Nga ANGELO PANEBIANCO
Gjithshka faj i Perëndimit, gjithmonë e gjithsesi. Për çfarëdo gjëje që të bisedohet. Vdekja e Mihail Gorbaçovit i ka dhënë rastin specialistëve të vetëfshikullimit për të na shpjeguar se Perëndimi e braktisi dhe qe ajo braktisje e pabesë dhe cinike që shkaktoi mungesën e tij të suksesit politik, paaftësinë e tij për të modernizuar Bashkimin Sovjetik të atëhershëm, duke na dhuruar Vladimir Putinin. I gjithi është faji i ynë. Është një ide që bëhet palë me një tjetër – e mbështesin shpesh të njëjtit njerëz – simbas të cilëve, mësyemja e Ukrainës do t’ishte pasoja e zgjerimit të NATO-s në Lindje. Gjithmonë faji i ynë. Putini është një i keq, sigurisht, por në fakt e kemi krijuar neve. Të këqijtë e vërtetë, përgjegjës për të gjitha fatkeqësitë, jemi ne. Le të mbahet parasysh rasti i Afganistanit. Një titull shumë i përdorur nga disa gazeta është ky: “talebanët shtypin përsëri gratë”, i ndjekur nga e pamunguara “në mospërfilljen e Perëndimit”. Shpesh tituj të tillë lexohen në gazeta që ishin kritike të ndërhyrjes amerikane e të tjerëve Vënde perëndimore n’Afganistan. Në thelb Perëndimi është fajtor edhe kur ndërhyn ushtarakisht kundër talebanëve edhe kur pushon t’a bëjë. Në Perëndimin e sharë liria e fjalës është e shënjtë dhe kanë të drejtë të qarkullojnë edhe ide të marra. Por është një e drejtë për t’i vulosur si të tilla.
Të kthehemi tek Gorbaçovi. Ai ra mbasi i kishte dhënë fund Luftë së ftohtë, jo për fajin e Perëndimit, por sepse u gjënd para përballimit të tre problemeve të pazgjidhëshme. Dy të karakterit të përgjithshëm dhe një tjetër i posaçëm për Rusinë. Problemi i parë ishte se perandoritë mund të mbahen së bashku me shtrëngimin dhe frikën që ato përhapin tek nënshtetasit. Nëse perandori vendos (siç vendosi lëvdueshëm Gorbaçovi) të mos përdorte më detyrimin, pushoi frika dhe perandoria u shpërbë. Problemi i dytë i pazgjithshëm ishte se ndërsa ishte e lehtë – mjaft të jepej urdhëri – të shtetëzoheshin tërësisht mjetet e prodhimit, të mëkëmbej një ekonomi shtetërore, ekonomia e tregut nuk mund të krijohet në të njëjtën mënyrë: ekonomitë e tregut ngrihen ngadalë, “nga poshtë”, me mundimet e të shumëve që i kushtohen krijimit të ndërmarrjeve. Askush nuk e di se në çfarë mënyre tjetër mund të lindet. Për këtë, me fundin e ekonomisë shtetërore në Rusi lindi, jo ekonomia e tregut por ekonomia e grabitjes prej oligarkëve (siç e ka kujtuar Sergio Romano në Corriere të 4 shtatorit). Problemi i tretë i pazgjidhshëm që gjeti përballë Gorbaçovi, kishte të bënte me historinë dhe traditën ruse. Rusia, me përjashtim të një sprove të shkurtër e mjaft të brishtë kushtetuese mbas vitit 1906, ka njohur në historinë e saj vetëm tiraninë, vetëm despotë, (ndonjëherë të ndritshëm, më së shumti mizorë). Zakonet e Rusisë, besimet e përhapura në shoqëri, janë damkosur në zjarr nga shekuj e shekuj tiranie. E të qezaro-papizmit: Patriarku i Moskës që bekon luftën e Putinit është vetëm i fundit i një sëre kryetarësh të Kishës ortodokse ruse, të poshtëruar në këmbët e carit të rradhës.
Duke i dhënë fund Luftës së ftohtë, Gorbaçovi dhe grupi i tij kanë përfaqësuar një risi absolute në historinë ruse: për shekuj e shekuj para tij – por me Putinin zakonet e vjetra janë rivendosur – qeveritarët rusë kanë ligjëruar pushtetin e tyre despotik brënda, përtej thirrjes së mitit të Romës së Tretë, të Rusisë shembëlltyrë të krishterimit ortodoks (të zëvendësuar nga komunizmi mbas revolucionit të Tetorit) edhe e mbi të gjitha duke thirrur popullin rus të mblidhej kundër armikut të jashtëm, kundër fuqive armike, qëllimi i të cilëve ishte sigurisht shkatërrimi i Rusisë. Gorbaçovit i takon merita e madhe historike e ndërprejes s’asaj tradite. Por u pa si përfundoi.
Siç ka pohuar shkrimtari rus Mihail Shishkin, për luftën në vazhdim: “Bota e lirë do të duhej të kuptonte se nuk po lufton kundër një diktatori të marrë, por kundër një sistemi pushteti të pavarur, agresiv dhe të vetëripërtërishëm. Struktura e lashtë shoqërore e autokracisë ruse është ruajtur në magazinën e historisë dhe përcjellë në shekuj. Dhe ja e gatëshme të ndryshojë qime për t’u dukur me të tjera paraqitje: si perandoria e romanovëve dhe Bashkimi Sovjetik komunist i Stalinit, e së fundi “demokracia e kontrolluar”e Putinit. (Corriere della Sera, 4 shtator).
Gabimi i rëndë i kryer nga Perëndimi në marrëdhëniet me Rusinë ka qëndruar (e thënë pas pilafit) në të besuarit që, e integruar në tregun botëror, ajo do të kishte humbur cenet e saj historike, që ndërvartësia e interesave dhe tregëtisë e shpërngulja e teknologjive që do t’a kishin favorizuar, do t’a kishin zbutur, do t’i kishin shuar prirjen e saj të lashtë perandorake. Nuk u mbajt parasysh se ajo që vlen për Vëndet, qeveritarët e të cilëve kërkojnë të ruajnë pushtetin duke ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe grumbullimin e shpërndarjen e pasurisë, nuk mund të vlejë për një Vënd të zotëruar nga një sistem grabitjesh i armatosur deri në dhëmbë, i painteresuar – siç ka qënë pothuaj gjithmonë pushteti në Rusi – për mirëqënien e popullit të tij.
Vetëfshikullimi i Perëndimit, prirja për të paditur shoqëritë tona për gjithshka shkon keq në botë, ka shumë shkaqe e sheh të zotuar aq njerëz të ndryshëm. Të mendohet për shëmbull fshirja e kulturës, sulmi kulturës perëndimore – “të bardhë” e pra kolonialiste – nga ana e pakicave fanatike (bashkëpuntorë edhe shumë profesorë) në shumë Universitete perëndimorë. Sulmet Perëndimit nga ana e intelektualëve ose të hamendësuarve të tillë, gjithsesi është një sëmundje e lashtë. Siç shkruajti shumë vite më parë ekonomisti Joseph Schumpeter, ndërmjet veçorive të qytetërimit perëndimor është dhe ajo e rritjes së një numëri të lartë të intelektualëve të cilët i kushtohen më shpirt e me trup një misioni: të mallkojnë qytetërimin perëndimor. Gjithmonë bujarë me vetveten, shumë prej tyre e quajnë atë “shpirt qortues”.
Idetë qarkulluese mbi fajet e hamendësuara të Perëndimit kundrejt Rusisë nuk janë vetëm të marra, janë edhe të rrezikshme. Sepse, nëse janë shumë të përhapura, ndihmojnë çarmatimin moral përpara belegëve të pushteteve autoritare. Në këtë rrethanë nuk mund t’a lejojmë.
“Corriere della Sera”, 6 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika