• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë thotë Herodoti për Egjiptasit?

June 4, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Gjatë udhëtimit në Egjipt, Herodoti shkroi shumë mbi egjiptasit dhe zakonet e tyre:

“Përpara se Psametichu të bëhej mbret i Egjiptit, Egjiptianët besonin se ishin njerëzit më të vjetër në tokë. Por kur Psammetichu u bë mbret dhe dëshironte të zbulonte se cilët njerëz ishin më të vjetërit, ai gjeti se Frigjianët ishin më të vjetër.

Kudo tjetër, priftërinjtë i mbajnë flokët e tyre të gjata; në Egjipt, ata janë të rruar. Për të gjithë burrat e tjerë, rregulli në zinë për të vdekurit është që më të afërtit t’i rruajnë kokat, por pasi varrosin te vdekurin i lënë flokët dhe mjekrën të rriten. Egjiptianët janë të vetmit njerëz që mbajnë kafshët e tyre me vete në shtëpi. Ndërsa të gjithë të tjerët jetojnë me grurë dhe elb, është turpi më i madh për një egjiptian të jetojë kështu; ata bëjnë ushqim nga një bimë që prodhon kokrra më të mëdha se gruri, që disa i quajnë spelt.

Egjiptianët shkruajnë dhe llogarisin nga e djathta në të majtë; dhe përdorin dy lloje shkrimi; njëri quhet i shenjtë, tjetri demotik.

Egjiptianët ishin njerëzit e parë që llogaritën me vite dhe e bënë vitin të përbëhet nga dymbëdhjetë ndarje. Ata e zbuluan këtë nga yjet (kështu thanë ata). Duke llogaritur tridhjetë ditë për secilin nga dymbëdhjetë muajt, ata shtojnë pesë ditë në çdo vit dhe kështu rrethi i përfunduar i muajve është bërë në përputhje me kalendarin.

Ashtu si egjiptianët kanë një klimë të veçantë për veten e tyre dhe lumi i tyre është i ndryshëm në natyrë nga të gjithë lumenjtë e tjerë, po ashtu ata kanë vendosur zakone dhe ligje në pjesën më të madhe të kundërta me ato të pjesës tjetër të njerëzimit. Gratë blejnë e shesin, burrat rrinë në shtëpi dhe thurin; dhe ndërsa në thurje të gjithë të tjerët e shtyjnë pëlhurën lart, egjiptianët e shtyjnë atë poshtë. Burrat mbajnë mbulesë mbi kokat e tyre, gratë mbi supet e tyre.

Ata janë fetarë jashtë mase, më shumë se çdo popull tjetër; pinë nga gota bronzi, të cilat i pastrojnë çdo ditë; këtë e bëjnë jo disa, por të gjithë. Ata janë veçanërisht të kujdesshëm që gjithmonë të jenë të sapolarë; dhe praktikojnë rrethprerjen për hir të pastërtisë, sepse preferojnë të jenë më të pastër se sa më të shumë. Priftërinjtë e tyre rruajnë të gjithë trupin çdo dy ditë, në mënyrë që të mos i pushtojnë morrat ose ndonjë gjë tjetër e keqe, ndërsa kujdesen për perënditë.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

Propozimi i Joseph J.DioGuardit për të shpëtuar Butrintin

June 2, 2022 by s p

Joseph J. DioGuardi i shkruan Kryeministrit të Shqipërisë Propozimin e tij për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Butrintit.

Re:  Propozim për menaxhimin shqiptar të Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit

Z. Rama,


Edhe pse s’jemi takuar kurrë, as në Nju Jork dhe as në Tiranë, ne kemi shkëmbyer mesazhe disa vjet më parë për Dekretin grek të Gjendes së Luftës me Shqipërinë.

Po ju shkruaj lidhur me përpjekjet e AADF-së për të shtënë në dorë menaxhimin apo administrimin e Butrintit.  Jam shumë i shqetësuar nga kjo shmangie e hapur nga një entitet amerikan, siç është AADF-ja, e politikave konsistente të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara lidhur me detyrimin sovran të një shteti për të menaxhuar parqet kombëtare të vendit të vet.  

Mund t’ju them se i kam shkruar Drejtorit të UNESCO-s si dhe organizmave të tjera përkatëse. Po ashtu, kam informuar Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar për këtë situate të pakëndshme, si dhe synoj të punoj sëbashku me miqtë e mi në Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të SH.B.A.-së për të hedhur dritë dhe për të kërkuar llogaridhënie e transparencë, përfshirë përmes dëgjesave publike, për të largim të pashembullt prej AADF-së nga politikat e SH.B.A.-së. 

Megjithatë, mendoj se mund të gjendet një rrugëdalje poziitive nga situata, me kusht që qeveria tuaj të tërheqë projektligjin që do të finalizonte marrjen në dorë nga AADF-ja të menaxhimit të Butrintit.

Për këtë nuk kam aspak ndërmend modelin “e ri”, hibrid,për menaxhimin e Butrintit që Majkëll Granof thotë se kinse “do t’ia japë tërë botës”. 

Nuk kemi pse të rishpikim rrotën. Përndryshe kam ndërmend modelin amerikan, të ndërtuar nga Presidenti Theodor Ruzevelt, sipas të cilit parqet tona shumë të çmuara dhe unikale menaxhohen vetëm dhe ekskluzivisht nga populli amerikan përmes Shërbimit Kombëtar të Parqeve [National Park Service – NPS]. Sikurse e dini, ne nuk lejojmë fondacione private që të menaxhojnë parqet tona kombëtare. 

Zgjidhja me të cilën do të fitonin të gjithë [win-win] do të ishte një binjakëzim ose motërzim midis Parkut Kombëtar të Butrintit dhe një Parku Kombëtar Amerikan që është njëkohësisht edhe Vend i Trashëgimisë Botërore, dhe janë mëse një duzinë syresh në mbarën Amerikën..

Ju ose Ministrja tuaj e Kulturës, znj. Margariti, mund të zgjedhin një nga lista e Parqeve Kombëtare të SH.B.A.-së në fund të letrës sime, dhe ne mund të punojmë bashkë që të ndërtojmë një program të posaçëm motërzimi midis Butrintit dhe atij Parku Kombëtar Amerikan. Megjithatë, mund t’ju them se një urë bashkëpunimi midis Parkut Kombëtar të Butrintit dhe Shërbimit Kombetar të Parqeve [NPS] është ndërtuar qysh së paku në fillim të viteve 2000, kur drejtues të Parkut Kombëtar Jellouston  [Yellowstone National Park] dhe Parkut Kombëtar të Luginës së Vdekjes [Death Valley National Park] vizituan Butrintin dhe shkëmbyen përvojë dhe dijenitë e praktikat e tyre me kundërpalën shqiptare.  

Përmes këtij programi solid motërzimi nën mbikqyrjen e NPS-së midis Butrintit dhe një Parku Kombëtar të SHBA-së që mund të zgjidhni, praktika motërzimi këto që Shërbimi Kombëtar i Parqeve i ofron në mbarë botën, shqiptarët do të kenë në dorë menaxhimin e vetëm dhe ekskluziv të Butrintit – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe modelit të SH.B.A.- – ndërsa Shërbimi Kombëtar i Parqeve do të ndajë përvojë, dituritë dhe praktikat e veta me kundërpalën shqiptare. 

Por cili do të jetë roli i AADF-së? Unë do t’i kërkoj USAID-it që t’i japë direktivë Bordit të AADF-së që ta japë si një grant, dhe pa kurrfarë kushti ndaj Shqipërisë mbështetjen financiare tashmë të premtuar prej rreth 5 milion dollarësh nga llogaria e tyre shumë e madhe, në favor të këtij motërzimit midis Butrintit dhe Shërbimit Kombëtar të Parqeve. AADF-së nuk do t’i lejohet të ndërhyjë në asnjëlloj mënyre, mase ose forme në menaxhimin e Butrintit..

Mirëpo përsëri, parakusht për gjithë sa më sipër është që qeveria tuaj të anullojë marrëveshjen me AADF-në dhe të tërheqë projektligjin përkatës që ndodhet përpara Kuvendit të Shqipërisë.  

A do ta bëni dot ju këtë gjë?

Më duhet të shtoj se do ta informoj qeverinë e Shteteve të Bashkuara si dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara për çdo përpjekje të mëtejshme të AADF-së për të shtyrë qeverinë tuaj që ta mbyllë sa më parë këtë marrëveshje të keqe, ose për ushtrimin e trysnisë ndaj Kuvendit të Shqipërisë që ta votojë e ta miratojë projektligjin. Për arsyet e shpjeguara më lart, marrja në dorë e menaxhimit të Butrintit nga ana e një entiteti të Shteteve të Bashkuara paraqet rreziqe të konsiderueshme reputacionale për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, prandaj një gjë e tillë nuk mund të lejohet.

Sa i takon Shqipërisë, është thjesht e paimagjinueshme që një vend që po mbush 110 vjet pavarësi të jetë i paaftë që të menaxhojë parqet e veta kombëtare. Mirëpo kjo është edhe publicitet negativ edhe për 100 vjetorin e marrëdhënieve SH.B.A. – Shqipëri për shkak të përpjekjeve të një entiteti amerikan që të shtjerë në dorë menaxhimin e xhevahirit të kurorës së historisë, kulturës dhe turizmit shqiptar. 

Për të gjitha arsyet e mësipërme, sugjeroj që t’i jepni vëmendjen e menjëhershme poropozimit tim prej të cilit fitojnë të gjithë [win-win proposal] dhe ta tërhiqni pa vonesë projektligjin tuaj për Butrintin të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisê. 

Sinqerisht,

Joseph J. DioGuardi

P.S. Lista e Parqeve Kombëtare që janë njëkohësisht edhe Vende të Trashëgimisë Botërore në SH.B.A.:

Carlsbad Caverns National Park
Chaco Culture
Everglades National Park
Glacier National Park
Grand Canyon National Park
Great Smoky Mountains National Park
Hawaii Volcanoes National Park
Independence Hall
Mammoth Cave
Mesa Verde National Park
Olympic National Park
Papahanumokuakea Marine National Monument
Redwood National Park and State Parks
La Fortaleza and San Juan National Historic Site
San Antonio Missions
The Statue of Liberty
Kluane/Wrangell-St. Elias/Glacier Bay/Tatsheshini-Alsek
Yellowstone National Park
Yosemite National Park

Filed Under: Analiza Tagged With: DioGuardi

UKRAINA – KUJT IU DESH LUFTA?

June 1, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

“Rusia pa Ukrainën, pushon të jetë perandori, ndërsa me një Ukrainë, në fillim proruse, pastaj të nënshtruar, automatikisht bëhet perandori”– Zbignjev Bzhezhinski  

Me rënien e murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, u shpërbë edhe Bashkimi Sovjetik. Doli prej tij një Rusi e pakonsoliduar. Në vitin 1991 Traktati i Varshavës (Pakti i Varshavës) u shpërbë, por jo edhe NATO-ja. Pas këtyre proceseve historike, në rrethana të reja pasojnë do procese të tjera:

– NATO-ja fillon të shtrihet në lindje të Evropës, duke i përfshirë në radhët e veta ish-shtetet, anëtare të Traktatit të Varshavës, që e përbënin kampin socialist;

– Moska mendon se me shtrirjen e NATO-s në lindje të kontinentit, ShBA-ja synon t’u afrohet kufijve të Rusisë, përkatësisht ta rrethojë atë;

– Kryetari i Rusisë, Vladimir Putin (1952-) synon t’ia rikthejë Rusisë autoritetin që kishte dikur Bashkimi Sovjetik, e që konsiderohej si një prej dy superfuqive globale;

Ndaj shteteve ku ka minoritet rus, Moska ndërmerr veprime ushtarake:

1. Në nëntor të vitit 1990 shpërthen konflikti në Pridnestrovie (Transnistria) të Moldavisë, i njohur si luftë moldavo-ruse, 1991-1992; 

2. Në vitin 2008 Rusia ndërhyn ushtarakisht kundër Gjeorgjisë. Pushton Osetinë Jugore dhe Abhazinë. Më 26 gusht 2008, Rusia njeh pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë Jugore, e cila po ashtu u shkëput nga Gjeorgjia; 

3. Në vitin 2014 Rusia pushton gadishullin e Krimesë, e anekson atë dhe ia bashkëngjit Rusisë. Deri atëherë, Krimea ishte pjesë e Ukrainës;  

4. Në prill të viti 2014 fillon konflikti në dy rajonet e Ukrainës lindore, Donjeck dhe  Lugansk, që bashkërisht quhen Donbas*. Moska i mbështet separatistët prorusë. Në gusht të vitit 2014 Rusia ndërhyn edhe ushtarakisht dhe këto dy rajone i shpall republika të pavarura. Që nga viti 2014, këto dy rajone gjithnjë më tepër i kontrollonte Rusai. Në pranverë të vitit 2014 u krijuan të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luganskës. Në këto rajone ka qenë tejet e zhvilluar industria e qymyrit dhe e çelikut. Para agresionit rus në Ukrainë, Dombasi ka pasur gjashtë deri shtatë milionë banorë.

*   *   *

Pushtimet e sipërthëna, shpeshherë Moska i ka arsyetuar me çlirimin e Kosovës në vitin 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur nga ShBA-ja.

Shënim: 

1. Në fund të vitit 2013, në sheshin Majdan të Kievit shpërthyen protesta masive kundër kryetarit prorus të Ukrainës, Viktor Janukoviç (Viktor Yanukovych, 1950-) që njihen  si revolucioni Euromajdan. Janukoviçi ra. Erdhën në pushtet politikanët properëndimorë, në krye me Petro Poroshenkon (1965-) dhe Arsenie Jacenjuk (1974-) – ushtrues detyre i kryeministrit në vitet 2014-20116. Pushtetarët e rinj të Ukrainës e kufizojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës ruse në Dombas. 

2. Zbignjev Bzhezhinski (Zbigniew Kazimierz Brzezinski, Varshavë, 1928 – Fols Çerç, Virgjinia, ShBA, 2017) – politolog polak-amerikan dhe gjeostrateg (strateg i gjeopolitikës), këshilltar i presidentit Lindon Xhonson (Lyndon Baines Johnson, 1908-1973) dhe këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Xhimi Karter (James Earl “Jimmy” Carter, Jr., 1924 -).   

*   *   *

Sulmi i Rusisë ndaj Krimesë është shembulli më tipik i agresionit gjatë kohës së paqes në Evropë, që nga koha kur Gjermania naziste e pushtoi Sudetin në vitin 1938. Ishte e pafalshme shpërfillja e leksionit të Munihut, kur kryeministri britanik Artur Nevil Çemberlen (Arthur Neville Chamberlain, 1869-1940) dhe kryeministri francez Eduard Daladie (Ḗdouard Daladier, 1884-1970) e qetësonin diktatorin gjerman Adolf Hitlerin (1889-1945), duke lëshuar pe para kërkesave të tij në Çekosllovaki. Kur Çemberleni është kthyer nga Munihu në Londër, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) i ka thënë: “Keni mundur të zgjidhni midis luftës dhe turpit. Ju paskeni zgjedhur turpin. Tani priteni luftën”.     

*   *   *

Në vitin 1994 Ukraina i dorëzoi armët bërthamore të veta. Tërësinë tokësore të saj do ta garantonin ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia. 

Në vitet 2010-2014 Ukraina kishte një qeveri proruse. Pas rënies së kryetarit prorus Viktor Janukoviç, vijnë në fuqi pushtetarë dhe qeveritarë properëndimorë. Në zgjedhjet e fundit, në Ukrainë erdhi në pushtet Volodimir Zelenski, njeri me prejardhje hebraike. Ky ishte properëndimor dhe synonte ta anëtarësojë Ukrainën në organizmat euroatlantikë. 

Për Moskën, ardhja në pushtet në Ukrainë, e një personi me prejardhje hebraike, është skenar i paramenduar nga Uashingtoni, me qëllim që ky vend të anëtarësohet në NATO.

Agresionin në Ukrainë, Moska e arsyeton duke thënë: “Rusia ndërhyn ushtarakisht, për ta parandaluar anëtarësimin e këtij vendi në NATO”. 

A është e arsyeshme të shkaktohet një luftë apo një tragjedi e këtyre përmasave, me dhjetëra mijë të vrarë dhe të plagosur, midis tyre edhe fëmijë, me fëmijë të mbetur bonjakë, me zhvendosje dhe shpërngulje të popullsisë, me dëme të mëdha materiale, me qytete të rrënuara, me infrastrukturë të shkatërruar – për t’u anëtarësuar në NATO?!

Apo do të kishte qenë më e arsyeshme që Ukraina, midis Perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër – të kishte mbetur asnjanëse. 

Mariupoli u rrafshua prej raketave të ariut të veriut, ndërsa qytetarët e kontinentit përcjellin këngët e Eurovisionit dhe shikojnë ndeshjet e futbollit të Ligës së kampionëve.     

        Moska nuk e ka analizuar drejt dhe saktë reagimin e ShBA-së, të NATO-s dhe të shteteve, anëtare të BE-së që do të pasonte pas sulmit rus në Ukrainë. Moska nuk e ka pritur një reagim kaq të ashpër të Perëndimit ndaj invadimit rus në Ukrainë. 

Ndërhyja ushtarake e Rusisë në Ukrainë:

– cenoi autoritetin e ShBA-së, si superfuqi globale;

– cenoi autoritetin e NATO-s, si dhe 

– vuri në dyshim prestigjin e BE-së.

Por, Uashingtoni dhe Brukseli nuk i lejuan dhe nuk i mundësuan Rusisë të luajë, të shpërfillë dhe të nëpërkëmbë autoritetin dhe epërsinë politike, ekonomike dhe ushtarake të botës perëndimore.      

Nga invadimi i Rusinë në Ukrainë, mund të konstatohet:

– Ushtria e Ukrainës rezultoi e përgatitur për luftë dhe për t’i bërë ballë një fuqie të madhe;

– Populli ukrainas rezultoi si popull atdhetar, patriotik, i gatshëm për të mbrojtur pavarësinë e vendit, dinjitetin dhe identitetin kombëtar; 

– Potenciali ushtarak i Rusisë, rezultoi shumë më i dobët se ajo që kishte menduar bota;

– Ukrainën e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin me të gjitha mjetet, ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar;

– ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk varen nga gazi natyror dhe nga nafta ruse. 

*   *   *

Lidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë, u duk sikur në radhët e NATO-s dhe të BE-së, mbizotëroi një unitet i plotë. Por, kohezioni i këtij uniteti midis Fuqive të Mëdha të Perëndimit, mbase është i diskutueshëm:

– Lufta në Ukrainë, pavarësisht nga shkaqet dhe preteksti, nuk mirëpritet nga Gjermania dhe Franca;

– Gjermania varet nga gazi natyror dhe nga nafta ruse, për dallim nga Mbretëria e Bashkuar apo ShBA-ja, të cilat në këtë pikëpamje, pothuajse fare nuk varen.

Duhet shtuar se 27 % të naftës dhe 40 % të gazit natyror, vendet e BE-së e sigurojnë prej Rusisë. 

*   *   *

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës çrregullon proceset ekonomike në shkallë globale, për arsye se Rusia i eksporton Evropës dhe vendeve të tjera gaz natyror, naftë, qymyr, grurë etj.   Çrregullimi i ekonomisë gjermane, si pasojë e mungesës së gazit natyror dhe të naftës ruse, çrregullon ekonominë botërore, për arsye se Gjermania është fuqi e katërt ekonomike në botë. Ukraina është një prej hambarëve të Evropës dhe më gjerë, për arsye se është një prej eksportuesve më të mëdha të grurit apo të lulediellit. Çrregullimi i ekonomisë botërore, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, mund të shkaktojë ngritje çmimesh të artikujve ushqimorë si dhe uri në përmasa globale. 

Gjermania, e sidomos Franca janë për një Evropë, me më pak Amerikë në të. Këto dy Fuqi të Mëdha të kontinentit të vjetër janë për një Evropë më të pavarur nga ShBA-ja. Në anën tjetër, Uashingtoni thotë se pa Amerikën, Evropa nuk mund të mbrohet nga rreziku rus. Pa Amerikën, as Ukraina nuk do të mund t’i bënte ballë sulmit rus.      

Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy, 1978-) duket sikur është i vetëdijshëm se politika e tij e pabaraspeshuar midis Perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër, u mor si pretekst nga Moska për të kryer agresion ndaj Ukrainës. ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar vërtet i dërgojnë Ukrainës armë, artikuj ushqimorë, mjete financiare dhe barna, por është Ukraina ajo e cila agresionit rus i bën ballë me gjak.

*   *   *

Paqja midis Ukrainës dhe Rusisë do të arrihet vetëm atëherë kur të thotë Uashingtoni. Është utopi dhe iluzion të mendohet se mund të arrihet paqe midis palëve ndërluftuese, pa pëlqimin dhe pa miratimin e Amerikës. Zvarritja apo zgjatja e luftës në Ukrainë nuk shkon në favor të Rusisë. Çdo ditë e luftës shkon në dëm të saj. Vazhdimi i luftës në Ukrainë i shkakton Rusisë shpenzime të mëdha dhe e dobëson atë. Është akt i pamoralshëm dhe johuman të thuhet se vazhdimi i luftës shkon në favor të Amerikës.  

Nga embargoja e vendeve të Perëndimit ndaj Rusisë, humbin të dyja palët. Humbin si Rusia, ashtu edhe shumë vende të kontinentit. Pra humbja është e ndërsjellë. As Perëndimi mund të gjejë rrugë alternative më të volitshme për t’u furnizuar me gaz natyror apo me naftë, as Rusia ka ku e shet më mirë se në Perëndim gazin natyror, naftën, qymyrin dhe grurin.    

Sanksionet që i janë vendosur Rusisë janë të papërballueshme për Moskën. Askush s’e di se kur do të hiqen ato. Heqjen e sanksioneve dhe të embargos ndaj Rusisë, ShBA-ja do ta kushtëzojë duke i kërkuar asaj: 

– T’i tërheqë trupat ushtarake nga tërë territori i Ukrainës;

– T’i paguajë Ukrainës reparacion lufte;

– Të përgjigjet për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit; mbi 4000 civilë janë vrarë; ndërsa 4730 të tjerë janë plagosur; ndër të vrarët dhe të plagosurit ka edhe shumë fëmijë.  

*   *   *

Evropa sot, s’ka filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj si dikur, që do ta ngrinin zërin e protestës kundër agresionit rus dhe ndërthurjes së interesave të Fuqive të Mëdha apo të perandorive. Brenda në Rusi ka diktaturë dhe tirani, kështu që për ekspeditën pushtuese të Vladimir Putinit askush s’guxon të mendojë ndryshe. 

*   *   *

Politika e Gjermanisë dhe e Francës ndaj Rusisë në tri dekadat e fundit, i ka shërbyer Moskës për t’u militarizuar dhe për t’i pushtuar viset, zonat apo rajonet e banuara me rusë, të shteteve përreth. Ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944-) ka qenë shumë i afërt me Putinin. Ai ishte kancelar në vitet 1995-2005. E afërt me Putinin ka qenë edhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (1954-). Ajo shpesh është takuar me Putinin. Mbase rregullisht kanë komunikuar edhe në forma të tjera. Kontakte të shpeshta me Putinin ka pasur edhe presidenti i Francës Emanuel Makron (Emmanuel Macron, 1977-). I afërt me kryetarin rus ka qenë edhe ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni (Silvio Berlusconi, 1936-). Para pushtimeve dhe agresioneve të Putinit, Shrederi, Merkeli dhe Makroni i kanë mbyllur sytë. Me fjalë të tjera, agresioni rus në Ukrainë është edhe pasojë e politikës indiferente të Berlinit dhe të Parisit ndaj hegjemonizmit dhe ekspansionizmit rus në fqinjësi. Ukraina sot e paguan çmimin e pasivitetit të Fuqive të Perëndimit. Perandoria e Putinit dhe përmasat e aventurizmit të tij nuk frenohen me politikën e baraspeshës të Angela Merkelit.  

Shënim: Gerhard Shreder, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore i angazhoi forcat ushtarake gjermane gjatë ndërhyrjes së NATO-s, kundër ushtrisë jugosllave, në vitin 1999. Me këtë rast ai deklaroi: ”Gjenocidit në Jugosllavi nuk mund t’i përgjigjemi me pacifizëm. Gjermania medoemos t’i mbrojë shqiptarët etnikë, viktima të dëbimit, të përdhunimit dhe të vrasjeve”. Por, më 24 prill 2017 Gerhard Shrederi shkoi në Beograd për të mbështetur Aleksandar Vuçiqin (1970-) gjatë fushatës parazgjedhore. 

*   *   *

Pas përfundimit të luftës në Ukrainë, nuk duket i mundur një takim ndërmjet presidentit amerikan Xhozef “Xho” Bajden, i Riu (Joseph Robinette Biden, Jr., 1942-) dhe Vladimir Putinit. Do të ishte e udhës që me Putinin të mos takohet asnjë kryetar apo kryeministër i cilitdo shtet, anëtar i NATO-s apo i BE-së. Ai duhet të izolohet nga çdo vend i Perëndimit. Për krimet e kryera të ushtrisë ruso-çeçene në Ukraninë, Putini do të duhej të përballet me drejtësinë ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.       

*   *   *

Lufta çlirimtare e Ukrainës kundër agresionit rus gjithsesi duhet të mbështetet, por nuk është e njerëzishme që kjo të bëhet deri në ukrainasin e fundit. Duhet të kërkohen rrugët që kjo luftë të ndalet sa më parë. Është e pamundur të jenë shterur shtigjet që shpijnë në paqe. Kur të mëdhenjtë ndeshen, pëson bari. Në këtë rast nuk pëson bari, por vriten njerëz. 

*   *   *

Ka kohë që Moska synon ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Serbinë e ka satelite politike historike. Në Bosnjë dhe Hercegovinë e ka Republikën Serbe të udhëhequr nga prorusi Millorad Dodik (1959-). në Mal të Zi e ka një kolonë të pestë të përbërë prej malazezëve proserbë dhe prorusë. qarqe proruse ka pasur edhe në Maqedoninë e Veriut. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski (1970-) fare nuk ishte properëndimor. Nuk u vendos rastësisht në Hungarinë e kryeministrit Viktor Orban (1963-), të afërt me Moskën. 

*   *   *

Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi, duke mbështetur njëherazi luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Dënimin e invadimit rus dhe luftën çlirimtare të ukrainasve, Kosova në asnjë çast nuk e ndërlidhi me mbylljen e statusit politik të vet. Shqiptarët, në shkallë kombi, në asnjë mënyrë nuk duan të përfitojnë në kurriz të tragjedisë së të tjerëve. Lidhur me ekspansionin e Rusisë ndaj fqinjit të saj – Ukrainës, shqiptarët u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. 

Serbia ndërkaq, gjakderdhjen në Ukrainë e ka ndërlidhur dhe vazhdon ta ndërlidhë me aspiratat e veta hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste ndaj Kosovës. Serbia është ndër vendet e rralla të Evropës e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. 

Serbi! Është johumane të bësh llogaritje për aspiratat e tua anakronike ndaj Kosovës, duke tentuar të përfitosh nga tragjedia e popullit martir të Ukrainës. Ku e ke inteligjencien, Serbi?!     

Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet të pushojnë ta ledhatojnë dhe ta përkëdhelin Serbinë. Në dy dekadat e fundit në Serbi kanë bërë investime të mëdha: Gjermania, Franca, Italia, ShBA-ja. Katër fuqitë e sipërthëna të Perëndimit duhet t’u japin fund investimeve ekonomike në Serbi. I mjaftojnë Serbisë investimet nga Rusia, nga Kina, nga Turqia dhe nga ndonjë vend arab.

Ndaj Serbisë proruse, Perëndimi duhet të marrë masa të caktuara:

– t’i vihen Serbisë sanksione; 

– të përjashtohet Serbia nga Këshilli i Evropës;

– dyert e BE-së, t’i mbyllen Serbisë përgjithmonë.

Qendrat filoserbe të BE-së, ka kohë që tentojnë ta bindin Serbinë t’i vërë sanksione Rusisë. Këto qendra, influente, lodhen kot. Serbia është me Rusinë, sot e mot. Ajo është përçuese historike e interesit rus në gadishull dhe e tillë do të mbetet. Ajo dëshiron t’i përkasë zonës ruse të interesit dhe sferës ruse të ndikimit. Deklaratat e kryekriminelit të rajonit Aleksandar Vuçiqit se midis Rusisë dhe Perëndimit, Serbia dëshiron të qëndrojë asnjanëse – janë gënjeshtër e kulluar. Serbia militarizohet me armë ruse dhe kineze.         

*   *   *

Miliona njerëz vijnë nga bota në Evropë, ndërsa qendrat filoserbe të BE-së nuk janë në gjendje që Kosovës demokratike t’ia njohin liberalizimin e vizave. Turp! Angela Merkeli e cila gjashtëmbëdhjetë vjet ishte timonierja kryesore e BE-së, nuk ia doli ta mbyllte statusin e Kosovës. Evropë! Kosova është dhimbja e përjetshme e një kombi të tërë, e kombit që ia dha Evropës kryezotin e mesjetës, Gjergj Kastriotin (1405-1468) dhe botës – nobelisten, Të Shenjtën Nënë Terezë (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1907). 

ShBA-ja, një ditë e më parë duhet ta pranojë Kosovën në NATO dhe të ushtrojë ndikim për ta pranuar në Këshillin e Evropës, përkatësisht në BE.

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

PAPRITMAS DHE PARA KOHE, NDËRROI JETË PRESIDENTI BUJAR NISHANI LAMTUMIRË NGA AMERIKA E LARGËT!

May 31, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Mjerisht, kohët e fundit po na bjen shpesh herë që të marrim ose të japim lajme kalimi në amshim të miqëve, kolegëve, dashamirësve ose personaliteteve me të cilët, në udhëtimet e kësaj jete, kemi pasur rastin, nderin dhe privilegjin të njiheshim ose të takoheshim. Lajmi i fundit për një vdekje të papritur, ishte njoftimi i hidhur se ish-Ptresidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka ndërruar jetë.  Ndonëse ishim në dijeni të disa problemeve të tij shëndetsore, prap se prap, nuk mendojshim se Bujar Nishani do ndahej kaq shpejt nga kjo botë, përgjithmonë.  Me kalimin e tij në amshim, ai la në mjerim bashkshorten e tij dhe dy fëmijtë, familjen dhe farefisin më të gjerë, por edhe familjen e tij të madhe politike, Partinë Demokratike të cilës i përkiste, pa përjashtuar, natyrisht, edhe partitë e tjera dhe personalitetet politike shqiptare, si rrjedhim i të qenët president i Republikës për 5 vjetë dhe falë pjesëmarrjes së tij në arenën politike të 30-viteve të fundit, të tranzicionit post-komunist në Shqipëri.

Me shkuarjen e tij të papritur në amshim, përveç familjes së ngushtë dhe miqëve të shumtë në Shqipëri, Presidenti Bujar Nishani varfëroi edhe shumë miqë e dashamirë edhe në diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë diasporën shqiptare të përhapur, anë e mbanë botës.  Lajmi i zi për vdekjen e tij që u përhap si rrufe, na pikëlloi të gjithë ne në Shtetet e Bashkuara që e kishim njohur dhe që e donim dhe e çmonim President Nisahnin për qëndrimet e tia, sidomos për respektin që kishte për diasporën shqiptare në Amerikë, pa dallim, por sidomos për diasporën e vjetër të para vitit 1990, e cila, me aq sa ka dijtur e sa ka patur mundësi, ka luftuar për dekada për një Shqipëri, vërtetë të lirë e demokratike.  I ndjeri Nishani, takimet me diasporën shqiptaro-amerikane i kishte bërë traditë kurdoherë që vinte në Shtetet e Bashkuara.  Presidenti Nishani nderon një numër shqiptaro-amerikanësh (zeriamerikes.com).  E respektuam gjithashtu për qëndrimet e tija ndaj krimeve të komunizmit dhe për deklaratat e tija, të herë-pas-hershme — si asnjë tjetër politikan shqiptar deri më sot — për nevojën e doemosdoshme të Shqipërisë për t’u ballafaquar me krimet e komunizmit—megjithëse si individ i vetëm nuk mund të bënte shumë për këtë çeshtje pasi detyra e presidentit e kufizonte.

Mbi të gjitha, e kujtojmë sot Presidentin Nishani për nderimin dhe respektin që ka treguar gjatë viteve – sidomos kur ishte në detyrën e Presidentit — për të gjithë ata individë, shqiptaro-amerikanë, por sidomos për respektin ndaj një numër personalitetesh të politikës dhe diplomacisë amerikane. Me fjalë dhe me vepra, Presidenti Nishani ka njohur kontributin dhe rolin e tyre në promovimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlen të kujtojmë dekorimin e ish-Senatorit të ndjerë amerikan, Robert (Bob) Dole, me çmimin më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahësin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.”

Ia vlen të kujtojmë në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – rëndësinë që Bujar Nishani u kushtonte këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe respektin që ai kishte për diplomatët amerikanë — si Ambasadori Christopher Hill – që ka shërbyer në Shqipëri në fillim të 1990-ave. Presidenti Nishani, në mirënjohje të thellë për punën e Ambasadorit Hill i ka dorëzuar atij, Dekoratën, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-ta, si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Më në fund, por jo me më pak rëndësi, unë dhe shumë malësorë në trojet tona dhe në diasporë, nuk harrojmë respektin që Presidenti Nishani — kur ishte në detyrë dhe më vonë — ka treguar ndaj trojeve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze – sidomos nderimin dhe respektin që ai ka treguar ndaj Malësisë së Madhe dhe sakrificave të atyre trojeve: “Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani për qëndresën historike të malësorëve ndaj pushtuesve shekullorë turko-sllav. 

Për këto dhe shumë merita të tjera, kujtojmë sot jetëshkurtin ish-Presidentin e ndjerë, Bujar Nishanin, me zemër thellësisht të prekur nga rreziku i pashoq që preku familjen dhe farefisin Nishani. Largimi i parakohëshëm nga kjo jetë e Presidentit Bujar Nishani, ka lënë një zbrastësi të pazëvëndsueshme në gjirin e familjes së tij të ngusht e fisnike, farefisisn e tij pore dhe në bashkësinë shqiptare në pëergjithësi, përfshir diasporën shqiptaro-amerikane, pranë të cilës ai gjëndej shpesh.  I prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe — miqësisht i paraqes familjes së ngusht të Bujar Nishanit, farefisit brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe të gjithë miqëve dhe dashamirësve të tij kudo – përdhimtimet e mia më të sinqerta, duke iu lutur Perëndisë që t’ju japë forcë e durim në këtë moment të vështirë të humbjes së njeriut më të dashur për ju.   Ngushëllimet e mia më të sinqerta,

Frank Shkreli 

Presidenti Nishani me ish-Senatorin e ndjerë dhe mikun e madh të shqiptarëve, Robert (Bob) Dole — Washington Maj, 2017 —  Frank Shkreli/ Një nderim i merituar: Presidenti Nishani dekoron ish-senatorin Bob Dole | Gazeta Telegraf

A person shaking another person's hand

Description automatically generated with medium confidence

Foto nga VOA – Presidenti Nishani me Ambasadorin Christopher Hill — Tiranë, Tetor, 2016

foto-dekorata-frank-shkreli-presidenti-nishani

              Autori me Presidentin Nishani, New York City, Shtator, 2016

        A picture containing text, person, outdoor

Description automatically generated“Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë Kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani. Në foto Presidenti Nishani me lahutarin e njohur shqiptaro-amerikan, Vasel Shkrelin, në Malësi të Madhe 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

SPEKTRI I TRAGJEDISË UKRAINASE, REFLEKSION PËR CMIMIN E SË ARDHMES

May 30, 2022 by s p

KASTRIOT ALIAJ/

Lufta në Ukrainë na tregoj se paqja është e brishtë, e kërcënuar nga regjimet autoritariste që se kanë njohur kurrë demokracinë. Rendi i ri ndërkombëtar, që mbajti pjesën më të madhe të botës në ankthin e qetësisë, mori goditjen si pasojë e invazionit Rus ndaj Ukrainës. Kjo koë zgjatje prej tre muajsh, që ka krijuar një situatë të përshkallëzuar në aspektin human, ekonomik e politik, është dëshmi e përplasjes së autoritarizmit dhe demokracisë liberale, që kërkon një modelim të ri sigurie, të bazuar në norma efikase e rregulla funksionale. Pas luftës së ftohtë u mendua se në Evropë, nuk do të kishte më invazione, genocide e krime lufte. Por ja që luftrat e përgjakëshme në ish.Jugosllavi, rrëzuan cdo mundësiu të devizës”kurrë më”. Në Evropë ishte prishur qetësia. por mbi të gjitha po “vritej”liria dhe integriteti i shteteve brënda federatës. Ata që i përjetuan këto ngjarje, u bënë dëshmitar të përplasjeve të vlerave për paqe e fqinjësi të mirë, ndërsa nga ana tjetër nacionalizmi agresiv sërb, po masakronte Kosovën, për ta mbajtuar akoma nën zgjedhën shekullore të genocidit. Por ishte epopeja e UCK që për herë të parë në histotri, flaku zgjedhën e shtypjes barbare, duke i sjellë asaj lirinë dhe pavarësinë e munguar. Askush nuk e kishte menduar se në këtë Evropë, të dominuar nga demokracia liberale, në kufijtë e saj do të sulmohej Ukraina nga regjimi autoritarist rus. Eksodi biblik i ukrainasve na kujton ne shqiptarëve, emigrimin drejtë përëndimit për një jetë më të mirë, ndërsa ata po largohen me dhimbje, për të shpëtuar kokën nga barbaritë e ushtarëve rus. Zmbrapsja e ushtarëve rus në disa drejtime, nga rezistenca mbresëlënëse e popullit të Ukrainës, është një sfidë për diplomacinë ndërkombëtare, që nuk mundi të bëjë asgjë për zgjidhjen e konfliktit, sepse rrolin e debatit diplomatik, po e luajnë mjetet dhe cilësia e armatimit, të dërguara nga disa vënde perëndimore. Për Rusinë si shkaktare e kësaj aventure pushtimi, mbeten dy mundësi të pranueshme, të cilat lidhen me nënëshkrimin e një traktati,të miratuar nga të dyja palët dhe nënëshruar ndërkombëtarisht. Ndërsa mundësia tjetër është që forcat ruse, të gjunjëzuara përpara rezistencës ukrahinase,duhet t’i jepnin fund kësaj aventure duke pranuar humbjen. Historia na mëson se lufta është akti i fundit pas dështimeve diplomatike, sepse ajo sjell vetëm pasoja dramatike. Zgjidhja e pranueshme do të ishte dhënia fund e kësaj masakre, për të mos rritur më koston e përballimit të saj. Pas mbarimit të dy luftrave botërore, shkaktarët u janë përgjigjur reparacioneve për dëmet e shkaktuara në vëndet pushtuese. E njejta gjë duhet të ndodhë edhe me Rusinë, e cila duhet medoemos të marrë përgjegjësinë për krimet njerëzore në Ukrainë. Kjo luftë që nuk dihet se sa mund të vazhdojë, nuk mund të përfundojë pa një paqe formale, ashtu sic ndodhi me Korenë dhe Gjirin Persik. Asnjë organizëm ndërkombëtar nuk ka patur sukses,për të frenuar këtë çmënduri të oligarkisë putiniste. C’farë zgjidhi takimi i kreut të OKB Guterres me Putinin? Asgjë,një dështim i plotë i kësaj organizate,me përjashtim të disa hapave në planin himanitar. Në këtë takim të dështuar Putini mohoj cënimin e integritetit të Ukrainës, si dhe përfshirjen e forcave ushtarake ruse në krime lufte. Duke qënë se shtetet antare të OKB, janë të ndarë sipas interesave e regjimeve në fuqi, kjo organizatë nuk është në gjëndje të mbajë qëndrim, jo vetëm nda invazorit, por edhe ndaj mbështetësve që i japin oksigjen Rusisë, për të vazhduar barbaritë mbi popullin e pafajshëm. Po në të njëjtën pozitë është edhe BE, e përcarë dhe pa unitet qëndrimi në vendimarrje, gjë që flet se këto organizata nuk bindin për mbrotjen e paqes dhe sigurisë në botë e rajon. Këtë e vërtetoj rikonfigurimi gjeopolitik i votimit në OKB, për dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe pezullimin e saj, nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, ku disa shtete me peshë në arenën ndërkombëtare abstenuan, duke mos qënë premtuese për sfidat e perëndimit. Lufta e ftohtë dha dy mësime historike, që lidhen me evitimin e konfliktit mes dy fuqive kryesore, sic janë SHBA dhe Rusia. Tjetra është se amerika për të shmangur kërcënimin e interesave jetike sovjetike, ajo pranoj shtypjen e revolucionit në Hungarti më 1956. si dhe atë në Cekosllovaki më 1968. Kjo politikë pati si qëllim mos kundërshtimin e këtyre veprimeve, sepse sipas tyre duke shtuar presionet, do vinte rënia e komunizmit në Evropë, sic ndodhi pas disa dekadave më vonë,me rënie e murit të Berlinit. Kjo politikë u ndoq edhe tani me invazionin ndaj Ukrainës, ku u bë e qartë që në fillim, se aleatët që dënuan pushtimin, nuk do të ndërhynin ushtarakisht, por as dhe do të krijonin zonë të lirë fluturimi mbi Ukrainë. Ky qëndrim frenonte përshkallzimin e luftimit, duke mos e acaruar edhe shumë situatën e krijuar. Në vënd të ndërhyrjes ushtarake, aleatët zgjodhen strategjinë indirekte, duke e ndihmuar Ukrainën me armatimet e nevojëshme,trajnime inteligjence, ndërkohë shtuan masat e sanksioneve ekonomike dhe izolimin politik të Rusisë. Duke u hedhur nëpër faqet e historisë, kemi vënë re se fuqitë e medha si Anglia,Franca,Gjermania dhe Japonia, u janë përshtatur ndryshimeve, duke pranuar realitetin pas cdo lufte botërore. Ato pas Luftës së Dytë Botërore, u bënë fuqi të mëdha ekonomike, ndërsa Rusia nuk ka besuar tek mbrekullitë ekonomike, por vetëm tek armatosja për të përcaktuar fatin e sigurisë në Evropë dhe në botë. Rusia në këtë luftë po konsumon tragjedinë e saj në Ukrainë, të cilën e ka shkaktuar vetë, duke e parë viktimën e saj herë si vasale e herë si armike. Rusia kundërshtoj dhe kërcënoj edhe aleatët e rinj të NATOS, Finlandën dhe Suedinë të cilat ndërmorën një hap të guximshëm për t’i paraprirë rrezikut rus.Por ky pejsazh që flet me gjuhën e armëve nga Rusia, i bën apel BP,që meqënëse për herë të parë jemi bërë më tre kryeministra shqiptarë, duhet medoemos të lënë mënjane mosmarrveshjet, dhe të përfshihen në projekte bashkëpunimi. Ky projekt partneriteti duhet të ketë si përparësi,jo vetëm afrimitetin politik, ekonomik kulturor, por mbi të gjitha garantimin për cmimin e së ardhmes,për paqe,liri e prosperitet demokratik në rajon.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kastriot Aliaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT