu: “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, “ERA”, Prishtinë, 2020)

Pak ditë para botimit të kësaj vepre, kolegu im i punës dhe i profesionit, prof. dr. Begzad Baliu, më dërgoi dorëshkrimin e librit të tij më të ri “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, që në cilësinë e recensuesit të shkruaj 2-3 fjali për këtë vepër. I vetëdijshëm se fjala dhe mendimet e prof. Baliut janë të matura e të peshuara në peshore filigrani, me thellësi mendimi e analize, me kënaqësi të madhe edhe i hyra kësaj pune. Dhe, ndoshta, jo në përmasat çfarë i kërkon ky libër sapo i botuar, e jo as edhe në atë shkallë që do ta dëshironin autori dhe lexuesit i këtij libri.

Librit “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, siç shihet edhe nga titulli që ka, është një për­mble­dhje studimesh e kumtesash të këtij veprimtari tashmë të mirënjohur në fushën e arsimit të lartë filologjik dhe të kërkimit shkencor.

Libri ngërthen më vetë një lëndë të pasur e të rëndësishme, të studiuar e analizuar edhe më parë nga studiuesit tanë e ndonjë nga ato tema edhe nga studiues të huaj, por jo në përmasat e analizës, të vlerësimit e të metodologjisë së shtruarjes së problemeve, siç i ka trajtuar profesor Baliu.

Lënda e kësaj vepre, që kap hiq më pak se 599 faqe libri, është lëndë e përzgjedhur ku janë pikasur periudha, autorë e studime të rëndësishme, përkitazi me reformacionin dhe rolin e tij në fushë të albanologjisë; për Thimi Mitkon; për 3 studiuesit hungarezë (V. Vidish, L. v. Talloci, F. B. Nopça), të cilët kanë dhënë ndihmesë të madhe, bash kur shqipja e shqiptarët edhe kanë pasur më së shumti nevojë; për Komisinë Letrare të Shkodrës; Maksimilian Lambercin; Kolë Ashtën; Nelson Çabejn, Asallan Hamitin, si dhe për disa studime të tjera për gjuhën shqipe; fjalë përkujtimi për akademik Idriz Ajetin (1917-2019), Robert Elsien (1950-2017) dhe disa të dhëna e dokumente për aktivitetet e disa përfaqësuesve tanë politikë e shkencorë të zhvilluara në Institutin Albanologjik e më gjerë.

Në këtë studim, autori ju ka qasur edhe këtyre temave, jo të parëndësishme: “Fjalorët, leksiku i shqipes dhe etimologjia”; “Leksiku i teksteve të shkrimtarëve të vjetër”; “Leksiku i teksteve letrare të bejtexhinjve”; “Leksiku i neologjizmave të shkrimtarëve Rilindjes Kombëtare Shqiptare”; “Prirjet leksikore të shekullit XX”.

Në veprën e zënë në gojë këtu, vetëm dokumentet e paraqitura nga autori zënë afro 100 faqe, që kanë të bëjnë me letërkëmbime titullarësh e politikanë të kohës, vizita ndërinstitucionale Kosovë – Shqipëri, vizita studiuesish në vend e jashtë vendi, ekspedita shkencore në terren nga studiuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, projektstatutesh të IAP, rregullore, procesverbale, kryesisht të kohës derisa Baliu ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik etj.

Kjo vepër, marrë në tërësi, zgjeron horizontin shkencor të lexuesit, e ndihmon atë, jo vetëm të bëhet vëzhgues i pavarur i dukuri­ve dhe i risive të periudhave historike, të autorëve ndër të parët në fushën e historisë, kulturës e shkencave albanologjike, por edhe të di të gjykojë e vlerësoj zgjidhjen e çështjeve të ndryshme të paraqitura në këtë vepër, duke u mbështetur, natyrisht, edhe në njohjet më të thelluara të fushave përkatëse.

Pasqyra e literaturës së shfrytëzuar nga autori për këtë vepër është një dëshmi e punës së tij serioze studimore për trajtimin e temave nga më të ndryshmet nga fusha e albanologjisë dhe të studiuesve e të periudhave më të hershme e deri më sot.

Nga ajo që shihet në vepër, del se prof. dr. Begzad Baliu, me një ngulmim sfilitës dhe njëherësh sakrifi­kues ka shpërfaqur edhe një mënyrë vetjake, si të thuash, të paraqitjes së problemeve (siç është rasti i bibliografive dhe i referencave për çdo autorë), të trajtimit dhe zbërthimit të problemeve gjuhësore, si në planin sinkronik, ashtu edhe në atë diakronik-historik.

Si studiues tashmë me emër, prof. Baliu, ka mbajtur parasysh prore se studiuesi duhet vënë mendjen se si duhen trajtuar të dhënat e ofruara për të arritur në përfundime të suksesshme në punën e vet. Këtë parim drejtimdhënës, që e kishte ngritur prej kohësh patriarku i albanologjisë, prof. Çabej, e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme në këtë vepër edhe prof. dr. Begzad Baliu.

Në fund të kësaj paraqitje (këtu të shkurtër), nuk na mbetet gjë tjetër pos autorit të kësaj vepre t’i urojmë me gjithë zemër botime edhe të veprave të tjera si dhe shëndet e vullnet për punë kësodore.

Filed Under: LETERSI

Albanians Fighting Cancer AFC USA Gala Concert including Impromptu Singalongs Elevates Pride Craving More Encores

October 2, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

“The first time I heard the name Albanians Fighting Cancer AFC, it was through a GoFundMe page that someone launched for a relative with a cancer diagnosis,” said Fotini Kokeri of the Kosloski Family Foundation at the Gala Concert Saturday night featuring two remarkable Albanian performers, tenor Rame Lahaj and pianist Genc Tukiçi. On the stage, with the signature backdrop of the deep red wood panels in one the finest concert halls in the world, Kokeri, the event’s General Sponsor and AFC Administrative Executive, greeted the guests and patrons sitting in the globe-shaped room. Joining with other sponsors and supporters, Kokeri embraced the vision of AFC USA. An awareness and prevention advocacy organization now in its fifth year, AFC provides services that span from therapy options to insurance programs and financial relief for the patients undergoing treatment, as well as equipment donations to hospitals back home.

From the impeccable acustics of the venue to the poster bills prominently placed by the entrance of the historic national landmark weeks in advance, to the pamphlet, the playbill, the presentation and the night’s program, to displaying the Albanian, Kosova and US flags, each detail was given thoughtful consideration by Roberta Panariti Nashi, Founder and President of AFC in tandem with the AFC Board.

The Gala Concert hosted by AFC delighted the audience who came to enjoy a classy evening with Albanian music celebrities while also showcasing Albanian heritage. Considering that many patrons had attended last year’s AFC Gala presented at Jordan Hall, there was much anticipation to musically sound off the Albanian American pride once again. Expectedly, during the live concert, the audience interacted and engaged in an amusing sing along with Lahaj in his performance of widely popular songs like: Lule Bore, Bishtalecat Palë Palë, Më ka Shku Mendja me u Feju.

From their seats, the audience seemed eager to “get in” the performance as soon as the first piano notes of Tukiçi’s rendition of “Dua më Shumë Shqipërinë” vibrated through the air. The concert served as a reminder of one of life’s most striking dichotomies of darkness and light, of losing the battle to cancer and being joyful in the fight for life. Personally, I was both overwhlemed and overjoyed to join in the-audience-and-performer-exchange of Lule Bore, a long time favorite of my late father, we all enjoyed singing together with him till the very end.

Coming to a benefit concert made the community feel united around a humanitarian cause of standing up to cancer while elevating our cultural heritage through classical music and also the Albanian popular repertoire including the folk genre. One of Tukici’s original arrangements is a charming whimsical piece that interchanges the famous Rondo Alla Turca (Turkish March) by Mozart, the Albanian and US national anthems. Tukiçi says that the inspiration might be a child – the playful Mozart tune – who longs for his homeland far away, as the wind seems to bring through the window hints of familiar notes sat in the verse of Rreth Flamurit të Përbashkuar by Albanian poet Asdreni (1872-1947) playing softly in a distance persistently interplaying with another endearing melody of the Star-Spangled Banner written by the great American poet Francis Scott Key (1779-1843). The intense crescendos allude that the little child has grown into a giant. Although musical visualisation might be limited only by our imagination and personal, the piece could very well be a metaphor for the Albanians Fighting Cancer AFC USA.

At the concert afterparty hosted by Leo Keka at his Alba Restaurant in Quincy, amidst the celebration of AFC fifth anniversary, the frequently asked question by the guests was: “When is the next concert?”

Photos Courtesy Artan Malaj

Author is a member of AFC USA support team

Filed Under: Reportazh

“SHKOLLA ABC”, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË AMERIKË

October 1, 2024 by s p

Marjeta Caridha, mësuese në shkollën shqipe “Shkolla ABC” në Peabody, Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Peabody, Boston, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen Marjeta Caridha bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ÇUNAT E BOSTONIT”

Në Shtator të vitit 2023, Albanian Boston Community Center “Çunat e Bostonit” hapi shkollën shqipe “Shkolla ABC” (Albanian Boston Community) me drejtuesit e përkushtuar: Ardi Bocova, Zenel Lala, Aleko Pasha, Artur Bocova, Klevis Qyeasi, të cilët meritojnë vlerësime e respekt për kontributin patriotit për fëmijët shqiptarë. “Shkolla ABC” synon për të ndihmuar fëmijët e bashkatdhetarve në mesimin e gjuhës shqipe. Synimi i shkollës shqipe është ruajtja e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare edhe pse ndodhemi kilometra larg vendlindjes, duke folur, recituar, kënduar në gjuhën e bukur, gjuhë të cilën do mundohemi ta ruajmë e ta trashëgojmë tek brezat e ardhshëm edhe këtu në tokë të huaj. Kemi interes të fëmijeve, prindërve dhe fal bashkëpunimit prind-nxenës-mësues jemi përpjekur të vendosim për atë ç’ka është më e mirë për fëmijët dhe kjo është një garanci, për të ardhmen e gjuhës shqipe.

