Nga Frank Shkreli
Të dielën që kaloi, Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton i dha një intervistë gazetarit dhe analistit Fareed Zakaria në programin e tij, “GPS”, transmetuar nga rrjeti televiziv CNN.
Gjatë intervistës, që preku disa çeshtje të politikës së mbrendshme dhe të jashtme, Ish-Presidenti Clinton u pyet nga gazetari veteran i CNN mbi një numër çeshtjesh me të cilat përballet Amerika dhe bota, përfshir agresionin e pa provokuar të Ukrainës nga Rusia.
I pyetur nga gazetari Zakaria nëse zgjërimi i NATO-s në kohën kur ai ishte president, mund të ketë shkaktar i invadimit të Ukrainës nga Rusia. Presidenti Clinton u përgjigj shkurt: “Je i gabuar”, i tha. Z. Clinton atij, duke shtuar se zgjërimi i NATO-s nuk ka asgjë të bejë me invadimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia. “Mendoj se bemë gjënë e duhur, në kohën e duhur”, me vendimin që kemi marrë për antarësimin e ish-vendeve komuniste në NATO.
Presidenti Clinton i solli në kujtesë gazetarit se vet Putini e ka thenë shpesh, se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një tragjedi e madhe”, sipas tij. Ish-Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se me zgjërimin e NATO-s me vendet ish-komuniste, as Shtetet e Bashkuara as NATO nuk kishin për qëllim të kërcënonin Rusinë. Por, nga ana tjetër, ish-presidenti Clinton tha se vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore, ishin në të drejtën e tyre ndërsa kërkonin të jetonin në liri dhe siguri, pas shumë dekadash të dominimit të komunizmit sovjetik.
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton në intervistë me gazetarin Fareed Zakaria në programin e tij “GPS” të rrjetit televiziv CNN të dielën që kaloi
Ish-Presidenti amerikan zbuloi, në intervistën e tij në CNN të dielën se në atë kohë, ai i kishte ofruar Rusisë, “Jo vetëm një partneritet të veçantë me NATO-n, por edhe mundësinë e një antarësimi eventual në Aleancën ushtarake perëndimore, me argumentin se problemet më të mëdha të sigurisë, në të ardhmen, mendohej se do të do ishin aktorët jo shtetërorë, ose shtetet autoritare që do u shisnin grupeve terroriste armë kimike, biologjike dhe bërthamore”, dhe se përball një rreziku të tillë, do duhej të ishim të gjithë të bashkuar, u shpreh Z. Clinton në CNN — t’u ketë thenë në atë kohë autoriteteve të Rusisë.
Presidenti Clinton u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara pasi kishte fituar garën elektorale kundër kandidatit republikan Xhorxh H. Bush i vjetër në zgjedhjet e vitit 1992. Ishte shembur Muri i Berlinit, ndërkohë që ranë regjimet diktatoriale komuniste anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore dhe pasi ishte shpërbër edhe Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991.
Fillimisht, në mandatin e dytë të Presidentit Clinton, tre shtete ish-komuniste, anëtare të Paktit të Varshavës, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia u bënë anëtare të NATO-s në vitin 1999. Vala e dytë e zgjërimit më të madh të NATO-s ndodhi në vitin 2004, kur Nato-s iu bashkuan Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Estonia, Letonia dhe Lituania, nëdërsa, në vitin 2009, Shqipëria dhe Kroacia i bashkohen gjithashtu NATO-s gjatë presidencës së Xhorxh W Bush-it të ri.
Gjatë intervistës, Presidenti Clinton, reagoi pak me zemërim ndaj insinuatës së gazetarit Zakaria se disa analistë mendojnë se mund të ishte faji i tij për agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës – pasi ishte ai që filloi zgjërimin e Nato-s me vendet ish-komuniste, sepse dihet se një prej justifikimeve të Putinit për agresionin e paprovokuar të Ukrainës, ai donte që të parandalojë antarësimin e Ukraniës në NATO. “Po si mund t’u thuash Polakëve se ata duhet të jetojnë përgjithmonë me frikën se Rusia do i pushtojë prap? Ose t’i thuash Hungarisë ose vendeve të tjera, si vendeve Baltike, një gjë të tillë. Me të vërtetë, pas të gjitha vuajtjeve që kanë pësuar nga (diktatura komuniste sovjetike). A kanë dashur këto vende të ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik?”, pyeti pak si me sarkazëm, ish-Presidenti Clinton.
“Unë besoj se kemi bërë atë që duhej të bëhej në atë kohë. Dhe po të mos kishim zgjëruar NATO-n (me vendet e ish-komuniste të paktit të Varshavës), kriza e sotme e Ukrainës, ka mundësi të kishte ndodhur shumë më heret”, u shpreh Presidenti Clinton me gazetarin dhe analistin e CNN-it, Fareed Zakaria.
Zgjërimi i NATO-s ç’prej shembjes së Murit të Berlinit e deri më sot është shikuar dhe konsiderohet edhe sot si një objektiv për të krijimin e një Evrope demokratike, të bashkuar, në paqë dhe të pa ndarë. Secili shtet, anëtar i NATO-s sjellë diçka të veçantë drejtë këtij objektivi të përbashkët. Presidenti Bill Clinton kishte të drejtë, atëherë dhe sot, sa i përket zgjërimit të Nato-s — me kërkesën e tyre –të vendeve ish-komuniste në Aleancën e Atlantikut Verior, gjatë tre dekadave të fundit. Agresioni i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës po tregon se një Aleancë e fortë e NATO-s është sot më e nevojshme se kurrë më parë. Mbështetja për antarësimin në NATO është venë re edhe në vende që, historikisht, kanë qenë neutrale ushtarakisht, si Finlanda e Suedia. Edhe Republika e Kosovës po kërkon një rrugë të shpejt drejt antarësimit në NATO.
Presidenti Bill Clinton me të drejtë tha në intervistën me CNN se nuk është zgjërimi i Nato-s drejt lindjes shkaku i agresionit tp paprovokuar rus në Ukrainë. Por është imperializmi rus ai që nxit agresionin e Rusisë kundër Ukrainës! Në të vërtetë, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të martën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e cilësoi agresionin rus në Ukrainë si një, “një kthim në imperializëm”. Njëkohësisht, Presidenti i Francës kritikoi qendrimin e atyre vendeve që thonë se janë “neutrale” ndaj agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se ata janë në një rrugë të gabuar dhe se, “Ata po bëjnë një gabim historik”. Ndërkohë, ata që po heshtin sot në lidhje me këtë agresion të paprovokuar rus në Ukrainë, udhëheqsi francez, Emmanuel Macron i akuzoi si, “pjesësmarrës dhe bashkfajtorë në kauzën e imperializmit të ri” — në fjalimin që mbajti në tubimin vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Frank Shkreli
Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare – Shqipëria ka qenë ndër vendet e para ish-komuniste – në mos e para – që ka kërkuar antarësimin e saj në NATO.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi, kryeministri i parë post-komunist i atij vendi i qeverisë së dalë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, në takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton në Shtëpinë e Bardhë, Prill, 1993. (Autori në të djathtë të fotos)
Qysh atëherë, Shqipëria kishte treguar interesim që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Bill Clinton kishte ftuar udhëheqës shtetesh e qeverish nga Evropa Lindore/Qendrore për të marrë pjesë në hapjen e Muzeut të Hollokaustit në Washington, Prill, 1993. Shqipëria përfaqësohej nga Kryeministri i saj, Aleksandër Meksi, i cili pati një takim me Presidentin Clinton e që pas pak — takimit iu bashkua edhe Zevendës Presidenti Al Gore. Ndër vendet që përfaqësohehin në atë tubim të organizuar nga Shtëpia e Bardhë ishin Shqipëria, Portugalia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Moldova dhe natyrisht edhe Izraeli, pasi kremtohej hapja e Muzeut të Hollokaustit në Washington.
———————————————————
Në fjalimin e tij të marten para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Francës Emmanuel Macron e dënoi agresionin rus në Ukrainë si,“një kthim në imperializëm” — UN Photo/Cia Pak
path to peace