• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Udhëheqësi pa Përgjegjësi

July 30, 2026 by s p

Në kohë normale, udhëheqja është barrë. Në kohë të trazuara, ajo është provë karakteri. Në Shqipëri spektakli është rregull i pushtetit. Udhëheqja është shndërruar në rol dhe shteti në skenografi. Mund të ndryshosh sa të duash ngjyrën e gjyslykëve. Sot të kuq, nesër blu dhe pasnesër gri. Kjo lojë me pasqyrën mund të kënaq syrin e kamerës, por ajo nuk ndryshon dot Shqipërinë. Nuk ndryshon dot arsimin. Nuk ndryshon dot shëndetësinë. Nuk ndryshon dot drejtësinë, administratën, sigurinë, bujqësinë dhe ekonominë. Këto nuk janë aksesorë që zëvendësohen me stinët e humorit politik. Janë thelbi i shtetit.

Shtet-ndërtimi s’është as podium, as spot televiziv. Ai është mekanizëm përgjegjësish. Aty çdo vendim lë gjurmë në jetë njerëzish. Këtu e kanë harruar këtë peshë. Prandaj, demokracia ka hyrë në fazën e saj më të rrezikshme. Iluzionet po na paraqiten si institucione.

Thuhet se mirëqenia e popullit është qëllimi suprem. Por realiteti flet me zë më të ulët e më ftohtë. Ai që punon me pushtetin ndërton pa leje, ditën me diell, mu në mes të Tiranës, në bregdet e në mal. Kudo ku syri duhet të shohë por vendos që të mos shohë. Kjo nuk është dobësi administrative. Ky është treguesi më i qartë se administrata e drejtësia janë të përkulura ndaj pushtetit, jo të pavarura prej tij.

Nuk qeveriset një vend me regji. Prej kohësh politika shqiptare mbahet gjallë nga forma pa përmbajtje. Nga simbole pa substancë. Nga dekorata pa meritë.

Mbeturina e monizmit na shfaqet përjetësisht si “udhëheqësi reformator”. Por ai s’shpjegon kurrë pse institucionet rrëzohen njëra pas tjetrës? Pse truri i vendit vazhdon që të largohet në heshtje? Ndërkohë flitet për forcimin e lekut si arritje. Ndërsa familjet shqiptare bëjnë një llogari tjetër, shumë më të thjeshtë. Sa mund të blejnë me pagën që marrin? Kursi i këmbimit është abstraksion për ata që as eksportojnë dhe as importojnë. Fuqia blerëse është realiteti i çdo dite. Nëse pagat rriten më ngadalë se çmimet, shqiptari është më i varfër.

Qeverisja është kthyer në spektakël. Estetika ka zënë vendin e etikës. Efekti mediatik ka zëvendësuar dialogun qytetar. Çdo zë kritik etiketohet si armik, i ardhur nga “skutat e së shkuarës”. Hijet ndjekin nga pas. Ndërkohë që zëri vjen nga brezat e rinj që s’kanë lidhje partie. Ata kanë vetëm shqetësime të përbashkëta. E vërteta, ndryshe nga skena, nuk kontrollohet me ndriçim.

Në një republikë të shëndetshme, lidershipi flet pak dhe dëgjon shumë. Por, mbetjet e monizimit flasin vazhdimisht. Ata zënë hapësirën e të tjerëve. Bëjnë gjithçka vetë. Zbehin institucionet. Forma ka zëvendësuar përmbajtjen. Askush nuk di më ku është përgjegjësia, por të gjithë e dinë kush është përgjegjësi. Sot, gjithçka rrotullohet rreth një figure që ka asgjësuar gjithçka tjetër.

Një shoqëri që nuk pranon gabimet, nuk përmirësohet kurrë. Ajo thjesht prodhon alibi, brez pas brezi. Nuk ka vizion pa përgjegjësi. Lideri nuk është i madh se flet bukur, por se përgjigjet për realitetin. Suksesi matet me ndikimin që ai lë tek ata që nuk e kanë një zë. Qeverisja është përgjegjësi morale, jo teknikë për të ruajtur pushtetin.

Lideri i vërtetë nuk shet iluzione. Nuk trembet as nga pasqyra, as nga kritika dhe as nga heshtja. Prej 61 ditësh, shqiptarët kanë dal vetë në shesh. Për herë të parë ata po dalin për Shqipërinë, jo për partinë. Ndërkohë pushteti përgjigjet me përbuzje në vend të dialogut. Regjia e ka humbur kontrollin mbi realitetin.

Njerëzit po dalin sot në protestë jo për një çështje të vetme e të izoluar, por për çdo fushë të jetës së tyre. Arsimin që s’i përgatit. Shëndetësinë që s’i shëron. Drejtësinë që s’i mbron. Administratën që s’funksionon. Ekonominë që s’i mban. Ky pushtet ka prodhuar vetëm mungesë shprese. Vetëm braktisje masive të vendit.

Revolucioni Flamingo nuk është zëri i një grupi. Ai është jehona e një populli që e ka kuptuar se ngjyra e gjyslykëve nuk ka lidhje me ngjyrën e së ardhmes së tij. Ka ardhur koha që të heshtim zërin e aktorit, dhe të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes kombëtare. Vetëm ai zë mund ta rindërtojë republikën e shqiptarëve për shqiptarët.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Analiza

KUR AMERIKA I ZGJATI DORËN SHQIPËRISË

July 29, 2026 by s p

28 Korrik 1922 – KUR AMERIKA I ZGJATI DORËN SHQIPËRISË

                               Një miqësi që i ka qëndruar besnike historisë 

                                  Nga Frank Shkreli

image.png

Në historinë e kombeve ka data që nuk janë vetëm kronologji. Ato janë busulla morale, që u kujtojnë brezave se cilët kanë qenë miqtë e tyre në kohët më të vështira. Për Shqipërinë, 28 korriku 1922 është njëra prej këtyre datave. Atë ditë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën zyrtarisht shtetin shqiptar, duke kurorëzuar një politikë që kishte filluar disa vite më parë me mbështetjen vendimtare të Presidentit Woodrow Wilson për mbrojtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë.  Për një komb të vogël, ende të brishtë dhe të kërcënuar nga ambiciet e fqinjëve grabitqarë, kjo njohje nuk ishte vetëm një akt diplomatik. Ishte një deklaratë besimi se Shqipëria kishte të drejtën të ekzistonte si shtet i lirë dhe sovran.

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nuk fillon dhe nuk mbaron me dokumente zyrtare. Ajo është ndërtuar mbi ideale, mbi sakrifica dhe mbi njerëz që besuan se liria dhe dinjiteti i kombit shqiptar meritonin të mbroheshin. Nga Frank Shkreli – 4 Korrik, 2026, 250-vjet Amerikë: një miqësi që ndryshoi përgjithmonë historinë e shqiptarëve | Gazeta Telegraf.  Ndër ta, një vend të veçantë zë Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, e themeluar në Boston në vitin 1912. Nën udhëheqjen e Fan S. Nolit, Faik Konicës dhe patriotëve të tjerë shqiptaro-amerikanë, “Vatra” u bë zëri më i fuqishëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Gazeta “Dielli”, organi i saj, informoi opinionin amerikan, sensibilizoi politikën e Uashingtonit dhe mbrojti pa pushim të drejtat e Kombit shqiptar. Pa këtë angazhim të diasporës shqiptare në Amerikë, historia jonë diplomatike do të kishte qenë shumë më e vështirë.  Frank Shkreli: Me Dr. Elez Biberajn në Tiranë në çastin kur u thye vet-izolimi komunist, mars 1991 | Gazeta Telegraf

Kur Presidenti Woodrow Wilson kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, ai nuk po mbronte vetëm një territor në Ballkan. Ai po mbronte një parim: se kombet e vogla nuk duhet të bëhen viktima të pazareve politike të fuqive të mëdha.  Njohja zyrtare e Shqipërisë më 28 korrik 1922 ishte vazhdimësi e këtij parimi. Një shekull më vonë, historia ka folur qartë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë pranë Shqipërisë në momentet më vendimtare të saj: në mbështetjen për demokracinë pas rënies së komunizmit — Frank Shkreli: Kështu e gjetëm Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, 30-vjet më parë | Gazeta Telegraf — në anëtarësimin në NATO —Frank Shkreli: Kështu e gjetëm Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, 30-vjet më parë | Gazeta Telegraf në reformat institucionale dhe, mbi të gjitha, në ndërhyrjen historike për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë — Frank SHKRELI/Kur në Kosovë ndërroi epoka | Gazeta Telegraf

Këto nuk janë episode të rastësishme. Janë hallka të së njëjtës histori miqësie.  Edhe sot, kur demokracitë perëndimore përballen me sfida të reja, kur lufta është rikthyer në Evropë dhe kur propaganda autoritare përpiqet të zbehë besimin tek institucionet demokratike, Shqipëria nuk mund të ketë asnjë mëdyshje për orientimin e saj strategjik. Ky orientim nuk është thjesht gjeopolitik.  Është zgjedhje qytetërimore.  Miqësia me Shtetet e Bashkuara nuk duhet matur vetëm me marrëveshje ushtarake apo vizita zyrtare. Ajo matet me përkushtimin tonë ndaj vlerave që Amerika ka mbrojtur historikisht: lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës, respektin për dinjitetin njerëzor dhe përgjegjësinë e institucioneve ndaj qytetarëve. Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf

Në këtë përvjetor duhet të kujtojmë edhe një të vërtetë tjetër.

Asnjë aleancë nuk është e përjetshme vetëm sepse ka ekzistuar gjatë. Ajo duhet të forcohet përmes besimit reciprok dhe përmes seriozitetit të partnerëve. Shqipëria ka detyrimin moral dhe politik ta ruajë këtë marrëdhënie si një nga pasuritë e saj më të çmuara kombëtare. Ky është edhe një detyrim ndaj brezave që sakrifikuan për lirinë, ndaj patriotëve të “Vatrës”, ndaj Fan Nolit e Faik Konicës, ndaj shqiptarëve të Amerikës që nuk reshtën kurrë së mbrojturi interesat kombëtare dhe ndaj të gjithë atyre që besuan se vendi ynë e kishte vendin natyrshëm në familjen e kombeve demokratike. Frank Shkreli: Roli i diasporës në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane | Gazeta Telegraf

Në fund të fundit, historia nuk është vetëm kujtesë.  Ajo është përgjegjësi.  Dhe përgjegjësia jonë sot është të ruajmë, të forcojmë dhe t’ua lëmë brezave këtë miqësi shqiptaro-amerikane po aq të fortë sa e trashëguam.  Prandaj, në këtë 104-vjetor të njohjes zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë historisë është të mbetemi besnikë ndaj vlerave që e bënë të mundur atë histori. Miqtë e sprovuar nuk kujtohen vetëm në përvjetorë; ata nderohen çdo ditë me qëndrime, me vepra dhe me besnikëri ndaj idealeve të përbashkëta. KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-SHBA DHE VLERAT E PËRBASHKËTA – Dielli | The Sun

Në këtë 28 korrik, kur kujtojmë njohjen zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të anashkalojmë edhe sfondin e pazakontë politik në të cilin vjen ky përvjetor.  Për pothuaj  dy muaj tani mijëra qytetarë shqiptarë të të gjitha moshave, kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme, duke shprehur pakënaqësinë jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj klasës politike shqiptare të këtyre 35-viteve, në tërësi. Protestat kanë artikuluar kërkesa për më shumë llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe reforma politike, ndërsa një pjesë e protestuesve kanë shprehur mosbesim ndaj të gjithë establishmentit politik.  Në këtë kontekst, përvjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane merr një domethënie edhe më të thellë.  Partneriteti historik me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe një kujtesë e vazhdueshme se demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje periodike, por me forcën e institucioneve, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe përgjegjshmërinë e atyre që qeverisin. Pikërisht këto janë vlera që kanë frymëzuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane për më shumë se një shekull.

Nëse historia e 28 korrikut 1922 dëshmon se Shqipëria fitoi besimin e një prej demokracive më të mëdha të botës –Shteteve të Bashkuara të Amerikës — sfida e sotme mbetet që ky besim të justifikohet çdo ditë nga vetë shteti shqiptar.  Nderimi më i mirë për këtë përvjetor nuk janë vetëm ceremonitë dhe fjalimet, por përkushtimi për ndërtimin e një Shqipërie ku qytetari të ndihet i dëgjuar, ligji të jetë i barabartë për të gjithë dhe demokracia të mos mbetet vetëm një aspiratë, por një realitet i përditshëm.   Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli

image.png

Woodrow Wilson: “Asnjë popull nuk duhet të detyrohet të jetojë nën një sovranitet që nuk e dëshiron”.

Filed Under: Analiza

“Gardistët e Kuq » dhe fati i Shqipërisë

July 28, 2026 by s p

Luan Rama/

I kishim harruar prej kohësh “gardistët e kuq” të Mao Ce Dunit. Nuk di pse duke parë deputetët socialistë, si një grusht bashkuar, mu kujtuan ato personazhe të revolucionit kinez që mbetën në histori. Në fillim pyesja veten se përse ky asosiacion mes deputetëve dhe « gardistëve të kuq » të Partisë Socialiste dhe në vetvete kisha një lloj mosbesimi, por sa më shumë shikoja çdo ditë manifestuesit në rrugët e Tiranës me kërkesën e parreshtur për dorëheqjen e kryeministrit, çka për një vend evropian është më se normale, më shumë ky krahasim gjente vend tek unë, pasi deklaratat e kryeministrit se « unë kam me vete 80 deputetë » dhe se s’dua t’ia di për manifestuesit, si dhe qëndrimi i tyre kokëulur e pa dinjitet, më së fundi i thashë vetes : ja « gardistët e kuq », një specie më moderne, se dikur por që dinë të mbrojnë liderin e tyre edhe pse jam i sigurtë se vetëm 5% e o janë besnikë të bindur.

Sjellja e pacipë ndaj deputetes socialiste Koçeku që i la rradhët e tyre dhe mbrojti kërkesat e rrugës, apo së fundi qëndrimi brutal dhe i paskrupullt ndaj deputetit Braçe për ta mbyllur gojën por që ai di të kundërshtojë, tregojnë se gardistët shfaqen në « unitetin” e tyre për dy arësye : e para, frika nga ndëshkimi që do pësojnë nga lideri i cili di ti shkatërrojë kundërshtarët edhe brenda familjes së tij; e dyta ngaqë kështu ata do humbasin kolltuqet dhe privilegjet. Por jeta njerëzore është efemere dhe shumë shpejt, këta « unionista » do ta kuptojnë se pikërisht janë ata që e kanë mbajtur në këmbë kryeministrin e tyre, janë ata që kanë bërë kompromise utilitare që ai të vazhdojë në rrugën e tij, pasi secili ka menduar për vete dhe jo për kauzën e përbashkët të një partie të vërtetë socialiste Një lider që kërkon të hyjë me ngulm në histori, historia nuk do ta pranojë të tillë. Unë personalisht e kam përshëndetur që në rotacionin e parë për largimin e Berishës, koha kur socialistët erdhën në pushtet.

Kam përshëndetur punën e tij në Bashkinë e Tiranës e po kështu më pas politikën e tij europiane si kryeministër. Por me kohë, pushteti i gjatë bëhet shkatërrues dhe lideri narcist këtë nuk e pranon. Dhe kjo ka ndodhur historikisht me autokratët apo me diktatorët. Atëherë ekzistenca e tyre në pushtet dhe privilegjet e mëdha i shtyjnë ata të bëjnë një politikë makiavelike, përçarëse, të kompromisit, duke mbajtur pushtetin vetëm në dorën e tij dhe duke u bërë njëkohësisht brutalë për të mbytur çdo zë kundër. Fundi ka afruar dhe kthim mbrapa nuk ka. Gardistët duhet ta shohin veten në pasqyrë dhe të pyesin koshiencën e tyre dhe jo interesin. Ata duhet të vendosin : do të shkojnë pas gjemisë së Titanikut, apo do të ngrihen për të mbrojtur dinjitetin e tyre ! Rrugë tjetër nuk ka !!!

Filed Under: Analiza

Dokumentarë historik mbi krimet e luftës në Kosovë

July 27, 2026 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Roli i OJQ-ve, Organizatave dhe shoqërisë civile si, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Rrjeti i Grave të Kosovës, dhe organizata të tjera lokale kanë luajtur një rol kyç në mbrojtje të të mbijetuarve të luftës në Kosovë, duke ofruar mbështetje psikologjike, juridike dhe mjekësore për gratë, fëmijët e të moshuarit. Shumë nga të mbijetuarat e luftës në Kosovë kanë pasur e vazhdojnë të kenë pasoja të rënda fizike dhe psikologjike, depresion, ankth dhe probleme me shëndetin riprodhues. Por siç dihet pas luftës, viktimat u përballën me një tabu të madhe shoqërore, çka shpesh çoi në izolim, përjashtim nga familja ose hezitim për të kërkuar ndihmë.

Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për njohjen zyrtare të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Në vitit 2018 u krijua Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, i cili u mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për të marrë një pension mujor dhe përfitime të tjera ligjore. Por sot konkretisht do të ndalem tek bashkëpunimi i mirë që gratë shqiptare në SHBA kanë me Shoqatën “Krimet e Luftës Gjakova 98-99”, organizatë që kontribuon me përkushtim në dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e së vërtetës mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, të cilat në kuadër të veprimtarisë së tyre kanë realizuar dy dokumentarë të një rëndësie të veçantë historike dhe shoqërore.

Organizata “Krimet e Luftës në Gjakova 98’99” drejtohet nga Znj. Shkëndije Hoda, e cila ka qenë vetë pjesëmarrëse në luftë dhe është një ndër gratë simbol të rezistencës, sakrificës dhe angazhimit për lirinë e Kosovës. Gjatë viteve të luftës, ajo iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke shërbyer me përkushtim si ushtare dhe duke dhënë kontribut të drejtëpërdrejtë në përjekjet për çlirimin e vendit.

Pas përfundimit të luftës, Shkëndije Hoda vazhdoi misionin e saj në shërbim të shtetit, duke qenë pjesë e strukturave të Sigurisë si oficere në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) në këtë detyrë ajo punoi me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në ndërtimin e institucioneve të para të sigurisë në Kosovën e pasluftës.

Me inisiativën direkt të saj, kjo organizatë ka realizuar dy dokumentarë të rëndësishëm që flasin për evidentimin krimeve të luftës, ruajtjen e së vërtetës historike dhe për forcimin e ndërgjegjes shoqërore për rëndësinë e drejtësisë dhe kujtesës kolektive.

Dokumentari me titull “112 Dhimbje dhe Krenari” i kushtohet 112 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në komunën e Gjakovës. Komunë të cilën pata mundësi ta vizitoj së bashku me babain tim (nip i familjes Boletini), sapo në Kosovë hynë forcat e NATO-s.

Toka ishte akoma e nxehtë me plagë lufte e erë baruti, shtëpi të djegura e të shkatërruara nga artileria serbe. Njerëz që kërkonin familjarët e tyre të vrarë e të zhdukur. Forcat militare serbe kishin përqëndruar akoma përforcimet e tyre përgjatë godinave kryesore të Gjakovës. Nuk ishte situatë e lehtë për të qarkulluar, por si gazetare me status internacional dhe ndihmën e oficerëve të NATO-s, munda të shikoj e përjetoj nga afër pasojat e luftës, krimet dhe dramën e madhe që përjetuan motrat, fëmijët e vëllezërit tanë gjatë asaj lufte makabre në Kosovë.

Dokumentari tjetër me titull “Dhimbje që Heshtin” trajton plagët e rënda të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë rrëfime, dëshmi dhe mesazhe të fuqishme për drejtësi, dinjitet dhe kujtesë.

Përsa i përket ndërgjegjësimit publik dhe zërave të të Mbijetuarave të luftës në Kosovë, më duhet të flas për Vasfije Krasniqi-Goodman, një nga figurat më emblematike, e cila doli publikisht për të treguar historinë e saj, duke thyer heshtjen e duke u bërë zëri i mijëra grave të tjera. Si dhe Shyhrete Tahiri-Sylejmani, një tjetër e mbijetuar që doli publikisht dhe kërkoi drejtësi, duke ndihmuar në largimin e stigmës.

Gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, dhuna seksuale u përdor në mënyrë sistematike nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe si një armë e qëllimshme e luftës, me synim terrorizimin, poshtërimin dhe shkatërrimin e strukturës sociale të popullsisë shqiptare.

Numri i viktimave, kryesisht gra e vajza, por edhe burra, vlerësohet se rreth 20,000 persona (kryesisht gra e vajza, por edhe burra) i janë nënshtruar dhunës seksuale gjatë konfliktit. Por për shkak të stigmës së thellë shoqërore, frikës dhe traumës, shumë raste kanë mbetur të paraportuara.

Pavarësisht dëshmive të shumta, numri i personave të dënuar nga gjykatat vendore apo ndërkombëtare për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë po përballet me sfidat e drejtësisë, pasi mungesa e ndëshkimit mbetet jashtëzakonisht e ulët.

Mungesa e dënimit të kryerësve të veprave mbetet një nga plagët më të mëdha jo vetëm për të mbijetuarat, por për gjithë shoqërinë. Por realizimi i dokumentareve, dokumentimi i krimeve të luftës është një tregues që i shërben evidentimit të krimeve kryer nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë dhe shpresojmë që së shpejti edhe dokumentarët realizuar nga Shoqata “Krimet e Luftës Gjakova 98-99”, të shfaqen edhe për auditorin shqiptaro – amerikan në New York, kudo në SHBA, Shqipëri e më gjerë.

Filed Under: Analiza

“Besa” e kryeministrit dhe besa e shqiptarëve

July 27, 2026 by s p

Ajet Delaj/

Më lejoni, ju lutem, ta trajtoj këtë temë të ndarë, pasi realisht e praktikisht është e ndryshme; madje nuk kanë asnjë lidhje. Në fillim dua të them se besa është shumëdimensionale në kuptimin historik, kanunor e filozofik të popullit shqiptar. Madje, besa është shndërruar në institucion të shenjtë, që nuk guxon kush ta shkelë apo ta atakojë.

E kam fjalën për shqiptarët fisnikë përgjatë historisë dhe jam i bindur se ka akoma shumë në trojet shqiptare, apo ata të cilëve në vena u rrjedh akoma gjak shqiptari pamvarsisht se ku jetojne. Pra, besa e shqiptarëve kërkohej e jepej si besa e burrit e në besë të Zotit. Pra, shqiptari, si popull pagan në lashtësi, e barazonte fjalën e dhënë me Zotin. Prandaj, besa është e shenjtë dhe është institucion për shqiptarin.

Në parantezë, besa nuk ka asnjë lidhje me politikën, respektivisht me partitë politike apo politikanët, për faktin e thjeshtë se politikanët kërkojnë dhe marrin një besim të përkohshëm e besa eshte e perjetshme. Është spekulim i pastër të tentosh të barazosh besimin e përkohshëm me besën e perjetshme te shqiptareve .

Duke ditur peshën që ka në mentalitetin dhe qenien e shqiptarëve, edhe diktatori ka spekuluar, duke u kërkuar shqiptarëve besën për Partinë dhe komunizmin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe edhe me trashëgimtarët gjenetikë e shpirtërorë të komunizmit, në tentativën e tyre, respektivisht Kryeministrin Rama, për t’u qëndruar në zverk shqiptarëve në përjetësi, duke spekuluar me fjalën “besa”.

Mirëpo, po mundohem të kuptoj e natyrisht ta trajtoj aq sa mundem kuptimin që ka fjala “besë” dhe kërkesa e tij për besë në gojën e Kryeministrit Rama. E thashë që në fillim se fjala “besë” është shumëdimensionale, por unë po i referohem ngushtë vetëm kërkesës së Kryeministrit Rama per bese dje drejtuar shqiptarëve.

Parë në këtë këndvështrim, personi që kërkon besë, në këtë rast Kryeministri, kërkon besë për një apo shumë të këqija që u ka bërë shqiptarëve pa specifikuar asgje. E para, nuk na tha se çfarë të këqijash u kishte bërë shqiptarëve, megjithëse shqiptarët i dinë tashmë bëmat e tij, por së paku të na thoshte se cilat prej tyre i pranonte dhe për të cilat po kërkonte besë.

E dyta, nuk e specifikoi në kërkesën e tij për besë se çfarë besë kërkonte: kërkonte besë për ca kohë gje we eshte e njohur per shqiptaret , apo besë për ta falur për bëmat e tij? Gjëja më e keqe në tërë këtë histori është tentativa për t’u tallur me ndjenjat dhe humanizmin e shqiptarëve, pasi i ka mashtruar, vjedhur, madje, sipas kritikëve të tij, ka tentuar të shesë interesat jetike dhe trojet e shqiptarëve. Madje, kjo e fundit nuk dihet akoma nëse është thjesht tentativë apo fakt i kryer, kete do ta shohim pak me vone.

Asnjë politikan shqiptar nuk duhet të guxojë ta ndyjë besën e shqiptarit, duke spekuluar me këtë simbol të shqiptarisë në gojët e tyre të ndyra, që kanë vjedhur e ngrënë djersën, mundin dhe gjakun e shqiptarëve. I madhi Gjergj Fishta na ka mësuar që njëqind vjet më parë se “besë të pabesit mos me i dhënë”, dhe gjithkush nga shqiptarët që e ka harruar këtë postulat të poetit të kombit ka paguar një çmim të madh. Rastet, fatkeqësisht, nuk kanë munguar.

Pa dyshim që Fishta, kur e ka artikuluar këtë postulat pothuajse profetik, ka pasur në konsideratë komunistët, të cilët në atë kohë po kërcënonin Shqipërinë, ashtu siç fatekeqesisht ndodhi, vazhdojnë ta kërcënojnë edhe sot madje me shpopullim e shuarje Kombin Shqiptar .

Asnjë demagogji alla komuniste apo tentativë për të spekuluar me ndjenjat, vlerat dhe vetitë e mira të shqiptarëve nuk e shpëton establishmentin thellësisht të korruptuar e antishqiptar, që u ka hipur në zverk shqiptarëve prej 81 vjetësh.

Fatmirësisht, shqiptarët janë zgjuar e ndërgjegjësuar për energjinë dhe forcën që posedojnë, dhe fundi i këtij establishmenti të korruptuar ka ardhur tashmë.

Dilema e tyre është se si dëshirojnë të largohen: In front of the God or in front of the judge!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin
  • Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
  • Më dhemb ajo që po shoh nga larg
  • Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?
  • KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT
  • KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT