Marjeta Caridha, mësuese në shkollën shqipe “Shkolla ABC” në Peabody, Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Peabody, Boston, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen Marjeta Caridha bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ÇUNAT E BOSTONIT”
Në Shtator të vitit 2023, Albanian Boston Community Center “Çunat e Bostonit” hapi shkollën shqipe “Shkolla ABC” (Albanian Boston Community) me drejtuesit e përkushtuar: Ardi Bocova, Zenel Lala, Aleko Pasha, Artur Bocova, Klevis Qyeasi, të cilët meritojnë vlerësime e respekt për kontributin patriotit për fëmijët shqiptarë. “Shkolla ABC” synon për të ndihmuar fëmijët e bashkatdhetarve në mesimin e gjuhës shqipe. Synimi i shkollës shqipe është ruajtja e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare edhe pse ndodhemi kilometra larg vendlindjes, duke folur, recituar, kënduar në gjuhën e bukur, gjuhë të cilën do mundohemi ta ruajmë e ta trashëgojmë tek brezat e ardhshëm edhe këtu në tokë të huaj. Kemi interes të fëmijeve, prindërve dhe fal bashkëpunimit prind-nxenës-mësues jemi përpjekur të vendosim për atë ç’ka është më e mirë për fëmijët dhe kjo është një garanci, për të ardhmen e gjuhës shqipe.
KURRIKULA MËSIMORE
Duke u mbeshtetur në Kurrikulen në Arsim, në Republikën e Shqipërisë, jam përqendruar tek mësimdhenia me baze kompetënce dhe mësimdhenia me në qendër nxënësin. Ndërlidhja e tyre ka në fokus nxënësin dhe procesin e të nxënit. Për ta bërë mësimin sa më tërheqës, përdor teknika dhe metoda që ngjallin interes dhe që janë më të asimilueshme nga fëmijët. Metoda ‘Hap Pas Hapi’, e cila në bazë ka integrimin dhe të mësuarit përmes lojës është tepër efektive dhe ndikon në zhvillimin e aftësive folëse, aftësive lexuese, shkruese, që në mesimin e gjuhës shqipe janë të domosdoshme. Duke qenë se lojërat janë një pjesë aktive shumë e pëlqyer për fëmijët, përpiqem të futem thellë në botën e tyre, me anë të lojërave të ndryshme për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe. Mësimi zhvillohet 1 herë në jave, ditën e shtunë në 2 orë mësimore me një pushim në mes. Gjatë pushimit qëndra ofron për fëmijët lojëra, snacks si dhe këngë e valle shqiptare. Kemi krijuar 2 klasa sipas grup moshave të fëmijëve.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SE IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË AMERIKË
Duke patur parasysh ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptareve në USA, jam përpjekur të krijoj një ambjent sa me edukativ në klasë. Atë ambjent klase që krijoja në Shqipëri, e krijova edhe këtu në Amerike duke u munduar që të ketë sa me shumë ngjashmëri me shkollat tona. E ku ka me bukur që fëmijët të shohin në muret e klasës simbolet kombëtare të Shqipërisë, pasi dihet që simbolet kombëtare janë pasqyrë e kulturës, historisë dhe identitetit të kombit shqiptar. Gjithashtu kam prezantuar në muret e klasës thënie të mençura të mendimtareve në lidhje me gjuhën shqipe, të cilat pasi janë shpjeguar nga mësuesja, lexohen nga nxenësit, duke synuar që të edukohet tek fëmijët ndjenja e atdhedashurisë. Dhe ajo që përbën thelbin e gjuhës shqipe. Alfabeti i Gjuhës Shqipe është vendosur në mur, për t’u dalluar sa më qartë nga nxënësit. Ajo që është më e bukur dhe është për t’u veçuar, është se në klasat tona mësimi nis duke kënduar Himnin Kombetar, tekstin e së cilës ia kam bashkangjitur në librin e Abetares, për ta mësuar. Është e mrekulleshme, ndjenja që përjeton teksa sheh fëmijët, që janë lindur e rritur në Amerikë me atë theksin e gjuhës angleze të këndojnë me aq dëshirë e krenari Himnin Kombëtar. Me fëmijët kemi organizuar festa të ndryshme si 28-29 Nëntori, Krishtlindjet, Festa e Mesuesit e Nënës etj. Gjithashtu duke iu përshtatur vendit ku jetojmë, kemi festuar HalloWeen, ditën e Falenderimeve duke përcjellë mesazhe të paraqitura në forma dhe mënyra të ndryshme.
MËSIMI SHQIP FALAS
Nga organet shetërore nuk kemi pasur bashkëpunim. Kontributi më i madh ka qenë nga anëtarët e organizatës që mbështësin qendrën tonë çdo ditë. Në jemi aq të përkushtuar për gjuhën shqipe sa të gjitha shpenzimet në lidhje me shkollën mbulohen nga të ardhurat e organizatës. Të gjithë fëmijët e anëtareve të qendrës e kanë shkollen falas pa asnjë detyrim.
KUSH ËSHTË MËSUESE MARJETA CARIDHA?
Quhem Marjeta Caridha. Kam lindur në Elbasan dhe kam përfunduar studimet si mësuese ‘Cikli i Ulët’ në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan. E kam ushtruar këtë profesion për 30 vjet edhe kam punuar si mësuese në ciklin fillor në shkollën Qamil Guranjaku në Elbasan. Jam kualifikuar në katërgorinë e pare si ‘Mësues Mjeshtër’. Jam trajnuar në nivelin e parë sipas metodologjise ‘Hap Pa Hapi’. Kam kryer trajnime të ndryshme që lidhen me punën time si mësuese ku jam certifikuar. Aktivitetin tim si mësuese e kam vazhduar deri në Nëntor 2022, deri sa më pas u shpërngula për të ardhur në Amerikë. E them me krenari, se ndihem e privilegjuar që kam çelur rrugën e dijes për shumë fëmijë dhe akoma më me fat, t’u mësoj gjuhën shqipe fëmijëve të bashkatdhetarëve edhe përtej oqeanit. Falenderoj Federatën Pan- Shqiptare Vatra që nëpërmjet gazetës “Dielli” na dha mundësinë për të promovuar Shkollën Shqipe këtu në Peabody. Falenderoj drejtuesit e Albania Boston Community “Çunat e Bostonit” që na kanë krijuar komoditet dhe kushte të favorshme për zhvillimin e mësimit. Falënderoj përzemërsisht të gjithë prindërit, që kanë zgjedhur shkollën “Çunat e Bostonit” për t’u mësuar fëmijëve Gjuhën tonë të bukur Shqipe.