• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qëndrimet e Mickoskit dhe vendimi i KSHZ-së, a ndezin rrugën e autonomisë për shqiptarët si opsion për barazi?

August 25, 2025 by s p

Bekim Adili/

Diskriminimi etnik në Maqedoninë e Veriut nuk shfaqet vetëm në nivelin qendror, por shpesh reflektohet edhe në pushtetin lokal. Në këtë kontekst, lind pyetja pse partitë shqiptare hezitojnë të artikulojnë më qartë idenë e autonomisë politike në nivel lokal si një opsion për sigurimin e barazisë. Rasti më i fundit lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila përcaktoi që të gjithë qytetarët e regjistruar, përfshirë diasporën, duhet të trajtohen si “rezidentë”. Megjithatë, KSHZ-ja nën ndikimin e qeverisë, morri një vendim në kundërshtim me Kushtetutën, duke e kategorizuar diasporën si “jo-rezidente”. Ky veprim uli përfaqësimin dhe buxhetet e komunave shqiptare. Nga ana tjetër, vendimi për ligjin e “balancuesit”, i cili cënon interesat e shqiptarëve u respektua pa asnjë vonesë nga qeveria. Ky standard i dyfishtë në zbatimin e vendimeve kushtetuese ngre shqetësime serioze mbi koherencën juridike dhe tendencën selektive të normave kushtetuese.

Në këtë situatë, kur mekanizma si Badenteri shpesh anashkalohen dhe ku retorika antishqiptare gjen terren politik, reagimet deklarative të partive shqiptare duken të pamjaftueshme. Nëse synohet mbrojtja reale e barazisë, nga subjektet shqiptare kërkohet një aksion politik i qartë, serioz dhe i strukturuar. Kështu një nga opsionet që mund të shqyrtohet është një platformë për autonomi të zgjeruar lokale. Jo si akt ndarës, por si mekanizëm institucional për të garantuar vetëqeverisje efektive dhe barazi substanciale. Modele të ngjashme ekzistojnë në Zvicër, Belgjikë dhe Spanjë, ku autonomitë rajonale, kantonale apo lokale shërbejnë për të balancuar ndarjen e buxhetit, pluralizmin etnik, gjuhësor dhe kulturor. Kësaj klime politike, për një nisëm të kësaj natyre i shërbejnë edhe qëndrimet e kryeministrit Mickoski, i cili shfaq tendenca dominuese përmes prishjes të raporteve kushtetuese. Deklarata për emërimin e kryetarëve të komunave në rast të moskalimit të censusit dhe prononcimi provukues me tone urdhëruese, duke dhënë porosi për partitë shqiptare (në këtë rast për BDI), që nëse nuk ndjekin ‘leksionet’ e tij, atëherë ata nuk do të kenë vend në qeveri.

Është demostrim i përdorimit të një gjuhe në cilësin e padronit të këtij vendi, ku le të krijohet një perceptim se ai nuk njehë legjitimitetin etnik dhe për të nuk ka rëndësi shprehja e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhje. Sinjale të cilat partitë shqiptare nuk mund t’i injorojnë. Ku, një ndër arsyet kryesore që e bën të domosdoshme hapjen e një debati mbi vetëqeverisjen lokale të avancuar dhe të shoqëruar me decentralizim të plotë fiskal, lidhet edhe me realitetin demografik që rëndon mbi pozitën e shqiptarëve. Migrimi i lartë ka prodhuar pasoja të ndjeshme, duke reduktuar jo vetëm praninë e tyre në vend, por edhe fuqinë politike të përfaqësimit vendor. Me kalimin e kohës, lidhja mes brezave në diasporë dhe atyre në vendlindje dobësohet gradualisht, gjë që rrezikon të zvogëlojë ndikimin e diasporës si faktor politik dhe ekonomik. Në këtë kontekst, krijimi i mekanizmave institucionalë për vetëqeverisje lokale dhe decentralizimi fiskal shfaqet si strategji e domosdoshme për të ruajtur barazinë dhe fuqinë e përfaqësimit të shqiptarëve. Që do të thotë se fitoret tona politike me votën e diasporës nuk do të zgjasin edhe për shumë kohë. Andaj, nëse nuk ndërmerret sot një hap serioz për jetësimin e një platforme të till, atëherë rreziku rritet që pas një dekade të humbasim komuna si Kërçova me rëndësi strategjike për shqiptarët. Një situat e cila do ndikonte në shuarjen e shpresës për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të barabartë në këtë vend.

Filed Under: Analiza

Lufta që nuk mbaroi kurrë…

August 23, 2025 by s p

Artan Nati/

Para disa ditësh, në një qoshe të rrjetit social më të dashur për shqiptarët, jo për debat, por për lavde e sharje, një zotëri postoi një bisedë: “A e njeh dhe e vlerëson Luftën Nacional-Çlirimtare?” Përgjigjja erdhi krenare si raport partie: “Familja ime kishte katër partizanë dhe një bazë. Si të mos e njoh e ta vlerësoj?” Me pak fjalë, në Shqipëri s’të duhet mendim kritik, mjafton të tregosh “kartelën e luftës” dhe je i mbrojtur nga çdo pyetje e sikletshme. Kështu, historia na bëhet si CV për Facebook: kush ka gjysh partizan, e ka të kaluarën të ndritur. Ndërsa ata tregtarë të ndershëm, ata patriotë të Ballit Kombëtar e Legalitetit, ata që patën fatin të jenë “në anën e gabuar”. janë fshirë me një klik si “miq të panevojshëm” nga kujtesa kolektive. Në vend të një diskutimi serioz mbi pasojat, mbi dhimbjet dhe dështimet që pasuan luftën, ne bëjmë atë që dimë më mirë: i kthejmë ngjarjet historike në flamuj virtualë, si statuset ku shkruajmë “Jam krenar se gjyshi im ishte…”. Ndërkohë, askush nuk pyet për ata të tjerët, tregtarët që u shpronësuan, familjet që u internuan, patriotët që u pushkatuan.

Nëse do ta vendosnim Luftën Nacional-Çlirimtare në një vitrinë muzeale, dilema do të ishte: ta vendosim në sallën e lavdisë apo në bodrumin e turpit? Sepse për disa është “epope e ndritur”, për të tjerë është thjesht manuali shqiptar i “si të humbasësh Europën Perëndimore dhe të përqafosh Stalinin”. Dilema vazhdon: të nderojmë partizanët që u rreshtuan nën komandën e një partie të sapoimportuar nga Beogradi, apo të kujtojmë se ata, mes pushkës dhe flamurit, mbollën edhe farën e komunizmit që na mbajti 45 vjet në bunker? Dhe në anën tjetër, ç’të themi për “alternativën”? Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Njëri ëndërronte Shqipërinë e Madhe, tjetri fronin mbretëror, por përfunduan duke u grindur më shumë mes tyre sesa me pushtuesin.

Pra, a kemi me çfarë të krenohemi? Por nëse krenaria nënkupton vizion për të ardhmen, atëherë lufta e madhe na dha një dhuratë ironike: një shtet partizanësh që ndërtoi diktaturën dhe shkatërroi çdo shans për të qenë pjesë e Europës që sot e shohim me vizë. Pyetja themelore për sot është: si ta trajtojmë këtë trashëgimi? Ta ngremë në piedestal si shenjtëri kombëtare apo ta çmontojmë si një gjenerator të së keqes që na ktheu në një muze të izoluar? Ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë: ta shohim siç është, një epokë ku idealizmi i vërtetë u përzje me cinizmin politik, ku trimëria u përdor si kapital për pushtet, dhe ku lavdia u pagua me dekada prapambetje.

Sepse historia jonë, ndryshe nga partizanët e kinemasë, nuk ecën në mal me këngë, por endet ende me pyetjen: ishim heronj të lirisë apo viktima të një mashtrimi? Kjo pyetje vazhdon e na ndjek edhe sot pas 35 vitesh demokraci. Shembulli i parë: 29 Nëntori. Çdo vit, zyrtarët tanë, bij të ish-bllokmenëve ose nipër të atyre që dikur i shpallën “armiq të popullit”, mblidhen me kurora lulesh. Disa përulen tek varret e partizanëve, të tjerë tek ato të Ballit Kombëtar, dhe të gjithë bëjnë sikur kujtojnë të njëjtën histori. Rezultati? Një Shqipëri ku kemi dy festa për një luftë, dy versione për një fitore, dhe asnjë konsensus për të ardhmen. Një komb që nuk bie dakord as për datën e çlirimit!

Shembulli i dytë: përkujtimoret.

Shko në një qytet të Shqipërisë dhe pyet: kush është heroi këtu? Në Fier do të gjesh bustin e një partizani, në një fshat tjetër një lapidar të Ballit. Pra, në vend që të kemi një memorie kombëtare, kemi një mozaik bustesh që shajnë njëri-tjetrin. Një vend që ka më shumë përmendore për partizanë dhe ballistë se sa për shkencëtarë, mësues e sipërmarrës. Dhe s’është çudi pse historia jonë duket si një reality show pa fund. Shembulli i tretë: politika e sotme. Në parlament, socialistët shfaqen si trashëgimtarë të “lavdisë partizane”, ndërsa demokratët si nipat e “ballistëve antikomunistë”. Pra, edhe sot, 80 vjet më vonë, ne bëjmë sikur votojmë për të ardhmen, por në fakt zgjedhim mes dy të kaluarave: bunkerizimin apo nostalgjinë monarkiste.

Pra, satira është se Lufta Nacional-Çlirimtare ende nuk ka mbaruar. Ajo vazhdon çdo 29 Nëntor në ceremoni, çdo seancë parlamentare në fjalime, dhe çdo debat televiziv ku historianët bërtasin me njëri-tjetrin. Dhe ne qytetarët, si gjithmonë, mbetemi spektatorë të një historie që më shumë na ka ndarë sesa na ka bashkuar. Si mund të na ndihmojë eksperienca botërore?

Në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, gjermanët nuk dolën të bëjnë paradë me flamuj nazistë dhe as të thoshin “Hitleri ishte djalë i mirë, por e teproi pak me tanket”. Jo! Ata u përballën me të shkuarën, e pranuan fajin dhe ndërtuan demokracinë mbi të. Në Spanjë, pas luftës civile, u deshën dekada për të hapur arkivat e për të ballafaquar plagët, por sot së paku ka një debat publik serioz mbi të kaluarën. Në Shqipëri? Ne festojmë 29 Nëntorin duke e quajtur “dita e lavdisë”, ndërsa gjysma e popullsisë e quan “dita e mallkimit”. Një gjerman i sotëm do të shokohej po të shihte sesi ne vazhdojmë të debatojmë: “A ishin më të mirë partizanët që sollën diktaturën apo ballistët që s’u morën vesh mes tyre?”. Ndërkohë, Europa e cila doli nga lufta me Plan Marshall, fabrika e universitete, na shikon ende si një vend ku bustet flasin më shumë se librat e historisë.

Dhe ja ku hyn satira shqiptare: ne nuk kemi bërë asgjë për të trajtuar plagët. Ashtu siç bëjmë me çdo problem, e kemi mbuluar me flamur e këngë. Në vend që të pyesim “pse përfunduam 45 vjet në diktaturë?”, ne preferojmë të bëjmë paradë me gjyshërit partizanë pa menduar aspak per vuajtjet e të tjerëve, ndërsa politikanët e sotëm qeshin me gotën e shampanjës në dorë.

Spanjollët flasin për “Paktin e Harresës”, gjermanët për “denazifikimin”. Ne? Kemi “paktin e përfitimit”: kushdo që është në pushtet, zgjedh versionin e historisë që i shërben. Një ditë është lavdia partizane, ditën tjetër është heroizmi i ballistëve. Dhe qytetari i thjeshtë mbetet konfuz: të valëvisë flamurin e kuq me yll apo të thërrasë “Rroftë Mbreti”? Pra, ndërsa kombet e tjera i kanë trajtuar të kaluarat si plagë për t’u mbyllur me drejtësi dhe reflektim, ne i kemi trajtuar si skenë për komedi politike. Në vend të një katarze kombëtare, kemi një farsë kombëtare.

Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të mos harxhojë më miliona për buste të reja, ceremoni lulesh dhe përkujtimore ku politikanët mbajnë fjalime bosh. Në fakt, e vërteta është se të dyja palët dështuan. Partizanët fituan luftën, por na futën në bunker për 45 vjet. Ballistët dhe legalistët ëndërruan Shqipërinë e madhe dhe fronin e Zogut, por nuk arritën të ndërtojnë dot as një plan serioz për vendin. Sot, 80 vjet më vonë, ne vazhdojmë të rrotullohemi mes dy flamujsh, ndërkohë që Europa për të cilën luftuam na sheh ende si një vend që nuk di t’i bëjë paqe as me të shkuarën e vet. Sepse në fund, ndoshta e vetmja mënyrë për ta fituar më në fund këtë luftë është të pranojmë se askush nuk e fitoi. Dhe të fillojmë të mendojmë jo se kush ishte më i drejtë dje, por si të bëhemi normalë sot.

Filed Under: Analiza

Memo:  Serbia në kryqëzim: Si t’i kuptojmë protestat dhe Kosova

August 20, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Police officers operate during clashes with anti-government protesters in Belgrade, Serbia, on August 15, 2025.

Protestat që shpërthyen në Serbi pas tragjedisë së Novi Sad-it nuk janë më thjesht një reagim ndaj një aksidenti fatal. Ato janë kthyer në një revoltë të madhe qytetare kundër regjimit të Aleksandar Vuçiç -it, një sistem i ngritur mbi korrupsion, klientelizëm dhe shtypje të çdo forme opozite. Humbja e 16 jetëve në 1 nëntor 2024 nuk ishte rastësi tragjike, por pasojë e drejtpërdrejtë e një pushteti që e ka kthyer vendin në pronë private dhe që i përdor projektet publike si burime për pasurim dhe kontroll politik.

Një kryengritje studentore që sfidon frikën

Studentët, që në fillim ndezën qirinj për viktimat, shndërruan heshtjen në një forcë politike të paparë. Bllokimet e tyre simbolike në orën 11:52 – ora e kolapsit – u kthyen në aktin e parë të një revolucioni qytetar. Brenda pak javësh, nga vigjilja u lind një lëvizje që u përhap në mbi 400 universitete dhe qytete. Kulmi arriti më 15 mars 2025 në Beograd, kur mbi 300 mijë qytetarë mbushën rrugët, duke dhënë sinjalin më të qartë: populli nuk ka më frikë.

Nga këto protesta ka dalë një shembull i rrallë demokracie të gjallë: universitete autonome, mbledhje të hapura ku çdo student ka zë, vendime me shumicë dhe pjesëmarrje horizontale. Ky është vizioni i një Serbie të re, ku pushteti buron nga poshtë dhe jo nga zyrat e mbyllura të elitës politike. Në një vend ku zgjedhjet janë deformuar dhe mediat e kapura, studentët dhe qytetarët e zakonshëm po tregojnë se demokracia nuk vdes – ajo lind përsëri në rrugë.

Ky nuk është një revoltë për pushtet, por për drejtësi. Kërkesat e studentëve dhe qytetarëve janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta: hapni dosjet e korrupsionit, ndëshkoni fajtorët, reformoni universitetet, jepni fonde për arsim, ktheni shtetin te ligji dhe jo te kapriçot e një presidenti të vetëm. Për herë të parë pas shumë vitesh, Serbia po sheh një lëvizje që e demaskon haptazi pushtetin si burim korrupsioni, dhe jo si instrument shërbimi publik.

Shumë njerëz në Serbi fajësuan tragjedinë për korrupsionin e supozuar të përhapur në projektet shtetërore të infrastrukturës, të cilat ata thonë se nxitën punën e dobët të rinovimit. Presidenti serb është përballur me akuza për shtypjen e lirive demokratike, ndërsa lejon që krimi i organizuar dhe korrupsioni të lulëzojnë. Ai e ka mohuar këtë.

Dhuna e pushtetit dhe rezistenca qytetare

Vuçiç reagoi si çdo autokrat i ngujuar: me dhunë, shpifje dhe frikësim. Protestuesit u etiketuan “terroristë”, policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, ndërsa paramilitarët e lidhur me partinë e tij terrorizuan qytetarët në rrugë. Por dhuna nuk i ndali – përkundrazi, i forcoi. Çdo goditje ndaj protestuesve e bëri më të qartë se problemi nuk është vetëm një projekt i korruptuar, por vetë regjimi i Vuçiç -it.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të dielën masa të ashpra kundër protestuesve antiqeveritarë pas ditëve të trazirave në rrugë në të gjithë Serbinë që kanë sfiduar sundimin e tij gjithnjë e më autokratik në vendin ballkanik. Mijëra njerëz sfiduan kërcënimin e Vuçiçit për një goditje dhe protestuan më vonë të dielën në qytete të ndryshme serbe, përfshirë kryeqytetin Beograd. Duke thirrur “Arrestoni Vuçiçin”, protestuesit kërkuan që të gjithë të ndaluarit në ditët e kaluara të lirohen. Nuk u raportuan incidente.

Një model i ri demokracie, sfidë ndaj autoritarizmit dhe demokraci nga poshtë

Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç  reagoi me forcë: policia, grupet paramilitare dhe mbështetësit partiakë shpesh sulmuan protestuesit. Lëvizja u etiketua “terroriste”, ndërkohë që raportet ndërkombëtare evidentuan dhunë sistematike dhe shkelje të të drejtave të njeriut .Megjithatë, lëvizja studentore solli një model të ri të organizimit shoqëror: universitete autonome, mbledhje të hapura (plenume) ku çdo student kishte të drejtë fjale, vendime të marra me shumicë dhe një frymë qytetarie që tejkalonte institucionet tradicionale. Ishte një shembull i gjallë i “demokracisë nga poshtë”, ku qytetarët nuk kërkonin pushtet të zhveshur, por pjesëmarrje aktive dhe përgjegjësi institucionale . Këto protesta i dhanë Serbisë një moment të rrallë reflektimi: një thirrje për reformë sistemike dhe një shans për të ndërtuar një shoqëri ku autoriteti respektohet për shkak të transparencës dhe llogaridhënies. Për shumë analistë, kjo lëvizje përfaqëson një “shpërthim të demokracisë nga poshtë”, që mund të shënojë një fillim të ri për Serbinë Duke parë mënyrën si Aleksandar Vuçiç  ka reaguar në të shkuarën ndaj protestave, ka shumë gjasa që reagimi i tij të ndjekë disa skenarë paralelë:

Forcimi i retorikës së frikës

Vuçiç  ka përdorur shpesh gjuhën e demonizimit të kundërshtarëve, duke i quajtur “puppets të Perëndimit”, “terroristë” apo “armikë të Serbisë”. Ka shumë të ngjarë që ai ta rrisë këtë retorikë për të delegjitimuar lëvizjen studentore dhe për ta paraqitur si të manipuluar nga jashtë.  Policia, njësitë speciale dhe grupet paramilitare të lidhura me partinë e tij pritet të përdoren për të shpërndarë protestat me dhunë, për të frikësuar liderët studentorë dhe për të vendosur një klimë pasigurie. Arrestime selektive të organizatorëve mund të shfaqen si “shembuj” për të ndaluar përhapjen e revoltës. Si çdo lider autoritar që ndien trysninë ndërkombëtare, Vuçiç  mund të ofrojë “dialog” apo disa reforma kozmetike (p.sh. një hetim formal, ndonjë dorëheqje të vogël teknike) për të shuar valën e protestave, pa e cënuar realisht pushtetin e tij. Mediat kombëtare të kontrolluara nga qeveria do të përpiqen ta minimizojnë numrin e protestuesve, të theksojnë dhunën sporadike si “akt vandalësh” dhe të portretizojnë regjimin si garant i “stabilitetit” në një rajon të trazuar.

Në një nga fjalimet e tij të shpeshta televizive drejtuar publikut, Vuçiç akuzoi demonstruesit antiqeveritarë për “terrorizëm të pastër” dhe përsëriti pretendimet e tij se muaj të tërë protestash të vazhdueshme kundër sundimit të tij janë orkestruar në Perëndim dhe synojnë shkatërrimin e Serbisë.

“Vendi ynë është në rrezik të madh, ata kanë rrezikuar të gjitha vlerat tona, jetën normale, çdo individ”, tha Vuçiç, duke pretenduar një skemë të përpunuar që përfundimisht do të instalonte autoritete “anarko-majtiste” në të ardhmen. Ai nuk ofroi asnjë provë konkrete për pretendimet e tij. “Nëse nuk ndërmarrim hapa më të ashpër, është çështje ditësh kur ata (protestuesit) do të vrasin dikë”, tha Vuçiç. “Po e them këtë për historinë”

Perspektiva politike

Vuçiç  do të kërkojë ta përdorë marrëdhënien me BE dhe sidomos me partnerë si Hungaria e Orbanit, për të treguar se ende ka mbështetje ndërkombëtare. Do të luajë edhe kartën e Rusisë dhe Kinës, duke pretenduar se “protestat janë pjesë e një komploti perëndimor për destabilizimin e Serbisë”.

Në thelb, reagimi i Vuçiç -it pritet të jetë i dyfishtë: shtypje e brendshme + propagandë e jashtme. Ai do të përpiqet të fitojë kohë, duke përdorur dhunën ndaj protestuesve dhe fjalorin e zakonshëm për “komplotet”, ndërsa paralelisht do të luajë kartën e kompromisit për të shmangur izolimin ndërkombëtar. Nëse protestat vazhdojnë me vrull, rreziku për pushtetin e tij është real: sa më shumë që përdor dhunë, aq më shumë delegjitimohet brenda dhe jashtë vendit. Në këtë pikë, mbajtja e pushtetit do të varet nga gatishmëria e elitës së tij për të qëndruar besnike dhe nga durimi i popullit për të mos u tërhequr.

Domethënia e protestave

Këto protesta janë shkundja më e madhe e regjimit të Vuçiç -it. Ato tregojnë se autoritarizmi nuk është i pathyeshëm, se frika nuk është më arma e vetme e pushtetit. Serbia është sot në një kryqëzim: ose do të shkojë drejt një reforme të thellë demokratike, ose do të mbytet në dhunën dhe manipulimin e një klike pushteti që nuk njeh as ligj, as moral.

Protestat nuk janë vetëm kujtim për 16 jetët e humbura. Ato janë revoltë kundër një sistemi që vret ngadalë, përmes korrupsionit, padrejtësisë dhe arrogancës. Janë një thirrje që shkon përtej Serbisë: Evropa dhe bota nuk mund të mbyllin sytë para një populli që kërkon liri dhe drejtësi. Sot, rrugët e Beogradit janë arena e një beteje vendimtare – jo vetëm për Serbinë, por për të ardhmen e demokracisë në Ballkan. Ndryshe nga lëvizjet e tjera politike në Serbi, kjo valë protestash nuk u përqendrua vetëm te dorëheqja e liderëve. Ajo kërkoi transparencë në dokumentet e rindërtimit të stacionit, ndëshkimin e përgjegjësve, reformim të universiteteve dhe buxhet më të lartë për arsimin. Në thelb, protestat artikuluan një kërkesë më të gjerë për rivendosjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. 

Protestat në Serbi nuk janë thjesht kundër Vuçiç-it, por edhe kundër një sistemi që e ka mbajtur gjallë nacionalizmin agresiv. Për Kosovën, ato sjellin një mundësi historike: ose do të shërbejnë si katalizator për një Serbi më demokratike, e cila mund të dialogojë ndershmërisht, ose do të shfrytëzohen nga regjimi për të ndezur një konflikt të rrezikshëm si mjet mbijetese.

Protestat masive në Serbi, të udhëhequra kryesisht nga studentët dhe qytetarë të zhgënjyer nga manipulimi i zgjedhjeve dhe autoritarizmi i Aleksandar Vuçiç-it, nuk janë thjesht një çështje e brendshme e Beogradit. Ato lidhen drejtpërdrejt edhe me Kosovën dhe me të ardhmen e rajonit.

Kriza e legjitimitetit në Beograd

Nëse Vuçiç shihet nga qytetarët e tij si uzurpator që mbijeton vetëm me manipulime dhe dhunë policore, kjo dobëson fuqinë e tij për të folur në emër të Serbisë në arenën ndërkombëtare, përfshirë dialogun me Kosovën. Një lider i delegjitimuar nuk ka kartën morale as politike për të imponuar kushte ndaj Prishtinës. Tradicionalisht, Vuçiç ka përdorur Kosovën si flamurin kryesor nacionalist për të mobilizuar opinionin publik serb dhe për të mbuluar dështimet e tij të brendshme. Por sa më shumë që qytetarët dalin në rrugë për demokraci, aq më pak funksionon propaganda e tij se “Kosova është çështja kryesore”. Protestat tregojnë se serbët nuk e shohin vetëm Kosovën si problem, por korrupsionin, autoritarizmin dhe mungesën e perspektivës brenda vendit.

Domethënia për Kosovën dhe rajonin

Një Serbi më demokratike, me institucione më të forta dhe me qytetarë që kërkojnë llogari, mund të jetë edhe më e hapur për një dialog real me Kosovën. Protestat sot janë embrioni i një vizioni tjetër për Serbinë – një Serbi që nuk e përdor nacionalizmin si justifikim për shtypjen e brendshme, por që synon integrim evropian. Nga ana tjetër, Vuçiçi mund të reagojë duke ngritur edhe më shumë tensionet me Kosovën, për ta përdorur si mjet shpërqendrimi nga kriza e brendshme. Një incident në veri të Kosovës, një retorikë më e ashpër kundër Prishtinës, madje edhe një veprim provokues i kontrolluar, mund të shërbejë për ta bashkuar elektoratin e tij rreth “kauzës kombëtare”. Ky është një skenar i rrezikshëm, sepse sa më i brishtë të jetë pushteti i tij në Beograd, aq më i madh është tundimi për ta shpëtuar me flakë në Kosovë.

Për Kosovën, protestat në Serbi janë një pasqyrë: qytetarët serbë po kërkojnë liri dhe demokraci, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë kaluar tashmë nëpër një proces të tillë në vitet ’90 dhe pas luftës. Ka një rezonancë simbolike – populli serb po përballet sot me të njëjtin autoritarizëm që dikur prodhoi luftërat dhe tragjeditë ballkanike. Nëse protestat forcohen dhe lind një Serbi më e lirë, kjo do të ishte një hap drejt paqes së qëndrueshme me Kosovën.

Filed Under: Analiza

“Ushtrim dëgjimi” apo përballje strategjike?

August 18, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Përballja Trump–Putin mund të cilësohet si takim që sfidon ekuilibrat globalë. Ai riktheu vëmendjen e opinionit ndërkombëtar te raportet mes dy fuqive më të mëdha ushtarake dhe politike. Pesha e tij shtohet nga fakti se u mbajt në një moment delikat, kur rendi ndërkombëtar po sfidohet nga konflikte të hapura, rivalitete gjeopolitike dhe krizë besimi ndaj institucioneve multilaterale. Trump, i rikthyer në skenën ndërkombëtare me doktrinen e tij politike po pozicionohet si lideri që mund të negociojë drejtpërdrejt me kundërshtarët strategjikë të Amerikës. Ndërsa Putinit, takimi i ofroi shansin për të thyer izolimin politik e diplomatik të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe për t’u paraqitur si partner i barabartë me SHBA-në.

Pritjet nga ky samit ishin të larta, por kontradiktore. Një pjesë e liderëve botërorë shihnin mundësi reale për uljen e tensioneve mes dy vendeve, sidomos për garën bërthamore dhe kontrollin e armatimeve strategjike. Po ashtu, takimi mund të shihej si rifreskim i marrëveshjeve të sigurisë, apo të paktën si hapja e një kanali të qëndrueshëm komunikimi mes dy presidentëve – interes i përbashkët për të parandaluar përshkallëzimin e rrezikut global. Nga ana tjetër, skepticizmi mbeti i theksuar në kampin euroatlantik, ku shumë vende të BE-së dhe NATO-s e shohin afrimin Trump–Putin si kërcënim për unitetin perëndimor dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Në qendër të pritjeve ishte lufta në Ukrainë. Putin synon të legjitimojë kontrollin mbi territoret e pushtuara, ndërsa Trump, megjithëse ka deklaruar disa herë se mund të arrijë marrëveshje “brenda 24 orëve”, përballet me sfidën e balancimit mes interesave amerikane, presionit të aleatëve europianë dhe premtimeve të tij për fundin e luftës. Çdo hap i tij që perceptohet si lëshim ndaj Kremlinit do të ngrejë shqetësime serioze në Kievin zyrtar dhe kryeqytetet e Evropës Lindore.

Tema të tjera të pritshme për diskutim ishin energjia dhe tregtia globale, me theks të veçantë tek roli i Rusisë në furnizimin me gaz dhe ndikimin e saj në tregjet ndërkombëtare të naftës. Po ashtu, prania ruse në Lindjen e Mesme, Afrikë e Azi Qendrore, si dhe ndikimi i saj në sigurinë kibernetike globale. Trump e përdori këtë samit për të demonstruar stilin e tij të diplomacisë direkte, duke u distancuar nga burokracia tradicionale, ndërsa Putin u përpoq ta shfrytëzonte për të projektuar imazhin e një fuqie që nuk mund të anashkalohet.

Suma sumarum, takimi Trump–Putin testoi jo vetëm raportin personal mes dy liderëve, por edhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare. Për SHBA-në dhe aleatët e saj, dilema mbetet: a do të sjellë ky dialog stabilitet të qëndrueshëm, apo do të prodhojë ndarje të reja në kampin perëndimor? Për Rusinë, ishte mundësia për të treguar se, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit, ajo mbetet aktor kyç që ndikon në çdo proces global. Për Trump-in, ky takim është pjesë e strategjisë për të rikthyer Amerikën në qendër të negociatave të mëdha me impakt ndërkombëtar, duke dëshmuar se vetëm ai mund të menaxhojë raportin kompleks me Putinin.

Kritikët e Trump, takimin e interpretuan si “një dështim i rëndë politik: viktima e agresionit mbeti jashtë tavolinës, ndërsa agresorit iu dha hapësirë për të imponuar narrativën e tij”.

Po ashtu, Trump u akuzua për legjitimim të Putinit dhe për “heqjen dorë nga kërkesa për llogaridhënie mbi krimet e kryera në Ukrainë”. Evropa, e trembur nga Rusia, reagoi me urgjencë duke theksuar se “pa përfshirjen e Ukrainës çdo dialog është i pakuptimtë dhe i rrezikshëm”.

Pikëpyetja më e madhe që ngre Takimi i Alaskës është: a i afroi vërtet palët drejt paqes? Apo shërbeu forca si kriteri mbi të cilin imponohen zgjidhjet? A i dha ky samit Putinit mundësinë të dilte nga izolimi dhe të prezantohej si partner i respektuar ndërkombëtar? Në këtë kuptim, kurtoazia diplomatike u shndërrua në armën më të fortë të Putinit: një pretekst për t’u shpëtuar stigmatizimit si kriminel ndërkombëtar. Në vend që të sillte paqe, ky samit shënoi një precedent të rrezikshëm ku agresori shpërblehet me legjitimitet, ndërsa viktima mbetet jashtë.

Pavarësisht vërejtjeve dhe interpretimeve kritike, mbetet fakt se vetëm SHBA dhe lidershipi amerikan mund të imponojnë procese që çojnë drejt paqes dhe stabilitetit global. Besimi im në doktrinën e Presidentit Trump qëndron në këtë pikë: fuqia dhe vullneti amerikan mbeten garancia kryesore se agresioni nuk do të shpërblehet dhe se paqja do të imponohet si interes universal.

Filed Under: Analiza

Ligji si mysafir, kultura si pronare

August 17, 2025 by s p

Artan Nati/

Në Shqipëri, ligji është si një dasmor i ftuar nga Brukseli, veshur me kostum elegant, flet me etikë dhe bën foto për Facebook… por sapo fillon festa, e heq xhaketën dhe kërcen vallen pogonishte apo labçe. Kultura jonë nuk e sheh ligjin si marrëveshje të përbashkët, por si një listë rregullash që mund të negociohen, anashkalohen ose shpërfillen, në varësi se kush është në pushtet dhe kush është “i yni”. Ligjet për barazi, të drejta e transparencë janë të ngjashme me premtimet elektorale, të bukura në letër, të pavlefshme në terren. Ato hapen vetëm kur vijnë inspektorët e BE-së, njësoj si oborri i shtëpisë që pastrohet vetëm për vizitën e krushqëve. Dhe kontrata sociale? Ne e kemi kthyer në një marrëveshje verbale tipikisht shqiptare: “Hajde, hajde, shohim e bëjmë”. Në Shqipëri, ligjet shkruhen si në Bruksel, por zbatohen si në kohën e Kanunit. Kontrata sociale nuk është e nënshkruar nga qytetarët, na ka ardhur trashëgim, bashkë me mentalitetin se ligji është këshillë, jo detyrim. Kemi ligje moderne për barazi, të drejta dhe transparencë, por i mbajmë si dekor për ekspozita europiane. Në përditshmëri, rregullat janë si semaforët natën, i respekton vetëm nëse ka njeri që po sheh. Po qeveria dhe kryeministri?

Kultura shqiptare e stilit “Rama” është një miks i çuditshëm mes ekspozitës së pikturave, Instagram-it personal dhe vendimeve që merren mes një filxhani kafeje dhe një turneu basketbolli. Ligjet e Brukselit, nga ana tjetër, vijnë si manuali i përdorimit të një makinerie gjigante ku çdo buton është i etiketuar në gjermanisht dhe frëngjisht. Përplasja është e pashmangshme: njëra palë flet për “shpirtin artistik” dhe “kreativitetin ballkanik”, tjetra për nenin 37, pikën 4, dhe standardet e ISO-s.

Marrëdhënia mes ligjit dhe kulturës në Shqipëri nuk është thjesht çështje juridike apo folklorike, është zemra e kontratës sociale që ne, si komunitet, kemi pranuar (ose më saktë, kemi trashëguar pa e diskutuar realisht). Rousseau do të thoshte se ligji duhet të përfaqësojë vullnetin e përgjithshëm, dhe se ky vullnet nuk është një dhuratë nga qielli, por një krijim i përhershëm i shoqërisë. Problemi ynë është se shpesh ligjet në Shqipëri janë të shkruara në gjuhën e Brukselit, por të lexuara me mentalitetin e kulturës kombëtare, ose rajonale. Ndryshe zbatohet ligji në Korçë, e ndryshe në Elbasan, Vlorë apo Tropojë. Kultura jonë ende e sheh ligjin si një kornizë të jashtme, një “urdhër nga lart” që mund të negociohet në zbatim. Kjo shpjegon pse ligje të avancuara për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore apo transparencën shpesh mbeten letra të bukura, por të mbyllura në dosje, sepse kultura e përditshme e sheh marrëveshjen e shoqërisë jo si një akt të përbashkët, por si një rregull që mund të anashkalohet nëse “nuk na shkon për mbarë”.

Kjo është arsyeja pse tranzicioni ynë duket i pafund. Ligjet moderne miratohen me shpejtësi për transparencën, për mbrojtjen e mjedisit, për barazinë gjinore, për të drejtat e njeriut. Por këto ligje shpesh nuk e kalojnë dot testin e kulturës së përditshme. E njëjta shoqëri që voton për ndalimin e mbeturinave në lumenj, të nesërmen i sheh ato lumenj të mbushur me plastika. E njëjta shoqëri që miraton kuota për gratë në politikë, shpesh i sheh ato gra si “ornament” dhe jo si vendimmarrëse reale.

Në fakt, një pjesë e mirë e qytetarëve e percepton ligjin si diçka të huaj, jo të krijuar prej tyre. Kjo është trashëgimia e dekadave kur ligji vinte nga një autoritet absolut, qoftë Porta e Lartë, mbretëria e Zogut apo Partia e Punës dhe nuk përfaqësonte domosdoshmërisht vullnetin e komunitetit. Kur ligji nuk buron nga një debat i gjerë dhe i sinqertë shoqëror, ai mbetet një trup i ftohtë, që nuk hyn kurrë në gjak me kulturën.

Kultura që mposht ligjin

===================

Mjafton të kthehemi një shekull pas, kur shteti shqiptar i sapokrijuar përpiqej të vendoste ligje moderne mbi pronësinë, taksat dhe administratën. Në shumë zona malore, Kanuni i Lekë Dukagjinit vazhdonte të ishte “kushtetuta” e vërtetë. Ligjet e shtetit ishin letra që vinin nga Tirana, por vendimet e rëndësishme merreshin në kuvendin e burrave, sipas zakoneve shekullore. Madje, edhe në vitet ’20, gjykatat shtetërore shpesh nuk guxonin të hynin në konflikt të hapur me normat e Kanunit, nga frika e gjakmarrjes apo humbjes së autoritetit në komunitet. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist shpalli pronën kolektive dhe ndaloi gjakmarrjen, kultura rezistoi në mënyrën e saj. Gjakmarrja nuk u zhduk; thjesht u fsheh. Familjet që nuk mund të merrnin hakun hapur, e bënin në mënyrë të maskuar. Kjo tregon se një ligj, sado i fortë, nuk e fshin dot një kulturë të rrënjosur pa e zëvendësuar atë me një tjetër.

Ligji që formëson kulturën

=====================

Nga ana tjetër, kemi shembuj kur ligji e ka fituar duelin. Ligji për arsimimin e detyrueshëm, i miratuar që në vitet ’20 dhe i zbatuar me këmbëngulje në periudhën komuniste, ndryshoi rrënjësisht kulturën e analfabetizmit. Në një vend ku, deri në fillim të shekullit XX, lexim-shkrimi ishte privilegj i pak njerëzve, ligji e ktheu dijen në normë shoqërore. Sot, askush nuk e vë në diskutim të drejtën dhe detyrimin për arsimim, ky është një shembull klasik i asaj që Rousseau do ta quante një “vullnet i përgjithshëm” i konsoliduar.

Një tjetër rast është ligji për ndalimin e duhanit në ambientet publike. Në fillim, shumë e tallën: “Si do ta ndalosh shqiptarin nga cigarja e kafesë?” Por me kalimin e viteve, edhe ata që e shkelin e pranojnë se ligji ka ndryshuar zakonet, sot është normale të pyesësh para se të ndezësh një cigare në një ambient të mbyllur.

Një kontratë sociale ende e paqartë

===========================

Në këtë betejë mes ligjit dhe kulturës, Shqipëria ende nuk ka gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm. Ne shpesh marrim ligje të huaja dhe i transplantojmë në tokën tonë, duke shpresuar që kultura do t’i pranojë. Por nëse ligji nuk ndërvepron me vlerat dhe normat e brendshme, ai mbetet si një rregullore e bukur në mur, që të gjithë e shohin, por pak e ndjekin. Mendimtarët e shtetformimit na kujtojnë se një shoqëri e lirë nuk pret që ligji t’i imponohet nga jashtë. Ajo e krijon vetë ligjin si shprehje të vullnetit dhe imagjinatës kolektive. Shqipëria është ende në këtë proces: midis trashëgimisë së së kaluarës dhe aspiratës për të ardhmen, midis Kanunit dhe Kushtetutës së vitit 1998, midis zakoneve të fshatit dhe normave të Brukselit.

Në fund, pyetja e madhe mbetet: A do të kemi një ditë një ligj që flet në gjuhën e kulturës sonë dhe një kulturë që i përgjigjet në gjuhën e ligjit? Sepse vetëm atëherë kontrata jonë sociale do të jetë e plotë, jo si një marrëveshje e ftohtë në letër, por si një pakt i gjallë mes njerëzve. Deri atëherë, do vazhdojmë të jetojmë mes surrealizmit artistik të Edi Ramës dhe burokracisë gri të Brukselit, një martesë ku as nusja, as dhëndri, nuk e kanë idenë pse u martuan, por të dyja palët pozojnë të lumtura për foto.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT