• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JUP KASTRATI DHE REXHEP QOSJA: MONUMENTE TË KULTURËS KOMBËTARE

September 26, 2024 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Edukimit

Jemi ftuar në këtë panteon të dijes që të flasim për njërën prej personaliteteve më të mëdha të mendimit shkencor të popullit shqiptar: Profesor Rexhep Qosjen dhe veprën e tij. Ne që jemi ftuar dhe sigurisht edhe ju që keni ardhur të dëgjoni, e dini se të flasësh për personalitetin shumëdimensional: qytetar, shkencor, letrar, diturak e kulturor të Profesor Rexhep Qosjes dhe të flasësh për veprën shumështresore të tij, do të thotë të mos mund të kalosh pa theksuar edhe përmendoret e mëdha historike, letrare, kulturore, shkencore, publicistike e intelektuale të veprave të tij: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe romantikët e tjerë; Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Asdrenin, Çajupin, Migjenin dhe shkrimtarët e gjysmës së parë të shekullit XX; Esad Mekulin, Josip Relën, Ismail Kadarenë, Jakov Xoxën, Petro Markon, Sabri Godon dhe shkrimtarë të tjerë të gjysmës së dytë të shekullit XX; Eqrem Çabejn, Idriz Ajetin, Ali Hadrin, Aleks Budën, Androkli Kostallarin, Agim Vincën, Shefkije Islamajn dhe veprat e mëdha të dijes shkencore albanologjike; por jo edhe pa emrat e mëdhenj të historisë kombëtare: Pashko Vasën, Sami Frashërin, Ismail Qemalin, Adem Jasharin, Nënë Terezën, Adem Demaçin etj.; pa bëmat e të cilëve jeta jonë kombëtare nuk do ta kishte këtë histori të lavdishme që e ka.

Ne studiuesit që jemi mbledhur këtu ndërkaq më shumë se të tjerët e dimë se në prill të këtij viti njëri prej miqve të Profesor Qosjes dhe njëri prej studiuesve më të mëdhenj të albanologjisë së shekullit XX, Profesor Jup Kastrati kohë më parë kishte 100-vjetorin e lindjes.

Profesor Jup Kastrati ka lindur në Shkodër, 100 vjet më parë, më 15 prill 1924, qyteti, në të cilin familja e Profesor Qosjes në ditët e vështira të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë gjeti strehim, ndonëse aty ka përjetuar edhe tragjedinë e madhe të dhimbjes së humbjes së familjarëve, por që gjatë gjithë historisë së vuajtjeve nën pushtimin serbo-malazez të shekullit XX, Shkodrën vazhduan ta shohin nga lartë si të vetmin Yll Polar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shkollat ku bënin mësimet e para, në Shkodër a në Vuthaj, Profesor Jup Kastratin dhe Profesor Rexhep Qosjen i formuan që në fëmijëri me vargjet epike të Gjergj Fishtës apo Patër Gjergjit, sikur e shquante Profesor Jup Kastrati, vargjet lirike të Ndre Mjedës dhe vargjet atdhetare të Naim Frashërit. Që të dy vargjet e Fishtës, jo vetëm Lahutën, i recitojnë përmendësh.

A është e rastit pse pas Luftës së Dytë Botërore që të dy do t’i përkushtohen gjuhës dhe letërsisë shqipe, si një përbërës komplementar e themeltar i ndërtimit të identitetit kombëtar, në ato përmasa që atë e përkufizonin rilindësit e frymës së idealeve kombëtare, asaj fryme që do ta krijojë gjuhën, shtetin dhe idealizmën kombëtare të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Epokës idealiste të ndërtimit të shtetit shqiptar. A është e rastit që, ndonëse të ndarë në dy shtete me mure gjembash elektrikë, në vendimet e mëdha historike për gjuhën dhe përkushtimin ndaj saj (Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1972; Konferencën për Mesharin e Gjin Buzukut, Ulqin, 199? etj.), do të gjenden së bashku me praninë fizike, të bashkuar për shqipen moderne, shkencërisht, intelektualisht e shpirtërisht.

Duke shkruar në ditarin e tij Dëshmitar në kohë historike për ditët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, 20-25 nëntor 1972, Profesor Qosja do të shkruaj për shumë personalitete dhe shumë ngjarje të atyre ditëve, e do të shkruaj edhe për takimet me Profesor Jup Kastratin dhe diskutimin e tij në Sesionin B: “Përshtypje të veçantë bëri diskutimi i albanologut nga Shkodra Jup Kastrati. Diskutimi i tij shkaktoi gaz në Kongres kur tha:

– Këtu ka gjuhëtarë që po bëjnë çmos t’i ndjekin e-të e pa zë, por ka edhe gjuhëtarë që po bëjnë çmos, me gojë, me duar e me setra, që t’i mbledhin ato.

Në këtë mënyrë ai shprehu mospajtim me vënien e ë-së, domethënë të e-së të pa zë, edhe në fjalët ku ajo nuk duket e nevojshme.

Sipas të gjitha gjasave, Jup kastrati e vërejti një problem në drejtshkrimin e ri të gjuhës shqipe me të cilin herdokurdo do të jenë të detyruar të merren rishtazi gjuhëtarët shqiptarë” .

Duke shkruar për gjendjen e tij shpirtërore, pas vitit 1981, kohë e përndjekjes politike dhe vuajtjeve intelektuale, si dhe kohë e ndërprerjes së marrëdhënieve politike, arsimore, kulturore e shkencore me Shqipërinë, Profesor Qosja, në ditarin e tij të datës 10 nëntor 1986, veç tjerash do të shkruaj: “Mendja ime sot ka kaluar kufirin e mallkuar dhe ka mbërritur në Shqipëri. Tani për tani është në Tiranë. (…) e ka kaluar kufirin politik mendja ime, tani e pesë vjet të bërë mur kinez ndërmjet shqiptarëve, për të më bërë të mundshme të shihem e të bisedoj: me Aleks Budën, me Eqrem Çabejn, me Mahir Domin, me Kristo Frashërin, me me Luan Omarin, me Arben Puton, me Shaban Demirajn, me Dhimitër S. Shuteriqin, me Dritëro Agollin, me Ismail Kadarenë, me Alfred Uçin, me Zija Xholin, me dalan Shapllon, me Petro Markon, me Jorgo Bulon, me Jup Kastratin, me Muzafer Xhaxhiun, me Vehbi Balen” .

Një ndjenjë malli për intelektualët, shkencëtarët e shkrimtarët, në mesin e të cilëve hynë edhe Profesor Jup Kastrati, Profesor Qosja do ta shprehë edhe në një rast tjetër, megjithëse tani muri kinez ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kishte filluar të shkrihej: Pas pjesëmarrjes së tij në manifestimet e Ditëve të Pavarësisë së Shqipërisë, më 1997 në Tiranë, Profesor Qosja do të jetë i ftuar në një drekë me pjesëmarrës akademikët e shquar Ylli Popa, Luan Omari, Kristo Frashëri e Arben Puto, por në atë drekë me personalitete që ngjajnë në ‘biblioteka lëvizëse’, do t’i mungojnë: “Dhimitër S. Shuteriqi, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Rexhep Mejdani, Alfred Uçi, Jup Kastrati, Kristaq Profti, Dritëro Agolli, Neritan Ceka, Xhevat Lloshi, Paskal Milo, por edhe të ndarë nga jeta: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Androkli Kostallari .

Këtë mall të Profesor Rexhep Qosjes për intelektualët dhe miqtë e tij atje, Profesor Jup Kastrati do t’ia kthej në një mënyrë tjetër dhjetë vjet më vonë, gjatë një takimi në Konferencën shkencore për Mesharin e Gjon Buzukut në Ulqin, për të cilin gjithashtu do të shkruaj Profesor Qosja në ditarin e tij të datës 21 maj 1995:

“Vëllezërit tanë nga Shqipëria më trajtuan me nderim të veçantë. Profesor Jup Kastrati në një çast më tha:

– Jam i lumtur që jemi miq; tani na ka afruar edhe Konica, mbasi monografisë sime për të si parathënie i është vënë edhe studimi yt. Ti je mit në Shqipëri. Je mit jo vetëm për intelektualët e për rininë, por edhe për njerëzit e thjeshtë .

Gjatë një periudhe prej më shumë se gjysmë shekulli Profesor Jup Kastrati ka botuar disa nga kryeveprat e tij dhe disa nga monumentet e mëdha të albanologjisë, në fushë të gjuhës dhe të letërsisë: Histori e gramatologjisë shqiptare (1635 – 1944), Prishtinë, 1980; Faik Konica (Jeta dhe veprat). Monografi, Nju Jork,1995; Studime për De Radën. Monografi, Nju Jork, 1999; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Monografi, Tiranë, 1979; Zef Jubani (Jeta dhe veprat). Monografi. Tiranë, 1987; Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare, Shkodër, 1962; Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Bibliografi (1454 – 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Historia e albanologjisë (1497 – 1997), Tiranë 2000, etj.

Po gjatë kësaj kohe, kur më parë e kur më vonë se botimet albanologjike të Profesor Jup Kastratit edhe Profesor Rexhep Qosja ka botuar veprat e formatit të madh të shkencave historiko-letrare (albanologjike) për romantizmin, De Radën, Naim Frashërin, Asdrenin etj., në të cilat referencë konsultimi e mendimi shkencor kishin edhe Profesor Jup Kastratin, duke e nderuar në mënyrë të veçantë me besimin ndaj saktësisë së burimeve të tij historike, prej të cilave merrte tekstet për rilindësit në përgjithësi dhe arbëreshët në veçanti.

Le t’i sjellim vetëm disa nga referencat e Profesor Qosjes nga Profesor Jup Kastrati në kryeveprën e tij Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi) në tri vëllime. Në këtë vepër Profesor Qosja i referohet Profesor Kastratit apo botimeve të veprave të rilindësve nën kujdesin e Profesor Jup Kastratit, tek diskuton pikëpamjet e njëjta të Zef Jubanit dhe Jeronim de Radës “mbi poezinë popullore”; duke shkruar për shqetësimet e rilindësve rreth pengesave që ju sjellin alfabetet e shumta të shkrimit të gjuhës shqipe, në rastin konkret mendimin e Zef Jubanit ; për përkushtimin gjuhësor të romantikëve ; për neologjizmat në tekstet e romantikëve ; për formimin autodidaktë, shkollorë e intelektualë të romantikëve, në rastin konkret Pashko Vasën ; mitin e origjinës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe; këngët epike etj.

Në qoftë se në vëllimin e parë të Historisë së letërsisë shqipe I, Profesor Qosja, veprat dhe studimet e botimet dokumentare të Profesor Jup Kastratit, do t’i ketë kryesisht referencë mbështetëse, në vëllimin e dytë e të tretë, raporti i referencës me botimet dokumentare do të jetë më i vogël. Tani më shumë se sa referenca historike, ato do të jenë referenca mendore, e kjo do të thotë referenca për analizat teoriko-letrare e historike të shkrimtarëve dhe strukturën historiko-letrare e stilistike të veprave të tyre. Të kësaj natyre janë referencat për temat dhe gjinitë e llojet letrare të krijimtarisë së fazës së parë të Jeronim de Radës ; analiza mbi ndikimin e letërsisë popullore në veprën letrare të Jeronim de Radës dhe shembuj të tjerë të cilët i referohen kryesisht monografisë së Jup Kastratit, Jeronim de Rada – jeta dhe vepra, botuar disa vite më parë, në Tiranë më 1979, duke përfshirë këtu edhe një mbështetje për Francesko Anton Santorin dhe një tjetër referencë për fjalët e huaja në leksikun e Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit .

Profesor Jup Kastrati ka shkruar dhe ka botuar disa vepra me të cilat ka ushtruar ndikim më shumë apo më pak në rrjedhat e mendimit në studimet gjuhësore e historiko-letrare dhe përgjithësisht albanologjike. Por, Profesor Kastrati veçohet edhe për dy studime të tjetër me ndikim në fushë të studimit në gjuhësinë shqiptare, e ky është studimi Naim Frashëri për gjuhën shqipe , prej të cilit Profesor Qosja ka vjelë listën e fjalëve të reja të gjuhës diturore ; si dhe studimi Ndre Mjeda, lëvrues i gjuhës shqipe, të cilit i është referuar gjerësisht për pikëpamjet e Mjedës mbi gjuhën .

Në vitin 1990 kur u rrënua sistemi komunist në Shqipëri dhe Profesor Jup Kastrati nxori nga sirtari i fshehur prej 40 vjetësh dorëshkrimin e tij për Faik Konicën, ishte teksti parathënës i Profesor Qosjes ai që u vendos në krye të tij. E kjo nuk ishte rastësi. Ishte përbërës vlerësimi e nderimi i dyanshëm, ishte përbërës i respektit që kishte dija shqiptare e kohës për të dy, në raport me dijen shqiptare për bardët e Lëvizjes Kombëtare në përgjithësi.

Profesor Rexhep Qosja ka sjellë disa të dhëna interesante rreth procesit të shkrimit të kësaj parathënie në raport me botimin e veprës në Amerikë, ndërsa ne po e sjellim një shënim të datës 1tetor 2024:

“Më thirri Gjokë Gjonlekaj prej Njujorkut.

Ka vendosur të botojë monografinë e albanologut të njohur , Jup Kastratit, për Faik Konicën dhe kërkon t’ia shkruajë parathënien kësaj monografie.

– Kjo është dëshira e autorit, Jup Kastratit, më thotë Gjeka.

– Po mirë, do të bëj atë parathënie mbasi ka kërkuar edhe autori, i them, por duhet të më dërgosh dorëshkrimin” .

Të nderuar të pranishëm!

Ndoshta në këtë ditëlindje të 100-të Profesor Jup Kastratit keni pritur të flas më shumë për dorëshkrimet e lëna, e kjo do të thotë të flas për vëllimin e dytë të Historisë së Albanologjisë (1855-1941), dhe për vëllimin e papërfunduar të viteve të gjysmës së dytë të shekullit XX; për korpusin e Studimeve arbëreshe; për vëllimet me Letërkëmbim prej rreth 3000 letrash; për Albumet me fotografi, për vëllimin Jeta shkencore dhe kulturore e Shkodrës 1945-1990, si dhe për veprat e tjera të botuara e të pabotuara.

Por unë dua që këtu të flas për herë të parë për një dorëshkrim posaçërisht të panjohur, për të cilin më ka folur gjatë kohës që e vizitoja në shtëpinë e tij në Shkodër dhe gjatë kohës sa patëm një letërkëmbim mjaft të pasur gjatë viteve 1996-2003.

Ata që e kanë lexuar ditarin e Profesor Rexhep Qosjes Dëshmitar në kohë historike, I-IX (1966-2008), nuk e kanë vështirë të shquajnë përbërësit historikë, kulturorë, shkencorë e intelektualë të kësaj periudhe për të cilat shkruhet, por unë dua që këtu për të parë të tregoj edhe një të panjohur posaçërisht të rëndësishme të trashëgimisë së Profesor Jup Kastratit, e ky është lajmi se ai ka lënë një Ditar prej rreth 6000 faqesh, me titull përgjithësues Ditar shkencor, në të cilin, Profesor Jup Kastrati dekada me radhë ka mbajtur shënime për zhvillimet shkencore në institucionet akademike ku punonte dhe hulumtonte, në Shkodër e Tiranë apo qytete të tjera të Shqipërisë, rajonit, Europës dhe të Amerikës. Fjala është për një dorëshkrim të panjohur deri më tash në kulturën shqiptare, i cili sigurisht ashtu si edhe Ditari i Profesor Qosjes, do të saktësojë shumë të njohura më pak a më shumë në jetën akademike, shkencore, arsimore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare dhe do të sjellë shumë të panjohura për kohën dhe hapësirën, konferencat shkencore dhe pjesëmarrësit e tyre, për shumë vendime shkencore dhe ndërhyrje politike në to, për shumë vepra të vlerësuara dhe shumë të tjera të ndaluara apo të kthyera në karton, për shumë personalitete të nderuara me çmime kombëtare e shumë të tjerë të strehuar pa zë në shtëpitë e tyre. Se çka shkruante Profesor Qosja në Ditarin e tij kur vraponte “ta fshihte te Sakibja” e dinim, po çka shkruante Profesor Jup Kastrati për shkencën, shkencëtarët e veprat shkencore ende nuk e dimë. E dimë ndërkaq një gjë, se si në Shqipërinë e diktaturës shkencëtarët ‘i errte nata në Shkodër a ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë, duke gërmuar gjuhën a letërsinë e teksteve të vjetra të traditës shqiptare dhe t’i zbardhte dita duke gërmuar në ndonjë minierë kromi në Veri apo thëngjilli në Jug’.

Po e përfundoj këtë fjalë timen, nderimi e vlerësimi, për Profesor Jup Kastratin në këtë tryezë të madhe për Profesor Rexhep Qosjen, me një paraqitje krejt personale.

Prej rreth tri dekadash sa i kam njohur Profesor Jup Kastratin dhe Profesor Rexhep Qosjen kam vënë re edhe një veçori të përbashkët të tyre: mbamendjen, kujtesën gjithnjë të freskët, madje në një moshë shumë të shtyrë. Për më tej më ka bërë përshtypje edhe pamja e tyre. I pari (Profesor Jup Kastrati) me një shikim tejshkues, syzhbirues, do të thoshin psikologët e traditës; dhe i dyti (Profesor Rexhep Qosja), me një shikimshqiponje, e qëndrim naltues, do të thoshin malësorët e tij. I pari, Profesor Kastrati, me një trup, i cili sikur mban përmbi supe Bjeshkët e Mbishkodrës, por qëndron me pamje aristokrati në raport me tokat e plleshme të fushave të Shkodrës; ndërsa i dyti, Profesor Qosja, me një trup të formuar në raport me lartësinë e Alpeve Shqiptare, sikur i bën roje Liqenit të Plavës.

A nuk janë këto veçori edhe një arsye pse shënimi i 100 –vjetorit të Profesor Jup Kastratit në këtë Tryezë të Madhe të nderimit për Profesor Rexhep Qosjen, është një respekt i gjithanshëm për moshatarët dhe miqtë, që për të gjallë janë bërë monumente të kulturës shqiptare.

Tetovë, 25 shtator 2024

UNIVERSITETI I TETOVËS – Seminarit XVIII Ndërkombëtar të Albanologjisë

Konferenca: Kontributi i Rexhep Qosjes për letërsinë dhe kulturën shqiptare, Tetovë, më 25 shtator 2024.

Filed Under: Sociale

Vdekja e kuriozitetit

September 26, 2024 by s p

Prof. Stefan Çapaliku/

“Vdekja e kuriozitetit” është një dukuri që përshkruan gjendjen në të cilën individët humbasin dëshirën për të mësuar, eksploruar ose për të pyetur rreth botës. Kurioziteti, një nga cilësitë themelore të njeriut, është ai që na shtyn drejt përparimit dhe zbulimeve të reja. Humbja e kësaj dëshire, që mund të ndodhë për shkak të faktorëve të ndryshëm si mërzia, presioni i shoqërisë për të ndjekur norma të ngurta, ose edhe mungesa e stimujve, kishte me qenë ajo çfarë nuk e prisnim të ndodhte, veçanërisht ne që dolëm prej komunizmit shoqëruar prej një entuziazmi të thellë.

Po pse ky reflektim? Pse tani? Kjo përsiatje kështu e shkurtër, vjen tek unë mbas dy eksperiencash të njëmbasnjëshme që më kanë ndodhur këtë fundshtatori 2024. Me datë 19 deri më 22 pata prezantimin në Teatrin Kombëtar Eksperimental të një pjese dramatike (Unë, Fojerbahu), tekst I shkruar nga një nga më të mëdhenjt dramaturgë gjermanë të gjysmës së dytë të shekullit të XX, Tankred Dorst, dhe sot në ora 11 në Akademinë e Shkencave, prezantimin e veprës së arkitektit dhe skulptorit më të famshëm shqiptar të Rilindjes Evropiane, Andrea Aleksit.

Për të parë shfaqjen nuk u prenë më shumë se 40 bileta për të katërta netët dhe për të ndjekur leksionin e fotografit kroato-shqiptar Luka Mjeda për Andrea Aleksin, nuk u mblodhën më shumë se 20 vetë. Ja pra, prej një komuniteti të përbërë prej me shumë se 10.000 vetësh që kanë studiuar në këto 30 vjet tranzicioni për arte dhe letërsi, në mes të Tiranës, nuk ia dolën të vinin më shumë se 40 dhe nga komuniteti i arkitektëve dhe skulptorëve që në mënyrë aproksimative mund të numëroj rreth 5000 vetë, u mblodhën vetëm 20. A mund t’a konsiderojmë këto ngjarje si “vdekje të kuriozitetit”?

Në teori ky fenomen shpesh shoqërohet me një ndalim të rritjes profesionale dhe intelektuale, pasi mungesa e interesit për të mësuar bllokon zhvillimin e mëtejshëm të ideve dhe mendimit krijues. Shpesh “vdekja e kuriozitetit” përdoret në mënyrë metaforike për të kritikuar qëndrimin e ngushtë mendërisht ose për të diskretituar një sistem edukimi a një status shoqëror që nuk i jep rëndësi nxitjes së të nxënit.

Në praktikë ajo që po ndodhë te ne prekë edhe marrëdhëniet shoqërore, te të cilat janë mbështetë vlerat tona, e me të cilat jemi krenuar.

Filed Under: Kulture

“Rugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës”

September 26, 2024 by s p

Fatmir Sejdiu/

Stubëll e Epërme, shtator 2024

Është një rast shumë i veçantë për mua që sot marr pjesë në “Takimet e Don Mikelit 2024” në Stubëll. Ku do të ishte më mirë se sa në këto Takime të theksoj rolin dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të njohur sot nga 115 shtete dhe të pranishme në shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare.

E thashë vend dhe rast i veçantë, pasi Stublla është sinonim i faqes së parë të shkollës shqipe në Kosovë duke qenë edhe shkëndijë e dijes dhe arsimimit që ndezi mësuesi Don Mikel Tarabulluzi. Presidenti Rugova kishte frymëzim pikërisht edhe këtë dije dhe përkushtim që u dha nga të arsimuar në kolegje e qendra të mëdha të mësimeve filozofike e teologjike, ndër ta edhe Pjetër Bogdanin, të cilët edhe vunë fillet e emancipimit dhe të qytetërimit shqiptar.

Po kështu ky rajon qe vend i mbijetesës së frymës më të thellë humane, sikur në ditët e vështira 1990, kur në Kosovë u helmuan nga regjimi serb 7000 mijë nxënës dhe mirësia e shërimit të tyre kishte këtu një derë të hapur ndihme, shërimi dhe kujdesi të pashoq.

Të dashur pjesëmarrës,

Që në fillim do të thosha atë që vura në theks të titullit të temës sime: “Rugova, arkitekti i shtetit të Kosovës”, dimensionet e mëdha të projektin politik, nacional e shtetëror që nisë nga funddecenia e tetë e shek. XX dhe u realizua në funddecenien e nëntë.

Projekti dhe platforma politike e Ibrahim Rugovës ishte unike në Kosovë dhe më gjerë, pasi bazohej në kuptimin e thelluar të ndryshimeve në arkitekturën ndërkombëtare në periudhën e rënies së Murit të Berlinit, të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe triumfit të demokracisë.

Rasti i Kosovës nuk “u zgjodh” në skenën ndërkombëtare dhe vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por ai fitoi rëndësi përmes veprimeve të brendshme, mendjemprehtësisë dhe pragmatizmit, në mënyrë graduale, për një dekadë, bazuar në rezistencën e aktive paqësore të përhershme të shqiptarëve kundër okupimit serb.

Platforma për liri dhe pavarësi u përqendrua në vizionin e të kuptuarit drejtë të dinamikave globale dhe për t’i integruar ato në hapat, situatat dhe proceset në Kosovë. Rrjedhimisht, platforma e presidentit Rugova, kryetar i LDK-së që nga viti 1989, dhe pastaj president i Republikës së Kosovës, bazohej në veprime proaktive dhe jo reaktive dhe në funksionalizimin kreativ të vlerave qytetare e nacionale, kjo e bazuar në një kuptim dhe harmonizim të thellë të potencialit dhe idesë së shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës dhe të rrjedhave dhe proceseve aktuale ndërkombëtare.

Ndër shtyllat kryesore të vizionit të tij për shtetformim ishte krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete, institucione dhe qeveri. Vuri në krye të politikës ndërkombëtare të Kosovës, miqësinë me SHBA dhe Evropën. Miqësi të përhershme me SHBA, siç e përsëriste zakonisht. Urtia dhe e vërteta që thoshte kudo krijoi mirëbesim e respekt, i hapi Kosovës portat për t’u dëgjuar dhe rritur zëri i saj i mbresëlënës, për liri, pavarësi dhe demokraci.

Kujtoni takimet e tij në nivelet më të larta botërore me presidentë, kryeministra dhe personalitete të shquara që kishin rol në proceset e politikës ndërkombëtare.

Kujtoni mesazhin e qartë të Presidentit Bush senior për mbrojtjen e Kosovës, dhënë në kërshëndellat e vitit 1992. Po ashtu kujtoni takimet me presidentin Klinton, mesazhet e kryeministrit Blair, presidentit Chirac, kancelarit Chroeder dhe udhëheqësëve të tjerë botëror në ditët më kritike, atëherë kur u kur u morën vendimet jetike për mbrojtjen e popullsisë në Kosovë nga gjenocidi shtetëror serb.

Po kështu kujtoni bisedat për Kosovën me Atin e Shenjt Papa Gjon Palin dhe angazhimet e tij dhe të Selisë së Shenjt për Kosovën.

Lideri historik i kësaj Lëvizjeje dhe i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte një intelektual kritik, tolerant dhe paqësor, që idetë nacionale për liri, pavarësi dhe demokraci, arriti t’i mbillte jo vetëm në popullin e Kosovës, por ato t’i shtrinte edhe në opinionin dhe institucionet ndërkombëtare. Prandaj, filozofia e tij paqësore u pranua dhe sot gëzon aq shumë respekt në të katër anët e globit.

Me platformë të fuqishme politike, me moton: “Liri, Pavarësi, Demokraci”, shqiptarët sakrifikuan shumë, por edhe bënë një organizim të jashtëzakonshëm. Përmes solidaritetit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhanë shembullin, se kur ka një mobilizim të madh etik, kombëtar dhe politik, një proces, sado që të jetë i vështirë, edhe në rrethana terrori shtetëror, mund të japë rezultate të mëdha, të krijojë një shtet që do të pranohet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Pjesëmarrës të nderuar,

Vizioni i presidentit Rugova për shtetin e Kosovës mbështetej në radhë të parë në vullnetin e popullsisë shumicë dhe në besimin se politika e zgjedhur për të përballuar okupimin serb dhe fituar lirinë dhe shtetin, duhej bazuar në rezistencë aktive, e tillë që do të rrisë lirinë shpirtërore dhe vepruese të qytetarëve duke u shndërruar kështu vetë në bartës të lëvizjes së përgjithshme politike për liri dhe shtet.

Një tjetër shtysë e fortë e dizajnimit të projektit shtet qe fakti se Rugova tregoi rrugën nëpër të cilën duhej ecur duke punuar dhe rezistuar kurrë pa u ndalur, por pa humbur asnjëherë nga vlerat etike dhe humane, përherë për të qenë të njerëzishëm dhe të dashur. Andaj në gjenezë shteti i Kosovës është përmasa e gjerë e krijimit të paqes së brendshme publike, e bashkimit dhe solidaritetit të gjerë, e mobilizimit unik mbi një platformë të gjerë demokratike.

Në krye të interesit shtetëror, ai kishte njeriun e tij që e kuptonte. Prandaj në praktikat e shtetndërtimit u dha shqiptarëve brenda dhe jashtë forcën e bashkëveprimit pavarësisht dallimeve. Shoqëria ishte bashkësi aktive me kulturë shtetërore, me etikë dhe paqe të brendshme. Këtë e tregon më së miri Lëvizja për Pajtimi e Gjaqeve në krye me profesor, Anton Çettën, kur brenda vitit 1990 u pajtuan mijëra familje.

Pra, po e ritheksoj se në themelet e shtetit, ishte pajtimi, besimi në liri, vlerësimi për dallimet, respekti, toleranca dhe pasurimi me vlera dhe praktika plurale.

Andaj edhe si organizim rezistence politiko-shtetërore, u krijuan partitë politike, që të gjitha në programet e tyre vunë synimin për pavarësinë e Kosovës. Të gjitha në krye të platformës kishin: Lirinë dhe shtetin e Kosovës. Njëherësh, Rugova përkrahu gjerësisht organizmin e asociacioneve dhe shoqatave.

Do veçuar këtu, kontributin e Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë”, me kryetarin e saj Don Lush Gjergji. Vetëm në qendrën mjekësore të “Nënës Terezë” në Prishtinë, kanë lindur mbi 12 mijë fëmijë që sot janë qytetarë të lirë në shtetin e Pavarur të Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Vendimet juridiko-kushtetuese të ndërtimit të shteti prirë nga presidenti Rugova ishin të kujdesshme, por të vendosura. Po përmend, se Kuvendi i Republikës së Kosovës përgatiti projektkushtetutën e Republikës së Kosovës dhe më 7 shtator 1990 në Kaçanik shpallë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas këtij akti Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve të barabartë.

Në shtator të vitit 1990 miratoi Rezolutën për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran, dhe bazuar në këtë Rezolutë mori vendim që të mbahet Referendumi për Pavarësi. Referendumi u mbajt nga 26 deri më 30 shtator 1991, të drejtë vote kishin 1.051.357, votuan 914.802 veta apo 87 për qind e tërë zgjedhësve.

Si një shtysë afirmuese i konstitucionit shtetëror, qe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Kosovës. Pasoi krijimi i qeverisë së Republikës së Kosovës, i qeverive komunale, i sistemeve të pavarura arsimoro-edukative, i politikave sociale, shëndetësore, diplomatike, të sigurisë, pastaj kulturore, financiare, informativo-mediale, sportive etj. U krijua sistemi i madh politiko- shtetëror, mbështetur në punën dhe vullnetin e qytetarëve që frymëzoi respektin për lëvizjen për pavarësi e shtet në gjithë botën demokratike. Ky respekt dhe vlerësim u pa në përkrahjen dhe ndihmën që kishte presidenti Rugova dhe Kosova nga personalitete dhe institucione ndërkombëtare. Gjithë kjo u finalizua me fushatën e bombardimeve dhe të ndërhyrjes ushtarake nga NATO mars-qershor 1999.

Filozofia e shtetit të Kosovës kishte vizion e qartësi. Rugova i dha përmbajtjen e plotë publike. Ajo ishte e vërteta historike dhe aktuale. Kosova dhe shqiptarët gjeografikisht dhe kulturalisht i takojnë Evropës dhe botës perëndimore.

Motoja e presidentit Rugova mbetet shtylla themelore e politikave ndërkombëtare të Kosovës. “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”. Le të na shërbejë gjithmonë si kujtesë për vizionin udhërrëfyes që identifikohet me emrin e tij: “Miqësi e përhershme me shoqëritë demokratike. Miqësi e paqe me të gjithë fqinjët si të lirë dhe të barabartë, secili në shtëpinë e vet”.

Si njeri me synime të jashtëzakonshme të shtet-ndërtimit, Presidenti Rugova edhe në kohët e vështira të okupimit ishte vizionar për rrugën që duhej të ndiqte shteti dhe kombi në dekadat që vijnë. Do kujtuar ideja e tij për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës që tashmë është bërë realitet. Ngjashëm e po kaq e fuqishme ishte thirrja e Tij për ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë dhe protektorat civil dhe ushtarak. Profeci që u bë realitet.

Sa herë me jepet rasti të flas për Presidentin Rugova e them, dhe konsideroj se nuk është e tepërt ta përsëris as sot këtu para jush: Kemi ende shumë për të mësuar nga puna dhe vepra e tij!

Vizioni dhe filozofia politike e shtetërore e Presidentit Rugova ishin dhe mbeten përherë frymëzuese për ndërtimin e paqes, të tolerancës, të shoqërisë së lirë dhe demokratike, të shtetit të së drejtës, pa dhunë dhe autoritarizëm, pa korrupsion dhe kriminalitet. Për ndërtimin e një shoqërie moderne me sistem të avancuar arsimor, shëndetësor dhe kulturor, për ndërtimin e shtetit modern me ndarje të qartë të pushteteve, me respekt për dijen dhe mbi të gjitha, me respekt për të drejtën e qytetarit për të qenë i lirë të zgjedhë dhe të zgjidhet.

Falna Zot urtinë e tij!

Ju faleminderit!

Fjala ime “Rugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës”, mbajtur në “Takimet e Don Mikelit 2024”.

Filed Under: Komente

Memorandumi i dytë i Akademisë serbe,  udhërrefyes për destabilizim të Kosovës dhe tërë regjionit

September 26, 2024 by s p

Për të kuptuar relacionet aktuale politike në Kosovë në përgjithësi dhe në veriun e saj në veçanti, duhet lexuar me kujdes Memorandumin e dytë të Akademisë Serbe të Shkencave(2011), sepse aty çdo gjë është e shënuar qartë për të gjithë që duan të kuptojnë strategjinë e politikes serbe, tash dhe në të ardhmën, e cila e lëdhatuar nga faktori ndërkombëtar, vazhdon të mbesë  faktor destabiliteti në regjion

Nail  Draga

Opinioni i gjerë si në vend dhe në botën e jashtme është i njohur me përmbajtjen e Memorandumit të Parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve  të Serbisë(1986) që ishte projekti i shkatërrimit të ish Jugosllavisë, për interesat serbe, që u realizu në luftërat 1991-1995, por pak kush është i njohur me përmbajtjen Memorandumit të Dytë të kësaj Akademie(2011) i cili në detaje prezanton veprimin  strategjik të politikës serbe në regjion, ku të rrezikuar janë Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Memorandumi 2 i ASHAS(2011)

Pas humbjes së luftës në Kosovë(1999) në bashkësi me Serbinë kishte mbetur Mali i Zi, por edhe kjo bashkësi  shtetërore ishte e përkohshme sepse kërkush nuk dëshironte me Serbinë, duke pasur parasysh rolin e saj në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë dhe politikën e saj hegjemoniste. Pikërisht nga sindromi i një politike të tillë në Mal të Zi, me 21 maj 2006 u mbajt referendumi  për pavarësi. Dhe nga kjo datë  politika hegjemoniste serbe mori fund  e me të edhe dezintegrimi i ish Jugosllavisë dhe me te edhe idesë së Serbisë së Madhe.

Por, në rrethana të reja intelektualët serb nuk janë heshtur por janë angazhuar për çështjen serbe, por në kushte e rrethana të reja. Fjala është për Memorandumin e dytë të ASHAS, që e ka siguruar gazeta boshnjake „Slobodna Bosna“, në mars të vitit 2011. Ashtu si Memorandumi i Parë(1986) edhe ky përmban programin, qëllimez strategjike dhe veprimin në kushte të reja. 

Kështu, Memorandumi 2 përcakton se duhet:

1) Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet, ashtu që duke ngritur akuza e fletarreste dhe procese gjyqësore të montuara kundër qytetarëve të B-H, Kroacisë dhe Kosovës, të vihet në pozitë të barabart me shtetet përreth;

2) Të çvendoset vëmendja e mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare nga proceset e zhvilluara në Tribunalin e Hagës,

3) Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të detyrohen të heqin dorë nga paditë e tyre para gjykatav nërkombëtare;

4) Me aksione pendese ta vejmë Serbinë në pozitë të barabart me shtetet e tjera të rajonit;

5) Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe që gjykimi i Mlladiqit të bëhet në gjykatat vendore;

6) Të destabilizohen qeveritë e shteteve fqinje, të provokohen trazira të brendshme dhe paknaqësi e të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë

7) Të insistohet në shkëputjen e Republika Sërpska;

8) Të insitohet për fitimin e statusit konstituiv të Serbëve në Kroaci, në Mal të Zi dhe në Kosovë dhe të bëhet transicioni i bashkësive të serbëve në shtetet e rajonit në Bashkësi Panserbe;

9) Të pengohet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë dhe të pengohet veprimi i Bashkësisë Islame në Sanxhak.

Si të Memorandumi i Parë i ASHAS  nga viti 1986, edhe ky i dyti ka lindur kryesisht nga  Dobrica Qosiqi e pastaj nga  Lubomir Tadiqi dhe të disa koautorëve  nga ASHAS  me origjinë nga Bosna e Hercegovina.Ky dokument është trajtuar si jozyrtar për përdorim intern në Qeverinë e Serbisë me siglën „ të lexohet por të mos shpërndahet“. 

Nëse analizohen këto pika del qartë se ky dokument është përcaktues në strategjinë e politikës serbe për të realizuar objektivat e tyre të „botës serbe“ që është sinonim për krijimin e „Serbisë së Madhe“, e cila është kërcënim i  vazhdueshëm për tërë regjionin.

Serbia mbetet faktor destabilizues në regjion

Edhe pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë ku shkaktare kryesore ishte politika hegjemoniste serbe dhe luftërave të humbura në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe së fundit në Kosovë, pushteti serb  ndonëse në rrethana të reja vazhdon me politikën e tillë destabilizuese ndaj fqinjëve në veçanti e regjionit  në përgjithësi, ku Memorandumi i dytë i Akademisë serbe mbetet strategjia e politikës serbe tash dhe në të ardhmën.

Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga politika ekspansioniste ndaj fqinjëve të saj, për të realizuar në praktikë „Serbinë e Madhe“, ndonëse në opinion është duke u  paraqitur  përmes sintagmës „bota serbe“.Në sajë të rrethanave gjeopolitike ndonëse Serbia nuk ka vendoaur sanksione kudër Rusisë në sajë të agresionit në Ukrainë, ajo vazhdon të lëdhatohet nga BE me qellim për ta afruar me kursin evropian, por mendoj se është e kotë sepse ata vazhdojnë me besnikëri duke ndjekur politikën ruse. 

Deri sa Serbia mos të ndeshkohet me sanksione nga BE, si faktor destablizues në regjion, ku për momentin ma e rrezikuar është  Kosova, e cila me 24 shtator 2023  është sulmuar nga një grup terrosit për të shkëputur veriun e saj, ku askush për këtë akt nga ana serbe nuk është dënuar, dëshmon se një akt i tillë edhe mund të përseritet, që do të ishte fatal për regjionin.

Aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë

Më së fundi trembëdhjetë ditë pa u bërë viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës doli me një aktakuzë të gjatë kundër 45 serbëve. Dokumenti prej 158 faqesh përmblodhi përshkrime, veprime dhe fakte për t’i ngarkuar një numër të caktuar njerëzish, jo vetëm për Banjskën, por edhe gjithë dhunën që rrodhi në maj të 2023-tës dhe i parapriu ngjarjes që ndodhi më 24 shtator 2023.

Por, si kundërpërgjigje ndaj akuzës së tillë  presidenti i Serbisë A.Vuçiqi në një konferencë për media paraqiti  kushtezimet  për vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Kushtet e tia në shtatë pika ishin demagogjike duke harruar se Kosova është shtet sovran dhe është në mbrojtje të integritetit territorial. 

Vazhdimi i dialogut pas zgjedhjeve parlamentare

Deri sa Serbia e kushtezon Kosovën me vazhdimin e dialogut, mendoj se  ky dialog ka humbur seriozitetin, andaj me e udhës është qe   ai të vazhdohet në një formatizim tjetër, pas zgjedhjeve parlamentare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse deri me tash ndërmjetësit ndërkombëtar ishin të njëanshëm dhe në favor të Serbisë, duke mos e ndëshkuar ate për veprimet terroriste në Kosovë(24 shtator 2023), madje duke akuzuar Kosovën se nuk është duke u koordinuar në veprimet e saja qe janë në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. 

Ndërsa duke marrë parasysh se Kosova ka hyrë në fushatën parazgjedhore sepse zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen me 9 shkurt 2025, është e logjikshme qe  dialogu të ndërpritet dhe të vazhdohet pas zgjedhjeve. Jo vetëm kaq por duhet një formatizim i ri dhe me personalitete me dinjitet, nga vendet që e kanë njohur ndërkombëtarisht Kosovën. 

(Shtator 2024)

Filed Under: Politike

NJË MBRËMJE POEZIJE SHQIPTARE NË MILANO

September 26, 2024 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më datën 19 shtator, në orën 18.00 në Shtëpinë Muze Tadini, në rrugën N. Jommelli 24, Milano, u zhvillua një mbrëmje kulturore, me rastin e promovimit të vëllimit me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mija”. Autori i vëllimit është poeti i mirënjohur Visar Zhiti, shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare sot në botë.

Vëllimi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, “Strade che scorrono dalle mie mani”, është përkthyer në italisht nga profesor Elio Miracco dhe i paraqitur në një konkurs ndërkombëtar poezie që mbahet në Camaiore, një qytet i lashtë mesjetar në breg të detit Ligur, një komunë prej 31776 banorësh , në provincën e Lukës në Toskanë, e njohur për bregdetin e bukur të saj, për kishat e saj mesjetare, muzeumet e traditën e qilimave. Në këtë konkurs vëllimi i Zhitit ka fituar Çmimin e Parë ndërmjet dhjetra vëllimesh të tjerë. Madje njëra nga antaret e Zhurisë së Konkursit, Cinzia Demi, kishte ardhur vetë për t’a paraqitur librin në Milano. Mbiemri i saj më tërhoqi vërejtjen e madje në bisedë e sipër para se të fillonte mbrëmja e pyeta nëse kishte ndonjë zanafillë shqiptare, sepse ishte një mbiemër i tillë. Zonja, duke qeshur u përgjigj se nuk kishte dijeni, por nuk e përjashtonte kategorikisht.

Në drejtimin e promovimit t’asaj mbrëmjeje ajo shoqërohej nga e zonja e shtëpisë, gazetarja arbëreshe Melina Scalisse, që fliste me vështirësi shqipen por ishte krenare për origjinën e saj. Ajo kishte në kujdes, mbas vitesh pune në gazetën “Il giorno” “Dita”, Shtëpinë Muze Hapësira Tadini, një personalitet i njohur i kulturës së qytetit të Milanos, një poet e piktor modernist, që e kishte lënë shtëpinë e tij si një muzeum për qytetin e tij. Ndërmjet të tjerëve kishte njohur edhe piktorin shqiptar Ibrahim Kodra mbas luftës së Dytë botërore. Duke shfletuar një album pikturash hasëm edhe në një të tillë të bashkatdhetarit tonë të nderuar e Visari e pyeti drejtoreshën e Museut nëse e dinte se ajo pikturë i përkiste një shqiptari. Gazetarja u përgjigj se do të interesohej për këtë gjë. 

Këto biseda bëheshin pa filluar ende mbrëmja e promovimit, e cila në orën e caktuar e gjeti sallën plot me të ftuar italianë, kryesisht, por edhe shqiptarë. Në fillim shkrimtari Zhiti i u përgjigj disa pyetjeve të organizatorëve që përbëheshin nga profesori Mauro Ferrari e gazetaret Melina Scalisshe, Cinzia Demi e Cristina Daglio. Ai u përgjigj shkurt e me dhimbje, duke treguar disa nga çastet më të vështira të jetës së tij, siç ishin ata të arrestimit, të dënimit e të qëndrimit në kampet e punës së detyruar, që ishin dhe ata që përcaktonin burimin e frymëzimit për një pjesë të mirë të poezive të vëllimit. Një përimtim të thukët të përmbajtjes së vëllimit e bëri në mënyrë bindëse profesor Ferrari, që dukej se ishte mjaft i prekur nga drama jetësore e poetit shqiptar. Ai analizoi disa poezi, duke u ndalur më shumë, jo vetëm në përmbajtjet, por edhe në disa terma të hasura më shpesh si atdheu, liria, dashuria etj. Duke përmbyllur analizën e tij i u drejtua poetit: “Ndërmjet të gjithë koncepteve të trajtuar në poezitë e juaja, cili do t’ishte ai më domethënësi, më qëndrori, më përfaqësuesi i poezisë suaj? Poeti u përgjigj mbas një çasti përsiatjeje: dashuria. Salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë e të fuqishme. Mendoj se ishtebçasti kulmorn i mbrëmjes, thelbi dhe kuintesenca e saj. Me atë pohim poeti shpalli vlerën universale të veprës së tij, që është e barazvlerëshme me vetë jetëgjatësinë e mesazheve që i përcillen lexuesve shqiptarë, italianë, evropianë e botërorë.

Duke patur në dorë vëllimin lexohej në kapakun e parë kjo shprehje: “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta e vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së Vendit të tij.” Poshtë këtij vlerësimi ishte në kllapa🙁 Robert Elsie, albanolog kanadezo-gjerman). Në tridhjetë vitet e fundit janë të shumtë vlerësimet e poetit e shkrimtarit madhor shqiptar nga përfaqësues të ndryshëm të kulturës e letërsisë shqiptare e të huaj të Vëndeve  ku vepret janë përkthyer e botuar, por mendoj se kjo shprehje e studjuesit kanadez është një nga pikat kulmore ku Visar Zhiti njëjtësohet me atdheun, një koncept që gjindet shpesh në vargjet e tij, në format e të shkruarit për të shkuarën, të sotmen e për të ardhmen e tij. E shkuara në poezinë lirike të autorit  është në ballë të mesazhit të tij, edhe se fatkeqësisht përfaqëson një kohë të lidhur me kujtime të hidhura, me një jetë që ndërpritet barbarisht nga sistemi politik në lulen e moshës, i cili e trajtoi si armik të tijin, sepse kishte shkruajtur poezi që quheshin  “armiqësore”, që e bëri të vuajë, të ndjehet i huaj në vendin e tij. Poeti ka shprtin e gjërë e, në bujarinë e tij karakteristike, edhe n’ata kushte, nuk e njëjtëson regjimin me atdheun sepse simbioza e dy koncepteve është e paqenë, sepse njëri është i përjetshëm e tjetri i përkohshëm, sepse “Atdheu im me qiellin e qethur si një i burgosur” (“E shtuna e parë e arrestit”).

Drama vetiake, sado e rëndë dhe e dhimshme është një grimcë e dramës së përgjithëshme, në të cilën asnjë nuk është i përjashtuar:

“Në bankën e t’akuzuarve

S’u ula vetëm unë, po edhe ti

Gjykatës isha edhe unë 

A e di

Ne njëri tjetrin dënuam

Shqipëri!”  (“Bashkë”)

Në një çast të theksuar dhimbjeje e pezmatimi poeti shkruan një vjershë me pesë vargje: 

“Njihuni me skeletin tim

Jam unë – pa ëndërrat e mija

Pastaj më jepni ç’të doni,

Përsëri skelet do të mbetem” (“Skeleti”) 

Por ai “skelet” gjen forcën në vetvete të jetojë, të shkruajë poezi të cilat i arkivon në kujtesën e tij jo të zakontë e të shokëve të vuajtjeve, sepse nuk mund t’i hedhë në letra prej frikës së kontrolleve të policisë që mund t’i shkaktojnë një ridënim, një masë e shpikur vetëm nga komunistët shqiptarë, e të cilin e kanë provuar shumë njerëz të dënuar. Ai “skelet” përsiat në mëndjen e tij e i kushton një poemë kompozitorit të madh gjerman Wagner, për të cilën padrejtësia shqiptare do t’a padisë penalisht se “është i frymëzuar nga një “kompozitor borgjez, individualist dhe pesimist”. Në poezitë e tij poeti shpirtmadh nuk zë në gojë ata kolegë të tij që përgatisin akt – padinë e tij në zyrat e Sigurimit të Shtetit, duke “ndërpretuar” vargjet e tij:

“Tani qaj unë për ty Wagner!

Arti qan”  (“Mbi piano”)

Ai skelet pa ëndërra arrin në sublimitet, në madhështi, në shkruarjen e një poezie që titullohet “Perëndesha e mbrojtjes  Copëra mermeri”, kushtuar njeriut më të dashur që njeriu mund të ketë në jetën e tij, Nënës. Është një monument mermeri i Karrarës, një përmendore e pavdekëshme letrare e njëkohësisht një simfoni bethoveniane që ngjitet deri tek Krijuesi, një fletë antologjie që mund të qëndrojë krahas firmave më të njohura të poezisë botërore. Tema e atdheut përsëritet më shumë në poezitë, duke vërtetuar brumin e poetit të lidhur me rrënjët e tij, aq sa të habisë profesorin italian që e gjen disi “të tepruar”, jashtë kohës. Çështje mendësish e konceptesh….

Po aq i fuqishëm si koncept mbetet edhe dashuria në poezitë e Visar Zhitit. Ajo është dhurata e Krijuesit për njerëzit, që siguron vazhdimin e jetës nëpërmjet riprodhimit, që shoqërohet me ndjenjat më të mrekullueshme, që fillojnë me tërheqjen fizike dhë ëndërrat e rinisë e mbarojnë me kënaqësitë e rritjes së bijve e nipave e mbesave, duke shënuar kështu vetë historinë e njerëzimit: 

“Asnjë grua nuk do të bëhej nënë

Po të mos zhvishej së paku një herë lakuriq”  (“Lakuriqësia”)

Në zymtësinë e jetës në kampet e punës së detyruar një djalë i ri bashkëvuajtës i tregon historinë e tij tragjike të arratisjes së një çifti të dashuruar, në të cilën vajza vritet nga rojet e kufirit. Ishte një skenë rrënqethëse kur vajza e plagosur për vdekje i thotë djalit me gjysmë zëri: “Ik, ik ti shpëto….të pëshpëriti dashuria. “ Poeti i kushton asaj tragjedije të dashurisë një poezi të titulluar “Arratisja”. Ai veprim që quhej nga Kodi penal i Shqipërisë komuniste si “tradhëti ndaj atdheut”, gjen në pendën e autorit frymëzimin më fisnik e mirëkuptimin më të plotë.

“Çdo dru dëshironte inicialet

e emrave tuaj t’i gdhendte

mbi lëvozhgën e kujtesës”

Për poetin ajo tragjedi e dashurisë meriton edhe pavdekësinë në kujtesën e vetë natyrës, madje edhe në Parajsën e Krijuesit. Ai e mbyll poezinë me dy pyetje, që gjejnë përgjigje në vargun e fundit:

“Ku, ku dergjet dashuria e vdekur? Ku

As qyqja s’e di?

Në të gjithë tokën e atdheut dergjet”  í”Arratisje”)

Por dashuria mbetet gjithmonë oazi në të cilin prehet shpirti i tij i plagosur nga privimi i lirisë. Në fantazinë e tij, një poezie me titullin “Dashuria” i jep këtë përfundim:

“Vetë po nisem nëpër natë dhe vetëm

Do të kërkoj, do të kërkoj, do të kërkoj

si dora që endet nëpër dhomë, në errësirë

për të gjetur qiririn e shuar.”

Ndjeshmëria e poetit trazohet nga një figurë vajze që kalon çdo ditë para telave me gjëmba e shkon në punën e saj të përditëshme si mësuese, si infermiere, si prostitutë apo si…. çdo tjetër hamëndje e djemve të burgosur, së cilës ikushton një poezi të zjarrtë të titulluar “Mirënjohje”. Do të kisha dashur t’a sillnja në këtë shkrim të gjithën, por po mjaftohem me pak vargje:

“Ç’je ti, agullimë e bardhë, 

apo vetë ëndërra?

Mos je fati që na mungon?

Të shohim, të shohim, të shohim

Por s’të ndjekim dot 

veçse me sy….

Kur të kthehesh

nëse s’do të kthehesh

në gjumin e secilit do të hysh 

Si në një mullar bari të shkatërruar

nga shtrëngatat.

Falma….. të burgosur….

Prangat rëndojnë më shumë se gurët e varreve.” 

“Mirënjohje”

Treshja zotëruese e motiveve kryesore të vëllimit të Visar Zhitit “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”mund të përkufizohet me termat atdhe, dashuri e liri. Poeti ka një gamë më të gjërë argumentash që trajton në veprën e tij, por un shkurtimisht po merrem kryesisht me këtë treshe, duke respektuar edhe mendimin e folësve mbi veprën e tij. Një poet që ka hyrë në burg sepse ka shkruar poezi, pa tjetër që në qëndër të mendimeve e frymëzimeve të tij do të ketë lirinë. Shkrimtari i madh italian Umberto Eco shkruan kështu për poetin shqiptar:

“Shihni….. ndodhia e Visar Zhitit: i mjaftoi të shkruante poezi, të quajtura “të trishtueshme dhe hermetike”, pra armiqësore për regjimin ….. dhe fitoi me të drejtë dhjetë vite burg. Poezia i shtie frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe se flet vetëm për trëndafila, si në rastin e Zhitit”

Shkrimtari italian e rendit poetin shqiptar në rradhët e atyre njerëzve të nderuar që, në botën jo demokratike, në sajë të dhuntive e vullnetit për t’i shërbyer vlerave të vërteta të njerëzimit, janë të paracaktuar të luftojnë për idetë e tyre të humanizmit e demokracisë e shpesh të flijojnë një pjesë të jetës ose vetë jetën për triumfin e tyre. “Liri, gja aq e shtrenjtë sa e din vetëm ai  qi për te s’i dhimset jeta” shkruante para tetëqind vitesh poeti më i madh i Italisë, Dante Aligieri.

“Liri, të dua,

Ty të besoj, 

Nëse ti je zëri, 

Unë jam gojë

Kur ti bëhesh harku,

Unë jam shigjeta

Të ngulem dua 

Tek e vërteta…..

Mos pastë arkivole 

Për këngën time.”

Kjo është besojma e poetit shqiptar në poezinë “Kënga është e mundur”. Ai e shpall atë hapur pa frikë, pa ndrojtje duke qënë gjithmonë koherent me vehten si mësues, si i burgosur politik si deputet i republikës, si diplomat i saj, si atdhetar, si luftëtar pende, si njeri. Në këtë kompleks nuk mund të mungonte ideali kombëtar, të cilin ai e trajton në poezinë “Vajza me flaut” Kosovës, ku nxjerr në pah një realitet të dhimshëm për popullin e tij:

“Ku fillojnë kufijtë e Shqipërisë

Fillojnë shqiptarët e sakrificave”

Është një e vërtetë që frymëzon këta dy vargje monumentalë, një padi e tërthortë e fatalitetit dramatik të historisë së shqiptarëve, një plagë e hapur prej më shumë se një shekulli në kurmin e drobitur të Shqipërisë.

Kështu poetit të burgosur një tufë delesh që kulloste jashtë kampit të dënimit i kujton jetën normale që zhvillohet jashtë telave, duke i zgjuar zilinë, por edhe një mendim të huajtur nga mitet e lashtësisë:

“Po sikur të futeshim fshehurazi

poshtë barkut tuaj,

të kapeshim pas leshit tuaj të bardhë

si pas mrekullisë

që kur t’ju numëronte ciklopi

te porta e hekurt

të dilnim dhe ne, jashtë dhe larg, drejt lirisë?”  “Një kope delesh”

Shumë vite më vonë, nga një vizitë në  kopshtin zoologjik, poeti në përsiatjen e tij filozofike e mbyll poezinë e tij “S’më pëlqen kopshti zoologjik i Tiranës” me këta dy vargje:

“Me lirinë e gjallë të të gjithëve

                                                          Dhe unë jam më i lirë.”

  Ishin këto disa nga përshtypjet e mija vetiake nga leximi i këtij libri poezish, i dhënë  tashti në gjuhën e tyre edhe lexuesve italianë. Për aq sa mund t’a vlerësoj edhe përkthyesi Elio Miracco meriton një përgëzim të veçantë, sepse i ka qëndruar shumë besnik mendimit të autorit. Sigurisht edhe vargjet e lira e kanë lehtësuar përkthimin, por pa dyshim ky botim në Vendin e poetëve është jo vetëm një sukses vetiak i poetit tonë por edhe i poezisë shqiptare të pas komunizmit. Ai ndihmon në dhënien e përfytyresës së vërtetë të Shqipërisë socialiste, i parë jo nga arkitektët e regjimit, por nga ana e atyre që e pësuan atë në shfaqjet e tij më mizore, në dhunën e diktaturës, që nuk njohu kufij e caqe poshtërsie njerëzore. 

Por po kthehem prap tek mbrëmja milaneze e promovimit t’atij vëllimi. Mbas paraqitjes  së profesor Ferrarit e mori fjalën gazetarja arbëreshe Melisa Scalisse, e cila foli me mjaft  kompetencë, duket se e kishte lexuar me mjaft kujdes vëllimin duke shënuar ato që i kishin interesuar më shumë. Ajo foli me simpati për poetin duke vënë theksin mbi stilin dhe idetë e poezive, duke u ndalur në disa prej tyre. foli edhe për përvojën e hidhur të jetës së autorit. I bëri jehonë kujtimeve të saj të rinisë në fshatrat e Kalabrisë kur atje kishte shkuar për një sërë koncertesh e shfaqjesh Ansambli Shtetëror i këngëve e valleve në vitet tetëdhjetë.  Tregoi për ndrojtjen e frikën që kishin artistët të bisedonin me vëndasit, sepse, simbas saj ata i quanin spiunë. N’atë rast ndërhyri Visari i cili e siguroi zonjën se frika e tyre rridhte nga fakti se ata i kishin spiunët me vete e jo nga mendimi se vëndasit ishin agjentë. Problemi ishte për arttistët se për biseda të lira me italianët duhej të jepnin llogari në policinë e fshehtë kur të ktheheshin në atdhe.

Pastaj zonja Demi, që vëllimin e kishte brejtur për t’i dhënë vlerësimin e duhur u bë nismëtare e leximit të nëntë poezive në shqip dhe në italisht. Në shqip ato lexoheshin nga bashkëshortja fisnike e jetës së shkrimtarit, Eda, ndërsa në italisht nga zonja Demi. Poezitë e lexuara në rradhë ishin këto: E shtuna e parë e arrestit; Rrjeshti i këpucëve të burgosura; Rileximi i Don Kishotit; Arratisje; Thesi i të burgosurit; Mirënjohje; Nesër; Shekulli i fëmijëve; Shpirti i im; Mendim rinor.   

Të gjitha poezitë u shoqëruan me duartrokitje të vazhdueshme, shprehje e vlerësimit dhe mirëkuptimit të mesazhit të tyre. Folën pastaj edhe katër a pesë të pranishëm mjaft pozitivisht për poezitë  dhe autorin, ndërmjet të tjerëve italianë e shqiptarë edhe një shkrimtare bjelloruse që vuri në dukje me keqardhje se në kushtet në të cilat ka qënë poeti shqiptar janë rreth 1500 të burgosur politikë si pasojë e lulëzimit të diktaturës në vënd. Ajo kërkoi vëmëndje nga qytetarët e botës së lirë edhe për viktimat e dhunës bjelloruse. 

Ato dy orë që vazhdoi mbrëmja e promovimit qenë një rast i bukur njohjesh, shkëmbim mendimesh e miqësimi e të gjithë falënderuan poetin shqiptar që u kishte krijuar atë rast me botimin e veprës së tij, por edhe organizatorë te këtij aktiviteti kulturor të rëndësishëm. 

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 895
  • 896
  • 897
  • 898
  • 899
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT