Nga Thanas L. GJIKA/
Ligji për importimin e mbetjeve në Shqipëri, ka ngjallur një diskutim të zjarrtë. Unë mendoj që shoqëria civile dhe gjithë partitë e forcat opozitare të Shqipërisë të kërkojë në mitingje, fjalime dhe shkrime jo vetëm që të ndalohet importimi i mbetjeve në Shqipëri, por të kërkohet që parlamenti i Bashkimi Europian të hartojë e të votojë një ligj, sipas të cilit të mos lejohet eksportimi i mbetjeve dhe plehra në vende të tjera. Sejcili vend të riciklojë mbetjet dhe plehrat e veta.
E them këtë, së pari sepse, në rast se riciklimi i mbetjeve është vetëm fitimprurës atëhere përse vendet e Bashkimit Europian nuk i riciklojnë në vendet e tyre, por duan t’i eksportojnë në vende më pak të zhvilluara?
Së dyti, pushtetarët shqiptarë si gjatë diktaturës komuniste edhe mbas saj, nuk shquhen për guxim e mendim qytetar. Ata janë nënshtruar gjithnjë ndaj vendimit të të parit të partisë së tyre. Kjo psikologji ka bërë që në Shqipëri të lulëzojë frika dhe korrupsioni. Kështu që një bakshish i majmë i dhënë prej pronarëve të kompanive europiane për pushtetarët kryesorë shqiptarë do të sjellë në Shqipëri krahas mbetjeve të vlefshme edhe mbetje vdekjeprurëse. Dhe kur vdekshmëria në Shqipërinë e sotme qenka 171 banorë në 1000 banorë, kuptohet se sa shume do të rritet kjo vdekshmëri pas importimit të mbetjeve nga Europa.