• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse “Hejza e Pashkut”?

October 1, 2022 by s p

Behar Gjoka/

Shpesh herë teksa lexoja dhe rilexoja, me dëshirë dhe kërshëri të parrëfyeshme, më ka qëlluar që tekstet e shkrimtarëve më të shquar të letrave shqipe, sidomos të periudhës bashkëkohore, si Kasëm Trebeshina, Arshi Pipa, Ismail Kadare, Martin Camaj, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Frederik Rreshpja, Bilal Xhaferri etj. , përgjithësisht më ka rastisur që vetvetiu dhe befasisht të pushtohem nga ankthi i leximit tërësor të veprës letrare, të secilit prej këtyre shkrimtarëve, vetëm që të shijoj universin letrar të endur prej tyre. Po kaq, kërshëria ka qenë e madhe me u ndalu edhe në thellimin e analizës së tekstit dhe të vlerave stilistike, në vepra të veçanta të tyre, për të krijuar një ide pak më të plotë, mbi procesin krijues dhe shenjat letrare që bartin dhe përçojnë te lexuesi tekstet e këtyre autorëve. Në këtë endje qëllimore dhe të përthekuar kërkimi, me gjasë si në një humbellë terri dhe drite, që megjithatë ka një rrezatim të fortë diku në fund të “tunelit”, vazhdimisht më ka munduar pyetja, e cila ndërkaq vjen me shumë përgjigje konceptuale, se cili është vendi që zë vepra letrare e Anton Pashkut, në formatin bashkëkohor të letrave shqipe? Po ashtu, ende më ka mbetur e vjerrë pyetja, po kaq domethënëse mbi rolin e e përveçëm të kësaj vepre, në marrëdhënie me shenjat estetike, në prozën e gjatë dhe të shkurtër, si dhe në dramatikën e lëvruar prej autorit, në situatën e ndërkomunikimit dhe receptimit me pjesën tjetër të letrave shqipe, e cila qe projektuar vetëmse në shtratin e realizmit socialist. Vepra e gjerë letrare e Pashkut, pavarësisht formës së përveçme estetike, zhanreve dhe tipeve letrare, ndërkaq përbën një realitet unik tekstesh, që zbulohet pambarimisht, vetëms nga leximet dhe rileximet e tyre.

Një pyetje gjithpërfshirëse, prêt në heshtje, gjithnjë në kërkim të shenjimit të natyrës së veprës letrare të autorit, e cila megjithatë nuk besoj se ka vetëm një përgjigje, qoftë edhe nga shqyrtuesi më lavdiplotë dhe shterues, në shtjellimet metodike, që megjithatë ta largojnë tekstin si shenjë që të mbërthen me magjinë e vet, në leximet e pambarueshme. Madje, nuk ka shumë gjasa që ta ketë vetëm një të tillë, megjithëse thelbi estetik, jo shumë i ndërvarur nga përqasja e këtyre përvojave shkrimore, ku sërish formësimi përfundimtar, i vendit dhe rolit të saj, mbi dukurinë pashkiane mbetet pezull, edhe prej ligjësorive letrare, të unikes që përçon krijimtaria e tij letrare. Mbi të gjitha, më tepër është një pyetje-përgjigje, që do të kërkonte shqyrtim të zgjeruar, të krijimtarisë letrare, si tekste dhe formësim shkrimor, si kahje dhe prani letrare, pamëdyshje si prani dhe paprani në arealin letrar, të letrave shqipe, që në historinë e vetë bashkëkohore, ka endur rrethanat e daljes tepër të shkrimtarëve, pjesë e së cilës, në mospranimin në Shqipëri, në meritat që bartin tekstet letrare, është edhe rasti i Anton Pashkut, prozatorit dhe dramaturgut modern të letërsisë bashkëkohore. Libri Hejza e Pashkut ka vënë në fokus veprën letrare të shkrimtarit, prozën e gjatë dhe të shkurtër, dramatikën moderne, si dhe prozën e shkurtër për fëmijë, kryesisht duke sugjeruar dhe realizuar, aq sa mundet kamare e leximit dhe rileximit, një analizë në rrafshet tekstologjike, larg shqyrtimeve sociologjike dhe monografike (biografike), ku zakonisht fshihen shqyrtuesit e zyrtarshëm, që humbasin dhe bjerrin kohën nëpër shtjellimet jetëshkrimore dhe përmbajtësore, kinse monografike, duke lënë kështu në hije tekstin, të vetmin element që shtegton me tej se sa jeta e autorit. Termi i parë i titullit të librit, pra hejza do të thotë: “kurrizi i maleve që ndan rrjedhën e ujërave në drejtime të ndryshme.”[1], një fjalë që gjendet e shpjeguar në një nga qasjet e leksikografisë moderne të gjuhës sonë, Fjalori i Gjuhës Shqipe, i vitit 1954, që duket se në hapësirën e tij i ka të vendosura pranë e pranë të gjitha variantet e shqipes, pra gegnishten, toskërishten dhe arbërishten. Hejza letrare e Anton Pashkut, përpjekja për të hetuar dhe shenjuar vlerat estetike, në pjesën e parë të shpjegimit, kuptohet si kurriz i maleve, pra si një nga pikat e referencës si lartësi estetike, gjë që në fakt simbolizon një pikë thelbësore të përmasës, që dëshmon dhe përfaqëson krijimtaria e tij, duke hyrë dhe mbetur si një nga kulmet e bashkëkohësisë së letrave shqipe. Po kaq, hejza në kuptimin e dytë, tashmë si një metaforë e rrokshme, mbase si një vijë ndarëse e rrjedhave të ndryshme, pra e lavrimit letrar, në të dy anët e kufirit shtetëror (sa absurde kufi shqiptar-shqiptar), në mënyrë që të tejkalohet më në fund përndarja e letërsisë së jashtëkufijve, ose e murit të pakalueshëm prej xhami që ia kemi ngritur vetvedit, nëpër kaq mote, me veprim më të shtuar në vitet e lirisë që përsëri ka mbetur jetime. Megjithatë, ndërkaq vihet re se nivelet e shenjimit të Hejzës, pra natyra e larme e krijimtarisë letrare, të kahjeve dhe prurjeve të Pashkut, merret kryesisht si një pikë reference e shqiptimit letrar, nga më të përveçmet të letrave shqipe.

Analiza e thelluar e teksteve letrare, realizuar në këtë lexim, sidomos e romanit OH[2], si dhe njërit nga autorët, me kontribute të vyera në ligjërimin e tragjedive moderne, Gof dhe Sinkopa [3], që pa asnjë drojë përfaqësojnë dy nga tekstet e vlerta, nivele të ngritura në lëmin e dramaturgjisë së shqipes bashkëkohore. Po kaq në mënyrë të veçantë janë hetuar gjurmët e mjeshtrit të tregimtarisë bashkëkohore, që zbulohet e plotë në tregimet fantastike[4] dhe të natyrave të tjera, si dhe në prozën e shkurtër për fëmijë. Në një hapësirë të gjerë, vetëm të shqyrtimeve tekstologjike, e cila rreket ta vendos në komunikim me lexuesit e të gjitha anëve të kufirit, e sidomos në Shqipëri, e parë në të gjitha përmasat si dëshmi dhe piketë e lavrimit modern të letrave shqipe. Kjo situatë e mbijetesës së shkrimit letrar, jo pak e ndërliksur e letrave shqipe, tashmë kërkon shqyrtime të thelluara, trajtime dhe verifikime të plota, si letërsi zyrtare dhe e njohur, që megjithatë ende vijon të qëndrojë në krye të hierarkisë letërsishkrimore, ku pa asnjë dyshim përfshihen edhe korifejtë e realizmit socialist, me Kadarenë, Agollin, Qosen, Arapin etj. , në pjesën dërrmuese të veprës së tyre, duke qenë epiqendër e hierarkisë letrare, si vlerë vijuese e saj, megjithë faktin domethënës të pranisë së disa teksteve me vlera të këtyre autorëve, por edhe më ngjyresa moderne, që trëshëgojmë prej tyre, sidomos në lavrimin e romanit, por edhe të poezive të F. Arapit. Po kaq vlerë bart edhe letërsia jozyrtare dhe e mbetur në hije, për shkaqe jashtëletrare, që tashmë duhet kthyer, në panteonin e letrave shqipe, për të zgjeruar hapësirat e komunikimit me letraren, që nuk pati hapësirë ndikimi në atmosferën letrare, në kohën e shkrimit të teksteve. Në konceptin e receptimit të letërsisë në përgjithësi, merr vlerë të posaçme sugjerimi i Harold Bloom-it, kur shprehet: “Më ka ardhur në majë të hundës çfarëdolloj argumenti që ndërthur endjen e leximit vetmitar me të mirën publike..”[5] .Një pohim sugjerues, njëherit tepër kundërvënës, i cili tërheq vëmendjen për të dalë nga kontekstet e receptimit të zakontë, që i kërkon letërsisë shenjëzimet jashtëletrare dhe, sidomos për të depërtuar prapa kodeve dhe magjisë së teksteve letrare të autorit, në gjinitë dhe zhanret e ligjëruar. Pra, për të ikur përfundimisht prej rrethanave të zakonshme të mosvlerësimit të letërsisë, me kritere të qarta letrare, por më shumë të një leximi sociologjik dhe historicist, biografik dhe përmbajtësor, e sidomos të leximit ideologjik, që gati e shkërmoqi vlerën letrare të letërsisë shqipe, në gjithkohësi dhe gjithhapësi, dhe në rastin e leximit të Pashkut, në këto pista do të shkaktonte keqkuptime të shumta. Rrethanat e përveçme të pranisë së universit letrar të bashkëkohësisë, ndërkaq të shoqëruara me sprova dhe eksperimente letrare, si ngjyresë e trefishtë e lavrimit letrar, më në fund të bind si përvojë se shënon një fakturë të rrokshme estetike, tekstesh dhe alternativash, modelesh dhe poetikash, ndërkaq formati bashkëkohor paraqitet i ndryshueshëm edhe në pikëpamje gjuhësore. Pra duke shqiptuar letraren, në nivel variantesh gjuhësore dhe versionesh letrare, Pashku me të gjithë krijimtarinë e vetë ka endur një dukuri unike në letrat shqipe. Në rastin e prozës së shkurtër, kemi një situatë tipologjike, të përveçme të autorit, të realizimit të tregimeve fantastike, një emërtesë e shkrimtarit, ndonëse thuren edhe tregime me ngjyresa të tjera, në dy variante apo versione shkrimore, të ndryshme nga ana gjuhësore, ndonëse të realizuara me nuanca të përfillshme nga pikëpamja letrare. Faktologjia e tregimeve fantastike dhe të ngjyrave të ndryshme, në dy variante gjuhësore, pra në variantin e gegnishtes dhe të njësuar, realizuar mjeshtërisht nga shkrimtari, por ndërkaq edhe të projektuara si versione letrare, përbën një nga befasitë letrare, që kërkon verifikim dhe interpretim të përplotësuar, madje krejt të përveçëm. Praktika e shkrimit të tregimit fantastic dhe të toneve të tjera, në dy variante dhe versione, krijoi një hapësirë, që kërkon njohje dhe trajtim më të thelluar:

Në radhë të parë: Si një fakt gjuhësor, i periudhës letrare bashkëkohore, deri tek vepra e Pashkut, prej shkrimit letrar të gegnishtes, variantit të parëlindur të shqipes së shkruar. Me Martin Camajn sidomos me veprën e gjerë poetike, në prozë, dramatikë dhe studime letrare, kemi vijimin e mbijetesës së variantit letrar të gegnishtes, shoqëruar me ndonjë dëshmi të arbërishtes, sidomos në ndonjë tekst proze. Por, si shkencëtar i gjuhës, është i hapur edhe me gjuhën e njësuar, gjë që konfirmohet me rastin e hartimit të Gramatikës së Shqipes, në dy vite, përkatësisht në 1969 dhe 1984, por edhe në punime të tjera, thelbësisht shkrncore, të rrafsheve gjuhësore dhe albanologjike. Ndërsa Pashku, në krijimtarinë letrare, krejt ndryshe, ecën në kahjen e ligjërimit gjuhësor në të dyja variantet, pra fillimisht në gegnisht, e mandej të shkrimit të prozës së konverguar me gjuhën e njësuar.

Në radhë të dytë: Një fakt letrar, për dallim nga autorët e bashkëkohësisë, që lavrojnë tekste në dy variante gjuhësore, që ndërkaq për ma tepër përbëjnë edhe dy versione letrare të qarta, të cilat ndërkaq përfaqësojnë një aspekt të shqyrtimit të përvojës shkrimore të autorit. Pa asnjë dyshim, me krijimtarinë letrare të A. Pashkut, jemi në një rast krejt unik, të formatit bashkëkohor të letërsisë shqipe, sepse kalimi nga njëri variant në tjetrin, si dhe në ligjërimin e dy versioneve letrare, ndërkaq është kryer nga vetë autori. Tekstet letrare të autorit, veçmas në prozëshkrim, janë shoqëruar me një situatë origjinale, sepse secili nga variantet dhe versionet stilistikisht, shënon një vlerë të përveçme të ligjërimit, si gjuhë e letërsisë dhe e autorit. Faktologjia e tregimeve fantastike dhe të ngjyresave të tjera, e romanit OH, po kaq e dramatikës dhe prozës për fëmijë, vjen si një shans verifikimi real, tashmë të vetë ekzistencës së letrares, ku shqyrtimi dhe interpretimi, duhet kryer duke u bazuar vetëmse në kriteret letrare, që i shkojnë për shtat poetikës moderne të ligjërimit letrar të autorit.

Filed Under: Analiza

ITShKSh, takim në Misionin diplomatik shqiptar në OKB

September 28, 2022 by s p

Nju Jork, 26 shtator 2022 – Stacioni i fundit i turit të ITShKSh-së në SHBA ishte Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në OKB-së në Nju Jork. Delegacioni i prirë nga drejtori Skender Asani u prit në selinë e misionit nga Andris Stastoli, Këshilltar dhe koordinator politik për KS të OKB-së. Ndërsa, pjesë e delegacionit ishte edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit Izmit Nura dhe studiuesit Sevdail Demiri dhe Sefer Tahiri.

ITSHKSH mbetet një institucion i hapur, ku nuk do të mungojë edhe shtrirja e aktiviteteve tona edhe në SHBA në vitin e ardhshëm. Z. Stastoli premtoi një mbështetje të Misionit të Shqipërisë në OKB në nxitjen e aktviteteve lobuese pranë intitucioneve të OKB-së, ku ITSHKSH pritet të prezantojë punën e Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokausit, dhe në ofrimin e një fotografie më autentike për profilin e panjohur të Gonxhe Bojaxhiut para se ajo të riemërtohej në një emër të madh – Nëna Tereze, me të cilin ITSHKSH tash e një kohë po merret në mënyrë intenzive në kuadër të Deprtamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Andaj edhe në këtë takim z. Stasolit iu dhuruan disa vepra të botuara nga ITSHKSH e që si objekt studimi kanë pikërisht figurën e Nënës Tereze, siç janë revista kulturore-shkencore “Drita e Gonxhes I”, “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” e autorëve Skender Asani, Nora Maliqi – Zylali dhe Albert Ramaj, “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” dhe “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” të dyja të autorit Anton Nikë Berisha, si dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” nga Zef Noka.

Takimi në Misionin e Shqipërisë në OKB pritet të prodhojë një frymë afatgjate bashkëpunimi, ku nuk do të mungojnë idetë dhe projektet që tejkalojnë stereotipet e ngushta etnike, racore e fetare, pikërisht ashtu siç ishte edhe kauza univerzale e Nënës Tereze, e cila u angazhua për një botë të hapur dhe të liruar nga çfarëdo lloj paragjykimi dhe keqkuptimi.

Republika e Shqipërisë prej këtij viti udhëheq me Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Filed Under: Analiza

Pas Panairit te Pare Ekologjik, Dielli dhe Neka Doko biseduan per temat, pritshmerite dhe ardhmerine

September 26, 2022 by s p

Dielli: Duke filluar nga dërgimi i ftesave te fazat përgatitore dhe gjatë gjithë panairit shqiptar në Shën Gjergj, ti, si nismëtare dhe nikoqire, theksove karakterin ekologjik të tij si veçori dalluese dhe bashkëkohore. Në ditët pas panairit, si të duket se u manifestua ky tipar nga një vështrim i shpejtë pas? 

Neka Doko: I konceptuar si një panair shqiptar me prurje ekologjike të ingranuara në detaje si Kopshti i Meditimeve, produktet natyrale në shitje dhe porositë në tryezat e bisnesit familiar, lokal ose global, dreka e servirur në tri pjesë me gjithë përbërësit natyral e biologjik si përgatitja e gatimi, pra secila pjesë dhe tërësia e tij ishte funksion i kësaj qasje. Edhe data 18 ishte epilog i një nisme dhe provë për të shpërndarë energji shpirtërore komunitetit të Shën Gjergjit dhe miqve të energjive në natyrë. Personalisht isha e privilegjuar të hap për 8 ditë nga data 8 deri 16 shtator një paketë instruktive me energjitë dhe qasje ekologjike. Rrjedhimisht edhe konceptimi i panairit u mbështet tek energjitë e përmbledhura deri në atë ditë. Përsëri nën efektin e tyre u aplikua vendosja e tetë tavolinave në të dy anët e kopshtit me distancë edhe energjetikisht të balancuara nga njëra tjetra që secili përqafësues i tryezës të kishte aureolën e tij postkovid të njësuar tashmë me një zakon të ri shëndetsor global dhe ekologjik në një dimension shtesë të komunikimit më të ndërgjegjësuar midis njëri-tjetrit në hapësirë dhe kohë. Së fundi, përzgjedhja dhe vendosja e tryezave në varësi të përmbajtjes së produkteve dhe objekteve me vlera historike kishte veçanësi ambjentaliste e kulturore. Të gjitha elementet përbërëse të tij në formë a përmbajtje janë natyrale-biologjike dhe për rrjedhojë sensitivisht ambjentaliste.

Dielli: Tema e panairit ishte 100 vjetori i lidhjes diplomatike midis Amerikës dhe Shqipërisë. Si tu duk shtjellimi tematik nga ana juaj si ideatore dhe nikoqire e veprimtarisë?

Neka Doko – Tema qendrore si edhe boshti për panairin ishte festimi i 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike amerikane shqiptare. Ato nisën këtu në shtetin e Massachusetts dhe u zyrtarizuan në Washington – një ngjarje historike e dokumetuar në faqen kryesore kushtuar njohjes zyrtare të qeverisë shqiptare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në një protokoll të drejtuesve të Vatrës Faik Konitza dhe Vani Chani në gazetën Dielli, një shekull më parë në Boston në 29 korrik të vitit 1922. Nga këndvështrimi i energjive eko shpirtërore them se shërben edhe për shërimin e plagëve të shkaktuara nga goditja e ndarjes 50 vjeçare midis dy vendeve. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, e të mos e festonim këtë përvjetor të artë përmbyllës pas Nju Jorkut dhe Usterit në vendin ku nisi lëvizja për pavarësi kombëtare dhe shpirtërore këtu në Shën Gjergj, te Vatra me Fan Nolin dhe patriotë shqiptarë të imigruar në tokën e re. Çështja kombëtare, pavarësia, liria dhe përparimi komunitar, familjar dhe individual si tema të ditës sot janë shkrirë me edukimin për vetëzhvillim personal të potencialeve dhe talenteve të çdo pjesëtari të komunitetit shqiptaro amerikan, për të njohur dhe ndihmuar më mirë njëri tjetrin, veten dhe vendin nga erdhëm. 

Dielli: Çfarë manifestoi dhe cfarë arriti të përcillte panairi në linjën e “Mission Driven Entreprenship” të Shkollës së Jetës?

Neka Doko: Së pari, lidhja me traditën. Panairet për librin por edhe për artin kanë qenë dy sezonale, në pranverë dhe vjeshtë çdo vit këtu në Shën Gjergj, të organizuara dhe drejtuara nga biblioteka noliane, me At Liolinin si inisiator. Në këtë aspekt të dielën u përfaqësuam me një tryezë me libra të autorit dhe kontribuesit të bibliotekës Fan Noli, z. Namik Selmani.

Krahas traditës, u përpoqëm të nderonim dhe rivlerësonim një faktor të domosdoshëm përcjellës siç është biznesi. Mos harrojmë se nëse nuk do ishte vizioni i Nolit dhe përfaqësuesve të Vatrës për prosperitet ekonomik komunitar në Amerikë asgjë nuk do realizohej në planin pavarësi.Vetë blerja e një kompleksi arkitektural e historik në qendër të South Bostonit si është Katedralja e Shën Gjergjit vërteton vizionin e misionit kombëtar, shpirtëror e ekonomik të harmonizuara një shekull më parë nga ana e themeluesve të komunitetit të parë të organizuar shqiptar në Amerikë. Ishin bizneset shqiptare ato që në atë kohë mbështetën krijimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Ne po kthejmë traditën. Po kapim atë pikë që u këput nga komunizmi. 

Së dyti, është e vërtetë që Shkolla e Jetës ka marrë përsipër të ndihmojë, edukojë bizneset e rinj të brezit të emigrantëve të ardhur në Amerikë me kulturën e sipërmarrjes me drejtimin misionar që si thekson formuesja e saj Elona Lopari “një ditë, mbasi janë vetërealizuar të kthehen të ndihmojnë bashkëkombësit e tyre këtu dhe vendlindje.” Dhe së treti, përhapja e rrjeti i biznesit shqiptar amerikan në veri dhe jug që të lidhen me njëri-tjetrin nga tradita e të parëve deri te të rinjtë e talentuar në fusha të reja. Duke qenë më të fortë edhe në fushën e sipërmarrjes me drejtim misionar së bashku mund të bëjmë më mirë për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë.

Dielli: Po të marrim si shembull stendën e Vatrës, për ta konkretizuar në këtë rast misionin e Shkollës së Jetës, si ishin gërshetuar tradita dhe fryma krijuese e biznesit?

Neka Doko: Vatra e para si institucion ndërshqiptar demokratik 110 vjeçar ka në themel edukimin mbarëshqiptar me misionin patriotik, identitar, kulturor nëpërmjet investimit edukativ dhe mbështetës në biznes krijues e unik. Mund të përmend se në panair tërhoqi vëmëndjen fotoja e jelekut personal të një nga themeluesve të Vatrës Faik Konitza që Andrea Pani paraqiti para të gjithëve si një dhuratë të trashëguar nga brezat e familjes patriotike të Vasil Panit, mik i ngushtë me Konitzën. Ky artikull përfaqësonte në panairin ekologjik vlera historike dhe monetare të panjohura më parë si ato në tregun e pengjeve, qē kërkon ekspertë në fushën e rivlerësimit të mallrave me bonuse origjinale në rritje. Artikuj të kësaj natyre mund të vinë nga artifakte arkivore dhe muzeale të cilat kësaj rradhe u prezantuan në tavolinën e Vatrës te një familje e Shën Gjergjit dhe të muzikës së vjetër shqiptare në tavolinën e arkivës noliane. Një sipërmarrje e tillë mund të promovohet me sende me vlerë historike monetare që përfaqësojnë njëherazi qëllimin e Shkollës sē Jetës për aplikimin e edukimit sipërmarrës me orientim misionar në biznes historik e kulturor, dhe faktikisht të dyja burojnë nga tradita e memorabilia në Vatër dhe në bibliotekë. Pra janë të shkrira universalisht e pragmatisht nē një të vetme.

Përfaqësimi me dinjitet i Presidencës së Vatrës dhe gazetës Dielli nga ana juaj është shprehje e lidhjeve organike midis misionit të Vatrës, të Bibliotekës noliane dhe të Shkollës së Jetës. Kujtoj se takimi i parë i këtij “trinjakëzimi” nëse mund ta quaj kështu, u bë në nëntorin e vitit të kaluar në Katedralen e Shën Gjergjit. 

Dielli: Merret me mend se disa prezantime në panair kishin ngjashmëri në artikuj dhe përmbajtje. Të tilla ishin Vatra, Shën Gjergji, Biblioteka Fan Noli, familja Pappas. Por ato kishin edhe tiparet e veta. A mund t’i cekni shkurtimisht?

Neka Doko: Tryezat e vlerave dokumentare kishin emërues të përbashkët por edhe veçori specifike. Për shembull, tryeza e familjes Papa përcolli një mozaik të vlerave historike e kulturore të komunitetit të Shën Gjergjit me libra, artifakte e librete përvjetorësh nga origjina e krijimit dhe përvjetorëve historik të tij. Çdo gjë ishte përgatitur e prezantuar me disiplinë epistolare dhe nderim memorabiliar. John Papas u përfaqësua me dinjitet në këtë panair unikal në planin dokumentar familiar e komunitar. Një nga të papriturat ishte prezantimi nga Anila Hasko Kurti e cila mbante “tre kapele” në këtë panair ekologjik, historik dhe ekonomik. Anëtare e Shkollës së Jetës dhe Arbonne International, zonja Hasko Kurti gjeti në kalendarin e Vatrës 1918 foton ku gjyshi dhe xhaxhai me origjinë nga Gjirokastra ishin në grupin e themeluesve të Vatrës që në formimin e saj.

Dielli: Çfarë sillte pjesëmarrja në panairin e vjeshtës për biznese të njohura si Arbonne International dhe të tjera me më pak kohë në treg si psh Vinny Santal. Për disa prej tyre si Valbona Valdari dhe Silva Hani ishte debutimi i parë në panair të tillë. 

Neka Doko: Shkolla e Jetës erdhi në këtë panair eko shpirtëror me misionin për të mbështetur anëtarët e saj në Boston tashmë të integruar në biznesin e sipërmarrjes edukuese dhe trajnuese në terren. Drejtuesja e Shkollës zonja Lopari e përmendi fokusimin e Shkollës së Jetës tek vetëzhvillimi i brezit më të ri dhe familjeve të ardhura rishtas ose ende të paintegruara në komunitetin e shtetit tonë e më gjerë. Paralelisht, zonjat e Shkollës së Jetës janë konsulente biznesi për firmën e njohur Arbonne International, për promovimin dhe shitjen e produkteve biologjike për ushqim dhe mirëmbajtje trupi në mënyrë të shëndetshme për vete, familjen dhe mjedisin. Charlote B., me origjinë kanadeze, më shprehu se në panairin ekologjik ato ndiheshin si në shtëpinë e tyre. 

Tryeza e bisnesit global u plotësua me prezantimin pasionant nga Valbona Lavdari, e cila i njohu pjesëmarrësit me të rejat më të fundit si agjente shitblerje shtëpish dhe vlerat e një kopshti ekologjik me bonuse shpirtërore, një të tillë e ka ndërtuar edhe ajo vetë, si aspekt i vlerësuar në një industri që kalon një cikël krize herë pas here. Dua të përmend se Valbona ishte kontribuese edhe për pjesën e tretë të drekës, me kosin e saj natyral të shijshëm. Një tryezë interesante dhe origjinale e prezantimit të produkteve organike me përqasje individuale e familjare ishte edhe ajo e apikulturēs të rritjes së bletëve dhe prodhimit të mjaltit këtu në shtetin tonë nga familja Hani. Silva Hani si anëtare e Shkollës së Jetës në Boston është konsulente e sigurimeve jetike në profesion por hobi i saj është mbajtja e bletëve në Framingham dhe prodhimi i mjaltit me lulet e shtetit tonë, një pasion që ajo e ka të ushqyer e trashëguar nga i jati. Pranë mjaltit ekologjik shihje një shportë të bukur me ballakume Elbasani të gatuara me art dhe zemër nga një zonjë dhe mike e vjetër Irma që erdhi nga Uster për të marr pjesë në panair. 

Përsa i takon tryezave me orientim biznes familiar e global Vinny Santal dhe A& L Abruzzo që prezantuan produkte të freskëta ushqimore frutore, bulmetore, vajore, bazuar në lëndën e parë dhe përpunimin artisanal në vendlindje, u pëlqyen dhe blenë nga pjesëmarrësit në panair. Kur shijoje ullinjtë e Beratit dhe vajin e tyre, pranë sardeleve të Vlorës e djathit të Gjirokastrës, emocionet të çonin larg përtej oqeanit. Kështu u pranua në panair Ervini duke e mbështetur shitjen dhe shpërnadrjen e produkteve të tij bio jo vetëm aty por kudo ku ka shqiptarë në Amerikë. Biznesi tjetër përfaqësonte një çift të pasionuar për verë italiane në tregtimin e saj të përzgjedhur këtu në Massachusetts në mënyrë të specializuar e me kritere prove dhe konsumimi të përcaktuara me standarte të kontrolluara me ligj. Ndërsa bisnesmeni i ushqimeve vinte për herë të parë në Shen Gjergj, çifti Hima e Ballauri treguan një nivel të lartë komunikimi dhe transmetimi i vlerave të biznesit enologjik në komunitetin tonë dhe në panair, aq sa mendoje se ishin bisnesmenë të përhershëm në gjirin tonë. Në mbyllje dëshiroj t’i falenderoj me radhë pjesëmarrësit dhe vullnetaret e renditur në listë:

I- Tryeza e Shen Gjergjit

1- Arkimadrid Theophan Koja

2- Neka Doko Biblioteka Fan Noli- organizatore dhe prezantues e veprimtarise

II- Tryeza e Vatres

3- Rafaela Prifti- perqafesuese e Vatres dhe Diellit

4- Adrea Pani- nga brezat Vasil e Sotir Pani

5- Anila Hasko- Kurti – nga Shkolla e Jetes ne tryezen e Vatres prezantoi gjyshin dhe xhaxhain e te jatit vllezerit Kurti 

III- Tryeza e Shkolles se Jetes –  Arbonne International

6- Elona Lopary NY Founder of Life School

Anila H-K, 7- Julinda Basha e 8- Charlotte Burkovsky nga Montreal, Quebec

IV-  Shkolla e Jetes Boston, Vajzat e Bostonit, MaasBesa

9- Valbona Lavdari

10- Silva Hani

11- Irma Abdiu

12- Enkelejda Klosi

13- Albana Qenami

14- Ida Shkurti

15- Adelina Bano

V- Tryeza e Pervjetoreve historike : Artecafts & Memorabilia – Saint George Community

16- John Pappas

VI- Tryeza e produkteve ushqimore artizanale nga Shqiperia

17- Ervin Cifliku

VII- Tryeza e librave te autorit dhe kontribuesit te bibliotekes noliane

18- Namik Selmani dhe e muzikes tradicionale shqiptare nga arkiva noliane

VIII- Tryeza e A & L Abruzzo

19- Adriatik Hila

20- Luljeta Batelli

Ne hyrje te kopshtit ne tryezen e biletave dhe ID te pjesmarresve

1- Julia Japo sekretare 2- Rea Kondi- vullnetare

Dielli: Falemnderit për bisedën. Mesa duket panairi i vjeshtës i cili gërshetoi traditën dhe frymën bashkëkohore krijuese në kontekstin e gjerë ekologjik mund t’i paraprijë panaireve të ardhshme në komunitetin tonë. Suksese të mëtejshme!

Fotot Kortezi nga Ardian Murraj 

Njoftimi i Diellit nga Arkiva Biblioteka Fan Noli, Boston, Dielli Collections 1922

Fotografuar dhe dërguar gazetës Dielli nga Neka Doko

Filed Under: Analiza Tagged With: Neka Doko, Rafaela Prifti

LEKSION  NJERËZOR

September 23, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më 5 tetor, në Tiranë, në Kinostudjon “Shqipëria e re”, në sallën Marubi, u hap Festivali Ndërkombëtar i filmit për të drejtat e njeriut. Organizatorët e festivalit, në ditën e parë, zgjodhën filmin “Divorc shqiptar” si të parin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor. Filmi është i gjinisë dokumentare dhe ka për regjizore e skenariste bullgaren Adela Peeva. 

Filmi ka meritën se i kapërcen shumë kufijtë e një dokumentari që fotografon një realitet të caktuar të një Vëndi apo të një periudhe. Ai paraqet, nëpërmjet episodeve të jetës së tre çifteve të përzjera, një tabllo të plotë të Shqipërisë komuniste. Shqipëria e Enver Hoxhës, Vendi i besnikërisë së pandërprerë ndaj ideologjisë komuniste, në versionin e saj më të keq, atij të tiranit gjeorgjan Josif Stalinit, shpaloset në pamjet e një filmi prej pak më shumë se një ore, në gjithë hapësirën e saj shtetërore e shoqërore. Nëpërmjet fatit të të tre çifteve, ecurisë dramatike e tragjike të jetës së tyre, dëshmive të personazheve, vërtetësisë rrënqethëse të pohimeve të tyre, spektatorit i shfaqet, në të gjitha përmasat e tij shkatërruese, spektakli famëkeq i një diktature që nuk njeh shëmbëlltyrë të saj në të gjithë Lindjen komuniste evropiane…

Arkitektura e filmit mbështetet në këto tre çifte, tri familje të viteve 60, të formuara nga studentë shqiptarë të diplomuar në Vendet e ish kampit socialist dhe vajza të këtyre Vendeve të dashuruara me ta e të vendosura për të jetuar së bashku në dheun e tyre. Regjizorja, zonja Peeva, na njeh me të përbashkëtën e dukurive  që nuk i fotografon thjeshtë, por mundohet të hyjë në brëndësi të tyre, të mekanizmit që përcakton ecjen, të kuptojë logjikën e tij, nëse do të ketë një të tillë. Por, krahas forcës përgjithësuese të ndodhive, së përbashkëtës së tyre, autorja e filmit na paraqet edhe të vecantën e dukurive, ndryshimet ndërmjet tri familjeve, që përbëjnë boshtin kryesor të dramës së filmit.

Nga tri familjet që, deri para prishjes me B.S., jetonin mirë e bukur në qytetet e tyre, duke punuar e lindur fëmijë, në fund të atij lundrimi të gjatë në një det të stërtrazuar nga valë cunami të trilleve e ligësisë shpirtërore e intelektuale të një kaste kriminelësh, me në krye një kampion të species,  vetëm njëra mbijeton. Dy të tjerat shpërbëhen, tjetërsohen, ligështohen, zhduken. Ky është përfundimi i njerëzve bisha, oficerë sigurimi, apo sekretarë partije, hetues e prokurorë, që qenë dora  e zezë e sistemit kriminal, në të cilin besonin e për të cilin ishin krenarë të kryenin edhe krimet më të përbindëshme. Përzgjedhja e tri familjeve, me tre përfundime të ndryshme, të treja të vëna në darën e diktaturës që i njeh vetes të drejtën për të përcaktuar fatin e qytetarëve të saj deri në imtësitë më vetiake, është sa e zgjuar aq dhe e saktë në vërtetësinë e saj.

Njerëzit arrestohen jo kur bëjnë krime, por kur vjen koha e arrestimeve, kohë që e përcakton tirani dhe kasta e tij. Për ta fabrikohen akuza, përmbajtja e të cilave nuk përputhet as me fantazinë më të ndezur të një njeriu të zakonshëm. Për të pohuar këto akuza t’arrestuarit mbahen në kushte terrori, duke provuar mbi ta gjithë arsenalin e përvojës më të keqe kriminale të GPU së staliniane e metodave, akoma më të stërholluara, të Sigurimit shqiptar. Dhe nëse t’arrestuarit qëndrojnë, nuk pranojnë akuzat, ata përsëri dënohen, sepse ky është interesi i partisë e i regjimit. Përpara këtij realiteti, që ka qënë normaliteti i Shqipërisë socialiste, realitet në të cilin janë vrarë e gjymtuar dhjetra mijra qytetarë të pafajshëm, fati i tri familjeve është një paraqitje përgjithësuese e tyre. Pasojat e arrestimeve të prindërve bien mbi fëmijët, viktimat më të brishta të ligësisë së një sistemi kriminal. Realiteti shqiptar u mbush me fëmijë që u rritën pa prindër, që u detyruan t’urrejnë prindërit, t’i përbuzin ata, t’i shihnin me të njëjtin sy të Sigurimit të Shtetit, t’i mohonin. Por në shumë raste të tilla ishin gjyshërit ata që u kujdesën për fëmijët, në rastn tonë ata të Minellës e të Vasilit u rritën nga prindërit e tyre, në traditën më të mirë të mendësisë njerëzore të familjeve shqiptare. Diçka i qëndroi cunamit, nuk u shemb.

Episode të ndryshme, qëndrime të ndryshme, jetë të ndryshme. Minella dhe Elena i qëndrojnë stuhisë të bashkuar, e sfidojnë diktaturën duke dalë fitues moralisht edhe pse të rrënuar fizikisht. Vasil Orgocka e sheh të shkatërruar familjen e tij, mbasi gruan e dashur, polaken Barbara, shteti shqiptar e ktheu në një kavje që humbi të gjitha aftësitë njerëzore, si pasojë e marrjes forcërisht të substancave kimike. Tragjedia është tepër rrënqethëse e bindëse, do të mjaftonte e vetme të vinte para gjyqit një system të tërë për shkelje të të drejtave të njeriut. Vetmia cfilitëse e  dy personave, dikur të dashuruar e sot të tjetërsuar nga dhuna brutale e shtetit, është një aktakuzë që filmi shpalos me forcë para spektatorit.

Po aq e fuqishme mbetet, në llojin e saj, edhe drama e Voilës, vajzës ruse që  erdhi në Shqipëri për të sendërtuar dashurinë e saj në bashkimin me djalin e zgjedhur. Një ditë arrestohet e, mbas pak kohe, i komunikohet se burri kërkon ndarjen.. Në shpirtgjërësinë e saj e justifikon veprimin e të shoqit, duke menduar se ky i shërben shpëtimit të fëmijëve nga pasojat e arrestimit të saj. Më vonë merr vesh se i dashuri i saj është martuar me një tjetër grua dhe iluzioni i fillimit kthehet në një zhgënjim të madh, që merr përmasa shkatërruese kur djali i saj, atëhere mjek në një fshat të largët të Peshkopisë, nuk pranon as t’a takojë mbas vitesh të gjata burgu. Çfarë drame e llahtarëshme, çfarë rrënimi shpirtëror e moral!

Filmi trajton vetëm një pamje të tragjedisë së shqiptarëve, atë të grave të huaja e familjeve të tyre. Ishte një pjesë e vogël e atij realiteti, tërësinë e të cilit e përbënte dhuna mbi “armiqtë e klasës”, me të gjithë gamën e pasojave të saj shkatërruese mbi një pjesë të mirë të popullsisë. Por filmi shkon më tej: nëpërmjet bisedave me njerëz si Ylli Hila, Pandi Konomi, Dolores Velaj, përfaqësues të organeve të dhunës së regjimit, ai tregon se tragjedia e shqiptarëve nuk kishte vetëm një arkitekt, nuk ishte pjellë  vetëm e mëndjes djallëzore e paranojake të Enver Hoxhës, siç duan t’a paraqesin edhe sot mjaft dëshmitarë t’asaj përvoje. Ajo tragjedi, që ende sot gjen idhtarë që fshihen poshtërsisht mbas valëve të internetit, në shumicën e rasteve, në nivel publiku të thjeshtë, e në deklarata, libra apo intervista të eksponentëve politikë si maja e piramidës, Ramiz Alia, etj kishte shumë autorë në të gjitha nivelet. Ajo ishte shprehje e një maisjeje të rrezikëshme të organizmit të popullit shqiptar. Mbështetja në arsyetime të tilla si “ashtu ishte koha”, “kemi kryer detyrën”, “ kemi zbatuar ligjin”, e të tjera justifikime si këto tregojnë se një pjesë e shqiptarëve pak ose aspak janë të vetëdijshëm për të keqen që kanë prodhuar në jetën e tyre, me pasoja rrënuese mbi jetë njerëzish të pafajshëm. Shëmbja e sistemit, dështimi i plotë i tij, vënia   para gjyqit të historisë, për ta nuk kanë kurrfarë kuptimi. Ata vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre të Enverit e të krimit të pandëshkuar, përparojnë në karjera apo gëzojnë pensione të favorshme, pavarësisht se pushteti demokratik ka ngjyrë rozë apo blu.. Filmi e nxjerr në pah këtë dukuri e, tërthor, pohon një kërkesë morale të shoqërisë, atë të vetëpastrimit, të të kërkuarit falje, të paditjes e dënimit të krimit e pasojave të tij.

Është një kërkesë që, prej njëzet vitesh, bie në vesh të shurdhër, mbasi mendësia komuniste vazhdon të mbijetojë në një shoqëri të re, në kohë të reja, por që nuk arrijnë të shkëputen plotësisht nga e vjetra. Është një problem që e bartim mbi vete, pa patur kurajën e forcën t’a përballojmë me urtësi, me ndërgjegjësim, me kah kritik e vetëgjykues, por edhe me idenë e e tolerancës që na detyron qytetërimi, madje edhe të faljes që na mësojnë doktrinat fetare. Është një lëmsh që na vërtitet nëpër këmbë, që nuk na le të shkojmë para, të shohim t’ardhmen me qetësinë e atij që nuk fsheh kufoma në raftet.

Filmi vë përballë njeri tjetrit Vasil Orgockën e shokët e tij, të dënuar padrejtësisht nga diktatura, dhe xhelatët e tyre që nuk ndjejnë as brejtjen më të vogël për jetët e gjymtuara që duhet t’u rëndojnë në ndërgjegje. Mes tyre duket se nuk ka asnjë pikë takimi, vazhdon lufta, urrejtja, thellohet gremina. Këtë të vërtetë tronditëse na e jep qartë filmi.. Fakti që ai ka tre vjet që qarkullon nëpër  Evropë, duke marrë çmime ndërkombëtare të nderuara ndërsa askush nuk ka guximin t’a shfaqë në Shqipëri, është tepër domethënës. Ai na zbulon përmasat e vërteta të ngërçit tonë si shoqëri e si popull, paaftësinë për të parë në sy të vërtetën e për t’a pohuar haptas atë. Fakti që këtë film e prodhon një regjizore bullgare duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë punonjësit tanë të artit, jo vetëm kinematografik, mbi domosdoshmërinë e ndihmesës së tyre, si formues të opinionit publik në zgjidhjen e nyjës gordiane të pas komunizmit shqiptar, asaj të dënimit të sinqertë, pa mëdyshje, pa dredha të krimit komunist.

E falënderojmë nga zemra zonjën Peeva, jo vetëm për vërtetësinë e paraqitjes së një pjese të dhimbëshme të historisë sonë e nivelin e lartë profesional të veprës së saj, por edhe për leksionin e madh njerëzor që na dha.

                                                                                                                  Tetor 2010                                                                                      

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike”OMSCA-1 Tiranë 2011

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

DOKTORI I MREKULLIVE

September 22, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka

Një ditë e zakonshme me një mjek të jashtëzakonshëm.

Le të përmendim dhe të ndriçojmë shembujt më të mirë nga jeta jonë, heronjtë e vërtetë dhe të devotshëm, në vend të kriminelëve që mbushin çdo ditë kronikat e zeza.

   Kur ndjehesh mirë me shëndet është normale që të mos kujtohesh për shërbimin e mjekut, ama është krejtësisht e kundërta që, kur nuk ndihesh mirë, të kujtohesh për të.

   Të tilla raste i hasim shpesh. Kështu më ndodhi edhe mua pak ditë më parë dhe ky rast për të cilin do të shkruaj më poshtë, më nxiti që ta sjell në vëmëndje të lexuesit me anë të këtij shkrimi. Në fakt nuk është hera e parë që shkruaj për mjekët e mrekullueshëm të qytetit të Shkodrës, ashtu siç nuk është hera e parë që shkruhet për Dr.Besnik Mustafaj. 

   Më herët kam shkruar për mjeken e paharruar Zyliha Kraja, por edhe për ata që sot janë në detyrën e tyre humanitare: Dr.Ardian Dajti, Dr. Luan Bajri, Dr.Lindita Dibra, si dhe për një mjek të mrekullueshëm që jeton dhe punon në Amerikë, për Dr. Bari Ceka, i cili është mik i të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje.

   Kësaj here mora përsipër të shkruaj për Dr.Besnik Mustafaj, ortoped në Spitalin Rajonal në Shkodër, me të cilin kam patur njohje shoqërore, por edhe eksperienca personale, vlerësimet e të cilave i kam gjetur edhe në opinionin e bashkëqytetarëve të mi, si një mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.  

   Të gjithëve iu uroj suksese në misionin e tyre humanitar, duke përfshirë në këtë shkrim edhe të mrekullueshmin Dr.Besnik Mustafaj, që nuk ndreq e drejton vetëm kocka, por edhe shpirtra, fjalët e të cilit janë pasqyrë e betimit që ka bërë si mjek.

   Dr.Besnik Mustafaj është ortoped në spitalin rajonal të Shkodrës, me të cilin kam pasur rastin të njihem personalisht, ku vlerësimet e mia personale kanë qenë në unison me opinionin e bashkëqytetarëve të mi dhe po të ishte momenti për t’i dhuruar këtij mjeku një çertefikatë vlerësimi, motivacioni do të ishte: Mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.

   Ishte një ditë e dielë e këtij gushti dhe një ditë e zakonshme pushimi për mjekun tonë të nderuar Besnik Mustafaraj dhe duke qenë një ditë vere, ashtu si gjithë qytetarët edhe ai kishte planifikuar ta kalonte një ditë pushimi diku në bregdet me familjen e tij. Unë pikërisht këtë të diel kisha lënë takim me një mik të afërt, i cili kishte ardhur nga Amerika për të kaluar pushimet në vendlindjen e tij, në Krajë.

   Ishe dita e fundit e pushimeve që kishte planifikuar miku im nga Kraja Mirsad Kovaçi, i cili të nesërmen do të udhëtonte për Amerikë dhe pikërisht këtë të diel në mëngjes më telefonoi, duke më treguar se kishte një problem urgjent shëndetësor, të cilin, sipas miqve të tij mund t’ia zgjidhte një mjek shumë i njohur e shëmë i mirë në Shkodër.

   Bëhej fjalë për mjekun e mrekullueshëm ortoped Dr. Besnik Mustafaj. Me një lloj krenarie të lindur nga respekti ndaj këtij mjeku i them që e njoh shumë mirë dhe i flas për të me një vlerësim të jashtëzakonshëm.

   Unë kontaktova me doktorin dhe pasi ai u njoh me këtë problem shëndetësor të mikut tim Mirsad Kovaçi, më befasoi me fjalët e tij: “Ju pres në spital në orën 12:00”. Unë e dija shumë mirë se ai e kishte ditë pushimi.

   “Rruga vade s’ka” thotë një shprehje popullore shkodrane. Ne nuk arritëm të shkonim në orar në spital, për shkak të trafikut të madh në doganën e Muriqanit, por Dr. Besniku, ashtu siç e ka emrin i kishte qëndruar besnik fjalës së dhënë. Ai na priti me durim, por edhe me mirëkuptim, sepse ishte në dijeni të situatës në kufi.

   Dy fjalë përshëndetje i lanë vendin vizitës mjeksore që Dr. Besniku i bëri mikut tim nga Kraja me aq përkushtim e profesionalizëm, ku pas këshillave që mjeku e ndjen detyrë t’i japë, i dha edhe receten e nevojshme të mjekimit.

   Ky takim mjek-pacient pësoi një “thyerje” të vogël. Miku im Mirsad Kovaçi tentoi disa herë ta paguante këtë vizitë, duke e lidhur me shumë gjëra që kanë të bëjnë me profesionin e mjekut, duke e lidhur atë me pritjen e gjatë, me privimin e një dite pushimi, por duke harruar se Dr. Besniku ishte aty sepse e ndjente për detyrë, jo si përfaqësues i emrit të tij, por si përfaqësues i profesionit të tij. “Sot ju patët nevojë për mua, na u drejtua ai, nesër mund të kem unë nevojë për ju”.

   Unë e kisha provuar këtë situatë dhe gjithmonë isha ndjerë mirë në marrëdhëniet me këtë mik doktor, por u ndjeva shumë më mirë kur pash buzëqeshjen mirënjohëse të Mirsadit, që ishte shprehja më e bukur e falenderimit.

   “Ky doktor mor Zan, të shëron dhe pa ilaçe”, – më tha Mirsadi tek po largoheshim nga spitali dhe vazhdonte të përsëriste fjalët e Dr. Besnikut që sot nuk erdha në spital me krye vizitë mjeksore, por erdha vetëm për ju, pasi mora vesh, se nesër do të udhëtosh për Amerikë.

   Ne u larguam nga spitali me një respekt të veçantë për këtë mjek relativisht të pjekur në moshë, por edhe në profesion, por njëkohësisht të bindur se këta djem e vajza janë bijtë tanë, të cilët si në çdo sferë të jetës do të zevendësojnë brezat e mrekullueshëm që kanë lënë gjurmë dhe emër në këtë mision kaq njerëzor.

   Faleminderit Dr. Besniku, Doktori i mrekullive.

   Ramazan Çeka

   Shtator 2022

Filed Under: Analiza Tagged With: Ramazan Ceka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT