
Akademia e Shkencave të Shqipërisë
Para pak ditësh doli në qarkullim libri i prof. dr. Irakli Koçollarit me titull: “Operacione Sekrete – Shqipëria nën Luftën e Ftohtë”, në dy vëllime.
Botimi trajton operacionet sekrete të organizuara nga disa agjenci të inteligjencës perëndimore në periudhën e viteve 1948-1956, të cilat synuan të përmbysnin qeverinë e Hoxhës. Ato renditen të parat operacione klandestine në tërë historinë e Luftës së Ftohtë. Për dështimin e tyre është shkruar nga shumë autorë perëndimorë duke iu referuar vetëm fondeve arkivore të agjencive amerikane dhe britanike, pa pasur mundësinë që këto burime të Konfrontoheshin me dokumentacionin e Sigurimit të Shtetit.
Pothuaj të gjitha botimet e gjysmë shekullit të kaluar, mes tyre shumë “bestseller”, kanë arritur në konkluzionin se shkak i dështimit të operacioneve të mësipërme, nën emërtesën e koduar ”Bgfiend” (CIA) dhe “Valuable” (Shërbimi Britanik), ishte oficeri i shërbimit sekret britanik të zbulimit, Kim Harold Filby, i cili prej vitesh ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik. Duke pasur dijeni për operacionet në tokën shqiptare, është pretenduar se Kim Filby i kalonte informacionet për këto ngjarje sovjetikëve dhe këta të fundit ndihmonin shqiptarët në asgjësimin e grupeve të agjentëve që infiltroheshin në tokën shqiptare.
Për herë të parë, dy vëllimet e Koçollarit që mbështeten, jo vetëm në dokumentacionin e CIA-s të MI 6, KGB-së, në botimet e shumta të autorëve perëndimorë dhe lindorë, por edhe në fondet arkivorë të Shërbimit Sekret Shqiptar, provojnë të kundërtën e pretendimeve të ngritura gjer më tani. Përmes dokumenteve autentike, konfrontimit dhe ballafaqimit të informacioneve të Shërbimeve perëndimore me ato shqiptare, dëshmive të protagonistëve të ngjarjeve rrëzohet tërësisht alibia Filby dhe konfirmohet fakti se shkak i dështimeve të operacioneve të bujshme ishin kurthet e ngritur nga kundërzbulimi shqiptar, informacionet e shumta nga populli si dhe vendosmëria e punonjësve të thjeshtë të strukturave të inteligjencës shqiptare për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit.
Megjithëse më pak se një muaj, nga koha e daljes në qarkullim të këtij botimi, diplomati i njohur amerikan, Ambasadori Frank Wisner Jr., (përfaqësuesi i grupit negociator për palën amerikane në Rambuje, dhe i biri i ish zv. drejtorit të CIA-s, Frank Wisnerit, njeriu që ideoi dhe drejtoi operacionet kundër qeverisë së Tiranës), ka bërë këtë vlerësim për botimin:
Ambassador Frank G. Wisner*
International Affairs Advisor
Ne New York, USA
“I read the short summary of your book on “Secret Operations…” with rapt attention and was spell bound.
You put the Philby myth to rest.
Thank you and good wishes.”
“E lexova me një frymë përmbledhjen
e librit tuaj “Operacionet sekrete…”
dhe u magjepsa.
Ju shuani përfundimisht mitin e Philby-t. Faleminderit dhe urimet më të mira.”
*Ambasador Frenk Uizner është diplomat i njohur dhe këshilltar për çështjet ndërkombëtare. Është njeriu që drejtoi delegacionin amerikan në bisedimet e Rambujesë dhe ndikoi në vendimet krushiale për pavarësinë e Kosovës.)
Ndërsa gazetari i njohur i revistës “TIME”, shkrimtar dhe historian i botimeve të shumta për Luftën e Ftohtë, Duglas Waller, shkruan:
“Ambasadori Frank Wisner me dha përmbledhjen në anglisht të librit tuaj “Operacione sekrete – Shqipëria nën luftën e Ftohtë”. U impresionova pa masë (I was tremendously impressed) me kërkimet dhe hulumtimet që ju kini bërë në fondet e arkivave shqiptare…. Urimet më të ngrohta për këtë libër që ka qenë aq i vështirë të kërkohej nëpër arkiva dhe të shkruhej. Unë do t’i referohem në botimet e mia të ardhme asaj çfarë ju sillni. Ju falënderojmë për të gjitha.”