• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT

January 26, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Artikull vlerësues mbi studimin e Athanas Gegajt për origjinën e Arbërit
(bazuar në kapitullin “La situation intérieure de l’Albanie au Moyen Âge”, 1937)

Në mesin e viteve ’30, kur historiografia ballkanike dominohej ende nga lexime romantike, nacionaliste dhe shpesh të politizuara të së shkuarës, Athanas Gegaj botoi në frëngjisht studimin e tij mbi Shqipërinë mesjetare dhe pushtimet osmane. Qysh në kapitullin e parë, ku trajton çështjen e invazioneve sllave dhe historinë e emrit Arbëri/Albanie, duket qartë kthjelltësia e tij metodike dhe serioziteti kritik që, për kohën, ishte dukshëm përpara shumë kolegëve në rajon.

Ky tekst, i botuar rreth vitit 1937, mbetet edhe sot një nga trajtimet më të maturuara për origjinën e Arbërit, kontinuitetin ilir dhe formimin historik të emërtimit “Arbëni / Arbënia / Shqipni”.

1. Vizioni i Gegajt për vazhdimësinë ilire të shqiptarëve

Që në faqet e para, Gegaj vendos një tezë të qartë, të argumentuar mbi bazë burimore: në pushtimet sllave të shek. VII, shumica e popullsive të vjetra iliro–trakase u asimiluan, por shqiptarët, si pasardhës të racës ilire, ruajtën identitetin e tyre. Ai shkruan:

“Seuls, dans toute la Péninsule, les Albanais, descendants de la race illyrienne, purent se maintenir intacts.”

Në një kohë kur një pjesë e historiografisë sllave përpiqej të minimizonte vazhdimësinë ilire, Gegaj, mbi bazën e burimeve bizantine, latine dhe sllave, e formulon qartë tezën e mbijetesës etnike shqiptare. Kjo nuk është thjesht deklaratë patriotike, por përfundim i një analize që kombinon gjeografinë historike, dokumentet kishtare dhe toponiminë.

Po aq i kthjellët është edhe vlerësimi i rolit të fesë. Gegaj nënvizon se tri faktorë e ruajtën elementin shqiptar nga “përthithja serbe”: përhapja e kulturës latine, feja katolike dhe, më vonë, ndikimi politik i Perëndimit. Ai kujton se oborri i Bizantit, në kohën e skizmës, e quante Shqipërinë e besnike ndaj Romës “Latinia”, duke pranuar në mënyrë indirekte dështimin e depërtimit të plotë greko–bizantin.

Ky është një lexim shumë modern: Gegaj nuk e sheh kombformimin shqiptar si produkt vetëm “të gjakut”, por si rezultat ndërveprimi midis etnisë, fesë, strukturave politike dhe kundërvënies ndaj fqinjëve. Sipas tij, shqiptarët “e morën ndërgjegjen e nacionalitetit të tyre” pikërisht në përplasjen me sllavët ortodoksë dhe në luftën për ruajtjen e fesë dhe traditave.

2. Analiza e emrit Arbëni – nga Arbania te Shqipnia

Pjesa më origjinale e këtij kapitulli është padyshim ajo që i kushtohet emërtimit të vendit dhe popullit. Gegaj bën një panoramë onomastike, duke mbledhur formët e ndryshme historike:

“Nous rencontrons des dénominations telles que: Arbania, Arbanon, Raban, Albania, Albanum, comme aussi Albanon et Albanopolis…”

Ai lidh këto forma me dëshminë e Ptolemeut për Albanopolis dhe më pas ndjek emërtimet bizantine (Arbanon), serbe (Raban), perëndimore dhe papnore (Arbanensis princeps, judex Albanorum), duke i vendosur në hartën konkrete: hapësira ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit – pra bërthama historike e Arbërit.

Gegaj e shpreh qartë se të gjitha këto emërtime rrjedhin nga e njëjta rrënjë dhe nga emri që shqiptarët i kanë dhënë qendrës së vendit të tyre. Ai e lidh këtë me Krujën si qendër të jetës politike të Shqipërisë së Mesme dhe me krahinën e Arbërit (Arbëni), nga e cila, me zgjerim, lind emri Arbëni/Arbënia për gjithë vendin.

Një element shumë i çmuar është fakti se ai dallon qartë mes emrit “Albanie/Albanais” të përdorur nga të huajt dhe emrit vendas:

“La masse albanaise appelle sa patrie: Arbënia et se nomme Arbënuer ou Arbëreshë.”

Pra Gegaj nuk i nënshtrohet mekanikisht terminologjisë së burimeve latine e bizantine, por sjell në plan të parë autodefinimin e popullit, gjuhën e vetë shqiptarëve. Ai madje shënon edhe shpjegimin etimologjik që e lidh Arbëni me “fushë” (arbë = fushë), duke përmendur shtrirjen ndërmjet Matit dhe Erzenit si “fushat e Arbërit”.

Po kaq largpamës është vëzhgimi i tij për kalimin drejt emrit “Shqypnia” dhe “shqyptar”, pa mohuar vazhdimësinë e termave të vjetër: ai evidenton se në kohën e vet populli e quan vendin “Shqypnia” dhe veten “Shqyptar”, ndërsa emri Arbëni/Arbëresh është ruajtur më fort te kolonitë italo–shqiptare dhe te sllavët e jugut sesa në mëmëdhe. Kjo është një vëzhgim sociolinguistik që edhe sot do të konsiderohej i kujdesshëm dhe i saktë.

3. Kthjelltësia kritike ndaj miteve serbe për “Shqipërinë veriore”

Një nga aspektet më të guximshme – dhe më aktuale – të këtij teksti të vitit 1937 është refuzimi që Gegaj i bën tezave politike serbe për “sundimin shekullor” dhe “asimilimin sllav” në Shqipërinë e Veriut deri në Durrës. Ai thotë hapur se duhet “të radhisim ndër legjenda, të lindura nga ambicie politike” pretendimin për okupimin e gjatë serb të veriut shqiptar dhe për asimilimin e popullsisë vendase.

Në vend të kësaj, ai sjell dokumentet konkrete: qytetet e Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Shasit, Drishtit, Shëngjinit që në burimet latine përshkruhen si të banuara nga “latinë” (katolikë shqiptarë); kalimin e tyre të herëpashershëm nën Diokle, më pas nën mbretërit serbë, pastaj nën Balshajt dhe venedikasit; praninë e jupanëve serbë në Shkodër, por edhe rezistencën e popullsisë vendase që dallonte nga serbët “për gjuhë, fe dhe tradita perëndimore”.

Këtu shfaqet më së miri mendimi i kthjellët historik i Gegajt: ai nuk mohon pushtimet serbe, por kundërshton transplantimin mekanik të sovranitetit politik në “prona etnike” dhe asimilim total. Ai lexon burimet me sy kritik dhe dallon midis kontrollit shtetëror dhe strukturës reale etnike e fetare të popullsisë.

4. Aktualiteti i Gegajt: një studim i vitit 1937 që flet ende sot

Në dritën e kërkimeve të mëvonshme historike, shumë nga përfundimet e Gegajt duken sot befasuesisht të qëndrueshme:

  • Vazhdimësia ilire e elementit shqiptar, e shprehur qartë në frazën se “vetëm shqiptarët… arritën të mbeteshin të paprekur”, është marrë më vonë si pikënisje nga shumë albanologë të huaj.
  • Lidhja midis përkatësisë latine–katolike dhe rezistencës ndaj asimilimit bizantin e sllav është bërë pjesë e leximit standard të historisë së hershme shqiptare.
  • Analiza e emërtimit Arbanon / Arbania / Arbëni dhe dallimi me “Shqipni / shqiptar” paraprin studimet moderne të onomastikës dhe etnogjenezës.
  • Së fundi, rrëzimi i tezave politike për “asiminim sllav të veriut” dhe insistimi tek roli i bujarëve shqiptarë, familjeve si Thopiajt, Balshajt, Dukagjinët, etj., si aktorë të pavarur në Mesjetë, e nxjerr Gegajn nga korniza e ngushtë nacionaliste dhe e vendos në një traditë të mirëfilltë kritike.

Lexuar sot, ky kapitull nuk është thjesht një material burimor; është shembull se si duhet bërë histori: me njohje të gjerë burimesh, me vëmendje ndaj gjuhës së popullit, me kujdes për kontekstin fetar e politik dhe, mbi të gjitha, me kurajë për t’iu kundërvënë miteve të rreme, sado të fuqishme të jenë politikisht.

Në këtë kuptim, Athanas Gegaj, me studimin e tij të vitit 1937 mbi Arbërinë, meriton të lexohet jo vetëm si një klasik i albanologjisë, por edhe si një model i mendimit të kthjellët historik: ai e sheh Arbërinë jo si mit, por si realitet historik konkret, të vërtetueshëm, që del në pah nga emrat e vjetër, dokumentet mesjetare dhe autodefinimi i vetë popullit – nga Arbëni e Arbëreshë deri te Shqipni e shqiptar.

Filed Under: Kulture

VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI

January 26, 2026 by s p

Nën dënim të përhershëm institucional!

Nga Frank Shkreli

Para do ditësh isha duke lexuar një shkrim në përvjetorin e fillimit të punimeve të Konferencës së Paqës në Paris, (18-20 janar, 1919). Edhe kësaj radhe, për fat të keq, ashtu si zakonisht, zgjoi në mua një zemrim të thellë të radhës: keqtrajtimi historik, harresa ose anashkalimi — prej pothuaj një shekulli tani, i figurës së Fishtës, e sidomos i rolit të At Gjergj Fishtës në arenën ndërkombëtare, siç ishte Konferenca e Parisit, (1919, Frank Shkreli: 105-vjetori i Konferencës së Paqës – Wilsoni, Fishta, Noli dhe aktualiteti politik në Shqipëri | Gazeta Telegraf –vazhdon të jetë një njollë kombëtare turpi. Heshtja zyrtare edhe sot pas 35 vjet tranzicion vazhdon të jetë një dënim i përherëshëm i Gjergj Fishtës, nga Tirana zyrtare por edhe nga Prishtina zyrtare  

Fjalimi i Fishtës me atë rast, në mbrojtje të drejtave historike të shqiptarëve, mbetet një prej fjalimeve më klasikë të historisë shqiptare.  Jo vetëm në atë konferencë, por edhe në tubime të tjera ndërkombëtare, ku Fishta ka marrë pjesë: si konferencat ndër-ballkanike në Athinë, e Stambollë, 1930, ndër të tjera. Përfshir këtu rolin e Fishtës në përpjekjet shqiptare në marrëdhëniet fillestare shqiptaro-amerikane, Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf —  Frank Shkreli: Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane: At Gjergj Fishta, njëri prej protagonistëve kryesorë | Gazeta Telegraf,  pa përmendur kontributet e tija të mëdha e të shumta në fushën e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare, në përgjithsi.  Sidomos, rolin e tij të pazëvendsueshëm në Kongresin e Manastirit, e shumë aktivitete historike të tij në mbështetje të interesave kombëtare, që në thelb kishin gjithmonë mbrojtjen e ekzistencës së Shqipërisë si shtet dhe të interesave kombëtare të gjithë shqiotarëve pa dallim. Si poet kombëtar, shkrimtar e politikan, të gjithë veprimtarinë e tij Fishta e përdori në mbrojtje të Shqipërisë dhe të drejtave të Kombit Shqiptar, ashtu që Shqipëria të mos zhdukej nga harta politike e Europës, pas 1918-s. Frank Shkreli: “Na thoni kush para shqiptarit i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?” | Gazeta Telegraf

Pjesëmarrja e At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris, 20 janar 1919 ishte një rast historic ku  Poeti Kombëtar nuk pranoi vdekjen politike të Shqipërisë në duar të grabitqarve ballkans me miratimin e fuqive të mëdha evropiane.  Më 20 janar 1919, në sallonet e ftohta të Parisit, ku Fuqitë e Mëdha po rishkruanin hartën e Europës sipas interesave të tyre në Ballkan, Shqipëria nuk kishte ushtri, nuk kishte peshë ekonomike, nuk kishte as miq të sigurtë. Kishte, megjithatë, një zë. Dhe një nga zërat më të fortë ishte At Gjergj Fishta.

Mirëpo, të flasësh sot për meritat e Fishtës në Paris Janarin e vitit 1919 dhe në nivel ndërkombëtar, në përgjithsi, është krejtsisht e padëshirueshme për historinë zyrtare aktuale nostalgjike enveriste, që për interesa ideologjike as nuk do t’ia dijë se Fishta veproi si burrë shteti në momentin kur kombi rrezikonte të zhdukej. Si mund të mbrojnë sot historianët nostalgjikë të komunzmit enverian rolin e Gjergj Fishtës në mbrojtje të shtetit shqiptar, kur ky shtet Shqipëria komuniste e kishte shpallur atë armik e tradhtar, për pothuaj një gjysëm shekulli. Sot heshtin, gjithnjë për Fishtën.  Por faktet janë kokëforta dhe flasin edhe sot. Më shumë se një shekull më parë, Fishta ishte në Paris, në zemër të diplomacisë botërore, duke mbrojtur Shqipërinë kur ajo trajtohej si monedhë këmbimi.  Ndonëse i njohur si poet kombëtar Fishta nuk shkoi të recitonte poezi në Paris, por të artikulonte një të vërtetë politike: se Shqipëria kishte të drejtë të ekzistonte si komb i plotë.

Fishta u fliste evropianëve në emër të një historie që Evropa bënte sikur nuk e njihte. Ai përdori argumentin kulturor, etnik e gjuhësor – armë që diplomacia cinike  eevropiane e kohës i përçmonte, por që historia i mban mend. Por jo regjimi komunist as historia zyrtare e shqiptarëve e cila edhe sot e kësaj dite nuk i falë “fajin”, Fishtës, se një klerik katolik shqiptar si Gjergj Fishta kishte përfaqësuar Shqipërinë para Perëndimit, si përfaquses i elitave anti totalitare evropiane dhe njëri prej dëshmitarëve më të shquar të Kombit shqiptar që nuk lidhej as me Moskën as me Beogradin. Duket se ky mentalitet për figurën e  Fishtës vazhdon edhe sot në radhët e elitave shqiptare të edukuara në frymën internacionaliste komuniste, që për fta të keq, mbizotëroj ë edhe sot shkrimin e  historisë të shelullit të kaluar

Prandaj Fishta u shpall “reaksionar”, u fshi nga tekstet, u varros për herë të dytë – këtë herë në harresë të organizuar dhe të sanksionuar, zyrtarisht.  Janari, 1919 I konferencës së Parisit nuk përmendet –Nuk ka pllaka përkujtimore. Nuk ka akademi solemne. Nuk ka asnjë datë zyrtare që të kujtojë se Janar 1919, Gjergj Fishta ishte aty ku po merreshin fatet e Kombit. Ka vetëm heshtje! Heshtja nuk është rastësi. Ajo është vazhdimësi.  Sepse pranimi i Fishtës si figurë politike ndërkombëtare do të thotë për ta, pranimin e një të vërtete të pakëndshme, por e mohuar nga elitat komuniste të pas 1945-ës: se elita shqiptare e para-komunizmit ishte më europiane, më dinjitoze dhe më largpamëse sesa shumë nga ata që erdhën pas, përfshir këta që ende janë gjallë e vendlsin për fatin e figurave historike si Gjergj Fishta.

Por duan ose nuk duan këta pseudo historian, Gjergj Fishta në Paris nuk është episod anësor; është provë. Provë se Shqipëria kishte zë përpara se t’ia prisnin gjuhën. Dhe çdo përpjekje nga ana e këtyre mohuesve zyrtarë të rolit të Fishtës, qoftë edhe në konferencën e Parisit, Janar, 1919 me qëllim për ta mbajtur Fishtën vetëm brenda kornizës së letërsisë e poezisë, është një akt i qëllimshëm, por një  akt politik i vonuar. 

Ndonëse me fjalorin e fortë të Gjergj Fishtës, me 20 janar 1919, Shqipëria foli në Paris. Por sot lind pyetja se kush ka interes që ai zë i fortë të mos dëgjohet më? Ka figura të mëdha që historia i nderon me ceremoni, përkujtimore dhe ka figura që historia dhe disa pseudo- historianë frikësohen prej tyre. Gjergj Fishta i përket kësaj të dytës. Jo sepse ishte i gabuar, por sepse ishte i drejtë në kohë të gabuar për pushtetet. Prandaj u hesht. Prandaj u fshi. Prandaj, edhe sot, trajtohet me një rehabilitim gjysmak, sa për dekor dhe jo për të vërtetën historike. Sipas tyre, Fishta duhet të mbetet poet folklorik, por jo arkitekt orientimi strategjik.  Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë | Gazeta Telegraf – një hap para e dy mbrapa.  Në një tubim kushtuar Fishtës  pesë vjetë më parë organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, u fol për poezinë e letërsinë. kryesisht.  Por Fishta ishte dhe është më shumë se poet e letrar! Një akademi që hesht përballë padrejtësisë historike, heq dorë nga misioni i saj.  Fishta ishte mendimtar i madh politik, aktor diplomatik dhe zë moral i kombit shqiptar në një nga momentet më të rrezikshme të ekzistencës së tij si shtet. Në Paris, më 1919, ai artikuloi çështjen shqiptare në gjuhën që bota perëndimore e kuptonte: gjuhën e parimeve, të drejtës dhe dinjitetit kombëtar. Dhe mbi të gjitha, ai e kuptoi se shpëtimi politik i Shqipërisë nuk mund të vinte nga Lindja, as nga aleancat ballkanike, si “Ballkani i Hapur” I kohëve moderne, por nga Perëndimi demokratik, ku SHBA-ja në fillim shekullit XX, po shfaqej si fuqi morale pas Luftës së Parë Botërore. Ndryshe nga diplomatët rastësorë, përshir ata të sotmit, At Gjergj Fishta e shihte Amerikën jo thjesht si fuqi ushtarake, por si model politik dhe civilizues. Amerikën e konsideronte si shpresën morale dhe politike të shqiptarëve, jo Europa e pazareve.

Por për fat të keq të shqiotaraëve, kjo e vërtetë u bë e papranueshme për regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili ndërtoi legjitimitetin e vet mbi mohimin e çdo tradite perëndimore. Ndërkohë që Fishta u shpall “armik”, e “tradhëtar” u ndalua, u përjashtua nga shkollat dhe nga kujtesa kombëtare për pothuaj një gyjsëm shekulli komunizëm. Por ajo që është edhe më e rëndë: pas rënies së komunizmit, kjo padrejtësi dhe gtradhëti kombëtare nuk u korrigjua, plotësisht. U fol e po flitet për  Fishtën por nuk u tha as nuk thuhet e vërteta e plotë, sidomos, për rolin politik dhe ndërkombëtar diplomatik të Fishtës. Është botuar poezia, por shmanget politika. U pranua gjuha, por u refuzua dhe refzohet mendimi i tij.

Në rend të parë, jo vetëm klasa politike e këtyre 35-viteve tranzicion i ashtuquajtur “post-komunist”, por edhe institucionet shqiptare sot si – Akademia e Shkencave, entet kulturore dhe arsimore zyrtare – kanë dështuar të ballafaqohen me këtë borxh historik. Sepse ta pranosh Fishtën siç ishte, do të thotë të pranosh se historiografia zyrtare ka qenë e shtrembëruar për dekada. Do të thotë të pranosh – në kundërshtim me mësimet e komunizmit — se orientimi natyror i Shqipërisë ka qenë Perëndimi, jo Lindja. Dhe kjo kërkon guxim intelektual e moral, jo vetëm ceremoni. Fishta vazhdon të jetë i pakëndshëm për pushtetin, sepse ai nuk mund të instrumentalizohet. Sepse ai nuk flet gjuhën e kompromisit moral. Ndërsa na kujton se shteti shqiptar u mbrojt nga pena, mendja dhe fjala po aq sa edhe nga pushka. Dhe se pa zëra moral e atdhetar si i tij, Shqipëria do rrezikonte të mos ekzistonte fare.

Sot flasim me të drejtë për ndjenjat pro-perendimore të shqiptarëve, për miqësinë shqiptaro-amerikane, sidomos. Por kjo miqësi nuk lindi dje. Ajo ka rrënjë, madje rrënjë të thella.  Dhe një nga rrënjët e saj është Gjergj Fishta i cili ishte ndër ata që besoi Amerikës që në fillim, kur Shqipëria ishte e braktisur nga Evropa kur Fishta i foli botës në Paris, janarin e viti 1919, kur Shqipëria nuk kishte zë. Ta mohosh këtë, do të thotë të mohosh vërtveten historike.

Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për një Fishtë të zbukuruar. Kemi nevojë për Fishtë të vërtetë: ashtu siç është e siç ka qenë: me mendim politik, me qëndrim perëndimor, me guxim moral e trim atdhetar. Vetëm atëherë do të mund të themi se jemi çliruar jo vetëm nga influencat ende të gjalla nga diktatura politike komuniste, por edhe nga trashëgimia e heshtjes ndaj së VËRTETËS ndaj rolit politik e ndërkombltar të Fishtës.   Sepse kombet nuk dëmtohen vetëm nga armiqtë historikë. Dëmtohen edhe nga harresa e qëlimshme, sidomos nga harresa dhe heshtja zyrtare ndaj së vërtetës.  Dhe harresa e Gjergj Fishtës ka qenë, për shumë kohë — edhe në sytë e shumë vezhguesve — vazhdon të jetë politikë zyrtare e shtetit shqiptar që po dëmton rëndë historiografinë e vërtetë të Kombit shqiptar.  Mjaft është mjaftë! Gjergj Fishta nuk ka nevojë për dekorata. Ai ka nevojë për drejtësi historike. Dhe drejtësia historike fillon me një akt të thjeshtë, por të guximshëm e moral: të pranohet se për dekada keni gënjyer veten dhe të gjithë shqiptarët kudo për rolin e At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës të Janarit, 1919, por jo vetëm. Për faktin se keni pranuar dhe po zbatroni gjithnjë një histori të filtruar nga ideologjia komuniste. Duhet të kërkoni falje dhe të pranoni me guxim, trimërisht, se vazhdoni të heshtni për Fishtën jo vetëm nga rehatia, por edhe nga frika ose nga konformizmi akademik, për hir të një vendi pune. Siç e kam thënë shpesh në shkrimet e mia modeste të dekadave të kaluara në lidhje me krimet e komunizmit, një komb që nuk u kërkon falje viktimave të tija dhe nuk kujton të vërtetat e rolit historik që kanë luajtur në historinë kombëtare figurat e mëdha të kombit si At Gjergj Fishta, ai komb, heret ose vonë, është i dënuar të mbetet i vogël.

Frank Shkreli

Filed Under: Histori

SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

January 26, 2026 by s p

Unitarizmi i aplikuar në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson një formë moderne të organizimit shtetëror, por një mbetje të logjikës centraliste që bie ndesh me frymën e integrimit evropian. Për shqiptarët, përvoja me unitarizmin ka qenë e shënuar nga një kontrast i vazhdueshëm ndërmjet barazisë formale dhe përjashtimit real.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Debati mbi unitarizmin në shtetet me përbërje të theksuar multietnike nuk përbën thjesht një çështje kushtetuese apo organizative, por një problem themelor të filozofisë politike, të legjitimitetit shtetëror dhe të qëndrueshmërisë demokratike. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, ky debat merr një dimension të veçantë për shkak të ndërthurjes së trashëgimisë së konfliktit, procesit të papërfunduar të ndërtimit të shtetit dhe sfidave të integrimit evropian. Brenda këtij konteksti, unitarizmi ka kaluar nga një koncept juridik në një dogmë politike, e cila përdoret selektivisht për të ruajtur status quo-në dhe për të delegjitimuar çdo përpjekje reformuese që cenon strukturat ekzistuese të pushtetit. Në këtë mënyrë, ai ka pushuar së qeni instrument funksional i shtetit dhe është shndërruar në mekanizëm vetëmbrojtës të një rendi politik të mbyllur.

Një analizë e thelluar kërkon dallimin e qartë midis unitarizmit territorial dhe atij institucional. Ndërsa i pari përfaqëson një realitet të konsoliduar dhe të garantuar ndërkombëtarisht, i dyti mbetet burim tensionesh të brendshme dhe pengesë serioze për demokratizimin e shtetit. Integriteti territorial i Maqedonisë së Veriut nuk përbën më një çështje reale politike apo juridike, pasi ai është i mbrojtur nga rendi ndërkombëtar dhe nga anëtarësimi në NATO. Në këtë kuptim, instrumentalizimi i frikës nga rrezikimi i kufijve shfaqet si narrativë artificiale, e ndërtuar për konsum të brendshëm dhe për të shmangur debatin mbi reformimin e brendshëm institucional.

Problemi thelbësor shfaqet në dimensionin e unitarizmit institucional, i cili në praktikë ka prodhuar centralizim të tepruar, uniformizim politik dhe dobësim të mekanizmave të përfaqësimit. Ky model bie në kundërshtim të hapur me parimet mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Evropian, i cili promovon qeverisje shumënivelëshe, decentralizim funksional, ndarje të pushteteve dhe përfshirje gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, unitarizmi i aplikuar në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson një formë moderne të organizimit shtetëror, por një mbetje të logjikës centraliste që bie ndesh me frymën e integrimit evropian.

Rezistenca ndaj reformimit të këtij modeli nuk është pasojë e shqetësimit për stabilitetin e shtetit, por reflektim i interesave të një oligarkie politike dhe ekonomike, e cila funksionon më së miri brenda një sistemi të mbyllur dhe të kontrolluar. Integrimi evropian, me kërkesat e tij për transparencë, sundim të ligjit, kontroll të kapitalit dhe institucione të pavarura, perceptohet nga kjo elitë si kërcënim ekzistencial. Për këtë arsye, ruajtja e unitarizmit institucional shndërrohet në strategji mbijetese politike dhe ekonomike, ndërsa retorika për mbrojtjen e shtetit shërben si mbulesë ideologjike.

Historia politike e Maqedonisë së Veriut dëshmon se ideja e ndarjes territoriale nuk ka qenë vetëm spekulim periferik. Disa eksponent akademik maqedonas kishin ofruar projekte konkrete për ndarjen e shtetit, gjë që është konfirmuar publikisht edhe nga Ali Ahmeti, i cili ka deklaruar se një projekt i tillë i ishte ofruar personalisht. Refuzimi i këtij projekti nga lidershipi i atëhershëm i UÇK-së ishte një akt politik për ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfliktit.

Megjithatë, ajo që nuk u realizua si ndarje e drejtpërdrejtë territoriale, u rikonceptua në formë inxhinierie zgjedhore, përmes ndarjes së vendit në gjashtë njësi zgjedhore. Kjo ndarje nuk ishte neutrale teknikisht, por e dizajnuar me logjikë politike afatgjatë. Njësia e gjashtë zgjedhore u ndërtua pothuajse identikisht me kufijtë e projektit të ndarjes territoriale, duke prodhuar shumicën e deputetëve shqiptarë pikërisht nga ajo zonë.

Ky dizajnim krijon një precedent të rrezikshëm: deputetët e kësaj njësie mund të instrumentalizohen politikisht për të legjitimuar ndarje të ardhshme, duke e paraqitur atë si rezultat të “vullnetit demokratik”.

Në këtë kontekst duhet lexuar propozimi i VMRO-DPMNE-së në programin zgjedhor të vitit 2024 për uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90 dhe shpalljen e vendit si një njësi e vetme zgjedhore. Ky propozim nuk përfaqëson reformë demokratike, por strategji të qartë për reduktimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve, duke synuar reduktimin e tyre nga  5 deri në 10 mandate parlamentare.

Kjo iniciativë vjen pas një procesi të qëllimshëm të dobësimit dhe deatomizimit të subjektit politik shqiptar, proces i cili u intensifikua nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 e deri te zgjedhjet lokale. Vetëm pasi u krijua ky disbalancim politik, u artikulua hapur ideja e një njësie zgjedhore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me projekt pushteti, jo me reformë sistemike.

Nëse synohet stabilitet i qëndrueshëm dhe perspektivë reale evropiane, ndarja zgjedhore rajonale në tetë njësi zgjedhore paraqitet si alternativa më racionale dhe më përfshirëse. Ky model do të siguronte përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike, do të zvogëlonte polarizimin etnik dhe do të krijonte kushte për zhvillim ekonomik rajonal.

Një sistem i tillë do ta zhvendoste konkurrencën politike nga identiteti etnik drejt programeve zhvillimore, duke e harmonizuar Maqedoninë e Veriut me praktikat evropiane të demokracisë funksionale.

Në shoqëri multietnike, demokracia konsensuale nuk është alternativë fakultative, por domosdoshmëri strukturore. Ajo nuk e mohon unitaritetin e shtetit, por e bën atë funksional dhe legjitim përmes barazisë reale dhe përfshirjes. Marrëveshja e Ohrit dhe parimi i Badenterit përfaqësojnë pikërisht këtë logjikë të balancimit demokratik, duke garantuar që vendimmarrja për çështje vitale të mos bëhet në dëm të komuniteteve joshumicë. Çdo tentativë për t’i relativizuar këto mekanizma në emër të efikasitetit shtetëror përbën në thelb rikthim drejt një unitarizmi përjashtues.

Për shqiptarët, përvoja me unitarizmin ka qenë e shënuar nga një kontrast i vazhdueshëm ndërmjet barazisë formale dhe përjashtimit real. Përballë kësaj gjendjeje, përgjigjja nuk mund të jetë as refuzimi i shtetit dhe as radikalizimi politik, por ndërtimi i një projekti shtetformues të bazuar në demokraci konsensuale, barazi substanciale, përfaqësim real dhe orientim të qartë euroatlantik. Vetëm një qasje e tillë mund ta shndërrojë faktorin shqiptar nga objekt politik në subjekt aktiv të ndërtimit të shtetit.

Unitarizmi në një shtet multietnik nuk mund të mbijetojë si koncept i ngurtë dhe ekskluziv. Ai ose reformohet në funksion të barazisë, pluralizmit dhe konsensusit, ose shndërrohet në burim përçarjeje dhe destabiliteti. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, sfida reale nuk është ruajtja e kufijve, por demokratizimi i brendshëm i shtetit. Pa këtë transformim, integrimi evropian mbetet një projekt deklarativ, ndërsa shteti rrezikon të mbetet peng i një elite që i frikësohet së ardhmes. Vetëm një unitarizëm i reformuar, gjithëpërfshirës dhe i ndërtuar mbi barazi reale mund të garantojë stabilitet afatgjatë, kohezion shoqëror dhe perspektivë evropiane të qëndrueshme.

Shkup, 26 janar 2026

Filed Under: Rajon

ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE

January 26, 2026 by s p

Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja/

Në historinë tonë ka figura që nuk i mban mend vetëm historia e letërsisë, por vetë ndërgjegjja e një kombi. Atë Bernardin Palaj (1894–1946) është një prej tyre. Ai ishte prift françeskan, poet, studiues, publicist, por mbi të gjitha njeriu që e kuptoi herët se kur fjala e popullit nuk dokumentohet, ajo rrezikon të shuhet bashkë me brezin që e këndon. Prandaj, ai u bë udhëtar i maleve, shënues i këngëve, “përkthyes” i një bote gojore në kujtesë të shkruar dhe një emër themelor i folkloristikës shqiptare. Në një përshkrim që tingëllon si portret i rrallë moral, Atë Zef Pllumi e quan “Frati, këngëtari, poeti, folkloristi, shkencëtari… ai zog i rrallë!”, ndërsa Ernest Koliqi e pagëzon me një titull që tingëllon si jehonë e pashuar ndër breza: “Frati i Kangeve”.

Nëse e shohim Palajn në dritën e kulturës dhe të kujtesës kombëtare, ai është një ngjarje e madhe shpirtërore. Jehona e tij vazhdon. Vepra e tij na tregon si ndërtohet identiteti përmes rrëfimit. Jeta e tij përfundon tragjikisht dhe mbetet dëshmi e dhunës që synoi të shkulte rrënjët e kujtesës. Sot, kur diaspora shqiptare kërkon të ruajë lidhjen me gjuhën, me historinë dhe me “zërin” e vendit, Palaj shfaqet si një urë e fortë mes Shqipërisë së brendshme dhe Shqipërisë së shpërndarë në botë.

Kur flitet për Palajn, shpesh kujtohet malësia—jo thjesht si vend, por si laborator i një kulture gojore që rrezikonte të mbetej pa “arkiv”. Palaj iu kushtua gjithë jetën mbledhjes dhe studimit të këngëve rapsodike, legjendave dhe traditave popullore, që pastaj të mund t’i bënte të përdorshme e të qasshme për brezat pasardhës. Palaj nuk ishte “mbledhës” në kuptimin mekanik të fjalës. Ai ishte një i përkushtuar i terrenit, një njeri që e njihte komunitetin duke jetuar brenda tij, jo duke e vëzhguar nga jashtë. Vite të tëra ai udhëtoi nëpër malësi, u ul në oda, dëgjoi lahutarë, shkroi e krahasoi variante, pa u trembur nga vetmia dhe vështirësia e misionit. Këtu qëndron thelbi i vlerës së tij. Ai e kuptoi se tradita nuk ruhet vetëm me respekt emocional, por me punë të durueshme, me shënim, me krahasim variantesh, me redaktim të kujdesshëm dhe me botim.

Koliqi e vendos Palajn në një rang europian të ruajtësve të epikës, duke e quajtur “Lönnrot-i i Shqipërisë” (një paralele me përpiluesin e “Kalevalës” finlandeze), ndërsa albanologia ruse Desnickaja e vlerëson si “Njohësin ma të shquem të maleve shqiptare”.

Në vijim të kësaj linje, studiuesja Angela Cirrincione e sheh Palajn në vazhdimësinë e shkollës françeskane të Shkodrës dhe të traditës së Fishtës, duke e vendosur krah Atë Shtjefën Gjeçovit dhe Marin Sirdanit si “ndjeksa të Fishtës” në rrugën e hapur prej mjeshtrit. E po në të njëjtën frymë, Cirrincione nënvizon se Palaj është figurë “e ndërlikueme letrari” me tri pamje kryesore: poetin, prozatorin dhe folkloristin. Koliqi, duke e rishkruar këtë renditje, do ta vendoste në krye folkloristin, sepse Palaj, “si i pari paraqitës i rapsodìve të maleve veriore”, zë vend kryesor ndër mbledhësit e këngëve të popullit, dhe puna e tij si folklorist jo vetëm e ushqeu prodhimin e vet letrar, por ndikoi edhe poetë të tjerë.

Pikërisht këtu hyn vepra që shënon një kthesë të madhe për kulturën shqiptare: “Visaret e Kombit”. Bashkëpunimi me Atë Donat Kurtin është një kapitull i madh në këtë histori. Në “Visaret e Kombit”, ata sollën një pasqyrë të gjallë të këngëve, valleve, legjendave dhe traditave, duke e bërë të prekshme për brezat një pasuri që përndryshe do të mbetej e ekspozuar ndaj humbjes.

Në “Hyrjen” e kësaj vepre, vetë autorët nënvizojnë rëndësinë e “këngëve kreshnikësh”, “këngëve të moçme” ose “këngëve lahute” që rrëfejnë botën e Gjeto Basho Mujit dhe luftën për liri, besë e nder—këngë të ruajtura gojë më gojë për shekuj dhe të njohura nga Malësia e Madhe te Dukagjini, Kosova, Puka e më tej.

Por Palaj nuk mjaftohet me grumbullim. Ai hyn në brendinë e materialit, analizon strukturën, temat, funksionin identitar, mënyrën si një popull e kodon historinë e vet në figurë epike. Në këtë pikë, shkrimi i tij nuk është thjesht etnografik; ai është edhe kulturor, edhe politik në kuptimin e gjerë. Shkrimi i tij është politik sepse mbron idenë se një komb nuk mbahet vetëm me institucione, por edhe me rrëfime të përbashkëta. Ai e shpëtoi traditën jo si muze të ngrirë, por si burim që ushqen krijimtarinë dhe mendimin.

Një element që e bën Palajn të veçantë është mënyra si ai ndërhynte në tekste pa i deformuar. Koliqi jep një përshkrim tepër të qartë të metodës së tij. Palaj zgjidhte variantin më të mirë, e plotësonte me vargje të përshtatshme nga variante të tjera, por “pa cenue… vetvetishëmënín gjenuine”, duke qëndruar në frymën dhe ligjërimin e lahutarëve. Kjo metodë është etika e redaktimit folklorik duke ndihmuar tekstin të dalë në dritë, pa ia marrë zërin.

Në revistën “Hylli i Dritës”, Palaj botoi e përpunoi rapsodi që sot janë referenca themelore për epikën e veriut: “Gjeto Basho Muji–Martesa”, “Muji te Mreti”, “Martesa e Halilit”, “Gjergj Alez Alia”, “Muji e Behuri”; ndërkohë, ai mblodhi edhe “doke, besime, kanune e simbole” në prozë, duke e zgjeruar vështrimin nga kënga te kultura si sistem. Kjo e bën të kuptueshme vlerësimin për të: “nuk ishte vetëm korifeu i folklorit shqiptar, por edhe shkencëtar i vërtetë”. Ndërkohë, Palaj ishte figurë e njohur publike. Ai ishte muzikant, organist i Kishës së Françeskanëve në Shkodër, mësues i shqipes dhe latinishtes në Liceun Illyricum, dhe një nga drejtuesit e gazetës “Ora e Maleve”, e cila pati rol në jetën politike e kulturore të kohës.

Pikërisht për shkak të kësaj pranie publike ai u godit politikisht. Me rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetor 1924 u arrestua si kundërshtar, por u lirua pas ndërhyrjes së Lazër Mjedës. Pra, Palaj e provoi herët se të jesh intelektual i përfshirë në jetën e vendit do të thotë të paguash shpesh koston e qëndrimit.

Po kalvari i tij vazhdoi më egërsisht. Sepse erdhi viti 1946 dhe goditja nuk ishte vetëm mbi njeriun, por mbi arkivin. Në fund të atij viti u konfiskuan shkresat, korrespondenca dhe arkivat e mbetura. U plaçkitën muze dhe koleksione, përfshirë muzeun folkloristik të etërve Bernardin Palaj dhe Donat Kurti. Kjo është një nga ato momente ku historia kulturore bashkohet me dhunën politike. Shkatërrimi i materialeve nuk është rastësi, por strategji për të varfëruar kujtesën.

Pastaj vjen tragjedia personale. Në 1946 Palaj u arrestua dhe u torturua, duke refuzuar të pranonte ideologjinë e imponuar. Dëshmi rrëqethëse tregojnë për varjen e tij të lidhur, për rrahjen dhe vdekjen nga tetanozi, si edhe atë përgjigje të prerë që mbetet testament shpirtëror: “Zoti im është në qiell.”

Jeta e tij përfundoi tragjikisht më 2 dhjetor 1946. Ai vdiq në burg, duke ruajtur besimin në Zotin dhe në atdhe. Por tragjedia nuk mbaron as me vdekjen. Sipas dëshmisë së nipit Luigj Gjergji, ai nuk u vra drejtpërdrejt, por vdiq nga pasojat e torturave. Familja u përpoq ta merrte trupin për ta varrosur me nderime, por autoritetet nuk e lejuan dhe nuk dhanë asnjë shenjë se ku do të varrosej. Më pas qarkulluan thashetheme për një “gropë gëlqereje” ose për varrim pranë Dom Lazër Shantojës, por gjithçka mbeti e paprovuar dhe, deri sot, vendi i varrit të tij mbetet i panjohur.

Kjo mungesë e varrit të Atë Benradin Palajt përmban një simbolikë të forte. Humbja e eshtrave shfaqet si metaforë e një humbjeje të përkohshme të identitetit, por edhe si kujtesë e qëndrueshme e rezistencës.

Atë Bernardin Palaj vjen tek ne si një figurë me peshë të dyfishtë, sepse njëkohësisht qëndron si kontribut i mirëfilltë shkencor në ruajtjen e folklorit dhe si dëshmi e një përkushtimi njerëzor ndaj kujtesës së komunitetit. Puna e tij e shndërroi fjalën gojore në pasuri të dokumentuar, të vlefshme për historinë kulturore, për studimin e identiteteve dhe për kërkimet mbi traditën.

Pasuria që ai na la mbetet edhe një çelës interpretimi që e afron figurën e tij me shpirtin e epikës që mblodhi. Në folklor, kreshnikët mbrojnë nderin, tokën dhe identitetin, ndërsa Palaj mund të shihet si “kreshnik i kulturës”, sepse qëndroi i palëkundur përballë dhunës dhe përpjekjeve për nënshtrim. Prandaj, kur sot e përmendim Atë Bernardin Palajn, nuk duhet ta bëjmë vetëm si figurë të kaluarës, por si detyrë e së tashmes, që ajo që Palaj “i rrëmbeu harresës” të mos mbetet sërish e cenueshme nga harresa.

Në një kohë kur diaspora shqiptare është ndër ruajtëset më të rëndësishme të gjuhës dhe të kujtesës, figura e Palajt na kujton se identiteti nuk është vetëm ndjenjë, por edhe punë e përditshme, dokumentim, arkivim dhe, mbi të gjitha, një vendim i vetëdijshëm për të mos e lënë kulturën të bjerë në heshtje. Dhe nëse Palaj ishte “Frati i Kangeve”, atëherë edhe ne sot na takon një përgjegjësi e ngjashme: të jemi kujdestarë të këngës, të fjalës dhe të kujtesës, që “Dielli” i kulturës shqiptare të mos zbehet, as në atdhe e as në mërgim.

Shkodër, më 25 janar 2026

Filed Under: Opinion

Garancia Publike për Emigrantët

January 25, 2026 by s p

Av. Hasan Metuku/

Për të gjithë ju që keni procese në vazhdim apo do aplikoni për bashkim familjar për familjarët tuaj, qoftë nëpërmjet procesit konsullor (ne ambasadat amerikane) apo pershtatjen e statusit duke qenë brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës eshte me rendesi te dini se:

Më 22 janar 2026, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) publikoi njoftimin në lidhje me rivendosjen e Garancis Publike, (formulari I-945).

Ky formular do të përdoret për emigrantët që do konsiderohen të papranueshëm pasi mund të bëhen barrë publike (per buxhetin e shtetit), por të cilëve mund t’u lejohet hyrja pas depozitimit të një garancie, e cila vepron si një garanci financiare për qeverinë e SHBA-së.

* Qëllimi: Të sigurohet që një jo-qytetar amerikan nuk do të varet kryesisht nga qeveria për jetesë.

* Ndryshimet e propozuara: Formulari i përditësuar I-945 përfshin një tarifë regjistrimi, përfshin Departamentin e Shtetit (DOS) në përcaktimin e kushteve dhe lejon paraqitjen e numrave të ndryshëm të çështjeve (I-485, DOS Konsullore ose Vizë Diversiteti).

* Anulimi: Garancia zakonisht anulohet pas pesë vitesh, me kusht që aplikanti të mos ketë marrë ndihmë publike në para ose institucionalizim afatgjatë.

* Kushtet e Anulimit: Një garanci mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar derisa të anulohet nga (Sherbimi i Emigracionit dhe Shtetesise)USCIS.

Anulimi mund të kërkohet nëse aplikanti:

* Ka qenë një (Reziden i Perhershem) LPR për të paktën 5 vjet pa e shkelur garancinë.

* Merr shtetësinë amerikane (natyralizim).

* Largohet përgjithmonë nga SHBA-ja dhe braktis statusin e LPR-së.

* Vdes.

Shkelja e Garancisë: Një garanci konsiderohet e shkelur nëse individi merr përfitime publike të caktuara për më shumë se 12 muaj në total brenda çdo periudhe 36-mujore. Nëse shkelet, shuma e garancisë i kalon qeverisë së SHBA-së si dëmshpërblim i likuiduar.

* Konteksti: Ky veprim synon të kthehet në një analizë më të gjerë, “të tërësisë së rrethanave”, nëse një aplikant ka të ngjarë të bëhet barrë publike, duke përmbysur rregullat më liberale të vitit 2022.

Si e vendos Sherbimi i Emigracionit dhe Shtetesise (USCIS) se kush mund të bëhet barrë për buxhetin e shtetit ?

Procesi i përcaktimit përfshin komponentët kryesorë të mëposhtëm:

1. Faktorët minimalë statutorë

Departamenti i Sigurisë Kombtare (DHS) merr në konsideratë të njëjtët pesë faktorë statutorë të përdorur për përcaktimin fillestar të papranueshmërisë për të vlerësuar shumën e duhur të garancisë:

Mosha: Nëse mosha e aplikantit ndikon në aftësinë e tij për të punuar (zakonisht duke u përqendruar tek ata nën 18 vjeç ose mbi moshën e pensionit të parakohshëm).

Shëndeti: Çdo gjendje mjekësore që mund të ndërhyjë në punë, shkollë ose kujdesin për veten.

Statusi familjar: Madhësia e familjes së aplikantit dhe numri i personave në varësi.

Pasuritë, Burimet dhe Statusi Financiar: Të ardhurat, pasuritë dhe detyrimet e familjes.

Arsimi dhe Aftësitë: Historia e punësimit, niveli i arsimit dhe aftësitë e punës.

Shuma e garancise financiare vendoset për të “mbajtur të padëmtuar” qeverinë e SHBA-së dhe agjencitë e përfitimit publik. Kjo do të thotë që shuma llogaritet bazuar në vlerën e parashikuar të përfitimeve publike që aplikanti konsiderohet se ka të ngjarë të marrë gjatë periudhës që garancia financiare është në fuqi.

Sa më e lartë të jetë mundësia që një aplikant të bëhet barrë publike, aq më e lartë do të jetë shuma e garancisë që USCIS do të kërkojë.

Shuma Minimale: Sipas ligjit, garancia duhet të jetë të paktën 1,000 dollarë, megjithëse shpesh është dukshëm më e lartë bazuar në faktorë t e rrezikut te permemdura me lart.

Nëse përcaktohet se një aplikant është i papranueshëm vlerësuar në bazën e barrës publike, por përndryshe është i pranueshëm për arësye të tjera, aplikanti mund të pranohet sipas vendimit të Sekretarit të Sigurisë Kombëtare pasi të ketë depozituar një garanci finaciare të përshtatshme dhe të duhur.

Si përfundim, përpara se një aplikant të mund të depozitojë një garanci financiare të barrës publike (në Formularin I-945), duhet qe Departamenti ti kërkojë që ta bëjë këtë.

Garancia e barrës publike depozitohet si siguri për kryerjen dhe përmbushjen e detyrimeve financiare të një të huaji të lidhur me qeverinë e SHBA-së.

Për çdo problem që mund të ndeshni gjatë procesit të bashkimit familjar, marrjes së vizës apo Green Card, jeni të mirëpritur për marrë këshillën e duhur.

Avokati Hasan Metuku

Metuku Law P.C.

39 Broadway, Fl 14, Suite 1450

New York, New York 10006

Tel/Fax: 212-480-4242

Email: Hhm@metukulaw.com

www.metukulaw.com

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT