Rreth romanit “Filius Hostis ovverro il figflio del nemico” të Shpend Sollaku Noè-së./
Shkruan Visar Zhiti/
Romani i një shoku të fëminisë ndoshta si lexues të emocionon më shumë, se, perveç rrëfimit dhe kumteve, të vijnë dhe zëra të brendshëm dhe imazhe të pafshirshme nga qyteti i perbashkët, nga lagjja e njëjtë, nga e shkuara që na përndjek, që të duket se përshfaqen në librin, që të ka ardhur nga larg, në kohë dhe hapësirë dhe mall.
Shkrimtari Shpend Sollaku Noé ka nxjerrë romanin e radhës, me një titull tronditës, të përmbledhur shqip “Biri i armikut“. Vepra serish është shkruar me italishten e bukur dhe kumbuese, gjuhë e vendit ku është botuar romani dhe tashmë prej dekadash jeton autori i njohur.
Por ai mbetet bashkqytetari im, shoku i fëminisë, më i vogël se unë, me të cilin na ndante një gardh me shtëpinë e tij në Lushnjë, por ama ishte dhe një deriçkë që na bashkonte, pa çelës, e hapnim per t’u takuar prindërit apo ne, fëmijët, per t’i dhënë ndonjë gjë njeri-tjetrit, nga ç’ishin bërë në bahçet tona. Para shtëpisë së Shpendit ishte çezma ku mbushnim ujë, ndërsa te pusi im futnim shtëmbën për ta ftohur, por dhe shishen e rakisë prindërit. Fëminia jonë mbaroi shumë shpejt a s’patëm fare fëmini, “bij armiqsh”, s’na lejohej…
Kur mbushëm moshat, unë atë të burgut e Shpendi të ushtarit, se s’duhej të shkonte në shkolle të lartë, atë e degdisën në ishullin e vetëm militar të atdheut, i rrethuar jo me tela me gjëmba, por me det, me shkulmet që ngriheshin bashkë në alarmet e rrezikshme…
Ndodhi kësisoj gjenden në roman, braktisje, dyshime, mënjanim klasor, qëndresë, ëndrra, diktaturë…
Kur dola nga burgu, Shpendi tashmë e gjeta poet, kish nxjerrë librin me poezi, me titullin surrealist “Mëzat e kaltër”. Bashkë e me poetë të tjerë të Lushnjës, shokët tanë, u përfshimë në protestat e para kunder diktaturës, madje u bëmë themeltarë në partitë e para opozitare. Shpendi rrëmbehej për mirë, guxonte, kërkonte më shumë dhe u zhgënjye me të parët dhe nuk priti të vinte Europa në Shqipëri, por si mijëra shqiptarë të tjerë shkoi vetë në Europē, mërgoi në Itali dhe krahas punëve të ndryshme, bëri dhe atë të shkrimtarit. Poema dhe romane. Dhe në gjuhën e vendit. E kam thënë dhe më parë, forcë per të komunikuar si shkrimtar më gjërë, me gjuhën danteske të atij ferri aq poetik për të treguar ferrin e vendit të tij.
Këtë mision ka dhe vepra e tij më e fundit, e porsadalë, me jehonë e që e lexoj me atë ëndje si në bisedat e fëminisë.
Ajo dera e dikurshme që na bashkonte, jo vetëm që nuk u mbyll, por sikur u bë më qiellore,
derë prej ere…
Visar Zhiti
(Marre prej Murit “Miq me Visarin., 24.12.2020)
Shënim: Eshtë një drithërimë shpirti çdo komunkim me ty, Visar Zhiti. Edhe ai më i thjeshti; qoftë edhe një mail, qoftë edhe një mesazh i shkurtër telegrafik. Aq më tepër kur pena jote gjeniale merret me mua, me një libër timin, aq më tepër nëse e mban ngrohtë atë libër me mirësinë tënde. Vetëm zemra mund ta shprehë mirënjohjen ndaj teje, i dashur Visar. Po ta nis, është tashmë mbi kokën tënde. Si mburojë e papërshkueshme.
Shpend Sollaku Noé