• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA MIRATOI KOMISIONET E ORGANIZIMIT TË DARKËS GALA DHE SIMPOZIUMIT TË 110 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

October 16, 2022 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në mbledhjen e Kryesisë së Vatrës mbajtur sot më 16 Tetor 2022, miratoi Komisionet e Organizimit të Darkës Gala dhe të Simpoziumit Shkencor me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Simpoziumi Shkencor do të organizohet në Selinë Qëndrore të Federatës Vatra në adresë: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, më 27 Nëntor 2022 ditën e Diel, ora 2pm. Darka e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të organizohet më 27 Nëntor 2022 ditën e Diel, ora 6 pm në: Restorant Villa Barone Manor në adresën: 737 Throggs Neck Expy Bronx, NY.

1.Komisioni Përgatitor i Darkës së 110 vjetorit të Pavarësisë:

Gezim Nika – Kryetar, Anton Raja, Agustin Mirakaj, Adem Malellari, Dr. Skender Myrtezani, Milaim Tahiri, Ylli Dosku, Drita Vushaj, Marjana Bulku, Dr. Pashko Camaj, Ilir Cubi, David Balaj – anëtarë. I gjithë komisioni do të ndihmohet posaçërisht nga kryetari i Vatrës Elmi Berisha dhe Kryesia e Vatrës.

2. Komisioni për përgatitjen e Simpoziumit Shkencor me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë:

Dr. Paulin Marku – Kryetar, Idriz Lamaj, Frank Shkreli, Marjana Bulku, Sokol Paja, Dr.Pashko Camaj.

3. Komisioni për sistemimin e Bibliotekës Shkencore të Vatrës:

Elmi Berisha – Kryetar dhe të ngarkuarit e tij.

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese në Numrin Special të Gazetës Dielli për 110 Vjetorin e Pavarësisë do të jenë:

1 Faqe me ngjyra – 550 Usd

½ Faqes me ngjyra – 350 Usd

¼ Faqes me ngjyra – 200 Usd

1 Faqe pa ngjyra – 350 Usd

½ Faqes pa ngjyra – 250 Usd

¼ Faqes pa ngjyra – 150

Filed Under: Analiza

NJË DELEGACION NGA PRESHEVA DHE BUJANOCI VIZITON NESËR VATRËN

October 16, 2022 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të presë nesër më 17 Tetor 2022 ora 6 PM në Selinë Qëndrore të Vatrës në adresë: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, një delegacion nga Presheva dhe Bujanoci. Në përbërje të delegacionit do të jenë: Z. Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin serb, z. Ragmi Mustafa, ish-kryetar i Komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Nagip Arifi – kryetar i Komunës Bujanoc, z. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ph.D. Faton Bislimi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Analiza

Interesat personale para atyre publike

October 16, 2022 by s p

Nail Draga/

Refuzimi i propozimit të presidentit për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve nga ana e shumicës aktuale  parlamentare, dëshmon qartë defektet e kushtetutës së vendit e cila duhet të ndryshohet, për të qenë në favor të funksionimit të qeverisjës dhe të interesit publik, e jo të interesave personale e të klanëve të ndryshme, duke injoruar qytetarët të cilët aty janë në sajë të votave tyre

Nga miratimi i pluralizmit  në Mal të Zi(1990) në skenën politike  pas tridhjetëvitesh në zgjedhjet parlmentare të mbajtuara me 30 gusht 2020, PDS-i kaloi në opozitë, të cilët e kanë përjetuar si goditje  të rëndë politike. Nga ato zgjedhje u formuan dy qeveri e para e njohur  si e ekspertëve dhe e dyta e pakicës, por nuk paten jetëgjatësi, duke dëshmuar  se  ende nuk janë në nivelin  e duhur për të qeverisur, sepse ka ekzistuar animoziteti personal dhe sidomos dallimet programore e eideologjike  në mes konstituentëve të koalicionit qeverisës. Një veprim i tillë i dha mundësi PDS-ës  të gjallërohet, të cilët për interesat e tyre e mbeshtetën qeverinë e pakicës, duke përjashtuar idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Partitokracia si parim i qeverisjës 

Në ato mjedise ku në rend të parë janë interesat personale apo partiake, mungon qasja parimore për qeverisje, andaj edhe marrëveshjet e arritura janë formale, duke marrë  parasysh se shoqëria malazeze është tipike partitokratike, edhe marrëveshjet për çështjet elementare është vështirë të arrihet konsenzuesi.

Arritja e marrëveshjës nga ana e shumicës se re përkatësisht  të vjetër parlamentare që për kryeminstër të propozohet M.Lekiqi nuk u mbeshtet nga presidenti M.Gjukanoviq, u hapen dilema të cilat nuk kanë qenë të pranishme   deri më tash në relacionin president-parlament.

Shteti si pronë private

Dhe nuk sit ë jetë ndryshe sepse përvoja  e deritashme dëshmon se shumë individë të angazhuar në politikë, sidomos ato në nivel shtetëror, Malin e Zi e trajtojnë si pronë të tyre, madje disa prej tyre politikën e kanë si profesion të vetëm.Një perceptim  i tillë nuk vlenë vetëm për partitë e mëdha por edhe të ata të voglat, sepse një dukuri e tillë  ndodhë të shoqëritë me demokraci të pakonsoliduar, ku është e pranishme autokracia, ku Mali i Zi është rast tipik  në regjion.

Privilegjet nga politika

Jemi dëshmitarë se individë të ndryshëm përmes angazhimit në politikë kanë siguruar privilegje, andaj bëjnë çmos që ata mos ti humbin, me veprime të ndryshme që varësisht prej rastit sillen sikurse akrobatet e cirkut. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse vendi i punës së politikanit në Mal të Zi paguhet mirë, andaj edhe angazhimi në këtë drejtim shpërblehet.Por, të gjithë jemi dëshmitarë se politikanët në vend që të punojnë për interesin publik, në rend të pare kanë  interesin personal.

Duhet të ndryshohet kushtetura

Ndër pengesat e mosfunksionimit të pushtetit aktual në Mal të Zi, paraqet edhe kushtetuta e cila është  miratuar në vitin 2007.Por, nga ajo kohë e deri më tash ka kaluar një kohë e mjaftueshme, duke dëshmuar defekte në funksionimin e pushtetit, në raportin me qeverinë dhe presidentin e vendit. 

Janë pikërisht defektet në kushtetutë që ekzekutivit dhe parlamentit i mundësojnë të veprojnë sipas momentit të përshtatshëm, sepse nuk ekzistojnë pengesa të definura në kushtetutë. Për një veprim të tillë të shumicës aktuale parlamentare nga 30 gushti i vitit 2020 këtë komoditet iu ofron kjo kushtetutë e cila nuk ka pësuar pësuar ndryshime. Por, pse nuk ka pësuar ndryshime përgjegjës është vet presidenti aktual M.Gjukanoviqi, sepse ai me partinë e tij(PDS) e ka hartauar  e miratuar ate, duke mos menduar se një ditë do të jenë në opozitë. 

Pra një veprim i tillë duke menduar se do të jenë në pushtet në mënyrë të përhershme, si duket tash iu ka sjellë kokëçarje atyre dhe qytetarëve të cilët nuk janë mësuar me veprime të tilla destruktive në skenën politike në Mal të Zi.

Në pritje të  shpërndarjës së  parlamentit

Ndryshimet në kushtetutë janë të nevojshme duke i cekur në mënyrë taksative obligimet e presidentit, kryeministrit dhe të parlamentit, se si duhet të veprohet kur qeveria humb votëbesimin, e jo duke kriuar akrobicione politike nga partitë parlamentare, të cilat herë janë pjesë e shumicës e herë të pakicës parlamentare. Në raste të tilla, duhet të definohet se kur qeveria humb votëbesimin, shpërndahet parlamenti dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sikurse veprohet në vendet demokratike evropiane. 

Ndërsa në rastin konkret në Mal të Zi, edhe pse presidenti i vendit ka dhënë propozimin qe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme paralmanetare, ai mund të jetë vetëm propozim, sepse çdo gjë varët nga disponimi dhe interesi i partive parlamentare të cilat përbëjnë shumicën për të miratuar një kërkesë të tillë.Në rastin konkret, propozimi i presidentit u refuzu, sepsë  i munguan votat e mjaftueshme(41) për të realizuar në praktikë një veprim të tillë, andaj çdo gjë do varet nga shumica aktuale parlamentare. 

Por, po të ishte definuar qartë në kushtetutë ingerencat e presidentit në lidhje me këtë çështje ai nuk do të varej nga disponimi dhe interesat e deputetëve të shumicës,të cilët mbrojnë interesat e tyre dhe të subjektëve politike,  por me dekret do të shpërndante parlamentin dhe shpallte zgjedhjet parlamentare, si kudo në botën demokratike.

Kaosi politik në dëm të qytetarëve

Duke marrë parasysh se një dukuri e tillë është panjohur deri më tash në pluralizëm, skena politike në Mal të Zi ka kohë që është në një kaso politik i cili për momentin nuk ka zgjidhje. Sepse deri sa presidenti i shtetit refuzon të mandatojë për kryeministër M.Lekiqin, nga shumica e re(e vjetër) parlamentare, ndërsa shkarkimet e ndryshme  në institucionet shetërore ditëve të fundit, si rezultat i aferës së korrupcionit të duhanit,  dëshmojnë se nuk kemi stabilitet të qeverisë e cila si e tillë siç duket do të vazhdojë deri në formimin e qeveresiës së re, apo të zgjedhjeve parlamentare. Pasi në ndërkohë do të mbahen  edhe zgedhjet lokale me 23 tetor, në 14 komuna, ku më e rëndësishmja është ajo e Podgoricës, rezultati i zgjedhjeve do të jetë barometër tregues  dhe orientim për ditët në vijim në skenën politike.

Partitë politike si grupe të interesit

Përfundimisht del qartë se  në skenën politike në Mal të Zi  partite politike me tepër iu ngjajnë grupeve të interesit, sepse përmes tyre individë dhe klane të ndryshme janë përfituesit më të mëdhënjë,  që dëshmohet me mos shpërnndarjen e parlamentit dhe mbajtjën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si mundësi reale për daljën nga kriza aktuale në këtë mjedis. 

(Tetor 2022)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

Armët Taktike Bërthamore, Parandalimi i tyre dhe NATO

October 14, 2022 by s p

“Rusia e di mirë se lufta atomike nuk mund të fitohet prandaj nuk duhet të fillohet,” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Rafaela Prifti

Ndërsa Rusisë i rrëshqet nga dora fitorja në fushëbetejë në Ukrainë, mundësia e një konflikti bërthamor, deri tani të paimagjinueshëm, merr përmasa më serioze çdo ditë e më shumë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi, pas takimit të djeshëm të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës veri-atlantike, se “retorika nukleare e Putinit është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme.” Ai tha se NATO ka rritur masat e sigurisë në instalimet strategjike ndërsa po furnizojnë Ukrainën me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, artileri etj. Ekspertët i klasifikojnë armët taktike bërthamore në bazë të karakteristikave të tyre të madhësisë, rrezes së veprimit, efektshmërisë për goditje të objekteve të përzgjedhura ushtarake. Qëkur Putini pushtoi Krimenë në vitin 2014, ai e artikuloj përdorimin e arsenalit bërthamor në emër të sigurisë së Rusisë në dekretin e lëshuar prej tij. Me agresionin e hapur rus në Ukrainë në shkurt të këtij viti, referencat për armët bërthamore janë intensifikuar dhe janë një nga temat më të nxehta të ditës.

A duhen kuptuar deklarimet e reja të Putinit si kanosje apo provokim nga ana e tij? A është në interesin e tij të përdorë këtë gjuhë si presion psikologjik parandalues ndaj perëndimit dhe veçanërisht vendeve anëtare të NATO-s?

Rreziku i shfarosjes bërthamore ka arritur pikën më të lartë në gjashtëdhjetë vitet e fundit, tha Presidenti Biden; ndërsa Putini ka kërcënuar se do përdorë gjithë arsenalin e mundshëm për të mbrojtur Rusinë përfshirë rajonet e sapoaneksuara të Ukrainës. Ndonëse Presidenti Biden tha se nuk mendon se Putini do t’i angazhoj armët taktike bërthamore, humbjet ushtarake të forcave ruse dhe tërheqjet nga zonat lindore nën kontrollin e tyre, e rrisin mundësinë dhe rrezikun e përdorimit të këtyre armëve për të shmangur humbjen dhe kapitullimin e Rusisë në Ukrainë. Nëse Putini nuk del dot nga lufta në Ukrainë me diçka që duket si fitore për të, analistët thonë se rreziku i përdorimit të arsenalit bërthamor vjen duke u rritur.

Armët Taktike Bërthamore

Për armët taktike bërthamore, nuk ka një përkufizim të përbashkët ndërkombëtar, dhe as një kriter të vetëm madhësie të pranuar nga të gjithë për t’i kualifikuar si të tilla. Ekspertët ushtarakë thonë se ato janë më të mëdha se bombat konvencionale, kanë forcë radioaktive dhe efekte të tjera veç shpërthimit fillestar detonues. Për dallim nga armët strategjike të cilat kanë si qëllim dobësimin e kapaciteteve luftarake të armikut në rast lufte, përshirë prodhimin, infrastrukturën dhe sistemet e transportit dhe komunikimit, armët bërthamore nuk i takojnë sferës strategjike, thotë Departamenti amerikan i mbrojtjes. Armët taktike kanë si qëllim përmbushjen e synimeve ushtarake më imediate dhe të përcaktuara paraprakisht në rast të një konfrontimi të armatosur. Këto armë u prodhuan në periudhën pas luftës së ftohtë, në vitet 1950, për t’i dhënë epërsi manovruese forcave të armatosura në situata taktike, sipas analistëve të mbrojtjes. Për dallim nga raketat balistike që arrijnë distanca kilometrike, armët taktike bërthamore montohen në bomba apo predha të artilerisë dhe raketa me rreze më të shkurtër. Forca shpërthyese shkon nga një fraksion i një kilotoni në 50 kiloton. Sa për të kuptuar shkallën e fuqisë detonuese, bomba në Hiroshima kishte përafërsisht 15 kilotonë TNT.

Kush i ka këto armë në dispozicion?

Në bazë të raportit të lëshuar nga Komisioni i Kongresit amerikan për hulumtime, Rusia ka 1,000 deri 2,000 koka bërthamore të gatshme në arsenalin e saj për t’u përdorur si armë bërthamore për qëllime jostrategjike. Putini që ka arsenalin më të madh bërthamor ka deklaruar se Amerika ka krijuar preçedencë për përdorimin e tyre kur hodhi bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 230 armë nukleare që nuk klasifikohen si strategjike, përfshirë edhe 100 B61 bomba të montuara në avionë ushtarakë në Evropë. Këtë javë Korea e Veriut ndërmori manovra të njëpasnjëshme raketore. Sipas medias shtetërore, ushtrimet synojnë të simulojnë goditje të stuhishme ndaj Koresë së Jugut me armë taktike bërthamore.

Pas takimit të djeshëm të grupit nuklear të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se armët atomike e ndryshojnë krejtësisht natyrën e konfliktit. “Rusia e di mirë se lufta atomike nuk mund të fitohet prandaj nuk duhet të fillohet,” vërejti ai.

Parandalimi Afatgjat dhe NATO

I pyetur nëse do përdoren armët bërthamore në Ukrainë, Presidenti Biden shprehu mendimin se Putini mund të tregohet i përmbajtur por nga ana tjetër tha se përdorimi i armëve të vogla bërthamore mund të dalë jashtë kontrollit. Balanca delikate e forcave që ruajnë ekuilibrin e sigurisë është vënë tashmë në një sprovë që përfshin vende dhe rajone brenda dhe jashtë NATO-s.

Në mars trupat e NATO-s të 17 vendeve kryen ushtrime të përbashkëta në Arktik, pjesë e trajnimit të tyre të rregullt, por këtë vit simulimi ndihej shumë afër realitetit, thanë pjesëmarrësit. Javën e ardhshme vendet aleate do fillojnë manovrat ushtarake të parandalimit afatgjat të emërtuara ‘Pasdite e Pamposhtur’ (Steadfast Noon), tha për mjetet e informimit, Jens Stoltenberg. Në seancën e fundit të mbledhjes së djeshme të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s u diskutua për misionet e aleancës në Ballkanin Perëndimor deri në Irak.

Në seancë mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell. “Në periudha të paparashikueshme, forcimi i kooperimit midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka shumë rëndësi,” thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp. Për sa i takon dialogut Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga evropianët, aleanca tha se është e vetmja rrugë për të ecur përpara dhe theksoi se KFOR-i nën NATO-n vazhdon të kryejë misionin e tij në Kosovë në përputhje me mandatin e OKB-së.

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës z. Armend Mehaj, i cili ndodhet për vizitë në Nju Jork, u takua mbrëmë me Kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha, me vatranë dhe përfaqësues të komunitetit në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës. Raportin e takimit e paraqiti kryeredaktori i Diellit Sokol Paja. https://gazetadielli.com/vatra-takoi-ministrin-e…/

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafaela Prifti

SHËMBËLLTYRA E ADEM JASHARIT DHE FAMILJES SË TIJ NË POEZINË E SOTME SHQIPE

October 14, 2022 by s p

Myrvete DRESHAJ-BALIU/

Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëlltyrës së Adem Jasharit dhe Familjes së tij në poezinë e sotme shqipe. Pas luftës së Kosovës janë shkruar shumë tekste letrare, historike, kulturore e madje filozofike mbi paradigmën e heroizmit dhe rënies së Familjes Jashari, në të vërtetë mbi mitin e rënies legjendare të saj për lirinë e Kosovës.

Prej kërkimeve të gjertanishme, me pikësynim heroin Adem Jashari dhe Familjen e tij në poezinë bashkëkohore shqipe, kemi vënë re se për aktin e madhërishëm të tyre janë shkruar shumë krijime poetike nga krijues që jetojnë në hapësirën shqiptare dhe nga ata në diasporë. Kemi vënë re gjithashtu se për Familjen Jashari në përgjithësi dhe Adem Jasharin në veçanti, janë shkruar poezi, poemtha dhe poema epike-historike, këngë dhe poezi lirike, nga krijues me përvoja të ndryshme letrare, të hershme dhe të vonshme, ndërsa emrat më të njohur të cilët kanë artikuluar deri më tash edhe vlera të veçanta letrare e artistike janë: Agim Vinca, Zenun Gjocaj, Adem Zejnullahu, Adem Gashi, Ilir Shaqiri, Bedri Islami, Ajet Shala etj. Përgjithësisht, pjesa më e madhe e krijimeve poetike të gjertanishme me këtë temë bartin në vargje rrëfimin historik dhe artistik të ngjarjeve me figuracion e shprehshmëri të veçantë emocionale dhe mjete të arrira gjuhësore-stilistike. Pavarësisht nga këto vlera, kryevepra në krijimtarinë shqipe për heroizmin e Familjes Jashari në përgjithësi dhe shëmbëlltyrën e Adem Jasharit në veçanti ende nuk është shkruar.

Fjalët kyçe: Familja Jashari, Adem Jashari, poezia, kënga, heroizmi, shpehshmëria artistike.

Hyrje

Akti madhështor i luftës dhe i flijimit të Familjes Jashari, 20 vjet pas, në artet letrare përgjithësisht dhe në artin poetik, prozaik dhe dramatik veçanërisht, kemi pritur që deri më tash të arrijë majatë e realizimit letrar artistik, tradicional dhe modern njëherazi. Si asnjëherë më parë, nga Skënderbeu e këndej kuptimi i simbolit të qëndresës dhe heroizmit, identitetit kombëtar dhe atdheut, nuk merr përmasa të këtilla sa me komandantin legjendar Adem Jashari dhe Familjen e tij.

Po të bëhet një sintezë sado skematike e historisë së letërsisë shqipe, nuk është vështirë të shihet se ajo në të vërtetë është letërsi e periudhave pak a shumë historike, e lëvizjeve kombëtare, e shkrimtarëve dhe e heronjve të saj. Në të vërtetë më shumë se histori e zhvillimeve gjithëpërfshirëse të Ilirisë, letërsia shqipe është biografi e personaliteteve të saj: Teutës dhe mbretërve të tjerë, që në realitet, më shumë se mbretër shfaqen si heronj tragjikë të epokës; periudha e mesjetës, më parë se sa me pamje të tjera u kurorëzua me veprën e Marin Barletit për Skënderbeun; periudha e Rilindjes Kombëtare, e cila më parë se sa me vlerat e tjera kombëtare të kohës, u kurorëzua me kryeveprat e Jeronim De Radës e Naim Frashërit për Skënderbeun dhe bëmat e tij, shëmbëlltyra e të cilit rishfaqet pandërprershëm gjatë shekullit XIX-XX me një varg veprash artistike, të llojeve dhe gjinive të tjera të realizimeve estetike.

Një zhvillim tipik të kësaj natyre e kanë edhe letërsitë e tjera të popujve të vegjël dhe madje edhe të popujve të mëdhenj, letërsia e popujve fqinjë dhe e popujve më të largët, të cilët vështirë heqin dorë nga shenjat e përveçme, me të cilat ndërtojnë historinë e tyre apo bëjnë kthesat e mëdha historike në jetën dhe zhvillimet e tyre.

Pavarësisht nga shenjat dalluese të popujve me të cilat ata shfaqen në skenën e përbotshme, bardët e kujtesës së tyre – shkrimtarët, krijojnë edhe vepra të veçanta të artit letrar, me të cilat ata identifikojnë periudha të caktuara, të mëdha a të vogla, historike dhe i shpirtëzojnë ato me plot ndjenja dhe përjetime të veçanta.

Autorë dhe poezi përkushtuese

Letërsia shqipe e fillimit të shekullit XXI e ka një shembull brilant në jetën e saj, që të kurorëzojë një a më shumë vepra të saj, dhe madje një a më shumë gjini a lloje të shkrimit, mbështetur në bëmat e pashembullta dhe madje më tragjiket dhe vetëflijueset në historinë njerëzore: heroin sa real aq edhe mitik – Adem Jashari dhe flijimin e Familjes së tij për lirinë e Kosovës.

Ç’vend zë deri më tash heroi ynë Adem Jashari në këtë raport personalitetesh letrare dhe ngjarjesh historike e artistike të vendit të tij? Cila është fizionomia interesante jetësore dhe heroike e tij në poezinë e sotme shqipe? Cila është rruga e vështirë, por e ndershme deri në flijim dhe cila është odisejada e vërtetë e kësaj rruge të mospajtimit të tij dhe të Familjes së tij me regjimin shtypës, që reflekton dhe do të duhej të reflektonte ende në krijimtarinë letrare artistike? Sa ndikon krijimtaria e deritashme letrare me këtë temë të madhe në vetëdijen e lexuesit, në formimin e tij ideor, etik dhe estetik?

Nuk ka dyshim se Adem Jashari dhe Familja e tij zë vendin më të rëndësishëm në Panteonin e vlerave të atdheut, por a duhet arti ynë letrar t’i bëjë më të gjera këto relacione: ballkanike, evropiane dhe mbarë botërore, sepse lufta dhe flijimi biblik i tij i ka kaluar kaherë kufijtë e atdheut! Mirëpo, që nga rënia e Familjes Jashari, krijimtaria letrare-poetike, qoftë e identifikuar me Adem Jasharin, qoftë me Familjen e tij, përgjithësisht nuk ka munguar, madje disa prej krijimeve poetike gjatë luftës janë kthyer në këngë dhe janë bërë motiv i ushtarëve ndër beteja dhe demonstruesve në sheshe qytetesh. Sot, do theksuar se faqet e internetit janë të mbushura me poezi, kryesisht me vlera modeste të realizimit artistik, kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, nga autorë më pak a më shumë të njohur dhe madje nga nxënës shkollash, të cilat i kanë shkruar në prag të Ditës së Flamurit e Ditëlindjes së Komandantit, si dhe festave të nëntorit e marsit përgjithësisht.

Në referimin tonë, po i identifikojmë disa prej shkrimtarëve, krijimeve të tyre poetike, përjetimeve të brendshme, përfytyrimeve për heroin dhe përgjithësisht vlerave ideore e tematike, si dhe realizimeve artistike e estetike të vargjeve të tyre. Do theksuar se pjesa më e madhe e këtyre krijimeve poetike është identifikuar nga pjesëmarrësit e Konkursit ndërkombëtar letrar kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, të organizuar më 2008 , prandaj në një mënyrë a një tjetër përfaqësojnë përzgjedhjet më të mira të krijimeve të autorëve të tyre, sado që në pikëpamje të peshës artistike, siç do të shprehej studiuesi i kësaj fushe, Agim Vinca, kemi “më shumë vargime sesa poezi” a realizime artistike të llojeve të tjera shkrimore.

Duke parë përgjithësisht krijimtarinë letrare të gjertanishme sipas nivelit artistik, mund të konkludojmë se vepra letrare: romane, novela, tregime, drama dhe poema me karakter antologjik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij ende nuk janë shkruar, ashtu sikur ende nuk janë shkruar vepra të gjinive dhe llojeve të kësaj natyre as për Luftën e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të saj, prandaj ende nuk mund të priten studime mbi këtë temë, por studime mund të bëhen besoj për poezi më të realizuara dhe më të artikuluara për kah shprehja poetike, si dhe për vlera estetike të filmit, muzikës dhe artit pamor.

Adem Jashari dhe Familja e tij janë ajo pasuri ndjenjore e të gjithë krijuesve që ofrojnë më shumë se një simbolikë. Ai personalisht e tejkalon, madje edhe sakrificën e njohur në mitologjinë e antikitetit për Prometheun. Sakrifica e tij dhe e Familjes së tij përshkon një dimension të panjohur deri më tash madje edhe në mitologjinë dhe historinë e sakrificave të vetëdijshme kolektive, si kusht për të ndryshuar gjendjen e një populli të robëruar. Për shpëtimin e Prometheut (Ademit), nuk mjaftonte vetëm një Kiron , duheshin më shumë, prandaj sakrifica e tij merr dimensione të tjera, më tragjike se ato që i njeh historia dhe madje mitologjia e kujtesës njerëzore: sakrificën kolektive nga gjyshi te nipi, sakrificën e tre brezave, njëkohësisht!

Në trajtimin tonë kishim parasysh kryesisht poezinë dhe poemën e dërguar për Konkursin kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, si dhe poezi të tjera të publikuara nga krijues shqiptarë kudo që jetojnë: Agim Vinca, Adem Zejnullahu, Ragip Gjoshi, Riza Lahu (Tiranë), Bedri Islami (Shkodër), Ilir Shaqiri, Ajet Shala (Zvicër), Namik Selmani (Berat), Hyqmet B.Hasko (Tiranë), Myrteza Mara (Vlorë), Mevlyde Mezini-Saraçi, Flori Bruqi, Ismet M. Hasani, Zymer Elshani, Nezir Myrta, Rizah Sheqiri (Suedi), Ali R. Berisha, Rrustem Geci (Zvicër), Arif Molliqi, Agim Gashi (Francë), Xhabir H.Alili (SHBA), Etlevë Durmishi (Tiranë), Halil Xani, Shefki Ollomoni (Suedi), Julia Gjika (SHBA) etj.

Parë në tërësinë e tyre nuk është vështirë të shihet synimi i autorëve që në krijimtarinë poetike të artikulojnë një mesazh krenarie kombëtare, në të vërtetë, synimin e tyre për të sjellë një biografi sa më të plotë jetëshkrimore e historike të heroit Adem Jashari; një model pak a shumë epik i njohur më parë kryesisht në poezitë a poemat kushtuar jetës dhe bëmave të Skënderbeut; një synim autorësh që në krijimtarinë e tyre për Adem Jasharin, Familjen e tij dhe kur e kur edhe të bashkëluftëtarëve të tij, të rindërtojnë historinë në njërën anë dhe kategoritë filozofike, etike dhe estetike: të madhërishmen, të bukurën, të mirën, të drejtën, e të shëmtuarën, në anën tjetër; hapësirë kjo tipike e eposit legjendar dhe epeve historike kombëtare për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarët e tij. Pamjes epike dhe natyrës legjendare të jetës individuale të Adem Jasharit dhe Familjes së tij, madje nuk do të mund t’i “shpëtojë” edhe njëri prej studiuesve dhe lirikëve më të përkushtuar në poezinë bashkëkohore shqiptare, studiuesi e poeti Agim Vinca, që në poezinë Fillim i një poeme për Familjen Jashari, veç tjerash, do të shqiptojë edhe këto vargje:

Vdesin në këmbë duke kënduar.

Dhe jetojnë këmbëkryq në këngë.

Po këtë natyrë titulli ka edhe një poemë e shkrimtarit dhe publicistit Bedri Islami, Fillimi i një poeme për Fehmi Lladrovcin, në të cilën është bërë përpjekje për të komunikuar në mënyrë të veçantë me Adem Jasharin dhe Familjen e tij. Është një përpjekje dramatike e dialoguese, një ligjërim personal, për të sjellë imazhet e zhvillimeve të betejave në Kosovë, duke i parë ato të ndërlidhura me rolin e Kryekomandantit Adem Jashari dhe me të gjithë përbërësit e tjerë.

Ndërmjet këngës dhe poezisë

Prej këngës, përkatësisht prej simbolikës së saj, si edhe pararendësit e bashkëkohësit: Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Jusuf Grëvalla etj., nuk arrin të dalë, në mos ndjehet pikërisht në vendin e duhur edhe shkrimtari tjetër i një përvoje të theksuar në lirikën shqipe, Adem Zejnullahu, i cili me Adem Jasharin komunikon me ndjeshmërinë dhe frymën e poezisë popullore:

Desha një këngë më të mirën ta dhuroj,

Me gjuhën e zogjve, o luftëtar!

Për Ty, o trim, me zemër të këndoj,

Për lojën e plagën tënde të parë.

Nëse autori i parë Agim Vinca poemën e ka synim të madh letrar, ndërsa i dyti, Bedri Islami, atë e shkruan në një përmasë të saj, autori i tretë Ilir Shaqiri, në poemën e tij me titull identifikues Adem Jashari , sjell një dialog sa në përmasa kohore brenda epokës, aq edhe në kontekst të komunikimit mes brezash të lashtë kohorë. Poema e Ilir Shaqirit ndonëse në strukturën e saj të jashtme shfaqet me të gjitha përmasat e poemave të deritashme në letrat shqipe, në strukturën e saj të brendshme ajo sjell një model tjetër të sistemit poetik: së pari, me përzgjedhjen e temës së madhe të individit (Adem Jasharit) dhe kompleksitetit dramatik të saj (Familjes); së dyti, me ndërhyrjen dhe krijimin e sistemit fragmentar të tekstit, i cili bëhet me qëllim të thyerjes së “dialogut” brenda tekstit; dhe së treti, me gjuhën e pasur të fjalësit, fjalëformimit dhe të shprehjeve poetike autoriale, si dhe përdorimit gjithëpërfshirës të frazeologjisë shqipe, si tërësi elementesh gjuhësore e stilistike brenda saj. Poema Adem Jashari, që në të vërtetë është poemë për gjithë Familjen Jashari, sakrificën e saj dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës, është gjithashtu edhe një dialog sa personal me heroin aq edhe kolektiv me Familjen e tij. Kjo poemë i ngjan një rrëfimi të rrafshët lirik, ku shprehet gjithë respekti dhe krenaria për heroin dhe Familjen e tij, me një strukturë, përkatësisht, teknikë të jashtme dhe të brendshme të veçantë të ndërtimit të saj, ku përshfaqen veçori ideo-emocionale të poetit dhe të stilit të tij narrativ, të cilin e pasuron një fjalor i ri poetik. Përjetimi i thellë autorial dhe intensiv i veprimtarive atdhetare të heroit, sa ndjenjor dhe shpërthyes përballë tij, po aq lirik dhe i butë kur ju ofrohet filizave fëmijë, është një veçori tjetër e kësaj poeme.

Brenda poemës dialogojnë kohë të ndryshme mes rrëfyesit dhe heronjve të tij, ndërthuren fragmente me karakter historiko-epik:

– Dëgjoni, u thoshte: /më 6 maj/ në Kështjellën e Kastriotëve, / u lind Gjergji,/ në ditë Shëngjergji ;

– momente kujtimesh e imazhesh nga e kaluara mes autorit dhe heroit: Të pashë bacë / kur erdhe në ansamblin “Drenica” në prova ;

– situata dhe domethënie simbolike të ndërlidhura ndërmjet heroit dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore, brenda të cilave vargjet vendosen në rrjedha të zhvillimit, si një mozaik tekstesh të artit popullor: Nana-nanan ’djep prej manit / Ti m’i gafsh bir, Zhujë Selmanit;

– të frazeologjisë popullore: Krejt çfarë kishte të shenjtë Shqipëria / kishte rënë mbi supet e tija! ;

– për t’u përmbyllur me rindërtime tekstesh me gjuhë poetike autentike të krijuesit të saj Ilir Shaqiri, në të cilën vend qendror zënë epitetet e krahasimet me ngjyrime elegjiake të vargut: Formë filluese e dashurisë me qiellin! (…) Avull i pamort shekujsh! (…) Liria është shtegtim i siziftë (…); Fusha s’i shihte, mali i fshihte! (…); Balli Yt/ Ag mëngjesesh ;

– dhe më tej me leksikun e pasur shprehjesh e trajtash krejt të veçanta e rralla në fjalësin e gjuhës shqipe: epokëbërës, erërrëfyes, ballëlëruar, përtokazi, përzjarrtazi, qivurtari, burrëlisi, i nëpërmalur, burrëlisi i ylltë, jetëpanisurit etj.

Në të vërtetë, poema shquhet për strukturën e pasur ligjërimore, por më parë se sa për perceptimin estetik, sikur do të thoshte profesor Qosja, për ligjërimin e Naim Frashërit në poemën Istori e Skënderbeut , në ligjërimin e Ilir Shaqirit në poemën Adem Jashari, bashkohen tipi i ligjërimit lirik dhe tipi i ligjërimit vlerësues.

Prej përmbajtjes tematike, historike dhe artistike, si dhe prej përbërësve gjuhësorë, teoriko-letrarë, artistikë e estetikë të kësaj poeme, e cila mund të thuhet se hap mozaikun e trajtimit të shumanshëm të krenarisë kombëtare, sikur dëshiron ta shquajë autori, më shumë se sa tragjikes, të cilën e pret lexuesi, mund të themi se ajo paraqet vetëm boshtin e një poeme historike, në të cilën ka shumë hapësirë edhe për personazhet e tjera të kësaj drame të madhe të Familjes Jashari dhe drame heroike të popullit shqiptar.

Nëse do të kërkonim një vepër artistike në të cilën përmblidhen gjithë përbërësit historikë, zhanrorë dhe artistikë kushtuar Adem Jasharit, kjo është poema e Zenun Gjocajt, Adem Jashari, që përfshinë kapitullin e dytë të veprës epike Krahët e shqipes . Studiuesi dhe shkrimtari Zenun Gjocaj, në veprën e tij Krahët e shqipes, ka synuar të realizojë një projekt të madh antologjik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E gjithë poema është realizuar si një tekst tipik i këngëve legjendare, por që brenda saj janë ndërlidhur me mjaft sukses episode historike nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar, elemente të mitit e të legjendave, hiperbola nga eposi i kreshnikëve dhe simbole të tjera etnografike. Poema sjell një pasuri shembujsh me vlera leksikore, shprehjesh stilistike e frazeologjike. Ajo është ndarë në episode të veçanta, brenda së cilave sillen situata ekzistenciale sa individuale aq dhe kolektive të popullit shqiptar në Kosovë. Ajo bëhet hapësirë betejash, sfidash individuale, qëndresash familjare e reagimesh kolektive, deri tek momenti kur Familja Jashari bënë aktin më sublim në historinë e sakrificave të Kosovës: nga gjyshi te mbesa e nipi!

Poema është konceptuar si një dramë, e cila ka aktet dhe pamjet e sistemuara me kujdes, hyrjen, zhvillimin e ngjarjeve mbështetur në pamje të njëpasnjëshme por të ndërlidhura, majën e konfliktit, zgjidhjen dhe përfundimin që kulmon me tragjedinë familjare të Jasharajve. Poema përcjell edhe mesazhin e çlirimit e të bashkimit kombëtar, ndërsa si epilog i të gjitha zhvillimeve historike, sakrificën e Familjes Jashari.

Edhe shkrimtari emigrant Ajet Shala, është njëri prej krijuesve të brezit të ri, i cili ka shkruar disa poezi dhe tekste këngësh për Adem Jasharin, Familjen e tij, vendlindjen e tij – Prekazin, dhe krahinën etnografike Drenicën. Nëse në disa nga ato, si: Në Prekaz flasin kullat!, Kam Drenicën gur kështjelle, 17 shkurt 2008 (Kushtuar Pavarësisë së Kosovës), Këngë (Adem Jasharit) dhe Këngë (Hamzë Jasharit), ka ndërthurë kryesisht vargje rimash e përshkrime situatash sa tragjike aq edhe dramatike, në disa poezi të tjera, si: Zëri i poetit dhe Besa-besë Adem Jashari (akrostik) ka sjellë mjaft lirikë, ritëm të brendshëm dhe një lloj “përmbajtje autoriale”, të cilat i kanë munguar poezisë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij:

E di, edhe kulla ime mund të ishte djegur,

Si e Bacë Ademit,

Cep më cep mund të digjej muri,

Dhe guri i fundit i oxhakut,

Po s’do ma vriste kurrë fjalën,

Mes burrash në një log kuvendi,

E mençurisë në Qiellin e Shtatë,

Do ia vija bajrakun.

Të kësaj natyre janë edhe vargjet e poetit Namik Selmani. Ai, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij, bën përpjekje për ta funksionalizuar semantikisht komunikimin me heroin e tij:

Tek SYTË e tu,

Fluturoj në të gjithë qiejt e shpirtit.

Një lirikë me përmasa të një teksti popullor, me përmbajtje që të kujtojnë poezitë përkushtuese për shumë personalitete heronjsh e krijuesish të panteonit kombëtar, sjell poeti nga Vlora Murteza Mara. Poezia e tij, si edhe ajo e shkrimtares emigrante në Amerikë Julia Gjika, mund të quhen përmbajtje djenjore e shpirtërore e të gjithë atyre që vizitojnë varrezat ku janë vendosur anëtarët e vrarë të Familjes Jashari:

Një lis është pak, një mal po ashtu,

Një pyll i tërë sërish është pak,

Ikin kohët, ti do të mbetesh këtu,

Mbi krahët e lirisë dielluar me gjak.

(…)

Përulja është pak, nderimi është pak,

Për Ju o pishtarët e vërtetë të Arbërisë,

Jasharët do mbeten simbol në bajrak,

Piskamë kushtrimi në krahët e lirisë.

Karakteristikë e të gjitha poezive kushtuar Adem Jasharit është artikulimi për të identifikuar heroin me Familjen dhe sidomos me Drenicën, e për më tej me historinë e saj. Poetët: Flori Bruqi, Mevlyde Mezini Saraçi, Ismet M. Hasani, Zymer Elshani, Riza Sheqiri etj., në poezitë e tyre shpalosin historinë e popullit shqiptar, ashtu si historitë e popujve të tjerë të Ballkanit, sa tragjike dhe krenare njëkohësisht, më shumë se sa dramën e brendshme shpirtërore e emocionale, në situata dhe momente prej më të veçantave historike, të Adem Jasharit dhe të Familjes së tij. Shohin përmasën e shumëfishtë të reflektimit të dyanshëm të historisë së Drenicës në krenarinë dhe tragjiken e tyre familjare. Akti sublim i kësaj drame të madhe nuk është tjetër veç se një përmasë gjigante e kulmit të historisë së vuajtjeve shekullore të kësaj krahine dhe popullit shqiptar, flijim të cilën Adem Jashari e konsideronte si kusht të domosdoshëm për të filluar një lëvizje të re.

Në poezinë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, jashtë së cilës kur e kur nuk mbeten as bashkëkohësit e tij, për të mos thënë as Drenica dhe historia e saj, janë karakteristike rindërtimet, përkatësisht mbindërtimet tematike, që nuk janë vetëm rezultat i ndikimit të poezisë bashkëkohore të poetëve më të shquar, si: Dritëro Agollit, Din Mehmetit, Xhevahir Spahiut etj., si dhe poetëve të letërsisë botërore, si: Viktor Hygos, Janis Ricosit, Bertol Brehtit, po edhe rindërtimet mbi poezinë popullore. Një poezi, përkatësisht poemth tipik, është përkushtimi i shkrimtarit Ali R. Berisha, Kushtuar Adem Jasharit, në të cilën rindërtohet imazhi i vjetër shqiptar i vajtimit të motrës së Gjergj Elez Alisë, të cilin ai e quan “Varg nga epopeja vajtimore e shekullit të ri”. Një rindërtim të kësaj natyre, për mitin e pavdekësisë së Komandantit Adem Jashari, kanë për motiv edhe krijuesit: Shefki Ollomoni, Rrustem Geci, Arif Molliqi e Halil Xani, qoftë duke rikthyer pasazhe të caktuara mitike a historike, qoftë duke përshtatur a bartur motive tragjike e etnografike nga njëra periudhë në tjetrën, sikur në këto vargje të poetit Shefki Ollomoni:

Në Konakun e Jasharajve,

Shuaj trarin e kulmit që digjet.

Duke ruajtur temën e madhe të flijimit individual dhe familjar të Jasharajve, poezia shqipe si edhe gjinitë e llojet e tjera letrare e estetike, do të ruajnë sintezën e madhe të rënies biblike të Jasharajve, por kjo nuk do të thotë që shkrimtarët dhe përgjithësisht krijuesit e arteve, të mos sjellin edhe tema dhe motive që lindin e rilindin në pasjetën e Jasharajve. Ne besojmë se përvjetorët e tyre, sidomos Nata e zjarreve do të bëhen drama e madhe kombëtare e kësaj historie krenare, prej së cilës do të vazhdojnë të motivohen për vepra dhe realizime brilante poetë, prozatorë e dramaturgë. Një shembull mjaft i mirë i kësaj natyre është poezia e Etlevë Durmishit, brenda së cilës janë realizuar mjaft vargje tashmë të njohura në letrat shqipe, por të reja për nga motivi:

Mos kërko nga hëna dritën

Zjarri natën do ta ndriçojë

(…)

Mos kërko zjarrin ta shuajnë

Zemrën flakë përbrenda e kanë

(…)

Mos kërko as vetëtimë

Vetëtimë zemrën e kanë

Mos kërko zemërgjerësinë

Zemërgjerë si të parët janë

(…)

Mos kërko burrërinë

Trima e burra si Skënderbeu janë

Mos kërko as dashurinë

Dashurojnë si të parët Adami e Eva

Po e mbyllë vlerësimin e këtij bleni poetik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij me një poezi të shkrimtarit, përkthyesit e pilotit nga Shkodra, Riza Lahu, jo edhe rastësisht! Shkrimtarit Riza Lahu, që duke qenë një nga përkthyesit e përkushtuar të dekadave të fundit ka njohur më mirë se shumë shkrimtarë të sotëm tragjedinë e përbotshme dhe lirikën universale, poezinë e tij e ka strukturuar mbi modelin e poezisë epike dhe historike. Duke rikonstruktuar betejën e madhe të Jasharajve, ai njëkohësisht rindërton të gjitha betejat më të njohura të luftëtarëve më të shquar në historinë kombëtare: Ali Pashajt, Azem Galicës, Çerçiz Topullit etj.

(…)

Dem Jashari mjekrosh

Sokëllin majë më majë,

“Rrnoftë Kosova” edhe shtie

si të qe gjallë Ali Pashaj.

(…)

Mjekroshi Dem Jashari

Mbi shpinë malet e Drenicës

Kokën të Ali Pashait

Zemrën të Azem Galicës…

(…)

Dyzet orë flakë qet kalaja.

Flakë qet e këngë këndon:

“Prite, bre Shaban Jasharin”

“Çerçiz Topulli më thonë…”

Karakteristikë e gjithë poezisë së tij del insistimi i poetit për të identifikuar tipare të jashtme dhe karaktere të brendshme të Adem Jasharit, duke e parë betejën e tij si një vazhdim të betejave më të njohura të historisë kombëtare. Ajo fillon si një këngë legjendare, ku sipas ligjësive bisedore të fenomenit fonetik të aferezës përgjithësisht në gegërishte: Adem(i) Jashari bëhet Dem Jashari dhe përfundon me diskursin e këngëve labe “Çerçiz Topulli më thonë…”.

Përfundime

Parë në tërësinë e saj, në poezinë shqipe sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij zënë një vend të nderuar dhe parësor në kontekstin e simboleve të krijuara, por në letërsinë shqipe ende nuk e kemi poezinë përfaqësuese, pa të cilën nuk do të mund të përgatitej Antologjia e poezisë së sotme shqipe. Krijimet e gjertanishme ende nuk i kanë tejkaluar këngët e kompozuara kushtuar Adem Jasharit, si ajo e Ilir Shaqirit, me tekst të Adem Gashit, Serish vjen marsi, apo ndonjë tjetër si kjo, as në kontekst të horizontit të pritjes as në kontekst të shprehësive stilististike, vlerave artistike dhe estetike njëkohësisht. Janë këngët epike dhe lirike për Adem Jasharin ato që këndoheshin nga ushtarët e UÇK-së ashtu siç këndoheshin Epet Oseanike nga ushtarët e Napoleonit në fushë të betejave . Kishim menduar se trajtat ligjërimore të letërsisë shqipe nga eposi dhe këngët mesjetare për Skënderbeun janë tejkaluar me poemat për Skënderbeun nga Naim Frashëri e Jeronim De Rada, por sot mund të themi se këngët për Adem Jasharin dhe sidomos kryekënga e këngëve Serish vjen marsi, mbetet kulmi i krijimeve për Adem Jasharin dhe kujtesën për bëmat e tij.

Koha jonë ndërkaq kërkon jo kryekëngën po kryeveprën letrare dhe artistike për gjithë jetën dhe vdekjen e madhe të tij, pranë etërve dhe pasardhësve të tij, një vdekje biblike, një vdekje shumëdimensionale, fisnike, një vdekje tragjike si në këngë, por që ishte dhe mbeti drama e madhe e kombit tonë: drama të cilën shkrimtarët e shekullit XXI e kanë obligim ta bëjnë realitet artistik dhe estetik.

Le të thuhet ndërkaq se kjo vepër e kërkuar dhe e kurorëzuar me përmasat artistike e estetike që e kanë periudhat e tjera historike dhe letrare, letërsisë sonë i mungon. I mungon madje në të gjitha përmasat e saj letrare, krahasuar me Mesjetën, Rilindjen Kombëtare dhe i mungon madje edhe në përmasa të letërsisë për Luftën e Dytë Botërore, të njohur si letërsi e Luftës Nacional Çlirimtare!

Shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët shqiptarë, ende nuk e kanë ofruar një vepër monumentale për luftën e fundit në Kosovë, sado përmasat tragjike të saj mbeten vetëm prapa përmasës tragjike të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar gjatë Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët, ende nuk e kanë ofruar një vepër përfaqësuese të kësaj epoke, sado heroi tragjik dhe artistik i letërsisë së deridjeshme Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Çerçiz Topulli, Mujo Ulqinaku, Fahri Fazliu e Afrim Zhitija, në kohën tonë ka përmasa më të gjera dhe më universale: tani më nuk është vetëm individi (hero) po e gjithë Familja (e heroizuar), një shembull tipik i munguar edhe ndër popuj të tjerë.

A do të arrijnë shkrimtarët e kohës sonë që këtë përmasë biblike të heroizmit të Adem Jasharit dhe flijimit të Familjes së tij, t’ia dhurojnë Evropës, në ato përmasa që Skënderbeun dhe bëmat e tij ia ka dhuruar Marin Barleti, Jeronim De Rada, Fan Noli, Ismail Kadare e shkrimtarë të tjerë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT