• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DARDANËT

May 6, 2024 by s p

Kastriot Fetahu/

Ese

Një popull me male, lumenj, pyje të përbashkët dhe jetë të ndarë, një popull në dy gjysma popujsh me emra të ndryshëm që kishin krijuar ngadalë një jetë duke grumbulluar javë, muaj, vite, madje dhe shekull pa njëra tjetrën.

Një botë njerkë dhe një popull jetim, që kishte lindur para saj…

Isha fëmijë, diku në klasën e tretë, kur një ditë në rrugën që shkon për në kalanë e Beratit rrugëtonin tre burra të ndjekur nga një numër kureshtarësh në distancë.

U afrova, pasi kurioziteti im është një aksesor i hershëm dhe pyeta dikë -Çfarë janë këta burrat?-

-Kosovarë thonë- më foli ai.

-Çfarë gjuhe flasin këta,- e pyeta përsëri.

Hajde, hajde afrohemi, se më duket se flasin shqip si ne- dhe më bëri shenjë me dorë.

U afrova më shumë nga ç’duhej dhe një “kostumgri” mu drejtua në një mënyrë kategorike -Largohu!-

Kosovarët e dëgjuan dhe, pasi folën pak fjalë që si kuptova qartë, buzëqeshën aq njerëzishëm.

Unë i shikoja ata sikur të ishin jashtëtokësorë që kanë sy të mëdhenj dhe fytyrë jo të ngjashme me ne, pasi bota matanë nesh ishte një deformim kubist në ndërgjegjen time.

Të gjithë ata që jetonin jashtë piramidave të kufirit tonë i imagjinoja barbarë, ca të pafat në geto dhe bandustane, që hanin mish të gjallë…!

Ky ishte takimi i parë me shqiptarët e Kosovës.

Në mbrëmje tregova ngjarjen tek shokët e mëhallës dhe njëri prej tyre, më i madh se ne të tjerët, na tha që ata banojnë në territorin e fisit Dardan, që sot është Kosovë.

Po emri i paketës së cigareve “Ardian” ka lidhje me Dardanët(?), e pyeta.

Ardianët janë një fis tjetër ilir në Jugosllavi, anës Adriatikut, na tha…

E kam pyetur veten se ku është qendra e gravitetit tonë kombëtar dhe… besoj të ma thotë dikush!

Tronditem kur e mendoj se çfarë ishte në gjendje të derivonte politika dhe diktatura tek unë, a thua se duhej të shikoja “NATIONAL GEOGRAPHIC” për të parë çfarë ishin dhe nga vinin këta njerëz, që e dinin se na bashkonte gjaku, gjuha dhe historia…

Nuk e kuptoja dot nëse i ishim arratisur njëri tjetrit, apo na kishin ndarë pa qenë vëllezër siamezë?

Dukej sikur I ngjanim atij personazhit të filmit italian “Vëllai im është djalë i vetëm” në sytë e dardanëve.

Më vonë me kalimin e viteve gjeta në bandën e stacioneve në një radio të prodhimit kinez me stampën “25 vjetori” në shtëpi, stacionin e radio Prishtinës.

E dëgjoja netëve i heshtur dhe i pangopur për të mësuar sa më shumë për atë botë që e konsideroja Perëndim, sepse Tito etiketohej revizionist dhe perëndimor nga Hoxha.

Mbaj mend mirë një këngëtar, që më dukej i paarritshëm me zërin e tij, kur këndonte “Ç’po dremit liqeni i kaltër” melodinë e të cilës një shok dhome, kur isha student, e kishte sinjal për të dashurën e tij.

Ishte Gazmend Pallaska dhe po ashtu Luan Hajraj, Pagarusha, Liljana Çavolli me “O zambaku i Prizrenit,” ishin shumë të dashur për mua!

Më tej mësova për “ Stari Tërg,” Trepçen dhe Mitrovicën, Azem Vllasin, Mahmut Bakallin, por admiroja veçanërisht Pajazit Nushin dhe doktor Ymer Jaka.

Po Kaçusha Jashari, që ishte në krye të Lidhjes Komuniste të Kosovës kur filluan protestat në 1988, është pozitive(?), më mundonte kjo pyetje…

Emrin e Rugovës e dëgjova për herë të parë si studiues letërsie dhe Fehmi Agani se di pse më dukej si Anteu i Kosovës, të cilin e admiroja, pasi i ngjante aktorit të madh francez Jean Gabin, që e pëlqeja aq shumë.

Të gjithë këta më dukej sikur jetonin me mitin e ilirëve, ndërsa ne jetonim me mitin e revolucionit botëror…

Ndërkohë gazetat e vendit më jepnin idenë se kishim të bënim me një gjysmëpopulli, i koleksionuar në arshiva lajmesh periferike, që kishte po aq interes sa Uganda e Idi Amin.

Më shumë kisha dëgjuar për historinë e baskëve dhe Sinn Fein e ngjarjet në Londonderry të Irlandës së Veriut se sa për Kosovën, që as nuk e hamendësoja dot se çfarë ndodhte, ishte sikur të vrisja mendjen për Kalkutën e Indisë…

Pse ne dëgjonim Pozdravin dhe Zdravko Çoliç me “Druzhe Tito mi ti se kunemo?”

Në romanin “Mallkuar qoftë ajo ditë” dy vëllezër, nga një nënë mulate dhe një baba “i bardhë,” Entoni me lëkurë të bardhë dhe Stivi me lëkurë në ngjyrë të zezë, jetonin të ndarë. Stivin e përndiqte policia e rregjimit të aparteidit në Pretoria, pasi ishte një aktivist në luftën e të drejtave të njerëzve me ngjyrë, derisa e arrestoi fshehur pas perdes në shtëpinë e vëllait!

Ndërsa Entoni jetonte në lagjen e të bardhëve, punonte si avokat, i cili në fund e mbron në gjyq Stivin dhe deklaron se janë vëllezër…

Dardanët përndiqeshin nga shovinizmi rankoviçian pse luftonin për flamurin kuqezi, ne dëgjonim… “Pozdravin.”

Dardanët gjithmonë “Stivi” edhe për ne.

Po ne a ishim “Entoni” për ata?

Hoxha në një kongres partie deklaroi “Vëllezërit tanë kinezë dhe miqtë tanë nga Kosova”…

Plaku i mënçur, rapsodi popullor Dervish Shaqja, këndonte këngën e Rexhës, e dëgjoja i menduar, sepse i doja kosovarët edhe pse isha mbrujtur me legjendën urbane se ata që arratiseshin nga Kosova për në Shqipëri ishin… spiunë të Titos.

Më intrigonte shumë kjo këngë, që të mësoja për Rexhën dhe fatin e tij në ditën e martesës kur e gjuajti kali me shkelma…

Jam pezmatuar deri në trishtim kur dëgjova se ulqinaku Kapllan Resuli, shkrimtari i novelës “Gjarpri” dhe romanit “Tradhëtia” u burgos si një spiun jugosllav.

Është momenti i parë që urreva diktaturën, pasi kisha qarë dhe isha lumturuar me atë djalin e vogël që shpëtoi jetën, në fund të novelës, nga gjarpri që jetonte në atë qypin me lakra turshi.

Aq e madhe ishte padija jonë, sa që çdo shqiptar në Jugosllavi e quanim kosovar.

Edhe atë fatorinon e linjës së autobuzave Berat -Qyteti Stalin, që një ditë më fali lekët e biletës kur po shkoja në Berat, e arrestuan më në fund si armik i popullit shqiptar, pasi spiunonte për Titon, një “Richard Sorge” që nuk mund ti shpëtonte sigurimit tonë më të fortit të botës në mendimin tim fëminor…

Gjuetia e shtrigave ishte më dinjitoze dhe njerëzore se gjuetia e kosovarëve që kalonin kufirin me shpresën se do ti shpëtonin Rankoviçit…

Po Millovan Gjilasi dhe Eduard Kardeli si Rankoviçi ishin, pyesja veten.

Dardanët e themeluan mbretërinë e tyre në shekullin e IV para Krishtit, ndërkohë që sllavët e Aleksandër Rankoviç u dyndën në Ballkan në gjysmën e parë të shekullit të VII të epokës sonë.

Në luftën e dytë botërore ushtria jonë shkoi deri në Vishegrad, por Hoxha i tërhoqi trupat edhe nga Kosova në 1945, duke e braktisur e lënë nën çizmen serbe Dardaninë.

Internacionalizmi proletar nuk e donte Kosovën përpara triumfit të revolucionit botëror!

Ëndrrat e revolucionarëve radikalë majtistë e kalojnë utopinë e Saint-Simon dhe Charles Fourier, Atdheu i tyre, ashtu si pushteti, ishte pa kufij…

Dardanë na mëshironi për këtë, se ndoshta vuajtëm më shumë se ju, na kishte marë peng vetvetja dhe udhëheqësit tanë nuk ishin as në nivelin e Rahman Morina e Sinan Hasani.

Se di pse më dukej se vesi ishte virtyt i maskuar tek ne…

Sa do të doja të takohesha, ti kërkoja falje dhe përqafoja ata tre burrat që shetisnin të ngazëllyer në rrugën e kalasë së Beratit, ata që Atdheun e dinin se ku formësohej, ndërsa unë shuaja kuriozitetin kozmonautik të paatdhe kur isha fëmijë!

Ata vazhdojnë të jenë plaga jonë që nuk rrjedh gjak.

Nuk e di, nëse akoma jemi për sytë e dardanëve “Vëllai im është djalë i vetëm?!”

Filed Under: ESSE

Midhat Frashëri përgjatë Luftës së Dytë Botërore

May 6, 2024 by s p

Uran Butka/

Hapi i parë i reagimit të M.Frashërit kundër pushtimit italian ishte themelimi i Ballit Kombëtar. Takimi i parë u bë ilegalisht nga Mid’hat Frashëri me disa nacionalistë më 8 prill 1939 në Tiranë, si një alternativë kundër pushtimit italian. Më 1 qershor 1939, u zgjodh komiteti organizator i Ballit Kombëtar, pra u themelua organizata dhe u hartua platforma politike “Nacionalizma Shqiptare”, Shqipëri 1939 (Balli Kombëtar) me tetë pika, ku jepen parimet kryesore të kësaj organizate nacionaliste. Në shtator të vitit 1942 doli programi i plotë i Ballit Kombëtar me emrin “Dekalogu”, i cili ishte edhe një zhvillim i “Nacionalizmës Shqiptare të 1939-s”, për një luftë kundët nazifashizmit, por edhe një risi, sidomos për politikat sociale dhe ekonomike të programit, që e afronin tepër me socialdemokracinë perëndimore.( Dokumentet e AQSH dhe botimi “Balli Kombetar”, dega e BK Londër, Prishtinë 2019)
3. Midhat Frashëri , e dënoi pushtimin Italian, dënoi edhe ata që bashkëpunuan me fashistët: “ E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 Prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëvet, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër ATDHEUT dhe vepruan si pararojë e fuqivet okupuese, e më von, kundër fuqivet nacionaliste të gjithë kombit mbarë, q`ishin hedhur në luftë për rifitimin e lirisë dhe të vetëqeverimit…”-.( Letër e M.F, dhjetor 1948, vellimi IX)
4. Në një letërkëmbim me kryeministrin Shefqet Vërlaci, i cili e fton Mid’hatin në ditën e 28 nëntorit 1937, lexojmë.
“Zoti Kryetar,
Ju ngjatjetonj për telegrafin dhe jam fort mirënjohës për nderin që më bëni.
Mjerisht unë kam një shëndet të dobët, që nuk më permeton të marr pjesë në ceremonira. Veç kësaj edhe Z. juaj e kupëtoni se në përfaqësi të tilla është mirë të zgjidhet një njeri që të mos jetë dyqanxhi.”
Një sarkazëm për kryeministrin fashist Shefqet Vërlaci dhe qeverinë e tij.
5.Refuzoi ftesën e kryeministrit M.Kruja ne nje kuvend studimtarësh, me pretekstin se ishte i lodhur në punën si librar. (vëllimi IX i veprës se M.F)
6. Midhati u bë misionar i bashkëpunimit të të gjithë faktoreve politike e luftarake ne luftë të përbashket kundër pushtuesve. Kuvendi i Mukjes ishte një dëshmi e misionit të tij dhe e antifashistëve te majte si Dr..Dishnica, M.Gjinishi etj, për arritjen e Marrëveshjes se Mukjes, për një luftë të përbashkët e për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, në krah të Aleatëve Antifashistë. Ai e shtroi çështjen e Kosovës në mbledhjen e Mukjes si një zgjidhje plebishitare nga populli shqiptar pas luftës, mbi bazën e parimit universal të vetvendosjes së kombeve. (Butka, Mukja shans i bashkimit)
7. Pas prishjes se njëanshme të Marreveshjes se Mukjes nga PK e nxitur edhe nga emisarët jugosllavë, ai bëri çdo përpjekje për ndaljen e luftës vëllavrasëse. “Me luftën civile komunistët filluan terrorin më të keq në historinë e Shqipërisë “shkruante MF
Kur E. Hoxha urdhëronte më 9 shtator 1943 nga Konferenca II e Labinotit e cila shpalli zyrtarisht luftën e armatosur kundër Ballit Kombetar, i cili para pak ditësh ishte partner dhe bashkepunues me PKSH, si dhe më 1 tetor 1943 me urdhëresat nga Vithkuqi drejtuar komiteteve rajonale te PK “Me forcë dhe me armë ta marrim në dorë pushtetin. Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë” ndërkohë Mid’hat Frashëri bënte apel për të ndalur luftën luftën civile dhe për t’u bashkuar si vëllezër në luftën kundër pushtuesve : “Sot është koha për një FRONT të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish : jetën. Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë ….Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalëve që na lanë të parët tanë: JA VDEKJE, JA LIRI ! JEMI VËLLEZËR, S’NA NDAJNË DOT ! »(Vëllimi IX vepra e M.Frashërit)
8. Midhat Frashëri nuk e identifikonte asnjërin nga faktorët e luftës me Shqipërinë, po ashtu edhe as Nacionalçlirimtaren, Ballin Kombëtar, Legalitetin etj nuk i identifikonte me Luftën Antifashiste të popullit shqiptar. Ai theksonte se Nacionalçlirumtarja si një parti, ishte pjesë e luftës antifashiste dhe jo siç trumbetohej nga politika dhe historiaografia komuniste për qëllime politike dhe pushteti, si e vetmja luftë antifashiste në Shqipëri, duke mohuar e përbaltur luftën e faktorëve të tjerë antifashistë.
Ai nuk e ndali dot Luftën civile, as aleatët britanikë. Midhati e konsideronte terrorizmin komunist në Shqipëri, si pjesë e terrorizmit ndërkombëtar. Kështu, Lufta NÇ ishte tjetërsuar nga një luftë patriotike për çlirim, në një lëvizje terroriste, e pohojnë me gojën e tyre udhëheqësit komunistë E.Hoxha, Koci Xoxe, S.Maleshova, Gogo Nushi, Tuk Jakova, mandej në luftë civile e përgjakshme për pushtet, – e dokumentojnë katërçipërisht dokumentet e arkivave, por edhe gjithë oficerët britanikë në raportimet e tyre. E thote vetë E.Hoxha.”Na thoshte Miladini që dikë ta vrisnim, ne e vrisnim pa e menduar. Enveri vete ka urdhëruar pushkatimin pa gjyq te qindra nacionalisteve , por edhe lëvizjes NÇ, si M,Gjinishi, LL.Fundo etj kur ata luftonin kundër gjermanëve. Dekorrojini me një plumb kokës, urdhëronte ai. E.Hoxha ishte një kriminel, një sadist, por historianë te sotëm enveristë thonë se ai ishte i mirë gatë luftës, ndërkohë që krimet më të rënda i ka bërë gjatë luftës (U.Butka, Lufta civile në Shqipëri 1945-1943)
A ka vrarë apo ka urdhëruar vrasjen e ndonjë personi Midhat Frasheri?. Jo.
Më 7 tetor 1943 M.F. e pezulloi përkohësisht luftën e BK kundër gjermanëve, i vënë mes dy zjarreve , zjarrit nazist dhe atij komunist…. Ky dokument, veç të tjerash, dëshmon se deri në atë moment (7.10.1943), kur është lëshuar ky urdhër pezullimi, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë, theksonte M.Frasheri.
Kjo provohet një muaj më pas, më 9 nëntor1943, në takimin me gjeneralin britanik Dejvis me M.Frashërin, i cili deklaroi se do ta rifillonte luftën kundër gjermaneve, nëse Alleatët do ta detyronin E,Hoxhën ta ndalte mësymjen ndaj Ballit Kombëtar, madje nënshkroi edhe një deklaratë për rifillimin e luftimeve qe e transmetoi edhe BBC. Dihet tërbimi dhe kundërshtimi i E.Hoxhës, ( E.Hoxha, “Rreziku Angloamerikan” dhe Dejvis “Aventurë Ilire”)
Gjithsesi Midhati, më pas i rifilloi luftimet kundër gjermanëve bashkë me britanikët Maklin, D.Smajl, etj, në Priskë, Borizanë, dhe në rrugën Krujë-Shkodër. Pra ishte njw pezullim i përkohshëm. Ku qëndron tradhtia këtu?
9. Në Kongresin I të Ballit Kombëtar 31 dhjetor 1943, Midhati u kritikua si pacifist, se partizanët i quante si “bijtë tanë” etj, ai dha dorëheqjen që të mundësohej një drejtim i ri, por me votim të fshehtë e zgjodhën përsësi kryetar. U tha ”Me Midhatin nuk bëhet, por edhe pa Midhatin nuk bëhet”
10.Një akuzë absurde dhe tendencioze politikisht për Midhat Frashërin ishte kur ai dërgoi në Greqi korrik 1944 nacionalistin Dh.Falo, socialdemokrat dhe antifashist për një marrëveshje me të djathtën greke ( ishte propozimi i saj qysh ne prill 1944) për një kualicion greko-shqiptar për të ndalur pas Luftës II, rrezikun pansllavist që rrezikonte gjithë Ballkanin, sic ndodhi. Në projekt-përgjigjen e tij, M.Frashëri shtoi edhe Turqinë si pjesë të Marreveshjes, gjithashtu theksoi që te njiheshin kufijtë 1913 nga Greqia, që ajo te mbështeste rivendikimet shqiptare ne konferencën e Paqes për Kosovën dhe Dibrën, qe ushtria greke te kishte komandën, po ashtu respektimi i te drejtave te minoriteteve etj. Projekti i MF nuk u pranua nga Greqia dhe Dh Falo u vra nga atentatorët komuniste kur po kthehej në Shqipëri.
Ndërkohë PKSH dhe E.Hoxha bëne marrëveshje me EAM in grek shtator 1943, një takim mes Frontit NÇ dhe Elasit më dhjetor1944 dhe pjesëmarrjen në paktin e shtabit ballkanik te ushtrive te Jugosllavisë, Greqisë dhe Shqipërisë, si edhe oficerë te EAMit si Aleksis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu et, u atashuan pranë Frontit NÇ. Keto marrëveshje te Nacionalçlirimtare dhe E,Hoxhës as qe zihen në gojë, por është trumbetuar dhe trumbetohet mendjelehtësisht edhe sot “tradhtia” e M.Frasherit me Greqinë. U vërtetua shqetësimi i MF si vizionar për rrezikun pansllavist. Në fakt Greqinë e shpëtoi nga sllavokomunizmi ndërhyrja britanike, ndërsa Evropa lindore u përfshi nën protektoratin rusomadh, ndërsa Shqiperia dyfish, edhe nën tutelën jugosllave.
11.M Frashëri u drejtohet ndërkombëtarëve në promemoriet e tij “Të gjitha propozimet e bëra nga autoritetet gjermane ndaj udhëheqjes se organizates sonë për të arritur në një marreveshje me ta ishin refuzuar prerë nga ne. Në te kundërtën ishin komunistët të cilët ishin më të prirur për të bashkpunuar me gjermanët, sic ndodhi në Berat, Kuçovë dhe Lushnjë.” (M.Frashëri, manifesti i BK 1944)
Ai theksonte se “Partia Komuniste Shqiptare u vu në shërbim të jugosllavëve. Dhe me porosi të tyre udhëhoqi luftën vëllavrasëse në Shqipëri, që përfundoi vendosjen e regjimit diktatorial, që zgjati pë gjysmë shekulli. Kjo ishte rezultantja e Luftës Nacionalçlirimtare. Po ashtu E.Hoxha me kerkesë të Titos dërgoi ne Jugosllavi dy brigada dhe dy divizione te Ushtrise NÇ për të luftuar armikum dhe reaksionin, por i përdori për te shtypur rezistencen e shqiptareve të Kosovës ndaj pushtimit serb dhe ripushtimin e aneksimin e Kosovës tek Serbia.” (M.Frashëri, Memorandum Konferences se Paqes 1946) Në këtë memorandum Midhati shënon edhe gjithe luftimet e ballit Kombëtar kundër italianëve dhe gjermanëve.
12, MF dënon bashkëpunimin e Ushtrisë NÇ me mbeturinat e ushtrisë fashiste italiane te dorëzuar te komunistët, që i përdorën në luftën kundër nacionalisteve dhe popullatës shqiptare qe i mbështeste. Gati ne cdo batalion apo e brigadë partizane gjendeshin reparte te ish-ushtrise fashiste italiane, që godisnin me altileri forcat nacionaliste në gjithë vendin, mandej mësynin forcat NÇ. mbi kundershtarët politikë. A nuk ishte ky një bashkëpunim i komunistëve me ata që pak më parë kishin luftuar nën flamurin fashist? -thoshte MF.
13. Akuzat ndaj Midhat Frashërit si armik e tradhtar, tipike për komunistët stalinistë, ishin politike, ideologjike dhe propagandistike, ndërkohë që ai nuk është dënuar nga asnjë gjykatë e ngritur mbi parimet e së Drejtës.
14. Pastërtia e Figurës se MF konfirmohet edhe nga Aletët Perëndimore kur ai themeloi Komitetin Shqipëria e Lire më 1949 në emigracion për një Shqipëri te lirë e demokratike dhe u zgjodh nga Ango-Amerikanet si kryetar, edhe kur ai përjashtoi nga ky komitet figurat nacionaliste ( Të Bllokut Indipendent, qofte edhe të Ballit Kombëtar , mbi të cilët peshonin njolla dhe faje kundër atdheut” , një intransigjencë e paparë, që nuk e kishte bërë asnjë nga udhëheqësit demokratë të vendeve të Lindjes apo të Perëndimit.
Kjo është fare shkurt veprimtaria e MF përgjatë luftës. Ai theksonte_me përulje ndaj popullit shqiptar “Ne e humbëm luftën, por jo shpesën. Kemi bërë edhe gabime, por historia do të na gjykojë”.

Filed Under: Politike

VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR PASHKËT

May 5, 2024 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Ortodoksë/

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të familjes sime dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.

Urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja të nderuara dhe respektuara.

Pashka, kjo festë e jashtëzakonshme e ngjalljes së Krishtit, qoftë për çdo njeri një ngjallje e ripërtëritje shpirtërore e fizike. Pashka e sivjetshme le të përcjellë për të gjithë ne më shumë lumturi, gëzim, optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës ku jeton e vepron.

Zoti dhashtë bekim, mirësi e mbarësi për familjet tona, kombin tonë dhe atdheun tonë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Politike

Flamujt Shqiptarë dhe Amerikanë në Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit në Trumbull

May 5, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!

Festimi i Pashkës, i mishëruar tek ringjallja e Krishtit, është mesazhi i përjetëshëm i fitores së jetës mbi vdekjen. Këmbanat e kishave, lutjet dhe hymnet fetare përcjellin urimet për Pashkët për besimtarët ortodokosë dhe gjithë komunitetin shqiptar.

Në kishën ortodokose të Shën Gjergjit në Trumbull, Connecticut, pjesë e dioqezës shqiptare të Kishës Ortodokose në Amerikë, arkëtari i Vatrës Besim Malota ka çuar flamuj shqiptarë dhe amerikanë për nder të festës si edhe disa kopje të gazetës Dielli.

Z. Malota i dërgoi fotot në redaksinë e Diellit bashkë me urimet për shqiptarët ortodokosë në Amerikë dhe në mbarë botën. Është rast i mirë për të nderuar punën dhe sakrificat e paraardhësve dhe vatranëve që iu përkushtuan aksionit të madh, duke filluar nga shërbesa e parë në gjuhën shqipe për të Dielën e Madhe në vitin 1925 për ta hapur kishën për besimtarët ortodokosë të komunitetit të shqiptarëve këtu.

E zbukuar me flamuj shqiptarë dhe amerikanë, kisha e Shën Gjergjit në Trumbull mban gjallë trashëgiminë ortodokse shqiptare të Fan Nolit, i cili i dha bekimin në ditën e inagurimit, dhe vazhdon historinë e saj 99 vjeçare, me të cilën krenohen shqiptarët e të gjitha brezave.

Filed Under: Opinion

Monumente të Skënderbeut vendosen në tre komuna të Kalabrisē

May 4, 2024 by s p

Almarina Gegvataj/

TIRANË, 4 maj/ATSH/- Tre monumente të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, iu shtuan sot komunave arbëreshe në Kalabri; San Sofia,San Basile dhe Zangarona. Pothuajse në çdo qendër te fshatrave arbëreshe ngrihet busti i Heroit Kombëtar si simbol që mban gjallë indetitetin arbëror.

Në këtë kontekst, ceremonia e sotme e inaugurimit të busteve në të tre komunat bëri bashkë me Presidentin Bajram Begaj, banorët arbëreshë, autoritetet lokale, shqiptarë të Shqipërisë të ikur pas viteve ’90 si edhe personalitete nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia.

Presidenti Begaj i cili i dhuroi arbëreshëve dy buste, shprehu falenderim ndaj pjesëmarrësve duke përshëndetur në veçanti të rinjtë dhe fëmijët të pranishëm në këtë festë kombëtare.

“Kam ardhur të mbaj fjalën që ju dhashë tetorin e kaluar, sepse për ne shqiptarët, fjala e dhënë nuk është mit, por realitet’, u shpreh Presidenti Begaj gjatë ceremonisë inauguruese të bustit të Skendërbeut.

“Është vizita e dytë në Kalabri dhe kjo vizitë më mbush me krenari për faktin që të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, prefektet e këtyre komuave dhe e gjithë media janë intersuar dhe kanë promovuar gjithçka në lidhje me Arbërin. Patjetër që projekti Arbëria dhe Shqipëria, tashmë edhe Kosova dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi, do të kenë një bazë të shëndetshme për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre. Këto marrëdhënie nuk do të ishin në këtë ditë sot dhe nuk do të zhvilloheshin nëse ju 6 shekuj me parë do të kishit haruar nga vinit, prandaj është momenti t’ju them: faleminderit të gjithëve ju, secilit një e nga një, dhe të gjitha komunave arbëreshe për çfarë keni bërë për të ruajtur gjuhën arbëreshe, çfarë keni bërë për të transmetuar identitetin tonë kombëtar me veshje, traditat dhe kulturën tonë”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit theksoi se do të vijojë të japë ndihmën e tij, frymëzuar nga modeli i arbëreshëve i vlerësimit dhe promovimit të historisë aq të rëndësishme për ruajtjen e identitetit përballë sfidave te kohës.

“Arbëreshët vërtet ikën nga vendlindja e tyre, po erdhën këtu në vendlindjen e re ne Itali. Erdhën këtu dhe ruajtën e mbajtën me vete gjuhën, veshjet, kulturën,traditën, këngën dhe vallen, morën me vete kujtimin e tyre për Skënderbeun, identitetin e tyre kombëtar. Nga sot Skënderbeu në këtë shesh nuk do të jetë më një kujtim, por do të jetë gjithmonë një jetesë së bashku me ju. Çdo ditë ju do të shikoni monumentin e tij kaq të lartësuar në këtë vepër kaq të realizuar”, u shpreh Presidenti Begaj i cili këshilloi brezat e rinj, shkollat tona, mësuesit tanë dhe shkrimtarët të jenë promovues të vlerave kombëtare.

Duke vlerësuar figurën e Skënderbeut, si strateg të përbashkimit që përcaktoi të ardhmen e popullit tonë drejt Evropës, Presidenti Begaj u shpreh se edhe sot ai është simbol për të gjithë shqiptarët kudo janë, në atdhe apo Diasporë.

Ndërkohë në San Basile, ceremonia u shoqërua dhe me një ekspozitë fotografike të artistit Vlasov Sulaj mbi rrugëtimin na shqipërianë Kalabri të monumentit të punuar nga skulptori Ardian Pepa.

Nga Zangarona, pas inagurimit të bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj kastriotit, kreu i shtetit ftoi të rinjtë arbëreshë të shndrrohen në ambasadorë të vlerave historike, kulturore,i dentitare të Arbërisë.

“ Dua t’ju inkurajoj të vazhdoni të jeni ambasadorë të vlerave tuaja. Përdorni çdo mjet që keni në dispozicion, nga teknologjia, deri te mediat sociale, për të treguar historinë tuaj unike dhe për të ndikuar pozitivisht në komunitetin tuaj emë gjerë. Jini krenarë për atë që jeni dhe atë që përfaqësoni!

Tregojuni botës për thesaret e këtushme, bukurinë e veshjeve, për argjendarinë dhe zbukurimet e kostumeve tuaja karakteristike, qëprodhohen në mënyrë artizanale nga rrobaqepës duarartë. Ekspozoni artin e mrekullueshëm tëpikturës së shprehur gjatë gjashtë shekujshhistorie. Përhapni meloditë e këngëve dhe motivet e valleve të gëzueshme. Në këtë rrugëtim do të na keni në krah!”- u shpreh Presidenti Begaj.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 989
  • 990
  • 991
  • 992
  • 993
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT