Prof. Stefan Çapaliku/
“Vdekja e kuriozitetit” është një dukuri që përshkruan gjendjen në të cilën individët humbasin dëshirën për të mësuar, eksploruar ose për të pyetur rreth botës. Kurioziteti, një nga cilësitë themelore të njeriut, është ai që na shtyn drejt përparimit dhe zbulimeve të reja. Humbja e kësaj dëshire, që mund të ndodhë për shkak të faktorëve të ndryshëm si mërzia, presioni i shoqërisë për të ndjekur norma të ngurta, ose edhe mungesa e stimujve, kishte me qenë ajo çfarë nuk e prisnim të ndodhte, veçanërisht ne që dolëm prej komunizmit shoqëruar prej një entuziazmi të thellë.
Po pse ky reflektim? Pse tani? Kjo përsiatje kështu e shkurtër, vjen tek unë mbas dy eksperiencash të njëmbasnjëshme që më kanë ndodhur këtë fundshtatori 2024. Me datë 19 deri më 22 pata prezantimin në Teatrin Kombëtar Eksperimental të një pjese dramatike (Unë, Fojerbahu), tekst I shkruar nga një nga më të mëdhenjt dramaturgë gjermanë të gjysmës së dytë të shekullit të XX, Tankred Dorst, dhe sot në ora 11 në Akademinë e Shkencave, prezantimin e veprës së arkitektit dhe skulptorit më të famshëm shqiptar të Rilindjes Evropiane, Andrea Aleksit.
Për të parë shfaqjen nuk u prenë më shumë se 40 bileta për të katërta netët dhe për të ndjekur leksionin e fotografit kroato-shqiptar Luka Mjeda për Andrea Aleksin, nuk u mblodhën më shumë se 20 vetë. Ja pra, prej një komuniteti të përbërë prej me shumë se 10.000 vetësh që kanë studiuar në këto 30 vjet tranzicioni për arte dhe letërsi, në mes të Tiranës, nuk ia dolën të vinin më shumë se 40 dhe nga komuniteti i arkitektëve dhe skulptorëve që në mënyrë aproksimative mund të numëroj rreth 5000 vetë, u mblodhën vetëm 20. A mund t’a konsiderojmë këto ngjarje si “vdekje të kuriozitetit”?
Në teori ky fenomen shpesh shoqërohet me një ndalim të rritjes profesionale dhe intelektuale, pasi mungesa e interesit për të mësuar bllokon zhvillimin e mëtejshëm të ideve dhe mendimit krijues. Shpesh “vdekja e kuriozitetit” përdoret në mënyrë metaforike për të kritikuar qëndrimin e ngushtë mendërisht ose për të diskretituar një sistem edukimi a një status shoqëror që nuk i jep rëndësi nxitjes së të nxënit.
Në praktikë ajo që po ndodhë te ne prekë edhe marrëdhëniet shoqërore, te të cilat janë mbështetë vlerat tona, e me të cilat jemi krenuar.