• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fituesit…

August 21, 2022 by s p

Astrit Lulushi

“Historia shkruhet nga fitimtarët”. Kjo maksimë, shpesh i atribuohet Winston Churchill-it (i cili nuk ishte historian, kështu që edhe nëse nuk do ta thoshte, duhej ta kishte thënë), pasi duket se është e vetmja gjë që jo historianët dinë për historiografinë dhe është e gabuar.

Nëse historia shkruhet nga fitimtarët, atëherë gjithçka që dimë nga historia e regjimit njëpartiak të Shqipërisë është vetëm se fituesit ishin më gjakatarët. Por, nëse historia shkruhet nga fitimtarët, pse flamuri nuk është me yll? Dhe paradoksi është, pse mbahen ende sot festat, emrat e rrugëve, filmat, librat që propagandojnë ideologjinë e kaluar? Për të mos thënë se persona të lidhur me historinë 45 vjeçare të diktaturês përfshihen në politikë e pushtet.

Shprehja “Historia shkruhet nga fitimtarët” është se njerëzit që fitojnë një konflikt janë në gjendje t’i japin interpretimit të tyre të historisë një pozitë të privilegjuar. Por nuk do të thotë se perspektivat e tjera u zhdukën. Fituesit shkruan historinë në kuptimin që versioni i tyre i ngjarjeve u regjistrua në mbishkrime zyrtare dhe në histori të shkruara nga njerëz të paguar nga pushteti dhe të sanksionuar në kodet ligjore dhe politikat zyrtare. Kjo dukuri vazhdon.

Por humbësit nuk u zhdukën domosdoshmërisht. Edhe ata shkruan historitë e tyre, ndoshta jo aq të përhapura. Dhe vetem kaq.

Të fitosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh gjakatar ose i papëgjegjshëm.

Në perëndim, fitimtarët mirëadministruan, siguruan prodhim të bollshëm, tregti fitimprurëse, mbledhje të rregullt të të ardhurave nga taksat, ushtri të afta e kështu me radhë. Pas një lufte të ftohtë, gjithçka që mund të themi për fituesit është se ata u bashkuan me fituesit e krahut tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

RUSIA NJË DASHAKEQE E PËRHERËSHME E KOMBIT SHQIPTAR

August 21, 2022 by s p

Nisur nga një ndodhi e këtyre ditëve tek Uzina Ushtarake në Gramsh me disa persona rus,(të cilët paraprakisht mendohet që janë njerëz të shërbimit inteligjen), dëshiroj të paraqes mendimet e mija parë nga një këndshikimi më i gjërë.

Së pari, pak histori.

LDB pa dyshim ishte një nga ngjarjet më të rënda (në mos më e rënda) e historisë njerëzore. Bisha ushtarake nazi-fashiste me zjarr e hekur fillimisht sulmoi vendet fqinje, në krye të të cilave ishte vendi ynë ,Shqipëria.Ajo që më 7 prill 1939 e kundërshtoi me armë pushtimin për dy javë, megjithëse ishte në një raportë forcash të disfavorshëm gati dyzet me një.Por edhe pas pushtimit tërësor, italianët ishin nën zjarrin dhe pritat e shqipëtarëve duke e ndier vehten si në një fushë të minuar.E njëjta gjë ndodhi edhe me pushtimin gjerman. Parë në tërësi në këtë periudhë nazi-fashistët pasi pushtuan fqinjët e tyre, e zgjeruan pushtimin me gati gjithë shtetet e Evropës duke u shkaktuar atyre dhjetra miliona të vrarë, qindra miliona të plagosur, qytete,fshatra,rrugë , pasuri e objekte të shkatërruara tërësisht.Populli hebre e pagoi më shtrejt se gjithë popujt e tjerë duke u rrezikuar deri në kufijt e cfarosjes së plotë. Hitleri e Musolini këto pushtime dhe këto masakëra, nuk i bënë pa dijëninë e Stalinit, madje kjo situatë është e lidhur me një traktat të fshehtë midis Hitlerit dhe Stalinit që formësonte ndarjën e zonave të influencës dhe sigurisë ndërkombëtare reciproke.Pra Stalini pati dhënë OK-ein për pushtimin fashist të Shipërisë, duke qënë në të njëjtën vazhdë me politikën e vjetër ruse kundër popullit shqipëtar që fillon të shënjohet që me Kongresin e Berlinit të 1878-tës për coptimin e tokave shqiptare dhe dhënien shpërblim të tyre fqinjëve sllav (Sërbi e Mali i Zi).

Marrveshja e fshehtë Hitler- Stalin, u prish vetëm më 22 qershor 1941 kur Hitleri sulmoi ushtarakisht Bashkimin Sovjetik (BS).Prej ketij moment e gjithë bota filloi të mendojë se si ti kundërvihej bllokut nazi-fashist (Gjermani,Itali dhe Japoni).Edhe SHBA-ja filloi të ndihmojë BS me armatim,aeroplanë, paisje e material ushtarak nëpërmjet koridorit Alaskë- Vladivostok.Kjo ndihmë është konsideruar në të gjitha kohërat normale, sepse akoma SHBA –ja nuk kishte hyrë në luftë, dhe se ishte e domosdoshme që të bashkoheshin forcat , mjetet dhe energjitë e të gjitha vendeve paqëdashëse të botës në luftën kundër nazi-fashistëve, në një kohë që popujt evropianë po luftonin me armë në dorë kundër tyre.Kur Japonia sulmoi pabësisht SHBA-në në Pearl Harbour, forcat gjermane kishin arritur në dyert e Moskës. Atëherë SHBA vendosi të hyjë në luftë dhe me operacionin e desantimit në Padegale (së bashku me Anglinë dhe Francën) hapi frontin perëndimor që coji në clirimin e Europës perëndimore. Kurse fronti lindor me në krye BS dhe gjithë vendet e tjera lindore mori fuqi dhe coji në clirimin e tyre sa që më 9 Maj 1945 u shpall zyrtarisht kapitullimi i nazi-fashistëve.Në raportë me popullatën, sipërfaqen dhe shkallën e angazhimit në luftime edhe populli shqipëtarë dha kontributet e veta duke u rreshtuar në krahun e vendeve fituese të LDB-së.

Por, brënda kësaj fitoreje të LDB-së,ka edhe disa keqbërje të tjëra ruse kundër shqipëtarëve.Ata fillojnë me infiltërimin e agjenturës sovjetike e cila kishte hapsire të madhe veprimi në Jugosllavi, dhe që nëpërmjet saj zbriti në trojet shqipëtare me idenë e krijimit të grupeve komuniste dhe strukturave ushtarake për interes t ë saj, sic janë krijimi i Partise Komuniste Shqipëtare(PKSH), dhe i formacioneve partizane të udhëhequra nga jugosllavët . Këto formacione politico-ushtarake vërtetë e rreshtuan vendin tonë me fitimtarët, por në të njëjtën kohë e këthyen Shqipërinë në një shesh beteje të luftës civile e vllavrasëse. Por e keqja më e madhe shqipëtarëve ju bë me marrvëshjen e Jaltës ku Stalini forcërisht insistoi përpara Presidentit amerikan Rusvelti dhe Kryeministrit Britanik Curcill ,që Shqipëria të ishte në anën lindore madje mundësisht nën Jugusllavi.Pra , pa marrë para syshë origjinën ,identitetin,zakonet, traditat, mentalitetin, kontributin në luftë dhe të drejtën e zgjedhjes, dhunëshëm e radhiti Shqipërinë nën ombrellën sovjetike.

Pas LDB-së, lufta e ftohtë.

Pas prishjes me jugosllavët, Shqipëria në cdo segment të jetës u “pushtu” nga sovjetikët.Ata nëpërmjet këshillëtarëve të tyre të vendosur pranë cdo posti ushtarak e civil për dymbëdhjetë vite drejtuan shtetin shqipëtar në funksion të interesave të tyre sikur kjo të ishte një republikë shtesë e BS-së . Kjo ka lënë gjurmë të rënda në mënyrën e politikë bërjes , drejtimin e shtetit, diplomaci ,punën e shërbimeve inteligjente, ushtri , metodën e punës në drejtim e vendim marrje deri në ditët e sotme ne Shqipëri . Nisur nga interesat sovjetike, ata e futën Shqipërinë nën suazat e Traktatit të Varshavës(TV) dhe krijuan bazën ushtarako-detare të Vlorës si një avanpost kundër Natos e vendeve perendimore dhe si pikë mbështetëse për flotën ushtarakë sovjetike të mesdheut. Kjo lëvizje ushtarake e bënte Shqipërinë pikë nevralgjike midis perëndimit e lindjes dhe që dukshëm Vlora ndiellte zjarr mbi vehte për interesat sovjetike (ose thënë thjeshtë –ruse). Diktatori Enver Hoxha ka bërë nga krimet më të shëmtuara kundër popullit të vet,dhe historia është e obliguar ti vërë ato në dukje. Por në vitin 1961 kur i largoi ushtarakët rusë nga Vlora dhe specialistët e këshilltarët nga Shipëria, ( kuptohet për të ruajtur karrigën e sundimtarit dhe për të shlyer gabimin e rëndë që kishtë bërë), i ka bërë në të njëjtën kohë edhe një të mirë Shqipërisë dhe vendeve perendimore, mëgjithëse në Shqipëri fara e spiunazhit rus ishte mbjellë gjithandej.

Në 1968-ën rusët pushtun ushtarakisht Pragën(Cekosllavakinë) aleatin e tyre ne TV, dhe nën teorinë e sovranitetit të kufizuar dhanë shenja se këtë veprim mund ta bënin edhe kundër të tjerëve të pa bindur.Marrë shkas nga ky veprim( dhe nga frika), diktatura komuniste në Shqipëria juridikisht shpalli daljen nga ky traktat duke i bërë edhe një shërbim tjetër të mirë vehtes dhe perendimit . Këtë veprim të dytë diktarori Hoxha e bëri sepse kishte dijeni se në rast se sovjetikët do të ndërhynin në Hungari sic bënë me Cekosllavakinë, Nato –ja, kishte në plan pushtimin e Austrisë dhe Shqipërisë në të njëjtën kohë. Në se një situatë e tillë do të ndodhte, atëherë karriga e tij ishte përfundimisht e rrëzuar.Duke parë këtë realitet ,diktatiori Hoxha luajti me dy porta me hafijet ruse në Shqipëri . Ai me vetëdije nuk i shkuli të gjitha njëherëshi,kjo sa për pa mundësi dhe sa për interesa të tjera që atij i lypseshin për veprime të mëtutjeshme me të ashtu quajturat grupe armiqësore.Një gjë e tillë del në pah me të ashtu quajturin” plani ushtarak për pushtimin e Kosovës” ku theksohen kontaktet dhe veprimet e përbashkëta me komandantin e Traktatit Varshavës. Pra nga njëra anë kishin dalë nga TV, nga ana tjetër bënte lojën e maces dhe të miut me marshallin sovjetik. Sipas këtij plani (të bërë publik nga ish Shefi Shtabit Përgjithshëm të Ushtisë shqipëtarëe,Veli Llakaj), marshalli sovjetik ( njëkohësisht komandanti i TV), pranonte të bënte presion ushtarak në kufijtë lindorë të Jugosllavisë për ti mundësuar Shipërisë pushtimin e Kosovës, por me kusht që më parë Shqipëria të pranonte rikëthimin në TV.Kushti nuk u pranu nga diktatori Hoxha se rrezikonte karrigen e tij dhe planet mbetën vetëm ide ose e thënë më shkoqur ëndërra në diell.

Periudha e pas LDB-së në ish BS ishte euforike në cdo drejtim .Vërtetë ky vend mbajti peshën më kryesorë të luftës, por paslufta ishte periudhë dehjeje,dalldisje vetëmburrje pa kufi , lum vetlëvdatash heronjsh,gjeneralësh,marshallësh e dekoratash. Kjo bëri që fundi i viteve 80-të ta shihte BS-në në rrukullime e shkërmoqje. Kjo situatë i konvenonte perëndimit e mbi të gjithë SHBA-së. Ata filluan të duartrokasin dhe ta quajnë fitorën e dytë të madhe edhe fitimin e betejes së ‘luftës së ftohtë”.Por , sot mund të themi se aso kohe ata u shpejtuan dhe harruan se i plagosuri i shëruar është më i rrëzikshëm se para plagosjes.Kështu është Rusia e sotme,një i plagosur i luftës së ftohtë i shëruar nga plaga.

Në periudhën e “luftës së ftohtë” ish BS ,kishte investuar strategji politikë dhe ushtarake kundër perëndimore në shumë vende të botës, por mbi të gjitha në kufirin e ndarjes midis dy blloqeve ushtarake Nato e TV dhe fqinjëve në këto blloqe. Ky investim ishte real politik me qeveri pro ruse dhe në të njëjtën kohë edhe ushtarak duke ju shitur këtyre vendeve teknikë teknologji ushtarake të gjeneratave të fundit. Edhe kjo duket si relikë e “luftës së ftohtë’,por që në të vërtetë ishte një minë në themelet e demokracisë perëndimore të dekadës dytë e të tretë të shekullit 21 vecanërisht me të ashtu quajturën “pranvera arabe”.Asnjë strategjist dhe analist i gjeo-politikës botërore nuk e pa dhe nuk e përfytyroi se cdo të ndodhte me Rusinë pas një cerek shekulli, pra në ditët e sotme. Nuk u vlerësuan shërbimet e saj sekrete dhe investimet që ishin bërë në veriun e Afrikës ,në Lindjen e Mesme,në ish republikat sovjetike, në Kaukaz, Krime, Ballkan etj.Pagesa e kesaj mos vëmendjeje janë shumica e dështimeve perëndimore të ditëve te sotme, në fushbetejën politike dhe ushtarake ku pengesa më madhore është veprimtaria kundër vënëse e Rusisë.

Shërbimet inteligjente, politika dhe mafia

Unë nuk jam ekspert i fushës së shërbimeve inteligjente, por me aq sa lexoj në shtypin e hapur dhe sa më mundëson eksperienca ime personale, shoh një aktivizim maksimal të shërbimeve sekrete ruse në disa rajone të botës e vecanërisht në Ballkan. Ata kanë filluar të aktivizohen në fushata zgjedhore për të sjellë në politikë grupe e individe që u shërbejnë interesave të tyre dhe realisht kanë arritur disa suksese .Investimi bëhet po ashtu aty ku janë projektuar zhvillime ekonomike ruse të fuqishme dhe afatgjata ose ku ka interesa gjo-strategjike.Në ato vende që nuk ecet nëpërmjet fushatave zgjedhore, investimi bëhet në vende të larta të administratës shtetërore,banka,korporata e shërbimet inteligjente të vendeve të tjera.Parapëlqehen vende ose rajone me stabilitet jo të qëndrueshëm për të hapur vatra të reja zjarri me qëllim shitjen e armëve ose për t’ju kundërvëne politikave europiano-perëndimore dhe vecanërisht atyre amerikane. Këto shërbime shihet të lëvizin vitet e fundit edhe në veriun e Afrikës si Algjeri, Marok, Libi, Egjipt,Palestinë, Siri, si dhe në vende të tjera si Irak,Jemen, në vendet e Kaukazit, me intensitet të lartë në Ukrahinë e deri tek vendet balltike. Por kohët e fundit ato janë fokusuar me veprimtari intensive në Ballkan e vecanërisht rreth (e në )trojet shqipëtare.

Qysh nga shpërbërja e Jugosllavisë e vecanërisht me fillimin e luftës në Kosovë, ka një prani të dukshme të shërbimeve inteligjente ruse në Serbi. Ato jo vetëm kanë gjithë hapsirën e nevojshme për të vepruar, por kanë edhe një status të vecantë besueshmërije dhe bashkë veprimi me strukturat serbe të kësaj fushe.Pengesat për të formuluar arsyet e për të mos lejuar njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës, fillimisht lauborohen nga këto skifterë që enden nëpër Serbi dhe pastaj cohen si parafabrikat në Moskë.Veprimet subversive në Mitrovicë, politikat bllokuese, ngacmimet , grindjet, krijimi i grupeve të armatosura, kontrabanda e mallrave, ndiellja e shqiptarëve të Kosovës për emigracion në Europë dhe më përpara në ISIS, kanë më parë pëlqimin e skifterëve rus në Serbi dhe pastaj të atyre serbe. Këto grupe kontrollojnë nga larg fijet kryesore të mafisas vendase duke marrë shpërblimin e nevojshëm për këto punë të pista, por edhe duke mbjelle panik e destabilitet. E keqja është se pjesë e kësaj tablloje të zezë janë bërë qorrazi edhe ndonjë politikan, biznesmenë e shtetarë kosovare të përfshira në afera korrupive për interesa personale e aspak të Kosovës.

Degë të këtyre strukturave të errta ruse kanë zbritur edhe në Mal të Zi, duke u marrë me pisllëqet e përmendura më sipër, duke korruptuar politikanë vendas, por mbi të gjitha duke vënë në shenjestër plazhet, tokat, pyjet, kullotat dhe kojrite shqipëtare.Mafia ruse kërkon të bëhet zotëruese me cdo kusht e pasurisë së shqiptarëvë atje, sepse shumica janë shpërngulur e kanë shkuar në emigracion ose nuk janë në gjendje të paguajnë taksat. Por edhe serbëve me shtetësi malazeze ju intereson kjo situatë se fitojnë para duke ju shitur rusëve pasuritë e shqiptarëve dhe ndiehen më komod me vllezërit sllav rus se sa me shqipëtarët autokton të atyre trojeve. Përplasje e vërtetë me shërbimet sekrete ruse në Mal të Zi u duk në prag të pranimit të këtij vendi në NATO.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, situata nuk është më e mirë. Të njëjtat segmente, të njëjtat forma, të njëjtat dukuri janë prezente si në Serbi , Kosovë e Mal të Zi, vecse dallimi është më i dukshën në kompromentimin e klasës politike dhe në vënien e saj në dispozicion të grupeve të caktuara të informacioneve sekrete .Po ashtu dallim është edhe brishtësia e theksuar e marrdhënieve ndër etnike më tendencë shtyrjen dhe nxjerrjen e familjeve shqipëtare jashtë zonave ku shqiptarët janë pakicë. Lojë me pakicat turko folëse të cilat shumica janë autoktonë shipëtarë, dhe me komunitetin ortodokës shqipëtar vecanërisht të Rekës së Epërme të cilët nuk lejohen të identifikohen si shqipëtar vetëm se i përkasin fesë ortodokse. Po ashtu shtoj se para pranimit në NATO të edhe të Maqedonisë së Veriut pati një ndeshje të vërtetë me agjenturën ruse që donte ta sabotonte me cdo kusht pranimin e saj në këtë organizëm ushtarak.

Në kohën kur e majta greke erdhi në pushtet, u panë disa qëndrime dashamirëse e specifike me Kremlinin. Insinuatat për të marrë kredi, mundësitë për të patur lëshime në cmimet e mallrave ruse etj, nuk qenë të rastësishme. Ka më shumë së dy dekada që skifterët rus vijnë vërdallë Egjeut, bëjnë planë e programe,nxisin antiamerikanizmin dhe antieuropianizmin.

Në Shqipëri vitet e fundit, gjykoj se se ka një shkujdesje të madhe ndaj veprimtarisë subversive ruse. Sjelljet e politikanëve shqiptarë shpesh i ngjanë pompozitetit e deklaratave butaforike e megallomane të Enver Hoxhës. Në parlament e në administratë erdhën dhe vazhdon të ketë persona të inkriminuar e të mbështetur nga grupe të inkriminuara vendase dhe te huaja. A jeni të sigurtë ju drejtues të politikës shqipëtare se prapa grupeve e segmenteve të inkriminuara shqipëtare nuk qëndrojnë edhe ato të huaja: serbe, iraniane, arabe e mbi të gjtha ato ruse? Në së mendoni se kjo nuk është e vërtetë, përpiquni të gjeni lidhjet fundore të dy fenomenëve: atij të emigrimit që u bë për llogari të ISIS dhe të emigracionit për në Gjermani. Pyesni veten: pse shqipëtarët emigrojnë në rrugën: Kosovë-Serbi-Hungari…Gjermani ?

Dhe së fundi.

Pushtimi i Krimesë në 2014 nga Rusia, dhe sulmi ushtarak i pa precedent në Shkurt 2022 kundër Ukrahinës, vrasjet e civilëve, krimet e luftës, shkatërrimet masive deri në gjenocid, e kanë vënë në pozita të vështira Putinin e Kremlinin. Gjithë bota i pa dhe i përcolli veprimet e skifterërve rus para dhe gjatë këtyre evendimenteve. Për të shpëtuar nga kjo situatë Putini po kërkon që ngarkesën negative të Ukrahinës dhe Krimesë, të mund ta trasfërojë diku larg vetes.Më e mira gjë do të ishte Ballkani e vecanërisht trojet shqipëtare që s’kanë asnjë lidhje me Rusinë e sllavët dhe me këtë rast u vinte në ndihmë vllezërve sllavë në Ballkan dhe ju jepte një grusht amerikanëve dhe europiano-perëndimorëve. Pra me një gur të vrasë jo dy por tre zoq.

Rasti i incidentit në Uzinën Ushtarake të Gramshit, detyrimisht lypset të merret dhe të konsiderohet, pjesë e veprimtarisë subversive të skifterëve të shërbimeve sekrete ruse kundër Shqipërisë. Ndoshta edhe ngjarja e Qerretit të Kavajës e paradokohëve duhet të lidhet me këtë kontekst. Edhe ata ishin ushtarakë të shërbimit sekret.

Ky është mendimi im vllezër të një gjaku. Në gjykimin tim situata e krijuar me shumë kujdes , nuk është alarm falls, por një bombë me sahat që pret kohën për shpërthim. Shpresoj që unë të jemë gabim, nga i cili nuk pëson kurkush asgjë. Por nëse kam të drejtë, shqetësohuni edhe për deklaratën ruse që thotë:”…përsëritja e retorikës panshqipëtare nuk ka gjasa të kontrbuojë në ruajtjën e klimës së stabilitetit dhe fqinjesisë së mirë në rajonin e Ballkanit, që është jetik për Rusinë..”

Asllan Bushati

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati

Në Vitojë të Malësisë fillon Festivali mbarkombëtar “Rapsha 2022” me 24 grupe pjesëmarrëse

August 20, 2022 by s p

Prointegra.ch

Në këtë edicion të VI të Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2022” – Malësi e Madhe , ndër më të organizuarit në trojet shqiptare, pos grupeve nga Malësia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të jenë edhe dy grupe nga Amerika.- Manifestimi do të fillojë me një defile të grupeve përgjatë rrugës kryesore të Tuzit në ora 18 ,ndërsa që programet do të jepen në ambient të hapur në ora 20.- Portali ynë prointegra.ch ( nga Zvicra), i cili i uron organizatorëve ju dëshiron një sukses sa më të madh, me ekipin e tij do ta përcjell festivalin për tri net rresht¨.-

Për edicionin e 6 të të këtij festivali mbarëkombëtar, tash më janë bërë të gjitha përgatitjet për një fillim sa më të mbarë. Tashmë dihet edhe agjenda, që përfshin shfaqjet e 8 ansambleve për çdo natë, kështuqë me mijëra artdashës, që zakonisht e përcjellin këtë eveniment kulturo, do të kenë rastin të përjetojnë një atmosferë vërtetë impozante. Këtë e dëshmon edhe kryetari i Këshillit Organizativ dhe njëherit kryetarit i ansamblit “Rapsha”, David M. Juncaj, i cili ditë më parë për portalin tonë prointegra pat deklaruar: se për edicionin e sivjetmë të Festivalit Mbarëkombëtar i Folklorit “Rapsha 2022”- Malësia e Madhe, ka një interesim si nga grupet artistike në trojet shqiptare ashtu edhe diaspora, me qëllim që këtu të sillet folklori sa më burimor nga të gjitha trevat, si dhe një interesim të vet publikut, madje në masë edhe nga vet mërgata jonë e madhe në Perëndim, madje edhe tej Atlantikut, ku edhe jetojnë veprojnë shumë bashkatdhetarë nga Malësia, nga edhe do të vijnë edhe dy grupe artistike..

Në shoqërimin tim do të jetë publicisti nga Vjena, profesor Hazir Mehmeti dhe shoku im i pandashëm i udhtimeve elektroinxhenieri nga Shkupi, Jakup Reka.

(Teksti e fotot: Rexhep Rifati – më gjerësisht në portalin tonë prointegra.ch)

Filed Under: Analiza

NË 10-VJETORIN E SHKUARJES NË AMSHIM TË ARBËN XHAFERIT

August 19, 2022 by s p

– Kujtime nga takimi i vitit 2005

Nga Frank Shkreli

10 vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi. Në jetën e përditshme, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë, personalitete të njohura dhe jo aq të njohura. Pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja dhe mbresat e paharrueshme që mbeten nga takimet sa do të shkurtra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit, se çfarë e dallon atë nga të tjerët. Për disa, falënderojmë Zotin që na jepet mundësia t’i takojmë. Për disa të tjerë…?

Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pas fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja gjatë viteve, ka qenë dhe mbetet Arbën Xhaferi, i njohur, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon për raportuar mbi gjendjen në trojet shqiptare — me të kthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin dhe ishin të interesuar me çeshtjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Tetovë ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon, përfshir takimet me protagonistët kryesorë të politikës shqiptare në trojet iliro-arbënore.

Pjesë e këtij turneu ishin takimet me udhëheqësit politikë shqiptarë në detyrë, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.

Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam me një takim në Ambasadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e tyre politik për gjendjen në rajon. Pastaj takimin e parë me përfaqësuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me z. Arbën Xhaferi, të cilin nuk e kisha takuar asnjëherë më parë. Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret e që zgjati gati një orë — në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë – ndonëse ishte e qartë se sëmundja kishte filluar ta rëndonte. Megjithëse dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i kthjelltë dhe i thellë. Pas përshëndetjeve fillestare të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.

Pyetjes time mbi gjendjen aktuale politike, z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase në vend. Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia të mëparshme, pothuaj me të gjithë përfaqësuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe, anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq as me zemrim kundër partive të tjera ose liderëve të tyre — gjatë këtij takimi, as Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikëpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare. Jo vetëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni, por asnjërit prej tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare, siç isha mësuar të dëgjoja në takimet me përfaqësues të tjerë politikë shqiptarë, sidomos, atyre në Tiranë dhe në Prishtinë.

Autori me Arbën Xhaferin, Tetovë, 2005

Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, një udhëheqës shqiptar ndryshe, thashë me veten, e që është aq e nevojshme, sidomos sot, për një dialog të qytetëruar politik në radhët e udhëheqësve partiakë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare. Ndonëse nuk u shpreh, specifikisht, mbi mosmarrëveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua m’u duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë. Ai në të vërtetë, i dalluar nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik, ndër-shqiptar.

Respekti për të dhe reputacioni për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyes dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijtë ndër-shqiptarë. Si i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karrierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre udhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota – atëherë dhe sot — se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.” Një atribut ky shumë me vend — për të gjithë ata që e kanë njohur atë, prej një udhëheqësi të huaj ndaj reputacionit dhe kujtesës së Arbën Xhaferit, edhe në këtë 10-vjetor të vdekjes.

Në vazhdim e sipër të bisedës me të në Tetovë në vitin 2005, z. Xhaferi qe ankuar se kontrata midis dy popujve, e ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit”, midis shqiptarëve dhe maqedonasve në atë vend, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila siç dukej, shtoi ai, nuk i kishte marrë seriozisht punët dhe as nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra me nënshkrimin e asaj marrëveshjeje. Si përfundim, tha ai, ajo marrëveshje midis dy palëve nuk po zbatohej sipas planit nga autoritetet maqedonase – marrëveshje të cilën ata e kishin nënshkruar duke marrë përsipër zbatimin e saj, në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjendjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbaj mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë në lidhje me procesin. Xhaferi shpjegoi se si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij, kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.

E mbyllëm bisedën me Arbën Xhaferin duke dëgjuar mendimet e tija përtej Maqedonisë, mbi gjendjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjendjen në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan — Shtetet e Bashkuara, në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por ndërkohë, vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë të Amerikës, para se Washiungtoni të bënte publik njoftimin zyrtar të Amerikës në favor të pavarësisë së Kosovës. Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë — e priti me një buzqeshje të sinqert — duke thënë se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi ai, se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor — asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne shqioptarët, në këto trojet tona, u shpreh ai.

U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin që u njoha dhe dhe që mu dha rasti ta takoja dhe të bisedoja me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit Shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi të gjitha kohërave — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.

Në këtë 10-vjetor të kalimit të tij në amshim, kujtojmë njërin prej burrave më të shquar të Kombit Shqiptar, me qëllim që ashtu si shumë të tjerë para tij – emri i tij të mos bjerë kurrë në harresë nga brezat!

Filed Under: Analiza

Rrugës për sovranitet

August 18, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Qartësisht e kuptueshme se gjendja në Kosovë nuk po e knaq asnjë qytetar normal plotësisht, e për rrjedhoj, kjo është krejt pasojë e dobësive tona të brendshme mbi organizimin politikë në mes e për rreth nesh. E për këtë, ndryshimi e avancimi cilësor është më se i domosdoshëm.

Pas përfundimit të luftës, brenda nesh, e kultivuam çlirimin mendor e shpirtëror por jo edhe territorial. Atëherë, sado që nuk paraqitej si çështje, deri më sot na doli të jetë çështje, madje jo e thjesht por komplekse dhe e rëndë politikisht. Vendi ynë, u godit politikisht së paku në dy momente me pasojë territorin, e para, me përfundimin e luftës nuk dolëm të integruar territorialisht, sepse veriu i vendit mbeti …po e quaj ‘kurqysh’, dhe e dyta, pas shpalljes së mëvetësisë së Kosovës, “politikanët” në politikë, përsëri e lanë veriun të aneksuar politikisht e institucionalisht, si rezultat i organizimit të pamjaftueshëm në planin vendor por dhe në atë ndërkombëtar. E, për këtë sovranitet të pakompletuar dihen emrat e akterëve politikë. Moskrijimi i institucioneve shtetërore legjitime pas shpalljes së mëvetësisë dhe pas konfirmimit nga ana e GjND-së, në veriun e vendit me kohë, ka treguar saktësisht mungesën e vendosshmërisë për t’i bërë realitet përcaktimet politike mbi sovranitetin, siç të theksuara në nenin 2 të kushtetutës të Republikës së Kosovës. E fatkeqësisht, jetësimi i vullnetit nuk varet aspak nga deklarimi por nga vendosshmëria për t’a realizuar.

Çfarë në të vërtet e bëri Kosovën pa sovranitet të plotë territorial? fqinji ynë verior, Serbia, kufijtë që neve i shpallëm si republikan ajo i pranoi si administrativ, e për këtë, neve kemi zhvilluar bisedime; fqinji ynë verior, Serbia, për shkak të koncentrimit të qytetarëve të pakicës serbe në veriun e Kosovës, nxiste ndodhi, për të kërkuar njohjen e autonomisë së tyre, brenda Kosovës, edhe për këtë, neve kemi zhvilluar bisedime; fqinji ynë verior, Serbia, përmes ekzistencës së “lista srpska” ndër vitesh pengoi vendosjen e pushtetit legal madje kontestoi legjitimitetin e Republikës në atë pjesë të Kosovës; edhe për këtë, neve kemi zhvilluar bisedime në Bruksel.

Pra, neve, për organizimin e kujdesin e territorit dhe republikës tonë, pranuam të zhvillonim bisedime. Sovraniteti mbeti i cunguar.

Kështu nga paaftësia për t’u përballur me gjendjen dhe me mosmiratimin e një plani të shëndetshëm për rikthimin e gjendjes në normalitet dhe institucionalizimin e vendit, herë pas here, duke pritur momente më të volitshme, krijoji çmim për të gjithë ne, po për qytetarët e veriut më tepër. Ne, për të njejtën çështje nuk kemi patur një të vetme pikëpamje përsa i takon sovranitetit, por disa, e për rrjedhojë, jemi gjendur të paorganizuar e duke mos e bashkërenduar konsistencën politike për t’a bërë Kosovën me sovranitet mbi tëreë territorin. Rruga për sovranitet, pavarësisht vëllimit të saj duhet shtrirë, për të plotësuar hartën politike por edhe atë gjeografike të brendshme të shtrirjes së rendit kushtetues e ligjor. Rrugën duhet vazhduar për t’a kompletuar sovranitetin e munguar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT