• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR FEHMI AGANIN…

May 14, 2025 by s p

Mehmet Kraja/

Fehmi Aganin e kisha profesor të sociologjisë në vitin shkollor 1971/72. Amfiteatri i Pedagogjisë atëbotë mbushej plot studentë, qoftë sepse sociologjia ishte lëndë e vitit të parë për të gjithë studentët e degëve filologjike, qoftë edhe për faktin se ligjërimi i Fehmi Aganit, duke qenë permbajtësor, i qetë dhe i prajshëm, ishte, si të thuash, një derë jo aq e frikshme për të hyrë në botën e mistershme të dijes. Shumë vjet më vonë, u takuam dhe u njohëm më nga afër, në fund të viteve ’80.

Ne, që ishim më të rinj, ishim entuziastë dhe idealistë. Ai ishte racional dhe më i përmbajtur. Së bashku themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nuk them se u pajtuam për çdo gjë. Kishim mospajtime dhe ndonjëherë pikëpamje krejt të ndryshme. Por unë atëherë e kuptova se vokacion themelor i Fehmi Aganit nuk ishte sociologjia, por mendimi politik. Ai e lëvronte atë fushë me shumë gjeturi dhe fleksibilitet.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike mori përmasat e një gjiganti që nuk sundohej dot as nga themeluesit e saj. Kur filloi të improvizonte pushtetin, LDK u bë hapësirë e ngushtë, frymëxënëse dhe frymëmbytëse për lirinë e mendimit. Me gjithë mospajtimet që konceptualist na largonin, e çmova dhe e nderova Fehmi Aganin në heshtje, pa dijeninë e të tjerëve, për një arsye krejt të veçantë dhe të çuditshme: sepse de fakto, ndonëse nuk u tha asnjëherë zëshëm: Fehmi Aganin e përjashtuan dy herë nga kjo parti!

Kjo më bënte aleat me të, në punë të mendimit të lirë.

(Fjalë rasti në çeljen e ekspozitë në Akademi)

Filed Under: Analiza

KUR VDEKJA I JEP JETES DRITE …

May 14, 2025 by s p

(Mes  kujtimesh  të  një  ditari)

DR. EDUARD A. SKUFI – ATHINE

A ka gjë më të bukur kur arsyeja njerëzore i nënshtron  emocionet e dhimbjes dhe të trishtimit dhe lind dedikimin njerëzor  në  shkallën e  humanizmit suprem dhe të pa besueshëm. Kur  duhet  të  nënshtrosh  instiktet, nënkoshiencën  për të ndërmarr një  akt,  duke mohuar  në  një  shkallë  vetveten,  deri  në   një  vetsakrifikim   heroik  të  vetëdijshëm. 

Sado vite të kalojnë madhështia dhe magjepja  e  atij vendimi  do të  mbetet e amalguar mes shpirtit  dhe  zemrës time, një dramë  që  tranformohet  në një  lirikë  sugjestionuese që  lind vec  admirim. Sepse bukuria  dhe atraksioni i  jetës  fshihet  në  zakonshmërinë  e  saj, ku  flet  sonata  spirituale. Dhe mendimi piketon në referimin esencial të filozofit modern englez, nobelistit B.Russell:” Jeta me vlera  është ajo  që inspirohet nga  dashuria  dhe  udhëhiqet  nga  dijet “!

…Pranvera e vitit ’91 i ofroi doktorit të  shquar athinas oftalmolog, Arit një  surprizë  të  dhimbshme. Fëmijët morën biçikletat dhe bashkë me të jatin shëtisnin mes një lëndine. Vajza e tij e vetme rreth 6 vjeç, çapkënja  Zoi  mblidhte  mimoza  bashkë me   lule  fushe, thurte verore  dhe ua dhuronte  vëllezërve, mes tingujve  të  këngës  së  pranverës. Me mbarimin e asaj shëtitjeje të  këndshme u kthyen në vorbullën e zhurmshme  të  qytetit. Kur nga tjetër e bulevardit u shfaq  kiosku  mes ngjyrash  dhe lodrash, fëmijët kërkuan akullore, që ishin dhe të parat e stinës. Ari u dha paret dhe i këshilloi të jenë të kujdesshëm nga trafiku. Por Zoinë e rrëmbeu dëshira dhe vrapoi e  vetme drejt kioskut. Mori akulloren  dhe filloi  ta  shijoj me ëndje, duke mos kontrolluar në kthim rrugën  automobilistike. Një  klithmë “ mos!!”, thyeu  zhurmën  dhe në atë cast një makinë me shpejtësi  e  rrëmbeu  dhe e  përplasi  në  tokë. Ari fillimisht ngriu,  mandej  mblodhi  veten  dhe  shpejt  vrapoi  drejt  vajzës. Vajza e shtrirë, e kapitur në gjumin traumatik, rreth kokës i rridhnin rrëke gjaku, që vijëzonin në fytyrën ëngjëllore të zbehtë të saj, me sytë e kaltërtë pak të hapur. Por ruante  refleksin  pupilar dhe  ritmikën e pulsit. Lulet e mimozës ishin shpërndarë si kurorë, ndërsa akullorja  tashmë me gjak ngjyrosur ishte kthyer në  imazhin e një  lulekuqe  të  këputur,  mbetur  e  vetmuar. Ato çaste të lumtura një moment  i hidhur i  ktheu  në  tragjedi. Me autoambulancën e  urgjencës e  transferuan  në  spital. Ju nënshtrua terapisë intensive në reanimacion, por pa rezultat. Mbas pak ditësh Ari pasi bisedoi me mjekët,  tërhoqi gruan nga dora  dhe në një drithmë të zërit i tha : “Shkojmë tek vajza “. Ajo nuk nxorri fjalë por  shikimi thoshte  “pse”? “ Ta takojmë për herë të fundit”. Po si ta duronte  atë zemra e një nëne. U bënë një  mbi  trupin e vajzës, e mbytën me lot e dhimbje dhe u larguan. Ishte moment trishtimi që të afron por dhe të sposton,  kur dallgët e mendimit dhe dilema  të  plasarit  zemrën  dhe  shpirtin , sado   i  fortë  qofsh! 

Konfirmimi i vdekjes encefalike të vogëlushes i lindi mendimin sa madhështor aq dhe të pabesueshëm, duke e mposhtur sentimentin prindëror. Nuk donte të varroste zemrën e vajzës, donte  që  vdekja  e  saj  të  jepte  jetë… kështu  vendosi  ti fali organet vitale të saj, si donator për transplantim. Papritmas u kthye  nga  shefi  i reanimacionit   dhe  në  një  finale  shpërtheu.

  ” Largojeni vajzën nga aparatet e suportit. Ajo do të mbetet në jetë qoftë dhe me metasarkosin në trupa të tjerë , duke i dhënë dritë  jetës së tyre”…Ajo ishte si një finale Bethoviane që shkaktoi sizmikë në shpirtërat  e të gjithëve dhe  një  heshtje  respekti. Ari e ktheu dhimbjen në një ndjenjë humanitare sublime, hyjnore, në dedikim  për të  pamundurit. Ishte fytyra e mrekullisë të  mjekësisë  moderne  dhe  heronjëve të rinj, të  saj. Pasi  ndoqi  me korrektësi anën legale dhe etikën  deontologjike mjekësore,  mposhti  egon dhe filloi  procedurën. Sfida e jetës i copëtoi shpirtin, por ai  me vetmohim i bashkoi ato copëza       me dhimbje   në  një   mozaik  dedikimi…“Kur madhështia e  njeriut  qëndron tek  vendimi i tij, për  të qenë më i  fortë  se  gjendja në  të  cilën  ndodhet”, sic referon me  elegancë nobelisti  aq i  shquar  francez  Albert  Camus.                     

Kështu në një  “marathon” humanizmi  e  motivimi,  mbase  atipike, Zoija  si   engjëll virtual  e  shtriu shpirtin e saj në pesë vëllezërit e rinj spiritualë, në Paris tek Zhani dhuroi mëlcinë, në Gjenevë tek Ana Maria dhuroi veshkat, në Londër tek Wiliami mushkëritë, zemrën tek Aisheja në Konstandinopol, ndërsa kornenë e dhuroi në Tiranë tek Fatmira nga Tepelena. Por surprizën dhe sfidën më të bukur Dr.Arit ja bëri i ati i Fatmirës në një telefonatë: “ Doktor i nderuar, i tha . Na bëtë dhuratën më të çmuar për vajzën time me distrofi korneale dhe  pamje të ulët, duke na dhuruar transplantin nga syri i vajzës tuaj. Ju lutem, çojeni misionin tuaj fisnik deri në fund, jepini  dritën  vajzës time me  duartë  dhe  zemrën tuaj. Dhe ashtu  ndodhi me ekipin e tij, në të cilin me kënaqësi kontribuova dhe unë, në një  klinikë  private  në  Athinë, u relizua operacioni  me sukses. Kështu Fatmira ose “Ali Pashina” sic e quajti Dr.Ari, e suportoi  transplantin me mikpritje  dhe  drita  e Zoisë shkëlqeu  në  sytë  e  saj.  Ishte moment  tepër emocionant dhe mbresëlënës, kur Ari  po vendoste  transplantin  e vajzës së tij në syrin e Fatmirës. Mbretëronte  një  qetësi  e  cuditëshme, një moment hyjnor mbase heroik, kur shkalla e humanizmit suprem  nënshtron dhimbjen  e shpirtit. Kështu mungesa e Zoisë u  kthye në  kufijtë e  një relativiteti, pasi ajo mbeti  prezente  në jetë , duke  ndricuar  ato  shpirtëra  të   vuajtura. Gjithashtu  ajo  u konvertua në  skulpturë   që  zbukuron  gliptotekën   e  humanizmit!         Në përfundim të operacionit doktori hoqi maskën, ktheu kokën mënjanë, fshiu sytë  e  përlotur dhe  puthi  në ballë  Fatmirën. Gazetat e atyre ditëve e publikuan si sensacion, por ai refuzoi intervistat. Referimi i Dr.Martin Luther King Jr. hedh dritë mbi të :”Njeriu vdes kur refuzon të mbajë  qëndrim  për atë  që  është  e  drejtë   dhe  e  vërtetë”… 

Mbas  gjashtë muajsh në klinikë  si  me porosi u gjendën Fatmira  dhe  Aisheja si dy motra. U bashkua  drita e fituar e syve dhe  zemra e Zoisë, në një takim  shpirtrash. Pak ditë më parë tre të tjerët, kishin njoftuar për pajtushmëri të plotë të transplantit me rivendosjen   e  funksioneve  vitale. Sa lumturi… 

Kështu Dr.Ari ofroi një standart të etikës njerëzore në përmasa të pazakonta. Ai ndryshoi mentalitetin e kohës por dhe hapi shtigje të reja të humanizmit dhe vlerave të transplantacionit,     (i inspiruar  nga mjekësia  antike helene dhe si përkrahës i Dr.Ch.Bernard, aplikuesit të transplantit të  parë në Cape Town). Si çështje që kërkon një shqyrtim të veçantë etik, duke u bazuar tek altruizmi dhe utilitarizmi dhe që simbolizonte shpresën dhe jetën.Madje ai vuri një raport logjik midis impaktit shkencor dhe atij spiritual, kur zakonisht  kjo  e  fundit  mbetet  në inferioritet. Por “ madhështia e humanizmit  nuk është në qënien njerëzore por në të qënit njerëzor “,  citon eticisti i shquar  M.Gandi. Ajo  ndodhi shpërtheu, si “March”-i tronditës i Schubertit në kulminacion dhe  në finale u transformua në “Serenadë”-n e tij, në një  sens  humanitar  magjepës, veç  për  më   tepër  unikal.  Pra, Jeta …si  iluzion në vegim, ku lumturia matet me çaste, ku pasuria dhe  lavdia  kalojnë  transit, ku vecse ikona e njeriut  mbetet, por  ku  dhe  vdekja  mund  ti  japi  dritë  jetës, dhe jo vetëm…Një ditë të bukur pranvere mbas tre vjetësh, Fatmira ofroi një surprizë të bukur. Po ngjiste shkallët e mermerta të klinikës duke mbajtur nga dora vogëlushen e saj, ndërsa doktori po dilte. “Doktor tha, të solla Zoinë”. Ai për momentin shtangu, mandej vogëlushja ju hodh në qafë. Doktori mes emocionesh e puthi vajzën, dhe nga zëri tij i dridhur u dëgjuan fjalët “Shpirt i vogël, më solle gëzimin”. Kështu u bënë një  dhe  mes hares u larguan.   

…Kaluan  rreth  katër  dekada dhe kjo ngjarje ruan aktualitet  dhe  vlera  të  një humanizmi të  vecantë, që kolegu e ktheu në postulat virtyti, kur drama u konvertua  në një  lirikë  admiruese, që  kontribuoi në perceptimin dhe pranimin e  konceptit  të  rinovuar  të  transplantacionit. 

Filed Under: Analiza

Skënderbeu, strateg dhe arkitekt i një projekti europian për Shqipërinë

May 10, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Libri i Virgjil Kules, Kryqtari i Fundit, nuk ndjek trajektoren klasike të rrëfimeve  patriotike. Ai nuk përqendrohet vetëm në lavdinë e betejave, por hulumton rrënjët e projektit të  Skënderbeut për çlirim. Autori e paraqet Skënderbeun si një figurë që, që në kohën kur ishte  pjesë e administratës osmane, kishte filluar të ndërtonte një rrjet të mendimit dhe të veprimit  politik në favor të një mbretërie arbërore të krishterë (Kule 2018, faqe 24, 25). 

Risia metodologjike që sjell Kule është ndërtimi i një “ditari diplomatik” të veprimtarisë  politike dhe ushtarake të Skënderbeut, duke renditur ngjarjet dhe dokumentet sipas rendit  kronologjik të viteve dhe muajve, në mënyrë që të shmangen interpretimet jashtë kontekstit  historik (Kule 2018, faqe 7–8). Kjo strukturë i jep lexuesit ndjesinë e zhvillimit të një mendimi të  qëndrueshëm dhe të qëllimshëm që zgjat mbi dy dekada, e jo të një reagimi të çastit apo  instinktiv. 

Metoda hronotopike që përmend autori – lidhja e dokumenteve me kohën dhe hapësirën  konkrete – është qasje që krijon një narrativë logjike ku çdo ngjarje merr kuptim në funksion të  projektit madhor të Skënderbeut (faqe 8–9). 

Kapitujt kushtuar periudhës osmane të Skënderbeut janë të thelluar në këtë libër. Kule  analizon në detaje se si funksiononte sistemi i devshirmesë dhe shkolla Enderun, ku përgatiteshin  kuadrot më të lartë të Perandorisë, dhe ku Skënderbeu u trajnua si iç-oglan (faqe 14–18). Ai u  përfshi në elitën e sistemit, kaloi filtrat e meritokracisë, zotëroi gjuhët osmane, persiane, arabe e  më vonë edhe ato perëndimore si greqishtja, italishtja e sllavishtja (faqe 17–18). 

Por më pas, ai përdori këtë formim jo për të forcuar Perandorinë, por për të ndërtuar  strategjinë e shkëputjes prej saj. Kjo e bën figurën e tij më komplekse, por edhe më të lavdishme  – një lider që e njihte sistemin nga brenda dhe vendosi t’i dalë përballë me instrumentet e dijes. 

Autori dokumenton qartë përpjekjet e Skënderbeut për të krijuar lidhje me fuqitë kryesore  të krishtera të kohës. Ai përshkruan me hollësi kontaktet e fshehta me Huniadin, me Papën  Eugjeni IV, me Venedikun dhe me mbretin Alfons të Napolit (faqe 27, 29, 30, 31). Mesazhet e  dërguara prej tij në këto qarqe nuk janë thjesht kërkesa për ndihmë, por oferta konkrete për  ndërtimin e një fronti të dytë antiosman në Ballkanin jugperëndimor, paralel me frontin hungarez  (faqe 23–24, 31).

Në këtë kontekst, Skënderbeu shfaqet jo si një prijës i izoluar lokal, por si një aktor që  ndodhej në qendër të gjeopolitikës së shekullit XV. Ai kishte kuptuar se Shqipëria ishte nyja që  mund të lidhte Adriatikun me rezistencën kontinentale, dhe e përdori këtë pozitë për të ndërtuar  aleanca të qëndrueshme. 

Kryqtari i Fundit është një kontribut me vlerë për të kuptuar më thellë figurën e  Skënderbeut. Ai nuk e sheh heroin si simbol abstrakt, por si mendje realiste që punoi  sistematikisht për një qëllim të madh kombëtar. Kule e vendos Skënderbeun aty ku e meriton: jo  vetëm në historinë e betejave, por në historinë e ideve politike dhe të diplomacisë shqiptare. 

Në një kohë kur ne shpesh harrojmë se historia jonë ka pasur edhe vizion përtej  qëndresës, kjo vepër na rikujton se Skënderbeu ishte edhe strateg, edhe arkitekt i një projekti  europian për Shqipërinë. Dhe kjo është arsyeja pse ai mbetet i fundit ndër kryqtarët dhe i pari  ndër ne. 

Reference:  

Kule, V. (2018) Gjergj Kastrioti Skenderbeu – Kryqtari I Fundit. Fast Track Albania

Filed Under: Analiza

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”

May 9, 2025 by s p

Genc Prelvukaj/

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, pata nderin ta ndaja me panelistët dhe pjesmarrësit recensionin tim për veprën “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme” me autor z.Bardhyl Mahmuti. Menjëherë më poshtë, për secilin që ka interesim, është vënë teksti i plotë.

I nderuar veprimtar e patriot, njëherit autor i disa botimeve me peshë për betejat ushtarake dhe politike të shqiptarëve të Kosovës, z.Bardhyl Mahmuti.

Të nderuar veteranë të luftës, të burgosur politikë, gazetarë, publicistë, figura të dalluara të artit, kulturës dhe shkencës, ushtarakë, deputetë, zonja dhe zotërinj.

Trajtimi shkencor i zhvillimeve politiko-ushtarake në retrospektivë, apo në kontekstin historik, nënkupton një çështje komplekse, sidomos në rastet kur botimet në fjalë kanë për autorë njerëz të përshirë në beteja të cilat e tranformuan për të mirë jetën e një shoqërie etnike. Në këtë aspekt, janë dy faktorë themelorë që përbëjnë rrezik për një narrativë të shëndoshë shkencore: synimi për protagonizëm politik apo lartësim artificial të krediteve personale, si dhe kurthi emocional ku autorët e sipërthënë mund të rrëshqasin duke kaluar në subjektivizëm të plotë gjatë trajtimit të ngjarjeve. Mirëpo, këto dy elemente nuk duken në narrativën e z.Bardhyl Mahmuti mbi historikun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në këtë kontekst, ky botim veçse i pasuron raftet e literaturës.

Në mjedisin vendor, deri në këtë kohë, janë publikuar punime mbi beteja dhe personalitete ushtarake, janë hedhur në letër kujtime burgu e lufte, mirëpo duket se ka një deficit përsa i takon kontributit të formacionit diplomatik të UÇK-së, pa aktivitetin e të cilit vështirë se mund të arrihej objektivi për çlirim. Për më tepër, deri më tani në opinion publik kanë qarkulluar vetëm informata sporadike, rrëfime me artikulim të varfër, ose intepretime të pasakta për të ngatërruar çdo gjë më pas. Prandaj punimi për të cilin diskutohet, ndonëse i realizuar në formë interviste të zgjëruar, së pari korrekton ato që mund të ishin thënë gabim, e më pas shton vëllimin e të dhënave duke plotësuar kështu narrativën mbi këtë segment të luftës.

Në shkencë materialet klasifikohen mbi premisën e risisë shkencore, për më kuptueshëm një punim mund të interpetohet si i dobishëm vetëm nëse përmban të dhëna që nuk janë botuar më parë, ose edhe në rastet kur studiuesi ka një vështrim tërësisht tjetër nga studiuesit paraprakë. Në rastin e veprës së z.Mahmuti, ndonëse gërshetohen të dyja anët, sërish fokusi kryesor qëndron të pasqyrimi i disa informatave, të cilat nuk kanë depërtuar më herët në opinionin publik. Si shembull konkret mund të merret rrëfimi mbi kontributin e kreut të shtetit shqiptar, z.Fatos Nano, i cili në rrethana tejet komplekse i kishte mundësuar grupit diplomatik të UÇK-së një takim me ambasadorin amerikan Richard Holbrooke, takim që trasoi më pas rrugën për një partnership më të avancuar të shqiptarëve me faktorët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, në kuadër të veprës, përmes metodës hulumtuese dhe krahasimtare, autori bën denoncimin e pasaktësive dhe sidomos tendencës manipulative të strukturës shtetërore serbe, e cila ka provuar që ushtarakët e vrarë në beteja ti klasifikojë si civilë të vrarë nga repartet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, mjeshtërisht janë hulumtuar rastet, kur në materialet të cilat shërbimi informativ serb i ka plasuar në opinion si lista të civilëve të vrarë nga shqiptarët, shfaqen individë, identiteti i të cilëve është sajuar, domethenë njerëz që nuk kanë jetuar kurrë. Për ta argumentuar më mirë nivelin e propagandës, diskutohet edhe rasti në Pejë, ku në dhjetor të vitit 1998 gjashtë serbë vriten nga vetë forcat serbe për ti akuzuar shqiptarët më pas.

Në kuadër të takimeve ndërkombëtare, në të cilat formacioni diplomatik i UÇK-së ishte mandatuar për të ndërtuar raporte sa më korrekte me autoritetet perëndimore, duke i informuar saktë mbi qëllimet e luftës, si dhe për ta argumentuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shtetësi, z.Mahmuti përmend edhe disa takime të cilat duket se kanë pasur impakt pozitiv në kancelaritë e forcave të mëdha. Si raste konkrete listohen takimet me Doris Pack, Woflgang Schussel, van Aarsten e kështu me radhë. Më pas, brenda punimit, janë vënë në dispozicion të publikut edhe kujtimet mbi diskutimin tridhjetëminutësh të delegacionit të UÇK-së në Parlamentin Europian, si dhe debatet që pasuan më vonë.

Përmes imazheve autentike dhe referencave serioze, brenda veprës argumentohen edhe krimet serbe të cilat për të rrënuar imazhin e shqiptarëve, ishin realizuar nën uniformën e UÇK-së. Pastaj, janë shtruar në tavolinën shkencore veprimet e disa shqiptarëve të orientuar gabimisht, për të cilët autori, gjithnjë përmes provave, konkludon se ishin rekrutuar nga shërbimi serb. Ndërkohë, në mënyrë të vëmendshme trajtohen vrasjet e intelektualëve shqiptarë nga forcat serbe, sikurse rasti i Fehmi Aganit ndaj të cilit z.Mahmuti duket se ka pasur konsideratë. Për më tepër, këtu demaskohet edhe tentativa e strukturës shtetërore serbe për të manipuluar rastin e sipërthënë, përmes hetueses Danica Marinkovic, e cila ishte shndërruar në instrument përndjekës të kriminelit të luftës Milosevic.

Në brendi të punimit, në mënyrë të detajizuar, është përshkruar edhe anatomia, mënyra e operimit, platforma, orientimi dhe qëllimet e LPK-së, e cila konsiderohet si një mjedis politik prej ku mori jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kundrejt kësaj teme, pjesa më interesante ka të bëjë me sqarimin e pozicionimit ideologjik të saj duke dhënë argumente serioze kundër ndërlidhjes së supozuar mes LPK-së dhe strukturës komuniste të Republikës së Shqipërisë. Më pas, ka shumë peshë korrektimi apo kritika mbi perdorimin e disa nocioneve të gabuara në diskursin publik, sidomos në rastin e përkufizimit të Lëvizjës Popullore të Kosovës dhe formacioneve tjera të përafërta si organizata ilegale. Në këtë kontekst, z.Mahmuti e shtron diskutimin me bazë të fortë artikuluese dhe faktografike, duke apeluar të evitohet një cilësim i tillë, pasiqë apelativi ilegal ka tjetër konotacion në fjalorin socio-politik, krahasuar me atë cfarë përfaqësonin shoqëritë e sipërthëna kombëtare.

Për opinionin publik, përfshirë këtu komunitetin shkencor, është me interes rrëfimi, sipas të cilit grupi diplomatik i UÇK-së, krahas tjerash, e ka pasur për preokuptim edhe shpartallimin e propagandës serbe, sidomos atë pjesë ku pasqyrohej struktura luftarake shqiptare si lëvizje me prapavijë konfesionale dhe jo si e motivuar kombëtarisht. Për ta argumentuar këtë z.Mahmuti ndan me publikun informata nga diskutimet me delegatë amerikanë të cilët paraprakisht kishin kërkuar sqarime shtesë mbi këtë çështje. Ndërkohë, bëhet e ditur se ka pasur një numër të konsiderueshëm takimesh në tryeza diverse ndërkombetare, në të cilat është dashur të rrënohet propaganda e sipërthënë, duke garantuar me fanatizëm se ekstremizmi fetar dhe platforma e UÇK-së nuk takoheshin në asnjë pikë të vetme.

Substanca e këtij botimi pasurohet edhe më tej, sidomos kur trajtohen disa çështje komplekse brenda vetë strukturës së LPK-së, me çrast përmbysën disa pretendime dhe korrektohen mjaft informata ta që patën zënë vend në diskursin e mëvonshëm politik. Njëkohësisht, me një artikulim fantastik bazuar në kërkime precize, është përshkruar roli i ambasadorit William Walker në raport me aktet gjenocidale serbe, ndërsa duket tejet interesant edhe replika e z. Mahmuti ndaj pretendimeve për një rol destruktiv të z.Adem Demaci në raport me idenë e bisedimeve apo zgjidhjes politike.

Ndonëse duket proces kompleks për ta përshkruar në pak fletë, megjithatë autori ka arritur ta ndërtojë objektivisht një histori të shkurtër të procesit të Rambujesë. Duke qenë vetë një ndër protagonistët kryesorë në detyrat diplomatike të UÇK-së, të dhënat e prezentuara në këtë botim lidhur me konferencën, marrin rëndësi shtesë. Për studiuesit e historisë kanë mjaft relavancë interpretimet që ndeshen brenda botimit, në raport me zhvillimet në prapavijë të bisedimeve shqiptaro-serbe.

Në pjesën fundore të librit ka një diskutim të pasur rreth veprimeve të Carla del Pontes, për të cilën z. Bardhyl Mahmuti, me të drejtë, shprehet se kishte rënë nën ndikimin e shtetit serb. Në fakt, nëse lexohen me kujdes argumentet brenda këtij botimi, zonja në fjalë del të ketë qenë një surrogat, pra ka punuar nën direktivë duke mos pasur mendim personal në raport me çështjet e hedhura në publik. Krejt në fund, preken edhe disa tema komplekse juridike, derisa më pas diskutohet për raportin e hartuar nga Dick Marti, me të cilin z.Mahmuti ka pasur edhe një polemikë publike.

Si konkluzion, Ushtria Clirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme, është një libër i rëndësisë kapitale për sa i takon historisë, pasiqë në të gërshetohet analiza objektive me rrëfimet autentike të një personaliteti, kreditet e të cilit janë të larta në raport me aktivitetin kombëtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Analiza

Një odaliskë moderne e sopranos Gjyzepina Kosturit

May 8, 2025 by s p

Luan Rama/

Fotografinë e kësaj pikture e kisha parë para dy vjetësh në shtëpinë e Volfi Kosturit, në Udine të Italisë dhe ishte vërtet një surprizë për nga eleganca, kompozimi, ngjyrat, tonacionet e së kuqes, linjat e atij trupi të shtrirë me një vështrim të paqtë, disi të ëmbël dhe me një vështrim ëndërrues : ishte soprano jonë e famshme Gjyzepina Kosturi. Nuk ishte një pikturë « veriste » siç e cilësonin piktorin që e kishte realizuar, Mario Ridola, i cili kishte ardhur në fillimin e viteve ’30 në Tiranë. Padyshim pikturë ne një lloji tjetër. Ai kishte devijuar nga fryma e pikturës së tij, nga peizazhet dhe figurat ekzotike të pikturuara në jugun e Italisë apo në brigjet e Afrikës. Kjo tablo, ndoshta e vetme, ishte diçka tjetër. Përse vallë ? Në krijimtarinë e tyre artistët ruajnë gjithnjë enigma…

Volf Kosturi më dhuroi para pak kohësh botimin e Bruno Castagna, nipit të piktorit, i cili kishte botuar vjet në hpamazh të gjyshit të tij, të titulluar “Mario Ridola – La maggia della pittura verista”. Interesante është kapitulli “Luci d’Oriente” ku janë vendosur tablotë e realizuara me temë nga Napoli, Libia, Albania dhe Catanzaro, ku është dhe një tekst i kritikut tonë të njohur Ferit Hudhri me titull : “Kthimi i piktorit Mario Ridola”. Në vitin 1931, në Tiranë ishte krijuar “Shoqëria Miq’t e Artit” nga Andrea Kushi, Odhise Paskali, Qenan Masarea etj, të cilët hapën dhe ekspozitën e parë të pikturës në “Kafe-Kursal” me disa piktorë që ekspozuan veprat e tyre: Kolë Idromeno, Vangjush Mio, Odhise Paskali e madje dhe piktore femra. Ridola, do të drejtonte në këtë kohë “Shkollën e vizatimit” në Tiranë me nxënësit e parë si Fadil Pullumi, Gani Strazimiri, Ibrahim Kodra, Zef Bumçi, Stefan Mara Sadik Kaceli, një nga piktorët e rinj që spikati menjëherë.

Nga Ridola, në këtë libër janë botuar tablotë mbi “Pazarin e vjetër”, “Pazari i stofrave”, “Pazari i frutave”, figura e bukur e një vajze tiranase që të kujton nga larg influencën e Delacroix me tablotë e tij në Tunis. Por le të kthehemi tek tabloja kushtuar sopranos Gjyzepina Kosturi. Ajo është e shtrirë në një divan me një cohë të bardhë, me kokën mbështetur në dorën e saj dhe vështrimin e saj të drejtpërdrejtë. Linjat, kompozimi e veçanërisht ngjyrati japin një sensualitet spikatës, figurë kjo që mbart në vetvete një lloj paqeje, meditimi, humaniteti, një vështrim ëndërrues, ndoshta për të ardhmen e saj. Soprano sapo ishte ngjitur në skenat e koncerteve dhe recitaleve të para të saj pas kthimit nga Italia, ku në Bari kishte ndjekur konservatorin për muzikë (soprano) “Santa Luçia. Recitalet e saj ishin në Tiranë dhe në Shkodër, në qytetin e saj të lindjes.

Duke shkruar për çiftin e etnografëve francezë René dhe Jacqueline Benezech të dashuruar pas Shqipërisë dhe pasurisë së saj etnografike, kisha zbuluar diçka tepër thelbësore nga historia e sopranos Gjyzepina Kosturi dhe burrit të saj Rexhai Kosturi, një poliglot me kulturë europiane dhe drejtor i turizmit në Tiranë. Në kujtimet e tyre, çfti francez i kujtonte ata me një simpati të veçantë, duke lënë të kuptohej se ishin njerëzit e emancipuar dhe të kulturuar të një Shqipërie të re dhe europiane. Dhe pikërisht të njëjtën marrëdhënie ky çift shqiptarësh kishte krijuar dhe me personalitete të tjera, italiane, franceze etj, që zbarkonin në Shqipëri. Cifti Kosturi e donte muzikën, pikturën, artet. Vetë Gjyzepina, duke parë fotografitë e saj të kohës në Shkodrër, Bari, Romë, ndihet pasioni i saj i madh për artin e fotografisë. Dhe kuptohet që shoqëria e tyre me Ridola-n ka qenë mjaft e afërt. Ja pse dhe Gjyzepina e pëlqeu idenë e një tabloje për të: ishte një tablo për miken shqiptare.

Vështrojmë tablonë, ku telajo është përmbytur nga e kuqja e derdhur mbi të dhe vetë personazhi të duket se endet në botën e së kuqes, në një tonalitet të ngrohtë ku e kuqja është dhe mbi buzët e saj të pulpta, në një asociacion të bukur me flokët dhe sytë e saj të zezë. Është gruaja e re e Rexhaiut të dashuruar, i cili vetë ai i ngjante një aktori amerikan, një lloj “Gary Cooper”. Vite më pas Ridola u largua nga Shqipëria me kujtimin e bukur për miqtë e tij shqiptarë që mjerisht nuk do ti takonte më. Tabloja mbeti në Tiranë, në familjen Kosturi ku fëmijët e Gjyzepinës u rritën me imazhin e bukur, përmbytur nga e kuqja e nënës së tyre artiste.

Duke vështruar librin e piktorit italian që u largua me kujtimet e piktorëve të rinj shqiptarë, nxënës të shkollës që ai drejtoi, të cilët krijuan një risi më vete në pikturën shqiptare. Ridola ka midis tablove të tij dhe disa portrete mjaft interesante dhe midis tyre një portret mjaft interesant, një “Zio” pikturuar në një frymë “rembrandiane”, ku rigjen vazhdimin e kësaj fryme në portretet e hershme të Sadik Kacelit (“Xhaja me kësulën e Dibrës”), të Zef Kolombi, Nexhmedin Zajmi, Bukurosh Sejdini etj. Tabloja e Gjyzepinës e ka kapërcyer Atlantikun dhe shpresojmë që në një ekspozitë të afërt të piktorëve të huaj të gjysmës së parë të shekullit XX në Shqipëri, të rivijë dhe të na shpalosë nga afër hiret e një pikture të mrekullueshme moderne dhe tepër origjinale.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT