• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjëra sëprapthi

April 8, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lushi/

Njerëzit janë njerëz, majmunët janë kafshë. Disa thonë se njerëzit janë majmunë. Atëherë, majmunët janë njerëz. Kështu, Toka është planet i majmunëve.
Nëse majmunët janë njerëz, përse mbyllen në kafaze në kopshte zoologjike? A nuk është ligji njerëzor që thotë që para se një njeri të mbyllet në kafaz ose burg, duhet të ketë kryer një krim? A nuk është ligj njerëzor që thotë se një njeri është i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij? A nuk thotë ligji njerëzor që njerëzit kanë të drejta kushtetuese dhe të drejta civile? Atëherë, çfarë krimi ka bërë njeriu majmun që të mbyllet në kafaz në kopshte zoologjike, ose t’i mohohet punësimi për dëfrimin e majmunëve njerëzorë? Cila lloj shoqërie njerëzore e civilizuar mbyll njerëz në kafaze në kopshte zoologjike, duke mohuar të gjithë procesin e duhur të ligjit?
Njerëzit nuk janë majmunë, dhe majmunët nuk janë njerëz. Lironi, pra, njerëzit nga kopshtet zoologjike dhe nga robëria.
Në atë mënyrë ata mund të jenë të lirë të drejtojnë makina, të kontrollojnë e të fluturojnë aeroplanë, të bëhen mjekë, avokatë etj. Pse t’i privojmë nga dashuria dhe liria e jetës?
Sepse ndryshe pohohet se njerëzit janë majmunë, dhe majmunët janë njerëz.
Pse nuk mund të pranohet që kjo është thjesht gënjeshtër? Siç është qendrimi i Satanit ndaj tregimit të krijimit. Një engjëll u përpoq të bënte kryengritje, vetëm sepse donte të adhurohej. Kështu, përdori një gjarpër t’i fliste Evës të bindte Adamin të hanin nga një pemë në Kopshtin e Edenit. Zoti i kishte paralajmëruar që nëse hanin do të vdisnin. Satanai, ky engjëll i shëmtuar, me anë të gjarprit i tha Evës: “Ju me siguri nuk do të vdisni.” Njeriu iu bind dhe u bë i vdekshëm.
Fjala hebraike “Satan” përkthehet “Kundërshtar”. Fjala Djall, është emri i Satanit në shkrimet e shenjta greke, që do të thotë “Shpifës”. Pra, mos i besoni, mos u mashtroni. E drejta për të jetuar e punuar në vendin tuaj është e patjetërsueshme. Përndryshe vendi zhbëhet. Njerëzit janë njerëz, majmunët janë kafshë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, seprapthi

KOSOVA NË MESJETË SHEK. XI-XV

April 7, 2021 by dgreca

Prof. asoc. dr. Bedri Muhadri, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, sjell para lexuesit shqiptar librin e tij më të ri “Kosova në Mesjetë shek. XI-XV”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, historiani Prof. asoc. dr. Bedri Muhadri deklaron se në gjysmën e shekullit XIV, pas rënies së Perandorisë serbe dhe dobësimit të Perandorisë Bizantine, në trevat arbërore u formuan shtetet- principatat feudale arbërore, siç ishin shteti i Balshajve, shteti Kastriotëve dhe Principata e sundimtarëve të fuqishëm të Dukagjinëve, të cilët shtrinë qeverisjen e tyre në territorin e Dardanisë- Kosovës së sotme. 

“KOSOVA NË MESJETË SHEK. XI-XV” NJË STUDIM MONOGRAFIK ME ASPEKTE TË SHUMANSHME, ETNIKE, POLITIKE, EKONOMIKE DHE FETARE

Në studimin monografik “Kosova në mesjetë shek. XI-XV”është trajtuar përmbajtja e saj historike me aspekte të shumanshme, etnike, politike, ekonomike dhe fetare. Trajtimin e aspekteve etnike dhe demografike,  në Kosovë  gjatë periudhës së mesjetës, e kemi bazuar në dokumente të kohës. Burimet sllave, aktdhuratat, “krisobulat” janë akte juridike mbi të dhënat pronësore, të cilat mundësojnë trajtimin e aspekteve demografike-etnike. Ndonëse janë të rëndësishme, ato në vete janë të mangëta, jogjithëpërfshirëse, për vetë natyrën e tyre juridike, pasi në to nuk janë bërë regjistrime të gjera. Ato japin të dhëna vetëm për pasuritë dhe interesat e manastireve që edhe u dedikoheshin si prona në shfrytëzim. Dhe ana tjetër ku shfaqen mangësi në këto dokumente, është edhe i natyrës teknike, por mund të thuhet se edhe janë bërë shtrembëruese, për faktin e origjinalitetit të tyre, pasi ato nuk po prezantohen në origjinal nga vetë studiuesit e tyre të njohur. Do të thotë se prezantimi i tyre i tillë, i rishkruar, pasi janë vërejtur në to gabime të natyrave specifike, i bën këto dokumente me më pak vlerë hulumtuese shkencore duke u bërë objekt i kritikës shkencore. Me gjithë mangësinë e të dhënave që i karakterizon aktdhuratat sllave, ato sjellin njoftime që dëshmojnë për praninë e vazhdueshme të popullatës shqiptare në Kosovë në shekujt XI-XV. Baza onomastike që sjellin këto burime, janë të shumta. Në këto dokumente kemi një numër të emrave që i përkasin gjuhës autoktone arbërore, si Gjin, Dedë, Bardh, Guri, Muzaka etj. Ndonëse ky numër është shumë i paktë në numër në dokumentet sllave, studiues të njohur, si M. Shuflaj, K. Jireçek, S. Pulaha, M. Tërnva, I. Rexha etj., flasin në mënyrë eksplicite se kemi të bëjmë me një komunitet etnik arbëror në  Kosovë para periudhës osmane. Historiografia serbe  në bazë të të dhënave fragmentare të këtyre burimeve dhe duke i anashkaluar rrethanat historike të kohës përpiqet që në tezat e saj të konstatojë se në Kosovë në kohën paraosmane jetonte vetëm popullata serbe, duke mohuar tërësisht substratin arbëror në mesjetë me pretendim se shqiptarët në Kosovë janë të ardhur krejt vonë, në shek. XVII. 

NË PRIZREN DËSHMOJNË PËR PRANINË E ARBËRVE NË QYTETE DHE FSHATRA TË KOSOVËS

Historiografia shqiptare në hulumtimet e saj mbi dokumentet sllave, me gjithë mangësinë e të dhënave, sjell njoftime që dëshmojnë për praninë e vazhdueshme të popullatës shqiptare në Kosovë në kohën e sundimit sllav nga Dinastia e Nemanjidëve. Në radhë të parë, Kodi i Dushanit 1349 i përmend “Arbanasit”, banorë në këto troje si dhe aktdhurata e Deçanit e vitit 1330 dhe ajo e manastirit të Shën Mihailit e Gabrielit, 1348, në Prizren dëshmojnë për praninë e arbërve në qytete dhe fshatra të Kosovës. Historiografia shqiptare arrin të hedhë poshtë tezën e studiuesve serbë, duke vërtetuar autoktoninë e popullatës arbërore në territorin e Dardanisë – Kosovës nga antika e deri në mesjetë. Se popullata arbërore ishte autoktone dhe në numër të madh e dëshmojnë burimet osmane, hulumtimin e të cilave e kanë bërë studiuesit S. Pulaha, M. Tërnava, P. Xhufi,  S. Gashi, I. Rexhaj etj. Në këtë drejtim, burime të një rëndësie të dorës së parë janë defterët e regjistrimeve kadastrale të tipit të hollësishëm “mufassal defterleri”, si Regjistrimi i Vilajetit të Brankoviçëve, 1455, Defteri i Sanxhakut të Shkodrës, 1485, i Dukagjinit, 1571 e 1591, i Prizrenit, 1591, të hartuar nga administrata pushtuese osmane në gjysmën e shekullit XV dhe  të shekullit XVI për territorin e Kosovës. Të dhënat e këtyre defterëve janë më të pasura nga aspektet e shumta si ekonomike, sociale, por edhe të karakterit demografik e etnik. Të dhënat e tyre janë të tërësishme nga pikëpamja territoriale, duke përfshirë pothuajse tërë territorin e Kosovës. Ato nuk kufizohen vetëm në disa fshatra, apo prona. Studimet dhe krahasimet mbi dokumentet sllave dhe osmane, arrijnë të vënë në pah se popullata arbërore që del të jetë autoktone në territorin e Kosovës në saje të rrethanave historike gjatë periudhës së sundimit të huaj siç ishin ai sllav, bullgar dhe osman,  në një mënyrë, si pasojë e diskriminimit pushtues, përvetësoi emra sllavë në kohën e sundimit nga ana e sunduesve të Rashës. Kjo dëshmohet qartë me fakte kur kemi emra sllavë, e që dalin me mbiemra arbërorë si Radoslavi, i biri i Gjinit. Këto fakte janë të shumta që dokumentohen nëpërmjet burimeve osmane. Historiografia shqiptare arrin të hedhë poshtë tezat serbe për “popullimin e Kosovës me shqiptarë nga shekulli XVII”. 

POPULLATA ARBËRORE DEL TË JETË POPULLATA MË E MADHE NË KOSOVË

Burimet osmane dëshmojnë prezencën e arbërve në tërë territorin e Kosovës, në fshatra dhe qytete. Popullata arbërore del të jetë popullata më e madhe në Kosovë, krahas elementëve imigrues, kryesisht sllavë të ardhur në kohën e okupimit nga Dinastia mesjetare serbe e Nemanjidëve, si kolonistë dhe ushtarakë, si dhe elementëve më me pakicë, si rezultat i proceseve ekonomike-tregtare, siç janë raguzianët dhe sasët. Në vijim të studimit kemi përshkrime të përgjithshme, mbështetur në fakte historike për pushtimin e territorit të Kosovës dhe okupimin e saj gjatë shek. XIII nga Dinastia e Nemanjidëve. Kjo dinasti, rreth vitit 1168, arriti të themelojë Zhupaninë mesjetare sllave të Rashës (Rassa-Rascia-Rasia, e cila gjendej në veri të Kosovës), nën udhëheqjen e zhupanit Stefan Nemanja. Territori i sotëm i Kosovës që nga dhjetëvjetëshi i fundit të shekullit XII e duke vazhduar deri në dhjetëvjetëshin e dytë të shek. XIII, do të përballet me sulmet e pandërprera të Rashës. Territoret veriore të Kosovës do të gjenden nën pushtimin e Nemanjës që nga vitet 1190, por pushtimet do të jenë të përkohshme d.m.th. pushtojnë dhe tërhiqen, pra ato treva nuk do të mund t’i mbanin e as nuk do të mund ta vendosnin pushtetin e përhershëm. Me pushtimin e qytetit të Prizrenit në vitin 1218 nga ana e Namanjidëve, ata shtrinë sundimin në tërë territorin e Kosovës. Në vitet 1230-1234, territori i Kosovës, në kohën e mbretit Aseni II, u gjend nën pushtetin e Mbretërisë bullgare. Territori i Kosovës: pjesa e Fushës së Kosovës, bashkë me qytetin e Lipjanit, Prizrenit,  vazhdoi të jetë nën sundim në kohën e mbretit bullgar, Gjergj Terterit, 1280 – 1292. Pas ripërtëritjes dhe fuqizimit të Perandorisë Bizantine në vitin 1261, gjatë kohës së sundimit të perandorit bizantin, Mihaili VIII Paleologu (1259-1282), ai bëri luftëra të shumta dhe përpjekje që t’i kthente territoret e Perandorisë që i ishin pushtuar edhe nga Nemanjidët. Ai ndërmori veprime ushtarake të suksesshme dhe arriti që vendet e pushtuara nga Nemanjidët me marrëveshjen e vitit 1272, t’i takonin Perandorisë Bizantine. Mbretëria e Rashës nën udhëheqjen e Milutinit arriti që t’i zgjeronte pushtimet në territoret arbërore. Me sukseset e arritura, mbreti Milutin e detyroi perandorin bizantin, Andronikun II të lidhë paqe me të në vitin 1299, ku tokat e pushtuara arbërore u ndanë në vijën ndarëse të lumit Shkumbin, ndërmjet bizantinëve dhe serbëve. Kjo nënkupton që, deri në fund të shek. XIII, territori  Kosovës  ishte përkohësisht në kuadër të Zhupanisë së Rashës. 

TERRITORI I KOSOVËS GJATË SHEKULLIT XII ISHTE PUSHTUAR EDHE NGA BIZANTINËT DHE BULLGARËT

Të dhënat historike dëshmojnë se territori i Kosovës gjatë shekullit XII ishte pushtuar edhe nga bizantinët dhe bullgarët. Territori i Kosovës definitivisht u pushtua nga Mbretëria e Rashës në vitin 1283, e deri në vitin 1371 Kosova ishte tërësisht nën sundimin serb. Gjendja popullatës në Kosovë, në kohën e sundimit të Milutinit dhe të Stefan Dushanit, ishte shumë e rëndë. Dinastia Nemanjide ushtronte terror ndaj popullatës vendëse, duke ndërmarrë veprime të rënda, duke ua kufizuar të drejtat civile e juridike përmes Kodit të Dushanit. Pushtimi serb në Kosovë kishte ndodhur me diskriminim të ashpër në të drejtën e gjuhës dhe fesë së popullatës vendëse arbërore. Në korniza të përgjithshme dihet se popullata arbërore në tërë shtrirjen e saj gjeografike, në saje të rrethanave historike në mesjetë, në periudhën paraosmane, ishte e ritit të krishterë katolik dhe ortodoks në masën të tërësishme. Popullata autoktone arbërore në tërë territorin e gjerë të saj, edhe në Kosovë, e cila në kohën paraosmane quhej Dardani, pati ritin e saj fetar dhe objektet e veta fetare. Që nga viti 1019, dëshmohet vazhdimësia historike e ipeshkvive arbërore në Kosovë, si në Prizren e Lipjan etj., të cilat ishin nën juridiksionin e Argjipeshkvisë së Ohrit. Me pushtimin e Kosovës në fillim të shek. XIII nga Dinastia sunduese e Nemanjidëve, ndryshoi edhe organizimi fetar në Kosovë, gjegjësisht popullata arbërore u detyrua t’i nënshtrohet organizimit fetar të bërë nga Shën Sava.  Ky arriti që Kishën serbe ta ngrejë në rang të argjipeshkvisë në vitin 1216. Në radhë të parë u morën masa të rënda ndëshkuese ndaj popullatës autoktone arbërore duke i detyruar ta pranonin kishën dhe metodën ortodokse sllave. Më pastaj u ngritën objekte fetare ortodokse serbe mbi themele të objekteve fetare në Kosovë, që datojnë nga koha antike. Këto objekte fetare i administronin priftërinjtë sllavë. Kështu, në themele të kishës katolike arbërore të Shën Premtes në Prizren u ngrit manastiri që serbët e quajnë manastiri i Levishkës, po ashtu mbi themelet e kishës katolike në Graçanicë, të qytetit antik të Ulpianës, u rindërtua manastiri i Graçanicës. Shteti sllav i Nemanjidëve ndiqte një politikë të përbashkët me kishën sllave për të ndryshuar ritin e vjetër fetar te popullata arbërore. Këto masa të egra diskriminuese njihen përmes shumë burimeve, e veçanërisht përmes burimeve sllave. Këtë e dëshmon më së miri Kodi i mbretit Stefan Dushani që zbatohej në atë kohë. Janë shumë nene, po veçanërisht nenet 6, 7, 8 dhe 9 që flasin për persekutimin dhe dhunën sistematike të ushtruar nga ana e pushtuesve serbë në Kosovë ndaj popullatës josllave. Pas pavarësimit të Kishës ortodokse të Rashës në vitin 1219, kemi një riorganizim të realizuar në vitet 1219-1371. Nga burimet e kohës flitet se , kjo kishë me dhunë kishte bërë ndryshime në Ipeshkvinë e Prizrenit dhe kishte vënë në krye të ipeshkvive ipeshkëvij serbë. Selia e Argjipeshkvisë serbe ishte manastiri i Zhicës. Në vitin 1299, pas sulmeve shkatërruese të tatarëve dhe kumanëve, selia e Argjipeshkvisë zhvendoset në Pejë. 

ARGJIPESHKVIA E RASHËS NUK NJIHEJ NË FILLIMET E SAJ NGA KOSTANDINOPOJA

Argjipeshkvia e Rashës nuk njihej në fillimet e saj nga Kostandinopoja. Kjo situatë skizmatike ishte deri në vitin 1375, kur në saje të rrethanave politike me rastin e pushtimeve osmane në Ballkan, u arrit pajtueshmëria me Patrikanën greke. Burimet e kohës dhe hulumtimet arkeologjike tregojnë se manastiret ortodokse serbe në territorin e Kosovës në kohën e pushtimit të Mbretërisë së Rashës u rindërtuan shumica e tyre nga manastiret ekzistuese të vjetra në Kosovë. Kështu, manastiri i Shën Premtes u rindërtua nga mbreti Milutin në vitin 1307. Manastiri i Graçanicës u rindërtua në themelet e kishës së moçme, e cila ishte edhe qendër e Ipeshkvisë së Lipjanit. Në gjysmën e shekullit XIV, pas rënies së Perandorisë serbe dhe dobësimit të Perandorisë Bizantine, në trevat arbërore u formuan shtetet- principatat feudale arbërore, siç ishin shteti i Balshajve,  shteti Kastriotëve dhe Principata e sundimtarëve të fuqishëm të Dukagjinëve, të cilët shtrinë qeverisjen e tyre në territorin e Dardanisë- Kosovës së sotme. Shteti i Balshajve, qendër të veten e kishte Shkodrën. Në fillim të viteve 70-të të shek. XIV, Kosova hyri në kuadër të zotërimeve të tyre. Fillimisht Gjergj II Balsha arriti të merrte Prizrenin, më 1371, Pejën më 1372, pastaj vazhduan më përvetësimin e rrethit të Dukagjinit e të Kosovës deri në Kriva Rekë pranë Novobërdës. Territori i Kosovës që hynte nën zotërimin e Balshajve gjatë viteve 70-80-të të shek. XV, përfshinte veprimtaritë që nga tregjet dhe doganat në Prizren e në Novobërdë, ku edhe u vendosën organet financiare të kryezotëve arbërorë të Balshajve. Shteti i Balshajve kishte raporte të shumta rajonale, e veçmas do të shquhen raportet ekonomike me Raguzën. Fuqizimi i shtetit të Balshajve do të pësojë rënie në vitin 1385, si pasojë e disfatës së Balshajve me osmanët në betejën e Savrës, ku edhe vetë Gjergj  Blasha II do të vritet. Shteti i Balshajve pas ngjarjes së Savrës dobësohet me të madhe, duke humbur qytetet, si Prizrenin, Pejën etj. Në këtë kohë,  pas dobësimit të shtetit të Balshajve, zotërues të një pjese të territorit të Kosovës janë princërit e Dukagjinit që dalin të pavarur në qytetin e Lezhës. Më 1387, me udhëheqës Lekë Dukagjinin, zotëruesit e rrugës Lezhë-Prizren shfaqen si zotërues të një pjesë të madhe të Kosovës, me qytete si Pejën, Gjakovën, Prizrenin etj.

TRONDITJA QË PËSOI JETA POLITIKE BALLKANIKE PAS FITORES SË OSMANËVE NË BETEJËN E KOSOVËS MË 1389

Tronditja që pësoi jeta politike ballkanike pas fitores që korrën osmanët në betejën e Kosovës më 1389, përfshiu edhe viset arbërore. Kryezotët arbërorë sikur edhe ata në Ballkan hynë në marrëveshje vasaliteti me osmanët. Edhe Dukagjinasit hynë në marrëveshje vasaliteti. Fuqizimi i Kastriotëve lidhet me emrin e Gjon Kastriotit. Në fillim të shek. XV, ai do të shquhet dhe do të formojë principatën e pavarur. Në këtë kohë zotërimet e tij duhet të jenë shtrirë në drejtim të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës. Qyteti i Prizrenit në vitet 1420, në saje të marrëveshjes tregtare mes Gjon Kastriotit (babai i Skënderbeut) dhe raguzianëve ishte pjesë e zotërimeve të Kastirotëve. Nga kjo shihet se Gjon Kastrioti zotëronte rrugën tregtare shumë të rëndësishme Shufada-Prizren. Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu rikthehet në atdhe dhe organizon luftën çlirimtare kundër pushtuesit osman dhe pushtuesve të tjerë. Me Kuvendin e Lezhës më 1444, u vunë baza të mirëfillta të organizimit politik mbararbëror nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kështu, Skënderbeu  u bë edhe themeluesi i parë i shtetit shqiptar në mesjetë. Skënderbeu, në luftën për bashkim të të gjitha trevave arbërore, nuk u ndal në asnjë çast. Qendra e shtetit të Skënderbeut ishte qyteti i Krujës.             Qeverisja e Skënderbeut në Kosovën Veriperëndimore ishte e kohëpaskohshme, por që gjithnjë në rast mundësie, Skënderbeu rikthente territore të caktuara në Kosovë nën qeverisjen e tij duke e larguar sundimin osman. Studimi i thelluar i burimeve historike ka nxjerrë të dhëna se Skënderbeu i kishte organet e veta qeverisëse në qytetin e Prizrenit që ishte qendër e rëndësishme ekonomike për shtetin e Skënderbeut. Në dy ngjarjet e rëndësishme historike të popujve të Ballkanit të ndodhura në Kosovë në vitin 1389 dhe 1448, shqiptarët nga tërë hapësira e tyre gjeografike ishin protagonistë të këtyre ngjarjeve. Beteja e Kosovës,  1389, e zhvilluar në një territor afër qytetit të Prishtinës, në mes të ushtrive të koalicionit ballkanik dhe atij osman, ishte një nga përpjekjet më të vendosura të princërve të Ballkanit, për ta ndalur suksesin e ekspansionit osman në Ballkan në fund të shek. XIV. Përgatitjet serioze nga të dyja anët për këtë betejë, numri i madh i ushtrive kundërshtare, rrjedhat  historike të betejës, para dhe pas saj, kanë ndikuar që Beteja e Kosovës të jetë pjesa më kruciale e studimeve historike mesjetare në territorin e Dardanisë antike– Kosovës.Burimet historike, si osmane, bizantine, italiane, raguziane, shqiptare, sllave ejt., japin dëshmi për pjesëmarrjen e disa princërve të Ballkanit, si shqiptarë, serbë kroatë, hungarezë, vlleh, bullgarë, çekë etj.,. Kampin e osmanëve, të udhëhequr nga sulltan Murati I, e përbënin forcat e shumta nga Perandoria dhe nga vendet vasale të saj. Si ngjarje dramatike në vetvete që shënoi edhe fillimin e pushtimeve osmane në Ballkan, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e kronistëve historianë të kohës dhe të studiuesve të shumtë, e që rrjedhimisht ka gjetur një trajtim relativisht të gjerë në historinë e popujve të Ballkanit. 

HISTORIOGRAFIA SERBE E SHEKULLIT XIX PËRPIQEN QË BETEJËN E  KOSOVËS TA PARAQESIN SI NJË VEPËR KRYESISHT SERBE DHE JO SHQIPTARE 

Studimet themelore mbi të shënojnë për një karakter me rëndësi ballkanike, e posaçërisht e një rëndësie të veçantë për Kosovën. Krejt ndryshe dhe me qëllime tendencioze paraqitet historiografia e vjetër serbe e shekullit XIX dhe historiografia më e re serbe. Në shkrimet e tyre përpiqen që së pari Betejën e  Kosovës ta paraqesin si një vepër kryesisht serbe, për ta mohuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë. Qartë vërehet se ky qëndrim është tendencë poiltike serbe për ta paraqitur territorin e Kosovës si “tokë e lashtë serbe”. Mirëpo, sot edhe në saje të hulumtimeve dhe rezultateve më të reja nga historiografia shqiptare dhe me qasjen më të thukët edhe nga ana e studiuesve të huaj, është parë se Beteja e Kosovës ka karakter të rëndësisë historike ballkanike dhe se pjesa më e madhe e trupave ushtarake të koalicionit ballkanik ishin nga territoret e gjera shqiptare, krahas trupave të tjerë si serbë, boshnjakë, hungarezë etj. Personaliteti ndër më të njohurit e kësaj beteje është fisniku arbëror nga Kosova, Milosh Kopili, i cili e vrau sulltan Muratin I. Fitorja u kishte takuar osmanëve të cilët edhe i hodhën hapat e parëtë pushtimit të Ballkanit. Ngjarja tjetër, po ashtu me rëndësi ndërkombëtare, ndodhi në vitin 1448 ndërmjet dy fuqive të mëdha të asaj kohe, Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë polake-hungareze, të udhëhequr nga Janosh Huniadi. Beteja ndodhi pikërisht në afërsi të vendit ku edhe u zhvillua beteja e viti 1389, dhe njihet në histori si Beteja e Dytë e Kosovës. Në këtë ngjarje rol të rëndësishëm patën shqiptarët, të cilët u rreshtuan në koalicionin evropian kundër pushtimeve osmane në Ballkan. Udhëheqësi më i shquar i rezistencës shqiptare kundër pushtimeve osmane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu pati marrëveshje politike e ushtarake me Janosh Huniadin, udhëheqësin e këtij koalicioni kundër pushtimeve osmane në Ballkan. I rëndësishëm në historiografinë botërore vlerësohet fakti se faktori shqiptar, në atë kohë i udhëhequr në Gjergj Kastiroti – Skënderbeu, i cili sapo i kishte vënë bazat e shtetit të tij, pati ndikim të madh në skenën politike nga qendrat më të mëdha shtetërore të asaj kohe. Vihen në pah përpjekjet shumë intensive të Skënderbeut për  këtë ngjarje historike.                 Kështu, Mbretëria polake-hungareze me udhëheqësit e saj, mbretin Vladislav dhe Janosh Huniadin, udhëheqës i shquar ushtarak, vunë kontakte politike dhe ushtarake për luftë të përbashkët kundër pushtuesit osman në Ballkan. Arrihet marrëveshje ushtarake që në fushëbetejë të marrin pjesë forcat shqiptare të Skënderbeut në numër të pritshëm me ndikim të madh në betejë. Beteja u zhvillua më 17-19 tetor, dhe fitorja u kishte takuar osmanëve. Skënderbeu nuk arriti të jetë prezent në momentin e zhvillimeve të ngjarjes. Nga burimet shihet se Skënderbeu kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të qenë prezent. Sigurisht se gjërat edhe nuk mund të ishin precizuar në masën më të saktë në atë kohë. Vonesa e tij del të ketë qenë edhe e natyrës teknike, por edhe e vështirësive nga ana e despotit serb, Gjergj Brankoviçit, që ishte aleat i osmanëve. Ai u përpoq që ta ndalte marshimin e Skënderbeut për në fushën e betejës. Por, prezenca e tij në Kosovë, më 19 tetor, në përfundim të betejës, flet edhe për seriozitetin e tij dhe për hapat e tij të mëdhenj politikë të asaj kohe. Duhet vënë në pah se historiografia serbe këtë betejë e trajton thuajse shumë pak, pasi që nuk gjen pikë reference për ta paraqitur popullin serb në këtë rast si mbrojtës të qytetërimit evropian, aq më tepër që despoti serb, Gjergj Brankoviçi ishte në anën osmanëve. Historianët serbë qëllimisht e anashkalojnë këtë ngjarje duke pasur parasysh se, përkundër përpjekjeve të mëdha nga ana e figurave të shquara udhëheqëse për koalicion kundër pushtimeve osmane, Gjergj Brankoviçi, i cili edhe sundonte një pjesë të territorit të Kosovës, ishte në anën e osmanëve. Ky veprim sikur demistifikon pretendimet e tyre si me rastin e Betejës së Parë 1389, ku përpiqen të ngrenë qëllimin se Lazari dhe serbët ishin në mbrojte të Evropës kundër invazionit osman. Sigurisht që ardhja e Skënderbeut me forcat shqiptare me kohë në këtë betejë do ta ndryshonte fatin e betejës dhe tërë historinë e Ballkanit, siç konstaton studiuesi N. Malcolm.

KOSOVA GJATË PERIUDHËS SË SHEKUJVE XIII-XV ISHTE QENDËR E ZHVILLIMEVE EKONOMIKE

Pozita gjeografike, e para së gjithash pasuritë e mëdha xehetare kanë bërë që territori i Kosovës gjatë periudhës së shekujve XIII-XV të ketë qenë qendër e zhvillimeve ekonomike. Si rezultat i zhvillimeve të gjithanshme ekonomike në Kosovë, u formuan qendrat e njohura- qytetet, si: Novobërda, Prizreni, Prishtina, Vuçitërna. Kosova ishte qendër e rëndësishme e rrugëve mesjetare për rajonin. Në qytetet e Kosovës ishin hapur dhe vepronin konsullatat raguziane, e veçanërisht konsullata raguziane në Prizren më 1332, që ndikoi në zhvillimin tregtar në Kosovë. Produkte tregtare vinin nga vendet si Venediku, Napoli, Raguza, Kostandinopoja etj. Tregtarët që vepronin në qytetet e Kosovës, pos që importonin produkte ekonomike, ata eksportonin edhe produkte të shumta nga Kosova, si drithëra, elb, li, mjaltë, si dhe produkte xehetarie, si: plumb, zink dhe argjend të kualitetit të lartë. Në mesin e shumë tregtarëve të huaj, kishte edhe tregtarë shqiptarë nga Kosova. Pas Betejës së Kosovës më 1389, fillon edhe pushtimi i Kosovës nga osmanët që përfundoi me pushtimin e Pejës, në vitin 1462. Në fillim, shtrirja e pushtetit osman u bë përmes raporteve të vasalitetit. Kështu u veprua me Stefan Lazareviçin, i cili trashëgoi pushtetin në pjesën lindore të Kosovës me qytetet e saj, Prishtinën, Novobërdën, Trepçën, Vuçitërnën. Pjesa perëndimore e Kosovës,  Rrafshi i Dukagjinit, me qytetetin e Pejës, ishin nën administrimin e Dinastisë arbërore të Dukagjinëve, të cilët që nga viti 1387 deri në vitin 1462 ishin në raporte vasaliteti me osmanët. Në periudhën e viteve 20-të të shek. XV kemi shtrirjen e autoritetit qeverisës të Gjon Kastriotit, në territorin e Kosovës Perëndimore. Pas rënies së Kostandinopojës më 19 maj 1453, sulltan Mehmeti II në pranverën e vitit 1455 nisi një operacion të fortë ushtarak dhe arriti të përfshinte përfundimisht një pjesë të madhe të Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. Në vitin 1455, osmanët pushtuan Novobërdën, Trepçën, Prishtinën, Janjevën, Klinën dhe Lipjanin. Prizreni fillimisht u pushtua më 1455, por pas kësaj shpërtheu një kryengritje kundër pushtuesit osman dhe si rezultat osmanët arritën përfundimisht ta pushtonin atë më 1459. Pushtimi i Pejës dhe i Rrafshit të Dukagjinit ndodhi në vitin 1462. Kështu Kosova ra nën sundimin e osmanëve, i cili zgjati deri në vitin 1912.                 Nga shtjellimi i gjithmbarshëm i historisë së Kosovës gjatë shekujve XI-XV përfundojmë se Kosova ishte pjesë përbërëse me ndikim në të gjitha proceset historike mesjetare në krijimin e substratit arbëror dhe territor të përbashkët politik të Arbërisë Veriore në mesjetë. 


Filed Under: Analiza Tagged With: KOSOVA NË MESJETË, Sokol Paja

Në vend të polemikës me historianë turq

April 5, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Ky shkrim është përgjigje modeste ndaj studimeve të disa historianëve turq, botuar në shqip vitet e fundit, mbi qeverisjen e perandorisë osmane në vendet e sunduara prej tyre. Në këto studime mbrohet teza se turqit nuk kane qenë pushtues, se devleti (qeveria) osman ka qeverisur me drejtësi dhe “… të gjithë popujt kanë qenë të lumtur ( ky term përdoret) nën këtë qeverisje të cilën e kanë pranuar me dëshirë…Shih M. Maksudoglu: Historia osmane dhe institucionet fq.169.”

Nga plagët e rënda të kombit shqiptar nën sundimin turk, ka qenë shërbimi ushtarak . Veçanërisht me Tanzimatin, në shek e XIX, kur ky shërbim i quajtur nizamllëk u bë i detyrueshëm. Mijëra djem e burra i nisën në vende të largëta nga ku shumica nuk u kthyen kurrë. Edhe në rastet e rralla kur nizamët ktheheshin ata ishin sakatë ose të veremosur, të pa aftë për punë, me ditët e jetës të numëruara.

Fillimisht në bregdet mbërrin vapori me ushtarakët turq, që do të bënin mobilizimin e të rinjve në listat ( kura’-ja) shumë të sakta, të hartuara nga qeveritarët turq. Njerëzit pyesin e marrin përgjigjen e përherëshme: 

Na vjen një vapor ka deti

Ç’ish haber na sell i shkrreti?

Të mbëlidhen djeltë rrëpjeti

I kërkon Sulltan Memeti…

Atje te rrapi, simbol në krahinat e Jugut ku janë bërë kuvende e janë marrë vendime të rëndësishme, për fatet e Atdheut, do të mblidhen rekrutët “kuraja,” që u ka ardhur fletëthirrja. Ata do të shkojnë në luftë, dhe do të pajisen me të gjitha sendet që u duhen. Si për herë këngët folklorike japin të dhëna sikur të jenë dokumenta të shkruara e të vulosura dhe përcillen me një bukuri artistike të rrallë. Vargjet në të gjitha rastet janë të “qepura e të qethura’’ dhe nuk ke se ç’heq apo shton:

Ne rrapi ne Bajua’

U mblodhë shtatë kura’

U vunë sira’-sira’

Me dufeq, silah,amza’

Me çamt, me matara’ .

Ka di çift bukë u dha

Seç i nxorri në derven

I nisi për në Jemen. ….

Treqind dhën e katërqind dhi ka Beqir Aliu, nga fshati Vërmik i Vlorës siç thotë kënga gati 200 vjeçare, që këndohet edhe sot në ato vise, një pasuri e madhe për kohën. Tani që ai do të iki nizam, familja do të shkatërrohet sepse djali është ende i vogël dhe vëllai në moshë të madhe:

I shkreti Beqir Ali

Treqind dhën, katërqind dhi

Se Çerçizi (djali) çilimi

Dhe Hoxha (vëllai) plak njeri

Më tej vijnë dy vargje të tjera dhe kënga mbyllet.

Mbenë koperia malit

Qajnë të zonjat e stanit

Me lotë e djersë ballit

Listat e bëra nga qeveritarët turq zbatoheshin me përpikmëri. Shpesh burrat e djemtë ia dilnin të fshiheshin maleve por koshadhja i ndiqte këmba-këmbës, duke i rekrutuar me forcë të fshehurit ose duke i ekzekutuar të pabindurit, të quajtur kaçakë:

Dovleti e pastë lanet

Në kope erdhi më gjet.

Më mori për gjashtë vjet

Malli më mbet për ibret

S’ka kush t’u japë përpjetë. 

Po ka keq e më keq. Kënga vijuese flet për një familje ku “defteri turk” s’dihet për ç’arsye shënonte tre djem të saj për të shkuar nizam: 

Te sheshi u ndothç i mjeri

Kur u këndua defteri

Tre vëllezër që jemi 

Të tre nizamë do vemi…

Pamja që jepet më poshtë, duket sikur të jetë ngjarje e zakonshme, ku të rinjtë nisen për shërbim ushtarak. 

Dal në gërxh e shikoj fshanë

Derë më derë po qajnë

Kush i pyeti se ç’kanë

U venë djemtë nizamë

Selanik, Arapistanë…

Më tej ngjarjet do të marrin ngjyrën e vdekjes. Kënga “thyhet” dhe rekruti nizam shpërthen duke parandjerë fatin që e pret:

…Qani moj të zeza qani

Shami të zeza të mbani !

Sa të vijmë nga nizami

Lotët për ne mos i thani.

Deri në Arapistan rruga është e gjatë, rrokullimë, gjithë tmerr e vuajtje. Kishte dhe nga ata që nuk do të arrinin deri atje e do të vdisnin rrugës nga vuajtjet e sëmundjet. Pa bukë, pa ujë, nën kërbaçin e komandantëve, që nuk u dinin as gjuhën e as zakonet, në vendet ku piqej kulaçi në diell, rruga zgjatej pambarim në marshimin cfilitës drejt të panjohurës, që më shumë ngjante me rrugën drejt ferrit (xhehnemit). 

Dhe ne nizamët e shkrretë

Jemen shkojmë si qetë

Tre sahat kaha xhehnemi

Aq afër ishtë Jemeni

As ujë as bukë u dhanë

Barit ju qepnë te hanë.

Në atë lemeri që po shikojnë çdo ditë ( të shkosh deri në Azi apo Afrikë në këmbë), të paditur e asnjë herë të larguar nga fshati i lindjes, nizamët e rinj pyesin njëri-tjetrin gjithë frikë e shpresë: 

Ki nizamllëku sa mba?

Mbase një vit e ca

Se kemi të zezat gra.

Dikush nga shokët ndoshta më i ditur dhe më me përvojë përgjigjet gjithë pezm: 

Ç’pijet o i zi ç’piet

Më shumë se shtatë vjet. 

Halli qenkish shumë më i madh nga sa ishte menduar! Nizami i ri i pafuqishëm tashmë me shpresa të humbura, i drejtohet gruas së re, në ligjëratë të drejtë sikur ta kishte aty pranë, të re e të bukur me trupin si ngjalë, e jelekun (peshlinë) e prerë plot sqimë ( hajduçe) zbukuruar me zogj e lule: 

O peshlilara hajduçe 

Kaqë qe kismet për ne.

Kaq qe kismet o njalë

Gjashtë vjet do shkoj nizamë

Nuk di në kthenem i gjallë…

Dheu s’do ma tretë mallë.

Sidoqoftë nusen ia ka lënë amanet nënës së vet: të kujdeset për të, t’i mbajë nderin e shtëpinë se edhe mund të kthehet një ditë:

Nanës i dërgon selam

Amanetin si e ka?

Nana thotë: “mirë e kam”

Mbillturë bërna në xham

Nuk të del as për bajram.

Më tej vjen britma-dëshpëruese si dërgesë-porosi, mijëra kilometra larg vendlindjes, se ndoshta zogjtë e qiellit apo era e shkretëtirës do ta çonte atje ku duhej. Porosia vjen nga djemtë e rinj, të pamartuar që u kërkojnë baballarëve:

O baballarë të mjerë

Vështroni bëni të tjerë

Se ne jemi për dovlenë.

Që kur mbërthiem dufeqnë

Edhe ngjeshëm xhephanen.

Për nizamët e rinj po bëhet e qartë se çfarë i pret ende pa vajtur në luftë. Duket një fatalitet, nga i cili shqiptarët nuk kanë për të shpëtuar kurrë.

Medet o shokë medet

Nizami për gjashtë vjet.

Si për gjashtë si për njëzetë

Shqiptari e ka haxhet.

Po ç’thonë e ç’bëjnë të afërmit atje në dheun e largët, në vendlindje, në anën tjetër të botës në vendin e bekuar që quhet Shqipëri? Meraku dhe dhimbja është e nënave për djemtë atje larg dhe për nuset e reja që tashmë s’dihet si do tu shkojë jeta. Nënat janë simbol i sakrificës, zëmërbardhësisë e faljes: ato do të bëjnë si do të bëjnë edhe pse nuk u ka ardhur ende lajm, por e kanë dhe një peng tjetër …

Edhe djelt u nisnë e vanë

Haber nanave s’u lane.

More djelm faqeburbuqe

Ku i latë të shkrretat nuse?

Nga ana tjetër nusja e heshtur dhe e bindur vajton gjithë brengë mungesën e të shoqit: 

Xullufe vetullkatran

Ç’ke që natë e ditë qan?

Më mbeti burri nizam…

Mbi shkaktarin e këtyre vuajtjeve të pafundme ngrihet mallkimi i tmerrshëm që bën të tundet malet e të dridhet toka. Është mallkimi i nënave që mbetën pa djemtë dhe nuseve që mbetën të veja me burrat gjallë:

O Stamboll more i shkretë

Raftë zjarri e të djektë

Që na mba trimat rrëpjetë!(lart) 

Të na vijnë tatëpjetë(posht)

Se janë të ra luletë

Pa zbardhur xullufjetë.

Sikur të mos mjaftonin vargjet e mësipërme, mallkimi i dalë nga thellësia e shpirtit vazhdon edhe më i fortë dhe plotësohet me vargun përgjithësues, të pamëshirshëm: “Stamboll u djegsh anembanë” , që nënkupton: “u shofsh me gjithsej,” “u zhduksh nga faqja e dheut”, “gur mbi gur mos të mbettë”:

Stamboll u djeksh anembanë

Që more burrat tanë

Ca redif e ca nizamë.

Më tej vargjet vijnë e qetësohen, janë më të shtruar, më të lodhur, plot helm e vrer, gati të pashpresë për gjendjen e krijuar nga gjarpri apo kuçedra që i ka zënë. Duket plaga e thellë ka zenë kore por dhimbja aty është. Është një këngë e shtruar, me iso të tejzgjatur, si kuje e ulërimë, që merr pllajat e luginat shqiptare e përfundon ndoshta në Arapistan. 

Shokë do të them një këngë

Gjarpëri që na ka zënë

Me këtë sulltanë qënë

Na mori kokën e gjënë. 

Tashmë fakeqësia është ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare. Bagëtitë janë pa çoban, arat pa mbjellë, kopetë pa barinjë, ndërsa taksat e perandorisë rriten e rriten. Durimit po i vjen fundi dhe paralajmërohet kryengritja e rradhës: 

Nizam e xhelepe s’ka 

Është vendi fukara 

Jetojmë me lakëra

Katër shtëpi me një ka….

Vargjet monumentalë: Pse lufton a derëzi/ Sos për mua a për ti/Po për gjithë Shqipëri, lajmërojnë se kryengritja e rradhës ka filluar. Ajo do të shtypet me zjarr e hekur, më vonë do të pasohet nga një tjetër e kështu me rradhë: Një histori plot fatkeqësi, luftra e sakrifica që do të vazhdojë katër shekuj e gjysëm. 

*Këngët që shoqërojnë këtë shkrim janë marrë nga folklori i Jugut, kryesisht ai çam

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

BATUTA

April 5, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Çfarë s’po shihet në fushatë. Shqipëria ka dalë në shitje, lirë fare, e ndarë në copa. Vetëm kryetarë shihen, që premtojnë gjëra që nuk i kanë, ose ato që s’kanë mundur t’i realizojnë gjatë viteve në pushtet. Njëkohësisht s’pranojnë asnjë gabim dhe thërrasin se zgjedhjen e kanë të sigurt; të tjerët janë thjesh numra, qofshin edhe kandidatët për në Foltore, ku vetëm një parti flet e dëgjohet; Kuvend nuk mund të quhet. Populli përdoret për konsum a ‘mish për top’, dhe vendi konsiderohet si pronë për ta ndarë me cilin ‘numër’ të duan. Kreu i qeverisë mendon se është Perandori: “Me këtë opozitë, qendroj në pushtet 1500 vjet”, thotë. Pak më tej nga Kryeministria, në të njëjtin Bulevard, Kreu i shtetit bërtet se është opozitë, edhe pse çdo ditë paraqitet për punë në pallatin e Presidentit. Partia e tij LSI duhej të quhej Lëvizja Socialiste Informale, si e gjindshme në kohë të vështira. Sa të mbrapshtë janë këta njerëz dhe nuk e kuptojnë se janë; si hordhi, sytë iu janë veshur; ata që u shkojnë pas janë të një lloji, në mos më keq bëhen kur marrin një post. ‘Psikologji e kundërt’ quhet kjo taktikë që përdorin për të sulmuar kundërshtarin; manipulojnë për t’i shtyrë njerëzit të bëjnë të kundërtën; inkurajojnë kundërshtarin të mos arrijë synimin. Dhe e përdorin këtë teknikë qëllimisht, djallëzisht, duke e shtrembëruar – ndryshe nga një prind që mund të përdorë psikologji të kundërt tek fëmija i tij, duke i thënë – “Ti ndoshta nuk je në gjendje ta mbarosh pjatën” – në mënyrë që fëmija ta mbarojë. Ndërsa mund të shihet si mënyrë për të manaxhuar sjelljen e një personi tjetër, kjo psikologji e kundërt përdoret si formë manipulimi; dhe gjuha e saj është “batuta” – fjalë nga spanjishtja për “shkop dirigjenti” – që jep shenjën, se kur duhet të fillojë dhe kur duhet të mbarojë e qeshura. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Batuta

VAKSINA COVID, PËRSE FUSHATAT E HUNGARISË DHE SËRBISË SHKOJNË MIRË

April 4, 2021 by dgreca

-E NUK JANË TË PËRSËRITËSHME N’EVROPË–

Nga FEDERICO FUBINI/Përktheu Eugjen Merlika nga Corriere della Sera/

Një nga vështrimet më të habitëshme të kësaj vale të tretë të pandemisë n’Evropë është ai që regjimet më iliberale, shtypës e të korruptuar  tregojnë  – për çastin – përfundimet më të mira të vaksinimeve. Hungaria e kryeministrit Viktor Orban paraqet mbulesën më të lartë të Bashkimit evropian, 27 % të popullsisë  simbas Our World  në Data. Sërbia e presidentit Aleksander Vuçiç mund të lëvdohet me më të lartën e Evropës kontinentale, 34,1%. Sisteme të errët e autoritarë  mund të përpunojnë gjithmonë informacionin për t’u dukur më të mirë, por me gjasë në këtë rast nuk ka shkuar kështu. Të dhënat duken të vërteta. Fushata vaksinore e dy sistemeve të sunduar nga drejtues autokratë dhe nga një grup I vogël të shumëbesuarish e hajdutësh të natyrave të ndryshme, me të vërtetë po shkojnë përpara më shpejt. Në përpjestim, Italia, Franca ose Gjermania kanë mbuluar pak më shumë se sa gjysma e popullsisë në krahasim me Hungarinë e më pak se gjysma në ballafaqim me Sërbinë.

Vaksinimi falas për turistët në Sërbi

Qeveria e Beogradit duket aq e sigurtë në vetvete sa që në fundjavën tjetër, ka njoftuar një veprim relatash publike të menduar për të nxitur turizmin: jep vaksinime të menjëherëshme e falas për cilindo të huaj që paraqitet në qëndrat shëndetësore të Sërbisë. Në kufijtë e Bosnje – Hercegovinës, të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut janë krijuar rradhë të gjata me familje të tëra, të gatëshme për të kaluar një pushim në Sërbi mjaft që të jenë të siguruar nga Covid-19. Albawings , një shoqëri e vogël ajrore low cost e Tiranës që fluturon për n’Itali, papritmas në fundjavën e fundit ka organizuar charter të përsëritur për fluturime të shpejta vajtje ardhje nga Beogradi.

Nuk është natyra e sistemit politik që siguron këtë efektshmëri të dukshme të autokratëve. Janë disa zgjedhje që Vendet e tjera të kontinentit e pjesa m’e madhe e popullsive të tyre, pothuajse gjithkund nuk do t’a pranonin: Orban e Vuçiç kanë blerë dhe përdorur Sputnik V e Sinopharm para se të kishin çfarëdo njofturije mbi efektëshmërinë e tyre e mbi sigurinë e tyre. Dy drejtuesit i tregojnë popullsive të tyre, të varfëruara e të traumatizuara nga pandemia, që nënështrimi ndaj mbrojtjes së Moskës e të Pekinit ka qënë i dobishëm. Megjithatë ende sot vaksina ruse nuk është autorizuar nga asnjë agjensi barnash perëndimore, ndërsa mbi vaksinën kryesore kineze mungojnë madje edhe studime paraprake të këshillueshme në pjesën tjetër të botës. Ndërkaq Orbani e ka vënë në përdorim. E Vuçiçi ka puthur flamurin kinez, duke pritur në Beograd një ekip të vogël mjekësh të dërguar nga Pekini.

Problemi i dozave

Bëhet fjalë për një model pamundësisht të përsëritshëm në pjesën tjetër t’Evropës. Do t’ishte edhe nëse në t’ardhmen Agjensia evropiane e barnave do të porosiste përdorimin e Sputnik V e do të kishte zbuluar diçka më shumë mbi Sinopharm-in që, deri tani nuk ka paraqitur kërkesë autorizimi n’Evropë. Vaksina ruse në fakt është në gjëndje të ketë një farë ndikimi në Vende relativisht të vegjël si Hungaria (më pak se dhjetë milion banorë) ose Sërbia (më pak se shtatë milionë), jo në Bashkimin evropian në tërësinë e tij, ose në Vëndet e tij të mëdha. Thjesht nuk ka një numur të mjaftueshëm dozash të Sputnik V për të bërë ndryshimin.

Përça e sundo

Siç vërente Fabrizio Dragosei në Corriere, Rusia nuk ka bioreaktorët dhe aftësitë industriale për të prodhuar vaksinën e saj; një pjesë e rëndësishme e përpunimit është shpërngulur në Hindi, e cila, së fundi, ka mbyllur kufijtë e eksportimit të dozave deri kur të ketë mbuluar së paku një të pestën e popullsisë së saj prej 1,4 miliard banorë. Sa i përket Sinopharm-it dhe vaksinave të tjera kineze,  bëhet i pamundur përdorimi në Vendet demokratike pa patur asnjë siguri mbi pasojat e tij. Pra Sërbia dhe Hungaria nuk janë një model. As për vaksinat. Megjithatë veprimi i marrëdhënieve publike të vëna në shenjë nga Pekini e Moska mbetet i fuqishëm. Është loja e lashtë e “përça e sundo”, e luajtur mbi truallin e kufijtë e Bashkimit evropian. Lajmërim – për atë që don t’i besojë – se nënështrimi Rusisë dhe Kinës sjell mbrojtje dhe siguri, veçanërisht për regjimet iliberale dhe drejtuesit e tyre.

Corriere della Sera, 31 mars 2021              

Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Hungaria, Serbia, Vaksina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT