• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIGURIA DHE LUFTA HIBRIDE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

July 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Në dekadën e fundit, Ballkani Perëndimor është shndërruar në një arenë sfidash të thella të sigurisë, ku lufta hibride ka kaluar nga një nocion teorik në një realitet konkret dhe determinues për stabilitetin e rajonit. Aktorët kryesorë të këtij fenomeni janë Rusia dhe Serbia, të cilat përmes strategjive të hartuara dhe të koordinuara synojnë të destabilizojnë mekanizmat shtetërorë, të pengojnë proceset euroatlantike dhe të imponojnë vizionin e tyre hegjemonist në hapësirat post‑jugosllave.

Fenomeni i ashtuquajtur “bota serbe” është kthyer nga retorikë historike në një projekt politik dhe operativ, i përkrahur nga instrumentet hibride të Rusisë, që sot kërcënon jo vetëm shtetet individuale të rajonit – si Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina – por edhe gjithë sistemin e sigurisë evropiane. Nuk kemi të bëjmë me një konflikt të hapur klasik, por me ndërhyrje të ndërlikuara informative, struktura të fshehta, krim të organizuar, dezinformim, infiltrime në institucione, presion diplomatik dhe operacione speciale të padukshme; pra, një front të ri betejash të papara më parë në Ballkan.

1. Përkufizimi i luftës hibride

Lufta hibride është një strategji konflikti që përfshin kombinimin e mjeteve konvencionale dhe jokonvencionale, akteve të dhunës, luftës informative, presionit ekonomik, ndërhyrjes në institucione, sabotimeve kibernetike dhe krimit të organizuar, me qëllim asgjësimin ose dobësimin e sovranitetit dhe integritetit të shteteve objektiv. Ky koncept u kodifikua që në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000 në literaturën perëndimore, ndërsa Rusia e ka institucionalizuar pas vitit 2014 si thelb të doktrinës së saj të sigurisë.

1.1 Lufta ku armikun e njohim, por nuk e shohim

Ky është thelbi i doktrinës hibride: aktori agresor shfaqet me një “fytyrë të padukshme”. Shumë operacione realizohen në “zonën gri” mes luftës dhe paqes, duke përdorur metoda që shmangin konfrontimin e drejtpërdrejtë ushtarak dhe arrijnë objektivat strategjike pa kaluar pragun klasik të luftës së hapur. Kjo përfshin:

• Operacione psikologjike, dezinformim dhe ndarje të opinionit publik;

• Sabotim të infrastrukturave, sulme kibernetike dhe ndërhyrje në zgjedhje;

• Infiltrim të rrjeteve kriminale dhe paramilitare në strukturat kyçe të institucioneve shtetërore;

• Mbështetje të protestave ose lëvizjeve opozitare për të krijuar paqëndrueshmëri sociale dhe politike.

2. Sistematika dhe Manifestimi i Ofensivës së Luftës Hibride Ruso‑Serbe

Ofensiva hibride ruso‑serbe është sistematizuar në këto mekanizma kryesorë:

• Dezinformim dhe manipulim mediatik: përhapje narrativesh pro‑serbe/pro‑ruse, që synojnë de‑legjitimimin e qeverive properëndimore dhe krijimin e klimës së mosbesimit në publik.

• Sulmet kibernetike: caktimi i objekteve kyçe shtetërore dhe publike për paralizimin e infrastrukturës, komprometimin e të dhënave dhe ndërprerjen e shërbimeve.

• Inxhinieria demografike, shoqërore dhe juridike: përmes ndryshimeve ligjore për shtetësinë dhe manipulimit të censuseve, synohet ndryshimi i peshës së komuniteteve serbe nga pozita minoritare në faktorë përcaktues lokalë.

• Krimi i organizuar si instrument politik: bashkëpunimi me rrjetet rajonale të trafiqeve të paligjshme për të financuar operacionet hibride dhe për të dobësuar institucionet vendore.

• Politizimi i identitetit dhe instrumentalizimi i miteve historike: promovimi i projektit “bota serbe”, mitizimi i figurave dhe datave historike për legjitimimin e ndërhyrjeve politike dhe territoriale.

3. Aktivitetet e Luftës Hibride Serbo‑Ruse në Ballkanin Perëndimor

Kosovë

• Sabotim i institucioneve, pengim i formimit të qeverisë dhe provokim i krizave politike, sidomos në veri.

• Demonstrime të forcës përmes protestave nacionaliste, akte të armatosura kundër sigurisë publike dhe institucioneve ndërkombëtare.

• Organizim i akteve terroriste (si sulmi në Banjskë) dhe sabotim i infrastrukturës kritike.

• Infiltrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorët e sigurisë, ngritje të rrjeteve të spiunazhit.

• Sulme kibernetike të përsëritura dhe pengim i proceseve të rëndësishme institucionale.

Maqedonia e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, lufta hibride shfaqet në disa forma të ndërlidhura:

• Dezinformata dhe manipulim politik: Përhapja e narrativesh të rreme për identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, për të nxitur tensione dhe për të favorizuar bllokimin e integrimit evropian.

• Kriza politike dhe instrumentalizim institucional: Polarizimi i skenës politike përdoret për të vonuar reformat dhe për të komprometuar proceset euroatlantike.

• Lidhje të drejtpërdrejta me qarqe serbe dhe ruse: Raporti i Parlamentit Evropian (Neni 35) shprehu shqetësim se disa përfaqësues të qeverisë kanë marrë pjesë në takime që promovojnë konceptin e “botës serbe”. Veçanërisht, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq mori pjesë në Samitin e 11‑të të Sigurisë në Moskë së bashku me Aleksandar Vulin, Ivica Daçiq dhe Milorad Dodik, duke përdorur terminologji të Beogradit për Kosovën dhe duke refuzuar të marrë pjesë në mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Kosovës.

• Promovim i figurave anti‑perëndimore: Ftesa e Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, në Teatrin Kombëtar Maqedonas në janar – ku u artikuluan mesazhe anti‑NATO dhe anti‑BE – u kritikua gjerësisht si akt që minon orientimin strategjik të vendit.

Këto zhvillime tregojnë se Maqedonia e Veriut është një target i përhershëm i luftës hibride, ku kombinimi i dezinformimit, infiltrimit politik dhe presionit diplomatik synon ta mbajë vendin në një gjendje pasigurie dhe fragmentimi të brendshëm.

Shqipëri

• Operacione të avancuara kibernetike mbi sistemet qeveritare dhe kritike, me qëllim pengimin e shërbimeve.

• Mbështetje e rrjeteve të korrupsionit dhe trafiqeve që minojnë stabilitetin institucional.

• Dezinformim dhe propagandë kundër kursit euroatlantik për të dobësuar narrativën properëndimore.

Mali i Zi

• Instrumentalizimi i “shtetësisë së dyfishtë” për të prodhuar ndryshime demografike që projektojnë potenciale referendume pro‑serbe.

• Infiltrim në komunitetin serb, manipulim i shoqatave fetare dhe kulturore për të thelluar ndasitë etnike.

• Sulme të përsëritura ndaj infrastrukturës shtetërore dhe institucioneve të sigurisë.

Bosnjë dhe Hercegovina

• Mbështetje e hapur politike e secesionizmit të Republika Srpska, bllokim funksionimi të institucioneve të përbashkëta shtetërore.

• Përhapje e propagandës destabilizuese, pengesë e reformave dhe përdorim i rrjeteve kriminale për financim të aktiviteteve të ndarjes.

4. Vlerësimi i Sfidave për Sigurinë Rajonale

• Polarizimi dhe fragmentimi shoqëror: Thellimi i ndarjeve ndëretnike përforcon dobësinë e kohezionit social, duke krijuar terren të përshtatshëm për interferencë të aktorëve të jashtëm.

• Dobësitë institucionale: Krizat politike të prodhuara qëllimisht bllokojnë reformat, pengojnë integrimin dhe shtojnë hapësirën për rritje të ndikimit ruso‑serb.

• Rreziku i humbjes së sovranitetit: Shtetet bëhen gjithnjë e më të varura nga axhenda të jashtme për shkak të infiltrimeve institucionale, ekonomike dhe informative.

• Krijimi i “zonave gri”: Humbja e kontrollit të efektshëm teritorial dhe institucional i jep avantazh grupimeve përcaktuese dhe dëmton besueshmërinë euroatlantike të rajonit.

Përfundim

Lufta hibride ruso‑serbe në Ballkanin Perëndimor nuk përbën më vetëm një kërcënim potencial, por është tashmë një realitet i institucionalizuar. Kjo strategji synon jo vetëm bllokimin e proceseve euroatlantike, por edhe fragmentarizimin e rajonit përmes taktikave të shumëfishta të manipulimit dhe destabilizimit, që zbehin themelet e shtetësisë, sovranitetit, unitetit qytetar dhe stabilitetit demokratik të Ballkanit.^1,2,3,4

Rekomandime

• Të intensifikohet bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të inteligjencës dhe koordinimit të politikave të sigurisë.^1

• Forcimi i kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe digjitale, rritja e transparencës institucionale dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik.^2,4

• Ndërtimi i një narrative gjithëpërfshirëse qytetare dhe promovimi i mediave të pavarura kundër propagandës destabilizuese.^2,3

• Zbatimi rigoroz i ligjeve kundër krimit të organizuar dhe financimit të jashtëm të lëvizjeve politike.^5

• Bashkëpunim më i ngushtë me BE‑në dhe NATO‑n për të garantuar integritetin e proceseve të sigurisë rajonale dhe për neutralizimin e “zonave gri”.

Literatura e shfrytëzuar

• Journal of Liberty and International Affairs, Scopus indexed, https://e-jlia.com/index.php/jlia

• Sovremena makedonska odbrana, Revista shkencore ndërkombëtare, Ministria e Mbrojtjes së RMV

• Studimet dhe raportet e Hotopus për luftën hibride në Mal të Zi, 2024

• Prof. Dr. Muhamet Racaj, “Lufta ku armikun e njohim por nuk e shofim – Lufta Hibride”, Gazeta Bota sot, 16 prill 2020

• Dokumentet strategjike të institucioneve ndërkombëtare për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

• Përmbledhje dhe udhëzime akademike për përgatitjen e punimeve shkencore, 2025

Fusnotat

• Shiko Journal of Liberty and International Affairs (2024), https://e-jlia.com/index.php/jlia

• Sovremena makedonska odbrana, 2024; Hotopus, 2024

• Ndikimi i politikave të shtetësisë së dyfishtë dhe inxhinierisë demografike: Hotopus, 2024

• Prof. Dr. Muhamet Racaj, “Lufta ku armikun e njohim por nuk e shofim – Lufta Hibride”, Gazeta Bota sot, 16 prill 2020

• Rrjetet kriminale dhe instrumentet hibride në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë: Sovremena makedonska odbrana, 2024; Hotopus, 2024

