• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA për Rrugën e Arbërit në 8 vjetorin e peticionit

March 19, 2021 by dgreca

Nga Grupi i Lobimit

Sot, tetë vite më parë, filloi peticioni online për Rrugën e Arbërit.

Prej atëherë deri më sot, pavarësisht dëshirës për më të mirën për rrugën dhe interesin e qytetarëve, një bashkëpunim mes qeverisë, opozitës dhe qytetarëve nuk ka ndodhur.

Kur e nisëm këtë peticion, nuk e kishim menduar se kjo do të zgjaste 8 vite. Sepse premtimet e drejtuesit të opozitës në atë kohë dhe drejtuesit të qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2013 ishte se “rruga do të mbaronte brenda mandatit të parë qeverisës”. Ajo nuk mbaroi as të parin, por nuk po mbaron as të dytin.

Një mungesë transparence mbi këtë investim ka munguar gjithmonë, qoftë kur u miratua ligji special që ia jepte rrugën me koncension një kompanie kineze, qoftë faktit të anulimit të kësaj kontrate ose edhe kontratës së dytë me kompaninë shqiptare.

Si qeverisë, ashtu edhe opozitës, u ka munguar vullneti për të bërë transparente çdo hap në këtë proces: investimi, projektimi dhe standardet e ndërtimit, sepse mesa duket atyre u ka interesuar më shumë fushata elektorale me këtë temë, sesa vetë rruga.

Shqipëria është në vitin e dytë të një situate pandemike dhe opozita vitin e kaluar nisi një fushatë për ndërprerjen e financimit në këtë investim, ashtu si edhe në shumë investime koncensionare të kundërshtuara prej tyre. Por nuk pati asnjë proces se si kjo rrugë e premtuar edhe prej tyre do të ndërtohej apo financohej.

Ndërsa qeveria nga ana e saj është mjaftuar me fushatën se nga një vepër 3D do ta kthejë në realitet. Ajo është krenuar vazhdimisht e periodikisht me ndërtimin e veprave të artit, urat dhe disa tunele në aksin e rrugës, por asnjëherë nuk është treguar e gatshme të tregojë dhe shpjegojë se pse kanë ndodhur shembjet në Tunelin e Murrizit, më i rëndësishmi i këtij aksi. Cilat kanë qenë kostot që mund të shtohen dhe si e sa do të rëndojë ajo në buxhetin e shtetit?

Qeveria dhe kompania premtuan në qershor të vitit 2018 se këtë pranverë rruga do të ishte e hapur për qarkullim. Në këtë fushatë elektorale opozita dhe qeveria janë përfshirë në një debat për cilësinë dhe standardet. Dhe, mesa duket, as këtë pranverë rruga nuk do të bëhet e mundur për kalimin e makinave. Dhe kjo ndodh sepse mungon transparenca në ecurinë e punimeve, për të mos thënë se politika e mban peng atë.

Megjithatë, pavarësisht asaj se çka ndodhur në këto 8 vjet, ne e kemi vlerësuar ecurinë e punimeve, pavarësisht ngadalësisë së tyre. Një vëzhgim i njerëzve tanë në terren konfirmon se traseja e rrugës është e hapur në gjithë gjatësinë e saj, por për ta vënë në funksionim këtë vepër sipas standardeve, duhet akoma punë dhe kohë. Te tuneli i Murrizit akoma po punohet dhe mbarimi i tij do më shumë se 1 vit kohë të mbarojë, ndërsa by-passi në Qafë Murrizë nuk plotëson asnjë kriter për një rrugë nacionale.

Kështu, edhe në qoftë se ajo hapet për efekte elektorale, drejtuesit e mjeteve duhet të jenë shumë të kujdesshëm në qarkullim, ndërsa është e paqartë se kush do të paguajë për aksidentet e mundshme.

Me këtë standard të punimeve vihet në dyshim eficenca e saj për lidhjen e nevojshme me Shkupin. Një pjesë e rrugës është në standarde lokale dhe nuk plotëson parametrat e një rrugë ndërnacionale.

Gjatë 8 viteve të peticionit, Kryeministri Edi Rama nuk mundësoi asnjë hapësirë bashkëpunimi me Grupin e Lobimit. Rruga, sipas projektit që po zbatohet, ka ndryshime me projektin e para viti 2013. Ne mendojmë se, nëse qeveria do të kishte dëgjuar sugjerimet tona, në projektin aktual do të kishte më shumë përmirësime.

Tani që fushata elektorale sapo ka filluar, kjo temë do të vazhdojë të jetë thelbësore për partitë politike.

Një çështje që akoma ka mbetur pa përgjigje është nëse rruga do të jetë ose jo me pagesë. Ndaj i ftojmë qytetarët që në takimet elektorale t’i pyesin kandidatët në lidhje me këtë çështje. Sipas nesh, një rrugë interurbane me standardet e ndërtimit të deritanishëm, nuk ka arsye pse të jetë me pagesë.

Peticioni mund të nënshkruhet këtu:

https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Analiza Tagged With: Rruga e Arberit

THAÇI NE HAGE-Mbrojtja: Specialja s’ka juridiksion për gjykimin e tij

March 16, 2021 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj-*Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, disa mocionet e parakohshme, e ku në njërën prej tyre kërkohet heqja e aktakuzës ndaj Thaçit, për siç thuhet, “mungesë të juridiksionit”.

Sipas mbrojtjes, akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi që “asnjë nga akuzat nuk kanë të bëjnë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.

Mbrojtja e Thaçit mbështetet në argumentet e saja se Dhomat e Specializuara janë themeluar për të zbardhur të vërtetën për akuzat e Dick Martyt.

“Debatet në Kuvendin e Kosovës për ndryshmet kushtetuese konfirmojnë se qëllimi ishte që të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara, vetëm për pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe që ky institucion të kishte mandat pesëvjeçar… Referenca për raportin e Dick Martyt në Kushtetutë nuk është thjesht ‘mbiemër’, por është qenësore për juridiksionin e saj”, thuhet në mocion.

Ndërkaq, në mocionin tjetër, që është deponuar, mbrojtja argumenton se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme. Andaj, ata kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ta lirojë Thaçin dhe të hedhë poshtë akuzat ndaj tij.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Pretendimet e palës mbrojtëse 

Në këtë mocion, pala mbrojtëse pretendon se Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë pas përfundimit të afatit të përkohshëm pesëvjeçar, që sipas tyre ka përfunduar në gusht të vitit 2020.

“Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në thelb ishte i thjesht. (Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla) Del Ponte kishte folur për trafik organesh, të cilat u konfirmuan me entuziazëm nga raporti i Martyt. Ky raport ishte shkas për hetimin e Task-Forcës speciale hetuese”, thuhet në mocionin e palës mbrojtëse, të cilët thonë se edhe vetë prokurori, që hetoi pretendimet e Martyt, Clint Williamson në gjetjet e tij, nuk kishte gjetur dëshmi të mjaftueshme për “trafikim organesh”.

“Përkundrazi, aktakuza nuk i referohet krimit të organizuar në Kosovë ose diku tjetër. Në këtë aktakuzë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk po ndjek penalisht krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt, por po ndjek një çështje tjetër, e cila, për arsyet e përcaktuara më sipër, nuk ka as juridiksion as autoritet për ta bërë këtë”, shtohet në mocion.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: mbrojtja, Thaçi ne Hage

Kosova pa asnjë gazetë të shtypur

March 15, 2021 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti*/

Në Kosovë janë zhdukur gazetat e shtypura, duke bërë Kosovën vendin e vetëm në rajon dhe Evropë pa ndonjë gazetë të tillë, revistë javore apo mujore, thonë Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi.

Zhvillimi i teknologjisë, e veçmas përdorimi i internetit në masë të madhe, politizimi i gazetave, vështirësitë financiare të kompanive mediale dhe së fundmi pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, sipas tyre, janë faktorët që kanë ndikuar në shuarjen e mediave tradicionale.

Mushkolaj: Pandemia i dha goditjen përfundimtare botimit të gazetave 

Deri para një viti në Kosovë, tregon Mushkolaj, janë botuar katër gazeta ditore: “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Zëri” dhe “Bota Sot”. Por, në muajin mars të vitit të kaluar, këto ndërprenë botimin, pas vendosjes së masave kufizuese nga qeveria e atëhershme, për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe futjen e vendit në izolim, dhe këto media vazhduan punën online.

Çështja e financimit mbetet një tjetër problem, thotë Mushkolaj, duke konsideruar të vështirë rikthimin e botimit të tyre.

“Pandemia i dha një goditje përfundimtare të botimit të gazetave, për shkak se kostoja e botimit të gazetave në njërën anë dhe anën tjetër tirazhet jo të mëdha të këtyre gazetave, shuma e vogël e mjeteve financiare të gjeneruar nga shitja, janë arsyet kryesore që një gjë e tillë ndodhi. Pas përfundimit të pandemisë do të jetë e vështirë që këto gazeta të mund të rifillojnë të dalin në treg, për shkak se pa një ndihmë financiare, që do duhej të vinte nga institucionet, kjo është e pamundur”, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë. Një nga gazetat që kishte qëndruar në treg për 20 vjet ishte e përditshmja “Zëri”. Kjo gazetë kishte filluar të shtypet në vitin 2000, me një tirazh në mbi 7.500 kopje në ditë, kurse botimin e ka ndërprerë më 14 mars të vitit të kaluar dhe funksionin në formën online, thotë drejtori financiar i këtij mediumi, Ismail Musliu.

“Kostoja e shtypit është e lartë, fuqia blerëse dhe publikimi i reklamave kishte rëndë dukshëm. Shtypjen e gazetave pa e mirëmbajtur dikush, nuk mund vetë të ekzistojë”, tha Musliu.

Gazetat në “xhep” 

Qytetarë të moshave të ndryshme në Kosovë japin mendime të ndryshme sa i përket rëndësisë së ekzistencës së gazetave të printuara në treg.

Afrim Shala, ka punuar si ekonomist në një nga ndërmarrjet publike. Ai kujton se çdo mëngjes ka blerë një nga gazetat e botuara dhe tashmë i mungojnë shumë.

“Unë kam lexuar gazetat, duke filluar nga ‘Rilindja’, ‘Bujku’, e tani gazetat tjera ditore që kanë qenë pasluftës. Mua më mungojnë shumë sepse të lexuarit e gazetës është më mirë edhe për shëndet edhe për çështje tjera. Edhe të kuptuarit është më i lehtë, ndryshe nga interneti. Në fletë e përjeton ndryshe rrëfimin apo ngjarjen”, thotë Shala.

Artan Duriqi, shitës në një nga kioskat në qendër të kryeqytetit, tregon se nga muaji mars i vitit të kaluar asnjë gazetë ditore më nuk del në treg. Ai tregon se ka raste kur kërkohen, në të shumtën e rasteve nga moshat më e vjetër.

“Para pandemisë janë shitur, jo shumë, por ka pas kërkesa”, tha Duriqi.

Por, një qytetar tjetër, i cili blinte gjëra në kioskë, i pyetur a i mungojnë gazetat, shprehet se të “gjitha gazetat i ka në xhep”, duke aluduar në telefonin e mençur.

Zhdukja gazetave të printuara nga tregu nuk duket interesante për Arbër Beqirin, 18 vjeç. Ai thotë se internetin e përdorë si burim të informacionit.

“Përdorë teknologjinë e avancuar për të marr informacione, pasi është më lehtë dhe më shpejtë. Për gazetat e kam parë gjyshin duke lexuar, por tashmë as ai nuk i lexon”, thotë ai.

Përdorimi i internetit sfidon gazetat e printuara 

Zhvillimi i teknologjisë, thotë Mushkolaj, sidomos përdorimi i internetit në masë të madhe nga qytetarët, për shkak të shpejtësisë së përhapjes së lajmit si dhe kostos më të vogël në shpërndarjen e lajmit, ka ndikuar që kompanitë mediale të ofrojnë shërbime vetëm online.

“Duhet të merret parasysh se Kosova është shumë mirë e mbuluar me internet dhe qytetarët e Kosovës janë përdorues të mëdhenj të telefonave mobil dhe të pajisjeve të tjera, ku qasja në këto përmbajtje online është jashtëzakonisht e lehtë. Kjo është një ndër faktorët kyç, por mos të harrojmë se jo të gjithë qytetarët e Kosovës dinë apo duan të kenë qasje në përmbajtje online. Kështu që, është e domosdoshme dhe e nevojshme që të ketë edhe një media të shkruar”, shprehet ai.

Përdorimi i internetit viteve të fundit ka pasur rritje të madhe në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet. Kurse, numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G ka arritur në 1,3 milion përdorues.

Krasniqi: Shuarja e gazetave, disfatë kulturore 

Disfatë kulturore, politike dhe biznesore për gjithë shoqërinë e konsideron shuarjen e gazetave ditore, Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ndryshe nga Mushkolaj, shprehet se politizimi i gazetave të printuara dhe mungesa e një vullneti politik për të mbajtur në jetë shtypin ditor, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në shuarjen e tyre.

“Afërsia e pronarëve të gazetave me partitë politike ka dëmtuar reputacionin e mediave të shkruara. Kjo tashmë është konsumuar dhe paraqiti krizën në të cilën jemi”, thotë Krasniqi.

“Këto të dyja se bashku kanë sjell krizën. Përndryshe teknologjia informative, siç ka mundur të jetë hendikep, mund të jetë edhe favor sepse zhvillimi teknologjik, ka mundur dhe mundet të ulë koston e përgatitjes së gazetave, të rritë efikasitetin dhe imazhin e tyre në sytë e publikut që të identifikohen me atë media. Kjo ndodh në gjithë botën dhe as që bëhet fjalë për shuarje të gazetave”, thekson ai.

Rikthimi i “Rilindjes”

Profesor Krasniqi vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika për të mbrojtur tregun e gazetave të botuara. Madje, sipas tij, Kuvendi i Kosovës duhet të krijojë bazë ligjore që të rikthehet në treg gazeta e parë në Kosovë, “Rilindja”, fillimisht si gazetë publike. Kosova, thotë Krasniqi, duhet të ketë minimumin tri gazeta ditore në treg.

“Diçka duhet të bëhet sepse mbyllja e të gjitha gazetave nuk ka rezultuar me asnjë deklaratë as nga zyrtarët e kuvendit, as të qeverisë dhe as të partive politike. Pra, është një injorancë kolektive e kësaj elite politike dhe kjo tregon edhe shkakun kryesor të mbylljes së gazetave ditore. Sikundër që tregon edhe heshtja e pronarëve të mediave, tregon një konsumim të tyre në tregun medial”, thotë Krasniqi.

Gazeta e parë shqipe në Kosovë ishte “Rilindja”, që fillimisht ishte gazetë e përjavshme. Kurse nga viti 1958 kjo gazetë ishte e përditshme, ku tirazhi maksimal ka arritur në mbi 200 mijë ekzemplarë. Në vitin 1990 botimi i saj u ndalua nga pushteti i atëhershëm serb, për të rinisur përsëri në vitin 1999, pas hyrjes se forcave të NATO-s në Kosovë. Gazeta “Rilindja” u mbyll në vitin 2002, pas largimit nga Pallati i Rilindjes.

Edhe Mushkolaj pohon se në tregun e Kosovës duhet të ekzistojë shtypi ditor, qoftë edhe në mënyrën publiko-private.

“Për fat të keq Kosova ka kohë që e ka mbyllur gazetën e parë të botuar, ‘Rilindjen’, dhe kjo ka kaluar në heshtje. Ndryshe nga vendet e rajonit, ku 90 për qind e mediave që kanë ekzistuar në kohën e ‘Rilindjes’ vazhdojnë të funksionojnë, kjo tregon se çfarë qasje kemi ne si shoqëri ndaj gazetarisë. Duhet të gjendet një gazetë publiko- private, që të mund të funksionojë në treg edhe për shkak të një lloj trashëgimie kolektive historike dhe kulturës që ekziston në çdo vend të botës”, tha ai.

Në vitin 2009, vetëm një vit pas shpalljes se pavarësisë, në Kosovë janë botuar tetë gazeta ditore, të gjitha në gjuhën shqipe. Në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim Politikash (KIPRED), realizuar në vitin 2010, thuhet se tetë gazetat ditor (“Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Express”, “Epoka e Re”, “Bota Sot”, “Info Press”, “Zëri” dhe “Lajm”), kanë pasur kanë tirazh mes 25.000 dhe 35.000 kopje. Ky numërnë atë kohë ishte vlerësuar tejet i ulët në krahasim me popullsinë e përgjithshme (2.1 milion banorë). Në atë kohë, tre në pesë njerëz lexonin një gazetë ditore.

* Nadie Ahmeti është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova pa gazeta, Nadie Ahmeti, ne Shtyp

PDK-10 KUSHTE VJOSES DHE ALBINIT

March 15, 2021 by dgreca

Hoxhaj pas takimit me Kurtin e Osmanin: Vota e PDK-së për presidentin e ri varet nga qëndrimi i tyre për këto 10 tema e parime/

Prishtinë, 15 mars 2021 – Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Uran Ismaili kanë takuar në zyrat e Kuvendit të Kosovës, kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe U.D. të Presidentes, Vjosa Osmani.

Në takimin e ftuar për fillimin e konsultimeve me partitë politike rreth krijimit të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Hoxhaj ka thënë se PDK është konstruktive dhe do të udhëhiqet nga disa parime të rëndësishme. 

Sipas tij, në takim janë shtruar një mori parimesh për Kurtin e Osmanin, të cilat një president i ri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i përfaqësojë.


Kjo është deklarata e plotë e Hoxhajt pas takimit:


Në këtë takim, të parin e këtij formati pas zgjedhjeve, ne kemi qenë konstruktiv, por edhe parimor. Kosova, si asnjëherë më parë, ka nevojë për stabilitet politik, i cili që nga viti 2014 ishte shkatërruar në baza ditore nga Kurti dhe partitë tjera.

Në këtë takim kemi shkuar me parime e qëndrime të qarta për Kurtin dhe Osmanin, për kriteret që duhet të përmbushë një president. 

Në takim kemi folur për parime e jo për emra. Parimet janë ato që e përcaktojnë presidentin e ri të Republikës së Kosovës.

Kosova ka nevojë për stabilitet, për një president që përbashkon skenën tonë politike, që unifikon popullin e Kosovës, që avancon marrëdhëniet tona diplomatike.

Dhjetë vjet më parë ishte PDK-ja ajo që krijoi një kulturë politike të konsensusit ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit.

Tani, dhjetë vjet më vonë, në vitin  2021 me insistimin e PDK-së, kemi për herë të parë një parti që ka fituar zgjedhjet dhe që mëton të zgjedhë presidentin me vota të opozitës.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot, nga z. Kurti dhe nga znj. Osmani kam kërkuar transparencë dhe qartësi të plotë në politikën e jashtme të Kosovës. Presidenti ka një rol shumë të rëndësishëm në përfaqësimin e Republikës së Kosovës jashtë vendit dhe udhëheq politikën e jashtme, ndërsa Kryeministri dhe Qeveria kanë rol esencial në formulimin e politikës së jashtme.

Kështu, para se Partia Demokratike e Kosovës të marrë një qëndrim përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit në organet e saj dhe meqë po kërkohet roli i PDK-së në zgjedhjen e Presidentit, unë kam kërkuar disa shpjegime ose zotime nga z. Albin Kurti dhe nga znj. Vjosa Osmani-Sadriu.

Këto janë pikat kryesore:

1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.

2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?

3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?

4. Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.

5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?

6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?  7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?

8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?

9. Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?

10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.

Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë një qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

PDK-ja gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv në institucionet e Kosovës dhe ne do të luajmë rolin tonë opozitar karshi qeverisë së re.

Filed Under: Analiza Tagged With: 10 Kushte, Albinit dhe Vjoses, Enver Hoxhaj

Emër

March 15, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Fjala për “emër” është e ngjashme në gjuhë që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Por shumica e gjuhëve në të cilat fjala “emër” është e ngjashme nuk janë në të vërtetë aq të palidhura. Në shumicën e gjuhëve evropiane, fjala “nome” duket disi e ngjashme me anglishten “name” – kjo ngjashmëri rrjedh nga fakti që të gjitha gjuhët indo-evropiane janë të lidhura dhe rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët gjuhësor.
Por, po për gjuhët jo-indo-evropiane? Fjala japoneze është “neemu” ose “namae” dhe indonezishtja është “nama” – janë huazime nga sanskrishtja që u prezantuan nga misionarët hindu dhe budistë. “Nama” dhe “namae” vijnë direkt nga “naama” sanskrite “neemu”. 
Në përgjithësi, fjalët e ngjashme për “emër” në fakt janë për shkak të një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një gjuhë të përbashkët rrënjë, ose huazimit prej saj, dhe jo nga origjina të ndryshme. 
“Circe” në mitologjinë greke, forma e latinizuar “Kirke”, ndoshta do të thotë “skifter” në shqip. Në mitologji, “Circe” ishte një magjistare që ndryshoi ekuipazhin e Odiseut në derra, siç tregon Homeri. Odiseu e detyroi Circen që t’i ndryshonte përsëri, pastaj qëndroi me të për një vit para se të vazhdonte udhëtimin e tij.
Shqipja “skifter” nga latinishtja “accipiter” (zog grabitqar). “Sk” është ndikimi fillestar nga “shqiponjë”. Një tjetër fjalë shqipe, “mirakë” është sinonim për skifter, fajkua e sokol. Por është edhe “qift,-i”; shpend grabitqar, me krahë të zinj e me sqep të kthyer, që ushqehet me kafshë të vogla e me zogj: e morri si qifti, ose si Circe rrëmbeu Odisenë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, emer

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 285
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT