• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MODEL

June 28, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Jeta është sekondë e cila bëhet minutë, e zgjatet e zgjatet deri në kohë. Jeta ecën, është njeriu që ndalet, por humbjen nuk dëshiron ta pranojë. Siç ndodh me të pabesin që jeton me pika, vdes në çdo kohë, ose është asnjëherë gjallë. Kjo është arsyeja pse me Besën njeriu krenohet gjatë që prej kohërave që nuk dihen.
Është bërë natyrë e dytë që njeriu me përgjegjësi kur bën gabim kurrë nuk duhet të kërkojë ndjesë; njësoj si dikur edhe tani kur qeveritarët asnjëherë nuk kërkojnë falje për shumë abuzime. Paraardhësit vranë e prenë në luftë e luftë klasash dhe nuk patën ndonjë pasojë, thonë ata, atëherë pse ne sot të pranojmë vjedhjet e shkeljet, dhe të mos vrapojmë për të rizgjedhur veten, ose për një kockë që na hedhin? Çfarë komedie po luhet me turma pa çorape që brohorasin mes skandaleve dhe gafave të rënda të zyrtarëve nga më të lartët, të cilëve u zgjatet qëndrimi në vend që të japin me turp dorëheqjen, siç ndodh shpesh në raste edhe më pak të ngjashme në Perëndim. Duket se një mënyrë të tillë qeverisjeje bota e lejon si model që nuk duhet ndjekur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, model

MAQEDONIA,NYJË E GORDIT

June 27, 2021 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/

Në lashtësi, në gadishullin që më vonë u quajt ballkanik, jetojnë disa popuj. Midis tyre ilirët, helenët, dakët, maqedonasit, trakët etj. Bij të ilirëve janë shqiptarët. Grekët e sotëm thonë se janë pasardhës të grekëve të vjetër, por këtë nuk e dëshmojnë me prova të qëndrueshme. Dakët ishin popull i shprehjes gjuhësore trake. Jetonin në Daki, provincë e dikurshme romake në rajonin e Rumanisë së sotme. Konsiderohen paraardhës të rumunëve të sotëm. Dakët u romanizuan si pasojë e pushtimit të Dakisë nga perandori romak Mark Ulpie Trajani (sundoi në vitet 98-117). Në Maqedoninë antike flitej gjuha maqedonase. Sot e kësaj dite nuk dihet saktë në ka qenë vetëm një dialekt i greqishtes së vjetër, apo gjuhë e veçantë. Maqedonishtja bën pjesë grupin e gjuhëve të vdekura të familjes së gjuhëve indoevropiane. Në kohët e Greqisë së vjetër, Maqedonia ka qenë mbretëri, e cila në kohën e Filipit II (382-336 para K.) dhe Aleksandrit të Madh (356-323 para K.) u bë fuqi botërore. 

Maqedonia është territor i vjetër ballkanik. Gjatë sundimit të perandorit Samuil (sundoi në vitet 976-1014) u bë qendër politike, kishtare dhe kulturore e Bullgarisë. Pretendimet bizantine-bullgare për Maqedoninë vazhduan edhe gjatë sundimit të dinastisë bullgare Asen (1187-1258). Në shekullin XIV Maqedoninë e pushtoi shteti serb dhe nën pushtetin e tij mbeti deri në pushtimet otomane. “Çështja maqedonase” në shekullin XIX dhe XX nënkuptonte ndezjen e sërishme të këtij konflikti të vjetër. Maqedonia ishte mollë grindjeje e tre shteteve të reja ballkanike – Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Secila prej tyre pretendonte për tërë territorin e Maqedonisë. Sofja dhe Beogradi kishin rënë dakord që Maqedonia të bëhet autonome, por Serbia i pranoi kërkesat e Bullgarisë ndaj Maqedonisë në jug të vijës së lakuar që shkon nga veriu i Kriva Pallankës deri në veri të Ohrit. Kujt do t’i përkisnin viset shqiptare – Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi dhe Kumanova – për këtë do të vendoska perandori rus.  

Në shekullin XIX, në rajonin e Maqedonisë kanë banuar disa grupe etnike, si: bashkësia sllavishtfolëse, grekët, shqiptarët, turqit, vllehtë, hebrenjtë. Me fjalë të tjera, kemi një përzierje popujsh. Për shkak të kësaj përzierjeje, në restorantet e Francës ekziston e ashtuquajtura sallatë maqedonase. Asnjëra prej këtyre grupeve etnike, nuk përbënte shumicë, për të qenë mbartëse e ndonjë ideje kombëtare. Sipas Bullgarisë, sllavishtfolësit e këtij rajoni janë bullgarë dhe paraqesin shumicë ndaj grupeve etnike të tjera. Mbi këtë bazë, Bullgaria e ka kundërshtuar ndarjen e këtij rajoni. Ka synuar ta marrë të tërin.

Që nga Kongresi i Berlinit (1878) e këndej, Serbia, Greqia dhe Bullgaria kishin synime hegjemoniste dhe ekspansioniste. Serbia synonte të realizojë Naçertanien (Projektin) e ministrit serb të Punëve të Brendshme – Ilija Garashanin (1812-1874). Në të ishin vënë bazat e politikës serbomadhe. Qëllimi ishte rimëkëmbja e perandorisë mesjetare të Car Dushanit (Stefan Dushani, rreth 1308-1355). Kufijtë e Serbisë së re duhet të zgjerohen në të gjitha rajonet ku jetojnë serbët dhe këta kufij, sipas reformatorit gjuhësor serb Vuk Stefanoviq Karaxhiqit (1787-1864), janë kufijtë e gjuhës serbe. Me fjalë të tjera, aty ku flitet serbishtja, aty është Serbi. Ky bëri përkufizimin e ri gjuhësor të serbizimit. Sipas tij, maqedonasit e Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit dhe të Tetovës flasin serbisht. Më 1852, shtypi i Beogradit shkruante se në Shkup dhe rrethinë, flitet serbishtja e pastër. Sikundër shihet, uniteti fetar nuk ishte më mjet i mjaftueshëm për ta zbatuar serbizimin, ndaj u plotësua me teoritë linguistike. Sipas serbëve, malazeztë, myslimanët e Bosnjës dhe kroatët flasin serbisht dhe bazuar në teoritë linguistike të përcaktimit të kombësisë, ata janë serbë me tre besime: malazeztë janë serbë të besimit ortodoks, myslimanët e Bosnjës janë serbë të fesë islame, ndërsa kroatët janë serbë të fesë katolike. Teoritë e tilla – linguistike – të përkufizimit të kombësisë, ishin mjet i parapëlqyer edhe i bullgarëve.

Nga fundi i shekullit XVIII, qarqet shoviniste greke hartuan platformë politike që synonte krijimin e një shteti të madh grek në kufijtë e perandorisë Bizantine, ku do të përfshiheshin edhe troje të banuara me popullsi të tjera ballkanike (shqiptarë, sllavo-maqedonas, bullgarë etj.). Megali idea (Ideja e madhe) u ngrit në shkallën e një platforme politike shtetërore, kur kryeministri grek Jan Koleti (Ioannis Koletis) e shpalli atë në Asamblenë Kombëtare të Greqisë (1944), si themel të ekzistencës politike të Greqisë. Në fillim të shekullit XX shovinistët grekë u orvatën ta realizonin Megali idenë në Shqipëri, duke shpallur pretendimet e tyre mbi të ashtuquajturin Vorio-Epir, d.m.th. synimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke përfshirë edhe krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës, madje të shtriheshin deri te lumi Shkumbin. 

Bullgari të madhe synonin edhe bullgarët. Këtë donin ta realizonin nëpërmjet Traktatit të Shën-Stefanit të nënshkruar më 3 mars 1878 në Shën-Stefan (lagje e jashtme e Stambollit) midis Turqisë dhe Rusisë, pas luftës ruso-turke të viteve 1877-1878. Me këtë  traktat famëkeq për kombin shqiptar, pjesë të gjera të trojeve shqiptare iu dhanë Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Populli shqiptar i kundërshtoi me forcë vendimet e traktatit të sipërthënë, gjë që çoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10.06.1878). 

Në kohën kur serbët, grekët dhe bullgarët i hartonin projektet e tyre kombëtare për të krijuar shtete të mëdha, shqiptarët që ishin nën sundimin e egër të Perandorisë Osmane dhe në shërbim të saj, hartuan një abetare prej tetë faqesh (“Ëvetari”, 1844 i Naum Veqilharxhit). 

Ëndrrat serbe, greke dhe bullgare për të krijuar shtete të mëdha, e shndërruan Ballkanin në fuçi baruti. Është koha e bellum omnium in omnes. Pas mbarimit të luftës së parë ballkanike, Turqia u largua nga pjesa më e madhe e gadishullit. Rajonin që braktisi, shtetet ballkanike e quajtën “zonë e kontestueshme në Maqedoni”. Bullgaria, nën ndikimin e diplomacisë austro-hungareze për ndarjen e presë nga lufta e sipërthënë, ndërmori në Bregallnicë sulmin kundër forcave serbe (VI. 1913). Serbisë së sulmuar iu bashkuan Mali i Zi dhe Greqia, më vonë edhe Rumania dhe Turqia. Bullgarët u mundën. Ky konflikt i armatosur njihet në histori si luftë e dytë ballkanike. 

Maqedonia nuk u bë autonome, por u nda sipas dispozitave të Paqes së Bukureshtit (10.08.1913). 

Më tepër se gjysmën e këtij territori, me Selanikun si qendër, e mori Greqia (Maqedonia e Egjeut), një pjesë të mirë e zhvati Serbia (Maqedonia e Vardarit, të cilën serbët e quanin Serbia jugore), ndërsa humbësja e luftës – Bullgaria, mori pak më tepër se një të dhjetën (Maqedonia e Pirinit). Bullgaria e humbi po ashtu edhe Dobruxhën jugore, e cila i takoi Rumanisë, por iu lejua të mbajë një pjesë të Trakisë, duke fituar kësisoj daljen në Detin Egje.

  Edhe rajoni historik e gjeografik i gadishullit – Trakia (lat. Thracia), u konsiderua si zonë e kontestueshme. Për të, ndërmjet Turqisë, Bullgarisë dhe Greqisë shumë herë është bërë tregti, e pikërisht në vitet: 1878, 1885, 1913, 1919, 1920, 1923 si dhe pas mbarimit të Luftës II Botërore. Pjesën në perëndim të lumit Maricë e ka Greqia, ndërsa atë në lindje të lumit – Turqia. Një pjesë të saj e ka Bullgaria.

Grekët e sotëm, Maqedoninë e quajnë Makedhonia. Ajo ka një sipërfaqe prej 34.177 km2. Sipas regjistrimit të vitit 1991, aty banojnë 2.263.000 banorë. Republikës së Maqedonisë ndërkaq, ka një sipërfaqe prej 25.713 km2. Duhet thënë se në veriperëndim të RM-së, që nga parahistoria, jetojnë shqiptarët autoktonë.

*   *   *

Për destabilizimin e Ballkanit, është e interesuar Serbia. Madje, ajo synon ta paraqesë gadishullin, si rajon krize. Zhytja e rajonit në krizë, ia çel rrugën Rusisë për t’u penetruar në të. Duke qenë se një pjesë e rajonit është e banuar prej popujve sllavë, Moska mëton ta konsiderojë atë si zonë të veten interesi apo sferë të veten ndikimi. Por, në gadishull jetojnë edhe popuj që nuk janë sllavë – shqiptarët. Po qe se kontesti rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës nuk zgjidhet deri në samitin e NATO-s, atëherë Maqedonia duhet të pranohet në aleancë me emërtimin e zgjeruar – IRJM. Duke qenë se Greqia është anëtare e strukturave euro-atlantike, rrjedhimisht, përballë Shkupit, ajo ndodhet në pozitë më të favorshme. Ajo nuk ka përse të ngutet për ta zgjidhur çështjen. Maqedonia duhet të jetë  më e interesuar për kapërcimin e problemit, ngase zgjidhja e kontestit me grekët është conditio sine qua non për hyrjen e saj në NATO dhe në BE.

Serbia sot, me ndihmën e Moskës, ndjek politikë destruktive dhe destabilizuese. Beogradi mbështet synimet secesioniste të Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, i mbështet forcat proserbe në Mal të Zi, synon të aktualizojë të ashtuquajturën çështje serbe në Kroaci, mbështet çfarëdo politike antishqiptare në Maqedoni dhe shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), ndaj myslimanëve të Sanxhakut si dhe ndaj hungarezëve të Vojvodinës, Beogradi ndjek politikë diskriminuese.   

*   *   *

Duke mbajtur parasysh faktin se rreth tridhjetë për qind e popullsisë së Maqedonisë përbëhet prej shqiptarëve, atëherë pjesë e zgjidhjes së çështjes së emrit duhet të jetë edhe faktori politik shqiptar.

Në kontestin rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës, asnjëra palë nuk ka të drejtë ekskluzive. Grekët nuk kanë të drejtë ekskluzive për t’i dalë zot rajonit që mban emrin antik Maqedoni, për arsye se: 

– me asgjë nuk e dëshmojnë se maqedonasit e lashtësisë kanë qenë grekë të vjetër apo një fis i helenëve;

– RP (RS) e Maqedonisë ka qenë njësi e federatës jugosllave, që prej viti 1945, Athina ndërkaq, në atë kohë, fare pak e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Grekët e vjetër i kanë konsideruar maqedonasit inferiorë, ndërsa politikani dhe oratori athinas Demosteni (384-322 para K), në një fjalim i ka quajtur maqedonasit barbarë. Grekët dhe romakët i quanin barbarë të huajt, d.m.th. popujt që nuk ishin grekë apo romakë.

 Për t’i dalë zot rajonit me emër antik Maqedoni, nuk kanë të drejtë as sllavo-maqedonasit. Madje, fare s’kanë të drejtë. Identifikimi i tyre me maqedonasit e lashtësisë është veprim bizar, grotesk, absurd dhe komik. Kjo paraqet shtrembërim të historisë dhe histori të trilluar e të sajuar. Kur nuk ke histori, nuk do të thotë se mund ta trillosh atë. Askush s’ta lejon një të tillë. Një popull që e mohon prejardhjen e vet të vërtetë, zhytet në labirintet e së kaluarës dhe e humb rrugën në to. Për të pasur shtet, nuk është e domosdoshme të kesh gjuhë të veçantë. Austriakët, ndonëse flasin gjermanisht, e kanë shtetin e vet. Shembuj të tillë ka me të madhe. Gjuhë amerikane s’ka, por shtet amerikan – po. Me fjalë të tjera, shtet mbase edhe mund të kesh, por nuk mund të jesh komb, në kuptimin klasik. Fjala toponomastike Maqedoni, është term gjeografik. Nuk mund të jesh komb në kuptimin klasik, po qe se emërtohesh me një term gjeografik. 

 Duke qenë se sllavo-maqedonasit banojnë në një pjesë të rajonit që mban emrin antik Maqedoni, do të duhej të kishin të drejtë që në emërtimin e ri të shtetit, të figurojë edhe toponimia Maqedoni. Mirëpo, sllavo-maqedonasit nuk mund të ndërtojnë shtet në trojet shqiptare. Pjesa veriperëndimore e Maqedonisë, që nga parahistoria, është e banuar prej shqiptarëve.

Gjuha e sllavo-maqedonasve dhe historia e tyre, mohohet prej bullgarëve. Emri i shtetit – Maqedoni, në të cilën banojnë maqedonasit sllavë, mohohet nga grekët, ndërsa autoqefalia e kishës sllavo-maqedonase, mohohet prej kishës serbe.   

Maqedonia është kreaturë serbokomuniste dhe kominterniste. Krijimi dhe ekzistimi i saj është në funksion të amortizimit dhe të asnjanësimit të aspiratave hegjemoniste dhe ekspansioniste të fqinjëve ballkanikë – Serbisë dhe Greqisë, pa përjashtuar as Bullgarinë.  

Maqedonasit e sotëm janë sllavë. Si të tillë, nuk mund të identifikohen me ata të lashtësisë. Sllavët në gadishull kanë ardhur prej Karpateve në shekullin VI dhe VII. 

Teoria: Kemi qenë maqedonas antikë, ndërsa më vonë jemi asimiluar dhe jemi sllavizuar, është e pabazë. Teoria mbi prejardhjen antike të sllavo-maqedonasve, është aktualizuar kryesisht në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Aleksandri i Madh ndërkaq, ky bir i një princeshe të Epirit, ka jetuar para 2341 vitesh.    

Gruaja e Filipit II – Olimbia (u nda nga burri më 337 para K.) ishte princeshë e Epirit, krahinë kjo e Ilirisë. Megjithëkëtë, shqiptarët kurrë s’kanë shfaqur pretendime për rajonin antik të Maqedonisë.   

Sipas ligjeve greke, në Greqi jetojnë vetëm grekët. Ekzistimi i grupeve të tjera etnike mohohet. Përpos kësaj, që nga koha e pavarësisë nga sundimi turk, kanë bërë pastrimin etnik të territoreve. Bashkësitë etnike jogreke, me dhunë i kanë dëbuar prej vatrave stërgjyshore. Ndaj çamëve, grekët kanë ndjekur politikën e tokës së djegur. Po kështu edhe ndaj popullsisë sllavofone. Është për t’u habitur sesi BE-ja, një Greqi të tillë – jodemokratike – e ka pranuar në radhët e veta. Sipas Athinës, Shkupi ka ose një ditë mund të ketë pretendime territoriale ndaj pjesës greke të Maqedonisë. Duke qenë se grekët e ruajnë të drejtën ekskluzive për t’u identifikuar me maqedonasit e lashtë, atëherë del se edhe ata kanë pretendime territoriale ndaj IRJM-së. D2uke qenë se Greqia është në vijën e parë të frontit përballë Turqisë, mu për këtë arsye, me dekada ka qenë e përkëdhelura e Perëndimit. Grekët hiqen se janë fuqia kryesore e rajonit. Megjithëkëtë, ka dhjetë vjet që janë në krizë. Brukseli duhet t’i vërë kusht Athinës: Në do ndihma financiare, ndiq politikë të fqinjësisë së mirë.    

Politikën greke e përcaktojnë ultra-nacionalistët, shovinistët, e djathta ekstreme dhe kleri ortodoks grek – skajshmërisht  reaksionar. Njësoj si ai serb. 

 Thonë se IRJM-ja mund të quhet: Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Vardarit, Republika e Maqedonisë – Shkupi, Maqedonia e Re. Një emërtim që do të përmbante një atribut sllav, kurrë s’do të pranohej prej shqiptarëve. Nga propozimet e sipërthëna, askund nuk figuron varianti ku të përfshihej edhe emri Ilirida. Sidoqoftë, të gjithë shqiptarët janë të interesuar që Maqedonia të integrohet në organizmat euro-atlantikë, ndaj tregohen konstruktivë dhe nuk bëjnë asnjë veprim që do ta dëmtonte zgjidhjen e kontestit me grekët. Duke qenë se Ilirida nuk është në kombinim, atëherë prej propozimeve të sipërthëna, më i pranueshëm për shqiptarët do të ishte emërtimi Maqedonia e Veriut ose Maqedonia e Re. Ky emërtim ta përkujton edhe gazetën “Nova Makedonija” (Maqedonia e Re) që ka nisur të botohet fill pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç kësaj, pas Marrëveshjes së Ohrit, do të duhej të kishim një Maqedoni të re. Emërtimi i ri të IRJM-së, duhet të përkthehet apo të shqiptohet në gjuhën shqipe dhe të shkruhet në shqip me alfabetin e gjuhës shqipe. Ndryshe, shqiptarët nuk duhet të pranojnë kurrfarë marrëveshjeje, as me sllavo-maqedonasit dhe as me grekët. Dhe kjo çështje duhet të përcaktohet me kushtetutë dhe me ligj.   

Identifikimin e sllavo-maqedonasve me maqedonasit antikë, nuk e ka mbështetur  asnjë shtet i Evropës. E vetmja që e ka mbështetur një kuazi-histori të tillë është Turqia,   ngase ajo është në konflikt historik me Greqinë. 

Kontesti rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës, flet për krizën e identitetit të popullit sllavo-maqedonas. Të thuash se je maqedonas antik, edhe pse s’je i tillë, do të thotë të përpiqesh të krijosh histori të rrejshme. Të thuash se je maqedonas i kohës së Filipit II dhe të heqësh dorë nga kjo, do të thotë se nuk ke kurrfarë identiteti kombëtar. Dhe ky popull me identitet të diskutueshëm, që nga viti 1945 deri më sot, me ndihmën e Beogradit, ka ndjekur ndaj shqiptarëve politikë diskriminuese dhe restriktive.   

Qeveria e Gruevskit dhe ideologjia nacionaliste, romantike, retrograde, anakronike,   dhe antievropiane e VMRO-së, duke ngritur përmendore për figurat e lashtësisë dhe duke i emërtuar objektet dhe institucionet me emra të personaliteteve të periudhës antike, zgjidhjen e çështjes së emrit e ndërlikoi akoma më shumë. Para ca vitesh, VMRO-ja mbajti njëfarë kongresi, ndërsa një vmro-ist kishte thënë: Kongresin tjetër, do ta mbajmë në Selanik! Kjo tregon se VMRO-ja ka pretendime territoriale ndaj Maqedonisë së Egjeut.  

Është në interes të Athinës dhe të Shkupit, por edhe të mbarë rajonit që problemi të zgjidhet sa më parë dhe në mënyrë racionale. Zgjidhja e kësaj çështjeje, për Maqedoninë paraqet perspektivë, e rrit stabilitetin e saj dhe i mundëson zhvillim ekonomik më dinamik. Moszgjidhja e çështjes, mund ta kthejë atë në nyjë gordiane, të cilën nuk do të mund ta zgjidhë kush, përpos shpatës së Aleksandrit të Madh. Orakulli lajmëroi se ai që do ta zgjidhë atë do të mund të bëhet mbret i Frigjisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Maqedonia, NYJË E GORDIT, Xhelal Zejneli

Në poste drejtuese në Kosovë të zgjidhen njerëz të aftë e të përkushtuar

June 27, 2021 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI*/

Kur e shohim gjendjen anemike, të plogshtë, politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës, nivelin jo të lakmueshëm në shumë lëmi: arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi, gati secili prej nesh shpesh e bën të njejtën pyetje: Ku janë intelektualët, ekspertët, njerëzit profesionistë që muk angazhohen, por rrinë anash, bëjnë vetëm sehir? Ajo që më nxiti t’i shkruaj këto radhë është kandidatura e arkitektit të njohur edhe ndërkombëtarisht, Përparim Rama, për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Qysh herët në jetën time jam përcaktuar për interesat kombëtare dhe jo të ndonjë partie të caktuar politike, prandaj ky shkrim nuk ëshytë as përkrahje e kandidatit dhe partisë në fjalë, por vetëm e një nisme, një ecurie që duhet përshëndetur e që është mirë ta ndjekin edhe partitë tjera politike për të rekrutuar njerëz të aftë, të zotë në postet drejtuese të institucioneve të Kosovës. Për zotin Rama nuk di edhe aq shumë, përveçse ato që kam lexuar në shtypin e përditshëm, të tjerat le t’i thonë votuesit në zgjedhjet vendore (lokale) që do të mahen në Kosovë më 17 tetor. Për të qenë një udhëheqës, administrator i suksesshëm nuk mjafton vetëm aftësia profesionale, por duhet patur edhe aftësi të tjera drejtuese (menaxhuese) për të bashkërenduar punët, për të prirë e për t’i bashkuar njerëzit.

Në disa intervista në shtypin Kosovar, zoti Rama u shpreh se është apolitik, jo partiak. Madje ai nuk është as anëtar i LDK-së. Por, së paku që nga koha e Aristotelit e dimë që njeriu është një “kafshë politike” (“zoon politikon”). Ajo çka ka dashur të thotë zoti Rama është se, ai në radhë të parë do të pëqëndrohet në kryerjen e detyrës së kryebashkiakut të Prishtinës me përkushtim dhe jo të ndjekë verbërisht ineresat e parisë dhe të ndonjë klani brenda partisë. Disa i shfrytëzuan këto shqiptime (deklarata) të zotit Rama për ta sulmuar atë dhe LDK-në se nuk paska një kandidat nga radhët e anëtarëve më të vjetër të partisë, duke e cilësuar këtë si një dobësi të LDK-së. Dikush ndoshta është anëtar më i vjetër, më militant i partisë, por ndoshta nuk është në gjendje që ta  kryejë me sukses detyrën e një kryebashkiaku për t’i zgjidhur problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët – i mungon përgatitja e duhur, përvoja, vullneti, durimi e përkushtimi. Problemet zgjidhen me vepra, punë të përkushtuar dhe jo me fjalë, qofshin ato edhe më të bukurat e më të ëmblat. Me siguri as me militantizëm partiak. Është ky një rast që duhet t’u shërbejë si shëembull edhe partitë e tjera për t’i zgjeruar radhët e tyrë, për t’u përtrirë me fytyra të reja, njerëz që ofrojnë ekspertizë, profesionalizëm, sjellin diçka të re e kreative.

Veprime të tilla të sjelljes së anëtarëve, kandidatëve nga partitë e pavarura dhe ato kundërshtare (rivale) e praktikojnë edhe partitë që kanë tradita qindravjeçare. Këtu në ShBA, nnë vitin 2006 Partia Demokratike e rekrutoi republikanin Jim Ëebb që të kandidojë si demokrat në shtetin e Virxhinias për në Senatin e ShBA-ve. Ndërsa Michael Bloomberg, i cili tërë jetën ka qenë demokrat, në zgjedhjet e vitit 2001 për kreun e Bashkisë së Nju Jorkut kandidoi si republikan, sepse lista e kandidatëve nga radhët e Partsë Demokratike ishte mjaft e gjatë dhe ai nuk kishte kurrëfar gjasash për ta fituar emërimin (nominimin) e partisë. Zgjedhejt i fitoi si republikan dhe qëndroi si republikan për disa vite, për t’u bërë psataj i pavarur (independent) dhe nga viti 2018 përsëri u bë demokrat. Duhet theksuar se në skenën politike të qytetit të Nju Jorkut demokratet mbizotërojnë bindshëm. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të kalimit nga njëra parti në tjetrën.

Zgjedhjet vendore (lokale) siç tregon edhe emri,  kanë të bëjnë me zgjedhjen e kandidatëve që janë në gjendje dhe të aftë t’i zgjidhin problemet vendore, njerëz që e njohin dhe e duan qytetin dhe bashkëqytetarët e tyre, me punën dhe përkushtimi e tyre e begatojnë jetën e qytetit, ia lehtësojnë jetën qytetarit. E ka thënë bukur një figurë emblematike e politikës amerikane, Tip O’Neill (1912 – 1994), ish Kryetar (Speaker) i Dhomës së Përfaqësusve të Kongresit Amerikan (1877 – 1987): “All politics is local” (“Të gjitha politikat janë lokale”). Prandaj, në këto zgjedhje vendore pragmatizmi duhet të mbizotërojë mbi ideologjinë. Duhet përgëzuar të gjithë ata kandidatë, intelektualë e profesionistë. që shprehin gatishmërinë për t’u angazhuar në skenën politike e shoqërore të Kosovës, për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e vendit.

Philadelphia, më 27 qershor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jerez te afte, Sadik Elshani

ILUZIONET E KULTIVUARA NGA KINA

June 27, 2021 by dgreca

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA-PERKTHEU:EUGJEN MERLIKA/

Zemra e çështjes nuk është lufta e ftohtë që kthehet ose dëshira e SHBA për një mbizotërim të ri kundrejt Evropës. Zemra e çështjes është iluzioni i kultivuar nga Putini dhe gabimi, gjithënjë e më i dukshëm i kryer nga drejtuesit kinezë. Janë këta dy elementë, në fakt, zanafilla e vërtetë e kthesës në veprim mbi skenën ndërkombëtare.

Po merrem për çastin me të parin, me gabimin e drejtuesve kinezë. Ai ka qëndruar në të besuarit se ekonomia është kyçi dhe motori i gjithshkaje, që më së fundi çdo problem përmblidhet në një dobi apo në një dëm ekonomik. Ndërsa pranë ekonomisë është edhe politika, janë algjebra e pushtetit, interesat e Shteteve e të klasave drejtuese, pesha e ideve, e së shkuarës, e opinionit publik.

Është në këtë tryezë vendimtare që Kina po e humbet lojën, të cilën vetëm pak kohë më parë dukej se ishte nisur t’a fitonte me të dyja duart. Pekini kishte besuar se mund të blente simpati e ndikim në rritje në këtë pjesë të botës, për t’a thënë me një fjalë, duke n’a blerë. Është një fjalë e fortë por të jep idenë e mjeteve të përdorura: para së gjithash vënia në dispozicion të kapitalistëve dhe konsumatorëve perëndimorë të një fuqie puntore pa të drejta, pra me një çmim të ulët, së bashku me hapjen e tregut të saj të pamasë të njëjtëve kapitalistë e prodhimeve të tyre.

Në të njëjtën kohë duke kërkuar të depërtojë në sistemet ekonomikë perëndimorë për t’arritur në një mbizotërim të tyre duke ndërtuar një darë me dy krahë: nga një anë blerja n’Evropë të një sërë portesh, paisje e infrastruktura përcaktuese, veçanërisht elektronike, për më tepër ndërmarrjesh pak a shumë strategjike; nga ana tjetër duke bërë një politikë virtuale kolonizimi n’Afrikë – duke synuar në monopolin botëror të lëndëve të para të domosdoshme për shumë prodhime të pararojës.

Ka qënë  edhe një formë më hileqare dhe synuese e kërkimit të ndikimit. Ajo që ka vënë në shënjestër drejtpërsëdrejti mjediset politikë, kulturorë dhe akademikë: duke ofruar udhëtime, konferenca të mbipaguara, mikpritje luksoze dhe mbledhje të kota, marrëveshje të paguara me të tepërt për katedra e kurse universitarë. E me që të mendohet keq “bëhet gjynah por….” me të gjithë atë që e pason, është vështirë të përjashtohet që në xhepat e përfaqësuesve të shtresës politike të brishtë e të paqëndrueshme që karakterizon Perëndimin e ditëve tona, të mos ketë arritur nga Pekini edhe diçka më konkrete.

Por Kina është gënjyer, duke menduar se në Perëndim ishte e mundur të mbahej për kohë të gjata ajo gjëndje për të aq e dobishme – madje të  rriste ndikimin shumë formësh jo vetëm ekonomik t’arritur kështu – duke lënë të pandryshuara karakteristikat e sistemit të saj politik.   

Ka menduar se me Perëndimin do t’ishte e mundur një marrëdhënie me moton e dy peshave e dy masave. Që në shtëpinë tonë e me ne të tjerët do të vlente vetëm përmasa e ekonomisë (që sidoqoftë i linte asaj lirinë e skajshme të veprimit me pasojat e saj politike për të cilat, kushedi se përse, perëndimorët nuk duhej t’interesoheshin aspak), ndërsa në shtëpinë e saj e në të gjithë punët që kishin të bënin me të nga afër, duhej të mbizotëronte politika. Pra interesi i qeveritarëve të saj për mbijetesën e pandryshuar të regjimit të saj. Një regjim despotik e i dhunshëm, i gatshëm jo vetëm të përndiqte egërsisht çdo pakicë etnike e fetare (islamike, katolike e budiste), por edhe këdo që do të guxonte të mendonte të shpërngulte në terrenin e lirisë së mendimit lirinë relative ekonomike të fituar nga kthesa e Dengut e këndej (shih rastin e Jack Ma, president i Alibaba, ose të Wan Xing, president i Meituan, një vigan i shpërndarjes ushqimore, të dy të zhveshur nga pushteti i tyre nga sot në nesër, mbasi të rënë në fatkeqësi për arsye ideologjike).

Në konceptin e drejtuesve kinezë, shkurt, kapitalizmi që u pëlqen atyre, e që duhet të mbetet i tillë është një strukturë prodhuese, në fakt e përmbledhur në një pronësi të thjeshtë vetiake të mjeteve të prodhimit e lënia e lirë e vendosjes së çmimeve në treg. Sidoqoftë njëra dhe tjetra të jenë nën kontrollin politik-policor, ashtu sikurse nën të njëjtin kontroll të rreptë duhet të qëndrojnë pronarët e mjeteve të prodhimit, puntorët dhe blerësit. Në thelb kapitalizmi për Pekinin është një lloj burgu me makina brënda. Jo siç pohonte një farë Karl Marksi në kohën e tij, një formacion historik-shoqëror kompleks që është themeluar mbi një parim lirije, edhe se në fillim “abstrakt e formal” sa të duash, që përfundon duke karakterizuar të gjitha marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i dhënë jetë kundërshtive të pafund të paracaktuara megjithatë të zbuloheshin si një motor i mrekullueshëm i përparimit historik.

Ndërmjet këtyre dy ideve të kapitalizmit, që janë dy realitete – nga një anë ideja e kapitalizmit si një tërësi strukturash e superstrukturash që është prejardhja e realitetit të demokracisë liberale, dhe nga ana tjetër ideja e një kapitalizmi si një pronësi e thjeshtë vetiake e mjeteve të prodhimit e sistem i çmimeve të pakontrolluar, por të gjitha nën udhëheqjen e Shtetit-parti që shërbehet prej tyre për qëllime politike – është    ndërmjet këtyre dy realiteteve që me kohë po prodhohet një papajtueshmëri e pashmangëshme. Përdorimit politik-zotërues të kapitalizmit-burg nga ana e Kinës nuk mund të mos i kundërvihej opozita politike e frontit të demokracive kapitaliste.

“Corriere della Sera”, 22 qershor 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernesto Galli Della Loggia, Eugjen Merlika

Të shkruarit

June 27, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Të shkruash është të ngrehësh mbi tokë – me gurë, llaç e tulla – muret, në fund çatinë, dhe të gjithë ndërtesën; pastaj fillon pastrimi; duhet gërvishtur sipërfaqja për t’i dhënë vlerën.
Problemi është se në këto 30 vjet ne kurrë nuk kemi gërvishtur për të zbuluar veten. Plogështia, mburrja na bën të ndjehemi mirë; Dielli që fshihet, Nata që vjen, çdo situatë, çdo gjë, mund të jetë një kthesë. Por ne e humbasim. Sikurse drita që shuhet krejt papritur, dhe të dëshpëruar themi: Natyra a Zoti është shumë i rreptë, shumë kërkues.
Në fakt është historia e Biblës për dy vëllezërit: Historia e birit plangprishës. Ne jemi tjetri, ai që qëndron; që nuk e kupton pse është kaq e vështirë për të dhe për tjetrin nuk është. Trupi nuk lëviz, por është shpirti që e shtyn të shkojë më tej.
Tani që Bota e di se kush jemi, nuk na shikon në të njëjtën mënyrë. Të gjitha ndryshojnë. Kjo është arsyeja pse ne vetë nuk mund të themi se kush jemi; nuk biem dakord e grindemi për gjërat më të thjeshta; duam të fillojmë nga e para, një jetë të re, dhe ndjehemi përsëri në xhungël. Biri planprishës është shumë i pasur; është i fuqishëm; kur qeni nuhat, nuhat edhe ai; kur skifteri fluturon, ai sheh me sytë e skifterit; largohet, fluturon shumë lart, bëhet gjithnjë e më i vogël, dhe nuk e kupton se është një pikë ujë në mes të oqeanit të gjerë. Ajo që nuk mund ta dinim atëherë ishte që faqet e shkruara do të përfundonin duke mbuluar vitet e jetës. Dhe kjo mund t’u hapë veshët njerëzve të gatshëm për të dëgjuar atë që më parë askush nuk donte ta dëgjonte; fjalët e shkruara bëjnë të mos flasim, por jo të heqim dorë nga qëllimi për të bërë vetëm mirë. Kjo është ajo që dua të tregoj, ndërsa bota vazhdon të mos e dijë se çfarë do të na sjellë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Te shkruarit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • 256
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT