(Vështrim historiko-turistik)
NGA NDUE BACAJ
Vermoshi është një ndër mrekullit natyrore e klimaterike, që Hyji e krijoj në trojet Ilire (të Malësise së Madhe) që në agimin e jetes…Vermoshi i ngjan një amfiteateri të madh natyrore që i ka të gjitha resurset per të qënë i tillë : Ka fushen (rrafshnalten) e veshur me barin e bimesin natyrale që të mrekullon syrin ,e shpesh quhet “ari i gjelbert” (kjo është lugina e Vermoshit që ndahet permes nga lumi me të njëjtin emër). Ka dy “Tribunat “ e mëdha që janë : Në Veri kurrizi malor i Marlules, në Jug Kurrizi malor i Viles edhe keto të veshura me pyje e bimësi të shumllojëshme.. Vermoshi karakterizohet nga një klimë e fresket me ajër të pastër , që e shijon çdo njeri që kerkon të “largohet” veçanarisht nga zagushia e stines së Veres…
TË DHENA TË SHKURTERA GJEOGRAFIKE , KLIMATERIKE E TJER..
Vermoshi gjindet në veri të Shqipërisë politike (1913) në një distancë prej 84 km nga qyteti i Koplikut, dhe është “koka” e Flamurit, Malit , apo sot Njësisë Administrative Kelmend. Lartësia e luginës (qëndrës së banuar) është rreth 1000 metra mbi nivelin e detit . Gjatësia e lugines rreth 20 km, dhe gjerësia afërsisht kap vlerën e 1 km. Gjërësia gjeografike e Vermoshit është 42 grad e 39 minuta.1. 1.Vjetari statistikor i vitit, Shkoder 1986, fq.19. Pika me e larte ne Vermosh është ajo e malit te Marlules me 2188 m mbi nivelin e detit.2. 2.Vjetari statistikor…po aty fq.22. KLIMA në Vermosh është disi më e veçantë se e Kelmendit në pergjithsi. Kelmendi përfshihet në zonën mesdhetare, malore-veriore , ndersa Vermoshi merr nuanca kontinentale malore, me një dimer..shumë të ftohtë dhe verë… mjaftë të fresket, për shkak të ndikimit të ajrit kontinental nëpërmjet grykdaljes se pellgut nga lindja, të lartësisë së madhe mbi det dhe të mbulesës së dendur me pyje… Mesatarja e janarit si muaji më i ftohtë në Vermosh është rreth -3 deri në -5 gradë celcius, ndërsa temperatura më e lartë në muajt e Veres shkon 14– 16 gradë celcius… Rreshjet në Vermosh (në luginë) kapin mesataren vjetore 2021.7 mm, ndërsa në male rreshjet kanë një shifer shumë më të lartë që shkon nga 2500 – 3500 mm në vite.3. 3.Kol Progni, ”Kelmendi’ monografi ,fq.30-31. Siç shihet edhe vetë sasia e madhe e rreshjeve në male (rreth luginës së Vermoshit) në muajt e Veres influencon që në këtë zonë të kemi një temperaturë të freskët gjatë muajve të nxehtë , duke krijuar një mikroklim me vlera për këtë trevë (klimaterike).
TË DHËNA HISTORIKE .. Vermoshi sipas shumë studiuesve , ka qënë një vend jo i perhershem banimi, por vetem bjeshkë verimi për banorët e vendbanimeve të Kelmendit, e veçanarisht të atyre të Selcës… Madje një studiues shqiptar (në dekadat e para të shekullit XX) shkruante se: “Vermoshi ishte më e bukura Bjeshkë… e Selcës … shtrihet në një luginë fushore me ara e livadhe, një lum e përshkon për së gjati… Per me i dalë në fund e në krye bëhët një orë e gjysem..”.4. 4.At Gjon Karma , NDËR MALET TONA ..fq.237. Por ka edhe nga ata që mendojnë se Vermoshi ka qënë i banuar edhe para pushtimit turk, por klima e ftohtë i detyroi banorët të largohen për në Kosovë… Ky mendim gjenë “mbështetje” vetëm në disa varreza të paidentifikuara në Velipoj (të Vermoshit) . Kurse banorët e sotem kanë ardhur kryesisht nga Selca , por ka të ardhur edhe nga Vukli e Nikçi. Në vitin 1890 njihet dimerimi i parë i një familje, e cila doli në Vermosh për arësye shëndetsore, dhe nuk u kthye më, pasi gjëndja e saj u permirsua. Në Kelmend qarkullon edhe një gojdhënë tjetër e cila thotë se një shtepi e madhe që veronte në Vermosh , kur u kthye (për të dimëruar) në vendbanimin e perhershëm në Selcë , kishte “harruar” disa sheka me djathë e mazë, dhe një plakë të sëmurë në stanin ku veronin. Kur u kujtuan per ti marrë atje kishte rënë borë dhe ishte e pamundur , ndaj seljanet duke ditur per shekuj se në Vermosh nuk jetohet në dimer e menduan të vdekur plaken. Mirpo kur doli pranvera dhe filloi të shkrihet bora , ata shkuan te stanet e tyre dhe për çudi gjeten plaken shëndosh e mirë, gjë që i bindi se në Vermosh jetohet në çdo stinë. Pas kesaj thuhet se në Vermosh filluan të “ngulen” familjet e para me banim të perhershëm… Gjithësesi të jenë e verteta , në vitin 1895 fshati kishte 12 shtepi , ndersa në vitin 1909 bëhet kryeqendra e bajrakut të Selcës . Gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut Vermoshi arrinë në 35 shtepi..5. 5.Kolë Progni , po aty ,fq.92. Për këtë Perlë klimaterike të alpeve shqiptare kanë shkruar edhe shumë studiues të huaj, ku në po shkëpusim vetëm një fragment nga studiuesi italian Fulvio Kordinjano, i cili ndër të tjera do të shkruante : “..Vermoshi ka qënë veçse një vend kullotash, pothuajse 1000 metra mbi nivelin e detit… Lugina e Vermoshit është një nga më të bukurat dhe më të shendetshmet e Shqiperisë së Eperme , e rrethuar nga dy faqe mali të mëdha Alpine , të cilat mbulohen nga pyje ahu e bredhi shumë të bukura. Lugina të shpie në Lugun e Gucinjes , prej së ciles ndahet nga qafa e Vjedernikut. Mund të thuhet së Vermoshi është kurora mbreterore e Shqiperisë.. Gjithmon ka qënë mollë sherri me sllavin që e ka pasur në kufi dhe kerkonte t’ia vidhte , gjë që do të thoshte të lije Shqiperinë pa Xhevahirin e saj më të bukur..”.6. 6.Fulvio Cordignano ,”SHQIPERIA” Permes vepres dhe shkrimeve te misionarit te madh At Domenico Pazi (1847 – 1914 ,pj.II ,fq.88. Emri i Vermoshit është disi i vonë , pasi ai nuk gjindet në regjistrat e kadastres së viteve 1416-1417 (të Venedikut) , e as në ato të viteve 1485 , 1582 (të Otomaneve) , madje mendohet se emri i Vermoshit ka lidhje me fjalën VERIM, pasi këto troje kanë qënë vende ku kalohej Vera e banorve të Selcës etjrë. Gjithashtu duke parë se kjo bjeshkë sjellte shendet per të gjitha moshat që veronin ketu , fjales VERIM ndër mote ju “shtua” fjala tjeter MOSHË…gjë që ka sjellë deri në ditet tona toponimin Vermosh,. Vermoshi (Verim për të gjitha moshat), është toponim me prejardhje të paster shqiptare.. Vermoshi sot në fillimet e shekullit XXI është fshati më i banuar i Kelmendit . Sipas zyrës së gjendjes civile (janar 2009) Vermoshi ka 1460 banore, ( realisht sot (2022) nuk banojnë rreth gjysma, pasi janë në emigracion). Vlen të kujtohet se vet Treva , Mali apo Bajraku i Kelmendit është një mrekulli natyrore , e “kombinuar” me mrekullit njerzore ,të banoreve autokton që popullojnë këto troje. Në Kelmend gjinden gojdhëna e studime per lidhjen e emrit të treves me Shën Klementin I , zevendesi i III i Shën Pjetrit (90-101) , me keshtjellen Klementiana etjerë që duan një studim të veçant , e deri tek ajo çfarë shkruan një studiues francez që prejardhjen e emrit të Kelmendit e mendon se vjen nga një burrë i njohur në histori si KOLE MENDI , ose Kola i mençur…7. 7.Hyacinthe Hecquard ,Historia dhe Pershkrimi i Shqiperise Eperme ose i Gegerise , fq.176.
