• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUMRI I MADH I PARTIVE POLITIKE MUND TA DËMTOJË INTERESIN KOMBËTAR

November 10, 2021 by s p

Xhelal Zejneli/

Në hapësirën politike shqiptare ka numër të madh partish politike. Sipas të dhënave të Komisionit qendror të zgjedhjeve, të vitit 2014, në Shqipëri kanë qenë të regjistruara 124 parti politike. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 kanë marrë pjesë 54 parti politike. Parti kryesore janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Në Kosovë ka 47 parti politike. Deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë tetë parti politike. Në skenën politike figurojnë edhe tetë parti të tjera politike të vogla. Minoritetet në Kosovë kanë 31 parti politike. Ka raste kur një minoritet të ketë disa parti politike. Tetë parti politike të Kosovës, që kanë vepruar më parë, tanimë nuk veprojnë politikisht, përkatësisht nuk ekzistojnë. 

Në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) veprojnë pesë parti politike: Partia për Veprim Demokratik, Alternative për Ndryshime, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike. 

Në Mal të Zi ka disa parti politike shqiptare. Në vitin 2020 këtu vepruan pesë forca politike shqiptare: Alternative Shqiptare, Forca, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit, Perspektiva. Janë edhe tri parti të tjera: Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Kjo e fundit është themeluar në vitin 1990 me në krye Memet Bardhin.         

Në Maqedoninë e Veriut veprojnë 43 parti politike. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut përbëhet prej deputetëve të 22 partive politike: koalicioni i LSDM-së me 6 parti të tjera, koalicioni i VMRO-s me 6 parti të tjera, si dhe deputetët e 8 partive të tjera. 

Në Maqedoninë e Veriut figurojnë edhe 11 parti jashtëparlamentare, 8 parti të minoriteteve, 2 parti politike shqiptare – PPD-ja dhe RDK-ja.

Në Maqedoninë e Veriut janë edhe 6 ish-parti, që tanimë nuk ekzistojnë. 

Në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut veprojnë: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh), Lëvizja Besa, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare, Partia për Shtet dhe Drejtësi, e themeluar në vitin 2018. Në zgjedhjet vendore të vitit në vazhdim, për këshilltarë të këshillit bashkiak të bashkisë së Tetovës, mori  pjesë edhe Nisma “Më mirë për Tetovën”, e cila – sipas të dhënave të KQZ-së – fitoi 2.842 vota, përkatësisht 7.41 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të bashkisë së sipërthënë. 

*    *   *

Po të kihet parasysh numri i banorëve apo i popullatës shqiptare në Kosovën lindore   (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) si dhe në Mal të Zi, do të nxjerrim përfundimin se numri i partive politike shqiptare në këto dy hapësira është i madh dhe i panevojshëm, për të mos thënë i dëmshëm. Numri i madh i partive shqiptare në këto hapësira ndikon që vota e votuesit shqiptar ta humb peshën, vlerën apo rëndësinë e vet. Përpos kësaj, ndodh që në Mal të Zi, parti shqiptare e caktuar të manipulohet nga ndonjë parti malazeze apo nga pushtetarët malazias. 

Edhe në Kosovë, numri i partive politike është tejet i madh. Numri i madh i partive krijon mundësinë e konflikteve, zënkave, denigrimeve dhe të përçarjeve për qëllime personale apo të grupeve. Kur kemi shumë parti politike, ndonjëra prej tyre qëllon të jetë parti e ndonjë bajraktari, parti e fisit, e zonës, e rajonit apo e krahinës. Numri i madh i partive politike bëhet pengesë për ndërtimin e politikës kombëtare, përkatësisht shtetërore, për ndërtimin e strategjisë kombëtare, d.m.th. shtetërore, për përkufizimin e interesit shtetëror. Në një shtet të vogël me shumë parti politike, vlojnë zënkat, konfliktet, denigrimet dhe përçarjet ndërpartiake. Kjo ka për pasojë që shteti i vogël dhe ekonomikisht i pazhvilluar të harxhojë energji për çështjet që fare s’kanë të bëjnë me interesin shtetëror. Në rastin e Kosovës, kjo shkon në favor të armikut – Serbisë. 

Shoqërisë i duhet zhvillimi ekonomik, zhvillimi i parimeve demokratike dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Shteti i vogël, me shumë parti politike dhe me ekonomi të pazhvilluar, vështirë e ka të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë demokracinë dhe të ndërtojë shtet ligjor. Në shtetin e tillë korrupsioni dhe nepotizmi s’kanë të ndalur dhe s’kanë të sosur. Në shtetin e tillë lehtë politizohen dhe partizohen sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë, administrata publike, të gjitha poret e shoqërisë. Në shtetin e tillë lihet hapësirë edhe për veprimin e kontrabandës. 

Në Shqipëri ka shumë parti, por dy janë kryesore – Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa në Kosovë, janë më shumë se dy – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës etj. 

*   *   *

Partitë janë grupe interesi. Është e drejtë e një grupi të formulojë, të artikulojë dhe të përkufizojë ide apo ideologji të caktuar, me interes shoqëror më të gjerë. In ultima linea, po qe se një parti politike apo një subjekt politik nuk mbulon një interes shoqëror më të gjerë se interesi i individit apo i grupit të ngushtë, ajo parti apo ai subjekt, vjen një ditë dhe shuhet vetvetiu. Mirëpo popujt me probleme politike, ekonomike dhe sociale s’kanë shumë kohë të merren me eksperimente të tilla. 

