(Kronikë e shkurtuar)
Më 7 tetor u promovua në Muzeu Historik Kombëtar Tiranë studimi “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiates së Re” të Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika. Në numurin e shtatorit gazeta Dielli dha të plotë vlerësimet e studiuesve Fotaq Andrea dhe Dr. Thoma Qendro. Këtu po vijojmë me pjesët e tjera të këtij promovimi.
Ishin të pranishëm krahas autorit dhe drejtori i MHK -Dr. Dorian Koçi, botuesi i librit Z. Aurel Kaçulini, autorçt e vlerësuesmeve Dom Nikë Ukgjini, Dr. Eris Rusi, Dr. Neli Naço, gazetarë të RTV Shqiptar, korrespondenti i VOA – Z. Ilirian Agolli, disa punonjës të Muzeut, kameramanë, gazetari vullnetar Ndoc M. Shaben, si dhe studiuesi e shkrimtari Kristaq Nanushi, juristi Klodi Stralla, studiuesi Qerim Vrioni, mësuese Asie Hoxha, motra e studiuesit Z-nja Margarita Bimbli, shoku i rinisë Dhimitër Pema dhe dëgjues të tjerë.
Për rëndësinë që ka ky studim, ishte i turpshëm fakti që në këtë promovim nuk mori pjesë asnjë koleg i autorit, asnjë anëtar i Akademisë së Shkencave, asnjë punonjës shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ku kishte punuar autori i librit deri në vitin 1996, dhe asnjë punonjës i Shoqërisë Biblike të Shqipërisë, ndonëse libri u ishte dërguar herët dhe i patën premtuar se do të vinin në ceremoni.
* * *
Dr. Dorian Koçi
Jemi mbledhur sot në kuadër të Tetorit të Librit, për të promovuar librin “Disa korrigjime në shënimet sqarues dhe hartat e Dhiatës së Re” të studiuesit Thanas Gjika, i cili na ka nderuar duke ardhur nga ShBA. Ky promovim kryhet prej Muzeut Historik Kombëtar në bashkëpunim me Botimet Joze. Motos së Ministrisë së Kulturës ‘Lexo Shqip’ iu bashkua dhe MHK si institucioni më i rëndësishëm i memories kombëtare. Ky libër është libri i dhjetë i autorit, i cili përbën pjesën e tretë të korpusit me tematikë nga historia e krishtërimit. Ai sjell këtu rezultate të reja lidhur me problemin se kur e ku u shkruan librat e shenjtë që përmblidhen te “Dhiata e Re”, si dhe problemin se kur filluan e kur përfunduan udhëtimet misionare të Shën Palit, i cili punoi edhe në qytete e fshatra ilire, pasqyruar në harta përkatëse. Ky studim ka vlera kombëtare sepse hap horizonte të reja në studimet biblike dhe në historinë tonë të shekullit të parë.
* * *
Prof. Dr. Dom Nikë Ukgjini
Shën Pali punoi dhe në Sardë e Lissus.
Të nderuar, miq e dashamires të kulturës shqiptare, ju përshëndes të gjithëve e në veçanti studiuesin Thanas Gjika, i cili na bashkoi në këtë event.
Autori i këtij studimi, si njohëse i mirë i letërsisë dhe i publicistikës, është përpjekur me sukses të analizojë me hollësi e të ballafaqojë interpretime të teksteve të “Dhiatës së Re”, duke i krahasuar cato me tekste të përkthyera e të komentuara nga disa biblicistë të huaj dhe ndonjë vendas. Një përçapje e tillë e autorit u bën mirë studimeve të mëtejshme të teksteve të “Biblës”, e cila ka nevojë vazhdimisht të gjenerojë, ide dhe frymëzime të reja për boten njerëzore.
Sipas studimeve teologjike, “Bibla” si botimi më i njohur e më i përkthyer në botë, ka vlera fetare, historike, letrare, etnografike, morale e tjera. Shkrimet e saj janë të bazuara, në dokumente të shkruara, por dhe në traditë e gojëdhëna. Shoqëritë që e kanë implementuar e kanë bere pjesë të jetës dhe ndërgjegjes së tyre. Kjo ka ndodhur edhe me popullin Iliro- arbëror, i cili e mori krishterimin drejtpërsëdrejti prej apostullit Pal dhe nxënësit e tij, si dhe prej disa apostujve të tjerë.
Përpjekjet e autorit për t’i sqaruar edhe njëherë lëvizjet e Shën Palit në të gjithë trojet Ilire, e ku shigjeton udhëtimin e tretë që ai cakton të jetë kryer në këto troje në vitin 56, dhe gjatë udhëtimit të katër, gjatë viteve 62 dhe 63.
Profesor Gjika, mbasi gjeti dy të dhëna historike të sigurta, njërën prej Marin Barletit, për punën e Shën Palit në Zadrimën e Sipërme, konkretisht në qytetin Sardë / Shurdhah; dhe tjetrën prej Daniel Farlatit, për punën e Shën Palit në Dyrrach / Durrës, ku krijoi bashkësinë e parë me të krishterë, jep me guxim për të parën herë, se apostulli kalimin nga Sarda në Dyrrach në kohë pranvere plot shira, mund ta kryente vetëm duke kaluar me anie nga porti lumor Lissus (Lezhë) te porti i vogël i Kepit të Dyrrachut, që më vonë u quajt Kepi i Palit (i Pavlit) e sot quhet Bishti i Pallës. Historiani H. Hechard, kishte sugjeruar, se kisha e krishtere e qytetit Lissus (Lezhë) ka qenë krijuar në të njëjtën kohë me atë të Dyrrachut, por nuk kishte përmendur kohën dhe as apostullin konkret për krijimin e saj. Kurse studiuesi Thanas Gjika jep me një logaritje të besueshme se apostulli Pal gjatë muajit maj të vitit 56, ka pasur mundësi të ndalte në qytetin Lissus e prej aty të kalonte me anie të vogël lumore anës bregut deri tek gjiri i Kepit të Dyrrach-ut e më tej të shkonte në këtë qytet të lirë, ku punoi gjatë muajit qershor 56.
Sipas dokumenteve të me vonshëm, edhe apostujt të tjerë kanë kontribuar në ungjillëzimin e popullit Ilir. Burimet kroate flasin, së Shën Luka ungjilltar, ka predikuar nëpër Dalmaci, kurse Jacobo Coleti, në “Illyrici Sacri vëll. VIII, dëshmon së Shën Matia, ka predikuar në Dardani.
Mbi fillimet e zhvillimit të krishterimit në Ilirik, në bazë të dokumenteve të shkruara, sistematikisht janë marrë historianët e njohur D. Farlati dhe J. Coleti në veprën “Illyrici Sacri”, vell. I-VIII. Në vell., VII, gjejmë të shënuar emirin e ipeshkvit të parë të Durrësit, Ceasar, nga viti 58 Pastaj kah viti 100 gjejmë emrin e ipeshkvit të dytë të Durrësit, Shën Asti martir. Në vazhdim radhitën emrat e ipeshkvijve të tjerë. Afërsisht e të njëjtës vjetërsi, është edhe historia e katërmbëdhjetë ipeshkvijve të tjera të cilat gjendeshin në provincat ilire.
Një numër tjetër i madh i shkrimtarëve kishtarë, flasin mbi kristianizimin e Ilirikut të madh. Këtu, para të gjithëve, prin Shën Gregori i Nishit (nga Naissusi, 334-379). Pastaj dijetari dhe shkencëtari i madh ilir, Shën Jeronimi (347-420) nga Stridoni, i cili, në mes tjerash, thotë se “ krishterimi është përhapur në të gjitha vendet (…) me Tomën në Indi, me Pjetrin në Romë, me Palin në Ilirik, me Andrenë në Ahaj” Mbi veprimtarinë e Shën Lukës ungjilltar në Dalmaci, flet Shën Epifani, i cili ka vdekur në vitin 403. Shën Pjetër Damiani, i cili u lind në vitin 1007 në Ravenna, thekson se si Shën Pali ka vizituar tërë Ilirikun . Për këtë J. Zeiller konstaton: “fillimet e krishterimit në Ilirik datojnë që nga epoka apostolike” . Nga ana tjetër, po përmendim edhe martirët e parë nga këto vise: Shën Asti në Durrës në fillim të shekullit II, Shën Terinin në Butrint ( Buthrotum) në shekullin III, pastaj martirët dardanë, Florin dhe Laurin në Ulpianë tek Lipjani i sotëm, të cilët dhanë jetën e vet gjatë kohës së mbretit Hadrian (117-138) e të tjerë.
Libri, që promovojmë sot është përpjeke dhe analizë e mirëfilltë, biblike e teologjike, historike e kulturore dhe në një të ardhme të afërt, realisht mund të hapë debate, diskutime e analiza të reja në fusha të caktuara, për shkrimet e shenjta dhe udhëtimet misionare të autorëve të “Besëlidhje së Re” e sidomos për saktësime përfundimtare të ngjarjeve të ndodhura në gadishullin e Ilirikut.
* * *
Mitropoliti i Korçës -Ph.D. Peshkop Joan Pelushi
Studim sh. i rëndësishëm që zbulon rrënjët e krishterimit në vendin tonë.
Libri i ri i profesorit Thanas Gjika “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re”, sjell një kontribut shumë të rëndësishëm për të kuptuar rolin e Durrësit në veprën apostolike të Shën Palit / Sh. Pavlit, si e quan Kisha jonë Ortodokse. Ky studim plotëson dhe sqaron më me hollësi veprën ungjillizuese të Pavlit në Provincën Ilirik dhe në shumë troje të tjera ilire. Autori është përqëndruar kryesisht në përcaktimim e momenteve kryesore të jetës, veprimtarisë dhe krijimtarisë të Apostull Pavlit, meqënëse ai është, jo vetëm një autor shumë i rëndësishëm i “Dhiatës së Re”, por edhe se luajti një rol kryesor dhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përhapjen e Ungjillit në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe. Në tektet e “Dhiatës së Re” dëshmohet qartë se Shën Pavli, si edhe shumë bashkëpuntorë të tij, ungjillizuan në viset e Maqedonisë, të Ilirikut, të Epirit dhe të Dalmacisë, por ende nuk ka pasur shpjegime shkencore se kur e ku punoi ky apostull dhe konkretisht a shkroi letra aty.
Shumë dokumente të vjetër dëshmojnë për praninë e Apostullit Pavël në trojet tona në përgjithësi dhe në Durrës në veçanti.
Tradita kishtare dhe gojëdhënat, të ruajtura ndër shekuj në popullin tonë, si edhe toponimet e shumta kudo në Shqipëri, që lidhen me veprimtarinë e Shën Pavlit, të cilat janë trajtuar shkencërisht në këtë studim, janë të dhëna të rëndësishme dhe nuk mund të shpërfillen.
Të dhënat historike, vëzhgimet, analizat e Prof. Gjikës janë një prurje serioze mbi rëndësinë e qytetit të Durrësit në historinë e hershme të krishterimit në Shqipëri, pa të cilat nuk mund të kemi një histori të plotë të këtij qyteti. Këtu jepen të dhëna të shumta, me anë të të cilave, unë mendoj, do të ndihmohen edhe studjues të tjerë për hulumtime të mëtejshme.
Duhet theksuar se ky studim shquhet për thellësinë e analizave historike dhe letrare. Metoda e tij e veçantë, që kombinon dhe përfshin të dhënat e rëndësishme nga fusha të ndryshme, e ka ndihmuar autorin për të sqaruar me hollësira veprën ungjillizuese të Shën Pavlit dhe autorëve të tjerë të “Dhiatës së Re”. Studimi i Prof. Dr. Thanas Gjikës hap një udhë të re për gjithë studiesit e kësaj periudhe dhe është një kontribut shumë i vlefshëm në historiografinë tonë dhe më gjërë.
Mendoj se një kontribut tjetër kryesor i këtij studimi është dhe sqarimi me detaje i hartave të “Dhjatës së Re” për udhëtimet e Shën Pavlit, sepse hartat zyrare të derisotme janë hartuar, duke pasur parasysh vetëm ato emra dhe vende që përmenden në “Dhiatën e Re”. Por, pa dyshim, si ka provuar Prof. Gjika, Apostulli ka vizituar edhe vende të tjera, të cilat nuk janë përmendur aty. Siç shpjegon bindshëm autori i ketij studimi, në “Dhiatën e Re” gjenden fakte direkte dhe të tërthorta, për udhëtimet e këtij misionari dhe në vende të tjera, sidomos në zonat ilire. Për këtë arsye, gjithmonë ka vend për korigjime dhe shënime të mëtejshme, për ta pasuruar, sa më mirë hartën e veprimtarisë së tij dhe të bashkëpuntorëve të tij të ngushtë.
E përgëzoj autorin për seriozitetin e studimit dhe për risitë e çmuara që ai sjell, duke uruar që vepra të tjera ta pasojnë, për të mundësuar heqjen përfundimtare të mjegullës në historinë e hershme të krishterimit në Shqipëri.
(Ky vlerësim u lexua prej Z. Andrea Lukani, njohësit të “Biblës” dhe punonjës i MHK, sepse Imzot Joani ndodhej me shërbim në Poloni.)
* * *
Fotaq Andrea
Shën Pali në Durrës
(Ky vlerësim u transmetua i regjistruar me zë e figurë prej vetë F. Andreas në Strasburg, sepse ai nuk mundi te vinte në promovim. “Dielli” e botoi të plotë në shtator 2022, f. 35)
* * *
Dr. Thoma Qendro
Arritje, që duhen mbështetur nga shkenca shqiptare dhe ajo botërore
(Dr. Th. Qendro, për arësye shëndetësore nuk erdhi në promovim, këtë fjalë e lexoi studiuesi dhe shkrimtari Kristaq Nanushi ish – bashkëstudent i tij. “Dielli e botoi të plotë në shtator 2022, f. 35)
* * *
Dr. Eris Rusi
Shenjtëria e pasionit në veprën studimore të Thanas Gjikës
Po ndalem te shenjtëria e pasionit, të asaj shkëndije që ndriçon shpirtin e njeriut dhe e shtyn që të notojë në dallgët e jetës, të kapërcejë vitet e gjatë, pa u dorëzuar, duke u kapur me një bindje të palëkundur tek e vërteta e kërkimit. Është një rrugëtim, që secili nga ne mund ta ndërmarrë në jetë, por kur shikon se fillesat ku është pikënisja janë të rënduara nga shekuj njëri mbi tjetrin, kur ndjen përqark vetes shtytjen e mijëra të tjerëve, që kanë provuar të ecin në të njëjtën rrugë, nga shtigje të kundërt, me ngarkesa të ndryshme mbi sup, kur dallon së largu që nuk ka një fund, por shtrihet pafundësia, impulsi për të hequr dorë është i pari, që mund të shkojë në mendje. Në rastin e profesor Thanas Gjikës, fatmirësisht nuk ndodhi kështu. Libri që prezantohet sot, “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së re”, është një studim që e ka vënë në provë për vite të tëra studiuesin, një hulumtim dhe nevojë për të hedhur dritë, atje ku qëndron vështirësia më e madhe në jetën e njeriut: në kufirin që ndan shenjtërinë e besimit, nga laiciteti i shkencës; kuptimin shpirtëror, fetar të krishterë, që ushqen prej shekujsh botën, dhe botën që kërkon t’i japë koordinata të prekshme këtij besimi. Dhe në qendër është një nga figurat kryesore të Kishës së krishterë, apostulli Pal, i cili misionin e vet e mishëroi tek themelet e besimit të krishterë, mbi të cilët u ndërtua një botë e re, të cilën krishtërimi e ka shëmbëlltyrë edhe sot.
Kisha e parë si “një shtëpi e tërë”, nga njëri skaj i botës te tjetri, është një metaforë e fuqishme, e dalë nga thellësia e kohëve. Në këtë shtëpi të tërë, profesor Thanas Gjika ka hulumtuar, ka ndjekur dhe ka veçuar gjurmët e apostullit Pal që kanë mbetur të pashlyera në tokën shqiptare. Kjo nevojë për të dalluar dhe nxjerrë në pah shenjën e hapave në rripin gjeografik të botës, nga më i rëndësishmi i apostujve të kishës, nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si një sprovë e parëndësishme, si një gjurmim i padobishëm. Rëndësia dhe dobia e kësaj prove është e madhe.
Në një kohë dhe në një shoqëri ku për hir të gabimeve të mëdha, rrëshqitjet më të vogla konsiderohen të papërfillshme, frymëzimi për të nxjerrë në dritë çdo refleks të së vërtetës, përkon e duhet të jetë nevojë e çdo studiuesi.
Gjurmët e Shën Palit dhe të shoqëruesve të tij, ilustrohen me dokumente dhe burime historike të shfletuara me skrupolizitet nga studiuesi Thanas Gjika, por njëherësh i nënshtrohen një interpretimi racional, i cili nuk përjashton atë frymë mistike që shoqëron zanafillën e tekstit të shenjtë dhe të pasuesve të tij.
Kjo nxit që ky studim, të lexohet në disa nivele:
Së pari, lexuesit mund të përftojnë çmitizimin e heronjve, dhe përmbushjen e misionit të shenjtë në petkat e njeriut prej mishi e gjaku. Shën Pali në këtë studim nuk jepet për frymën me të cilën hodhi bazat e krishtërimit, nuk trajtohet me të njëjtin finalitet si në narracionin biblik. Jo, në nivelin e parë të leximit, Shën Pali identifikohet si një figurë historike, që ka lënë gjurmët e një njeriu të zakonshëm, të ushqyer nga forca e palëkundur e besimit. Kjo përligje e apostullit si njeri e jo si shenjt, përftohet nga kërkimi i etapave, i ndalesave, i periudhave historike ku ai predikoi fjalën e shenjtë. Lexuesi i studimit vihet në kushtet kur mund të kuptojë nevojën për t’i dhënë një shpjegim rigoroz detajeve dhe ndalesave që kanë shoqëruar jetën e këtij shenjti, e kjo e çmitizon, por jo në sensin negativ, petkun e apostullit, duke e bërë të ngjashëm me çdonjërin prej nesh.
Së dyti: Në metaforën e besimit si një “shtëpi e tërë”, ky studim tregon që një pjesë e asaj shtëpie, ka qenë edhe toka jonë. Profesor Gjika mbasi ka sjellë dëshmi të historianëve Marin Barleti e Daniel Farlati, sjell dhe dëshmi të tjera në mbështetje të këtij rrugëtimi të Shën Palit në tokat ilirike.
Së treti: Puna titanike e një njeriu të vetëm, mund të ndryshojë pikëpamje dhe bindje shekullore, tradicionale. Rasti i profesor Gjikës është emblematik. Tek ai ne gjejmë edhe petkun e mistikës fetare, edhe studiuesin, interpretuesin, eruditin dhe patriotin që mishëron cilësitë më të mira në punën kërkimore të tij! Ai lexues që njeh sado pak nga krijimtaria dhe puna studimore e mëparshme e profesor Gjikës, duhet të zbulojë tek ty libër studiuesin që ka shkrirë jetën e vet, në këmbim të së vërtetës të kërkuar pa pushim. Mund të themi që fizionomia e kësaj së vërtete, në studim, përkon me një gjuhë dhe stil përshkrues, ku rrugëtimi i Palit identifikohet dhe shënjohet në mënyrë të kuptueshme dhe bindëse. Tek hartat e “Dhiatës së re”, udhëtari kryesor, Shën Pali është një figurë historike, personazh që nuk ilustrohet me përmasat e një heroi me fuqi të mbinatyrshme, por që përfaqëson udhëtarin që shtegton me fjalën e shenjtë, e mbërrin edhe në brigjet e Durrahut tonë dhe më tej. Kjo shënjohet në hartë, e si e tillë, harta mbush me kuptim shtegtimin e gjithë udhëtarëve që do të vijnë më pas.
Në mbyllje, dua të veçoj emocionet e profesor Gjikës, që më ka treguar për momentin kur ky i dorëzoi një kopje falenderimi Ing. Gordon Lankton, sponsorizuesit të librit “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”. Pasi emigranti ynë e falenderoi mirëbërësin e tij, që e ndihmoi financiarisht të hartonte e botonte librin, dhe si Njeri që kishte krijuar me punën e vet fabrikën NYPRO, ku punonin mbi njëmijë banorë të qytetit Clinton MA dhe që me shpenzimet e veta kishte krijuar “Muzeun e Ikonave Ruse” në këtë qytet, ky biznesmen amerikan vizionar i tha duke ia shtënguar dorën:
– “Profesor Gjika, ju më falenderoni se i kam bërë mirë juve dhe një qyteti, por kjo që kam bërë unë, është një gjë e vogël krahasuar me dhuratën e madhe që i po i bëni ju shoqërisë njerëzore duke pasuruar biografinë e Shën Palit dhe të autorëve të tjerë të “Dhiatës së Re”. Unë duhet t’ju falenderoj juve, dhe jo ju mua.”
Në një mendje me këtë bamirës amerikan, edhe unë, ndaj të njëjtin vlerësim për vlerat e dhuratës së Prof. Thanas Gjikës.
Faleminderit profesor!
* * *
Dr. Neli Naco
Njeriu i lirë luftom e sakrifikon për të gjetur të vërtetën.
Te parathënia e librit të ri të studiuesit Thanas Gjika, mësova se ai, i ndodhur në kushte të vështira jetese, kur jetonte në Tiranë deri në vitin 1995, në një dhomë e një kuzhinë bashkë me nënën e moshuar, me bashkëshorten rreth te 50-ave, dhe vjazën e djalin 18 e 13-vjecarë, u detyrua të aplikonte lotarinë e Green Card-it dhe pasi e fitoi, edhe pse nuk dinte anglisht, në vitin 1996 emigroi familjarisht në ShBA. Për të mbijetuar e rritur fëmijët nisi të punonte punë të rëndomta, por nuk i u nda studimit të anglishtes dhe studimeve historike e letrare. Jeta e lirë në Amerikë i brumosi një mësim të vlefshëm: “Derdhi energjitë e tua në atë punë ku mund të japësh maksimalen tënde”. Mirëpo si pjatalarës e pastrues, ai nuk mund të jepte maksimalen e vet, prandaj vendosi që krahas punës për mbijetesë të merrej seriozisht me mësimin e anglishtes dhe me studime shkencore në fushat ku kishte forminin e tij. Tema që e intrigoi ishte jeta e Shën Palit, për të cilin tradita e Kishës Shqiptare Katolike dhe Ortodokse e kishte pranuar gjithnjë se ky misionar kishte përhapur krishtërimin në trojet ilire, por në shënimet sqaruese të “Dhiatës së Re” nuk jepeshin shpjegime konkrete për këtë problem dhe në asnjë hartë biblike nuk pasqyrohej ky fakt. Filloi të lexonte e nxirrte shënime nga botime të ndryshme të “Biblës” anglisht, frëngjisht, italisht e spanjisht. Krijoi skedarin e vet me shënime mbi problemin se kur e ku ishin shkruar shkrimet e shenjta të “Dhiatës së Re”, mbi ndërtimin kompozicional dhe autorësinë e këtyre shkrimeve, si dhe mbi fillimin dhe përfundimin e udhëtimeve misionare të Shën Palit. Ai vuri re faktin se përcaktimet e studiuesve dhe interpretuesve të “Dhiatës së Re” për këto probleme nuk përputheshin midis tyre. Kjo e shtyu t’i futej punës më me ngulm, edhe pse disa pedagogë që ia lexonin shkrimet e para i thoshin: “Ke të drejtë, por rezultatet e tua nuk mund të pranohen, sepse janë miliarda kopje të “Biblës” në botë e ato nuk mund të mënjanohen prej studimeve të tua”. Por Thanasi vijoi punën dhe e paraqiti studimin e tij të plotë në vitin 2007 shqip me një përmbledhje 33 faqe në anglisht. Presidenti i Atlantic Union College, Dr. Norman Went, dhe stafi i katedrës së teologjisë e pranuan si punë shkencore të mirëfilltë, ia mbuluan shpenzimet e botimit dhe libri u botua në Shqipëri me titullin “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re”. Në vitin 2014 ai hartoi e botoi librin e dytë me titull “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” shoqëruar me një përmbledhje anglisht 44 faqe. Ky libër u pranua dhe ruhet në thesaret e Bibliotekës së Selisë së Shenjtë.
Por hartuesit e botuesit e “Biblës” e të “Dhiatës së Re” në gjuhën shqipe nuk i morën parasysh arritjet e Prof. Gjikës, nuk ndërmorën asnjë diskutim shkencor për këto arritje dhe vijuan botimin e këtyre dy veprave me shënime sqaruese dhe harta të huazuara nga botimet në gjuhë të huaja. Kjo e detyroi Prof. Gjikën të hartonte librin e tretë, librin që promovojmë sot, me qëllim që t’ua lehtësojë punën hartuesve dhe botuesve të “Dhiatës së Re” e të “Biblës” në gjuhën shqipe.
Ky korpus i studimeve e ka kthyer Profesor Thanasin në një tekstolog të mirëfilltë dhe një interpretues të dalluar të teksteve të “Dhjatës së Re”, duke i dhënë atributin e një specialisti të mirëfilltë të këtyre teksteve dhe një metodologu të rrallë që rreket të zbulojë dhe të rindërtojë marrëdhënie të fshehura ose të humbura në kohë të këtyre teksteve me historinë reale, të zbulojë të vërtetën nëpërmjet dijes dhe semave të kapura me delikatesë në tekst. Vështirësia që përballet autori është shumë e madhe sepse teksti, si nevojë parësore, ka predikimin e së shenjtës dhe pastaj interpretimet e tjera historiko-antropologjike.
Saktësia e rindërtimit të veprimeve në kohën reale të Shën Palit është një detyrë shumë e vështirë në disa tekste ku të dhënat kohore janë të kufizuara sepse detyra kryesore e teksteve është jo ndërtimi kronologjik i jetës së shkruesit të tekstit biblik (si kemi përpara tekstet e shkruara prej Palit, Lukës, etj), por detyra kryesore e këtyre teksteve është e kundërta, tejçimi i mesazhit hyjnor nëpërmjet Letrave dhe Veprave. Kjo filozofi ndërtimi e tekstit biblik e bën të vështirë njohjen e detajuar të kronotopisë së veprës. Përdora fjalën kronotopi pra kohë-vend sic përdoret në studimet letrare, sepse kjo është një detyrë dhe synim kryesor i studimit të Thanas Gjikës të vendosë predikuesin në një kohë dhe hapësirë të caktuar duke krijuar kështu hapësira të reja interpretimi dhe duke e lidhur tekstin edhe me hapësirën e hershme ilire, të quajtur Illyricum, duke pasuruar nënteksturën dhe imagjinatën që mbart teksti biblik.
Ku është ndodhur Pali dhe bashkëpuntorët e tij në një kohë të caktuar? Si ka lëvizur ai dhe ku ka predikuar? Sa kohë ka qëndruar në një qytet dhe sa në një tjetër? Kur dhe ku shkoi ai letra në qytete ilire? Secila prej pyetjeve zgjon kureshtinë e të ndërtuarit të marrëdhënies kohë dhe hapësirë dhe si rrjedhojë jep edhe përfundime të qarta që lidhen në mënyrë të drejtpëdrejtë me interpretimin e tekstit edhe si histori edhe si teologji.
Këto momente të ndërtimit të narratives historike të udhëtimit të Palit (por dhe përfundime të tjera) duhet të jenë objekt i paraqitjes në ambiente studimore teologjike dhe shkencore për tu marrë në konsideratë dhe për të arritur në përfundime të cilat synojnë që t’i qasen reales me objektivitet. Rindërtimet kohore që ka ndërtuar Thanas Gjika nuk mund të lihen pa u rianalizuar dhe pa u marrë në shqyrtim herët a vonë nga autoritete fetare për të pasur një mendim më të qartë për udhëtimet dhe vendosjen në kohë dhe hapësirë të shkruesit të tekstit biblik.
Theksoj së fundi se ky libër ka një bibliografi të pasur e cila prfshin mëse 200 tituj nga autorë dhe studiues të “Biblës”, studime këto që mbulojnë një kohë prej disa shekuj studimesh biblike.
I uroj profesor Thanasit susese të tjera në punën e tij dhe e falenderoj që sjell këtë prurje me vlerë në një fushë tejet delikate dhe të rrahur pak nga studiuesit shqiptarë.
Ju falenderoj për vëmendjen.
* * *
Ing. Aurel Kaçulini, pronar i shtëpisë Botimet Jozef.
Bashkëpunimi me studiuesin Thanas Gjika ka qenë një kënaqsi për mua dhe punonjësit e mij, sidomos hartimi i hartave të udhëtimeve misionare të Shën Palit, ku u saktësuan datat e fillimit e të përfundimit të katër udhëtimeve misionare të apostullit Pal me ndalesat dhe në qytete ilire e sidomos në Durrës, Dyrrach-un e lashtë.
Më tej Z. Aurel shpalosi Titullin që i akordoi Shoqata ‘Durrësi Autokton
Z. THANAS GJIKA
MIRENJOHJE E QYTETIT
Firmosur e vulosur nga Kryetari Z. Abdulla Deliallisi dhe Sektetari Z-nja Melanie Moisiu.
Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika
Falenderim.
Falenderoj drejtorin e MHK Dr. Dorian Koçi, botuesin e librit Ing. Aurel Kaçulini, me të cilin hartuam së bashku hartat e udhëtimeve misionare të Shën Palit, gjithë vlerësuesit e folësit, gazetarët dhe dëgjuesit e këtij takimi. Falenderoj Shoqatën ‘Durrësi Autokton’ për Titullin <MIRENJOHJE E QYTETIT> që më akordoi për punën studimore lidhur me sqarimin e krijimit të kishës së krishtere në qytetin Dyrrach.
Në fund, Z. Dorian Koçi ftoi gjithë pjesëmarrësit për të bërë foto me autorin dhe pastaj të kalonin te ambjentet ku ishte shtruar koktej për t’i dhënë urimet dhe lamtumirën.