KELMENDI ÇERDHE E PAMPOSHTUR LIRIE
Kelmendi ka qenë edhe një çerdhe e pamposhtur lirie, ku zogjtë e shqipes gjetën strehen e tyre të perhershme në vitet e luftrave e kryengritjeve që nuk ju ndanë kësaj toke për shekuj… Këtë e pershkruan mrekullisht edhe Ipeshkevi famëmadh Pjeter Bogdani në një relacion që i dërgonte Selisë Shenjtë (Romë) në vitin 1685, ku ndër të tjera shkruante: “..Kelmendi është një kështjelle natyrore, me një popullsi monolite nga tre pikpamje : banoret e tij janë të gjithë shqiptarë , të gjithë katolike dhe të gjithë luftetarë…”. Si simbol të kësaj qëndrese heroike mund të kujtojmë Noren e Kelmendit, që thuhet se vrau në çadren e tij Pashain turk. Pastaj vijojmë me trimin legjendar Mem Smajlin (1790 -1860), i cili ishte barrikada e e pa kalueshme e fqinjeve shoven-sllav , që kërkonin të grabisnin bjeshket e Vermoshit. Ky mbrojtës i trojeve shqiptare jo vetem sa ishte gjallë , por edhe pas vdekjes ishte tmerri i sllavëve malazez.. Varri i ketij trimi legjendar gjindet e nderohet edhe sot në Bjeshkët e Pojanices (Vermosh), pasi këtu ishte varrosur sipas amanetit të tij , që edhe i vdekur do të “çohej” nga varri per t’u dalur zot këtyre trojeve…
NË SELCË, (bri rruge) në vendin e quajtur SUKA E MKUSHIT gjindet një memorial i veçant me emrat e trimave nacionalist që ranë në fushen e betejës, për binomin Atdhe e Fe kundër pushtuesve shekullore Otoman me 25 perill 1911..
NË JAVORR (SELCË), që nga shtatori i vitit 2013 është ndërtuar një memorial që u kushtohet trimave seljanë, që me 13 shtator të vitit 1913, në një luftë të pabesë e të pabarabartë, luftuan me heroizëm në mbrojtje të trojeve të tyre, kundër një ushtrie të tërë shovene të Malit të Zi. Në memorial janë skalitur edhe disa nga të rënët e kësaj lufte trimërore e heroike.
NË TAMAREN, (si qëndër urbane) e rikonstruktuar gjendet memoriali me emra të martirëve e dëshmorëve të demokracise, që u ndeshen me kulshedren komuniste… Tamara si qendër është rindertuar mrekullisht në vitet e demokracisë… Por pak pa arritur në qender të njesisë administrative të Kelmendit, Tamare ) çdo vizitor mund të shikojnë edhe një Urë me një histori rreth 500 vjeçare (Ura e Tamares…).
NË QËNDËR TË VERMOSHIT, (në Varret familjare), gjinden të skalitur varre me emrat e nacionalistëve që dhanë jetën në luftë e perpjekje kundër diktaturës
NË VERMOSH në vitin 1993 u rindertua shtëpia – muze e piramides së “gjallë” të kufijeve shqiptar Prekë Cali (por sot kulla…është vetëm një rrënojë gurësh). Ky atdhetar i flakët njihej ndër mote edhe nga Kralnit e Europes, pasi ishte pikrisht, urtësia, trimëria dhe guximi i Prekë Calit që bënë të mundur mbrojtjen e Vermoshit, Kelmendit e më gjërë nga grabitja e fqinjëve Sllav, në vitet e trishta të 1913- 1926 , kur mjerisht “hije” të Europës plakë ishin në krah të sllaveve jabanxhi , e jo shqiptareve vendali (autokton). Prekë Cali ishte ndër të parët që dha edhe kushtrimin se komunizmi në trojet tona dhe të Europes po vinte si një pushtues e shkatërrues i vlerave mijera- vjeçare të besimit e qytetrimit përendimore.. Komunizmi i pa Fe dhe Atdhe e pushkatoi Prekë Calin (1945), si mijëra nacionalist e patriot të tjerë shqiptar, duke i lënë edhe pa vorr…
NJË GOJËDHËNË NËN SHKËMBINJË E RRËNOJA!
Rreth gjysëm kilometri larg nga Kisha e Selces, bri rrugës që shkon për në Vermosh, në vendin e quajtur Jasonovë shihet një grumbull i madh gurësh dhe shkembinjësh (me një siperfaqe rreth 7000 m2). Këta shkëmbinjë janë të përmasave të ndryshme, dhe mbulojnë krejt këtë siperfaqe në një trashësi mesatare 4-5 metra. Shkëmbinjët kanë “zbritur” nga faqja e malit ngjitur, duke rënë si orteqe të mëdha në një kohë “Kjameti”. Sipas një gojëdhene (që gjindet edhe sot te banorët e Kelmendit), mësohet se qindra vite më perpara (mendohet para pushtimit turk të Kelmendit, pra para vitit 1497) këtu banonin dhjetra familje , me lidhje të afërta gjaku, të cilet sipas traditës nuk martoheshin kurrë me njëri tjetrin. Mirpo një ditë dy të rinjë e thyejnë këtë “tabu”, dhe pasi dashurohen vendosin të martohen. Opinioni i banorëve këtu dhe prifti mundohen ta ndalin këtë inçest, apo flligështi në gjakë siç i thonë malësorët, por kjo ishte e pamunduar. Dy të rinjët e dashuruar caktojnë ditën e dasmës , dhe ftojnë të gjithë banoret e këtij katundi, (nëse mund t’a quajmë kështu). Në atë dasëm nuk pranoi të shkojnë vetëm prifti dhe kovaçi. Diku nga mesi dasmes, (mendohet të ketë qënë natën), në mënyrë të befasishme nga lartësitë e malit përballë filluan të shkeputen gurë e shkembinjë të mëdhenjë që u ngjanin orteqeve gjigande, të cilet vershuan mbi shtëpinë e oborrin ku bëhej dasma dhe shtëpiat e tjera, ku në pak minuta gjithshka u rrafshua e u mbulua nga ata shkëmbinjë që shohim sot. Thuhet se shpëtuan gjallë vetëm prifti dhe kovaçi që nuk kishin shkuar në dasëm , ndërsa të tjeret as nuk u panë as dëgjuan kurrë më. I vetmi zë jete nën këta shkembinjë e rrënoja kishte mbetur për pakë ditë “kënga” e një gjeli që thuhet se “kendoi” deri sa kishte ushqim, e pastaj edhe ky zë ia ka lënë vendin heshtjes së amshueme për shekuj, heshtje e cila vijon të qëndrojë edhe sot nën shkembinjë e rrënoja.. Sipas gojëdhënes edhe sot “besohet” se ky ka qënë një ndeshkim i vetë Zotit, për të gjithë ata që bënë apo mbështeten këtë flligështi brenda një gjaku, fisi apo të afërmëve, gjë që nuk e lejonte as feja dhe as morali kristian… Gjithsesi kjo është një gojëdhënë që ende deri sot qendron e pa eksploruar ,“nën” këta shkëmbinjë e rrënoja…8. 8.Kjo gojëdhënë “qarkullon” edhe sot ndër banorë të vjetër të Selcës e Kelmendit, megjithse gojëdhëna mund të tregohet edhe në ndonjë “variant” ndryshe, por unë zgjodha këtë që më ngjasoj më e besueshme.
MREKULLI NATYRORE…
Lumi i Vermoshit me gjatësi 20.7 km , me një shtrirje interesante nga Perendimi në Lindje, me një shtrat të ceket dhe pjerrësi 2.3 gradë. Mendohet se ky lum ka “mbirë” vonë në keto troje dhe përbëhet nga shumë deg-burime. Në peisazhin natyror të Vermoshit dallohen edhe Lugu i “varur” i Skropatushes. Lugu pa dalje i Dolit dhe Cirku i Smutiroges, shkembinjtë e “rrudhosur” gjatë rrugës për në Lëpush, Shpella Karstike e Jacicës, Lugu i Lerthit , i Viles , lugu i Niles etj…9. 9.Kolë Progni ,po aty fq.90. Vermoshi në pergjithësi është një vend ku ka shumë burime (gurra apo kroje) të ujit të pijshëm me vlera e cilesi të mrekullueshme që nuk shterrojnë kurrë. Shumë nga keto burime uji kanë ardhur deri në ditet tona si homonime (me emra njerzish apo fisesh), etjerë. Të gjitha këto burime uji janë të mrekullushme, por unë mendova të dalloj vetëm dy, për veçorit e papërsëristeshme të “epiteteve” popullore që trashigojnë : Gurra e Smutiroges që ka ujë të shëndetshëm për Femrat, dhe Gurra e Seferçes me ujin e shëndetshëm per Burrat… Per ëeto dy burime uji sot thuhet se janë pije energjike natyrale shumë më të vlefshme se ato industriale, janë një REDBULL bio , që lumë kush e shijon…Të gjitha ata që do të kenë fatin të verojnë në Vermosh, kanë mundesi (për pak km) të bëhen “protagonist” për të parë e shijuar një eveniment artistik e kulturore të trashiguar prej shekujsh nga treva e Kelmendit, i njohur në histori me emrin ”LOGU I BJESHKEVE”. Ky eveniment me karakter të theksuar festiv zhvillohet në vendin e quajtur “Qafa e Predelecit” (fshati Lepushë, perla e alpeve shqiptare), jo shumë larg Vermoshit. Sot në Qafë të Predelecit ka një farë infrastrukture. Dikur ky vend ka sherbyer edhe për kuvendet e mbarë kelmendasve e më gjërë , por këtu historia ka shënuar edhe luftra e beteja antiosmane të kelmendasve. Qafa e Predelecit ndër shekuj ka qënë edhe vendi i festimit të pervitshem të festes fetare Shna Prendes (26 korrik), ku me këtë rast është kënduar, kercyer e janë zhvilluar lojra popullore etjerë. Mbasi ky eveniment është zhvilluar në periullen e verimit në bjeshkë është quajtur “Logu i Bjeshkeve”. Veshja e burrave dhe grave ka qënë gjithnjë me kostume kombëtare. Gjatë manifestime, ndër mote filloi edhe konkurimi për kostumet dhe bukurin e femrave e meshkujve, që merrnin pjesë në Logun e Bjeshkëve.. Në ditët e sotme ky manifestim ka fituar shumë elemente të qytetrimit bashkohorë përendimor ,ku me i spikaturi është momenti i perzgjedhjes të bukurisë së Logut të Bjeshkeve që tashma njihet me “emrin” MIS BJESHKA… Por pa humbur vlerat e veçanta të antikes (veshjet kombëtare, xhubletën e xhakçirët etj..). Për të gjitha ata që duan të gjejnë edhe prehje shpirtërore tek Besimi Kristian në Vermosh që nga viti 1996 është ndertuar një kishë mjaftë e bukur e moderne që i kushtohet Shen Gjon Pagëzuesit…
Në Vermosh çdo vizitor gjenë mikpritjen e bujarinë e pa cenuar nga kohërat. Gjenë produkte orgjinale – blgtorale si ; mishin e fresket , qumshtin me nenproduktet e tij , kosin, djadhin, gjalpin e tjer. Gjenë produkte bujqesore te njohura si Pataten e Vermoshit e deri Rakin e Kumbullës. Për turistet apo vizitoret gjuetarë ,Vermoshi është një park natyrore gjuetie i pasur me kafshë e shpendë të egra nga me të ndryshmet. Gjithashtu edhe adhuruesit e bimësisë apo botonistet, në Vermosh e më gjërë mund të gjejnë bimë të shumta për nga llojet , bukuria e vlerat qofshin edhe ato kurative…Vermoshi si vend klimaterik e turistik la qënë disi i virgjer, e këtë virgjëri ja ka “ruajtur” edhe infrastruktura jo e pershtatëshme, kryesisht ajo rrugore deri para pak viteve, kur u rindertua dhe asfaltua rruga e Kelmendit që shkon deri në Vermosh. Tashma kjo rrugë ka permasa dhe konstruk bashkohor për terrene të tilla. Aktualisht në Vermosh e më gjërë në Kelmend banorët vendas kanë krijuar kushte që të presin pushues apo turist të ndryshem për periudhen e verës, (por edhe stinëve të tjera) që me gjuhen e sotme quhet “Turizem Familjare”, si dhe janë ndërtuar disa hotele e resorte të tjera, që mund ti shijojnë kushdo që viziton këtë perlë klimaterike të Malësisë e Shqiperisë.. . Gjithashtu kujtojmë se në Vermosh e për-rreth ekziston edhe mundesia e zhvillimit të aktiviteteve të tjera si alpinizem, gjyeti të kafshëve dhe shpendëve të egra (kur lejohet), si dhe Ski (në dimer) etjerë…