KURRIKULA MËSIMORE

Duke u mbeshtetur në Kurrikulen në Arsim, në Republikën e Shqipërisë, jam përqendruar tek mësimdhenia me baze kompetënce dhe mësimdhenia me në qendër nxënësin. Ndërlidhja e tyre ka në fokus nxënësin dhe procesin e të nxënit. Për ta bërë mësimin sa më tërheqës, përdor teknika dhe metoda që ngjallin interes dhe që janë më të asimilueshme nga fëmijët. Metoda ‘Hap Pas Hapi’, e cila në bazë ka integrimin dhe të mësuarit përmes lojës është tepër efektive dhe ndikon në zhvillimin e aftësive folëse, aftësive lexuese, shkruese, që në mesimin e gjuhës shqipe janë të domosdoshme. Duke qenë se lojërat janë një pjesë aktive shumë e pëlqyer për fëmijët, përpiqem të futem thellë në botën e tyre, me anë të lojërave të ndryshme për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe. Mësimi zhvillohet 1 herë në jave, ditën e shtunë në 2 orë mësimore me një pushim në mes. Gjatë pushimit qëndra ofron për fëmijët lojëra, snacks si dhe këngë e valle shqiptare. Kemi krijuar 2 klasa sipas grup moshave të fëmijëve.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SE IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË AMERIKË

Duke patur parasysh ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptareve në USA, jam përpjekur të krijoj një ambjent sa me edukativ në klasë. Atë ambjent klase që krijoja në Shqipëri, e krijova edhe këtu në Amerike duke u munduar që të ketë sa me shumë ngjashmëri me shkollat tona. E ku ka me bukur që fëmijët të shohin në muret e klasës simbolet kombëtare të Shqipërisë, pasi dihet që simbolet kombëtare janë pasqyrë e kulturës, historisë dhe identitetit të kombit shqiptar. Gjithashtu kam prezantuar në muret e klasës thënie të mençura të mendimtareve në lidhje me gjuhën shqipe, të cilat pasi janë shpjeguar nga mësuesja, lexohen nga nxenësit, duke synuar që të edukohet tek fëmijët ndjenja e atdhedashurisë. Dhe ajo që përbën thelbin e gjuhës shqipe. Alfabeti i Gjuhës Shqipe është vendosur në mur, për t’u dalluar sa më qartë nga nxënësit. Ajo që është më e bukur dhe është për t’u veçuar, është se në klasat tona mësimi nis duke kënduar Himnin Kombetar, tekstin e së cilës ia kam bashkangjitur në librin e Abetares, për ta mësuar. Është e mrekulleshme, ndjenja që përjeton teksa sheh fëmijët, që janë lindur e rritur në Amerikë me atë theksin e gjuhës angleze të këndojnë me aq dëshirë e krenari Himnin Kombëtar. Me fëmijët kemi organizuar festa të ndryshme si 28-29 Nëntori, Krishtlindjet, Festa e Mesuesit e Nënës etj. Gjithashtu duke iu përshtatur vendit ku jetojmë, kemi festuar HalloWeen, ditën e Falenderimeve duke përcjellë mesazhe të paraqitura në forma dhe mënyra të ndryshme.

MËSIMI SHQIP FALAS

Nga organet shetërore nuk kemi pasur bashkëpunim. Kontributi më i madh ka qenë nga anëtarët e organizatës që mbështësin qendrën tonë çdo ditë. Në jemi aq të përkushtuar për gjuhën shqipe sa të gjitha shpenzimet në lidhje me shkollën mbulohen nga të ardhurat e organizatës. Të gjithë fëmijët e anëtareve të qendrës e kanë shkollen falas pa asnjë detyrim.

KUSH ËSHTË MËSUESE MARJETA CARIDHA?