Partitë politike nuk lindin rastësisht. Lëvizjet politike apo partitë, lindin kryesisht në momente historike të caktuara. Momente historike mund të jenë luftërat çlirimtare. Ka raste kur partitë politike lindin në momente krizash të theksuara politike, ekonomike, sociale dhe morale. Jashtë këtyre momenteve vështirë lindin partitë. Ato mund të regjistrohen si subjekte politike, por vështirë shtrihen në shoqëri. Ka raste kur një subjekt politik krijohet me kërkesën dhe me mbështetjen financiare të një shteti të jashtëm.

Në shumë raste partitë politike manipulojnë me kauzën kombëtare, me interesin kombëtar apo me interesin e përgjithshëm. Nuk mund të qëndrosh me vite dhe dekada në pushtet në emër të kauzës kombëtare apo në emër të shqiptarizmit. Askush s’ka të drejtë të keqpërdorë kauzën kombëtare apo interesin kombëtar, vetëm e vetëm për të ruajtur interesin një individ, një grup, një koniunkturë apo një nomenklaturë. Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte implementuar në vitin 2004 apo 2005. Që atëherë kanë kaluar gati dy dekada. Për këtë vonesë dhe për këtë prolongim askush s’mbajti përgjegjësi. 

Ka raste kur partitë politike të mëdha i mbyllin dyert e veta për të rinjtë, për inteligjencien dhe për ekspertët e lëmenjve të ndryshëm. Në partinë e tillë, vite me radhë të njëjtët njerëz rrotullohen nga posti në post, nga detyra në detyrë, nga dikasteri në dikaster. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë bëhet deputet kuvendi. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë bëhet këshilltar bashkie. Ndërkohë, një i ri i shkolluar, nuk përfillet, shpërfillet, nëpërkëmbet, injorohet, margjinalizohet, konsiderohet i tepërt, i panevojshëm.

Partia në të cilën të njëjtët njerëz vite me radhë rrotullohen nga posti në post, mund të qëndrojë në skenën politike vetëm nëse nuk kanë opozitë të fortë. Partia që sundon vite me radhë me të njëjtët njerëz, pashmangshëm zhytet në korrupsion dhe në nepotizëm. Në rrethana të tilla, doemos lind pakënaqësia në shoqëri, sidomos ndër të rinjtë të konsideruar të tepërt dhe ndër inteligjencien e shpërfillur, të anashkaluar dhe të injoruar. Partia e tillë që mbizotëron apo që sundon me vite me të njëjtët njerëz, gëzon mbështetjen e oportunistëve, e konformistëve, e poltronëve, e pseudointelektualëve, e kalemxhinjve, e pakurrizorëve, e butakëve, e mediumeve të kontrolluara prej saj, e analistëve mercenarë. 

Kur i riu i shkolluar vëren sesi shoku i tij i klasës apo i gjeneratës i cili për nga suksesi në shkollë ka qenë shumë më i dobët se ai, me mbështetjen e ndokujt ngjitet në pozita politike apo shoqërore, s’i mbetet tjetër përvese – i zhgënjyer dhe i rezignuar – të marrë rrugën për në Gjermani. 

Me fjalë të tjera, në rrethana krizash politike, ekonomike, sociale dhe morale lindin parti të reja.  

*   *   *

Pluralizmi politik, pluralizmi ideologjik si dhe pluralizmi i interesave janë vlera demokratike. Megjithëkëtë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të ishte më mirë të ketë jo më shumë se dy parti politike: Bashkimi Demokratik për Integrim, në një anë dhe të gjitha partitë e tjera, në anën tjetër. Me fjalë të tjera, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare do të mundë të shkriheshin në një subjekt politik të vetëm  Këtij subjekti do të mundë t’i bashkëngjitej edhe ndonjë grup apo parti tjetër   që ka shtrirje më të reduktuar. Me dy parti politike, faktori politik shqiptar do të faktorizohej. Kështu i fragmentarizuar, faktori politik shqiptar është i defaktorizuar. Politika kombëtare nuk është matematikë: Pa dy a tre deputetët e mi nuk mund të krijohet qeveria. Ti mund të krijosh qeveri dhe të hyjsh në të, por interesin shqiptar nuk e realizon dot. 

ShBA-ja ka mbi 325 milionë banorë. Ka dhe shumë parti politike, por vetëm dy janë kryesoret – Partia republikane si dhe Partia Demokratike. Franca metropolitane ka mbi 61 milionë banorë. Edhe në të veprojnë shumë parti, por tri sosh janë kryesore. 

*   *   *

Faktori politik shqiptar duhet të veprojë për t’i mbrojtur arritjet e deritashme, duke artikuluar njëherazi edhe kërkesa të tjera. 

Këtu, edhe tridhjetë vjet pas pluralizmit, ekzistojnë punë që kanë të bëjnë me çështjet themelore kombëtare. Viset shqiptare, që nga Struga deri në Likovë, kanë ngecur ekonomikisht. Shqiptarët, si asnjë popull tjetër në botë, figurojnë si 20 për qind. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare, qe tridhjetë vjet nuk mund ta ndërrosh emërtimin e një shkolle fillore apo të mesme. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare rrugët nuk mund t’i emërtosh me emra të figurave apo të personaliteteve shqiptare. 

Faktori politik shqiptar i përbërë prej dy subjekteve politike do të gëzonte respekt më të madh, si nga pala sllavo-maqedonase, ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Nuk shkohet në takim me palën sllavo-maqedonase, kur ke pas vetes vetëm një apo dy-tre deputetë. Nuk shkohet në takim me ambasadorët e vendeve perëndimore apo me të dërguarit e tyre, kur ke pas vetes jo më shumë se një apo dy-tre deputetë. Kënd përfaqëson “lideri” në atë takim?! Në emër të kujt flet ai?! Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq. Sentenca antike: ”Si është populli, e tillë është qeveria”, në rastin e shqiptarëve nuk mund të jetë e pranueshme. Sentenca: “Çdo popull ka liri aq sa meriton” në rastin e shqiptarëve është jopërkatëse. Shqiptarët, që nga viti 1991 deri më sot, i janë përgjigjur çdo thirrjeje të faktorit politik, pa kursyer punën, djersën, mundin, dijen, mjetet financiare. As edhe gjakun.

Xhelal Zejneli              

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

VEPRIMET DESTRUKTIVE TË BEOGRADIT NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË RREZIKOJNË PAQEN NË RAJON

November 9, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është e tensionuar. Pas kësaj krize të radhës në BH, si gjithmonë, qëndron Serbia. Që nga themelimi i saj, Republika Serbe ndjek politikë qendërikëse. Veprimet e Millorad Dodikut, i cili është në listën e zezë të ShBA-së, janë në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit. Me synimin e këtij entiteti fantomik për ta krijuar ushtrinë e vet, ky entitet aspiron shkëputjen nga shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkëngjitjen Serbisë. Këto veprime të Serbisë, jo vetëm që e destabilizojnë BH-në, por shpijnë edhe në shpërbërjen e saj. Këto veprimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë do të nxisin edhe reagimin e Zagrebit. Ndryshimi i kufijve në BH nuk do të kishte kaluar pa një konflikt të përgjakshëm, si ai i viteve 1991-1995. 

Rrjedhimisht, kriza e krijuar në BH, mund të ketë reperkusione për mbarë rajonin. Pas kësaj, kërkesat e veta kolonialiste Serbia do t’i intensifikonte edhe ndaj Kosovës. 

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. BH-ja përbëhet pre tre popujve konstitutivë: boshnjakëve (myslimanëve), serbëve dhe kroatëve. Krizën permanente në BH e shkakton Republika Serbe, e cila kurrë nuk iu është bindur organeve të pushtetit qendror. 

Nga kjo flakë e konfliktit nuk do të kursehej as Maqedonia e Veriut, një e treta e popullsisë të së cilës janë shqiptarë etnikë. Kësisoj, i tërë rajoni do të rikthehej në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, periudhë kjo e përshkuar nga gjakderdhja dhe gjenocidi serb në Kroaci, në BH dhe në Kosovë. 

Krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë krijim të entitetit serb në të. Me fjalë të tjera, në Kosovë do të kishim një dodik republikë e cila sapo të krijohej, do të vepronte për t’u shkëputur nga Kosova dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Këtë e tregon qartë kriza permanente në BH e cila tani duket sikur ka arritur kulmin. 

Me politikën e vet klerofashiste, Beogradi synon krijimin e Serbisë së Madhe. Duke qenë satelite politike historike e Rusisë, Serbia dëshiron ta sjellë Rusinë në rajon, pikërisht në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova aspirojnë integrimin në strukturat euroatlantike.

Nëpërmjet Serbisë si dhe forcave të tjera proruse në rajon synon, Rusia synon të krijojë në Ballkan sferën e saj të ndikimit dhe zonën e vet të interesit. 

Para pretendimeve ruse për t’u penetruar në gadishull Fuqitë e Mëdha perëndimore nuk duhet të rinë duarkryq. Fuqitë perëndimore duhet t’i ndërpresin investimet ekonomike në Serbi. Ajo duhet të vihet nën sanksione ekonomike të botës perëndimore. OKB-ja duhet të miratojë rezolutë me të cilën Serbisë duhet t’i vihet embargo për shitjen e armëve. Me fjalë të tjera, asnjë shtet, përfshi Rusinë dhe Kinën, të mos ketë të drejtë t’i shesë armë Serbisë. Militarizimi i Serbisë mund të nxit armatosjen e mbarë rajonit të varfër. 

Me politikën e saj anakronike, retrograde, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste, Serbia është penguesja kryesore e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. 

Kundër kësaj murtaje të zezë të Ballkanit – Serbisë së Madhe, duhet të reagojnë sa më parë Uashingtoni, Londra dhe Berlini. Destabilizimi i rajonit, në kohë të pandemisë Covid-19 dhe të krizës energjetike, rrezikon paqen dhe qëndrueshmërinë edhe në kontinentin e vjetër.

Është momenti i fundit që Fuqitë e Mëdha të Perëndimit të pushojnë ta konsiderojnë Serbinë si të përkëdhelurën e tyre.     Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

NUMËRAT E TAIVANIT A BËJNË NJË VËND?

November 9, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika/

Duket se Administrata Biden ka vendosur të ndihmojë Taivanin të dalë nga pozita e parias ndërkombëtare në të cilën është i lidhur prej katër dhjetëvjeçarësh. Të martën e shkuar sekretari i Shtetit amerikan Antony Blinken ka lëshuar një komunikatë në të cilën thotë se përjashtimi i Taipeit nga puna në shumë agjensi të Kombeve të Bashkuara “minon punën e rëndësishme të OKB e të organizmave të saj, të cilët të gjithë do të përfitonin shumë nga ndihmesat  e tij”.

Kjo mbasi vetë Joe Biden kishte thënë se ishte i gatshëm të mbronte Taivanin në rastin kur t’ishte i sulmuar nga Pekini. Gjë që ngre disa pyetje.

A ka ardhur vallë çasti në të cilin Washingtoni të deklarojë se Kina nuk është një, siç ka pranuar të pohojë pesëdhjetë vite më parë, por që janë dy? A po i afrohemi fundit të “dykuptimësisë strategjike”, në bazë të së cilës Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë kurrë të qartë nëse do të kundërvepronin ndaj ripushtimit të ishullit nga ana e Pekinit? A po i avitemi vërtetë njohjes së Taivanit si Vënd tashmë i pavarur, mbasi u shkëput nga mëmëdheu kur komunistët morën fuqinë më 1949?

Taivani ka një territor; ka një popullsi që, në shumicën dërmuese, dëshëron të mbetet e pavarur; ka një sistem ligjor e një sistem politik demokratik prej tre dhjetëvjeçarësh. Për më tepër është, megjithëse ka vetëm 23,5 milion banorë, një fuqi ekonomike e teknologjike. Më 1951, kur Vëndi ishte në fakt i varur nga ndihmat amerikane, PPI për frymë ishte 154 dollarë. Në 2020 ka kaluar 28 mijë dollarët e nëse e masim në termat e fuqisë blerëse jemi në 55 mijë dollarë në 2019 (të dhëna të Fondit monetar ndërkombëtar) . Gjithënjë në terma të fuqisë blerëse, ajo e Taivanit është e njëzeta ekonomi e planetit.

Nga pikëpamja teknologjike, Taivani ka prodhime të domosdoshme në shkallë globale: në veçanti farkëton 63 % të mikroçipëve që përdoren në botë, të nevojshme në rreth njëmijë sektorë, nga kompiuterët tek autot, tek Mbrojtja. Me gjithë këto e megjithë shkencëtarët e tij Taivani nuk mund të jetë pjesë e OKB dhe as e shumë prej agjensive të saj. Të kërkohet që t’i hapen së paku disa dyer, siç duket të jetë prirja e Washingtonit, shpërthen kundërshtinë e ashpër e Pekinit: e quan një hap drejt sovraniteti të Taivanit.

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

KONSAKRIMI I PAVARËSISË NJË AKT TRIUMFAL MBI ANARKINË DHE TRADHËTINË

November 9, 2021 by s p

KASTRIOT  ALIAJ/

Jo më kot për ne shqiptarët muaji Nëntor konsiderohet i shënjtë, për vetë rëndësinë historike që mban brënda tij, atë të shpalljes dhe konsakrimit të pavarësisë kombëtare. Në fund të tij shqiptarët kudo që janë, festojnë me krenari të ligjëshme një nga aktet më kulmore, atë të hedhjes së themeleve të shtetit të parë shqiptar. Për këtë akt të etnicitetit kombëtar, poeti dhe atdhetari i madh At’Gjergj Fishta apo “triteu i Shqipërisë” siç do ta quante elita franceze e kohës, do të shkruante: “Ne nuk e bëmë Shqipërinë që ta gëzojmë,  por gëzojmë që Shqipëria u bë”. Ky akt triumfal i 28 Nëntorit të vitit 1912, bëri realitet ëndrrën dhe sakrificat e panumurta të rilindasve tanë me platformën e tyre, të përfshirë në lëvizjen kombëtare në fund të shek.XIX. Platforma ishte produkt i Lidhjes së Prizrenit, si një lëvizje e parë shqiptare e organizuar në mënyrë administrativo-politike e ushtarake, që prej kohës së Skënderbeut. Ajo ishte ngjarja më e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare, dhe një nga më të mëdhatë në historinë e kombit tonë pas Kuvëndt të Lezhës. Kjo platformë u bë moto përpos shpalljes së pavarësisë, si një domosdoshmëri imperative për të evituar orekset e mbretërive fqinje, që ishin akaparuar nga nacionalizmat për zgjerime të njëpasnjëshme. Ajo kishte si objekt tre opsione kryesore siç ishin:” 1-Çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha otomane, 2-Mbrojtja e tërësisë teritoriale të atdheut, 3-Formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Konsakrimi i pavarësisë ishte edhe një grusht për Traktatin e Shën Stefanit, por në mënyrë të vecantë për Kongresin famkeq të Berlinit. Ky kongres nuk mori parasysh kërkesat e shqiptarëve të paraqitura nga Abdyl Frashëri, por më keq akoma ishte qëndrimi mospërfillës dhe brutal, i kancelarit gjerman Oto Bismark, i cili u shpreh se;” Nuk ka një komb shqiptar, Shqipëria është një shprehje gjeografike”. Në këtë kongres të zi, fuqitë e mëdha kërkonin të modelonin një hartë të re të gadishullit Ballkanik, ku Shqipëria nuk do të figuronte si shtet. Ky kongres nuk mori parasysh liritë dhe të drejtat e popujve, por u fokusua tek interesat e tyre që breheshin nga kontrakdita të thella. Në këtë situatë aspak favorizuese për kombin tonë të përcarë, shpallja e pavarësisë kërkonte angazhim mbarë etnik. Ajo kërkonte mbrojtjen e saj jo vetëm nga kërcënimi i jashtëm, por edhe nga turbolencat e brëndëshme si rezultat i mungesës së sigurisë në të gjithë hapësirën etnike. Për këtë ngjarje madhore me përmasa kombëtare, kanë folur dhe shkruar jo pak historianë,studiues e hulumtues, të cilët kanë mbritur në të njëjtën përfundim se Ismail Bej Vlora, e pati të vështirë shpalljen e pavarësisë. Ky vlerësim rridhte nga një numur i madh kundërshtarësh, zotërues të çifligjeve që nuk e pranonin atë për egon dhe interesat e tyre, për të cilët plaku i urtë i Vlorës ishte shprehur ashpërsisht duke thënë:” Pa u vra tradhëtia nuk mund të bashkohet Shqipëria”. Kjo kategori njerzish që kishin për zëmër sistemin feudal turk, nuk ishin dakord sepse shpallja e pavarësisë i bënte ata të humbisnin pushtetin, privilegjet, pasurinë dhe sundimin. Në rrethanat që u shpall pavarësia, jo vetëm në qytetin e Vlorës por në të gjithë hapësirën e etnicitetit kombëtar, sundonte kaosi dhe anarkia. Vëndi ishte coptuar dhe sundohej nga “paria” e çifligjeve, që jo vetëm nuk e pranonin mëvetësinë nga Turqia, por një pjesë e tyre ishin të lidhur me mbretëritë fqinje. Në këto kushte qeveria e sapo formuar nga pjesmarrësit në ngritjen e flamurit, nuk ishte në gjëndje të ushtronte autoritetin e saj, në të gjithë viset dhe trojet etnike shqiptare. Nga dokumentet që hedhin dritë mbi ngjarjet post shpalljes së pavarësisë, eksponentë që nuk pajtoheshin me aktin historik të plakut të Vlorës, ishin Preng Bibë Doda në Orosh të Mirditës, Dedë Coku e Vath Marashi në Lezhë,  Breg-Mat e Shëngjin, në Myzeqe Azis Pashë Vrioni, ndërsa Shkodra ishte nën pushtimin e një detashmenti të ushtrive ndërkombëtare, që komandohej nga koloneli Anglez Filips,por që kontrollohej nga Admirali Berni. Treva e bregut të Himarës qeverisej nga agjenti grek Spiro Milo, ndërsa Gjirokastra nga qeveria e vetshpallur e Zografos. Disa prej këtyre eksponentëve nuk u interesonte cështja kombëtare,sepse ishin vënë në shërbim të mbretërive fqinje.Kështu mund të përmëndim Arif Hyqmeti e Jusuf Bej Dohocishti në Dibër, që me dy mijë ushtarë të veshur me uniforma ushtarake, ishin në dispozicion të mbretërisë sërbe në cfarëdo lloj eventi për ndërhyrje. Por ajo që tërhiqte më shumë vëmëndjen, ishte gallamosja në politikë e komuniteteve fetare,të cilët mbështesnin sunduesit lokalë që kundërshtonin pavarësinë. Ndër ta ishte Myftiu i Tiranës Musa Qazimi, në Elbasan Dervish Beu, në Korcë dhespoti grek Germano, ndërsa në Durrës dhespoti Jakov. Brënda qeverisë të sapo formuar në qytetin e Vlorës,ishin të atashuar kasnecë që pretendonin se punonin për bashkim kombëtar,kur në fakt merreshin me detyrat që u kishin ngarkuar armiqtë e Shqipërisë etnike. Një nga feudalët tipik të kësaj fatkeqësie kombëtare,ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij Esat Pashë Toptani.Për veprimtarinë e tij anti-kombëtare është shprehur edhe hulumtusja dhe vlerësuesja e cështjes sonë kombëtare,znj.Edit Durham, e cila e ka quajtur atë;” Sëpata e zezë e Abdyl Hamitit”. Si një feudal anti-shqiptar i dhënë pas orgjive dhe shthurjeve morale, ai përshkohej nga mungesa e patriotizmit dhe ndienjave kombëtare. Mungesën e patriotizmit ai e ka demostruar gjatë gjithë karierës së tij në shërbim të qeverive të huaja nga të cilat edhe paguhej. Që në vitin 1908 ai suvencionohej nga qeveria italiane me 60 mijë lira në vit, ndërsa nga mbretëria sërbe me 50 mijë dinarë në muaj derii në fund të jetës së tij. Anti-shqiptarizmin  e ka konfirmuar në një nga intervistat e tij, dhënë shtypit të kohës në maj të vitit 1913, kur u pyet nga një gazetar i huaj se cmendim kishte për qeverinë e Vlorës, ai me shpërfillje i dha këtë përgjigje: “Unë jam turk, ç’lidhje kam unë me qeverinë e Ismail Qemalit? Si mundem unë një gjeneral turk, të kem marrdhënie me të”? Megjithse pjestarët e qeverisë së Vlorës e njihnin mirë se kush ishte Esat Pasha, ku me një marrveshje me Malin e Zi, ai e kishte dorëzuar Shkodrën në duart e tyre, ata përsëri i ofruan një vënd në kabinetin e parë të qeverisë shqiptare.Ai jo vetëm që nuk e përfilli ofertën e qeverisë, por kërkonte që qeverija të vendosej në Durrës dhe vetë të quhej princi i shqiptarëve. Për shërbimet që i kishte bërë mbretërisë sërbe, ai u shpall prej tyre hero dhe për ironi të fatit, qeveritarët sërbë shkojnë edhe sot e i vendosin lule në varrezat e Beogradit. Personazhe të këtij kallëpi me tipologji të ndryshme,si dëshmi e atyre ngjarjeve madhore për kombin tonë,i gjejmë tek vlersimi që i bëri vetë plaku i urtë i Vlorës kur u shpreh me keqardhje;”Se Shqipëria ishte helmuar dhe përcarë nga armiqësia”. Por shqiptarët në vlerësim dhe kujtim të asaj ngjarje të madhe historike,si dhe të tjerat të mëvonshme, pavarësisht nga qëndrimet kundër interesave kombëtare, mendojnë se është historia gjykatësi më i madh, që i jep kujdo vëndin që meriton. Këto e të tjera histori të natyrave profetike, që kanë hedhur baltë mbi dinjitetin tonë kombëtar, nuk mund t’i mbeten barrë të ardhmes tonë në breza, por le t’i kujtojmë si një ëndërr e keqe e hedhur pas. Shqiptarët kudo që janë brënda dhe jashtë Shqipërisë, ndihen krenar e dinjitoz për vëndin e tyre të lirë e të pavarur.Ata përkulen me respekt përpara veprës madhore të rilindasve, arkitektëve të shtetit të parë shqiptar, që nuk kursyen asgjë për interesat dhe groteskun e etnicitetit kombëtar. Ata i bëjnë apel politikës se sotme, që me cështjet kapitale të sovranitetit, lirisë dhe parimeve demokratoike, nuk bëhen pazare. Ato konsiderohen të shënjta dhe do të mbeten të tilla brez pas brezi, në të gjithë hapësirën shqiptare etnike, ku valvitet flamuri ynë kuq e zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kastriot Aliaj

Tri arsye pse jam kundër ndërtimit të HEC Skavica

November 9, 2021 by s p

Nga Ferzileta Gjika*

New York, 4 nëntor 2021

Gjatë viteve të fundit, rezistenca e komunitetit dibran ndaj ndërtimit të digës së madhe të Skavicës, është intensifikuar dhe është bërë gjithnjë e me e koordinuar. Në disa rajone, si në Fushe-Alie, Luzni, Kastriot etj., rezistenca lokale është bërë më e organizuar dhe më efektive. Në fakt, forcimi i lidhjeve ndërlokale kontribuon në shpërndarjen e informacionit dhe burimeve njerëzore dhe materiale për të mbrojtur të drejtat e popullit dibran, me të drejta të plota  të banorëve vendas. 

Unë jam lindur dhe rritur në fshatin Fushë-Alie. Vendlindja ime rrezikohet të mbulohet me ujë nga hidrocentrali i Skavicës. Bashkë me to zhduken varret e të parëve tanë, kultura, historia dibrane dhe kombëtare , dinjiteti, tradita dhe e drejta humane për të pasur tokën dhe shtëpinë që ne trashëgojmë. Sot i bashkohem thirrjes “Po Dibra, Jo Skavica”, e cila është kundër ndërtimit të HEC Skavica dhe që do të jetë hidrocentrali më i madh, jo vetëm në Shqipëri por një nga hidrocentralet më të mëdha në Europë. 

Ndërkohë që SHBA ka ndaluar me ligj ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha, siç është ai i Skavicës, dhe shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e hidrocentraleve ekzistuese, është e pakuptueshme se si është përfshirë një kompanie amerikane në ndërtimin e HEC Skavica. Gjithashtu, ndërsa  Komisioni Europian, përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanit Perëndimor (WBIF),është tërhequr nga financimi i hidrocentralit, Bashkimi Europian dhe organizmat e saj nuk po kërkojnë ruajtjen standardeve mjedisore në këtë rast, ngjashëm me rastin e Lumit Vjosa.  

Cilat janë arsyet e ndërtimit të një hidrocentrali të madh në Shqipëri? A është kjo e vetmja rrugë për të siguruar energjinë elektrike në vend?

Energjia hidroelektrike ka qenë një burim i zhvillimit në shumë vende europiane dhe ende përfaqëson një pjesë të madhe të pjesës energjetike të rajonit. Por, a është kjo alternativa më e mirë për shqiptarët dhe aq më tepër për popullin e Dibrës? 

Në përgjigje të vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar digën më të madhe në vend në rajonin e Dibrës, e njohur si diga e Skavicës, po shpjegoj se çfarë do të thotë të vazhdosh të nënshkruash kontrata ndërtimi për digat e mëdha në Shqipëri dhe konkretisht në Dibër. 

Ajo që vijon janë tri arsye pse duhet t’u themi “jo” digave më të mëdha:

1. Sot ekzistojnë alternativa më të mira sesa ndërtimi i hidrocentralit të madh të Skavicës dhe duhet të merren parasysh në planifikimin e projektit. 

Përpara se të zgjedhë një burim alternativ energjie, qeveria shqiptare duhet të hartojë një plan strategjik që analizon nevojat për energji dhe mënyrën më të mirë për t’i arritur ato. Në këtë analizë, duhet të merren parasysh të gjitha opsionet. Është shqetësuese që kjo nuk ndodh tashmë.

Për shembull, në rastin e digës së Skavicës, që mendohet të jetë më e madhja në Shqipëri dhe kështu sjell dëmtime serioze sociale dhe mjedisore, qeveria shqiptare ka vendosur të mos kryejë një vlerësim paraprak të alternativave. Edhe pse ligjet mjedisore ekzistojnë dhe vlerësimi është rekomanduar nga ekspertë të shkencës, gjeologjisë dhe mjedisit. Ky hidrocentral ka më shumë efekte negative sesa përfitime. Qeveria shqiptare nuk ka marrë parasysh asnjë nga këto rekomandime. Diskutime dhe analiza të mirëfillta janë një standard ndërkombëtar që institucionet e mëdha financiare duhet ta zbatojnë kur investojnë në projekte të këtij lloji.

Burimet e tjera të energjisë – që vijnë nga era dhe dielli – janë provuar të jenë ekonomikisht konkuruese, mund të ndërtohen më shpejt dhe nuk përkeqësojnë klimën në vend. Sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga era është rritur me shpejtësi vitet e fundit, kjo falë avancimit të teknologjisë, e cila ka ndikuar në uljen e kostos së prodhimit të energjisë elektrike nga era. Në të njëjtën kohë, prodhimi i energjisë nga era është inkurajuar, pasi rrit përfitimet tatimore shtetërore dhe federale për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend.  Shumë kompani private sot ofrojnë opsione të “çmimeve të gjelbra”  që u jep mundësi klientëve për të blerë energjinë nga burime të rinovueshme, siç është era. Turbinat me erë nuk ndikojnë në ndotjen e ajrit ose të ujit, sepse nuk digjet karburant për të prodhuar energji elektrike.  Janë shqetësuese emetimet e gazit serë në atmosferë, që vjen nga gjenerimi i lëndëve djegëse fosile dhe rritja e emetimit të metanit si rrjedhojë e ndërtimit dhe ekzistencës së hidrocentraleve.

Energjia diellore që vë në përdorim panelet diellore, vjen nga qendra e diellit dhe çliron energji në formën e rrezeve diellore. Sipas studimeve shkencore, më shumë energji nga dielli bie në tokë në një orë sesa përdoret nga e gjithë bota në një vit.  Teknologjia e përdorimit të paneleve diellor shndërrojnë rrezet e diellit në energji të përdorshme për konsumatorët. Procesi i shndërrimit të dritës (fotoneve) në energji elektrike (tension) quhet efekti PV, teknologji e cila përdor fotone të dritës diellore për të goditur silikonin gjysmëpërçues për të prodhuar energji elektrike. Shumë kompani të energjisë elektrike përdorin PV teknologji për të rritur fuqinë e prodhimit të energjisë elektrike.  Sistemet e PV konsiderohen si mënyra më e mirë dhe eficente për prodhimin e energjisë së rinovueshme për shkak të disponueshmërisë së bollshme për një kohë të gjatë të energjisë diellore falas (si lëndë e parë) në sipërfaqen e tokës. 

Inovacionet në fushën e teknologjisë, po përqendrohen në mënyre aktive për materialet që kanë një efikasitet të lartë në prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, teknologji inverter për konvertimin efikas të rrymës direkte në rrymën alternative, si dhe teknologjinë e baterive për sistemet e ruajtjes së energjisë më sistem PV (panel diellor) në shkallë të gjerë.  Promovimi i politikave të sistemit PV (panel diellor) nga qeveria shqiptare, inkurajojnë zhvillimin e tregjeve të PV me potencial të lartë. 

Energjia gjeotermale e baticës dhe e valës janë alternativa, potencialin e të cilave as që e kemi parë.

Promovimi i digave të mëdha vetëm vonon miratimin e zgjidhjeve të vërteta të energjisë së pastër, për të cilat Shqipëria dhe planeti kanë nevojë në mënyre urgjente.  Shqipëria ka sasinë më të madhe dhe burimet më të larmishme të energjisë së rinovueshme në Europë. Burimet e rinovueshme të rajonit mund të sigurojnë pothuajse shtatë herë kapacitetin e instaluar në Europë, duke përjashtuar energjinë hidroelektrike.

Megjithëse rajoni i Dibrës ka ende një potencial të madh për hidrocentrale të pashfrytëzuara, është e nevojshme të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës, duke marrë parasysh kostot dhe përfitimet në krahasim me opsionet e tjera të energjisë. Qeveria duhet të ulet në një tryezë të rrumbullakët me të gjithë palët e interesuara, edhe dibranët, identiteti, historia, kultura dhe shtëpitë e trojet e të cilëve rrezikohen të zhduken përgjithmonë. Të gjithë palët e interesuara duhet të vendosin nëse ia vlen të vazhdohet të investohet në hidrocentrale, apo nëse është më mirë të zgjedhësh lloje të tjera të energjisë – duke shmangur kështu ndikimet sociale, mjedisore dhe financiare që vijnë nga digat e mëdha.

2. Digat e mëdha që shkaktojnë dëme sociale dhe mjedisore nuk janë fitimprurëse.

Digat hidroelektrike në shkallë të gjerë kanë pasur – gjatë gjithë historisë së tyre – ndikime negative në grupet e popullsisë vendase, burimet natyrore dhe ekosistemet e tëra, duke çuar më tej rezistencën dhe protestën kundër tyre. Debati mbi digat e mëdha ndërlikohet më tej në vendet si Shqipëria, ku digat e mëdha kërkohen të përdoren si simbole të fuqishme të krenarisë kombëtare dhe nderohen si dëshmi e përparimit të një kombi, apo përkushtimit ndaj modernizimit. Për mua, digat e mëdha janë struktura betoni dhe shkëmbore që prodhojnë energji elektrike duke ruajtur ujin, rrezikojnë fqinjët me përmbytje dhe zhvendosin apo zhdukin komunitetet apo vendbanuesit. Megjithëse qeveria e sheh ndërtimin e digës së madhe së Sakavicës si monument të përparimit, unë e shoh si monument të korrupsionit politik kombëtar e ndërkombëtar, si dhe të pabarazisë sociale. 

Është demonstruar në mënyrë të përsëritur se ndikimet sociale dhe mjedisore të hidrocentraleve janë më të mëdha se sa u menduan fillimisht. Përveç zhvendosjes së detyruar të popullsisë dhe kriminalizimit të atyre që i kundërshtojnë, digat e mëdha përmbytin tokat, zvogëlojnë rrjedhat e lumenjve dhe ndryshojnë ekosistemet e rajoneve fqinje, duke shkatërruar habitatet dhe duke kontribuar në zhdukjen e specieve. E gjithë kjo ndikon në jetën ekonomike, sociale, klimatike dhe mjedisit të komunitetit të Dibrës dhe të komuniteteve përreth, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike, që vijnë si rrjedhojë e hidrocentralit të ndërtuar përbri. 

 Në aspektin ekonomik kostot aktuale të ndërtimit të digave të mëdha janë shumë të lartë për të dhëne një përfitim pozitiv. Buxhetet dhe afatet kohore të projekteve të mëdha të digave janë vazhdimisht të nënvlerësuara ose kanë një kosto të fshehur që nuk dihet. Mirëmbajta e digave të mëdha, po ashtu kërkon një investim trefish në krahasim me koston që e ndërton. 

Duke pranuar se kostot janë shumë më të mëdha se përfitimet, shumë vende europiane kanë zgjedhur të çmontojnë diga të mëdha. Kompanitë private i kanë hequr tërësisht projektet hidroelektrike, sepse nuk janë as ekonomikisht të qëndrueshme dhe as fitimprurëse. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një politikë për të refuzuar çdo hua, donacion, strategji ose politikë që mbështet ndërtimin e digave të mëdha. Shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e digave ekzistuese.

Që nga viti 1990, në SHBA janë çmontuar mbi 1700 diga të mëdha. Sipas Komisionit Botëror rë Digave (The World Commission on Dams) 1) një digë quhet e madhe kur lartësia e saj është mbi 15 metra mbi themelin ose rezervuari i saj është më shumë se 3 milionë metër kub. Vetëm heqja e katër digave  në lumin Klamath në Kaliforni do të kushtojë 450 milionë dollarë, afërsisht sa shuma që planifikohet të ndërtohet Skavica.

3. Digat e mëdha kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike duhet të merren parasysh kur diskutohet rëndësia e hidrocentralit. Rezervuarët gjenerojnë sasi të konsiderueshme (1.3% nga njerëzimi) të efektit serë, veçanërisht metanin, i cili është 30 herë më efektiv në kapjen e nxehtësisë sesa dioksidi i karbonit. Po kështu, ndërtimi i digave rrezikon shtime të vlefshme të sasisë së karbonit. Për këtë arsye, duhet të bëhet një analizë e duhur e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe metanit, përpara se të zgjidhet një projekt dige – një proces që zakonisht nuk ndodh.

Një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh është që ndërtimi i digave të mëdha kontribuon në ndryshime klimatike të pakthyera. Reshjet ekstreme rritin sedimentimin, i cili mund të shkaktojë probleme strukturore dhe të zvogëlojë jetëgjatësinë e digës. Thatësirat, tani gjithnjë e më të shpeshta, mund t’i bëjnë digat joefikase. 

Akoma më serioze është kërcënimi i digave të mëdha në rastet e motit ekstrem. Ne duhet të rimendojmë se si do të trajtohen evakuimet masive kur shirat e dendur kërcënojnë një shembje dige dhe përmbytje të pashmangshme. Keqmenaxhimi i  mundshëm i digave të mëdha, si diga e Skavicës, mund të shkaktojë përmbytje të paprecedentë. Për këtë arsye, ndërtimi i një dige të madhe si diga e Skavicës në Dibër, rrit rrezikun e tejmbushjes, shembjes së digës dhe duhet njohur si një problem serioz. Me kalimin e kohës, diga e madhe si Skavicës mund do të fillojë të përkeqësohet dhe do të kërkojë investime të mëdha për të mbrojtur komunitetet që jetojnë në rrjedhën e poshtme.

Shqiptarët në New York, kanë hartuar një peticion, ku bëjnë thirrje institucioneve financiare në Shqipëri të mbështesin ndryshimin që ne, si qark i Dibrës, kemi nevojë. Ne u bëjmë thirrje atyre të ndalojnë investimin në diga të mëdha, të cilat janë demonstruar herë pas here se janë të rrezikshme për mjedisin dhe komunitetet lokale, të kushtueshme për vendet dhe të papërshtatshme për klimën tonë, që po ndryshon me shpejtësi, si dhe një vend i paqëndrueshëm nga ana e tërmeteve sizmike. 

Është koha për një plan më të mirë energjie. Dhe është koha për të investuar në energjinë e rinovueshme, jokonvencionale, bazuar në vlerësime të plota, të pavarura dhe me cilësi të lartë të ndikimit social dhe mjedisor, planifikimi dhe zbatimi i të cilave respekton të drejtat e njeriut. 

*Autorja, Ferzileta Gjika eshte kandidate per doktore te shkencave ne Graduate Center City University of New York. Actualisht ajo mban titullin Adjunct Assistant Professor po prane CUNY (Universiteti i qytetit te New York). 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ferzileta Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT