Të njohim krijuesit në mërgim/ Miradije Gashi-Gjermani/
Shkruan:Shaban Cakolli/
Arti në kuptimin e plotë të fjalës është cilësi, vlerë dhe dhunti natyrore e shpirtërore; në poezi, melodi, pikturë, artistët gjenden ballë për ballë me fshehtësitë e quajtura cilësi, vlerë me kuptime e mesazhe domethënëse të fjalës; sepse ky komunikim bëhet njohuri mbi botën e brendshme shpirtërore, e cila më pas lëkund shpirtin e artistit,që atë botë shpirtërore të e hedh në letër,në opinjon.. Definicioni i artit është ligj shpirtëror e hyjnor i cili përcaktohet nga frymëzimi që i dedikohet lumturisë,gëzimit,hidhërimit apo sfidave të jetës së së vërtetë njerëzore. ”…Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këto mizerje të jetës. Vepra poetike, artistike për poetin nuk është punë ekipore, por ajo është e lidhur me personalitetin e artistit, si krijim, dhe është fryt i shpirtit poetik. Frymëzimi poetik në shpirtin e poetit si vepër bëhet i fuqishëm kur poeti ka mjeshtri poetike të i jep frymë vargut,vargu i tij të jep mesazh të fuqishëm,i cili bëhet armë e fortë në duar të lexuesit..E tillë është poetja Miradije Gashi,e cila herët nisi rrugën e saj poetike edhe pse koha e saj e nje artisteje ishte e veshtire,poezia e saj,poezi sfide në të gjitha labirinthet e jetës.Ishte një kohë e cenzurimit të fjalës së shkruar,koha tjetër e mungesës së atdheut,mallit ,dhembjes,por Miradije Gashi nuk ju përkul asnjërës nga kohët,sfidave,stuhirave,por qëndroi së shkëmb,e palëkundur nga bota shpirtërore duke na ofruar art të çiltër ,të begatë,me vlera e mesazhe të qarta.
Miradije Gashi u lind në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit.Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmën (Akademinë Pedagogjike) si dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë, ku mori titullin: “Arsimtare e grupit klasor”. Menjëherë pas diplomimit zuri punë në Shkollën fillore “Emin Duraku” në Arllat.Qëlloi që pikërisht në këtë kohë fryn e shfryn furtunat e pushtimit dhe ajo, bashkë me shumë kolegë të tjerë, u vu në shënjestër të sundimtarëve serbë, duke e larguar nga veprimtaria edukatovo-arsimore.
Ajo tashti filloi studimet në Degën e Pedagogjisë të Universitetit të Prishtinës, duke i përfunduar me sukses. Ndërkohë u bë anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Arsimit Shqiptar në Republikën e Kosovës. Po atë vit Miradija u angazhua edhe në Kryesinë e Forumit të Intelektualëve të Kosovës.Veprimtaria e saj atdhedashëse, në vitin 1991 u bë sërish shkak i pamundësisë për punë në arsim. Madje, disa herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua nga pushteti serb edhe pas lirimit nga burgu. Duke mos e pushuar aktivitetin lidhur me shkollën shqipe, ajo ndalohet nga policia serbe në Komaran, i konfiskohet materiali arsimor dhe merret në pyetje e keqtrajtohet pamëshirë në polici. Mu në këtë kohë ajo merr ftesën që sërish të paraqitet në organet e sigurimit në Mitrovicë. Meqë torturat në organet e hetuesisë serbe ishin si të thuash racion dhe duke qenë nën vëzhgim e përcjellje të vazhdueshme, ajo, në janar të vitit 1994 u detyrua të emigronte në Gjermani.
Sigurisht që edhe në emigrim ajo do ta vazhdojë veprimtarinë e saj arsimore, fillimisht në qytetet e Schwarzwaldit, përkatësisht në “Shkollën e Lartë të Nacionaliteteve” (VHS), në Villingen-Schwenningen. Atje ajo mbajti kurse dhe ligjëroi gjuhën shqipe, jo vetëm për gjermanët, por edhe për të tjerët të cilët interesoheshin për gjuhën tonë.
Miradije Gashi, krahas veprimtarisë arsimore, u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare duke botuar poezi në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, po njëkohësisht edhe duke trajtuar tema të ndryshme nga fushë e pedagogjisë. Më se një herë në paraqitjet e saj ajo kishte përdorur edhe pseudonimin “Fanesha”.
Miradija aktualisht jeton dhe vepron në Stuttgart, ku mban mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë. Është prezantuar me poezi në disa antologji, si: Busulla e shpirtit, Trinomi i Lirisë, Një shekull drite etj.
Ky është vëllimi i parë i saj me lirika si libër me vete.Ka dhe një korpus krijimesh në dorëshkrim.
SALI ÇEKAJ
“Demokratët” plot Liri e kanë gojën
Dhe flasin me bujë për fitore,
E populli ëndërron,
Ëndërron ende Lirinë.
Veç të rënët heshtin
Dhe në heshtje asaj i bëjnë roje.
Ndoshta Liria s’gjendet asagjëkundi
E ndoshta diku thellë në tokë fle,
Është në amanetin e atyre që ranë,
Është në zemrën e dëshmorit
S A L I Ç E K A J.PESHA E FJALËS
MIRADIJE GASHI
LETËR NËNËS
Të dua nënë, të dua…sa askënd tjetër
Ndaj sonte dua të ta shkruaj një letër.
Eh, sa herë loti, për ty rrugën m’preu
Akull m’u bë zemra e shpirtin seçma theu!
Eh, nënë e dashur, nëna ime e mirë
Kujtimin largësia çdo ditë ma thërmon,
Veç zemra për ty nënë, e di, s’më gënjen
Ti je si një Yll që n’qiellin tim ndriçon.
Ç’fat ishte ky vallë që larg teje jam…?!
Sa e lumtur do t’isha, po të kisha pranë.
Gjuha e zemrës s’do t’më ngatërrohej aq
E pesha e dhembjes do t’humbte në çast.
Por një re sot, çudi, pranë m’u afrua
Dhe shikimin seç ma mjegulloi n’sy,
Lot, mall e dhembje seç më janë ngatërrua
Por n’zemër, ah, n’zemrën time mërgimtare
TI JE PËR MUA, PRANVERA MË E MADHE
UDHË JETE
I shihni këto rrugë
Me shumë udhëkryqe
E shumë drejtime…?
Në to ka gjurmë njerëzish
Që rendin e s’ndalojnë,
Ca ikin majtas,
E ca djathtas ikin.
Janë udhët e jetës
Që kurrë nuk pushojnë.
MBRËMË
Mbrëmë, ti nuk më pe
Kur unë qava,
As lotët në faqe kur më ranë.
Eh, ç’dhembje
Më pikoi në zemër
Mbrëmë dikur vonë!
Dhe forcë dot nuk gjej
Të të rrëfej, më beso!
Por shpirti im e di
Se ç’dhembje unë kisha
Mbrëmë në gji!
MË KUJTOHET
Më kujtohet një ditë dimri
Helmeta e sllavit në orë mësimi,
Ishte e rëndë, e rëndë ajo ditë
Ishte vetë tmerri që panë sytë.
Në sytë e fëmijëve nuk kishte ngjarë
Në pranga të vihet një mësues me ditar!
Eh, ç’ditë e kobshme e ç’tmerr…!
Mesjetë Bizanti sërish te ne erdh’!
Dhe dielli atë ditë i humbi rrezet
Se Liria atë ditë u lidhë me zingjir,
Ndërsa dita u ngrys më herët
As zogjtë e qiellit nuk ishin të lirë.
Poezi kushtuar motres
VDES NË KËMBË
Në ndodhtë të të takoj
Një ditë…
Nuk do të të njoh
Më beso
… E as s’do të të buzëqesh
Dhe me sy s’do të të shikoj
As të të flas nuk mundem
E as të të dëgjoj.
… …
Nuk do të të buzëqesh
Sepse zemra nuk më bën
As s’do të të shikoj
Se drita më iku nga sytë.
Nuk do të të flas
Se fjalët më ngrinë n’gojë
E as s’do të të dëgjoj
Se zëri më shterroi.
Ndaj mos më kujto të lutem!
Sepse për ty kam vdekur
Përgjithmonë!
Përgjithmonë!
MË DUAJ…
Më duaj si poeti – vargun
Më duaj si drita – agun
Më duaj si fusha – lumin
Më duaj si fëmija – gjumin
Më duaj si zogu – këngën
Më duaj si syri – ëndrrën.
Më duaj…!
QESHJA N’ZEMËR MBILLET
Ç’po ndodh vallë, nuk di as vetë
Sot rrallë shoh dikë të qeshë!
Dikush qesh vetëm me sy
E dikush qeshjen e ka lojë
Dikush as të qeshë nuk di
S’qesh me zemër, po me gojë.
Dikush s’qesh, po veç zgërdhihet
Dikush qan a qesh, nuk dihet.
Rrallëkush ndodh me zemër t’qeshë
Sikur qeshje s’ka mes nesh.
Sikur bota thotë tek sillet:
-Qeshja n’zemër duhet t’mbillet!
NDOSHTA DIKUR
Ndoshta dikur
Ëndërroje të ishe diku në Europë.
E sot, çudi…!
Ndërruan kohë
E ndërruan mote.
Të ikësh do prej këtu
Sa më parë.
Ç’dëshirë e përzirë
Me ëndrra e mall!
Po ç’është ky fat i çuditshëm vallë?!
Është malli, or vëlla, malli
Që në zemër të djeg
E t’bën që të kthehesh
Atje ku ke lind!
NË VEND TË HUAJ
Në vend të huaj
Edhe mendimet rrjedhin në heshtje
I heshtur je dhe vetë ti
Por qetësi,
Qetësi s’gjen askund
Më beso!
Edhe engjëll po t’ishe
A t’ishe vetë njeri
Kristal i mbyllur do t’mbetesh
Në zemër i ndrydhur!
Në shpirt i shtrydhur!
Si një leckë e pavlerë!
MËRGIMTARËT
Vijnë me shpresë
Kthehen me shpresë
Presin me shpresë
Durojnë me shpresë
Jetojnë me shpresë
Vdesin me shpresë.
Shpresojnë gjithë jetën e vet
Mërgimtarët e shkretë!!!