Quhem Marjeta Caridha. Kam lindur në Elbasan dhe kam përfunduar studimet si mësuese ‘Cikli i Ulët’ në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan. E kam ushtruar këtë profesion për 30 vjet edhe kam punuar si mësuese në ciklin fillor në shkollën Qamil Guranjaku në Elbasan. Jam kualifikuar në katërgorinë e pare si ‘Mësues Mjeshtër’. Jam trajnuar në nivelin e parë sipas metodologjise ‘Hap Pa Hapi’. Kam kryer trajnime të ndryshme që lidhen me punën time si mësuese ku jam certifikuar. Aktivitetin tim si mësuese e kam vazhduar deri në Nëntor 2022, deri sa më pas u shpërngula për të ardhur në Amerikë. E them me krenari, se ndihem e privilegjuar që kam çelur rrugën e dijes për shumë fëmijë dhe akoma më me fat, t’u mësoj gjuhën shqipe fëmijëve të bashkatdhetarëve edhe përtej oqeanit. Falenderoj Federatën Pan- Shqiptare Vatra që nëpërmjet gazetës “Dielli” na dha mundësinë për të promovuar Shkollën Shqipe këtu në Peabody. Falenderoj drejtuesit e Albania Boston Community “Çunat e Bostonit” që na kanë krijuar komoditet dhe kushte të favorshme për zhvillimin e mësimit. Falënderoj përzemërsisht të gjithë prindërit, që kanë zgjedhur shkollën “Çunat e Bostonit” për t’u mësuar fëmijëve Gjuhën tonë të bukur Shqipe.

Filed Under: Featured

VERMOSHI, MREKULLIA  KLIMATERIKE E ALPEVE SHQIPTARE 

October 1, 2024 by s p

(Vështrim historiko-turistik) 

NGA  NDUE  BACAJ  

LajmiFundit.al - Vermoshi | Facebook
ALBDREAMS SUPLEMENT: VERMOSHI

Vermoshi  është një ndër mrekullit natyrore e klimaterike, që Hyji e krijoj në  trojet Ilire (të Malësise së Madhe) që në agimin e jetes…Vermoshi i ngjan një amfiteateri të madh natyrore që i ka të gjitha resurset per të qënë i tillë : Ka fushen (rrafshnalten) e  veshur me  barin e bimesin natyrale që të mrekullon syrin ,e shpesh quhet “ari i gjelbert” (kjo është lugina e Vermoshit që ndahet permes nga lumi me të njëjtin emër). Ka dy “Tribunat “ e mëdha që  janë : Në Veri kurrizi malor i Marlules, në Jug  Kurrizi malor i Viles edhe keto  të veshura me pyje e bimësi të shumllojëshme.. Vermoshi karakterizohet nga një klimë e fresket  me ajër  të pastër , që e shijon çdo  njeri që kerkon të “largohet” veçanarisht nga zagushia  e  stines së Veres…

TË DHENA TË SHKURTERA GJEOGRAFIKE , KLIMATERIKE E TJER..

Vermoshi  gjindet në veri të Shqipërisë politike (1913) në një distancë  prej 84 km nga  qyteti i Koplikut, dhe është  “koka” e Flamurit, Malit , apo sot Njësisë  Administrative  Kelmend. Lartësia e luginës (qëndrës së banuar) është rreth 1000 metra mbi nivelin e detit . Gjatësia e lugines  rreth 20 km, dhe gjerësia afërsisht kap vlerën e 1 km. Gjërësia gjeografike e Vermoshit është 42 grad e 39 minuta.1.  1.Vjetari statistikor i vitit, Shkoder 1986, fq.19.  Pika me e larte ne Vermosh është ajo e malit te Marlules me 2188 m mbi nivelin e detit.2. 2.Vjetari statistikor…po aty fq.22.  KLIMA në Vermosh është disi më e veçantë  se e Kelmendit në pergjithsi. Kelmendi  përfshihet në  zonën mesdhetare, malore-veriore , ndersa Vermoshi merr  nuanca  kontinentale  malore, me një dimer..shumë të ftohtë dhe verë… mjaftë të fresket, për shkak të ndikimit të ajrit  kontinental nëpërmjet grykdaljes  se pellgut  nga lindja, të lartësisë së madhe mbi det dhe të mbulesës  së dendur me pyje… Mesatarja e janarit si muaji më i ftohtë në Vermosh  është rreth -3 deri në -5  gradë celcius, ndërsa temperatura më e lartë në muajt e Veres shkon 14– 16 gradë  celcius… Rreshjet  në Vermosh (në luginë) kapin mesataren vjetore 2021.7 mm, ndërsa në male rreshjet kanë një shifer shumë më të lartë që shkon nga  2500 – 3500 mm në vite.3.  3.Kol Progni, ”Kelmendi’ monografi ,fq.30-31. Siç  shihet edhe vetë sasia e madhe e rreshjeve  në male (rreth luginës së Vermoshit)  në  muajt e  Veres influencon që në këtë zonë të kemi një temperaturë të  freskët  gjatë  muajve të  nxehtë , duke  krijuar një mikroklim me vlera  për këtë trevë (klimaterike).

TË DHËNA  HISTORIKE ..                                                                               Vermoshi  sipas shumë  studiuesve , ka qënë  një vend jo i perhershem                       banimi, por vetem bjeshkë verimi për banorët e vendbanimeve të Kelmendit, e veçanarisht të atyre të Selcës… Madje një studiues shqiptar (në dekadat e para të shekullit XX) shkruante se:  “Vermoshi ishte më e bukura  Bjeshkë… e Selcës … shtrihet në një luginë  fushore me ara e livadhe, një lum e përshkon për së gjati… Per me i dalë në fund e në krye  bëhët një orë e gjysem..”.4.  4.At Gjon Karma , NDËR MALET TONA ..fq.237.  Por ka edhe nga ata  që mendojnë se Vermoshi ka qënë i banuar edhe para pushtimit  turk, por klima e ftohtë  i detyroi banorët të largohen për në Kosovë… Ky mendim gjenë “mbështetje”  vetëm në disa varreza të paidentifikuara në Velipoj (të Vermoshit) . Kurse banorët e sotem kanë ardhur kryesisht nga Selca , por  ka  të ardhur edhe nga Vukli e Nikçi.  Në vitin 1890  njihet dimerimi i parë i një familje, e cila doli në Vermosh për arësye shëndetsore, dhe nuk u kthye më, pasi gjëndja e saj u permirsua. Në Kelmend qarkullon edhe një gojdhënë tjetër e cila thotë se një shtepi e madhe që veronte në Vermosh , kur u kthye (për të dimëruar) në vendbanimin e perhershëm  në Selcë , kishte “harruar” disa sheka me djathë e mazë, dhe një plakë të sëmurë në stanin ku veronin. Kur u kujtuan  per ti marrë atje kishte rënë borë dhe ishte e pamundur , ndaj seljanet duke ditur per shekuj se në Vermosh nuk jetohet në dimer e menduan të vdekur plaken. Mirpo kur doli pranvera dhe filloi të shkrihet bora , ata shkuan te stanet e tyre dhe për çudi gjeten plaken shëndosh e mirë, gjë që i bindi se në Vermosh jetohet në çdo stinë. Pas kesaj thuhet se në Vermosh filluan të “ngulen” familjet e para me banim të perhershëm… Gjithësesi të jenë e verteta , në vitin 1895 fshati kishte 12 shtepi , ndersa në vitin 1909  bëhet kryeqendra e bajrakut të  Selcës . Gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut  Vermoshi arrinë në  35 shtepi..5.  5.Kolë Progni  , po aty ,fq.92. Për këtë Perlë klimaterike të  alpeve shqiptare kanë shkruar edhe shumë studiues të huaj, ku në  po shkëpusim vetëm një fragment nga studiuesi italian Fulvio Kordinjano, i cili ndër të tjera do të shkruante : “..Vermoshi  ka qënë veçse një vend kullotash, pothuajse 1000 metra mbi nivelin e detit… Lugina e Vermoshit  është një nga më të bukurat dhe më të shendetshmet  e Shqiperisë së Eperme , e rrethuar nga dy faqe mali të mëdha Alpine , të cilat mbulohen  nga pyje ahu e bredhi shumë të  bukura. Lugina të shpie në Lugun e Gucinjes , prej së ciles  ndahet nga qafa e Vjedernikut. Mund të thuhet së  Vermoshi është  kurora mbreterore e Shqiperisë..   Gjithmon ka qënë mollë sherri me sllavin që e ka pasur në kufi  dhe kerkonte t’ia  vidhte , gjë që do të thoshte  të lije Shqiperinë pa Xhevahirin e saj më të bukur..”.6.  6.Fulvio Cordignano ,”SHQIPERIA” Permes vepres  dhe shkrimeve te misionarit te madh  At Domenico Pazi  (1847 – 1914 ,pj.II ,fq.88. Emri i Vermoshit është disi i vonë , pasi ai nuk gjindet në regjistrat  e kadastres  së viteve 1416-1417 (të Venedikut) , e as në ato të  viteve 1485 , 1582  (të Otomaneve) , madje  mendohet se emri  i  Vermoshit ka lidhje  me fjalën VERIM, pasi këto troje kanë qënë  vende ku kalohej Vera  e banorve të Selcës etjrë. Gjithashtu duke parë se kjo bjeshkë  sjellte shendet  per të gjitha moshat  që  veronin ketu , fjales VERIM  ndër mote ju “shtua” fjala tjeter MOSHË…gjë që ka sjellë deri në ditet tona toponimin  Vermosh,. Vermoshi (Verim për të gjitha moshat), është toponim me prejardhje të paster shqiptare.. Vermoshi sot  në fillimet e shekullit XXI është fshati  më  i banuar i Kelmendit . Sipas zyrës së gjendjes civile (janar 2009) Vermoshi ka 1460 banore, ( realisht sot (2022) nuk banojnë rreth gjysma, pasi  janë në emigracion). Vlen të kujtohet se  vet Treva , Mali  apo Bajraku i Kelmendit  është një mrekulli natyrore , e “kombinuar” me  mrekullit  njerzore ,të banoreve  autokton që  popullojnë  këto  troje. Në Kelmend gjinden gojdhëna  e studime per lidhjen e  emrit të treves me Shën Klementin I , zevendesi i III i Shën Pjetrit (90-101) , me  keshtjellen Klementiana etjerë që  duan një studim të veçant , e deri tek ajo çfarë shkruan një studiues francez që prejardhjen e emrit të Kelmendit e mendon se vjen nga  një burrë i njohur në histori si  KOLE  MENDI , ose Kola i  mençur…7.  7.Hyacinthe  Hecquard ,Historia dhe Pershkrimi i Shqiperise  Eperme ose i Gegerise , fq.176.

KELMENDI ÇERDHE E PAMPOSHTUR LIRIE

Kelmendi ka qenë edhe një  çerdhe e pamposhtur lirie, ku zogjtë e shqipes gjetën strehen e tyre të perhershme në vitet e luftrave e kryengritjeve që nuk ju ndanë kësaj toke  për shekuj… Këtë e pershkruan mrekullisht edhe Ipeshkevi famëmadh Pjeter Bogdani në një relacion që i dërgonte Selisë Shenjtë (Romë) në vitin 1685, ku ndër të tjera shkruante: “..Kelmendi është një  kështjelle natyrore, me një popullsi monolite nga tre pikpamje : banoret e tij janë të gjithë shqiptarë , të gjithë katolike dhe të gjithë luftetarë…”.  Si simbol të kësaj  qëndrese heroike mund të kujtojmë  Noren e Kelmendit, që thuhet se  vrau në çadren e tij Pashain turk. Pastaj vijojmë  me trimin legjendar  Mem Smajlin (1790 -1860), i cili ishte  barrikada e e pa kalueshme  e  fqinjeve shoven-sllav  , që  kërkonin të  grabisnin bjeshket e Vermoshit.  Ky  mbrojtës i  trojeve shqiptare jo vetem sa ishte gjallë , por edhe pas vdekjes  ishte tmerri i sllavëve malazez.. Varri  i ketij trimi legjendar  gjindet e nderohet edhe sot në  Bjeshkët e Pojanices  (Vermosh), pasi këtu ishte varrosur sipas  amanetit të tij , që edhe  i vdekur  do të “çohej” nga varri per t’u dalur zot  këtyre trojeve… 

NË SELCË, (bri rruge) në vendin e quajtur  SUKA E MKUSHIT gjindet një memorial i veçant me  emrat e trimave nacionalist që ranë në fushen e betejës, për binomin  Atdhe e Fe kundër pushtuesve shekullore Otoman  me  25 perill 1911..  

NË JAVORR (SELCË), që nga shtatori i vitit 2013 është ndërtuar një memorial që u kushtohet trimave seljanë, që me 13 shtator të vitit 1913, në një luftë të pabesë e të pabarabartë, luftuan me heroizëm në mbrojtje të trojeve të  tyre, kundër një ushtrie të tërë shovene të Malit të Zi. Në memorial janë skalitur edhe disa nga të rënët e kësaj lufte trimërore e heroike.  

NË  TAMAREN, (si qëndër urbane) e rikonstruktuar gjendet memoriali me emra të martirëve  e dëshmorëve  të demokracise, që u ndeshen me kulshedren komuniste… Tamara  si qendër është rindertuar  mrekullisht në vitet e demokracisë… Por pak pa arritur në  qender të  njesisë administrative  të Kelmendit, Tamare ) çdo vizitor mund të  shikojnë edhe  një Urë me një histori rreth 500 vjeçare (Ura e Tamares…). 

NË QËNDËR TË VERMOSHIT, (në Varret familjare), gjinden  të skalitur  varre me emrat e  nacionalistëve  që dhanë jetën në  luftë e perpjekje  kundër diktaturës  

NË VERMOSH në  vitin 1993 u rindertua  shtëpia – muze e  piramides së “gjallë” të kufijeve shqiptar Prekë  Cali (por sot kulla…është vetëm një rrënojë gurësh). Ky atdhetar i flakët njihej ndër mote edhe nga Kralnit e Europes, pasi ishte pikrisht, urtësia, trimëria  dhe guximi i Prekë Calit që bënë të mundur mbrojtjen e  Vermoshit,  Kelmendit e më gjërë nga grabitja e fqinjëve  Sllav, në vitet e trishta të  1913- 1926 , kur mjerisht  “hije” të Europës plakë  ishin në krah të  sllaveve jabanxhi , e jo shqiptareve vendali (autokton).  Prekë  Cali ishte ndër të parët që dha edhe kushtrimin se komunizmi në trojet tona dhe të Europes  po vinte si një pushtues e shkatërrues i vlerave mijera- vjeçare të besimit e qytetrimit përendimore.. Komunizmi i pa Fe dhe Atdhe e pushkatoi Prekë  Calin (1945), si mijëra nacionalist e patriot të tjerë shqiptar, duke i lënë edhe pa vorr… 

NJË GOJËDHËNË NËN SHKËMBINJË E RRËNOJA! 

Rreth  gjysëm kilometri larg nga Kisha e Selces, bri rrugës që shkon për në Vermosh, në vendin e quajtur Jasonovë shihet një grumbull i madh gurësh dhe shkembinjësh (me një siperfaqe rreth 7000 m2). Këta shkëmbinjë janë të përmasave të ndryshme, dhe  mbulojnë krejt këtë siperfaqe në një trashësi mesatare  4-5 metra. Shkëmbinjët kanë “zbritur” nga faqja e malit ngjitur, duke rënë si orteqe të mëdha në një kohë “Kjameti”. Sipas një gojëdhene (që gjindet edhe sot te banorët e Kelmendit), mësohet se qindra vite më perpara (mendohet para pushtimit turk të Kelmendit, pra para vitit 1497) këtu banonin dhjetra familje , me lidhje të afërta gjaku, të cilet sipas traditës nuk martoheshin kurrë me njëri tjetrin. Mirpo një ditë dy të rinjë e thyejnë këtë “tabu”, dhe pasi dashurohen vendosin të martohen. Opinioni i banorëve këtu dhe prifti  mundohen ta ndalin këtë inçest, apo flligështi në gjakë siç i thonë malësorët, por kjo ishte e pamunduar. Dy të rinjët e dashuruar caktojnë ditën e dasmës , dhe ftojnë të gjithë  banoret e këtij katundi, (nëse mund t’a quajmë kështu). Në atë dasëm nuk pranoi të shkojnë vetëm prifti dhe kovaçi. Diku nga mesi dasmes, (mendohet të ketë qënë natën), në mënyrë të befasishme nga lartësitë e malit përballë filluan të shkeputen gurë e shkembinjë të mëdhenjë që u ngjanin orteqeve gjigande, të cilet vershuan mbi shtëpinë e oborrin ku bëhej dasma dhe shtëpiat e tjera, ku në pak minuta gjithshka u rrafshua e u mbulua nga ata shkëmbinjë që shohim sot. Thuhet se shpëtuan gjallë vetëm prifti dhe kovaçi që nuk kishin shkuar në dasëm , ndërsa të tjeret as nuk u panë  as dëgjuan kurrë më. I vetmi zë jete nën këta shkembinjë e rrënoja kishte mbetur për pakë ditë “kënga” e një gjeli që thuhet se “kendoi” deri sa kishte  ushqim, e pastaj edhe ky zë ia  ka lënë vendin heshtjes së amshueme për shekuj, heshtje e cila vijon të qëndrojë edhe sot nën shkembinjë e rrënoja.. Sipas gojëdhënes edhe sot “besohet” se ky ka qënë një ndeshkim i vetë Zotit, për të gjithë ata që bënë apo mbështeten këtë flligështi brenda një gjaku, fisi apo të afërmëve, gjë që nuk e lejonte as feja dhe as morali kristian… Gjithsesi kjo është  një gojëdhënë që ende deri sot qendron e pa eksploruar ,“nën” këta shkëmbinjë e rrënoja…8.  8.Kjo gojëdhënë “qarkullon” edhe sot ndër banorë të vjetër të Selcës e Kelmendit, megjithse gojëdhëna mund të tregohet edhe në ndonjë “variant” ndryshe, por unë zgjodha këtë që më ngjasoj më e besueshme.

MREKULLI  NATYRORE… 

Lumi i Vermoshit me gjatësi 20.7 km , me një shtrirje interesante nga Perendimi në Lindje, me një shtrat  të ceket dhe pjerrësi 2.3 gradë. Mendohet se ky  lum ka “mbirë” vonë në keto troje dhe përbëhet nga shumë deg-burime. Në peisazhin  natyror të Vermoshit dallohen edhe Lugu i “varur” i Skropatushes. Lugu pa dalje i Dolit dhe Cirku i Smutiroges, shkembinjtë e “rrudhosur” gjatë rrugës për në  Lëpush, Shpella  Karstike e Jacicës, Lugu i Lerthit , i Viles , lugu i Niles etj…9.  9.Kolë Progni ,po aty fq.90. Vermoshi në pergjithësi është një vend ku ka shumë burime (gurra apo kroje) të ujit të pijshëm me vlera e cilesi të mrekullueshme që nuk shterrojnë kurrë. Shumë nga keto burime uji kanë ardhur deri në ditet tona si homonime (me emra  njerzish apo fisesh), etjerë. Të gjitha këto burime uji janë të mrekullushme, por unë mendova të dalloj vetëm dy, për veçorit  e papërsëristeshme të “epiteteve” popullore që trashigojnë : Gurra  e Smutiroges që ka ujë  të shëndetshëm për Femrat, dhe  Gurra e  Seferçes  me ujin e shëndetshëm per Burrat… Per ëeto dy burime uji sot thuhet se janë pije energjike natyrale shumë më të  vlefshme se ato industriale, janë  një REDBULL bio , që  lumë kush e shijon…Të gjitha ata  që do të kenë fatin të verojnë në Vermosh, kanë mundesi (për pak km) të bëhen “protagonist” për të parë e shijuar  një eveniment artistik e kulturore  të trashiguar prej shekujsh nga  treva e Kelmendit, i njohur në histori  me  emrin ”LOGU I BJESHKEVE”.  Ky eveniment me karakter të theksuar festiv zhvillohet në  vendin e quajtur “Qafa e Predelecit” (fshati Lepushë, perla e alpeve shqiptare), jo shumë larg Vermoshit. Sot në Qafë të Predelecit ka një farë infrastrukture. Dikur  ky vend ka sherbyer edhe për  kuvendet e mbarë kelmendasve e më gjërë , por këtu historia ka shënuar edhe luftra e beteja antiosmane të kelmendasve. Qafa e Predelecit ndër shekuj ka qënë edhe vendi i festimit të pervitshem të festes fetare Shna Prendes (26 korrik), ku me këtë rast është kënduar, kercyer e janë zhvilluar lojra popullore etjerë. Mbasi ky eveniment është zhvilluar  në periullen e verimit në bjeshkë  është  quajtur “Logu i Bjeshkeve”. Veshja e burrave dhe grave ka qënë  gjithnjë me kostume kombëtare.  Gjatë manifestime, ndër mote filloi edhe konkurimi për kostumet dhe bukurin e femrave e meshkujve, që merrnin pjesë në Logun e Bjeshkëve.. Në ditët e sotme ky manifestim ka fituar shumë  elemente të qytetrimit bashkohorë përendimor ,ku me i spikaturi është  momenti i perzgjedhjes të  bukurisë së Logut të Bjeshkeve që tashma njihet  me “emrin” MIS  BJESHKA… Por pa humbur vlerat e veçanta të antikes (veshjet kombëtare, xhubletën e xhakçirët etj..).  Për të gjitha ata që  duan të gjejnë edhe prehje shpirtërore tek Besimi Kristian në Vermosh që nga viti  1996 është ndertuar një kishë mjaftë e bukur e moderne që i kushtohet  Shen Gjon Pagëzuesit…

Në Vermosh  çdo vizitor  gjenë mikpritjen e bujarinë e pa cenuar  nga kohërat. Gjenë produkte orgjinale – blgtorale si ; mishin e fresket , qumshtin me nenproduktet e tij , kosin, djadhin, gjalpin e tjer. Gjenë produkte bujqesore te njohura si Pataten e Vermoshit e deri  Rakin e Kumbullës. Për  turistet apo vizitoret gjuetarë ,Vermoshi është një park natyrore gjuetie i pasur me  kafshë e shpendë të egra nga me të ndryshmet. Gjithashtu edhe  adhuruesit e bimësisë  apo botonistet, në Vermosh e më gjërë mund të gjejnë  bimë të shumta për nga llojet , bukuria e vlerat qofshin edhe ato kurative…Vermoshi si vend klimaterik e turistik la qënë disi i virgjer, e këtë virgjëri  ja  ka “ruajtur” edhe infrastruktura jo e pershtatëshme, kryesisht ajo rrugore  deri para pak viteve, kur u rindertua dhe asfaltua rruga  e Kelmendit që shkon deri në Vermosh. Tashma kjo rrugë  ka permasa  dhe konstruk bashkohor për  terrene të  tilla. Aktualisht  në Vermosh e më gjërë në Kelmend banorët vendas kanë krijuar kushte që të presin pushues apo turist të ndryshem për periudhen e verës, (por edhe stinëve të tjera) që me gjuhen e sotme quhet “Turizem Familjare”, si dhe janë ndërtuar  disa hotele e resorte të tjera, që mund ti shijojnë kushdo që viziton  këtë perlë klimaterike të Malësisë e Shqiperisë.. . Gjithashtu kujtojmë se në Vermosh e për-rreth ekziston edhe mundesia e  zhvillimit të aktiviteteve të tjera si alpinizem, gjyeti të kafshëve dhe shpendëve të egra  (kur lejohet), si dhe Ski  (në dimer) etjerë…  

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 885
  • 886
  • 887
  • 888
  • 889
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT