• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festivali i 33-të Shqiptar në New York, fjala e Famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj

October 27, 2025 by s p

Mirëmbrëma dhe mirëserdhët në Festivalin e 33-të Shqiptar, organizuar nga Qendra “Nana Tereze” e kishës sonë, Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, Nju Jork. Përshëndetje me respekt të veçantë të të ftuarve tanë të nderuar duke filluar nga klerikët, politikanët dhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme.

Viti pas viti mblidhemi në këtë festival për të promovuar, ruajtur dhe kultivuar traditën, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe të shprehur bukur në këngë dhe valle nga të gjitha trevat e ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këto festivale nuk do të egzistonin pa ndihmë dhe dedikimin e komisionit organizativ që gjithëherë i bëjnë festivalet me sukses.

Shumica e artistëve në këtë mbrëmje janë lindur këtu në Amerikë. E veçanta është se ata e duan të jenë pjesë e këtij festivali dhe janë të përgatitur me përkushtim. Kjo tregon dashurinë e tyre që janë shqiptarë. Gjithashtu kemi ftuar këngëtarë profesionistë të shquar nga Veriu, Qendra dhe Jugu i Shqipërisë.

Le të shijojmë së bashku programin dhe të kalojmë momentet e bukura duke e përkrahur me mbështjetjen dhe praninë tonë. Ju urojmë një mbrëmje të këndshme. Zoti ju bekoftë.

Foto: M.GJ

Filed Under: Komunitet

Vatra Michigan dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare e Baba Rexhebit ju ftojnë në festën e Flamurit Kombëtar më 23 Nëntor 2025

October 27, 2025 by s p

Vatra Michigan dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare e Baba Rexhebit ju ftojnë në festën e Flamurit Kombëtar më 23 Nëntor 2025.

Filed Under: Vatra

Vatra “Long Island” dhe Shkolla Shqipe “Gjergj Fishta” – New York, festuan 1 vjetorin e themelimit

October 27, 2025 by s p

Sokol Paja

Foto: “Noli Tv”/

Vatra “Long Island” dhe Shkolla Shqipe “Gjergj Fishta” – New York, festuan 1 vjetorin e themelimit. Një vit historie suksesi dhe rrugëtimi frymëzues në shërbim të gjuhës shqipe, komunitetit shqiptar në Long Island, kulturës, historisë kombëtare dhe identitetit shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një atmosferë të gëzueshme e frymëzuese në respekt dhe nderim të vlerave tona kombëtare, atdhetare e komunitare, me prezantimin e z.Klaudio Turkaj, fjalimet përshëndetëse të veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe programi artistik i fëmijëve të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” emocionoi të gjithë të pranishmit me këngë kushtuar atdheut, kombit, gjuhës shqipe e figurave të shquara kombëtare.

Kryetari i degës së Vatrës në Long Island dhe themeluesi i shkollës shqipe Dr. Paulin Marku në fjalën e mirëseardhjes theksoi se Vatra Long Island lindi si një ide për të bashkuar komunitetin, për të ruajtur vlerat atdhetare e historike, të të parëve tanë me në krye Fan Nolin, Faik Konica, Kristo Floqi e shumë e shumë intelektualë shqiptarë, gazetarë e atdhetarë të flaktë që kontribuan gjithçka për të ndihmuar në Pavarësinë e Shqipërisë, Pavarësinë e Kosovës, në ruajtjen nga coptimi i trojeve shqiptare, ndihmuan financiarisht vendlindjen dhe mbi të gjitha ngritën edhe marrëdhënie të shkëlqyera me vendin mik dhe krenar për aletatin tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në momente kritike të ekzistencës tonë si shtet – komb, Amerika u gjend në krahun e popullit shqiptar, dhe jemi me fat që ky vend i lire e demokratik na jep mundësinë të shprehemi e të veprojmë lirshëm konfort rregullave e ligjeve amerikane, theksoi Dr. Marku.

Në këtë frymë bashkëpunimi komunitare lindi ideja e themelimit të degës “Vatra” Long Island me iniciativën time dhe me mbeshtjen e Federatës “Vatra” me në krye z.Elmi Berisha e kryesisë së Vatrës dhe të atdhetarëve shqiptarë të Long Islandit. Iniciativës për themelimin e degës iu bashkuan David Turkaj, Besnik Bajraktari, Afrim Gega, Kismet Domi, Klaudio Turkaj, e më pas iu bashkuan iniciativës komunitare, Prend Ndoja, Enard Qepuri, Karafil Bilali, Feim e Altin Durra, Artan Domi, Valdrin Mulaj e shumë e shumë bashkatdhetarë të tjerë. Shkolla shqipe, “Gjergj Fishta” New York me iniciativë të Dr. Paulin Marku dhe mësuese Fabjola Gjinaj Marku u themelua për ti shërbyer fëmijëve të komunitetit shqiptar për të mësuar gjuhën, historinë, kulturën dhe traditat shqiptare. Qëllimi të njohim fëmijët rrënjët shqiptare, ti kultivojnë dhe të ndihen krenar për origjinën e prindërve të tyre.

Emri i kësaj shkolle lindi si një mishërim i njeriut të madh të kombit shqiptar, pjesëmarrësit e drejtuesit të kongresit të Manastirit ku mbrojti me besnikëri alfabetin e gjuhës shqipe, poetit, shkrimtarit, klerikikut, politikan e atdhetarit shqiptar që zemra e tij rrahu për shqiptari pa dallime krahinore por me një qëllim të vetëm për ti shërbyer atdheut, tha ndër të tjera Dr.Marku i cili në fund të fjalës së tij falenderoi vatranët, prindërit e shkollës “Gjergj Fishta” dhe çdo kontributor që ka ndihmuar e bashkëpunuar përgjatë këtij viti të suksesshëm.

Editori i gazetës Dielli theksoi se Vatra Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – New York me punën e shenjtë atdhetare, edukative patriotike dhe komunitare po lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mërgatës shqiptare të Amerikës. Profesionalizmi, dedikimi dhe përkushtimi i Dr. Paulin Markut e Fabjola Gjinajt janë frymëzues për komunitetin, asete dhe vlera të çmuara që promovojnë dhe kultivojnë vlerat e shenjta e të shtrenjta të kombit tonë.

Në fjalën e lexuar nga Borana Coka, gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës” z.Frank Shkreli thekson se: nxënsit e shkollës “Gjergj Fishta”, teksa mësojnë gjuhën shqipe, mbeten të ndërgjegjshëm dhe të vetdijshëm ndaj rrënjëve të tyre etnike, megjithëse do rriten dhe do të jetojnë në një botë të huaj por të lirë në krahasim me botën e prindërive dhe gjyshërve të tyre. Në këtë oqeanin e madh që e quajmë Amerika jonë e dashur ku ky brez i ri shqiptaro-amerikanësh, përveç gjuhës dhe kulturës shqiptare po brumosen nga ju, njëkohësisht, edhe me ndjenja kombëtare të orgjinës, por si qytetarë të denjë të këtij vendi me të drejta, liri dhe përgjegjësi të barabarta, thuhet në mesazhin e z.Shkreli.

Prozatori dhe poeti z.Prend Ndoja në fjalën e tij emocionale dhe patriotike apeloi për prindërit që të sjellin fëmijët në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” si një rrugë të sigurtë drejtë ardhmërisë sonë si komb e komunitet shqiptar. Z. Ilir Cubi përshëndeti aktivitetin atdhetar në emër të kryesisë së Federatës Vatra dhe iu drejtua fëmijëve me një mesazh emocional që të vazhdojnë të bëjnë krenarë prindërit me përkushtimin dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

Themeluesja e shkollës shqipe “Skenderbej” znj.Adelina Lacaj në fjalën e saj profesionale theksoi rritjen e nivelit të shkollës shqipe, profesionalizmin e drejtuesve Dr.Marku e Znj.Gjinaj, rolin e shkollës si bazë zhvillimore për shoqërinë dhe rolin e integrimit të komuniteteve përmes shkollës si pasuri dhe sukses komunitar.

Programi muzikor dhe recitali i nxënësve të shkollës shqipe ‘‘Gjergj Fishta’’ New York përgatitur me pasion, dedikim e përkushtim nga znj.Fabjola Gjinaj e

prezantuar nga nxënësit Alisia Durra e Alex Qepuri emocionoi e përloti të pranishmit me ndjenjën e interpretimit, këngët patriotike, magjinë e fjalës, energjinë dhe fuqinë që buron nga shpirti shqiptar.

Programi artistik: 1.Kënga “Rrjedhë me këngë e ligjërime” – Emeli Marku, 2. Vjersha “Shqiponja” – Ajla Durra, 3. Vjersha “Atdheu ynë i shtrenjtë” – Arnisa dhe Arnisi Muçaj, 4. Kënga “Mora fjalë” – Uarda Bilali, 5. Vjersha “Harta”- Wendi Bilali, 6. Kënga “Duaje atdheun tënd” – Ajla Durra, 7. Vallja e Çamërisë, 8. Vjersha “O malet e Shqipërisë ”- Alex Qepuri, 9. “E kam emrin kosovar” – Bora dhe Parta Loxha, 10. Vjersha

“Gjuha shqipe” – Aron Domi, Bojken dhe Era Bajraktari, 11. Vjersha “Atdheut tonë” – Uarda Bilali, 12. Kënga “Jam djalë Dukagjini” – Alex Qepuri, 13. Vjersha “Atdheu ynë” – Kamila Marku, 14. Vjershat nga Dritëroi, Albini dhe Shqiptar Mulaj, 15. Vjersha “Valle shqiptare” – Alisia Durra, 16. Kënga “Xhamadani vija-vija” – Vincent Marku dhe Alex Qepuri, 17. Vjersha “Pranvera” – Parta Loxha, 18. Vjersha “Shqipëria ime” – Emeli Marku, 19. Kënga “Fol Shqip” – Alisia Durra dhe Arnisa Muçaj, 20. “Kënga e nënës” – Wendy Bilali, 21. Vjersha “Abetare” – Bora Loxha, 22. “Këndoj shqip se jam shqiptare” – Emeli Marku, 23. “Ty të ka baba sa shtatë djem” – Klea Bilali, 24.“I dashur atdhe” – Vicent dhe Anton Marku, 25. Kënga “Kosovë-Shqipëri” – Arnisa dhe Arnis Muçaj.

Themeluesja Fabjola Gjinaj në përfundim të programit artistik shprehu falenderim e mirënjohje për pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë, vlerësoi punën e shkëlqyer e bashkëpunimin e prindërve e në veçanti Dorina Durrën për mbështetjen e pakursyer. Ceremonia festive u kurorëzua me shpërndarjen e certifikatave dhe bluzave të shkollës “Gjergj Fishta” për të gjithë fëmijët.

Federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – New York e kombi shqiptar rrofshin e qofshin përjetë e mot.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Sfida aktuale e sigurisë në Kosovë …

October 25, 2025 by s p

Prof.dr.Muhamet Racaj,Gjeneral-Major
Universiteti”Nënë Tereza”,Shkup

Ky artikull analizon sfidat aktuale të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe thekson domosdoshmërinë e miratimit të trajnimit ushtarak të detyrueshëm si pjesë e reformës mbrojtëse kombëtare. Në fokus është hendeku ushtarak mes Kosovës dhe Serbisë, rritja e kapaciteteve ushtarake të fqinjëve, paqartësitë mbi efektivitetin e misionit të NATO-s (KFOR), si dhe orientimi strategjik i Kosovës drejt mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Përmes analizës krahasuese me modelin kroat, artikulli argumenton se trajnimi i detyrueshëm do të shërbente si instrument për përgatitjen e popullsisë, krijimin e rezervës aktive të Forcave të Armatosura, si dhe forcimin e vetëqëndrueshmërisë strategjike të vendit.


Republika e Kosovës përballet aktualisht me një sërë sfidash sigurie që burojnë nga konteksti rajonal dhe pozicioni i saj i ndjeshëm gjeopolitik. Tensionet e vazhdueshme në veri të vendit, ndërhyrjet politike dhe ndikimi ushtarak serb në rajon, kërkojnë një strategji gjithëpërfshirëse të mbrojtjes. Trajnimi ushtarak i detyrueshëm, në këtë kuptim, përbën një politikë të mundshme për të garantuar përgatitjen bazë të qytetarëve për situata emergjente dhe për nevoja mobilizuese në rast konflikti të armatosur.

1. Sfida aktuale e sigurisë në Kosovë

Konteksti i sigurisë në Kosovë është karakterizuar nga një hendek strukturor në raport me Serbinë, si në aspektin financiar ashtu edhe atë ushtarak⁽¹⁾. Sipas raportit “Rikthimi i Udhëheqjes Britanike në Ballkanin Perëndimor”, i përgatitur në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të nënshkruar nga ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ekziston “një paqartësi strategjike mbi gatishmërinë e misionit të KFOR-it për t’u përgjigjur në rast të një pushtimi territorial të Mitrovicës Veriore nga Serbia, e mbështetur nga Rusia”⁽²⁾. Raporti thekson më tej se Kosova, për shkak se nuk është anëtare e NATO-s, nuk mbulohet nga Neni V i Traktatit të Aleancës së Atlantikut të Veriut⁽³⁾.Kjo situatë strategjike pasqyron mungesën e garancive të menjëhershme ndërkombëtare për mbrojtje kolektive. Për rrjedhojë, aftësia vendore e Kosovës për reagim të shpejtë dhe përfshirje qytetare në sisteme mbrojtjeje është kufizuar. Ngjarjet e Banjskës, ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, shërbyen si pikë kthese për reformimin e strukturave operacionale⁹.
Kosova përballet me rreziqe sigurie të brendshme dhe të jashtme që kërkojnë një sistem më të strukturuar për trajnimin mbrojtës⁶. Mungesa e një kornize ligjore për trajnimin e detyrueshëm mund të ndikojë në dobësimin e kapacitetit mbrojtës operativ. Sipas dokumenteve të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, një grup pune është themeluar për hartimin e projektligjit për shërbimin ushtarak të detyrueshëm, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare si Zvicra⁷. Kjo nismë ka për qëllim ngritjen e një baze ligjore që do të lejonte organizimin e një trajnimi bazik për qytetarët, i cili mund të zgjaste dy muaj me theks në edukimin fizik, disiplinën dhe ndërgjegjen mbrojtëse⁸.

2. Modeli i Kroacisë dhe aplikueshmëria për Kosovën

Kroacia ka rikthyer trajnimin ushtarak të detyrueshëm pas më shumë se një dekade, duke përcaktuar që trajnimi themelor të zgjasë dy muaj dhe të përfshijë të rinjtë që mbushin 19 vjeç⁹. Përjashtime parashikohen për studentët, sportistët profesionistë dhe personat me detyrime ushtarake jashtë vendit¹⁰. Qeveria kroate i konsideron këto ndryshime si domosdoshmëri për mbushjen e rezervave ushtarake dhe përgatitjen e kombit për mbrojtje gjithëpërfshirëse¹¹. Një model i tillë është i aplikueshëm edhe për Kosovën, nëse kapacitetet ekzistuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) forcohen dhe mbështeten me program trajnimi kombëtar¹².

3. Përfitimet e trajnimit ushtarak në Kosovë

Trajnimi i detyrueshëm mund të sjellë disa përfitime themelore për sistemin e sigurisë së Kosovës:
         ●  Krijimi i një rezerve funksionale që mund të mobilizohet në situata emergjente ose krize¹³.
         ●  Rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rolin e tyre në mbrojtjen kombëtare dhe për forcimin e identitetit shtetëror¹⁴.
         ●  Krijimi i kushteve për barazi gjinore, duke i dhënë mundësi edhe grave të trajnohen dhe të kontribuojnë në mbrojtje¹⁵.
         ●  Ndërtimi i një strukture operacionale që do të forcojë bashkëpunimin midis institucioneve civile dhe ushtarake.

4. Sfidat dhe debatet në zbatim

Ndër sfidat kryesore janë mungesa e infrastrukturës, buxhetet e kufizuara dhe nevoja për përputhje me standardet e NATO-s. Aktualisht, FSK është në proces transformimi drejt një ushtrie profesionale deri më 2028, me 5000 trupa aktive dhe 3000 rezervistë. Zbatimi i trajnimit të detyrueshëm duhet të harmonizohet me këtë proces për të shmangur mbivendosje institucionale. Debatet politike përfshijnë edhe dilema mbi efektivitetin e këtij trajnimi në raport me nevojat reale të sigurisë së vendit. Megjithatë, nga një perspektivë strategjike, ky reformim mund të përmirësojë aftësitë operacionale të Kosovës në bashkëpunim me aleatët e NATO-s dhe me forcat e tjera rajonale.

5. Masat e reja të modernizimit ushtarak

Pas incidentit në Banjskë, Qeveria e Kosovës ndërmori blerje të gjera të armatimit modern, duke përfshirë raketa Javelin dhe lansues amerikanë me vlerë 72 milionë dollarë, si dhe dronë turq Bayraktar⁽⁴⁾. Këto investime u interpretuan nga Pentagoni si dëshmi e një kërcënimi të mundshëm territorial ndaj Kosovës⁽⁵⁾.Në gusht 2025, Kosova nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke hapur rrugën për blerje të përbashkëta nga tregtarët perëndimorë të armatimeve dhe municioneve⁽⁶⁾. Po ashtu, në shtator të këtij viti, Kosova alokoi 1.1 miliard dollarë për zhvillimin e industrisë vendore të dronëve dhe modernizimin e ushtrisë⁽⁷⁾. Të gjitha këto masa dëshmojnë një qasje të qartë drejt autonomisë mbrojtëse dhe operacionale.

Përfundim dhe rekomandime

Në përfundim, rikthimi i trajnimit ushtarak të detyrueshëm në Kosovë nuk duhet të shihet vetëm si politikë sigurie, por si strategji shtetërore për ndërtimin e kapaciteteve vetëmbrojtëse. Në një kontekst rajonal dinamik, ku hendeku ushtarak me Serbinë mbetet sfidues, kjo nismë përbën garanci për qëndrueshmëri afatgjatë.Rekomandohet që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë miratimin e një Ligji për Trajnimin Ushtarak të Detyrueshëm, të përcaktuar qartë në aspektin kohor (dy mujor), ekonomik dhe social, duke marrë për bazë modelin kroat të vitit 2025. Kjo do të siguronte një popullsi të trajnuar, një ushtri me rezervë funksionale dhe një shtet më të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve të jashtme.

Literatura e shfrytëzuar:

1.  Lord George Robertson, Restoring British Leadership in the Western Balkans, Procesi i Berlinit, 2025.
2.  Hina Agency, Changes in the Croatian Defense Law, 2025.
3.  Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Is a Compulsory Military Service Feasible for Kosovo?, 2024.
4.  NATO-KFOR Reports, Operational Readiness Summary, Tetor 2025.
5.  Koha.net, Mbrojtja Gjithëpërfshirëse si Zëvendësim për Shërbimin e Detyrueshëm Ushtarak, 2024.
6.  Gazeta Reale, Kosova me Sfida të Mëdha Sigurie, 2025.
7.  UK Defence Journal, UK Extends NATO Peacekeeping Role in Kosovo to 2028, 2025.
8.  Koha Ditore, Reforma e Ligjit të Mbrojtjes në Kroaci, 2025.
9.  BalkanWeb, Kosova nënshkruan aleancë me Shqipërinë dhe Kroacinë për modernizim ushtarak, 2025.
10. Wikimedia Foundation, Kosovo Force & Security Analysis Report, 2025 

Filed Under: Komente

Pamflet, nuk ka paqe në Vlorë…

October 25, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi 

Nëse do të kishte një muze për paradokset shqiptare, një pavijon i tërë do t’i takonte aeroportit të Vlorës. Në hyrje, ndoshta do të shihje një maket piste, një poster me logon “Investim Strategjik”, dhe në një qoshe – një figurë prej dylli e Behgjet Pacollit, që tund kokën me ankth dhe psherëtin: “S’e kuptoj pse janë ngritur të gjithë kundër meje.”

Pacolli, miliarderi kosovar, një nga ata tre a katër shqiptarë që kanë arritur të futen në klubin e njerëzve të pasur të botës, ka hyrë së fundmi në një ciklon që nuk e kontrollon dot. Dhe, çuditërisht, gjithçka nisi nga Facebook-u. Aty ku njerëzit zakonisht shpërndajnë foto darkash, Behgjeti shpërndau lavde për Edi Ramën – me tone aq të ëmbla sa do ta skuqnin edhe një zëdhënës partie.

“Aeroporti i Vlorës do të jetë ndër më të bukurit në botë, falë vizionit estetik të kryeministrit tonë,” shkroi ai. Pastaj, si të kishte kapur fluturën e gabuar me duar, e fshiu emrin e Ramës nga statusi. Paniku i tradhtoi gishtat.

Një komplot, një frikë, një shantazh. Në çdo fjalë të Pacollit, ndihet diçka më shumë se shqetësim – është aroma e frikës. Ai flet për “komplot të koordinuar në Shqipëri”, për “kurthe” dhe “kërcënime”, për një dorë të padukshme që po i rrëmben diçka që e quan “të tijën”.

Në letër, gjithçka nis me një sherr për përqindje: Valon Ademi, me 2% të aksioneve, pretendon se duhet të ketë 49%. Ai çon Pacollin në gjykatë. Në prapaskenë, një tjetër zë përhapet: Pacolli paska marrë kredi me burime të dyshimta, madje me para që vijnë nga qarqe të lidhura me Moskën. Aty përfshihet “siguria kombëtare”, NATO, rusët, dhe gjithë arsenali i fjalëve që shndërrojnë një aferë financiare në film spiunazhi.

Por së fundmi, Behgjet Pacolli ka dalë publikisht me deklaratë mbi çështjen e aksioneve të aeroportit të Vlorës:

“Në një akt noterial të vitit 2023, i përdorur joligjerisht nga noterja Valbona Selimi për transfer të pronës, ajo ka përfshirë deklarime të pavërteta duke pretenduar se unë kam qenë fizikisht i pranishëm, se është kryer identifikimi im, dhe se kam nënshkruar dokumentin në praninë e një përkthyeseje. Këto pretendime janë plotësisht të rreme. Nuk e njoh noteren Selimi dhe nuk kam qenë ndonjëherë në zyrat e saj.”

Në fakt, sipas tij, akti noterial është pjesë e një veprimtarie të dyshuar kundërligjore të ndërmarrë nga Valon Lluka dhe të fshehur për katër muaj, duke provokuar një përplasje publike për një pjesë të aksioneve që vlente qindra milionë euro.

Por si çdo film i dobët, edhe ky skenar ka një të vërtetë më banale: paratë. Aeroporti i Vlorës kushton rreth 100 milionë euro, por koncesioni pritet të sjellë fitime mbi 700 milionë. Një “thes” që s’mund të lihet pa zot. Dhe aty, si gjithmonë, hyn politika.

Historia nis në 2017. Qeveria Rama donte ta jepte aeroportin pa garë – një kompani turke, një ligj special, një nënshkrim, një “mirë se vini” me buzëqeshje. Por plani dështoi. Në 2020 u tentua sërish, kësaj here me “garë”. Vetëm se garë nuk kishte. Kushtet u ndryshuan katër ditë para afatit. Kompania britanike që guxoi të konkurrojë u përjashtua me pretekst burokratik. Dhe fitues dolën… po ata turq që kishin ndërtuar spitalin elektoral të Fierit: YDA Group. Por as ata nuk qëndruan gjatë. Shitën 40% të aksioneve për… 4,200 euro.

Aty hyn në skenë Pacolli, me xhepat plot dhe nervat bosh. Belinda Balluku firmos dhe aeroporti bëhet një fshat Potemkini me pistë. Ndërtimi kushton 100 milionë, por shteti garanton 140 milionë për 10 vitet e para – fitim edhe në gjumë. Pacolli e di mirë këtë. Në publik flet për “dhuratë për qytetarët shqiptarë”, ndërsa në privat e quan “kontratën më të mirë të jetës sime”. Natyrisht që Belinda nuk e ka bërë këtë duke ngrënë kumbulla apo dardha prapa shpinës së shefit. Nisma për një gropë me aeroportin e Vlorës ishte projektuar para se ajo të bëhej anëtare kabineti. Por roli dhe firmat janë të saj. Prandaj tek ky skandal ajo gjendet në të njëtin pozicion me ata që zbatuan urdhërat për djegësat e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. 

Por dikur diçka u prish. Partneri kërkoi më shumë, qeveria më shumë, ndërsa Pacolli s’deshi të ndajë. Dhe tani, miliarderi që rindërtoi Kremlinin, është kthyer në njeriun që sheh fantazma edhe në postimet e Facebook-ut. Në publik del me fjalë për “vizione estetike”. Në privat, ndoshta lutet që estetika të mos e hajë me të gjallë.

Në verën e kaluar, mediat amerikane transmetuan një video virale: dy hajdutë përleshen për një pako të vjedhur. Ajo që ndodh sot në Vlorë është e njëjta gjë, vetëm se hajdutët mbajnë kostume dhe dalin në konferenca shtypi. Dikur u zunë për inceneratorët, sot për aeroportin. Nesër, kush e di – ndoshta për detin.

Kështu, ndërsa plaçkitësit zihen në gjyqe për të ndarë plaçkën e vjedhur, interesi publik ka mbetur jetim. Të plaçkiturit – qytetarët – rrinë të heshtur. Asnjë reagim, asnjë turp, asnjë ndjesi se po paguajnë për një pistë që mund të mbetet bosh. Në fund të fundit, ndoshta kjo është edhe metafora më e mirë për Shqipërinë e sotme: një aeroport pa avionë, një miliarder që dridhet, dhe një qeveri që fluturon mbi re – me charter privat.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT