• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjykata Speciale – Njollë e zezë për drejtësinë ndërkombëtare

July 29, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Rrugëtimi ynë dy mijë vjeçar për liri, ishte sa i mundimshëm, tragjik, por edhe i lavdishëm. I mundimshëm, sepse kaluam kalvare të panumërta si popull, tragjik se shpesh ishim në zgrip të ekzistencës e i lavdishëm sepse bijtë më të mirë të kombit, udhëhoqën, luftuan dhe u flijuan për lirinë tonë, të cilën arritëm ta gëzojmë të plotë vetëm në dy dekadat e fundit, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe luftën e UÇK-së.

Por, 20 vjet pas përfundimit, tani si duket lufta për Kosovën, është zhvendosur nga fushëbetejat, në një rrafsh tjetër, jo më pak të rrezikshëm, pra në domenin historik, politik dhe juridik. Dhe kjo betejë ka një emër: Gjykata Speciale. Gjykimi i krerëve të UÇK-së, d.m.th, gjykim i historisë sonë, dështim i politikës sonë dhe një njollë e zezë në drejtësinë ndërkombëtare.

Si u formua Gjykata Speciale dhe nga kush? Në Serbi filloi iniciativa që të njollosej lufta çlirimtare e Kosovës, duke pasur si synim akuzimin e udhëheqësve të UÇK-së dhe këto akuza u fabrikuan dhe u projektuan nga shteti serb, duke mobilizuar të gjithë mekanizmat e vet, kështu serbët kërkonin edhe përkrahjen ndërkombëtare, të fillimisht e morën nga qeveria ruse dhe ajo kineze, dy qeveri me deficit në demokracinë e tyre të brendshme, por që në arenën ndërkombëtare, këto shtete, silleshin armiqësisht kundër Kosovës dhe lirisë se saj. Rusia vazhdoi më tej duke kërkuar përkrahjen e shteteve evropiane për këtë gjykatë.

Hapi tjetër i mirëorganizuar i diplomacisë serbe ishte konstrukti i një akuze që do të trondiste opinionin ndërkombëtar për fakte të paqena.

Dik Marti u gjet për t’u bërë spikeri i akuzave që ishin bërë në zyrën e shërbimit serb në bashkëpunim me rusët dhe ideologët pansllavistë. Ai grup i këshilltarëve të kriminelit S. Millosheviqit, që e këshilloi dhe bëri luftën dhe masakrat më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vënë prapë në veprim, pra ishte iniciativë e tyre kërkesa për themelimin e një gjykate, që nuk e gjen asgjëkundi në histori, për të gjykuar, në këtë rast, Kosovën, pra palën dëmtuar dhe të masakruar, shkaktuar nga brutaliteti i forcave kriminale të shtetit serb. Ky grup këshilltarësh, që frymëzimin e gjenin te intelektualët serbë që përfaqësonin nacionalizmin dhe hegjemonizmin shovinist serb, ani pse e dinin që e kanë humbur Kosovën, prapëseprapë, nuk do të ndalnin angazhimin agresiv dhe denigrues ndaj Kosovës, sepse siç do të deklaronte D.Qosiq: ’’Ne kurrë nuk duhet te heqim dorë nga financimi dhe përkrahja e serbëve për

të drejtën tonë për Kosovën’’. Këshillojnë shtetin serb që të punojë dhe të shpenzojë buxhet për të dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e prezantuar si shtet të dështuar dhe jo funksional. Serbët pasi që bënë projektin për një gjykatë që nga përshkrimi ngjan si një gjykatë e shteteve me diktaturë komuniste, ku fajtori dihet paraprakisht dhe vendimi merret ende pa u zhvilluar vetë gjyqi, pra e tillë është gjykata speciale.

Serbia synonte që akuzat e fabrikuara, përkatësisht gënjeshtrat duhet te jenë aq të tmerrshme kundër luftës së drejtë të UÇK-së, sa të shokonte opinionin ndërkombëtar, dhe, vërtet, ku mund të ketë gënjshtër më të turpshme se të akuzojnë një organizim për liri siç ishte UÇK-ja për “trafikim organesh”. Për këtë, pra ata kërkuan ndihmëmn e aleatëve të tyre ruso-kinezë, perkrahje që edhe e gjetën dhe e kishin gjatë gjithë konflikti ne hapësirën e ish-Jugosllavisë, por për çudi kjo iniciativë e këshilltarëve të Millosheviqit gjeti përkrahje edhe në administratën e presidentit Obama dhe kjo ishte për t’u çuditur, se sa i përket Evropës, nuk do të ishim çuditur fare, kur dihen qëndrimet e mëhershme evropiane në dëm të shqiptarëve, për t’i ushqyer apetitet ruso-sllave në Ballkan. Ata që më së shumti iu gëzuan formimit të Gjykatës Speciale janë qeveria serbe në bashkëpunim me aleatët saj rusët, si dhe lobi serb në Amerikë; këta të fundit përkrahën fuqishëm fushatën e Barak Obamës, ndërkaq si shpërblim morën përkrahjen e tij në politikën denigruese serbe në raport me Kosovën.

Konkludojmë se pas përfundimit të mandatit të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, presioni për ta formuar dhe vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ishte sui generis për drejtësinë ndërkombëtare, meqë qysh në fillim ishte konceptuar si gjykatë që do të ndiqte vetëm pjesëtarët e një kombi, në këtë rast shqiptarët, e si e tillë, paraqet një nonsens juridik, historik dhe politik, sepse është bazuar në paragjykim dhe fajësi a priori të luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës, për liri e pavarësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Lulzim Nika

NË KËTË DITË TË LUTEMI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

July 28, 2022 by s p

(Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane)

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Sot me 28 Korrik shënohet dita kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike (28 Korrik, 1922) midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Gjatë gjithë vitit është kujtuar ky vit jubilar i marrëdhënieve midis dy popujve tanë. Edhe unë në atë mundësinë time, jam munduar që gjatë këtij viti por edhe më përpara, të kujtoj data dhe personalitete, sidomos të botës politike dhe diplomatike amerikane të cilët, gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, kanë luajtur role kryesore në promovimin e këtyre lidhjeve.  Burra dhe gra që, vërtetë, kanë kontribuar gjatë 100-viteve të kaluara dhe që kanë merita të mëdha që këto marrëdhënie të ruheshin në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve dhe amerikanëve. Madje edhe gjatë periudhës së errët të komunizmit, të regjimit kriminal të Enver Hoxhës – kur nuk kishte asnjë kontakt midis dy kombeve tona.  Jam përpjekur që përveç këtyre mbështetësve të këtyre marrëdhënieve, shpesh të përmendi edhe viktimat e komunizmit të atij regjimi, atij regjimi i cili vrau, burgosi, pushkatoi për pothuaj 50-vjet – me gjygj dhe pa gjygj – dërgoi në kampe pune dhe kampe përqëndrimi dhe ndëshkime të tjera çnjerzore, me dhjetëra mijëra shqiptarë anti-komunistë. 

 Shumë prej tyre janë dënuar, se besonin në vlerat amerikane të lirisë e të demokracisë, shpeshherë, vetëm e vetëm, se përmendin emrin: Amerikë. E pësonin keq, vetëm e vetëm — se po të ishin me fat që të kishin ndonjë tranzistor (radio) të vogël — do të ishin kapur nga Sigurimi i Shtetit duke dëgjuar Zërin e Amerikës.  Zot na ruaj, për këta të mjerë që i kishin sytë nga Amerika, regjimi komunist i Enver Hoxhës rezervonte dënimet më të rënda. Këto viktima të pafajshme i priste dënimi me vdekje, për një fjalë goje: Amerikë ose Zëri i Amerikës. Vetëm e vetëm se ëndërronin një Shqipëri  të lirë e demokratike të vlerave amerikane dhe perëndimore – duke kundërshtuar, me gjithë fuqinë e tyre fizike dhe shpirtërore diktaturën komuniste të Enver Hoxhës.  Duke dhënë shpirt nga vuatjet dhe abuzimet shtazarake në duart e agjentëve kriminelë të Sigurimit të Shtetit enverist, shumë prej tyre kanë shkuar në atë jetë duke deklaruar fjalët e fundit: Rroftë Demokracia, rroftë Amerika, rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar!

Jam i bindur se sot në Tiranë, në këtë ditë të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare, disa tipa të politikës shqiptare që sundon sot atë vend, por edhe përfaqsues të diplomacisë perëndimore – do të përpiqen të tregojnë vetën si apostuj të këtyre marrëdhënieve të shënjta midis dy popujve tanë. E vërteta është se këta nuk kanë të bëjnë asgjë me këto marrëdhënie – përveç ndonjë përfitimi personal e partiak të rastit — dhe as me vlerat e vërteta amerikane të lirisë, demokracisë dhe të drejtësisë.  Sepse po të kishte drejtësi të vërtetë në Shqipëri, viktimat e komunizmit, të gjallë e të vdekur, do të trajtoheshin ndryshe. Mos përballja e klasës politike të Tiranës për 30-vjet tani me të kaluarën e komunizimit në atë vend, si dhe mos-vullneti moral dhe politik i klasës politike shqiptare 30-e sa vjeçare tranzitore, për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe barbarizmat ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist të Enver Hoxhës – shumë prej të cilëve ishin të njohur si pro-amerikanë – është, siç e kam thenë shpesh, diçka e pafalshme moralisht dhe politikisht, për një vend anëtar të NATO-s, në çerek shekullin e parë të shekullit XXI.   Frank Shkreli: Dita Shqiptare e Lirisë në Uestçester të Nju Jorkut dhe krimet e komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf

Thirrjet e shumë prej viktimave të komunizmit që ende jetojnë, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe thirrjet nga organizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut, që edhe Shqipëria t’i trajtojë viktimat e regjimit komunist enverist dhe periudhën komuniste sllavo-aziatike, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste të Evropës — kanë renë në veshë të shurdhër gjatë viteve e dekadave — jo vetëm të klasës politike “post-komuniste” shqiptare, por edhe përfaqsuesit diplomatikë perëndimorë kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për krimet e regjimit të Enver Hoxhës. 

Ndryshe nga propaganda e regjimit në Tiranë dhe ndryshe nga prononcimet dhe festimet e diplomatëve aktualë përendimorë sot, të cilët jam i sigurt do të marrin kredi – drejt për drejt ose tërthorazi — për të gjitha të mirat që vijnë nga marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, unë do të kujtoj sot në këtë përvjetor jubilar të 10-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, dhjetëra mijëra viktima të komunizmit, shqiptarë e shqiptare. Jo më me fjalë, se kemi parë gjatë viteve se fjalët bien në veshë të shurdhër të këtyre tipave që kanë gjetur jo vetëm një gjuhë të përbashkët ndaj kësaj çështjeje, por me heshtjen e tyre ndaj krimeve të regjimit enverist, mund të thuhet se edhe të huajt kanë adaptuar të njëjtin qëndrim moral ndaj viktimave të tij të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. 

Kështuqë, kur njerëzit me pushtet të kësaj bote — politikanë e diplomatë – i kanë harruar viktimat e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës, shumë prej të cilëve janë dënuar dhe kanë dhenë jetën për hir të besimit të tyre në Zotin, në vlerat amerikane, të drejtat e njeriut dhe në rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Për këto viktima të krimeve ç’njerzore të regjimit komunist, të cilat me qëndrimet e tyre në mbështetje të lirisë e demokracisë, besimit në Zotin dhe në vlerat amerikane – me besimin se të gjithë njerzit janë krijuar të barabartë nga Perëndia – në këtë ditë të 100-vjetorit jubilar të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të lutemi. Të lutemi, në mungesë të kujtimit të tyre nga pushtetarët e kësaj bote në këtë ditë – t’i lutemi të Madhit Zot – me një uratë që Papa Françesku ka shpërndarë sot gjatë vizitës së tij në Kanada për të kërkuar falje dhe “hetime serioze” por edhe për të shpehur “dhimbje, indinjatë dhe turp” për veprimet e shumë anëtarëve të Kishës Katolike në Kanada, të cilët kanë drejtuar shumicën e shkollave rezidenciale indigjene në Kanada,  Papa është në Kanada për të kërkuar falje për rolin e kishës në shkollat ​​që synonin asimilimin e fëmijëve indigjenë.  Vizita e Papës konsiderohet si hap i parë për një hetim serioz të shkeljeve dhe abuzimeve dhe si një përpjekje për të nxitur shërimin shoqëror në atë vend. 

Ja lutja e tij për rastin e dhimbshëm të viktimave indigjene në Kanada, por që i përshtatet edhe thirrjes për kujtimin e viktimave të harruara të komunizmit në Shqipëri – në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – viktima të cilat u dënuan dhe vdiqën pikërisht sepse besonin dhe promovonin këto marrëdhënie, përvjetorin e të cilave festojmë sot:  

E Mërkurë, 27 Korrik, 2022

“Unë jam sot këtu me ju për të kujtuar të kaluarën, për të vajtuar me ju, për të ulur kokat tona së bashku në heshtje dhe për t’u lutur përpara varreve. Le t’i lejojmë këto momente heshtjeje të na ndihmojnë të përjetojmë dhimbjen. Në heshtje dhe me lutje.

Duke u përballur me të keqen, ne i lutemi Zotit të së mirës, përballë vdekjes, i lutemi Zotit të jetës… Përpjekjet tona nuk mjaftojnë për të arritur shërimin dhe pajtimin: kemi nevojë për hirin e Perëndisë. Na duhet mençuria e qetë dhe e fuqishme e Shpirtit, dashuria e butë e Ngushëlluesit. Ai le të plotësojë shpresat më të thella të zemrës sonë! Le të na marrë për dore dhe të na japë mundësi të përparojmë së bashku në udhëtimin tonë.” (Papa Françesku)

Pa kujtimin, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve amerikano-shqiptare — të viktimave të komunizmit — heronjve të vërtetë të lirisë, të demokracisë dhe të vlerave amerikano-perëndimore — është sikur të festosh çlirimin e vendit, pa përmendur të renët në luftë.  Qoftë me lutje, qoftë me ndonjë shkrim modest, përpjekjet kundër komunizmit dhe nostalgjikëve të tij modernë në Shqipëri dhe kudo tjetër, do të vazhdojnë të jenë, siç është shprehur shkrimtari çek, Milan Kundera, “Një luftë e kujtesës kundër harresës”, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit.  Kjo, për derisa nostalgjikët e atij regjimi barbar dhe mbështetsit e tyre perëndimorë në Tiranë dhe gjetiu, të mos ndjejnë dhimbje, “në heshtje dhe në lutje”, siç u shpreh Papa Françesku në Kanada dhe për derisa nuk ka një përballim të drejt për drejt me të keqen e komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri, seriozisht dhe zyrtarisht! Më mirë vonë se kurrë!

 Pa një dënim zyrtar të krimeve të komunizmit enverist, ajo shoqëri nuk do të ketë as paqë as pajtim dhe as marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk do të jenë në nivelin moral e politik të vlerave amerikano-perëndimore që pretendohet sot — as në këtë përvjetor jubilar, as 100-vjet si sot.

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza

Kosova dhe SHBA-të nënshkruajnë Marrëveshjen e Kompaktit në vlerë prej 236.7 milionë dollarë

July 28, 2022 by s p



Në Kongresin Amerikan, në prezencë të Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti,  si dhe Ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollar.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vie pas përmbylljes së suksesshme të negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së.
 
Me këtë rast, Presidentja Osmani tha se: “Sot, SHBA-të, përmes MCC-së, rikonfirmuan mbështetjen e palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë për të na ndihmuar të avancojmë më tej në aspektin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm”.
 
Ajo po ashtu theksoi se si rezultat i zhvillimeve në fushën e sigurisë në Evropë dhe më gjerë, ndërhyrjet e shpejta dhe të zgjuara në sektorin e energjisë janë jetike dhe mund të kthehen në trashëgiminë më të rëndësishme të brezit tonë.
“Investimi 236.7 milionë dollarësh, është investimi më i madh energjetik në vendin tonë prej dekadash tashmë. Ky investim do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik duke mundësuar një integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në forcimin e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, ka thënë Presidentja Osmani.
 
Ndërkaq, shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, ka theksuar se: “Ky nënshkrim përfaqëson vazhdimin e një partneriteti të thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, dhe përkushtimin tonë për të punuar së bashku për të ndërtuar zgjidhje moderne, të energjisë së pastër nga të cilat do të përfitojnë afro 2 milionë kosovarë”.

Programi Kompakt do të jetë investimi më i madh në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës. Ky Program përfshinë tri projekte:

1. Investime në infrastrukturën e ruajtjes së energjisë
2. Zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe
3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Analiza

Marrëdhëniet e shqiptarëve me SHBA-të gjatë 100 viteve të fundit

July 28, 2022 by s p

Elmi Berisha/

Roli i SHBA në krijimin e shtetit shqiptar është më i rëndësishmi mbase edhe vendimtari tashmë i dëshmuar në analet e historisë botërore. Miqësia e kombit tonë me popullin dhe shtetin amerikan ka traditë mbi 100 vjecare. Jemi të bekuar si komb që kjo miqësi vazhdon, po forcohet dita ditës dhe jo rastësisht shqiptarët janë aleat natyrorë dhe partner strategjik i SHBA-ve.

Më lejoni që ta bëjë një përmbledhje të shkurtër historiko – kronologjike të ndërtimit të marrëdhënieve shqiptaro amerikane dhe marrëveshjeve zyrtare bilaterale që janë të rëndësishme për historinë e raporteve dhe miqësisë në mes dy popujve dhe shteteve.

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri, u vendosën për herë të parë në vitin 1922. Po atë vit do të pasojë njohja e ndërsjellë mes shteteve.

Në një telegram të 25 korrikut 1922, Sekretari i Shtetit, Charles Evans Hughes, informoi Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, se më 28 korrik 1922, Blake “mund t’i dërgojë Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.”

Marrëdhëniet diplomatike u vendosën më 4 dhjetor 1922, kur i dërguari i jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë Ulysses Grant-Smith i dorëzoi kredencialet qeverisë së Shqipërisë në Tiranë.

Miqësia Shqipëri – SHBA do të forcohet edhe me akte të tjera zyrtare ku shifet një kujdes i shtuar i administratës amerikane për shqipëtarët në atë periudhë të rëndë historike për kombin tonë. U nënshkruan traktate dhe marrëveshje të rëndësishme bilaterale.

Në vitin 1922 SHBA-të i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve statusin e kombit më të favorizuar. Përpara njohjes së ndërsjellë zyrtare, komisioneri amerikan Maxwell Blake shkëmbeu nota me Presidentin e Këshillit dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Xhafer Upi për të siguruar statusin e ndërsjellë të kombit më të favorizuar në traktatet e ardhshme tregtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Do pasojnë edhe veprime tjera të shtetit amerikan edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Themelimi i Trupës për Asistencë shtesë dhe Ndihmë me 1945, tregon kujdesin e shtuar amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve përkundër orientimit kah lindja dhe sistemi komunist nga lidershipi i Shqipërisë së atëhershme.

Pas dëbimit të trupave pushtuese italiane dhe gjermane nga grupet nacionaliste shqiptare, Shtetet e Bashkuara nënshkruan një traktat me autoritetin ushtarak shqiptar duke premtuar furnizime ndihme nëpërmjet operacionit ushtarak. Përkundër instalimit të sistemit monist dhe dictatorial në Shqipëri, SHBA vazhduan angazhimet e tyre për interesin nacional të shqipëtarëve.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë ad interim dhe i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha:

“Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Udrou Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës.

Shqipëria kishte hyrë në rrugën e demokratizimit, pluralizmit dhe orientimit pro-perëndimor dhe euro-atlantik. Fillim vitet e nëntëdhjeta do të jenë sfidë dhe përpjekje titanike të pjesës tjetër të kombit tonë që kishte ngelur jashtë Shqipërisë administrative. Kosova dhe populli i sajë kishin filluar lëvizjet e fuqishme për liri, demokraci dhe mvetësi. Lëvizja e madhe për Liri dhe Pavarësi e prirë nga intelektuali dhe dijetari erudit Dr. Ibrahim Rugova do të bëjë një kthesë të madhe politike, juridike, kushtetuse por edhe orientim të ri të politikës shqiptare në raport me vlerat civilizuese evropiane dhe në vecanti në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik me SHBA-të.

SHBA-të që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta kishin përcjellë me vëmendje ngjarjet në Kosovë dhe ish Jugosllavi, shkeljen e të drejtave elementare dhe shtypjen sistematike që regjimi serb bënte mbi shqiptarët shumicë dhe autokton.

Rezoluta e parë për Kosovën dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve u miratua në vitin 1986 në Kongresin Amerikan. Pas ngjarjeve të vitit 1989 dhe tensionimit të situatës atje, prapë SHBA-të do të të jenë në krah të shqiptarëve. Vizita e senatorëve dhe kongresmenëve amerikan në krye me senatorin Dole, shënon hapin e parë dhe historik të marrëdhënieve Kosovë SHBA. Kërcënimi i Kërshendellave i Presidentit Bush në vitin 1992 drejtuar diktatorit Millosheviq se po kalove vijën e kuqe në Kosovë do tëpërballesh me SHBA-të, shënon arritje kulminante në marrëdhëniet dhe partneritetin strategjik në mes të shqiptarëve dhe SHBA-ve. Vetëm shtatë vite më vonë ai zotim i Presidentit Bush do të realizohet në praktitkë me 24 mars 1999 kur aleanca më e fuqishme ushtarake në planet NATO sulmon soldateskën serbe dhe e dëbon përfundimisht nga Kosova.

Liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do të arriheshin pa ndihmën e pazëvëndesueshme të SHBA-ve por edhe të shqiptaro-amerikanëve që bënë një punë titanike dhe kishin një rol kyq në këtë proces madhor për kombin tonë. Organizimi politik, konsolidimi, artikulimi i kërkesave në koordinim me udhëheqjen legjitime të shqiptarëve të Kosovës të prirë nga Presidenti Rugova, shënon një periudhë të ndritshme, efektive dhe me objektiva të qartë ne realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Shqiptaro amerikanët pa dallim u bënë urë e fuqishme me institucionet dhe qendrat vendimarrëse që sollën 24 Marsin 1999 dhe 17 shkurtin 2008 që është ngjarja më e rëndësishme kombëtare pas 28 nëntorit 1912.

Duke qenë akter dhe veprimtarë i kësaj periudhe, një falendërim i madh ju shkon të gjithë burrave dhe grave të komunitetit tonë për një angazhim të jashtëzakonshëm në arritjen e aspiratës kombëtare të popullit të Kosovës. Në analet e historisë më të re kombëtare, angazhimi i shqiptaro – amerikanëve për kauzën e Kosovës 1990 – 2008 do të shënohet me shkronja të arta se cfarë janë në gjendje të bëjnë bijtë dhe bijat e një kombi të lashtë për lirinë e mëmëdheut dhe trungut kombëtar. Të gjitha këto angazhime dhe përpjekje që nga organizimi, solidariteti, financimi i jashtëzakonshem dhe në kontinuitet i Lëvizjes për Liri dhe Pavarësi të Kosovës, kanë emra dhe personalitete të shquara nga komuniteti ynë por edhe nga establishment politik dhe institucional amerikan. Por një emër i përvçem është i veçantë dhe i pakrahasueshëm në këtë kauzë, ai është Xhim Xhema, një personalitet që për gati katër dekada nuk kurseu asgje për kauzën tonë të shënjtë kombëtare. Senatori Dole dhe Xhim Xhema, janë sinonime dhe ikona të angazhimeve të jashtëzakonshme për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Lirija e Kosovës me 12 qershor 1999, vjen me sfidat e reja të rindërtimit, aspekteve ekonomike dhe sociale në Kosovë por edhe sfidave serioze politike për jetësimin e shtetit të Kosovës. Edhe në këtë periudhë shqiptaro – amerikanët dhe miqët amerikanë do të jenë në krah të Kosovës. Kisha nderin që isha pjesë e angazhimeve të rëndësishme si këshilltar dhe përfaqësues i Presidentit Rugova pranë Zyrës së senatorit Dole. Angazhimet politike, lobimi dhe ndikimi te qendrat vendimarrëse, nën përkujdesjen e senatorit Dole dhe mbështetjes së madhe nga Xhim Xhema do të rezultojnë me hapa konkret dhe veprime të kjarta të administratës amerikane lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.

Vizita e Presidentit Bush Junior në Shqipëri në vitin 2007 dhe deklarata e tij se Kosova do të jetë e pavarur, padyshim që do të mbetet një deklaratë historike në analet e marrëdhënieve në mes të dy kombeve.

Më lejoni që në fund të kësaj fjale të konkludoj se 28 nëntori i vitit 1912 dhe 17 shkurti i vitit 2008, nuk do të realizoheshin pa ndihmën dhe përkujdesjen e çmuar të SHBA-ve dhe popullit mik amerikan si dhe shqiptaro-amerikanëve që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të punojnë pa u ndalur për kauzat dhe interesat kombëtare në përgjithësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elmi Berisha

FJALA E AMBASADORES SË SHBA KIM NË CEREMONINË E 100-VJETORIT TË DITËS KUR SHBA DHE SHQIPËRIA VENDOSËN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE

July 28, 2022 by s p

President Begaj, Kryeministër Rama, Ministre Xhaçka, ish Presidentë, ish Ministra të Jashtëm, të nderuar miq: Si sot një shekull më parë – disa vite pasi Presidenti Woodroë Wilson deklaroi në Konferencën e Parisit se Shqipëria duhet të jetë një komb i pavarur dhe sovran – komisioneri amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, pati nderin t’i përcjellë kryeministrit Xhafer Ypi njohjen zyrtare të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Me njohjen e njëra-tjetrës si shtete në 28 korrik 1922, Amerika dhe Shqipëria ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë ndër breza. Gjatë ditëve më të errëta të komunizmit, ai pishtar i shenjtë u ruajt nga shqiptarët dhe amerikanët, i fshehur por pa u lejuar kurrë që të shuhet. Ne që jemi mbledhur sot këtu kemi nderin e madh ta trashëgojmë atë pishtar dhe ta mbajmë atë më lart, duke bërë që ai të ngrohë miqësinë mes popullit amerikan e shqiptar dhe të ndriçojë rrugën përpara shtegut tonë të përbashkët si aleatët më të ngushtë. Ndërsa shënojmë një shekull marrëdhëniesh diplomatike, e shfrytëzojmë këtë rast për të nderuar të gjithë amerikanët dhe shqiptarët që erdhën para nesh dhe kontribuan për partneritetin SHBA-Shqipëri, sidomos ata shqiptarë të cilët paguan për lirinë dhe miqësinë me jetët e tyre. Shumë ka ndryshuar në 100 vjet, por ja çfarë mbetet e pandryshuar dhe e vërtetë: Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë nga besimi në një Shqipëri të pavarur dhe sovrane.  Ne nuk jemi lëkundur kurrë nga besimi tek ju. Ne nuk jemi lëkundur kurrë nga besimi në miqësinë tonë. Ne ishim krenarë që ju mbështetëm kur këputët vargonjtë e diktaturës komuniste në vitin1991; krenarë që mbështetëm aplikimin tuaj për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2009; krenarë që ndoqëm udhëheqjen tuaj si Kryesues në detyrë të OSBE-së në vitin 2020; krenarë t’ju mirëprisnim si partner anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në janar të këtij viti; dhe krenarë të festojmë me ju këtë muaj ndërsa filluat zyrtarisht negociatat për të zënë vendin tuaj të merituar si një komb i begatë dhe demokratik brenda familjes europiane. Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë – dhe ne nuk do të lëkundemi kurrë – nga mbështetja e aspiratës së popullit shqiptar për sovranitet, demokraci, begati dhe drejtësi. Ndërsa festojmë 100 vjet së bashku, sot kam nderin të ndaj me ju mesazhet e dy presidentëve amerikanë: George W. Bush, Presidenti i parë amerikan në detyrë që vizitoi Shqipërinë dhe Presidenti Biden, i cili ka një vend të veçantë në zemrën e tij për popullin shqiptar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT