• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“5 pyetje Vučićit si dhe 5 mesazhe  ndaj Prishtinës dhe Tiranës zyrtare“

August 4, 2022 by s p

Gjeneral * Piro Ahmetaj

Duke marrë shkas nga riciklimi i pritshëm dhe frikshëm i masave destabilizuese në Veri të Kosovës, me statusin e një Expertit për çështjet e SK, Rajonit dhe NATO-s, në vijim po paraqes njē përmbledhje strategjike me: “5 pyetjet ende pa përgjigje nga Aleksandar Vučić si dhe 5 mesazhe ndaj faktorëve shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë”:

Mesazhi 1: pikësëpari e çmoj si momentin e duhur të rikujtojmë  5 pyetjet e adresuara përgjatë më shumë se 5 vitet e fundit, por kanë mbetur ende pa përgjigje nga Beogradi zyrtar: 

  1. Përse shpenzon Serbia më shumë se 1 miliard € në vit për armatosjen dhe programet e mbrojtjes, shifër kjo e barabartë me më shumë se 6 vjet RSh ose 10 vite së bashku Republika e Kosovës, ose 4 herë më shumë se të dy vendet e një kombi së bashku ? 
  2. Përse armatoset deri në dhëmbë Serbia, (kryesisht nga Rusia, por jo vetëm) me Tanke; me 18 Mig-29, Helikopter luftimi Mi-35, sisteme raketash Pantsir-S deri 14 Milion €  dhe raketa FK-3, etj ? 
  3. Përse 3/4 e strukturave, kapaciteteve, infrastrukturave dhe e fuqisë ushtarake ofensive (jo mbrojtëse ..) janë dislokuar në kufijt shtetërorë të Republikës së Kosovës ?
  4. Edhe më thjeshtë, nga kush vend apo Aleancë ushtarake rrezikohet teresia teritoriale e Serbisë (?) ndërsa asnjë nga vendet që ndajnë kufij shtetërore me Serbinē nuk ka pretendime teritoriale (border disputes) ndaj Serbisë ?! 
  5. Së fundmi, intrgritetin  e kujt vendi sovran kërcënon Serbia ?

Thënë këto, besoj edhe më fortë që 5 pyetjet, po ashtu edhe reciprokisht 5 përgjigjet e sipërpërmendura janë të thjeshta, pa nevoj fare për të ricikluar mllefosjen bollshevike të të gjithë pushtetshmëve të radhës si dhe as oratorinë  Euroatlantike të të gjithëditurve.

Mesazhi 2: Ndërtimi i Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM); Balancat e Fuqisë Ushtarake dhe Roli USA dhe NATO-s mbetet: “faktorë me peshë thelbësore për paqen, zhvillimin ekonomik, stabilitetin demokratik dhe axhendën e integrimit të  Rajonit në BE“! 

Mesazhi 3: Ky vlerësim dhe këto këshilla:  “nuk janë specifikisht vetëm për Ballkanin e Hapur por për Proçesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTA ose/dhe me çdo emërtim tjetër”.

Mesazhi 4: e përsëris se bashkë me humbjen turpëruese të Luftës për pushtimin e Ukrainës, Rusia do të humb edhe peshën gjeopolitike në botë, në Ballkan, Mesdhe, etj. Për pasojë, do të diskretitohet edhe roli i Serbisë në Rajon, çka do të shërbejë si një një rrethanë e artë gjeopolitike për 4 vendet (Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia) për ta njohur zyrtarisht dhe për t’i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO por edhe si një këmbanë alarmi për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok mes vendeve te Rajonit në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqënien dhe besimin e qytetarëve në axhendën e integrimit në BE.

Mesazhi 5: për Autoritetet shtetërore dhe faktorët politik në Tiranë & Prishtinën zyrtare: “në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe interesave kombëtare për jetësimin e një plaftorme të përbashkët dyShtete Sovrane njëKomb i vetëm për çështjet e sovranitetit teritorial; të paqes,  stabilitetit në Rajon si dhe axhendën e integrimit Euroatlantik të 2 vendeve“! 

Në shtesë: “asnjë grosh nuk vlejnë as riciklimi i protagonizmit, as privatizimi politik i arritjeve dhe festave kombëtare; as triumfalizmi dhe propaganda bollshevike nga fuqia e të gjitha pushteteve” por veprat që flasin më fortë se miliona fjalë, vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia ndaj vendit, vizion afatgjatë dhe përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarëKombëtare; “besimi dhe bekimi” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n, etj”.

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,

Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO

Filed Under: Analiza Tagged With: Piro Ahmetaj

Në pikëllim si miliona shqiptarë…

August 3, 2022 by s p

Aleksander Çipa/

I nderuari dhe i dhembshuri Bledar Avdia ngushëllime!

Unë nuk ju njoh dhe ju nuk më njihni. Nuk ju kam takuar dhe nuk më keni takuar. Tashmë jemi takuar së bashku në një dhimbje, por jo në mënyrë të barabartë. Dhimbja juaj është e papeshueshme dhe dhimbja ime është e zakonshme, por edhe ajo e papeshueshme. Pasi, dhimbjet nuk kanë njësi matëse dhe nuk kanë peshore. Dhimbjet kanë vetëm rëndesë, në shpirt.

I dashur Bledar, sot për sot, ju jeni shqiptari më i prekur, prindi më zemërshpuar, ju jeni patrioti im më i pandihmueshëm dhe për këtë, kam një dhimbje që nuk e them dot me fjalë.

Ju jeni një prind që keni humbur gjënë më të shtrenjtë të jetës, dritën më dritë, të shpirtit dhe të familjes tënde, vajzën. Kjo është e pangushëllueshme. Ju erdhët në atdhe të respektonit atdheun krenarisht dhe të merrnit prej tij, atë që mund të dëshirojë të marrë një emigrant. Zgjodhe Bregdetin e jugut, sepse je ndër ata shqiptarë që e do atdheun skaj më skaj, e centimetër më centimetër. Një bir si Ti, mund të dojë e adhurojë kështu, pa hile e pa llogari, atdheun. Por more plagë. More një shpim të thellë në zemër që nuk ka kohë që ta shëron dhe nuk ka fjalë që ta lehtëson.!!!

I dashur Bledar, jam në pikëllimë si shumë e shumë dhe miliona shqiptarë, për dhimbjen tënde sot. Unë, diçka më tepër.

Sepse tragjedia jote, ndodhi në vendlindjen time Himarë. Askush nuk do ta donte dhe askush nuk mund ta mendonte. Ju erdhët në skajin jugor të Atdheut të merrnit diçka nga kënaqësia e peizazhit dhe natyrës shqiptare në jug të vendit. Gati katër dekada më parë, im At në rrethana dhe kushte krejt të ndryshme mori të njëjtën dhimbje dhe pësoi gati shëmbëllisht të ngjashmen tragjedi. Atëhere ai shkroi: ” Vijnë mandata/ s’ka kambanë/ s’gjendet qyqe për të qarë!” Shoqëria ka mbetur po ajo!

Filed Under: Analiza Tagged With: aleksander Cipa

Kryeministri Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg

August 3, 2022 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg. Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë. Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin.

Z. Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

Filed Under: Analiza

SHBA, KINA DHE RUSIA: FRONTET E SHUMTA DHE RREZIKU PËR TË BËRË LOJËN E XI E TË PUTINIT

August 3, 2022 by s p

Nga DANILO TAINO

Të përballohet një krizë që ka vështrime ushtarake është një sipërmarrje serioze. Të përballohen dy, tetëmijë kilometra larg njëra tjetrës, bëhet e paarritëshme. Tani Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar në këtë gjëndje: mundim i madh për të siguruar pavarësinë e Ukrainës, zotim i detyrueshëm për të mbështetur Taivanin. Vizita e Nancy Pelosit në Taipei ka hapur një tjetër front që duhet të mbarështojë Shtëpia e Bardhë: Joe Biden nuk do t’a kishte dashur, por tashmë që spikerja e Dhomës së Deputetëve ka arritur në ishull, nuk mund të mos mbrojë të drejtën e saj për të vizituar çfarëdo Vëndi që e mirëpret.

Problemi tashti është se mbifuqia amerikane është e mbingarkuar me zotime. Nga pikpamja ushtarake, e rezervave, e prapavijës, e politikës, e diplomacisë. E tepruar frikësohen në Washington, e tërhequr për së tepërmi. Është pikërisht ajo që Vladimir Putin e Xi jinping dëshirojnë: të zotojnë Shtetet e Bashkuara në më shumë kriza për të bërë të dukëshëm që zotërimi i tyre global është në fund e që nevojiten të tjera barazpesha ndërkombëtare. Që Pax (paqja) amerikane nuk ka më frymë për të vrapuar. Ukraina, Taivani, Lindja e Mesme me Iranin që i avitet armës bërthamore, Amerika Latine çdo javë e më e paqëndrueshme: zjarre të rinj ndizen në fortesat historike të Shteteve të Bashkuara.  

Nancy Pelosi ka plot të drejtë të vizitojë Taivanin e të takojë presidenten Cai Ing-wen. Nuk është Pekini ai që mund të hartojë rendin e saj të ditës e të detyrojë ndalimet. Por tani jemi përballë një hopi cilësor. Në vitet e fundit, veçanërisht që kur Xi Jinping është ngjitur në pushtet, më 2012, Kina ka kërcënuar dhe përfrikësuar shumë Vënde që nuk respektojnë vullnetet e saj politike, ka përdorur fuqinë, kryesisht ekonomike, për të ndaluar qëndrime të papëlqyera për të: mbi respektin e të drejtave njerëzore, mbi rolin e Dalai Lamës, mbi praktikat tregëtare, mbi përgjegjësitë në fillimin e mbarështimin e pandemisë të Covid-19. Fakti i ri është që tani zbaton të njëjtën metodë edhe kundrejt autoritetit të tretë institucional të mbifuqisë amerikane.

Udhëtimi i Pelosit nuk ka përmbajtje të mëdha politike konkrete. Ka një vlerë kryesisht simbolike për të pohuar mbështetjen e Kongresit amerikan demokracisë së lulëzuar të ishullit (e teta në botë dhe e para n’Azi për cilësi, simbas një treguesi të  përpunuar nga Economist Intelligence Unit). Xi do të kishte mundur t’udhëzonte antarët e Partisë Komuniste për të protestuar kundrejt vizitës në atë që Pekini e quan provincën e saj kryengritëse; nga ana tjetër do të duhej në teori të shmangëte një përshkallëzim të kërcënimeve e mobilizimeve ushtarake në tokë, det e qiell, t’a degradonte në një gjë të vogël udhëtimin e kryetares. Ndërsa ka ngritur tonet e veprimet si asnjë herë. Vizita është kthyer kështu në një krizë ndërmjet Pekinit dhe Washingtonit. Nancy Pelosi nuk mund të mos e parashikonte: këtu hyn ai që mjaft vëzhgues e quajnë një gabim gjykimi.

Një gjë është e drejta për të vizituar Taivanin. Një tjetër është leverdia politike për t’a bërë në këtë çast. Gjëndja ndërkombëtare është tejet e nderë, nuk ka arsye të dukëshme për të ushqyer tensionet. Është e vërtetë që agresiviteti gojor i Pekinit kundër Taivanit është shtuar shumë dhe gjuajtësit kinezë kanë hyrë  555 herë në Zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit në gjashtë muajt e parë të vitit. Por mbështetja e Taivanit kalon, më shumë se nga udhëtimet e zhurmëshme, nga garancia e Washingtonit për t’a mbrojtur e për t’a furnizuar me armë. Veç asaj Pelosi duhej t’a dinte se për Xi vizita do të kishte qënë një fyerje. Udhëheqësi kinez ka vënë në krye të listës së përparësive politike synimin për të bashkuar ishullin me mëmëdheun. Në vjeshtë do të përballojë kongresin e Partisë Komuniste që do t’i ripërtërijë  mandatin për të drejtuar Vëndin për të tretin pesëvjeçar të vazhdueshëm, gjë e pandodhur që nga Vitet Tetëdhjetë. Por arrin me një ekonomi të dobësuar, me protesta popullore të shkaktuara nga shkandullimet në sektorin e ndërtimeve të banesave, me një politikë të Zero-Kovid e ndalime të vazhdueshëm, gjithënjë e më pak të duruar nga kinezët. Pakënaqësitë në parti për gjëndjen e vështirë ekonomike e shoqërore do të ishin ndezur nëse Xi nuk do të kishte kundërvepruar ndaj belegut.

Tani, sido që të shkojë, kundërshtia që është hapur në Ngushticën e Taivanit i vë në një tension të mëtejshëm marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit e Pekinit. S’afërmi përbën rrezik përplasjesh e në kohë të gjata shpejton krijimin e blloqeve kundërshtare ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Çimentohet muri ndërmjet SHBA dhe Kinës. Dhe është një tjetër provë e aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të mbarështuar kriza që krijohen pa ndërprerë  në pjesë të ndryshme të botës. Me gjasë ky nuk ishte synimi i parë i kryetares Pelosi.

“Corriere della Sera”, 2 gusht 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

SFIDA DHE ZGJIDHJE PḖR MIRḖINTEGRIMIN EMIGRANTḖVE

August 2, 2022 by s p

Dr. Adriana Fishta-Bejko

Një vështrim i përgjithshëm i sfidave me të cilat përballen emigrantët.

Politika e emigracionit dhe procesi i integrimit, si dhe qasja ndaj fenomenit të emigracionit për vende të ndryshme është e ndryshme, dhe si rezultat i ndryshimeve të vazhdueshme shoqërore dhe politike integrimi i emigrantëve është subjekt i një sfide të vazhdueshme. Integrimi i emigrantëve është një problem gjithnjë e në rritje me të cilën përballen pjesa më e madhe e shteteve. Që pas 1945, demografia e botës ka ndryshuar dukshëm duke e ҫuar në afër    1 miliard numrin e emigrantëve në botë. Politika e emigracionit në Kanada është bazuar qartazi mbi parimet e multikulturalizmit dhe diversitetit, por është ndryshe të shohim ligjet në letër nga përvojat jetësore të emigrantëve në procesin e integrimit të tyre. Studimet në këtë fushë e konsiderojnë integrimin e arrirë të emigrantëve si një “zhvillimi i një qëndrimi të përbashkët, se si duam të jetojmë bashkë dhe në harmoni në një shoqëri multikulturore”. 

Çfarë kërkohet nga njerëzit që emigrojnë për t’u konsideruar të “mire-integruar ? Shtetet pritëse kërkojnë, para së gjithash, mësimin e gjuhës së vendit pritës, respektimin e rendit liberal demokratik dhe njohjen e historisë, gjeografisë, normave sociale dhe ligjeve të vendit. Këto janë premisat kryesore për të marrë pjesë në jetën e punës dhe arsimimin në vendet pritëse. E kjo përkon me dëshirën konkrete të emigrantëve për punë dhe shkollim. Aftësitë gjuhësore dhe respektimi i ligjeve shihen si gur themeli i integrimit. Por a mjafton kaq që një të emigrant të konsiderohet “i mirë-integruar”, kur ai flet gjuhen dhe respekton ligjet e vendit? Mbështetur në përvojat e emigrantëve në Kanada, i vetmi vend ku sfondi i emigracionit dhe multikulturalizmit sanksionohet edhe në kushtetutën e vendit, në dukje duket sikur emigrantët sigurojnë një integrim relativisht të lehtë, por në të vërtetë ai shoqërohet me shumë sfida. Sipas studjuesve të kësaj fushe, procesi i integrimit përfshin rregullimin e emigrantëve në vendin e zgjedhur si destinacion në të gjitha fushat, ekonomike, sociale, kulturore, politike dhe hapësinore. 

Sfida e parë në përpjekjet për t’u integruar me dinjitet në një vend të huaj është mësimi i thellë i gjuhës së vendit pritës me të gjitha nuancat dhe modalitet e saj. Njohja e përciptë e gjuhës është një pengesë e madhe në aftesinë për të komunikuar, e cila nga ana e saj sjell vështirësi të dukëshme në gjetjen e punës, në arsimimin e fëmijëve e të tjera, Këtu është vendi të theksojmë se edhe pritshmëritë për nivelin gjuhësor nga ana e atyre që emigrojnë janë shumë “interesante” dhe mjaftohen me nivelin minimal të njohjes së gjuhës. Shumë persona ose pretendojnë se e njohin gjuhën e vendit pritës pasi i janë nënshtruar një provimi standard (dhe qarkullojnë shumë anekdota që tregojnë për keqkuptimet që ndodhin në jetë) ose mendojnë se do t’a mësojnë gjuhen pasi të emigrojnë në atë vend. Realiteti që përjetojnë kur emigrojnë është shumë zhgënjyes për ta, pasi përballen me nevojën për të komunikuar apo për t’u krahasuar me nivelin gjuhësor të folësve vendas, ose u duhet menjeherë të gjejnë punë (shpesh herë edhe dy punë) për të përballuar nevojat ekonomike, gjë që nuk u jep kohën e nevojëshme për të ndjekur kurse për mësimin e gjuhës. Kësisoj, niveli i tyre gjuhësor pëson një stanjacion dhe mbetet ose në nivelin Fillestar (A2-B1) ose në rastin më të mirë, në nivelin Mesatar (B2-C1). Kjo situatë krijon një barrierë të veҫante në arritjet akademike apo profesionale në vendin pritës.

Sfida e dytë është gjetja e vendit të punës. Edhe në këtë fushë emigrantët janë në disavantazh pasi duhet përvehtësimi dhe zbatimi i ligjeve dhe kërkesave profesionale të vendit pritës. Duhet filluar nga e para procesi i njohjes së diplomave apo marrja e liҫencave sipas kërkesave të vendit pritës.  Gjithashtu, emigrantët duhet t’u nënshtrohen provime të ndryshme si për nivelin e gjuhës ashtu edhe për atë professional, gjë që i vendos në disavantazh të ndjeshëm në tregun e punës. Sfida e tretë është gjetja e një vendbanimi të përshtatshëm për familjen e tyre. Shumica e emigrantëve e fillojnë jetën në apartamente me qira, por e kanë të vështirë të përballojnë qiratë e larta. Për rrjedhojë, ata kërkojnë shtëpi me qira të ulta, por këtu hasen me një problem tjetër- shtëpitë me qira të ulta gjenden në zona problematike të qytetit, ku krimi është më i lartë dhe cilësia e shkollave më e ultë.

Sfida e katërt është kujdesi për shëndetin e tyre dhe të familjes. Shumë familje emigrante nuk kanë mundësi financiare të përballojnë ҫmimet e shërbimeve shëndetësore. Edhe në vende me shërbim shëndetësor social, siҫ është Kanadaja, jo të gjitha shërbimet mbulohen nga shteti falas. Si pasojë, ҫdo qytetar duhet të blejë siguracion shëndetësor dhe kjo i shtohet shpenzimeve të familjes, por sëmundjet nuk pyesin! Si rezultat, ndjenja e pasigurisë dhe ankthit i ndjek emigrantët në ҫdo hap të jetës së tyre.

Sfida e pestë është transporti në vendet pritëse. Të rritur në Shqipërinë tonë te vogël (vetëm 28000 km katror) dhe të emigrosh në një vend, si Kanadaja (9.98 milion km katror), të ndryshon komplet dinamikën e jetës. Si rezultat, transporti bëhet problematik, pasi distancat marrin një kuptim krejt tjetër. Emigrantët duhet të udhëtojnë distanca të gjata për të mbijetuar. Për të kursyer paratë e tyre të pakta, detyrohen ose të blejnë makina të vjetra (sepse kushtojnë me pak), ose të përdorin transportin public për orë të tëra. Të dy rastet përbëjnë sfida të veҫanta pasi –                a) në se blen makinë të vjetër, shpenzimet vazhdojnë sepse makina mund të prishet në rrugë apo duhet të njohësh rregullat e trafikut për të marrë patentën (të gjitha në gjuhë të huaj) ose b) do të harxhosh orë të gjata në transportin publik për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna.

Sfida e gjashtë është e lidhur me njohuritë për normat sociale dhe përshtatjen kulturore në vendi pritës, siҫ janë njohja e historisë dhe gjeografisë, njohja e rregullave për taksat, për patenten, rregullat e qarkullimit etj. …. Dhe numri i sfidave mund të vazhdojë pa fund.

Mirëintegrimi ështe zgjedhje personale dhe duhet parë me kujdes nga ҫdo individ.

 Megjithatë. shqiptarët mërgimtarë bëjnë shumë sakrifica për të mësuar sa më shumë që të integrohen me dinjitet në vendet pritëse. Pavaresisht nga arritjet positive, le për të dëshiruar pjesmarrja e tyre në veprimtaritë dhe organizatat e ndryshme profesionale, sociale apo bamirëse në vendet ku emigrojnë. Kjo ndodh për shume arsye siҫ janë mungesa e aftësive gjuhësore, mungesa e lidhjeve me vendasit, mungesa e kohës (pasi mërgimtarët duhet të bëjnë 2-3 punë të ndryshme etj.), distancat e largëta, por edhe mungesa e interesit për t’u përfshirë në këto organizata vendore apo ndërkombëtare.  

Rrugetimi im për t’u integruar në SHBA apo në Kanada (ku kam jetuar në 30 vite jashtë atdheut) është pak më ndryshe pasi unë nuk kisha probleme as me gjuhën dhe as me vendin e punës, sfida shumë serioze që kanë përballuar bashkëatdhetarët e mij të nderuar. Gjatë 30 viteve në mërgatë unë kam vazhduar të punoj në sektorin e arsimit, si në Shqipëri. Por edhe pse në të njëjtën fushë, rregullat, metodat e mësimdhënjes, komunikimi me studentët, hulumtimet shkencore, botimet dhe legjislacioni arsimor etj. duhej të mësoheshin nga e para pasi ishin krejt ndryshe nga ato të Shqipërisë. 

Për këtë qëllim, pas arritjes time në Kaliforni menjëherë iu nënshtrova sfidave të përballuara nga ҫdo emigrant- vlerësimi i diplomës, provimet e qytetarisë………..etj…dhe pjesmarrja në organizata profesionale.  Isha me fat që në vitin 1994 u pranova në organizatën e nderuar ndëkombëtare, DKG International Society, Distinguished Women Educators. Kjo është një organizatë ndërkombëtare mësuesesh shumë e njohur, me degë në këto vende anëtare:

United States, Canada, Norway, Sweden, Mexico, Finland, Guatemala, Iceland, The Netherlands, Puerto Rico, Great Britain, El Salvador, Costa Rica, Germany, Estonia, Panama, Japan

Kjo organizatë e themeluar në Texas, USA me 11 Maj, 1929 ka mision që  “Drejtueset e arsimit duher të influencojnë dhe të përmirësojnë arsimimin kudo në botë.” Duke qënë se ky është edhe misioni im në jetë, unë kam përfituar shumë nga pranija ime prej 3 dekadash në këtë DKG International. Një nga fondacionet e kësaj organizate, DKG International Educators Foundation (DKGIEF) ka si vizion dhe mision sponsorizimin e propozimeve për projekte që kontribojnë në edukimin dhe arsimimin e njerëzve kudo në botë pra, ndihmojnë për arsimimin bashkëkohor kudo në botë. Fondet për sponsorizime mbështeten plotësisht në donacionet që japin antarët për këto projekte. Kësisoj, antarësia ime në një organizatë profesionale si DKG International, mund të krijonte mundësi sponsorizimi për të ndihmuar sadooak në integrimin e emigrantëve shqiptar në shoqërinë kanadeze.

Që nga fillimet e tij në 1964, fondacioni DKGIEF ka dhënë miliona dollarë për projekte të cilat pasurojnë, përmirësojnë dhe nxisin mirëkuptimin ndërkombëtar dhe mësimdhënjen shembullore kudo neë botë. Menjëherë fillova punën për hartimin e ideve konkrete për një projekt që do të ndihmonte në integrimin me dinjitet të bashkëatdhetarëve në Kanada. Procesi i aplikimit dhe miratimit të  projektit të propozuar i nënshtrohet një vlerësimi shumë rigoroz dhe konkurenca për sponsoriz është shumë e madhe, sepse mund të propozohen me qindra projekte nga rreth 70000 antarë nga vende të ndryshme për vetëm disa sponsorizime vjetore që u dhanë për vitin shkollor 2022-2023.

Nëse pajisen nënat emigrante me njohurite e duhura gjuhësore dhe kulturore, ato do të bëhen pjesë integrale e shkollimit të fëmijëve të tyre.  ” Empowering immigrant women through improving English proficiency and cross-cultural literacy, helps them get involved in their children’s education.” 

Në hulumtimet e mija shkencore dhe në takimet me kolegë në konferenca të ndryshme rajonale apo ndërkombëtare, kisha vënë re se ekzistonte një “mit i heshtur” ndërmjet mesuseve të vendeve pritëse se “prindërit e fëmijëve emigrantë nuk interesohen për shkollimin e fëmijëve të tyre, pasi ato hezitojnë të vijnë në shkollë apo të angazhohen në veprimtaritë jashtëshkollore”. Si prind i fëmijëve emigrant dhe si pedagoge në fakultet mësuesije, ky mit vërtetë më shqetësonte, sepse isha e sigurtë që ky mendim i disa kolegëve të mij amerikan, anglez apo kanadez ishte plotësisht pa baza.  Në të njëjtën kohë, më shqetësonte edhe fakti që një mit i tillë mund  të rrezikonte edhe në aspektin etik të mësimdhënjes, pasi një mësues me mendime të tilla mund  t’i shikonte fëmijët e emigrantëve si fëmijë të një kategorie të dytë dhe vetë emigrantët si njerez që nuk vlerësonin arsimin dhe dijen. 

Për këtë arsye, kërkova që në një gjimnaz të qytetit ku jetoj të bëja një anketë me prindërit emigrantë dhe qëllimisht njëra nga pyetjet e anketës ishte, “ Pse vendosët të largoheshit nga vendi juaj?” Nga kjo anketë prisja të “zbuloja” dy gjëra; 

a) a do t’i përgjigjen prindërit emigrantë anketës time dhe 

b) sa % e tyre do të përmendnin mundësitë për shkollimin e fëmijëve të tyre si arsye për emigrimin e tyre. 

Për të ndihmuar prindërit, fletë anketa u përkthye në 17 gjuhët që fliteshin në atë shkollë. Përgjigjet e anketës vërtetuan katërcipërisht se “miti i heshtur”, i cili paragjykonte prindërit emigrant sikur ato nuk interesoheshin për shkollimin e fëmijëve të tyre, ishte plotësisht pa bazë dhe i gabuar. Rezultati i përgjigjeve të anketës ishte 

a) 97% e prindërve iu përgjigjen pyetjeve të anketës dhe 

b) 87% e prindërve u përgjigjen se arsyeja kryesore pse kishin emigruar ishte “ për të siguruar mundësi arsimim/jete më të mirë për fëmijët e tyre”. Këtu bënin përjashtim prindërit refugjat të cilët vinin si prioritet “ mbrojtjen dhe sigurinë e jetës”.

Megjithëatë, problemi ishte real – prindërit emigrant nuk ishin shumë të lidhur me shkollëen e fëmijëve rë tyre. Cilat ishin arsyet?

E “armatosur” me të dhënat e grumbulluara, fillova të mendoja se si mund të gjeja një mënyrë që edhe të ndihmoja komunitetin shqiptar në Calgary, Kanada dhe njëkohësisht të vërtetoja me baza shkencore se koncepti që prindërit emigrantë nuk interesohen për mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre në shkollë është sa i gabuar aq edhe rrezikon të krijojë premisat që disa mësues t’i trajtojnë me pa të drejtë si prindërit emigrant ashtu edhe fëmijët e tyre.

Ḗshtë një fakt i njohur që nuk mund të bëhet hulumtim shkencor pa shpenzime, pra duhej gjetur një mënyrë që të hartohej një propozim për një projekt që do të tërhiqte vëmendjen e një organizate që do të n’a sponsorizonte. Kështu lindi propozimi se nëqoftëse se ne i pajisim prindërit emigrantë me mjetet e duhura (gjuhën e vendit dhe njohuritë për sistemin) ato me siguri do të marrin pjesë aktive në veprimtaritë e shkollave të fëmijëve të tyre. Por së pari, duhej gjetur cilat janë arsyet që i pengojnë prindërit të marrin pjesë në veprimtaritë e organizuara nga shkollat e femijeve te tyre. Pas studimit të shumë artikujve  shkencor dhe eksperimenteve t ë botuara, unë arrita të identifikoj dy arsyet kryesore që i pengojnë prindërit emigrantë të shkojnë në shkollat e fëmijëve të tyre:

a) mungesa e aftësive komunikuese ne gjuhën e vendit pritës dhe 

b) mungesa e njohurive të kulturës, pritshmërive, rregullave dhe të filozofive të arsimit të vendit pritës. 

Këtej lindi edhe argumenti se, nëqoftëse ne jemi në gjëndje të përmirësojmë nivelin e njohurive gjuhësore dhe nivelin e njohjes së filozofive të edukimit të fëmijëve si dhe përgjegjësitë e prindërve ndaj shkollave të fëmijëve të tyre, ne do të ndihmojmë prindërit të jenë më aktiv në edukimin e fëmijëve të tyre dhe të hedhim poshtë “mitin e heshtur” për mungesën e interesit të prindërve emigrant për shkollimin e fëmijëve. Njëkohësisht, shqetësimi im është se në mënyrë të veҫantë gratë emigrante i kanë shumë të kufizuara mundësitë për t’u integruar pasi në shumë raste ato mbetën si shtëpiake, por në të njëjtën kohë, janë mamatë ato që merren më shumë me edukimin e fëmijëve të tyre. 

Një hulumtim i gjatë i bazuar në gjetjet e mësipërme solli temën për propozimin që dërgova në aplikimin që dërgova tek fondacioni DKG International Educators Foundation: ”Aftësimi i grave emigrante përmes përmirësimit të nivelit të anglishtes dhe njohjes së dy kulturave, i ndihmon ato në pjesmarrjen aktive në edukimin e fëmijëve të tyre”. (” Empowering immigrant women through improving English proficiency and cross-cultural literacy, helps them get involved in their children’s education”)

Ky propozim tërhoqi vëmendjen e vlerësuesve të këtij fondacioni pasi ky konsiderohet si një problem serioz, jo vetëm për emigrantët shqiptar, por për të gjithë emigrantët e shumtë dhe fëmijët e tyre që vazhdojnë të vijnë në Amerikë dhe Kanada. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2020 kishte 14.7 milion persona që aplikuan për të emigruar në Amerikë dhe në vitin 2019 14.4 milion. Normalisht, 707, 000 emigrantë hyjnë gjatë një viti në Amerikë, nga këto 4% vijnë me lotarinë amerikane. Si rezultat, sot në shkollat shtetëore amerikane ka 4.9 milion f(ESL) ëmijë që kanë nevojë për të mësuar gjuhën angleze. Vetëm në periudhën 2000-2022 ky numër është rritur me 1 milion fëmijë emigrantë në shkollat publike.

Situata në Kanada është shumë e ngjashme, pasi Kanadaja konsiderohet si një shtet që është krijuar nga emigrantët. Të dhënat zyrtare theksojnë se në vitin 2021 në Kanada për ҫdo 1000 banorë, 5.55 persona janë emigrantë. Sot politikat e emigracionit në Kanada theksojnë të pranojnë rreth 300000 emigrantë të rinj në vit, këto kuota janë më të lartat në botë në raport me popullsinë e këtij vendi. Për vitin 2022 Kanadaja ka si objektiv të sjellë 432000 emigrantë të rinj dhe këto numra pritet të rriten për vitet 2023 dhe 2024. Natyrisht, këta emigrantë sjellin me vehte edhe fëmijët e tyre dhe ky fakt rezulton në 30% të fëmijëve në shkollat kanadeze kanë nevojë të mësojnë anglisht. 

Kësisoj, propozimi për projektin tonë u aprovua dhe fondacioni do të sponsorizojë projektin për vitin shkollor 2022-2023.  Nëse, analistët e fondacionit do të vleresojnë pozitivisht raportet dhe rezultatet e arritura, ky sponsorizim do teë përsëritet për vitin 2023-2024.

Pjesëmarresit dhe detajet e projektit

Grupi i pjesmarrësve për këtë projekt përbëhet nga 10 nëna shqiptare fëmijët e të cilave mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe në shkollën “Foleja e Shqiponjave” në Calgary, Kanada. Procesi i formimit të këtij grupi është mbështetur në të gjitha standartet e studimeve stë mirëfillta shkencore. Drejtuesja e projektit u ofroi pjesëmarrjen në këtë studim shkencor 25 nënave dhe mori përgjigje pozitive nga 10 nëna, të cilat firmosën të gjitha dokumentet e duhura. 

Ky hap i parë në procesin formal të studimit u bë duke iu dërguar ftesë për pjesëmarrje kandidateve, ku u spjegoheshin detajet dhe përgjegjësitë e projektit (ruajtja e anonimitetit të pjesëmarrësve, përgjegjësia e pjesmarrjes në 80 orë mësimi në periudhën 12-mujore, studimi për rreth 400 orë të  tjera jashtë klasës, prezantimet për rezultatet, testimet fillestare dhe përfundimtare për nivelin gjuhësor në anglisht dhe njohjen e kulturës dhe sistemit arsimor në Kanada etj.) Pasi mblodhëm formularët e firmosur nga pjesëmarrëset, drejtuesit e projektit  ju dhanë ҫdo pjesmaresje: nga një pako me laptop, tekst për mësimin e anglishtes, mjete shkollore, etj.  Plani është që në fund të projektit, ҫdo pjesëmarrëse që do të ketë marrë pjesë, të paktën në 85% të aktiviteteve përfiton  ҫdo material të paketës, duke përfshirë edhe kompjuterin. 

Pjesëmarrëset janë përgjegjëse për: 

  1. testimin e nivelit gjuhësor në muajtë Qershor 2022 dhe Qershor 2023, 
  2. të marrë pjesë aktivisht në përvehtësimin e fjalorit, gramatikeë etj. të gjuhës angleze, 
  3. të plotësojë pyetësorin për inteligjencat shumëfishe, 
  4. të mbajë shënime në klasë dhe t’u bëjë pyetje prezantuesve kanadeze që do të flasin për veprimtarineëe shkollave dhe përgjegjësitë e prindërve në Kanada. 
  5. të prezantojë në grup pjesëmarrjen dhe përvojën e një veprimtarije në shkollën e fëmijës së saj
  6. të bëjë prezantimin përfundimtar të projektit duke përdorur edhe teknologjinë.

Koha e takimeve të grupit përkon me kohën kur fëmijët e tyre janë në shkollë për mësimin e gjuhës shqipe, kështu që nënat nuk duhet të sigurojnë baby-sitting për të marrë pjesë në kursin e anglishtes.  Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Calgary sponsorizon shpenzimet për klasën në të njëjtin lokal ku mësojnë fëmijët, dhe ne u jemi shumë mirënjohës shoqatës për mbështetjen pa rezerva. Takimet janë dy orë ditën e shtunë. 

Në orën e parë bëhet mësim i gjuhës angleze dhe në orën e dytë ndiqen prezantimet e specialistëve kanadez të arsimit. Këta specialistë janë drejtoresha shkollash, mësues, psikologë, antare të degës së DKG International në Calgary, të cilat do të  spjegojnë detajet e rregjistrimit, të fëmijëve në shkolla, komunikimi elektronik me shkollën, shërbimet që ofrohen nga sistemi arsimor, apo mënyrar për t’u angazhuar në shkollat e fëmijëve përmes “role play” apo “mock parent teacher interviews”. 

Në bazë të rezultateve të testimit të nivelit të njohurive të gjuhës angleze, rezultoi që shumica e pjesëmarrëseve në këtë projekt janë në nivelin intermediate (B2) dhe për këtë arsye u zgjodh që për kursin e gjuhës angleze të përdorej teksti #7 i serisë prej 8 librash për mësimin e anglishtes, “Fun English” me autore Dr. Adriana Fishta Bejko. Shkolla online “Dracana GPS” sponsorizoi shpenzimet për librat ($1200) si dhe mesuesit q ë do të ofrojnë 80 orë mësimi falas ($4000) për grupin e nënave shqiptare. Keto tekste dhe mësimdhënësit mbështeten në filozofinë e të mësuarit me bazë trurin (jo vetëm të kujtesës) duke e kthyer mësimin në argëtim ku në qendër është nxënesi dhe jo mësuesi. Kjo është një risi e sukseseshme në mësimin me bazë trurin.

 Grupi i pjesëmarrëseve është shumë heterogjen, pasi disa pjesëmarrëse kanë edukim të nivelit universitar, disa arsim ttë mesëm dhe ndonjë pjesmarrëse ka përfunduar vetëm arsimin 9-vjecar. Në grup kemi arkitekte, juriste, ekonomiste, shteëiake, etj.; por të gjitha pjesëmarreset kanë dy gjëra të përbashkëta – ato janë NENA dhe kanë si qëllim të ndihmojnë në shkollimin e  fëmijëve të tyre dhe duan që edhe vetë të integrohen me dinjitet në shoqërinë e vendit pritës.  

Përgjegjësia e fundit e nënave në këtë projekt do të jetë një prezantim me powerpoint për përvojën dhe arritjet gjatë projektit dhe të demonstrojnë se si të ndryshojmë nivelin e angazhimit në shkollat e fëmijëve tanë. Kjo veprimtari do të përfshije gjithë komunitetin shqiptar në Calgary dhe do të kthehet në një festë për te përgëzuar këtë arritje të pjesëmarrëseve.

Përfitimet për pjesëmarreset e këtij projekti janë të shumta. Ato:

  • Arrijnë nivelin Lower Advanced (C1) në njohuritë gjuhësore në gjuhën angleze;
  • Mësojnë se si të zbulojnë stilin e tyre të të mësuarit nëpërmjet pyetësorit të Inteligjencave shumëfishe. Këta njohuri do t’i përdorin për të zbuluar stilin e të mësuarit të fëmijëve të tyre;
  • Mësojnë gjuhën angleze në një nivel akademik;
  • Mësojnë si të komunikojnë lirshëm me mësuesit e fëmijëve të tyre;
  • Mësojnë kulturën kanadeze dhe sistemin arsimor në Kanada;
  • Përmirësojnë besimin tek vehtja për t’u integruar me dinjitet në shoqerinë e vendit pritës;
  • Mësojnë përdorimin e teknologjisë për të studjuar (jo vetëm për selfies apo facebook) dhe këtë aftësi ua transmetojnë edhe fëmijëve të tyre;
  • Fitojnë besimin për të folur në publik në gjuhë të huaj;
  • Jeta e tyre merr më shumë kuptim sepse i kanë vënë vehtes disa qëllime intelektuale;
  • Rritet niveli i besimit tek vehtja dhe respekti për vehten si dhe shpresa për të ardhmen;
  • Rritet niveli i angazhimit të tyre në mbarëvajtjen e shkollës shqipe
  • Krijohen shoqëri të reja, një fenomen që krijon komunitet të shqiptarëve në diasporë
  • Të gjitha këto arritje bëhen falas dhe pjesmarreëet do të ndjehen të afta për arritje të reja në jetë.

Plane për të ardhmen e nismave të tilla

Nëse të gjitha objektivat e këtij projekti arrihen dhe projekti konsiderohet i suksesshëm, fondacioni do të vazhdojë të sponsorizojë projektin edhe për një vit tjeter. Nëse ndodh kjo, pjesëmarrësve do t’u vihen detyra të tjera për të shpërndarë këtë përvojë në qytete të tjera të Kanadasë ose edhe më gjërë. Cdo veprimtari e përfshirë në këtë projekt fuqizon dëshirën për të kontribuar dhe për të ndihmuar të tjerët me punë vullnetare. Kjo përgjegjësi qytetare është një risi në psikologjinë tonë duke dhuruar kohën, përvojën, lekët, aftësitë për të tjerët që nuk janë me aq fat sa ne. 

Muajin e kaluar ne grumbulluam mobilje, kompjutera, mjete shkollore etj. për të ndihmuar në kompletimin e një klase të parë të një fshati në Shqipëri. Të tilla nisma janë jo vetëm ndihmë për të tjerët por n’a lartesojnë dhe frymëzojnë si individë dhe mbështeten tek vlerat pozitive, që sic thoshte Nënë Tereza “Të bëjmë gjëra të vogla me zemër të madhe”. Le të shpresojmë se ky projekt interesant të bëhet dallëndyshja e parë që do të pasohet nga shumë dallëndyshe të tjera. Sëbashku, MUNDEMI!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT