
Agim Baçi/
Sociologu i famshëm, Niklas Luhman, në librin e tij, “Teoritë e shoqërisë” shprehet se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Pra, ne mund të kemi fakte të publikuara pa fund për skandale, mund të publikojmë me emra mashtrimet ndaj nesh, e sërish mund të mos kemi asnjë reagim publik, sepse ne kemi humbur besimin, sepse kemi humbur fuqinë e qëndrimeve morale përballë të keqes, përballë të padrejtës.
Gjithkush mund t’i bëjë pyeje vetes- sa herë ne apo ata që janë rreth e kanë dënuar vjedhjen, shpifjen dhe gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne i refuzojnë politikanët që krenohen se arrijnë të vënë në vështirësi kundërshtarin politik përmes bullizimit, përmes sajimit të fakteve, sajimit të gënjeshtarve, të linçimit. Sa nga ne kanë kërkuar fakte e argumente për akuzat që bëhen rëndom në media tradicionale apo rrjete sociale?
Thënë hapur, nëse ne nuk arrijmë të jemi refuzues dhe kundërshtues ndaj atyre që na gënjejnë, që na mashtrojnë apo që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen e që bullizojnë, atëherë përse duhet të presim ndryshimin? Ne kemi dështuar në përkthimin e asaj që dihet në qëndrime morale, në reagime të forta për të drejtën, duke e refuzuar të keqen edhe kur nuk na ndodh ne personalisht, po ndodh diku rreth nesh, afër nesh, të kolegu, të fqinji.
Pa kthyer sytë nga besimi ndaj së mirës dhe nëse nuk kemi qëndrime morale ndaj asaj që nuk shkon në këtë vend, as faktet e as furtunat në gotat e rrjeshme sociale nuk do mundet të ndryshojnë zemrën e së keqes.