Filed Under: Analiza

Narrativa që legjitimoi viktimizimin serb

July 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në narrativën dominuese të ish-udhëheqjes komuniste në Kosovë, përgjegjësia për të gjitha të këqijat që ndodhën gjatë periudhës së Jugosllavisë u atribuohej elitës komuniste serbe dhe jugosllave, ndërsa çdo zhvillim pozitiv i atribuohej vetë kësaj elite lokale. Megjithatë, një lexim i kujdesshëm i burimeve të kohës – si për shembull gazeta e datës 30 qershor 1981 – tregon se kuadrot politike kosovare kanë marrë pjesë aktive në legjitimimin e ndryshimeve kushtetuese që më pas ndihmuan në suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në një mbledhje të përbashkët të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, u shpreh përkrahje unanime ndaj propozimeve për ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e RSFJ-së dhe të Republikës së Serbisë. Nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Nebih Gashi, deklaronte:

“Punonjësit dhe qytetarët e Kosovës unanimisht përkrahin këto ndryshime, me çka vërtetohet fakti se iniciativa e shokut Tito është jo vetëm e arsyeshme, por edhe rruga jonë për zhvillimin dhe begatimin e mëtejshëm të përmbajtjes së sistemit politik dhe zhvillimit të vetëqeverisjes në të gjitha sferat e jetës publike dhe shoqërore. Forcat kundërrevolucionare të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar nuk ia dolën ta shkatërrojnë rregullimin kushtetues të Jugosllavisë”.

Një pasqyrë e shtypit të vitit 1981 e bën të qartë se ajo ishte një periudhë e rëndë represioni dhe fushatash të egra antishqiptare. Për mendimin tim, diskursi i elitës komuniste të atëhershme ka prodhuar dy pasoja tragjike:

Legjitimimi i narrativës hegjemoniste serbe, e cila e paraqiti Kosovën si një vatër destabiliteti dhe kësisoj justifikoi represionin si “masë parandaluese”.

Ndihmoi Serbinë të krijonte terrenin politik dhe juridik për suprimimin e autonomisë së Kosovës, duke e paraqitur këtë si një “reformë” legjitime kushtetuese e jo si dhunim të të drejtave të shqiptarëve.

Elita politike kosovare e asaj kohe jo vetëm që nuk e kundërshtoi narrativën jugosllave, por shpesh e legjitimoi atë me zell. Është koha të ballafaqohemi me të kaluarën pa iluzione – sepse vetëm e vërteta na bën të lirë.

Filed Under: Analiza

TËRMETI I 1963-s NË SHKUP, NGA RRËNOJAT RILINDI KUJTESA

July 22, 2025 by s p

Eliminimi i objekteve shpirtërore shqiptare nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte pjesë e një strategjie të menduar gjatë, e cila përdori termetin si mbulesë për të fshirë nga rrënjët të drejtën historike të shqiptarëve. Kjo nuk ishte vetëm një ndërhyrje urbane ishte një fshirje e kujdesshme e gjurmëve të shpirtit shqiptar dhe një imponim brutal i një arkitekture dhe fryme të huaj, asaj të botës serbe, që nuk kërkonte bashkëjetesë, por triumf mbi kujtesën

Nga Prof.dr.Skender ASANI

Në histori ndodhin ngjarje që tronditin

themelet jo vetëm të qyteteve, por edhe të kujtesës kolektive. Tërmeti i 26 korrikut 1963 në Shkup nuk ishte vetëm një katastrofë natyrore, por një ngjarje që u përdor si justifikim për transformime të thella politike, shoqërore dhe identitare. Për shqiptarët, ky transformim nuk ishte as spontan dhe as teknik, por pjesë e një projekti të mirëmenduar: fshirja e gjurmëve të tyre nga qendra historike e qytetit dhe zëvendësimi i tyre me një identitet tjetër. Pas këtij tërmeti nisi një epokë e zhbërjes urbane dhe shpirtërore, që goditi pikërisht pikat nevralgjike të kujtesës historike shqiptare.

Shkupi, qytet me rrënjë të thella iliro-arbërore, ka qenë gjithmonë një urë takimi qytetërimesh e komunitetesh. Brenda këtij mozaiku, shqiptarët myslimanë dhe katolikë përbënin një shtyllë të jetës urbane dhe kulturore. Por pas tërmetit të vitit 1963, filloi një proces sistematik i zbehjes dhe zhvendosjes së kësaj pranie. Mbi 20 mijë shqiptarë, sipas dokumenteve arkivore, u shpërngulën drejt Turqisë, Kroacisë e Kosovës një eksod i heshtur që ndryshoi rrënjësisht përbërjen demografike të qytetit. Duke u bazuar në dokumentet e Komitetit Qendror të RSM-së, rezulton se mijëra kolonë nga Evropa Juglindore, nga rajone të brendshme të Maqedonisë dhe veçanërisht nga Maqedonia e Egjeut u sollën në Shkup, në kuadër të një strategjie të mirëfilltë për të dominuar hapësirën demografike dhe për të ndryshuar ekuilibrat e mëparshëm etno-kulturorë të qytetit.

Harmonia fetare e shqiptarëve në Shkup, që përshfaqej qartë në sheshin historik ku qëndronin dy objektet e kultit Kisha “Zemra e Krishtit” dhe “Burmali Xhamia” ishte një dëshmi e një bashkëjetese të rrallë dhe të ndritur ndërmjet komuniteteve myslimane dhe katolike. Në këtë qendër të qytetit, në shkollën kombëtare që funksiononte në fund të shekullit XIX dhe në dy dekadat e para të shekullit XX, kultura dhe edukimi zhvilloheshin mbi themele të bashkimit shpirtëror dhe kombëtar, ku fëmijët shqiptarë mësonin dhe rritej me vlera të përbashkëta, duke kënduar këngë kishtare shqipe në korin e kishës dhe duke përjetuar një bashkësi që i tejkalonte dallimet fetare. Por, kjo harmoni e përpiktë dhe ndjenja e përkatësisë së përbashkët i pengonte fuqimisht projektet e dëshiruara për t’i ndarë shqiptarët, duke i shërbyer planeve të ndryshimit të fizionomisë së qytetit dhe shuarjes së kujtesës historike. Tërmeti i vitit 1963, me gjithë shkatërrimin e tij natyror, u shfrytëzua si pretekst për të përfunduar këtë proces, duke rrëzuar dhe fshirë nga faqja e dheut kishën dhe xhaminë, dhe duke realizuar kështu humbjen e dy objekteve të kultit që ishin themelues dhe dëshmitarë të identitetit të fortë shqiptar në Shkup.

Me eliminimin e këtyre shenjave të bashkëjetesës fetare dhe kulturës kombëtare, u përgatit edhe terreni që shqiptarët të diferencoheshin fetarisht, një strategji e cila kishte për qëllim që të dobësonte unitetin e tyre dhe të lehtësonte realizimin e projekteve të tjera që synonin shuarjen e pranisë shqiptare në qendrën historike të qytetit.

Eliminimi i objekteve shpirtërore shqiptare nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte pjesë e një strategjie të menduar gjatë, e cila përdori termetin si mbulesë për të fshirë nga rrënjët të drejtën historike të shqiptarëve. Duke rrënuar objektet e kultit kishat, xhamitë, faltoret synohej të dobësohej jo vetëm jeta shpirtërore e komunitetit, por edhe legjitimiteti i tyre historik mbi këtë hapësirë. Sepse aty ku mungon shenja e shenjtë, aty ku nuk ekziston më kulti, kujtesa fillon të venitet, dhe me të edhe e drejta për të qenë.

Rrënimi i Kishës “Zemra e Krishtit”, e cila dikur rrezatonte dritë shpirtërore në zemër të lagjes katolike shqiptare në Shkup, nuk ishte thjesht një humbje fizike, por një plagë e hapur në kujtesën e një populli. Ajo kishë, që mbante në gjirin e saj lutjet, pagëzimet, martesat dhe dhimbjet e një komuniteti të tërë, nuk u lejua kurrë të rilindte mbi themelet e saj të shenjta. Pikërisht aty ishte pagëzuar Gonxhe Bojaxhiu, e cila më vonë do të njihej si Nënë Tereza, dhe po në këtë hapësirë të shenjtë kishte ndjekur shkollën kombëtare, duke kënduar këngë kishtare shqipe në korin e kishës një përqendrim i rrallë i frymës shqiptare, besimit dhe edukatës. Mbi atë truall të shenjtë u manipulua me heshtje të ftohta dhe vendime të paskrupullta, derisa prona u kthye në një send për tregti, vetëm e vetëm që zemra e besimit të mos trokiste më aty. Më tej, mbi pronat e familjeve katolike shqiptare, që formonin shtresën e ndershme dhe punëtore të qytetit, u ndërtuan institucione dhe objekte shtetërore, duke e zëvendësuar një lagje të gjallë me një skenografi të huaj dhe të ftohtë. Kjo nuk ishte vetëm një ndërhyrje urbane ishte një fshirje e kujdesshme e gjurmëve të shpirtit shqiptar dhe një imponim brutal i një arkitekture dhe fryme të huaj, asaj të botës serbe, që nuk kërkonte bashkëjetesë, por triumf mbi kujtesën.

Por ndodhi ajo që mund të quhet një mrekulli historike. Në vitin 1980, gjatë vizitës së saj në Shkup me rastin e shpalljes “Qytetare Nderi”, Nënë Tereza, bijë e këtij qyteti, bashkë me ipeshkvin e Ipeshkvisë Shkup-Prizren dhe kryetarin e qytetit, mbolli tre bredha në vendin ku kishte qenë shtëpia e saj. Ky akt modest në dukje ishte në të vërtetë një gjest simbolik i fuqishëm një shenjë se historia nuk mund të fshihet lehtë, se kujtesa nuk dorëzohet. Ishte një përkujtesë e gjallë, e ngulitur në tokën e zhveshur me qëllim.

Por përpjekjet për të zhbërë kujtesën shqiptare nuk pushuan. Ato hasën gjithsesi në rezistencën e shoqërisë civile dhe ndërgjegjes kolektive, që bashkë me ndihmën e organizatave vendore dhe me presionin e disa kancelarive ndërkombëtare, arritën të ndalin projektin e zhdukjes. Në vendin ku kishte qenë shtëpia e Nënë Terezës, u vendos një pllakë përkujtimore në gjuhën shqipe një akt i thjeshtë, por me peshë të thellë simbolike, që dëshmoi se kujtesa e mohuar mund të rikthehet, nëse popujt nuk heqin dorë nga e vërteta e tyre.

Po kështu, një precedent i hershëm i kësaj politike të zhdukjes ishte rrënimi i “Burmali Xhamisë” në vitin 1924 një objekt i shenjtë dhe një simbol i identitetit shqiptar mysliman në Shkup. Në vitin 1925, mbi themelet e saj, u ngrit “Shtëpia e Oficerëve” jo thjesht një ndërtesë ushtarake, por një simbol triumfi i hegjemonisë serbe pas pushtimit të qytetit në tetor të vitit 1912. Mbi këtë ndërtesë u vendos një pllakë përkujtimore nga vetë Mbreti i SKS – së Aleksandër, me mbishkrimin provokues dhe cinik: “Këtu po varroset çështja shqiptare” një shenjë e hapur e zhdukjes së qëllimshme të kujtesës kolektive shqiptare.

Kur tërmeti i vitit 1963 e rrëzoi këtë ndërtesë, u duk sikur vetë historia po refuzonte këtë ideologji. Por ajo ideologji u rikthye dekada më vonë përmes projektit famëkeq “Shkupi 2014” një fushatë agresive e urbanizimit etnik, që ringjalli monumentet mitologjike, arkitekturën sllave, dhe simbolikën e dominimit të botës serbe mbi këtë qytet. Në këtë projekt u planifikua edhe rindërtimi i Shtëpisë së Oficerëve, duke tentuar kështu të rikthehej simbolikisht vullneti i fshirjes së shenjtërive shqiptare.

Ky rindërtim përkoi me përpjekjet e disa partive politike maqedonase për të degraduar statusin kushtetues të shqiptarëve, si dhe me 100-vjetorin e ngritjes së ndërtesës së parë, duke i dhënë gjithë këtij akti një ngjyrim të qartë politik e ideologjik. Në thelb, ishte një tentativë për të konfirmuar që Shkupi nuk u përket atyre që e kanë themeluar me gjak, kulturë e besim, por një identiteti të importuar dhe të imponuar.

Shkupi nuk është vetëm një qytet, por një fushë betejë mes kujtesës dhe harresës së imponuar. Ndërsa ndërtesat mund të rrënohen, dhe rrugët të ndryshojnë emra, historia nuk shlyhet lehtë për aq kohë sa ekziston ndërgjegjja e një populli. Për sa kohë që kujtohen Burmali Xhamia, Kisha “Zemra e Krishtit”, shtëpia e Nënë Terezës, dhe bredhat që ajo mbolli, për sa kohë që shkruhen e lexohen rrëfime si ky, Shkupi do të mbetet jo vetëm një qytet mbi rrënoja, por një hapësirë ringjalljeje për identitetin shqiptar. Kujtesa nuk është vetëm çështje e së kaluarës ajo është forma më e qëndrueshme e rezistencës për të ardhmen.

Filed Under: Analiza

Unioni Amerikano-Ballkanik, NATO dhe BE: Tre vizione për një qëllim strategjik – paqe, siguri dhe rend demokratik

July 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Donald Trump – i vetmi që mund t’i ndalë katrahurat ruso-serbe në Ballkan dhe Kosovë.

1. Ballkani në mes të dy epokave: Perëndimi në tërheqje, Lindja në avancim

Në fillim të shekullit XXI, Ballkani Perëndimor mbeti një nga zonat më delikate dhe të brishta në Evropë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërhyrja vendimtare e NATO-s në Kosovë (1999) dhe vendosja e strukturave ndërkombëtare ndihmuan në vendosjen e paqes. Por paqja nuk ishte e barabartë me zgjidhjen e konflikteve – përkundrazi, ajo i ngrin dhe i zhvendos në një formë të re.

Në dy dekadat e fundit, ndërsa SHBA e orientoi vëmendjen kah Lindja e Mesme dhe Azi-Paqësori, vakuumi strategjik i krijuar në Ballkan u shfrytëzua mjeshtërisht nga Rusia, përmes aleatëve të saj historikë në Serbi dhe entiteteve serbe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Katastrofa e mundshme për stabilitetin rajonal nuk është thjesht një çështje ballkanike – ajo është një provë e besueshmërisë strategjike të Perëndimit.

2. Trump dhe rikthimi i SHBA në Ballkan: Pragmë, forcë dhe vendosmëri

Në këtë realitet të fragmentuar, Donald Trump ishte lideri i vetëm amerikan që guxoi të trajtojë Ballkanin me një qasje të drejtëpërdrejtë dhe me vizion gjeopolitik. Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila mbështetej në zhvillimin ekonomik dhe njohjen reciproke në planin diplomatik, tregoi një kthesë në politikën e jashtme amerikane ndaj Ballkanit: nga menaxhimi i krizave tek ndërtimi i strukturave të qëndrueshme politike dhe ekonomike.

Trump nuk e shikonte Serbinë si një aleat të besueshëm, por si një shtet me lidhje të forta me Moskën. Ai e kuptoi se Kosova ishte projekti i vetëm i pastër i SHBA në Ballkan, i ndërtuar mbi vlerat e ndërhyrjes humanitare, lirisë dhe vetëvendosjes. Për këtë arsye, ai e riktheu temën e njohjes së Kosovës në agjendën globale dhe e bëri pjesë të marrëveshjes multilaterale të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

3. Model krahasues: Unioni Amerikan-Izraelit si inspirim për Unionin Amerikano-Ballkanik

Për të kuptuar nevojën dhe logjikën e Unionit Amerikano-Ballkanik, mund të referohemi te një model ekzistues i funksionalitetit të lartë strategjik: marrëdhënia SHBA–Izrael. Kjo marrëdhënie, e formalizuar në dekada përmes ndihmës ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe përkrahjes diplomatike, ka ndihmuar në mbijetesën dhe fuqizimin e Izraelit në një zonë armiqësore dhe shpeshherë në konflikt të përhershëm.

Në mënyrë të ngjashme, Unioni Amerikano-Ballkanik do të mund të:

-Fornizojë me garanci të përhershme sigurie shtetet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi;

-Frenojë ambiciet e Serbisë dhe projektet ruso-serbe për krijimin e “botës serbe”;

-Përshpejtojë reformat për integrim euroatlantik nëpërmjet bashkëpunimit me SHBA-në si garant të besueshëm dhe fleksibël;

-Shërbejë si model i ri i bashkëjetesës transatlantike, ku SHBA, NATO dhe BE bashkëpunojnë për stabilitetin e një zone me rëndësi kritike.

4. NATO, BE dhe SHBA: Tri shtylla për një qëllim të vetëm

Koncepti i tre vizioneve strategjike me një qëllim të përbashkët është kyç për të kuptuar rëndësinë e këtij projekti:

-SHBA – garant i sigurisë, mbështetës i aleatëve dhe lider global për demokracinë funksionale;

-NATO – mburoja kolektive e mbrojtjes së tërësisë territoriale dhe paqes afatgjatë;

-BE – motor i zhvillimit institucional, ekonomik dhe demokratizimit të brendshëm të shteteve ballkanike.

Por pa lidershipin e fuqishëm dhe të pakompromis të SHBA-së – dhe në veçanti pa profilin e qartë dhe të padiplomuar por vendimtar të Donald Trump – as NATO dhe as BE nuk mund të funksionojnë si stabilizues të vërtetë në Ballkan.

5. Ballkani ka nevojë për një projekt të madh, jo për një politikë të vogël

Unioni Amerikano-Ballkanik nuk është një ide e thjeshtë teorike. Ai është një nevojë gjeopolitike urgjente dhe një instrument strategjik për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë në një rajon ku këto janë ende të kërcënuara. Donald Trump, pavarësisht polemikave, është i vetmi lider perëndimor që e ka treguar me vepra – jo vetëm me fjalë – se mund të sjellë një rendi të ri në Ballkan përmes forcës, interesit kombëtar dhe përkushtimit të qartë ndaj aleatëve.

Prandaj, sot është momenti për të artikuluar me guxim këtë vizion: një Union i Ri Amerikano-Ballkanik, i mbështetur nga NATO dhe i përputhur me vlerat e BE-së, është rruga e vetme për të siguruar të ardhmen e Kosovës, paqen në rajon dhe kufijtë e demokracisë në Evropën Juglindore.

Donald Trump – The Only One Who Can Halt the Russo-Serbian Disruptions in the Balkans and Kosovo

The American-Balkan Union, NATO, and the EU: Three Strategic Visions, One Common Goal – Peace, Security, and Democratic Order

By Prof. Dr. Fejzulla Berisha

1. The Balkans at the Crossroads of Two Epochs: Western Retraction, Eastern Advance

In the early 21st century, the Western Balkans remained one of Europe’s most delicate and fragile geopolitical zones. After the disintegration of Yugoslavia and NATO’s decisive intervention in Kosovo (1999), international structures helped to secure a fragile peace. However, peace did not equate to the resolution of conflicts—it merely froze and displaced them into new forms.

Over the last two decades, as the U.S. shifted its focus to the Middle East and the Indo-Pacific, the resulting strategic vacuum in the Balkans has been exploited by Russia, primarily through its historic ally Serbia and the Serbian entities in Bosnia and Herzegovina and Montenegro. The potential destabilization of the region is not a local issue—it is a test of the West’s strategic credibility.

2. Trump and the U.S. Return to the Balkans: Pragmatism, Power, and Resolve

Amid this fragmented reality, Donald Trump was the only American president to approach the Balkans with directness, geopolitical clarity, and strategic vision. The Washington Agreement of September 4, 2020, focusing on economic normalization and mutual diplomatic recognition, marked a turning point in U.S. policy—shifting from crisis management to the construction of long-term political and economic frameworks.

Trump never regarded Serbia as a trustworthy ally but rather as a state deeply entangled with Moscow. He clearly saw Kosovo as the only clean-cut U.S. project in the region, built on the values of humanitarian intervention, freedom, and self-determination. For this reason, he recentered the issue of Kosovo’s recognition on the global agenda, embedding it within a multi-layered agreement signed at the White House.

3. Comparative Model: The U.S.–Israel Strategic Relationship as a Blueprint

To understand the logic and necessity of the American-Balkan Union, we may turn to an existing high-functionality model: the U.S.–Israel relationship. This strategic alliance, developed over decades through military assistance, economic cooperation, and diplomatic support, has ensured Israel’s survival and development in a hostile and conflict-prone region.

Analogously, an American-Balkan Union could:

-Provide permanent security guarantees to countries like Kosovo, Albania, North Macedonia, and Montenegro;

-Deter Serbia’s ambitions and the Russo-Serbian projects for a “Serbian World”;

/Accelerate Euro-Atlantic reforms by offering an agile and reliable strategic anchor;

-Serve as a new model of transatlantic coexistence, where the U.S., NATO, and the EU cooperate to stabilize a geopolitically critical zone.

4. NATO, the EU, and the U.S.: Three Strategic Pillars for One Unified Goal

The concept of three complementary strategic visions converging on one goal is essential to this new regional order:

-The U.S. – as the guarantor of security and global democratic leadership;

-NATO – as the shield of collective defense and long-term deterrence;

-The EU – as the engine of institutional development, economic progress, and internal democratization.

Yet, without the decisive leadership of the U.S., and specifically without a strong, unapologetic figure like Donald Trump, neither NATO nor the EU alone can stabilize the region. Trump’s assertive approach and focus on results—not bureaucratic delay—could once again restore a strategic balance that has been eroded by indecision and appeasement.

5.The Balkans Need a Grand Project, Not Small Politics

The American-Balkan Union is not a theoretical or emotional concept—it is a geopolitical necessity and a strategic instrument for safeguarding peace, sovereignty, and democracy in a region still threatened by authoritarian encroachment. Donald Trump—regardless of political controversies—is the only Western leader who has shown through action, not words, that he can bring order, clarity, and resolve to the Balkans.

Now is the time to boldly articulate this vision: a New American-Balkan Union, reinforced by NATO and aligned with European values, is the only viable path to secure Kosovo’s future, preserve peace in the Balkans, and defend the outer borders of democracy in Southeastern Europe.

Filed Under: Analiza

10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte

July 4, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Sot është 4 korriku, dita e Pavarësisë së SHBA-ve. Nuk besojmë se ka një komb tjetër në rruzull që festa e pavarësisë të një kombi tjetër të ketë kaq shumë rëndësi sa festa kombëtare e SHBA-ve për Shqipërinë. Jemi populli më proamerikan në Botë. Jemi populli që miqësinë ndaj Amerikës e kemi të shfaqur masivisht por jemi edhe populli më mirënjohës për atë që SHBA ka bërë për Shqipërinë. Por duket se vitet e fundit ka një tendencë herë për snobizëm, herë për politikë të mirëfillitë të ngushtë dhe herë të inspruar nga qarte antishqiptare që gazetarë, politikanë e deri te zyrtarë të shtetit të hedhin vickla dhe thumba ndaj Amerikës. Kemi parë të bëjnë deri gafa të rënda si ajo e kryeministrit Rama që jo vetëm shprehu preferencë për kandidatin për president të SHBA por me “një mos o Zot zgjidhet Trump” bëri që vëmendja e shtetit më të fuqishëm të Botës ndaj Shqipërisë të kthehej negativisht. Por kemi parë edhe Luzim Bashën që herë në një formë e herë në një tjetër atakon ambasadorin amerikan në Tiranë sepse nuk është në linjën e partisë së tij a thua se politika e tij është personale dhe jo e Departamentit të Shtetit. Por ne kemi parë edhe gazetarë dhe analistë që nën frymën e idhullit të tyre politik dhe të linjës çuditëse editoriale të etiketojnë një ambasador dhe të akuzojë diplomatët amerikanë si persona që i bëjnë dëm Shqipërisë. Kjo nuk është thjesht naivitet por është një dashakeqësi, arsyet e të cilave vetëm ata i dinë. Në këtë ditë të madhe për Amerikën, ne kombi më proamerikanë në rruzull, kemi shumë arsye jo thjesht ti urojmë Amerikës për festën e tyre. Janë të paktën 10 arsye të forta në historinë e Shqipërisë që kjo dashuri dhe mirënjohje është shprehur në dekada dhe kështu dop të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sa herë që Shqipëria kalonte një situatë të vështirë me fqinjët dhe Amerika ishte shpëtimi I vetëm, korifeu Fan Noli shkrunte: Nëno mos ki frikë/ Se ke djemtë në Amerikë!

1. PAVARËSIA MË 28 NËNTOR 1912.

Kombi shqiptar duhet ti jetë mirënjohës Amerikës prej një burri të quajur Charles Telford Ericson që erdhi në Shqipëri në 1908 dhe pasi njohu mirë Shqipërinë dhe shqiptarët duke i quajtur “zambaku i Ballkanit” u bë i huaji i parë flamurtar që punoi për pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia. Në shumë shkrime në gazetat amerikane dhe angleze që nga mbërritja në Shqipëri deri në 1913, Ericson i bëri jehonë e asaj që po bëntë Evropa ndaj Shqipërisë por dhe masakrat e Serbisë dhe Greqisë ndaj popullisë shqiptare.

2. KONFERENCA E PAQES NË PARIS 1919.

Kombi shqiptar duhet ti jetë përjetë mirënjohës presidentit të 28-të të SHBA-ve Thomas Woodrow Wilson, i cili në Konferencën e Paqes në Paris 1919 mbështetur në doktrinën e vetëvendosjes së popujve mbështeti fuqimisht rinkonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë që në realitet në ato momente ishte një pavarësi e humbur. Ishte vetoja e Wilson ndaj Shqipërisë që shkatërroi planet e Evropës dhe sidmos të Serbisë, Greqisë dhe Italië për të eleminuar dhe fshirë nga harta shtetin shqiptar. Sa sinjifikative është të lezosh sot pas 99 vjetrësh atë që Ëilson e tha ato ditë në Paris: Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes e ka për detyrë ti përgjigjet sinjalit SOS dhe ti afrojë ndihmë anijes që po mbytet.

3. DIPLOMACIA AMERIKANE PRO SHQIPËRISË NË VITET 20-TË

Kombi shqiptar duhet ti jetë mirënjohës diplomacisë amerikane që më 22 korrik 1922 arriti të vendosë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shqipërinë duke i dhënë prioritet këtyre marrëdhënieve nëpërmjet një sërë vendimesh. Jo vetëm statusi i kombit të favorizuar më 28 dhjetor 1925, jo vetëm heqja e vizave me Shqipërinë, por ndërtimi i godinës së ambasdës amerikane në Tiranë më me vedimin e 21 gushtit 1926 për 60 mijë dollarë, e para godinë që Departamenti i Shtetit ndërtoi jashtë SHBA-ve, tregoi për vizionin e qartë të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipëinë. Si vitrinë e këtyre marrdhënieve qendron marrëveshja unikale e ekstradimit mes presidentit Franklin Delano Rosevelt me mbretin Ahmet Zogu në vitin 1937 që tregon shkallën e nivelit të këtyre marrëdhënieve.

4. QENDRIMI I SHBA GJATË LUFTËS SË II-TË BOTËRORE.

Kombi shqiptar duhet ti jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës i vetmi shtet në botë që denoncoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939. Ndërsa Evropa nuk e quajti as lajm këtë pushtim, SHBA ende asnjanëse në atë kohë ndaj luftës, bëri çmos që ta ekspozonte dhe dënonte aktin e pushetett. Vlen të përmendet se mbasadori amerikan në Tiranë në atë kohë Hugh Grant, më 6 prill I afroi mbretit Zog tre pasaporta, për të, për mbretëreshën Geraldinë dhe për Lekën 1 ditësh për tu strehua rnë ambasadën amerikane në Tiranë duke i marrë në mbrojtje. Zogu nuk pranoi por nëse do ta bënte këtë, historia do shkruhej ndryshe.

5. RRËZIMI I KOMUNIZMIT

Ndonëse pati një indiferencë nga shtetet e Evropës Perëndimore ndaj Shqipërisë pas konferencës së Jaltës, SHBA kanë qenë të vëmendshme që vendi ynë të ishte jashtë orbitës komuniste. Në fund të viteve 80-të angazhimi dhe impenjimi i SHBA ndaj Shqipërisë ka qenë në atë shkallë që asnj shtet amerikan nuk e ka patur. Vetëm radioja shtetëror e Departamentit të Shtetit, “Zeri I Amerikës” ka luajtur nj rol të jashtëzakonshëm në rrëzimin e komunizmit.

6. KONSOLIDIMI I DEMOKRACISË

Angazhimi i SHBA-së për vendosjen e demokracisë në Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Nuk ka ansjë sitautë, rrethanë apo ngjarje e madhe politike që SHBA të mos mbështesë dhe inkurajojë politikën shqiptare për të zhvilluar demokracinë. Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit James Becker më 6 qershor 1991 dhe vizita historike më 10 qershor 2007 e presidentit George Ë. Bush por më vonë edhe të sekretarëve Hillary Clinton dhe Madaleine Allbright janë shembuj të kësaj mbështetejeje. Nuk ka proces të rëndësishëm në Shqipëri për konsolidimin e isntitucioneve që të mos ketë mbështetjen e SHBA-së. Së fundi refroma në drejtësi është një sipërmarrje dhe mbëhsteteje eksklzuyive e SHBA-së.

7. PAVARËSIA E KOSOVËS.

Shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës më 17 shkurt 2008 është eksklzivisht vepër e SHBA-së. Kjo është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar pas 28 nëntorit 1912 të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pas afro 100 vjet që Serbia e kishte bërë pjesë të saj Kosovën, SHBA arriti ta shkëpusë prej saj dhe ti japë pavarësinë e humbur prej një shekulli. Sot kombi shqiptar ka dy shtete shqiptare dhe kjo kryevepër është produkt ekskluziv i SHBA-së.

8. ANËTARËSIMI NË NATO

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO –s më 1 prill 2009 është një tjetër kryevepër ekskluzive e SHBA-së. Mbështetja që diplomacia dhe shteti amerikan i ka dhënë Shqipërisë për këtë anëtarësim ishte dhe mbetet një punë e përhershme dhe ekskluzive e shtetit amerikan. Që nga ai moment Shqipëria jo vetëm është një vend më i sigurtë, por është pjesë e aleancës më të madhe që ka njohur njerëzimi.

9. MBËSHTETJA E SHTETEVE PERËNDIMORE

Nëse pas rrëzimit të komunizmit Evropa Perëndimore ka treguar mbështetje ndaj Shqipërisë, kjo ka qenë e inspiruar dhe nxitur padyshim nga SHBA. Është vepra e diplomacisë dhe shtetit amerikan që Evropa ta tërhiqte në gjirin e vet Shqipërinë që gjeografikisht ishte në kontinent por tashmë është në një proces pa kthim për tu bërë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian. Kordinimi I dip,omacisë amerikane me atë evropiane, ka qenë i pandërprerë dhe vazhdon me të njëjtin temp edhe sot.

10. PËRKRAHJA E SHQIPËRISË KUNDËR ARMIQVE TË SAJ

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për përkrahjen që i kanë dhënë Shqipërisë në shumë momente decisive kur fqinjët tanë kanë synuar ose ti marrin toka dhe terrirore ose ta dobësojnë si shtet. Janë një sërë situatash në këto 107 vjet shtet shqiptar që Serbia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia kanë treguar deri agresione ushtarake ndaj Shqipërisë por SHBA në çdo rast u ka thënë ndal.

(Facebook memory 4 korrik 2020)

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 976
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀
  • “VOA” DHE SHQIPËRIA
  • Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA
  • AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT
  • “Eksodi i zogjve të Çamërisë”, poema e re e Luan Ramës
  • Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve
  • Abaz Kupi, Legaliteti dhe Operacioni BGFIEND — Një Pasqyrë Kritike Historike
  • NJE JETE E MOHUAR…NJE VLERESIM I   MUNGUAR
  • Koha, Barazia dhe Urtia, kundër-rendi ndaj pushtetit të vonesës dhe shterimit të emergjencës!
  • Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës, që u rrit me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes
  • Rileximi i Ernest Koliqit: Një udhëtim zbulese
  • NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT
  • Parashqevi Qiriazi, e vërteta historike
  • Rauf Fico – Diplomacia shqiptare si kulturë shtetërore, ndërgjegje morale dhe vizion europian
  • Me rastin e 102-vjetorit të ndarjes nga jeta, nderojmë jetën dhe veprën e Woodrow Wilson, Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT