• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHIRAT DHE (TË FSHEHTAT) E PUTINIT

February 15, 2022 by s p

Nga PAOLO VALENTINO

Dostojevski I ndante rusët në lojtarë shahu e lojtarë kumari. Vladimir Putin sigurisht I përket familjes së dytë, duke mishëruar të gjitha cilësitë e një pokeristi. Kreu I Kremlinit është I zoti të shfrytëzojë cenueshmërinë dhe gabimet e kundërshtarit. Edhe kur ka letra jo të mira arrin të fitojë dobinë më të madhe taktike. Por nuk është një srateg, për natyrë e për zgjedhje nuk vlerëson pasojat dhe ndërlikimet afatgjata të lëvizjeve të tij, siç është tipike e shahistëve.

Është kjo arsyeja e vërtetë përse Putini ndodhe tani në një gjëndje mjaft të vështirë. Duke mprehur krizën n’Ukrainë, presidenti rus ka arritur përfundime tpër të  rëndësishme. Por tani është i detyruar të kërkojë rrugëdalje, që t’i lejojnë të dalë me nder, duke e paraqitur si një sukses.

Kriza ukrainase fillon e mbaron në të fshehtën e këtij njeriu situacionist. Lind nga misioni që i ka vënë vetvetes atë të kthimit të ndikimit të Rusisë në hapësirën gjeopolitike ish sovjetike. Dhe mund të mbyllet vetëm nëse, duke u kënaqur me një qëndërsi të rifituar në diplomacinë botërore dhe disa lëshime në fushën e çarmatimit, heq dorë nga lëvizje të reja destabilizuese, kryesisht duke i hequr fitilin “lojës së luftës” tepër të rrezikëshme që ka vënë në fushë. Askush nuk mund të parashikojë lëvizjet: “As edhe njerëzit e rrethit të tij magjik nuk janë në gjëndje të parashikojnë se çfarë do të bëjë”, shpjegon Andrej Kortunov, drejtori i Këshillit Rus të punëve të Jashtëme.

Putini nuk ka menduar kurrë të mësyejë Ukrainën, duke shkaktuar një luftë që nuk mund t’i a lejonte vetes. Do t’a kishte kthyer Rusinë në paria të kombeve, do të shkaktonte shpërthimin e sanksioneve të reja e më të ashpra, do t’a ngarkonte Moskën me çmime të papërballueshme për kushedi sa kohë. Ukraina nuk është Krimea, ku edhe Tolstoi luftoi në rrethimin e Sevastopolit dhe ku shumica ruse më 1914 i u bashkëngjit e bindur Rusisë. Putini e di se një popullsi armike dhe një qëndresë e fuqishme e armatosur do t’a kthente pushtimin rus në një kurth vdekjeprurës. “Donte të  dërgonte një sinjal të  dyfishtë:  Kievit që të zbatonte marrëveshjet e Minskut dhe Shteteve të Bashkuara që më së fundi t’a dëgjonin e të merrnin seriozisht shqetësimet për sigurinë e Rusisë” tha Kortunov.

Duke ushqyer tregimin e një lufte me më shumë se 100 mijë ushtarë në kufi, duke i paraqitur SHBA e NATO-s një listë kërkesash të pamundura e duke luajtur letrën e kërcënimit energjitik kundër Evropës, Putini sigurisht ka “fituar” dorën, duke u imponuar si baskëbisedues për të gjithë. Por nuk kishte vënë në llogari kundrveprimin në thelb solidar të Perëndimit. Kështu ka prodhuar efekte të padëshiruara në ripërtëritjen e NATO-s, duke shtuar praninë ushtarake  n’Evropën qëndër-lindore, duke ripërqëndruar në fushën evropiane një Administratë deri tani të mefshtë e të hutuar nga “loja e madhe” me Kinën, jo e fundit të bindëte deri edhe më të nguruarit nga Vëndet evropiane, përfshirë Gjermaninë , se përballë një sulmi ushtarak gjithshka mund të vihej në diskutim, deri edhe litarthi i kërthizës së gazit natyral rus.

Megjithatë, në ditët e fundit diçka ka ndryshuar në qëndrimin e Putinit, me gjithë retorikën agresive në kritikën e vendimeve amerikane për të rrjeshtuar 2.700 ushtarë të rinj n’Evropën Lindore. Duke folur mbas vizitës së Viktor Orbanit, presidenti rus për të parën herë nuk kërcënoi më me t’ashtuquajturat “masa tekniko-ushtarake” në rastin kur aleatët perëndimorë nuk do të plotësojnë në tërësi kërkesat ruse, përfshirë edhe tërheqjen e forcave NATO e të armëve bërthamore të SHBA nga ish Vëndet e bllokut sovjetik. Për më tepër, i drejtë zbulimi i El Pais, përgjigja amerikane kërkesave të Putinit përfshin  edhe një hapësirë për të biseduar, edhe nga ndërpretime të ndryshme, temën e “sigurisë së pandashme”, të përmbajtur nga karta e OSBE-s, simbas së cilës një Vend nuk mund të bëhet më i sigurtë në kurriz të një tjetri. Me pajën e një gatishmërie për të kontraktuar një pezullim të raketave bërthamore të ndërmjetme, një traktat mbi ato strategjike, krijimin e një zone të çmilitarizuar dhe një regjim mbikqyrjeje, mund të jetë kjo rrugëdalja për të cilën ka nevojë Putini.

Por koha është një mall i mangët. Putini nuk do të bëjë asgjë gjatë Olimpiadës dimërore për t’i prishur festën mikut dhe mbrojtësit të tij Xi Jinping, së bashku me të cilin dje ka ritheksuar kundërshtimin e Kinës e të Rusisë për zgjerimin e NATO-s. Por “mund të mbajë përsëri trupat të mobilizuara në kufi me Ukrainën, shumë shumë edhe një muaj, pastaj ose i përdor ose i duhet t’i kthejë në shtëpi.”, shpjegon Kortunov. Nuk është aspak e lehtë, edhe sepse deri tani është folur pak për nyjen tjetër të ndeshjes: kundërshtinë e presidentit ukrainas Zelenski për të bërë lëshime mbi marrëveshjet e Minskut, që për Putinin janë themelore. “Edhe Zelenski është në një pozitë të ndërlikuar, sepse çdo lëshim i tij mbi autonominë e Donbasit, ose tërheqje e trupave nga krahinat e ndara do të përceptohej brënda si një kapitullim”, shpjegon politologu Valerij Solovej. Duke patur luajtur letrat më të mira, a do t’arrijë Vladimir Putini të shuajë “lojën e luftës” pa e humbur nderin?

“Corriere della Sera”, 4 shkurt 2022      Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

Studimet e para shkencore në Shqipëri: Një referim historik

February 15, 2022 by s p

Nga Dr. Ed.D Fatjona R. Lubonja/

Studimet e para shkencore të mirëfillta në Shqipëri datojnë gjatë viteve 1916-1940 të dokumentura me korrektësi përgjatë një periudhe afatgjate të 24 viteve. Ky proces përmbledh edukimin, hap pas hapi zhvillimin e metodave të mbledhjes dhe analizimi të informacionit, metodologjia, pedagogjia dhe gjuhësia përkatëse studimore. Rëndësia e këtij projekti nuk qëndron vetëm në faktin madhor të themelimit dhe zhvillimit të infrastrukturës shëndetsore dhe humultuese në Shqipëri, por gjithashtu edhe për faktin se për herë të parë këto humultime u ndërmorën dhe më vonë u drejtuan nga studiues Shqiptarë. Ky është një faktor i rëndësishëm duke ju referuar zhvillimit historik të Shtetit Shqiptar përgjatë perudhave kohore dhe dokumentacionit historik të zhvillimit intelektual profesional dhe institucional në vend (Arkiva, 1916; 1924; Rockefeller Archive, 1940).

Kjo iniciative përmban në vetvete elementin e rëndësishëm siç ishte ndihma dhe financimi nga projekte bamirësie të huaja si ai i Kryqit të Kuq me qëndër në Paris dhe ai më i rëndësishmi në këtë projekt i Organizatës Bamirëse të Rockefeller në New York (Rockefeller Archive, 1928; 1940). Pavarësisht nga ky faktor, influenca dhe iniciativa nga pala shqiptare ka një rëndësi të madhe pasi e transformoi dhe e organizoi këtë iniciative nga një projekt bamirësije në një projekt madhor me zhvillimin e institucioneve dhe edukimin e individëve specialiste si në fushën e shëndetësisë apo humultimit, por edhe në fushën e pedagogjisë që ishte një element fillestar dhe subjekt i ri në konceptin social, cultural dhe institucional.

Në rrjedhim të themelimit të shtetit Shqiptar në 1912 (Arkiva, 1916), kjo iniciative konsiderohet si projekt i rëndësishëm dhe i sukseshëm jo vetëm për përmirësimin e shëndetësisë së popullsisë Shqiptare, apo për themelimin e infrastrukturës shkencore dhe shëndetsore, por gjithashtu për faktin që Shqipëria edhe pse një vend i ri dhe pa përvojë shkencore krijoi mundësinë dhe vizionin drejt një zhvillimi shkencor. Ky vizion apo iniciativë do pasohej ndër vite, pavarësisht ndryshimeve të situatave politike, deri në ditët e sotme. Studimet e para përgjatë periudhes 1916-1940 marin përmasa të rëndësishme historike, shkencore, por edhe cilësore pasi përmbajnë një kualitet të mirëfilltë humultues (Lubonja, R. F., 2019). Data e marrë në ato projekte ka vlera humultuese të konsiderueshme si referenca parësore për të kuptuar rrjedhimet e ndryshme dhe “behavior” sjelljen e problemeve shëndetsore të përcjella në gjeneracione. Në fotot e bashkangjitura të marra nga dokumentacioni humultues (Rockefeller Archive, 1920) vihen re metodologjia, gjuhësia, pedagogjia, dhe institucionet shkencore udhëzuese hap pas hapi në gjuhën shqipe. 

*Fatjona Rama Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë/Edukim dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në ABA (Applied Behavior Analysis) #fatjonalubonja

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatjona Lubonja

Pronë dhe lot…

February 14, 2022 by s p

Lindita Komani/


Ndoqa një kronikë televizive të përqendruar tek një vajzë e vogël, shtëpia e së cilës u rrafshua në mënyrë brutale nga qeveria në sytë e banorëve dhe të gjithë teleshikuesve që ndiqnin nga ekranet televizive dhe atyre të kompjuterëve apo celularëve.Ishte e dhimbshme te shihje vajzen sesi qante me gjithe zemer, me lot te nxehte, të pashtirur dhe me fjalë autentike fëmije përpiqej të përshkruante dhimbjen që po përjetonte. Ishte një gjetje gazetareske, nëse mund të cilësohet kështu, që këtë ngjarje të rëndë për kryeqytetin tonë ta përcillte tek publiku në këndvështrimin e femijes.Në komente që lexova online kronika cilësohej deri edhe si abuzive ndaj fëmijës dhe manipulative ndaj publikut. Me fjalë shatra-patra, gjysmë shqip, gjysmë pa kuptim, përmendej që banorët e 5 Majit ishin zaptues. Familja tek e cila fokusohej kronika ndodhej në atë truall që në vitin 1989 dhe shtëpia që ata kishin ndërtuar mbi truallin, ende nuk ishte legalizuar. Ata nuk kishin nënshkruar aktmarrëveshjen me qeverinë dhe kanë ndjekur rrugën gjyqësore për të mbërritur tek e drejta e tyre.Por cila është e drejta? Në rastet e shqyrtuara deri më sot, sidomos ato të zonës së Astirit dhe të 5 Majit që u shoqëruan edhe me protesta të rëndësishme të banorëve, vëmendja ka qenë vetëm në gjysmën e të drejtës, në marrëdhënien e banorëve të shtëpive të ngritura në këto zona pas 1990-s me qeverinë që ka planifikuar rrafshimin e banesave. Mbetet ende një enigmë si për mua që po shkruaj, por besoj edhe për shumë të tjerë që ndajnë të njëjtin mendim, sesi është adresuar pse jo edhe zgjidhur gjysma tjetër e së drejtës, ajo e pronarëve të këtyre trojeve që i kanë trashëguar ato me tapi nga paraardhësit e tyre, por të cilët nuk i kanë gëzuar as edhe një ditë të vetme, për shkak se ato janë zaptuar nga migrantë që kanë ardhur nga zona të tjera të vendit.Pamundësia për t’i gëzuar trojet në vite është shprehur deri edhe në mungesën e të drejtës që pronarët deri edhe ta shkonin nëpër mend që t’i afroheshin truallit, se po ta bënin mund të hanin plumb kokës. Teksa shihja vajzën e vogël dhe u përlota bashkë me të, vrisja mendjen se pse në gjithë këtë diskutim publik që është bërë për temën e shembjes së shtëpive, apo më gjerë shndërrimit të lagjes “5 Maji” në Tirana Riverside (shih artikullin e Citizens Channel: https://citizens-channel.com/…/shnderrimi-i-lagjes-5…/) nuk permenden fare pronarët e hershëm të trojeve.Janë kompensuar ata në kuadër të procesit të legalizimit?Po për rastet e shtëpive që nuk janë legalizuar, pronësia në dorë të kujt ka qenë? Do të jenë të përfshirë ata në sipërfaqet e banimit që do të shpërndahen në ndërtesat e reja që do të ngrihen në “Tirana Riverside”?Më bën përshtypje heshtja e pronarëve si në këtë rast ashtu edhe tek Astiri. Njoh të tillë që kanë pasur jo me mijëra por me dhjetëra mijëra metra katrorë dhe banojnë në shtëpi shumë modeste edhe sot e kësaj dite se nuk kanë marrë asgjë nga ajo që iu takonte, jo të gjithë tokat gjë për të cilën as që bëhet fjalë, por qoftë edhe sipërfaqe modeste mbi të cilën të ndërtojnë diçka për të rimëkëmbur ekonominë familjare.Si është e mundur që mediat nuk i japin fare vëmendje pronarëve të deri 1944-ës? Edhe ata kanë fëmijë të vegjël që ndoshta nuk dalin me lot në sy para mediave, por lotët i kanë po aty, bashkë me prindërit e tyre, të cilëve brenda në shpirt mund t’u rritet vetëm mëri dhe urrejtje për padrejtësinë që iu bë në 1944 dhe vazhdon t’u bëhet edhe sot, 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e gati 80 vjet që prej se kur i shpronësuan me dhunë, i dëbuan nga tokat e tyre e shumë të tillë madje edhe i përndoqën se kishin qenë të pasur.
Kush ia do të mirën njerëzve më të pasur? Jo thjesht atyre që janë disi më të pasur por më të pasurve mes të pasurve. Pse duhet t’i duhet e mira njerëzve më të pasur? Dhe a është kjo mirëdashje një nevojë për ekzistencën e shoqërisë? Pasuria e përqendruar në duar të caktuara është zhvendosur me hir a me pahir në duar të tjera në kohë pushtimesh apo ndryshimi regjimi me dhunë. Historia e shkruar dhe e pashkruar është dëshmitare për të. Dhuna mund të jetë ushtruar individ mbi individ, grup shoqëror mbi grup tjetër shoqëror, pushtet shtetëror mbi një grup të caktuar shoqëror, pushtues mbi një shtet të tërë apo grup të caktuar shoqëror brenda tij. Si reagon individi ndaj kësaj lloj dhune ushtruar për shkak të pronës dhe pasurisë? Si reagon shoqëria? Si reagon shteti? Le të kujtojmë të shkuarën tonë të afërt që është ende e fiksuar fort në kujtesën e bashkëkohësve. Në vitin 1944 pronarët, si ata të mëdhenjtë me prona marramendëse, ashtu edhe ata të vegjlit dhe sidomos ata që ishin shpallur armiq të pushtetit që sapo ishte vendosur e mund të kishin sa për të mbajtur familjen e tyre, u shpronësuan me akte të rënda që kanë mbetur thellë të ngulura në kujtesën e njerëzve. Ata përjetuan dëbimin nga shtëpitë, ose mbylljen në një apo dy dhoma brenda shtëpisë së tyre që do të mbushej me të huaj, trajtimin si kriminelë, me përbuzje dhe deri me tortura, marrjen e sendeve të luajtshme me vlerë, sidomos florinjve dhe bizhuterive dhe nevojën për të fshehur ç’të mundnin. Me shitjen e sendeve me vlerë që kishin arritur të fshihnin, një pjesë kanë arritur të mbijetojnë në vite të tëra ose momente të rëndësishme të jetës. Nuk mjaftoi zhveshja nga pasuria, vrasja, burgosja dhe internimi për një pjesë të mirë të tyre, por me emrin e goditur, si të pasur të kohës së shkuar, u përndoqën edhe fëmijët dhe nipërit e mbesat e pronarëve. Ndërkohë pasuria e tyre zyrtarisht u shtetëzua, por jozyrtarisht ajo u akumulua në duart e pronarëve të rinj, drejtuesve të sistemit diktatorial, të cilët pronësi mbi toka nuk kishin dot në Shqipëri, sepse sistemi që vendosën vetë nuk ua lejonte, por krijuan një realitet brenda këtij shteti që njihej me emrin Bllok. Ende sot mbetet e paqartë se ç’lloj pasurie vunë ata në vitet e regjimit komunist, pasuri në para dhe sende të luajtshme me vlerë. Përflitet se kanë pasur llogari bankare dhe shtëpi jashtë vendit, ku e jetonin pasurinë dhe luksin që nuk u lejohej në Shqipëri, por këto mbeten vetëm në nivelin e legjendave urbane. Ata i mbuluan mirë gjurmët dhe vijuan një jetë në pasuri edhe pas ndryshimit të sistemit, ndonëse jo më drejtpërdrejt e në dukje në krye të tij. Cila ishte baza e kapitalit që mundësoi fillimin e ekonomisë private në 1991? Thuhet se kanë qenë paratë që Partia e Punës në orët e fundit të jetës së saj hodhi në qarkullim tek njerëzit e vet të besuar, për të nisur biznese e për të siguruar përmes tyre mbarëvajtjen e pasurisë së nëndheshme të krerëve të saj. Nuk ua mori njeri pasurinë këtyre krerëve, nuk i zhveshi njeri nga pronat, nuk ua pengoi njeri fëmijët, nipërit dhe mbesat që të jetonin krejt normalisht në shoqërinë postkomuniste. Por sigurisht që asnjë njeri nuk mund ta zhveshësh nga një pasuri për të cilën nuk ka dijeni në dispozicion. Ky është edhe kuptimi i sekretit të madh të krerëve të pushtetit komunist.Ngjashëm me atë që ndodh me heshtjen brenda grupeve mafioze, heshtja e krerëve të regjimit komunist lidhur me ç’pasuri u grabit nga të pasurit e para 1944 dhe ç’pasuri u vu nga krerët e regjimit në periudhën 1944 – 1990, bëri që shqiptarët e varfëruar në ekstrem nga ky regjim e që nisën një jetë të re pas rënies së tij u gjendën para asgjësë, pa as edhe një lloj prone përveçse orendive të shtëpive në të cilat banonin dhe i përkisnin shtetit. Tri masa me rëndësi parësore u morën për të nisur regjimin e tranzicionit në Shqipëri, të cilin tashmë vlen ta konsiderojmë si të tillë, jo thjesht tranzicion por regjim tranzicioni. Përmes tyre qytetarëve të Shqipërisë iu dha një bazë për të mundur të nisnin ekzistencën në kapitalizëm. Kush jetonte në banesa shtetërore do të mundej t’i blinte ato me çmime modeste edhe për kohën. Kush jetonte në fshat përmes ligjit 7501 u bë me tokë. Të dyja këto masa u morën në kurriz të atyre që kishin titujt e pronësisë mbi tokën para 1944-ës. Askush prej tyre nuk e kishte fuqinë që ta ndalonte këtë zhvillim. Përsëri me masa ligjore shtetërore u ligjërua shtypja e së drejtës së tyre për pronën që kishin trashëguar. Sikur të mos mjaftonin këto dy masa të para, ndodhi edhe migrimi masiv i popullsisë nga fshatrat në qytete dhe nga qyteti në qytet e sidomos në kryeqytet, proces i cili u shoqërua me zaptimin, i cili u legalizua përmes procesesve të legalizimit. Janë dashur 30 vjet që një pjesë e pronarëve të arrijë që me mundim, me gjyqe pas gjyqesh e me qëndrim në dyert e institucioneve të administrates shtetërore, të marrë pjesërisht kompensim për pronën tokë që ka pasur dhe që është e vetmja që ka mbërritur në ditët e sotme. Gjatë këtij kalvari një pjesë e mire kanë qenë të detyruar të bëjnë lëshime e kompromise, për të mbërritur të paktën tek një pjesë e pronës. Pushtetarët e rinj përmes procesit të lejeve të ndërtimit si dhe kthimit e kompensimit të pronave, por edhe proceseve gjyqësore në gjykata, kanë gjetur mënyrën sesi të hyjnë në trashëgiminë e këtyre njerëzve.Do të ishte me interes që të dihej:Sa pronarë e trashëgimtarë të pronarëve të 1944 me prona kudo në Shqipëri ekzistojnë sot? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse përmes saj mund të kuptohet forca negociuese që mund të ketë ky grup shoqëror sot.Sa prej tyre kanë arritur të marrin pronën e tyre, plotësisht apo pjesërisht? Në ç’mënyrë e kanë marrë pronën? Dhe ç’pjesë të saj u është dashur të sakrifikojnë për të fituar tjetrën? Për këtë hulumtimi duhet bërë pa emra e mbiemra që të mund të shprehen lirisht dhe kështu të kuptohet qartë madhësia e korruptimit të regjimit të tranzicionit. Kështu do të mund të fitohej edhe një përfytyrim i skemave të plota e të sakta që janë përdorur për të rifituar pronën përmes zhvillimit të saj në lartësi.Kur e kanë marrë pronën? Akumulimi i parasë në ekonomi duket se e ka përshpejtuar procesin e zgjidhjes së çështjes së pronave në zona të rëndësishme të kryeqytetit ose në zona bregdetare, sepse ky akumulim ka bërë të mundur që interesi për zhvillim të ishte aq i madh sa një mori grupesh interesi të angazhohej që prona të jetësohej duke ngritur kulla ose zona rezidenciale. Dhe kjo duket se do të vazhdojë edhe më tej.

Filed Under: Analiza

MË  SHUMË SE NJË URIM PËR SHËN VALENTININ…

February 14, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ 

Dikun kam lexuar një kushtim që tregonte “forcën” e dashurisë  me fjalët :”Për  Atdheun  jap  dashurinë , për  dashurinë  jap  jetën”

HYRJE ME RETROSPEKTIVË NOSTALGJIE 

Ne që jemi rritur nën diktaturen komuniste, jemi  rritur jo vetem pa e festuar gjatë atyre dekadave ditën e të dashuruarve , por as emrin dhe kohën shumica e shqiptarëve nuk ja kanë ditur. Por edhe në ato kushte  errësire , kur dashuria e parë duhej të ishte për partinë , enverin e komunizmin , në heshtje dhe nën dritën e “qirinjëve” kanë lindur , lulzuar  e sfiduar kohen mjaftë dashuri , madje edhe dashuri të ndaluara , sepse  në dashninë e të rinjëve e të rejave  hynte në mes biografia e partia… Më kujtohet se sapo kishim filluar të merrnim “erë” nga dashuria , të cilen më shumë e perjetonim me endërra , në pranverë gjenim lule që perbeheshin nga petale (drandafille , lule-shqerra e tjer), dhe duke menduar për dashurinë e një vajze “me emer konkret” i heqnim një nga një petalet e lules  duke thënë më don  s’më don , dhe kur petalja e fundit hiqej duke shoqëruar  fjalen më don , ne beheshim me krahë , duke besuar se fati i dashurisë me vajzen që “ëndërronim” po na buzqesh… Se si na printe ky fat pak rendësi kishte , pasi  një “sentence” dashurie  na “mësonte” se Femra është si hija jote , kur ti e ndjekën ajo iken , dhe kur ti iken ajo të ndjeken… Ndërsa  ishte bërë disi “proverbiale’ thenia se për të zënë një të dashur duhet të shkyesh të pakten një palë  këpucë… Është disi e çuditëshme se edhe pse jetonin në një shtet ateist (në kohën e komunizmit)  ndryshimi i fesë apo besimit të dy të rinjëve  shpesh behej pengesë per dashurin e tyre… , kurse  sot edhe pse feja apo besimi është i lirë , pengesat janë thuajse të papërfillshme..  Gjë që tregon se (në liri) dashuria është ndjeja më e fuqishme nga të gjitha ndjejat , pasi ajo “godet” pernjëherë  zemren , mendjen , shpirtin e trupin…  

NJË HISTORI E SHKURTËR PËR DITË E SHËN VALENTINIT  

Një nga ditët më të bekuara e më të lumtura të çdo viti është 14 shkurti , dita e Shën Valentinit, që nga njerëzimi tashmë njihet si dita e bekuar e dashurisë  dhe  festa e zemrave që rrahin me ritmin e jetës e promotorit të saj, dashurisë.  Kjo festë Zemrash ka shekuj që bota e qytetëruar e feston, madje festimi bëhej shumë më përpara se Kristianizmi të bëhej feja e shpresës dhe qytetërimit, pra dhe në kohën kur Paganizmi (besimi absurd në idhuj të rremë të marrë nga “natyra”) ende lulëzonte me tërë veset e shterpësinë e një jete në rënie, por atëherë kishte një kuptim tjetër të cilin po e “spjegojmë”:… Kur Romakët për të nderuar një perëndi (Pagane) me emrin Lupercus e cila i “mbronte” nga kopetë e ujqërve që ndodheshin në pyjet në periferi të Romës së atëhershme, çdo datë 15 shkurt organizonin një festival që quhej pranveror (pasi sipas kalendarit të atëhershëm ishte dita e pranverës). Në këtë festival ishte zakon i shkrimit të emrave të vajzave romake në shirita “letre” që futeshin në vazo, ku çdo i ri pjesmarrës në festival tërhiqte në formë shorti një vazo, vajza që kishte emrin në shiritin e vazos bëhej e dashura e tij për gjithë vitin, por në vitin pasardhës u përsëriste sipas shortit të ri, pra me rite Pagane… Dalngadalë me fitimin e terrenit të Besimit e Kulturës Kristiane, ku familja ishte e shenjtë, si dhe morali njerëzor kërkonte që dashuria të mos ishte e përkohëshme dhe e përdhosur, por të ishte e përhershme dhe në përputhje me moralin e ri Kristian. Ndoshta “shkak” për këtë u bë prifti Valentini i cili në kundërshtim me moralin e sundimtarëve të Perandorisë Romake dhe Dekretin e perandorit Claudius II, i cili kërkonte që ushtarët e tij të mos martoheshin, (pasi kështu ai mendonte se ushtarët nuk luftonin si duhej se e kishin mendjen tek familja) e të kishin të dashura. Ky prift kristian fshehurazi kurorëzoi çifte të reja. Për këto, ai pasi u zbulua u burgos dhe më 14 shkurt të vitit 269 (pas lindjes së Krishtit) iu pre koka. Pas kësaj si dhe me forcimin e besimit kristian ky prift u shenjtërua dhe dita e festës së të dashuruarve u spostua nga data 15 shkurt në datën 14 shkurt, madje kjo ditë ndryshoi emërtimin siç njihet sot në ditën e Shën Valentinos (në emrin e shenjtëruar të priftit të martirizuar). Gjithsesi ka edhe një person tjetër po prift me këtë emër i cili u martirizua po këtë datë, duke iu prerë koka po nga perandori Claudius II, pasi ky kishte thënë se perënditë pagane Romake, Jupiteri dhe Merkuri ishin të paturpshme e të ulëta (pasi ishin të rreme), si dhe në burg kishte mjekuar dhe bërë që vajza e gardianti të burgut Austerius të bëhej Kristiane së bashku me të atin, dhe per ketë u ekzekutua  si më sipër. Gjithsesi të jetë e vërteta ajo ka një qëllim, që kjo ditë e bekuar e dashurisë të jetë festë zemrash që mbjell dashuri e shpresë, paqe e lumturi, që ne shqiptarëve na ka munguar mjaft në vite e shekuj, madje edhe vetë kjo festë deri para vitit 1991 ka qenë një ditë e ndaluar  në Shqiperinë “komuniste” , por e zëvendësuar dhunshëm me ditë, “festa” e idhuj të rremë që ishin tamam si të Paganizmit të vjetër, por me emra të rinj, që për çudi mbaronin po me izëm…Sot  kohrat kanë dryshuar  dhe data 14 shkurt e çdo viti, (si për çdo qytetar të kësaj bote të qensishme), edhe për ne shqiptarët   është një ditë  e shënuar e një dashurie të vertet, kur zemrat “ndalohen” të flasin me gjuhen e tyre. Të dashuruarit këtë ditë veçse i “furnizojnë” këto zemra të dashuruara  me “zjarr të ri” dashurie. Ndërsa simbole të dukshme të kesaj dite janë dhuratat e ndryshme…, buqetat me lule , drekat e darkat në ambiente intime  e tjer e tjer.. 

Gëzuar 14 shkurtin , ditën e bekuar të  dashurisë. 

Filed Under: Analiza

Ndërtimi i kapitalizmit me arketip vjedhjen

February 12, 2022 by s p

Dr. Eugent Kllapi/


Në kuptimin e angazhimit individual e djathta politike ngjizet nga urbanizimi në mesjetë. Pikërisht kjo me kapitalin dhe bankat, bankierët që dikur jepnin fajde në varësi të një përqindjeje të caktuar i dhanë shtysë formimit të një forme të re të kapitalit(po të referojmë këtu në shek. e 16 me urbanizimin italian dhe lindjen e huadhënieve në formë bankash). Sot në qendër të vëmendjes dhe të rrethrrotullimit të ekonomisë janë jo rastësisht në fizionominë kapitaliste bankat që sistemojnë dhe stabilizojnë sistemin. Më pas disa sipërmarrës të zotë me zhvillimin e revolucioneve të ndryshme e sidomos me revolucionin industrial krijuan atë që quhet sot ose dikur borgjezi dhe kapitalistë të parë me anë të tregut.Prona e fesë, krisja e statusit të aristokracisë dhe koncepte si liria e njeriut ishin dukur që me ‘’Carta Magnum’’ mbi pavarësinë dhe lirinë e aristokratëve apo me Iluminizmin Francez për të drejtat dhe liritë e individit. Pavarësisht se liria është koncept akoma abstrakt, e zhvilluar që nga antikiteti si koncept kolektiv nga agresori sesa ajo individuale, individi me të drejtë e atëhershme trashëgonte dhe zhvillonte prona në ligjësi me kapitalizmin si mendësi.Pra në kuptimin konkret, djali i bankierit apo kapitalistit, i politikanit apo i borgjezit, i gjykatësit apo biznesmenit i kishte disa ‘’teprica’’ ku e kishte kaluar mbiekzistencën, ushqimin, shtëpinë, të ardhurat minimale bazë për të rrethrrotulluar jetën e tij në formë normale dhe pa shumë sforcime dhe kjo formoi të djathën si mendësi. Dalëngadalë ky i ri do të orientohej për nga arsimimi që dalëngadalë me bumin e shkencave po masivizohej, kjo jo në kuptimin e sotëm ku shkolla është bërë karton për trampolino jete, karriere apo fame e suksesi por në kuptimin e një gjenerimi të madh të dijeve shkencore që prodhon dëshirën për specialitete dhe profilizime të arsimit që kaloi nga feja tek shkenca.
Ky zhvillim kapitali, në kuptimin esencial të një demokracie sovraniste, nacionaliste, atdhetariste sa me kah më vonë për nga konkurrenca e lirë i jep hov edhe individit që dalëngadalë përfshihet si i thjeshtë dhe pa prona në marrje dhe dhënie ekonomie, në pjesë të ekonomibërjes sa politikbërjes. Koncepti individual i zhvillimit të kapitalit është i ndërthurur me zhvillimin e shoqërisë, janë komplementare sa zhvillojnë një demokraci të tërë ku njeriu ndjen hov të paparë për të ndryshuar.Stadi i parë i individualizmit pas 1990 në Shqipëri, pas komunizmit që e kishte të ndaluar kuptimin e kapitalit dhe kapitalizmit, individi shqiptar sa ai me status elitar në mendim u shfaq përsëri djali i politikanit, ofiqarit të dikurshëm, djali i profesorit, djali i drejtorit etj, që iu dha mundësia më shumë se të tjerëve dhe donte të zhvillonte kapitalizmin sipas mendësive të djathta ose të imitimit të djemve të dikurshëm bankierë apo bisnesmenë, borgjezë apo kapitalistë. Këtyre iu dha mundësia shumë më tepër sesa individëve të thjeshtë.Ky djalë i krijuar me mendësi dhe kulturë komuniste nuk mundej dot të linte djemtë e bankierëve të dikurshëm dhe të kapitalistëve që quheshin dikur kulakë që të rifitonin atë pasuri që iu ishte marrë, atë status apo të zhvillohej në një konkurrencë të hapur në të gjitha llojet e vlerave. Atyre u ishte marrë prona, pasuria, statusi, nderi, dinjiteti me dhunë dhe kjo nuk mund dot të futej në konkurrencë sipas tyre me këtë situatë. Ata kishin edhe faj, edhe ndot, edhe frikë nga ky brez elitar i dikurshëm.
Në një mijë e një mënyra do të krijohej bashkësia e djemve të djathtë të rinj ku do të vidhej prona e tjetrit përsëri me anë ligjore e mbivendosje, do të fitohej nga e përgjithshmja, nga veprat publike, nga e mira publike dhe e përbashkët, nga aktiviteti publik, e mira e përbashkët e turmës apo e tufës, masës kolektive, në uzina, fabrika, pasuri kombëtare, lokale etj, si dikur u hiqej e drejta kulakëve për pasurinë e tokës dhe e të ardhurave.Në këtë kuptim shoqërorja kuptohej tashmë si populizëm, komunizëm, stalinizëm kurse e sotmja duhej të orientohej nga e djathta si liberale, përparimtare.Stadi i dytë përkonte me korrupsionin dhe vjedhjen e së mirës publike institucionale. Një kryeministër a ministër, drejtor apo nënpunës mund të vidhte tashmë më lehtë me një firmë miliona lekë sesa me vepra e beton nga monizmi. Ishte mënyrë më oportune dhe më e shpejtë.Nga ana e biznesit në këtë sistem vlerash hov morën matrapazët që zhvilluan hilen. Në të dyja format e djathta e re u krijua në këtë shtrat me anë të hiles dhe të gënjeshtrës që kishte si prapavijë dhunën dhe zhvatjen.Këto lloj formash, jo vetëm ngritën shtresën e lartë, qasjen për nga monopoli(cdo lloj monopoli, jo vetëm ekonomik por edhe profesional, kulturor, politik etj) apo kuptimin oligarkik që quhet sot, por me anë të hiles duan të përfaqësojnë edhe sot synimet e të djathtës së lirë në politikë, të ekonomisë së lirë të tregut, të zhvillimit të kapitalizmit bashkëkohor.Një vjedh si model më i lartë i njeriut të suskesshëm, të gjithë do të vjedhin për të qenë në modë dhe në sistem, nënpunës apo profesor, punëtor apo sipërmarrës.Tashmë e djathta nuk është më si në kuptimin e atij djalit të bankierit që s’ka ç’të bëjë dhe bën një shkollë për të trashëguar e zhvilluar kapitalin me vizionet largpamëse të tij falë ndihmesës së babait dhe kulturës. Tashmë djali i llojit të ri ngrihet falë hiles, vjedhjes dhe mashtrimit në parazitizëm, banalitet e mediokritet, postmodernitet pa bërë gjë thelbësore në jetën e vet, pa bërë ndryshim në qenie. Dikur në mesjetë po mos të vidhje nuk merrje nuse, ky ishte modeli, sot e njëjta gjë, vjedhja vë në qendër të suksesit këtë të ri që merr hov edhe nga vjedhjet harbute të kapitalistëve të dikurshëm, nga komunistët si pjesë e ideologjisë mbi të përbashkëtën dhe luftën e klasave duke vjedhur ctë mundnin nga të pasurit. Djali i ri ngrihet falë hiles, mashtrimit e vjedhjes, banalitet e vulgaritet si shenjë suksesi dhe modeli shoqëror.Nga ai djali i llastuar i sekretarit të parë të partisë e të rrethit, që megjithëse i thjeshtë në gjirin e popullit kishte nëntë dhe fshehurazi shumë të mira e privilegje që vinin si status nga babai apo familja, fisi, tashmë ai shikohet si djalë i ri i djathtë, të modelit të hajdutit. Dhe kjo shihej e shihet si zhvillim sa brezat u lënë vendin njeri-tjetrit, fëmijët bëhen baballarë e orientojnë fëmijët e rinj.Problem tjetër me të djathtën është se hajduti në psikologjinë e veprimit është koprrac. Ai investon për të mirën dhe pushtetin e tij personal në kapitalin e vet, por nuk do t’ia dijë për shoqërinë që me mendësi komuniste mendon se duhet të jetë turmë, tufë, masë. Rrjedhoja e kësaj llogjike shikohet edhe te oligopoli ekonomik i biznesmenëve të shkëputur nga politika që mund të kenë 1 milion e një fije të lidhur me politikën, pasoja përcakton shkakun. Tashmë shoqëria konsiderohet si instrument, skllavëri, punëtorë me mëditje ku nuk duhet të ketë pragun e kalimit ekzistencial pasi përbën rrezik për statusi ne vet, nuk duhet të kenë as sigurime, as sindikata, as gjykata, as polici, as shtet, as mënyrë orientimi sepse cënohet sistemi si dikur sistemi në komunizëm me baballarët. Atë kulturë kanë trashëguar.Ai ndihet komod si maskara, si hajdut për ta zhvilluar këtë kapital në këto kushte por nuk di si të zhvillojë shoqërinë që e do të sunduar, madje nuk di si ta orientojë vlerën e vet ekonomike për të ecur para pasi e përqendron vetëm tek vetja si burim. Përjashtohet tjetri, grupi, shoqëria nga këto burime që i mbledh falë egocentrizmit të vet.Në këtë kurth është dhe politika. Ajo do të jetë liberale, neoliberale deri në socialdemokraci, demokraci sociale apo me tipare konservatore në qëndrime por e gjitha kjo mbështetet në kuptimin primar në zhvatje dhe vjedhje. Nuk është ‘Robinhudizëm’ për shoqërinë, pirateri, kacakëri ndaj sulltanit dhe sistemit por makutëri për vetveten.Nuk mund dot të rrethrrotullojnë sistemin as si para 200 vjetëve në Amerikë sepse kanë vrarë pronën, prodhimin, fshatin, shtresën sociale, industrinë e lehtë, natyrën, dhe mendojnë vetëm në mënyrë të njëjtë pa ide dhe ligjësi, në hajdutëri, ndryshe nga djali i dikurshëm i bankierit që lindi filzofinë e lirisë në treg konkurrent për një shoqëri më të zhvilluar.Sistemi nuk xhiron sepse individi nuk ka asgjë por si ai djalë borgjezi që vjen nga djalë komunisti, pra nga zhvatja nuk krijon dot tepricën për shoqërinë, nuk krijohet konsumi, lëvizja e parasë, prodhimi, shpikjet, teknologjia e kohës, riformimet apo revolucionet teknologjike e shkencore, mirëqenia, sistemi, rendi kapitalist pra ka rënë gjithçka falë aftësisë për të qënë koprac dhe hajdut. Kjo nga frika e konkurrencës, lirisë së individëve që përbëjnë rrezik, mendjengshushtësisë dhe centrizmit elitar të një mendësie molonite.Ata janë bërë ‘’boumerang’’ i vetvetes.Nga gënjeshta nuk mund të ecin si të vërtetë përveçse me evolimin e kohës, djemtë me hile të bankave të krijuar siç do modeli i ri i hiçit dhe i vjedhjes, nuk mund të ecin me shkollimin dhe specializimin që prish rendin dhe sistemin akual. Shkolla duhet për triumf po jo për të ndryshur këtë establishment të ri, duhet kënetë jo lumë. Në këtë formë hilja dhe vjedhja trashëgohet në ‘’arketip’’ tek brezi i ri dhe tek fryma shoqërore, tek modeli, preferohet më shumë ky model sesa ndryshimi si rrugë më e shpejtë falë dhe makutërisë që do me çdo kusht dhe në ankth ta vrasë konkurrencën e shpejtë të të shumtëve.Makutët janë të paduruar psikologjikisht sepse kanë obsesion. Ky kalim në psikozë shkon deri në kuptimin e së përgjithshmes.Asnjë parti më pas nuk mendon për zhvillimin shoqëror sepse janë të babëzitur për të qenë si modeli, ashtu si makutët dhe makutët në shoqëri duan modelin e njëkohësisht janë të babëzitur.Thjesht nga mungesa e vetvetes.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT