• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA VOTON TË DIELËN E 17 TETORIT 2021 NË ZGJEDHJET E TETA LOKALE NË LIRI

October 16, 2021 by s p

-Republika e Kosovës ka 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, një komunë është e banuar me shumicë nga komuniteti turk/

-Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave është 166 (meshkuj 152, femra 14), ndërsa numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937)/

-Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra, 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021/

-Numri i qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime/

-Numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532/

-Moti në Kosovë në ditën e votimit në zgjedhjet lokale/

-Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim vlerësim për fushatën elektorale,  do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 16 Tetor 2021/ Kosova të dielën e 17 Tetorit 2021 mbanë zgjedhje lokale për kuvendet komunale dhe kryetarët e 38 komuave, ndërsa në minutën e parë të së shtunës ka nisë heshtja zgjedhore pas fushatës parazgjedhore njëmuajshe të qetë e demokratike, por në kushte pandemie.

Janë këto zgjedhjet lokale të Kosovës të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.

 “Për komunën tënde. Voto” është sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2021, i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garojnë  32  parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.

Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave është 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është  1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5 364  (meshkuj 3 413, femra 1 951).

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 Shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 Shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 Shkurt 2021 është 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërsa, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532 votues.

Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 Korrik dhe është përmbyllur më 18 Gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

Të gjithë aplikuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës mund të votonin përmes postës gjatë periudhës e cila filloi më 15 Shtator. Fletëvotimet duhej të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më së largu deri më 15 Tetor 2021.

 Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.

Për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për kuvende komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve  për zgjedhjet e 17 Tetorit është 3 milionë e 397 mijë e 200 fletëvotime.

Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,91 % dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare që u mbajtën në 14 Shkurt 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.

Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. 

Para 4 viteve, të dielën e 22 Tetorit 2017, Kosova votoi në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe asambleistët e komunave, që u mbajtën në afat të rregullt, katër vjet pas zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorin 2013. Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 Qershor, 3 vjet pas atyre të 8 Qershorit 2014.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999,  zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 ishin të shtatat.

Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 Nëntor.

 Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë. 

Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri i votuesëve për Mitrovicën e Veriut është 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun  6 443.

Sipas parashikimit të dërguar nga Instituti Hidrometeorologjik i Republikës së Kosovës, të dielën e 17 Tetorit 2021 të zgjedhjeve lokale  në Kosovës do të mbajë mot kryesisht i vranët, por edhe me intervale të shkurta me diell.

Në mëngjes ka mundësi që në ultësira të paraqitet fenomeni i mjegullës si rezultat i radiacionit dhe ndryshimeve në fushat termike. Vranësirat herët në mëngjes vende-vende mund të sjellin ndonjë rigë shiu, por pjesa dominuese  e ditës do të jetë pa reshje dhe me rritje të lehta të temperaturave maksimale. 

Temperaturat minimalet do të lëvizin 7 deri 8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës  13 deri 15 gradë. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare.

Java e ardhshme parashihet me rritje të ndjeshme të temperaturave maksimale.

DEMOKRACIA NË VEPRIM: FUSHATË ZGJEDHORE E QETË, ME OFERTË TË PASUR PROGRAMORE, POR ME NEGLIZHENCË TË MASAVE ANTI-COVID

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve – Demokracia në Veprim (DnV), përmes një konference për media, sot ofroi vlerësimin për fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në Kosovë, duke u fokusuar në çështjet si respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, ofertat programore dhe mënyra e shpalosjes së tyre, kandidaturat dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.

Tridhjetë ditët e fushatës zgjedhore treguan se mënyra tradicionale e të bërit fushatë me tubime të mëdha, është eklipsuar nga fushata dixhitale. Transformimin dixhital të fushatës padyshim e imponuan masat kufizuese anti-COVID, por edhe fakti që platformat ‘online’ ofruan një potencial shumë më të madh, më efikas e më ekonomik në arritjen e masave dhe votuesve. Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim. Ndonëse shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale mungon.

Edhe pse në fillim të fushatës disa subjekte politike u zotuan për shkurtimin e ditëve të fushatës, në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Fushata zgjedhore nisi me takime me grupe të vogla të qytetarëve dhe me respektim relativisht të kënaqshëm të masave anti-COVID. Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet e ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës. Në këtë përshkallëzim të situatës kanë pasur ndikim edhe kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve përkatëse.

Ndryshe nga fushatat e kaluara zgjedhore, kësaj here shpalosja e programeve politike është bërë që në fillim të fushatës, element të cilin kandidatët duket se e kanë vlerësuar si përparësi konkurruese në garë. Ofertat e qarta programore, një pjesë e madhe e së cilave kanë qenë të qasshme për publikun, kanë qenë tipar pozitiv i kësaj fushate për shumicën e kandidatëve. Debatet televizive janë organizuar me kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave me shumicë shqiptare, ndërsa debatet kanë munguar në komunat me shumicë serbe. Po ashtu, debate janë zhvilluar edhe në mes të kandidatëve për kuvendet komunale, duke përfshirë bartësit e listave, si dhe në disa raste vetëm me kandidatet gra për kuvendet komunale. Forma e organizimit të debateve televizive, me pjesëmarrje të shumë kandidatëve dhe diskutimit të temave të ndryshme në një periudhë të kufizuar kohore, nuk ka mundësuar elaborim të thukët të programeve nga kandidatët apo “përballje” përmbajtësore të pikëpamjeve midis tyre.

Investimet kapitale ishin kryefjala e programeve politike të shumicës së kandidatëve, me programet me potencial transformues që ishin karakteristikë e shumë komunave, posaçërisht shtatë qendrave të mëdha. Sidoqoftë, në disa raste kanë munguar detajet për planin e zbatimit të programeve, koston dhe burimet financiare për realizimin e tyre. Vlerë e shtuar e programeve të një pjese të kandidatëve janë projektet ambientaliste, duke përfshirë ndërtimin e parqeve të reja, shtigjeve për biçikleta dhe promovimin e transportit alternativ, si dhe projektet e karakterit zhvillimor në fushën e teknologjisë informative, të tilla si ‘lab’-et e qendrat për IT.

Edhe pse shumica dërrmuese e premtimeve të kandidatëve janë brenda fushëveprimit dhe kompetencave që kanë komunat, edhe në këto zgjedhje nuk kanë munguar rastet kur kandidatë të caktuar kanë dhënë premtime apo kanë përfshirë në programet e tyre çështje që janë kompetencë e nivelit qendror. Këto premtime kanë ardhur kryesisht nga kandidatët në radhët e subjektit politik që udhëheqë me Qeverinë, të cilët kanë ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ndihmën potenciale të ofruar nga ekzekutivi. Edhe në këtë fushatë nuk kanë munguar premtime të dhëna nga ana e kandidatëve për kuvendet komunale, të cilat shpeshherë janë jashtë përgjegjësisë dhe kompetencave të kuvendeve komunale.

Fushata përgjithësisht është karakterizuar me një gjuhë të relaksuar mes kandidatëve, e pa ndonjë rast serioz të përdorimit të gjuhës së urrejtjes mes kandidatëve. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit ka pasur një tendencë të ashpërsimit të gjuhës mes kandidatëve, por që ka mbetur në suaza të rasteve të izoluara.

Sa i përket fokusit në raport me kandidaturat, DnV vlerësonqë, sikur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, ka pasur një koncentrim dukshëm më të madh të aktiviteteve të fushatës në promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash, duke lënë në hije kandidatët për kuvendet komunale. Kandidatët për kuvende komunale janë parë më shumë si “dekor” gjatë aktiviteteve apo takimeve të subjekteve politike. Gjithsesi, vlen të theksohet se është shënuar avancim i konsiderueshëm sa i përket hapësirës mediale që u është ofruar kandidatëve për kuvendet komunale, me të cilët janë organizuar vazhdimisht debate televizive. Grave u është ofruar hapësirë optimale për pjesëmarrje në debate, në proporcion me numrin e kandidateve. Kurse, përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të subjekteve politike ka qenë në nivele jo të kënaqshme. Karakteristikë e kandidaturave në këto zgjedhje është edhe garimi i kandidatëve për kryetarë njëkohësisht edhe si bartës të listave për kuvendet komunale. Rreth një e treta e kandidatëve për kryetarë komunash, përkatësisht 50 sosh, janë edhe bartës të listave për kuvendet komunale.

Edhe në zonat me shumicë serbe, sikur edhe në mbarë vendin, nuk u organizuan tubime të mëdha me qytetarë për shkak tësituatës me pandeminë. Në dhjetë komunat me shumicë serbe, fushata dixhitale ishte ndër format më të shprehura të të bërit fushatë. Mirëpo, edhe në këto komuna, subjekti politik Lista Serbe por edhe kundër-kandidatët e tyre, nuk kanë munguar takimet derë më derë dhe takime me grupe të targetuara. Në takimet e mbajtura me prani fizike, ka pasur respektim relativisht të kënaqshëm të masave anti-COVID. Sa i përket ofertave politike, fokusi i programeve të subjekteve dhe kandidatëve në komunat me shumicë serbe ka qenë çështja e punësimit, kurse shumica e problemeve të adresuara ishin të nivelit lokal.

Pas një gare zgjedhore me një ofertë relativisht të pasur programore, DnV fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin në zgjedhje për të votuar institucionet e tyre lokale për katër vitet e ardhshme, duke u kujdesur që votimin t’a bëjnë në përputhje me masat anti-COVID. DnV po ashtu kërkon që masat anti-COVID të respektohen në mënyrë strikte edhe nga stafi zgjedhor.

DnV do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve, të cilët do të shpërndahen në nivel vendi, bazuar në një mostër të bazuar statistikore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

METAMORFOZA E NEGOCIATAVE DHE KREDIBILITETI I BE

October 16, 2021 by s p

KASTRIOT  ALIAJ/

Interesat kombëtare si një konteks evropian, kanë qënë dhe mbeten prioritare për ne shqiptarët, për t’u ndierë si pjestarë të këtij komuniteti ëndërr. Por e vërteta është se kjo ëndër që nuk po bëhet realitet,ka marrë trajtat e thënies qesëndisëse të popullit me litarin; “tërhiq e mos e këput”. Ky event që përbën aksionin më të rëndësishëm politik për Shqipërinë, mbeti në serialin e takimeve me premtime pa asnjë vendim definitiv. Ky vedim tepër konspirativ dhe i pa dakordësuar,nga komisjoni për zgjerimin e BE, ka mbetur si litari i pa këputur në sirtarët e burokracisë evropiane. Por më shumë se sa ne shqiptrët që po rropatemi në pritje,ë shtë kredibiliteti i BE që vazhdon në pikiatë, përballë vëndeve që aspirojnë për t’u bërë pjesë e saj. Një vendim pozitiv do të promovonte të gjitha përpjekjet që janë bërë në peridhën dialog, si dhe në linjën shumëpalëshe të proceseve, sidomos pas Samitit të Selanikut në vitin 2003.  Megjithse është një proces kompleks e mjaftë delikat, në kushtet kur jo vetëm rajoni por e gjithë bota,  është gjunjëzuar nga pandemia dhe së fundi edhe nga kriza energjitike,që ndikon drejtë përdrejtë në gjëndjen social-ekonomike të qytetarëve. Hapja e negociatave do të ishte një ogur i mirë për shqiptarët. Kjo situatë që po rëndohet edhe nga mos marrja e një vendimi pozitiv, po shpërdoron besimin e qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut,të cilët me të drejtë shprehen se janë kapërcyer kufijtë e arsyes. Politika dhe analistët e këtij problemi, mendojnë se shërimi përfundimtar i këtij rajoni problematik,të mbetur pas dyerve të BE, do të vijë me hapjen e negociatave për integrim, duke u dhënë fund mbetjeve konfliktuale në shekuj, ku shëmbulli më i keq këto ditët e fundit,janë demostrimi i alergjive  politike në veri të Kosovës. Përpjekjet e BE për të vendosur ura bashkëpunimi dhe heqjen dorë nga provokimet, nuk kanë qënë të përgjegjëshme dhe efikase,për sigurinë dhe kultivimin e paqes në rajon. Historikisht përpjekjet e para për të vendosur ura bashkëpunimi,midis shteteve të Ballkanit,u bënë me përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Ky bashkëpunim përbënte një risi historike në marrdhëniet ndërkombëtare, për vetë natyrën e përplasjeve etnike të lindura shekuj më parë. Inisiatore pë rrolin negociues në atë peridhë, kur në Evropë kishte lindur një kulturë e re mardhëniesh u bë Anglia. Themi një kulturë e re sepse në këtë gjysëm shekulli,bota u nda në dy kampe, me doktrina e sisteme politike të kundërta. Anglia së bashku me SHBA, përbënin kështjellën e demokracisë në botë, prandaj dhe rroli i tyre ishte determinues në përplasjet e dy sistemeve,kapitalist dhe atj socialist të lindur së fundi në Rusi. Por Anglia këtë rrol e mori për interesat e saj, për të ruajtur ekujlibrat dhe statu-quonë e vendosur përkohësisht në Evropë,nga vendimet e konferencës së Versajës. Anglia e kënaqur nga c’ka kishte arritur në këtë konferencë, për të shmangur një konflikt të ri, arriti të zbusë marrdheniet franko-gjermane nëpërmjet paktit të Lokamos të vitit 1925, që garantonte paprekshmërinë e kufijve të tyre. Po përse Londra sa ishte pjesë e BE dhe të tjerët, nuk arritën që pas një shekulli të ndërmerrnin një tjetër “Lokamos”, për të normalizuar marrdhëniet Ballkanike? Sepse nuk u kanë interesuar politika të tilla,kështu që ky rajon edhe sot pas një shekulli, nuk është cliruar nga produktet negative të konferencave ndërkombëtare dhe pasojat e trashëgimisë së dhunëshme të Kongrsit të Berlinit 1978, të konferencës së Londrës (1912-13), si dhe të sistemit të Versajës më 1919. Dalja e Londrës nga BE, konfirmoj plotësisht qëndrimin konformist të trashëguar si Mbretëri e Bashkuar, se ajo nuk ka qënë kurrë për forcimin e unionit, por as edhe për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan, por vetëm e lidhur gjithnjë me interesat e saj. BE si një organizëm kompleks vlerash, që premtoj parajsën për evropianët,me një sipërmarrje detyrash të jashtëzakonëshme, nuk arriti të krijoj komoditetin e duhur për qytetarët evropianë, si dhe të krijoj një komunitet model me diversitete nga rajonet e tjera të botës. Faktorët që kanë ndikuar dhe po e vënë në pikpyetje qëndresën e këtij komuniteti, përvec atyre me karakter global, janë edhe turbolencat e brëndëshme. Ndër to mungesa e dakordësisë për vendimarrje të përbashkeëta, në dobi të solidaritetit,të pranimeve të reja, që me qëndrimet skeptike e burokratike, kanë krijuar një ndikim negativ tek vëndet që aspirojnë për t’u antarësuar. Eshtë tepër shqetësues fakti që brënda komunitetit, në disa shtete me peshë janë shfaqur grupe ekstremiste të të dy krahëve, me simbole neofashiste, ku së fundi u shfaqën edhe në Itali, duke përfituar nga protestat; “No Grin Pass”. Në këtë front të përbashkët që kërkon vëmëndje, jo vetëm brënda BE por edhe jashtë saj, nuk mund të mos jenë edhe shqiptarët. Në se dikush nuk i njeh virtytet e tyre, duhet medoemos të na njohë si qënie mendimi dhe vlerash, që gjatë gjithë epokave historike,në cdo konflikt shqiptarët kanë përdorur arsyen dhe zgjidhjen me tru e jo me bajonetë, sic kanë vepruar fqinjët tanë kundër nesh. Prandaj antarët e këtij komuniteti dhe sidomos skeptikët, duhet të binden se në se ka një popull në Ballkan, që nuk duhet të ketë frikë nga e kaluara e vet, ky është populli shqiptar që fatkeqësisht ky komunitet e ka lënë gjithnjë pas derës. Shqiptarët mendojnë se antarësimi i tyre në këtë komunitet vlerash,përbën një nga politikat më të rëndësishme për ta, sepse do t’u ndryshojë rrjedhën e jetës. Kështu ata nuk do të ndihen të braktisur por të mbështetur fuqishëm, duke ndryshuar veten dhe tjetërsuar historikisht Shqipërinë. Duke ndryshuar veten dhe Shqipërinë, ata do të bëhen garant edhe për komunitetin,ashtu sic thotë një thënie proverbiale e popullit tonë; “që shqiptari kur jep fjalën ther djalin”. Ata mendojne se antarësimi do të ndikojë në industrializimin e vëndit të shkatërruar nga doktrinat e papërgjegjeshme qeverisëse, si dhe në agroturizëm, në gjallërimin e biznesit, në mos braktisjen e vëndit, në arsimmin e fëmijve në universitetet më prestigjoze të Evropës etj. E për të gjitha këto kërkohet ndërgjegjësim, përkushtim, bashkëpunim të të gjithë faktorëve, sidomos të partive politike, që të lënë mënjanë divergjencat e “luftës” pozicionale nëpër llogore, për t’u përkushtuar interesave kombëtare, që Shqipëria të bëjë përpara, e të mos mbetet tek ura e Qabesë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kastriot Aliaj

PROPOZOHET KANTONIZIMI I MALIT TË ZI

October 15, 2021 by s p

Në opinion malazias ka kohë që qarkullon  idea   për decentralizimin e pushtetit në Mal të Zi, ne tre nivele, ku me rëndësi të veçantë është riorganizmi  territorial administrativ me formimin e nëntë kantoneve  ndërsa në aspektin zgjedhor formimi i pesë njësive zgjedhore, që paraqet risi dhe mundësi debati nga individë e subjekte të ndryshme qeveritare e  shoqëria civile, sepse çështja e decentralizimit duhet të trajtohet  me profesionalizëm dhe analogji me vendet e ndryshme evropiane

Nail  Draga

Autorët e kësaj iniciative nga OJQ”Inicijativa Direktne Demokratije-IDD” shpjegojnë me pak fjalë rëndësinë e saj për rirregullimin e sistemit politik në Mal të Zi, duke u thirur në Kushtetutën e Zvicrës, që si duket është model edhe për Malin e Zi. Madje ata cekin se  në atë vend  kushtetuta e cila është  bazuar në demokracinë direkte është  miratuar  në vitin 1848,  dhe deri më tash dy herë është verifikuar dhe është avancuar në vitin 1874 dhe 1999, duke dëshmuar seriozitetin në çështjet organizative shtetërore.

Sistemi i tashëm politik me dobësi të theksuara

Në arsyetimin e tyre më tutje cekin se rregullimi i deritashëm i sistemit politik në Mal të Zi ka treguar shumë dobësi, para se gjithash në mundësinë e vogël që qytetarët të ndikojnë direkt  në proceset politike. Elitat politike largohen nga qytetarët  dhe në vend që politikanët  të jenë ekzekutuesit  e vullnetit të qytetarëve, ata paraqitën  si kreator, manipulues dhe uzurpator të vullnetit. Më shumë  thellojnë ndarjet(etnike, religjioze, gjuhësore e politike) përmes të cilave disa përfitojnë ndërsa qytetarët humbin. Rritet distanca etnike dhe çdo distancë tjetër kërcenon që në të ardhmën të shkatërroi shoqërinë.

Qe këto probleme të tejkalohen ndërsa fuqia t`iu kthehet qytetarëve, propozojnë  ndryshimin terësisht  të sistemit politik në shtet.

Pushteti  në tre nivele

Sipas këtij propozimi pushteti duhet  të ndahet në tre nivele: 1.në nivelin e shtetit të Malit të Zi, 2.në nivelin e kantonëve dhe 3.në nivel të komunave. 

1.Shteti-niveli i parë i pushtetit

Organizimi i pushtetit në nivelin shetetëror duhet të jetë i definuar me Kushtetutë, në të cilën duhet të vendosën të gjitha ndryshimet përkatëse sipas modelit të Kushtetutës së Zvicrës, që do të mundësohej  ndarjen e pushtetit në tre nivele dhe decentralizimin e tërësishëm, si dhe bartjen e peshës së fuqisë se politikanëve te qytetarët.

Organi suprem ligjdhënës i pushtetit  në shtet duhet të jetë Kuvendi i Malit të Zi, të cilën do ta përbënin dy dhoma.

1.Dhoma  shtetërore (nacionale) e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe zgjidhën në mënyrë proporcionale sipas numrit të banorëve në pesë njësitë zgjedhore, çdo njësi zgjedhore do të kishte rreth 100.000 banorë.

Risi në këtë propozim janë regjionet përkatësisht pesë njësitë zgjedhore  që do të ishin:

Regjioni 1-Hercegovina e vjetër(Starohercegovacki) 116.355 votues-17deputet, 

Regjioni 2-Bregdeti-malazias(Crnogorski-primorski) 114.574 votues-16 deputet, 

Regjioni 3-Shkodrës(Skadarski) 114.879 votues-16 deputet, 

Regjioni 4-Moraçës(Moracki) 94.277 votues -16 deputet dhe 

Regjioni 5-Limit(Limski) 99.242 votues-16 deputet. 

Të gjithë së bashku në Kuvend janë 81 deputet që zgjidhën përmes listave të hapura.

2.Senati(Këshilli i kantonit)në të cilën kantonët delegojnë përfaqësuesit e tyre, ku së cili kanton zgjedh  dy përfaqësues në zgjedhjet direkte. Duhet të përcaktohet numri adekuat i kantonëve dhe hapësirën e tyre territoriale duke respektuar kontinuitetin historik, traditën, kulturën etj.,duke mos getoizuar grupët etnike  por të integrimi i tyre.

2.Kantonët-niveli i dytë i pushtetit

Në lidhje me nivelin e dytë propozohet ndarja e territorit në kantone e ate në nëntë(9) të  tillë  të cilët janë: 1.Kantoni i Bokës së Kotorrit, 2.Kantoni bregdetar, 3.Kantoni i Zetës, 4. Principata e Malit të Zi, 5.Kantoni i Nikshiqit, 6.Kantoni i Pivës-drobnjakut, 7.Kantoni i Limit-Moraçës, 8.Kantoni i Beranës-Rozhajës dhe 9. Kantoni i Plevlës-Bijellopolës.

Organizimin e pushtetit  në nivelin e kantonit e përcaktohet në sajë të kushtetutës së vet kantonit. Që kushtetuta e kantonit të realizohet në praktikë ate duhet ta miratojë Kuvendi i Malit të Zi, e ai do ta miratojë nëse kushtetuta e kantonit i plotëson dy kushtet themelore: 1.Duhet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi dhe

2.Që qytetarët e kantonit e kanë miratuar në referendum

3.Komuna – niveli tretë i pushtetit

Në këtë propozim çdo vendbanim merr kompetenca të veçanta  sepse do të fitonte statusin e Komunës apo komunës urbane. Komunat më të vogla do të kishin Tubimet e përgjithshme popullore bazuar në traditën malazeze,  ndërsa komunat më të mëdha mund të zgjedhin që të kenë përfaqësuesit e tyre të cilët do ti zgjedhin direkt përmes listave të hapura apo do të kenë kuvendin digjital ku do të merrnin pjesë të gjithë qytetarët.

Arsyetime në favor të propozimit

Në lidhje me këtë formë të ndarjës së pushtetit   nga Iniciativa e Demokracisë Direkte, janë dhënë dhjetë  arsyetime ku mes tjerash cekin se: pengohet getoizimi i grupeve etnike e fetare, qytetarët pamarrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare do të njihnin përkatësinë territoriale atij kantoni dhe do të kërkonin zhvillimin e tij intenziv si shprehje te interesit të përbashkët të gjithë qytetarëve, do të zvoglohej distanca etnike, do të rritet kohezioni ne mes popullsisë, do të arrihet në zhvillimin të ballancuar regjional, do të zvoglohej administrata, do të zvoglohej korrupcioni,do rritej besueshmëria në shtet dhe institucione  etj.

Në fund cekim se iniciativa e tillë  i është drejtuar direkt kryeministrit të Qeverisë, z.Zdravko Krivokapiq,  ku nga ai  presin  të iniconjë implementimin  ligjor të zgjidhjeve të ofruara. 

Deri më tash nuk kemi pasur ndonjë reagim publik ndaj iniciativës së tillë,  nga asnjë subjekt politik, apo shoqëria civile, andaj duhet të presim  në muajt në vijim sepse kemi të bëjmë me një propozim i cili trajton decentralizimin territorial por edhe të pushtetit në Mal të Zi, çështje e cila nuk është trajtuar më heret nga institucionet qeveritare e shoqëria civile.

C:\Users\Labi\Desktop\178158592_189695986323008_2647120672411768815_n.png

Harta nr.1.Ndarja e territorit të Malit të Zi në nëntë(9) kantone

Mund të jetë një imazh i map dhe teksti

Harta nr.2. Ndarja e Malit të Zi në pesë(5) njësi zgjedhore

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

ÇKA DO TË THOSHTE BORELI NËSE SHQIPTARËT NË MAQEDONI SILLEN NJËSOJ SI SERBËT NË KOSOVË?!

October 15, 2021 by s p

Nëse ndjekim budallaqëllet e Borrelit për ndonjë koordinim të aksioneve, kjo i bie që Kosova mund të funksionojë në mënyrë selektive si shtet. Pra, ndryshe për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët etj. dhe krejt ndryshe për serbët. Ky veçim i serbëve “hyjnorë” dhe mbivendosja e tyre në një shkallë superiore ndaj të tjerëve, ku dora e shtetit të Kosovës është e paarritshme, do të krijonte precedente të rrezikshme në logjikën e funksionimit të shteteve shumetnike.

Nga Emin AZEMI

Kosova është shtet edhe në Zveçan dhe në Zubin Potok, por këtë e mohon Vuçiqi. Fundja këtë e kemi ditur. E kemi ditur që Kosova ende është pjesë e Kushtetutës së Serbisë dhe Vuçiqi sillet me Kosovën si të ishte ajo pjesë e Serbisë (!)
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, po zbaton Kushtetutën e shtetit të saj dhe policia sillet konform frymës së kësaj kushtetute. Policia e Kosovës ka të drejtë të futet në çdo cep të Kosovës, të zbatoj ligjet e shtetit të shpallur i pavarur më 17 shkurt 2008. Madje nëse ka nevojë policia jonë ka të drejtë edhe minjtë me ua nxjerrë matrapazëve serbë që fshehin mall të padeklaruar në institucionet tatimore të Kosovës… Çka ka këtu diçka të paqartë që nuke ka të qartë çdo kontrabandist në Gjermani, në Francë, në Spanjë, në Suedi, në Angli….
Nëse ndjekim logjikën e Vuçiqit, policia e Kosovës nuk duhet të futet në territoret që ai i konsideron si pjesë të projekti të Serbisë së Madhe. Pra, policia e Kosovës, sipas Vuçiqit, nuk paska të drejtë të futet në veriun e Kosovës sepse atje nesër do të jetë Serbi, ose një version i bosnjizimit të Kosovës, sipas Vuçiqit.

Nëse e ndjekim këtë logjikë dhe, çka është më katatrofale, nëse e mbështesim këtë logjikë antiKosovë të Vuçiqit, atëherë i bie që forcat policore të Kosovës para se të intervenojnë në këtë pjesë, duhet t’ia shkruajnë një “MOLLBË” Vuçiqit, dhe pasi të merr përgjigje nga ai, tek pastaj të (mos)veprojë…. Nëse ndodhë kështu, atëherë ne me dy duart po ia dorëzojmë Serbisë një pjesë të Kosovës dhe për rrjedhojë ne bëhemi ortak të krimit mbi shtetësinë e Kosovës.

Kuptohet që çdo aksion ka edhe rreziqet e saj, ashtu siç ishte me plot rreziqe edhe vet formimi dhe zhvillimi në terren i UÇK-së. Po t’ishte ndjekë logjika që UÇK-ja të kishte pritur miratimin e Beogradit, ajo as që do të ekzistonte ndonjëherë.

Edhe tani nëse ndjekim budallaqëllet e Borrelit për ndonjë koordinim të aksioneve, kjo i bie që Kosova mund të funksionojë në mënyrë selektive si shtet. Pra, ndryshe për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët etj. dhe krejt ndryshe për serbët.
Ndërkohë që NATO dhe Washingtoni folën me një zë: Ata e përkrahin Kosovën të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të saj…
Ky veçim i serbëve “hyjnorë” dhe mbivendosja e tyre në një shkallë superiore ndaj të tjerëve, ku dora e shtetit të Kosovës është e paaritshme, do të krijonte precedente të rrezikshme në logjikën e funksionimit të shteteve shumetnike.
Çka do të thoshte Boreli nëse një ditë të bukur me diell, bie fjala, policia maqedonase gdhin e bllokuar në ndonjë lagje apo fshat shqiptar të Pollogut, apo të Karadakur të Kumanovës? Ose, edhe më keq, nëse shqiptarët e Tërrnocit vendosin barrikada dhe pengojnë xhandarmërinë të zbatojë ligjet e Serbisë?!

Si do ta komentonte këtë gjendje baci Borell, i cili si duket kur flet nuk e dëgjon mirë veten çka flet.

Turp për të dhe hala ma turp për disa në Prishtinë që ishin gati në valë të njejta me Borelin dhe me një pjesë të shtypit racist të Beogradit!

Mosnjohja e Albin Kurtit për kryeministër, pra mohimi i vulnetit të popullit shumicë, nga ana e atyre që i kontestojnë dhe i stigmatizojnë aksionet e policisë në verit të Kosovës, ia shtojnë Albinit edhe nja 2-3 mandate qeverisëse, kurse popullin e shkretë e lënë pa një alternativë të mirëfilltë qeverisëse!

Kosova ka nevojë për qeveri të fortë dhe për opozitë që i zë fjala vend kur flet… Kështu siç po flet, askush nuk do ta merr vesh. Apo do ta marrin vesh vetëm ata që duan një qeveri që i nënshtrohet çdo presioni të Serbisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi

“CANCEL CULTURE”, MË SË FUNDI NJË KUNDËRVEPRIM

October 14, 2021 by s p

Nga GIOVANNI BELARDELLI

Vetë pavarësia qënkërka kërkuar më 1776 për të mbrojtur regjimin skllavëror, sepse të bardhët për shkak të whiteness (bardhësisë) së tyre nuk mund të jenë veçse racistë. Kjo është teza që tashmë është e përhapur në mjediset e cancel culture të SHBA e që, më së fundi, i është nënështruar kritikës së Bell-it në New York Review of Books.Të merremi vesh, është një kritikë tejet e matur, që synon të fshihet mbas vlerësimit të librit të shqyrtuar; por në thelb e shkërmoq atë. Maturia skajore e recensorit të kujton “shtirjen e ndershme” të Torquato Accetto-s, që Croce e tregoi gjatë fashizmit si udhërrëfyese për të siguruar hapësira lirie; e kjo tregon shumë mbi klimën e frikës që zotëron në botën akademike amerikane.  Por shpresojmë që reçensioni të jetë një shenjë e parë e kundërveprimit, ndoshta e ndihmuar nga fakti se cancel culture, duke damkosur të gjithë të bardhët për whiteness të tyre ka kaluar cakun , duke u ankoruar në fakt në qëndrime raciste.

“Corriere della Sera”, 6 tetor 2011  Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT