– Historia e një gruaje që edhe pse qëndroi 17 vite e rrëzuar në shtrat, gjeti forca të ringrihej dhe të riecte sërish.Për 13 vite nuk ia përcaktuan diagnozën në Shqipëri.Pas 17 vitesh u ngrit në këmbë.
Nga Dalip Greca/
Me 25 Mars u mbush një vit nga dita kur ndërroi jetë Bukurie Omerbashi (Berisha). Bashkëshorti, Mustafai udhëtoi nga Nju Jorku drejt Floridës (Jacksonville) për t’i bërë ritet e pasvdekjes; për ta kujtuar e nderuar. Ikja e Bukuries, ashtu si dhe vetë jeta e saj, ishte e veçantë. Iku shumë shpejt, edhe pse vuajtjet nuk i qenë ndarë gjatë të gjithë jetës. Iku jo nga sëmundjet për të cilat mjekohej, por nga një e ligë, që s’dukej, një nga ato sëmundjet që as emrin nuk e përmendim. Sëmundja e keqe qëndronte fshehurazi në trupin e saj dhe e kafshoi për vdekje, tinëz. Deshi të merrte avionin dhe të shkonte në Tiranë, atje t’i mbyllte sytë dhe të shlodhej në përjetësi, por vetë sëmundja ia kishte zënë keqazi pritën; Jo, thanë mjekët në Barnabas Hospital NY, nuk mund të udhëtojë, në asnjë mënyrë jo. Është e rezikshme.I mbylli sytë këtu në Tokën e Premtuar dhe prehet në varrezat në Jacksonville, Florida. Pranë ka fëmijët, nip e mbesa, që shkojnë dhe çmallen shpesh.
Bukuria, e bukur si vetë emri që mbante, ishte ca e pafat në jetë, pasi një sëmundje e panjohur për kushtet e Shqipërisë e paralizoi, duke e kthyer në një invalide që s’mundëte të çohej në këmbë për gati dy dekada.
Po kush ishte Bukuria? Pat lindur në Fier më 1943, në një familje kosovare , me origjinë nga Mitrovica. Familja u shpërngul nga Fieri në Tiranë më 1946. Në vitin 1957 njohu njeriun me të cilin do të lidhte jetën, intelektualin Mustafa Omerbashi, me të cilin u martua më 1961. Në vitin 1976, prestarja e fabrikës së këpucëve në Tiranë, e ndjeu veten keq. Si me komandë u rrëzua dhe nuk mund të ringrihej më në këmbë. Një sëmundje e padukshme e kishte sulmuar duke e paralizuar. Pas këtij momenti, shtëpi e saj, u bë Spitali Neurologjik në kryeqytet, Tiranë. Mjeksia shqiptare nuk pat arritë që t’ia përcaktonte diagnozën e saktë, kështu që mjekimi ishte pa efekte. Ajo mbeti e paralizuar në shtrat, por pa e humbur shpresën se një ditë do të shërohej. Për 13 vjet Mustafai, nuk rreshti së shkruari letra për kurimin e së shoqes. Ai lutej për ta nxjerrë jashtë shtetit, por një punëtoreje nuk mund t’i vinte radha të kurohej jashtë Shqipërisë. Kështu kaloi në shtratin e lëngimit vite pas vitesh. Pas 13 viteve, më 1989, në agun e përmbysjes së sistemit, u arrit të dërgohej në Budapest të Hungarisë, ku menjëherë iu përcaktua diagnoza dhe u krye operacioni. Sëmundja kishte ardhë nga lëkurët e bagëtive, lënda e parë këpucëve, ku punonte prestarja e palodhur. Me hapjen e vendit, rënien e sistemi komunist, u dërgua në Gjermani nga i shoqi. Në vitin 1993 nisi të hedhë hapat e para Bukuria. Gëzimi saj dhe familjes ishin të pamasë. Ringritja në këmbë përbënte një gëzim të jashtzakonshëm. Kush e besonte, veç Bukuries? Me durimin e një trimëreshe i kaloi çastet e para të vështira derisa nisi të normalizohej në ecje. Fillimisht dikush duhej ta mbante përkrahësh.
Ardhja në Amerikë ishte dhurata më e shtrenjtë për sëmundjet e Bukuries. Gjithësesi organet jetësore të saj kishin kaluar prova të vështira dhe trupi ishte i tejlodhur. Në vitin 2004 iu nënshtrua një operacioni në zemër në Einstein hospital NY. Pas kësaj vështirësitë u shtuan, çdo javë i nështrohej analizave të gjakut. Por edhe në këto kushte ajo e deshte fort jetën. Në Mars të vitit 2013, kur kishte shkuar për kontrollin rutinë të gjakut, doli nga takimi me mjeken, fare e zbehtë, tepër e tronditur. Kishte marrë ljamin e keq. Mjekja ia kishte tëhnë hapur: Më vjen keq zonjë, pak ditë ju mbeten! I shoqi e priste jashtë. Kur e pa të zbehtë e të shqetësuar u trondit. Mustafaj, kur e dëgjoi kumtin e vdekjes së afërt nga e shoqja, u dridh, por iu desh t’i jepte zemër: Jetës nuk i dihet, mos u dëshpro!Ti je trimëreshë, nuk u dorëzove për 17 vjet, ku qëndrove e rrëzuar, por sërish u ringrite!
-Më dërgo në Shqipëri, të vdes atje…!- lutej Bukuria.
Por ajo nuk e dinte se nuk mund të udhëtonte….Dhe Mustafai ia tha:-Nuk mund të udhëtosh, zemër!. Amerika ishte fati ynë. Këtu i kemi edhe fëmijët, edhe nipin e mbesat!
Atë 25 mars 2013 u shua ëndrra amerikane e Bukuries.U përcoll me dhimbje e lot. Ishte këputur një jetë, pas së cilës Bukuria qe e dashuruar thellësisht.
Mustafai, bashkëshorti i saj i përkushtuar, e ndjenë thellë humbjen: Bukuria ishte e jashtzakonshme. Vetëm një grua trimëreshë si ajo mund ta përballonte atë jetë plot vuajtje, ku mbeti në krevat pa u ngritur, qoftë edhe për një moment, jo pak, por për 17 vjet-, u paralizua më 1976 dhe nisi të çapëlonte më 1993! Kishte kurajo të jashtzakonshme. Kishte një dashuri të pakufishme për njerëzit. E donte jetën marrëzisht, edhe pse ajo ia kufizoi mundësitë e shijimit, duke i marrë për shumë vite këmbët.Pika e dobët e Bukuries, mbesat Kely, Seida, Nensy dhe nipi Arby. Sa i donte. Një gjyshe e mrekullueshme. Një grua shembullore, një nënë e përkushtuar, e përmallur dhe tepër e dashur. Edhe ndaj kafshëve kishte dashuri, edhe për lulet kujdesej si askush, pastërtore, sa miqtë dhe mikeshat që na vinin në shtëpi, çuditeshin me rregullsinë e mbajtjes së shtëpisë.Kishte shije të veçanta. Po përpiqem që të jetoj me kujtimet e saj. Edhe për lulet kudesem sikur të ishte ajo vetë…. Bukuria kishte një dashuri të jashtzakonshme për jetën, edhe pse vetë jeta qe e kursyer me atë. Një jetë plot dhimbje, një dashuri pa fund për jetën. Mendoj se dashuria e pafund e mbajti gjallë atë….Rrëfimi i bashkëshortit është i dhimbshëm.
-Po shkoj, më tha Mustafaj, tek u nis drejt Jacksonville me 19 mars, do të takohem me Bukurien. Më ka Marrë malli!…
Sot, e diele 23 Mars 2014,Mustafai me te gjithe familjaret jane duke e kujtuar ne Jacksonville, duke vendosur lule mbi varr dhe duke sjelle kujtimet per te ndjeren Bukurie.
( Ne Foto: Ulur, Kely, Seida, Nensy, Arby (mbesat dhe nipi). Lart, Ramazan, Mirela, Mustafa, Bukurie, Loli dhe Vahidi.)
Familja BERATI says
Na mungon pafundesisht teze !
Na le nje peng qe do na perveloj pergjithmone ne zemrat tona qe nuk te shikuam per her te fundit !
Shpirti jot u preft ne paqe !!
Familja Andi ,Ergi ,Viollca ,Zamir (Berati)