
Nga PAOLO VALENTINO
Dostojevski I ndante rusët në lojtarë shahu e lojtarë kumari. Vladimir Putin sigurisht I përket familjes së dytë, duke mishëruar të gjitha cilësitë e një pokeristi. Kreu I Kremlinit është I zoti të shfrytëzojë cenueshmërinë dhe gabimet e kundërshtarit. Edhe kur ka letra jo të mira arrin të fitojë dobinë më të madhe taktike. Por nuk është një srateg, për natyrë e për zgjedhje nuk vlerëson pasojat dhe ndërlikimet afatgjata të lëvizjeve të tij, siç është tipike e shahistëve.
Është kjo arsyeja e vërtetë përse Putini ndodhe tani në një gjëndje mjaft të vështirë. Duke mprehur krizën n’Ukrainë, presidenti rus ka arritur përfundime tpër të rëndësishme. Por tani është i detyruar të kërkojë rrugëdalje, që t’i lejojnë të dalë me nder, duke e paraqitur si një sukses.
Kriza ukrainase fillon e mbaron në të fshehtën e këtij njeriu situacionist. Lind nga misioni që i ka vënë vetvetes atë të kthimit të ndikimit të Rusisë në hapësirën gjeopolitike ish sovjetike. Dhe mund të mbyllet vetëm nëse, duke u kënaqur me një qëndërsi të rifituar në diplomacinë botërore dhe disa lëshime në fushën e çarmatimit, heq dorë nga lëvizje të reja destabilizuese, kryesisht duke i hequr fitilin “lojës së luftës” tepër të rrezikëshme që ka vënë në fushë. Askush nuk mund të parashikojë lëvizjet: “As edhe njerëzit e rrethit të tij magjik nuk janë në gjëndje të parashikojnë se çfarë do të bëjë”, shpjegon Andrej Kortunov, drejtori i Këshillit Rus të punëve të Jashtëme.
Putini nuk ka menduar kurrë të mësyejë Ukrainën, duke shkaktuar një luftë që nuk mund t’i a lejonte vetes. Do t’a kishte kthyer Rusinë në paria të kombeve, do të shkaktonte shpërthimin e sanksioneve të reja e më të ashpra, do t’a ngarkonte Moskën me çmime të papërballueshme për kushedi sa kohë. Ukraina nuk është Krimea, ku edhe Tolstoi luftoi në rrethimin e Sevastopolit dhe ku shumica ruse më 1914 i u bashkëngjit e bindur Rusisë. Putini e di se një popullsi armike dhe një qëndresë e fuqishme e armatosur do t’a kthente pushtimin rus në një kurth vdekjeprurës. “Donte të dërgonte një sinjal të dyfishtë: Kievit që të zbatonte marrëveshjet e Minskut dhe Shteteve të Bashkuara që më së fundi t’a dëgjonin e të merrnin seriozisht shqetësimet për sigurinë e Rusisë” tha Kortunov.
Duke ushqyer tregimin e një lufte me më shumë se 100 mijë ushtarë në kufi, duke i paraqitur SHBA e NATO-s një listë kërkesash të pamundura e duke luajtur letrën e kërcënimit energjitik kundër Evropës, Putini sigurisht ka “fituar” dorën, duke u imponuar si baskëbisedues për të gjithë. Por nuk kishte vënë në llogari kundrveprimin në thelb solidar të Perëndimit. Kështu ka prodhuar efekte të padëshiruara në ripërtëritjen e NATO-s, duke shtuar praninë ushtarake n’Evropën qëndër-lindore, duke ripërqëndruar në fushën evropiane një Administratë deri tani të mefshtë e të hutuar nga “loja e madhe” me Kinën, jo e fundit të bindëte deri edhe më të nguruarit nga Vëndet evropiane, përfshirë Gjermaninë , se përballë një sulmi ushtarak gjithshka mund të vihej në diskutim, deri edhe litarthi i kërthizës së gazit natyral rus.
Megjithatë, në ditët e fundit diçka ka ndryshuar në qëndrimin e Putinit, me gjithë retorikën agresive në kritikën e vendimeve amerikane për të rrjeshtuar 2.700 ushtarë të rinj n’Evropën Lindore. Duke folur mbas vizitës së Viktor Orbanit, presidenti rus për të parën herë nuk kërcënoi më me t’ashtuquajturat “masa tekniko-ushtarake” në rastin kur aleatët perëndimorë nuk do të plotësojnë në tërësi kërkesat ruse, përfshirë edhe tërheqjen e forcave NATO e të armëve bërthamore të SHBA nga ish Vëndet e bllokut sovjetik. Për më tepër, i drejtë zbulimi i El Pais, përgjigja amerikane kërkesave të Putinit përfshin edhe një hapësirë për të biseduar, edhe nga ndërpretime të ndryshme, temën e “sigurisë së pandashme”, të përmbajtur nga karta e OSBE-s, simbas së cilës një Vend nuk mund të bëhet më i sigurtë në kurriz të një tjetri. Me pajën e një gatishmërie për të kontraktuar një pezullim të raketave bërthamore të ndërmjetme, një traktat mbi ato strategjike, krijimin e një zone të çmilitarizuar dhe një regjim mbikqyrjeje, mund të jetë kjo rrugëdalja për të cilën ka nevojë Putini.
Por koha është një mall i mangët. Putini nuk do të bëjë asgjë gjatë Olimpiadës dimërore për t’i prishur festën mikut dhe mbrojtësit të tij Xi Jinping, së bashku me të cilin dje ka ritheksuar kundërshtimin e Kinës e të Rusisë për zgjerimin e NATO-s. Por “mund të mbajë përsëri trupat të mobilizuara në kufi me Ukrainën, shumë shumë edhe një muaj, pastaj ose i përdor ose i duhet t’i kthejë në shtëpi.”, shpjegon Kortunov. Nuk është aspak e lehtë, edhe sepse deri tani është folur pak për nyjen tjetër të ndeshjes: kundërshtinë e presidentit ukrainas Zelenski për të bërë lëshime mbi marrëveshjet e Minskut, që për Putinin janë themelore. “Edhe Zelenski është në një pozitë të ndërlikuar, sepse çdo lëshim i tij mbi autonominë e Donbasit, ose tërheqje e trupave nga krahinat e ndara do të përceptohej brënda si një kapitullim”, shpjegon politologu Valerij Solovej. Duke patur luajtur letrat më të mira, a do t’arrijë Vladimir Putini të shuajë “lojën e luftës” pa e humbur nderin?
“Corriere della Sera”, 4 shkurt 2022 Përktheu: Eugjen Merlika