Bujar Leskaj/
34 vite më parë, mësuesi poet, Havzi Nela, u var në litar në 10 Gusht 1988.
Trupi i tij u mbajt gjithë ditën i varur në qendër të qytetit të Kukësit.
Qëllimi ishte të terrorizonin të mëdhenj e të vegjël.
Por e keqja s’kishte fund.
Trupin e tij e morën dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri.
Havzi Nelës i privuan mundësinë për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit.
Qëndroi në atë mënyre për pesë vite e dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.
34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë ende debatojmë për krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.
34 vite më pas, Shqipëria postkomuniste ende vazhdon të vuajë nga ata që dënuan, firmosën e varën Havzi Nelën.
34 vite më pas, edhe pse jemi anëtarë të NATO-s dhe vend kandidat për BE, bijtë e etërve komunistë, ndoshta më të sofistikuar, por po aq të ligj, antinjerëzorë, antishqiptarë e vrasës sa etërit e tyre deklarojnë se prindërit e tyre ishin “Në anën e duhur të Historisë!”