• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dashuria për leximin mund të mbillet

January 13, 2021 by dgreca

Nga Minella ALEKSI/ Letërsia e autorëve më të mirë u jep mundësinë lexuesve që ta shikojnë historinë e shoqërisë njerëzore nga brenda mendjes së atyre njerëzve të cilët influencojnë më shumë mbi të. Të lexuarit është një aktivitet i imagjinatës, dhe imagjinata në fjalë nuk është vetëm e shkrimtarit. Në orën kur imagjinata dhe aftësia jonë për t’u shoqëruar brenda saj janë në kulmin e tyre, ne me të vërtetë nuk lexojmë më atë që është shtypur në letër, por notojmë në një lumë impulsesh dhe frymëzimesh që na arrijnë nga ato që po lexojmë. 

Të lexuarit është një përpjekje prej vetmitari. Interesante është se njerëzit që nuk lexojnë dhe që janë përrreth këtyre lexuesve vetmitarë mendojnë se janë në konkurencë me librin, me këtë objekt të pa jetë, që“arbitrarisht”  ndërhyn në mes në raportet afektive të tyre me këta njerëz të dashur për ta. Njeriu jolexues përjeton xhelozi për shkak se ai që lexon mund të qëndrojë për orë të tëra në heshtje dhe të mos ofrojë bashkëbisedim të kënaqshëm me atë që nuk lexon. E kundërta nuk ndodh. Jolexuesi kërkon prej jush që t’i kushtoni vëmendje ndërkohë që vetë lexuesi shqetësim ka pamundësinë që i krijohet për të mos lexuar. Por si vijmë në kontakt me leximin?

Përgjatë skanimeve të trurit te fëmijët në muajt e parë pas lindjes, studjuesit e Universitetit të Ohio-s USA kanë zbuluar se truri i njeriut lind  në një zonë të tij me një teren të paraformuar për të qënë i pranueshëm, receptiv ndaj fjalëve dhe shkronjave. Kjo pjesë – e quajtur “zona e formës vizuale të fjalës” – është e lidhur si funksion me rrjetin gjuhësor të trurit, . 

“Kjo e bën atë zonë të para formuar një tokë pjellore për të zhvilluar një ndjeshmëri ndaj fjalëve vizuale – madje përpara se çdo forme ekspozimi ndaj gjuhës”. Kur them gjenetikisht të programuar kam parasysh që njeriu lind me një “kod të paraformuar biologjik”, kod që përmban mundësitë e prirjeve të mundëshme për të ardhmen dhe që gjatë jetës në varësi të influencave familjare dhe sociale ose do i zhvillojë programet e mbartura në të ose do i “vdesë” ato. Një lloj si raporti tokë-farë. Më mirë se në çdo fushë tjetër të jetës, të parët që e kanë kuptuar dhe që e kanë zbatuar vlerën e padiskutueshme të mbjelljes së edukimit që në moshë të herëshme kanë qënë institucionet fetare. Çdo të dielë familjarisht prindërit me fëmijët në krahë e përdore, kanë frekuentuar dhe i kanë ushqyer fëmijët me edukatën kishëtare. Me rritjen në moshë gjurmët e kësaj edukate janë bërë pjesë themelore e personalitetit të njeriut. Që leximi i letërsisë të arrijë të bëhet një tipar dallues i shoqërisë, mendoj se edukata e leximit duhet të “mbillet” sipas një programi edukativ që është i ngjashëm me modelin e rregullsisë ditore  me të cilin injektohet edukata fetare. Ngjashëm si një praktikë religjioze që zhvillohet rigorozisht e progresivisht në vitet e para të jetës së fëmijës në “shkollën” e familjes.

Njeriu nuk lind me dëshirën për fenë. Që në fillimet e jetës, edukohet me të dhe bëhet pjesë e karakterit të tij. Mendoj se metodika e edukatës fetare si praktikë edukuese përbën modelin më të adaptueshëm dhe më rezultativ për mbjelljen te njeriu të dashurisë për librin. Gjatë fëmijërisë së hershme nga 1-7 vjeç, ne fillojmë të bëhemi qenie shoqërore ndërsa detyrohemi nga më të rriturit të mësojmë se si t’i menaxhojmë instiktet tona dhe se si t’i transformojmë ato në sjellje të pranueshme shoqërore. Mendoj se shoqëria konsiderohet e maturuar vetëm atëhere kur kupton dhe motivohet nga ideja që prindërit duhet të pranohen si edukatorët e parë dhe më kryesorët të fëmijëve të tyre. Nuk kam asnjw dyshim se roli i prindërve si edukatorë është aq vendimtar sa që, vështirë se çdo gjë tjetër mund të kompensojë dështimin e tyre në rolin e edukatorit. Në formësimin e arkitekturës së trurit të fëmijës piketat më të rëndësishme  ndodhin deri në moshën 7 vjeç. Janë vitet më kritikë. Ato vite kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si fëmijët zhvillojnë aftësitë e të mësuarit, si dhe aftësitë shoqërore dhe emocionale në fazat në vazhdim të jetës. Në fakt, filozofi i madh grek Aristoteli njëherë tha: “Më jep një fëmijë deri në moshën 7 vjeç dhe unë do të tregoj ty njeriun”. Qëllimi i edukimit me leximin e librave letrarë përbën proçesin e zëvendësimit të një mendjeje të zbrazët me një mendje të hapur.

Bazuar në fondamentin biologjik, cilësitë karakteriale e psikologjike të individit, njeriu ka sjellje totalisht vetjake për çdo aspekt të jetës, e jashtë kësaj sjelljeje nuk mbetet mardhënia që ai ka me librin. Në vendet më të zhvilluara në Perëndim në familjet me standart jete mesatar çdo mbrëmje fëmijve u lexohet nga prindërit një libër përpara gjumit. Me rritjen në moshë leximi bëhet i imponuar sipas një kalendari fillimisht e shoqërohet me bisedë komentuese gjithashtu.

Jo vetëm kaq por për të aktivizuar dhe diktuar çdo prirje natyrale të fëmijës, nga mosha 2 vjeç nisin të aplikojnë frekuentimin me tremujore të disa lloje kursesh disa herë në javë. Kështu fëmijët 2 vjeçarë e më shumë vihen në kontakt me instrumetat të ndryshëm muzikorë, provojnë të mësojnë notin, të zhvillojnë lojëra ushtrimore të logjikës, të frekuentojnë kurse baleti, lloje të ndryshme sporti e kështu me radhë deri në moshën 7 vjeç kur shkojnë në klasën e parë. Prandaj për shkak të kësaj experience për prindërit periudha më e ngarkuar me fëmijët, është nga mosha 1-7 vjeç. Mbas fillimit të shkollës fëmijët vazhdojnë atë preferncë aktiviteti jashtëshkollor në të cilin kanë dëshmuar pasion. Nga dita që i porsalinduri vjen në shtëpi, mund të filloni të rritni një lexues. Bebet duke qënë në një prehër të ngrohtë i përgjigjen ritmit qetësues të një zëri që lexon me zë të lartë. Studjuesit pohojnë se nëse e bëni leximin pjesë të rutinës suaj ditore, fëmija juaj ka të ngjarë të rritet duke e pritur me padurim që të lexoj. Duke lexuar para fëmijës dhe e duke lejuar atë që t’ju shohë të ngazëllyer ka të ngjarë të kap entuziazmin tuaj.

Leximi me zë të lartë është një mënyrë me presion të butë dhe e pa kundërshtueshme për përfshirjen e imagjinatës nëpërmes fjalës së shkruar. Fëmijët mësojnë nga ato që vëzhgojnë. Prandaj konstatohet që fëmijët shpesh nuk zhvillojnë aftësi të forta leximi nëse prindërit e tyre nuk i njohin me librat në shtëpi. Ja sesi e kujton një lexues i rritur pasionin për lexim në ambjentin e familjes: “E dija se nëse do të lexoje, nuk kishte asnjë vend ku nuk mund të shkoje dhe asgjë të mirë që nuk mund të bëje. Unë e dija që ishte një rrugë drejt lirisë dhe e dëshiroja atë liri për ty”, më tha nëna vite më vonë.

Mendoj se janë me vlerë iniciativat e institucioneve shtetërore për të rritur interesin e njerëzve të rritur me librin, por themeli mbetet “shkolla” e familjes. 

Të kesh pasion të lexosh letërsi do të thotë të “vuash”. Nuk mendoj se mund të jesh i apasionuar pas diçkaje nëse nuk je i gatshëm që të vuash për të. Njerëzit pasionantë shihen se përjetojnë një lloj vuajtjeje, sikur të jenë skllevër të pasionit të tyre, sepse bëhet fjalë për t’a kontrolluar atë. Pasioni është i nevojshëm për të arritur në nivelet më të larta të kuptimit. 

Po si arrihet te kuptimi i tekstit? 

Kuptimi është një proçes i qëllimshëm, aktiv dhe ndërveprues që ndodh para, gjatë dhe pasi një person lexon një shkrim të veçantë. Leximi është jo vetëm një proces që “negocion” kuptimin midis tekstit dhe lexuesit të tij, por në këndvështrimin ndërveprues akti i leximit shihet si një “transaksion” midis lexuesit dhe tekstit, me historinë e lexuesit dhe kontekstin e leximit. Të tre këta faktorë – lexuesi, teksti, konteksti – janë të bashkuara në ndërtimin e kuptimit gjatë një transaksioni letrar. Vlerësimi që gjatë leximit i bëhet përmbajtjes së tekstit kalon disa faza; leximi, deshifrimi i gjuhës, shtrirja e tekstit e forma tërësore, tonaliteti emocional, tërheqja komunikuese, pikësynimi i autorit, përdorimi intuitiv i nuancave nënkuptuese dhe më pas interpretimi duke lejuar kështu proçeset e interpretimit, shprehjes dhe komunikimit. Kur bëhet fjalë për meritat estetike të një objekti (romani) preferoj që të përdor fjalën “shije” si gjykim intelektual. Kjo sepse që në antikitet “shija” është konsideruar si shqisa – ndjesia e parë që realizohej nëpërmjet prekjes të ushqimit me anë të gjuhës.  Kjo bën që në këtë kontekst të shprehem se “shumë romane do të provohen, siç provohet ushqimi, disa më të paktë në numër do të gëlltiten dhe pjesa më e vogël, klasikët, do të përtypen dhe treten”. Shpesh nga një libër i mirë dalim me një sy të tretë. Merita e këtij syri intuitiv i takon shkrimtarit. Nëpërmjet syrit të mendjes, arrihet një tjetër nivel vetëdijeje që depërton përtej ndjesive të tjera të prekëshme. Potencialisht një libër i shkruar mirë ka forcën që të të lëvizë por që diçka të të lëvizë duhet të jesh gati që të prekesh. Prandaj themi që shkrimtari nuk duhet të shkruaj për të impresionuar lexuesin, qëllimi është që të krijoj lidhje të fortë imagjinative që rezonon ose që akopjohet me atë lexues që është në pritje të udhëtimit për në botën imagjinative të trilluar nga shkrimtari. Të lexuarit dhe të kuptuarit letërsi, të shijuarit e saj nuk është argëtim për orët e kohës së lirë. Është mirë t’i kujtojmë vetes se letërsia është e para dhe e fundit një dimension të jetuari të jetës dhe se ndërmarrja e formimit të shijes letrare është një ndërmarrje e të mësuarit se si të përdorim më së miri këtë mjet jetese. Është të zgjosh veten, të jesh gjallë emocionalisht, jo thjeshtë të marrësh frymë e të ndjesh që zemra rreh, të intensifikosh dhe të njohësh aftësinë e dikujt për të shijuar dhe vlerësuar kënaqësi, për të ndjerë keqardhje, mallëngjim, mëshirë, ngushëllim dhe vetpërmbajtje dhe për të kuptuar. Këto cilësi nuk do të ndikojnë një orë, por njëzet e katër orë në shtatë ditët e javës. Është të ndryshosh plotësisht marrëdhëniet e dikujt me botën. Një vlerësim i kuptueshëm i letërsisë do të thotë një vlerësim i të kuptuarit të botës dhe nuk do të thotë asgjë tjetër. Jo pjesë të izoluara dhe të palidhura të jetës, por të të gjithë jetës, të bashkuara dhe të ndërlidhura në një hartë sintetike! Në këtë kontekst nuk do të çuditesha nëse do të dëgjoja një lexues të mirë të më bënte pyetjen: Pse disa shkrimtarë erdhen te unë dhe më gjetën, ndërsa disa të tjerë jo? Përgjigja vjen natyrshëm për ata që zgjedhin të lexojnë letërsi të mirë. 

Letërsia është një busull për tu orientuar brenda botës së librit, një sistem i të kuptuarit relacional. Leximi kërkon përpjekje. Përpjekje për të kuptuar. Përpjekje për të konkluduar. Dhe, mbi të gjitha, përpjekje për të vizualizuar botën që po përshkruan shkrimtari.  Siç e dinë njerëzit e kultivuar (dhe, për fat të keq të tyre, njerëzit e pa kultivuar nuk e dinë), kultura është mbi të gjitha çështje e orientimit. Të qenit i kultivuar nuk është çështje e mos leximit të ndonjë libri apo të disa autorëve në veçanti. Është çështje aftësimi që ta shohësh botën e librit si një sistem brenda të cilit çdo lexues gjen kushinetat e veta, të cilat e lëvizin pagabueshëm në destinacionin që i takon. Mbasi ke lëvizur dhe shëtitur nëpër këto kushineta ke kuptuar qartë një gjë shumë të rëndësishme se, shkrimtari komunikon me lexuesin në një frekuencë të caktuar e cila përputhet ose jo me frekuencën e mendimeve të lexuesit, duke zmadhuar dhe forcuar mesazhin. Ke kuptuar se për shkrimtarin stili është gjyqi. Stili që respekton raportin e artë të harmonisë së formës me përmbajtjen, përndryshe dis-harmonia stilistike do e deformojë shijen estetike. Në këtë rast teksti thjeshtë sa “do provohet”. 

Në mënyrë të ngjashme, ndonjëherë lexojmë një autor për të cilin të tjerët kanë folur me shumë entusiazëm ndërsa ky libër na ka lënë të ftohtë. Ndoshta i është bërë shumë publicitet i pa merituar? Ndoshta lexuesi dhe shkrimtari nuk bëjnë jehonë te njëri tjetri? Në një vështrim të ngushtë ky nuk është as dështimi i lexuesit dhe as i shkrimtarit. Sepse çdonjëri lexues akordohet në frekuenca të ndryshme të kuptimit dhe të komunikimit. Shkrimtari i dobët gjen lexuesin korespondues e kështu sipas niveleve përkatëse gjetja reciproke. Njëlloj thuhet për njerëzit, temperamentet dhe karakteri i të cilëve “ngjit” në një miqësi të afërt. Miqësi të lidhura pa “tela”. Prandaj pyetet: pse ka zgjedhur të bëj miqësi të ngushtë me filanin? Pse i akordohen telat me librat e filan autori? Për këtë arsye mendoj se tingëllon krejt e pavërtetë shprehja e disave që thonë se lexoj çdo gjë që më bije në dorë. Preferencat e argëtimit nuk përcaktohen ekskluzivisht nga mosha, gjinia apo niveli arsimor, por shumë më shumë nga prirjet psikologjike. Njeriu kërkon ato përmbushje kulturore që pasqyrojnë e që tek e fundit përpara të tjerëve pa asnjë dyshim i zbulojnë deri në një farë mase shkallën e inteligjencës dhe përforcojnë aspekte të personalitetit të tij”. Megjithëse binomi letërsi-lexues ndjek një raport pëlqimi e selektiviteti krejtësisht individual prapëseprapë në shkollë apo në ambjent shoqëror njeriut i sugjerohet që të lexojë autorët klasikë, letërsia e të cilëve konsiderohet niveli më i lartë i kënaqsisë së leximit? 

Përballë kësaj mund të pyetet: Pse vazhdon fama e madhe dhe universale e autorëve klasikë? Përgjigja është se fama e autorëve të mëdhenj është plotësisht e pavarur nga shumica e njerëzve. A mendoni se nëse fama e Shekspirit do të varej nga njeriu në rrugë, ajo do të mbijetonte 3-4 javë? Një klasik nuk mbijeton për asnjë arsye etike. Fama e autorëve klasikë fillimisht është bërë dhe ruhet nga disa pasionantë. Shumica mund të bëjë një reputacion, por është shumë e pakujdesshme për ta ruajtur atë. Edhe kur një autor i klasit të parë ka gëzuar sukses të jashtëzakonshëm gjatë jetës së tij, shumica kurrë nuk e kanë vlerësuar atë aq sinqerisht sa kanë vlerësuar krijuesit e klasit të dytë. Dhe është nga pak pasionantë që fama e gjeniut mbahet gjallë nga njëri brez në tjetrin, gjithmonë duke rizbuluar gjeniun. Pa atë udhëtim të vazhdueshëm të kujtesës, reputacioni do të binte shpejt në harresë.  Një klasik është një vepër që i jep kënaqësi pakicës, e cila interesohet intensivisht dhe përgjithmonë për letërsinë. Jeton për shkak se pakica, e etur për të ripërtërirë ndjesinë e kënaqësisë, është përjetësisht kurioze dhe për këtë arsye është e angazhuar në një proçes të përjetshëm të rizbulimit. Ata kënaqen me letërsinë ashtu si disa burra i gëzohen pijeve të mira në shoqëri të cigareve të zgjedhura, ashtu si femrat adhurojnë pa pushim bizhutë e parfumet e tyre të preferuara. Përsëritja e kësaj kënaqësie natyrshëm e mban shumë të gjallë interesin e tyre për letërsinë. Një klasik është një i tillë sepse i ka qëndruar provës proverbiale të kohës dhe për ta bërë atë, ka thënë  diçka të thellë për jetën, që na ndihmon të kuptojmë disa të vërteta themelore për njerëzit dhe botën tonë. 

Arti, siç të gjithë mendohet se e dinë, është një biznes domosdoshmërisht subjektiv. Qëndrimi estetik ndaj së bukurës i bën njerzit të veçantë nga njëri tjetri. Bukuria në gjërat ekziston në mendjen që i sodit ato. Kur mendojmë pse diçka është e bukur, kemi bërë tentativën për të kuptuar filozofikisht të bukurën dhe shijen mbi atë.Në letërsi ajo që konsiderohet arritje për dikë, mund të jetë mesatare për dikë tjetër, ndërsa ajo që duket se dikë e ka mbërthyer mund të mos lexohet prej të tjerëve. Letërsia është një det i gjerë dhe i pafund krijimi, popullariteti dhe emocionesh shumë të fuqishme, diku shumë i thellë, diku më i cekët, diku me stuhi e rryma të forta e diku me gjire qetësisht të mrekullueshëm. Një person mund të lundrojë në këtë det me një varkë të vogël prej druri ndërsa të tjerët preferojnë një jaht apo një bark me vela, disa mund të preferojnë të humbasin dhe të shohin se ku përfundojnë ose disa mund të kenë një destinacion të caktuar. Interesante është se çdo njeri pavarësisht nga rreziqet, zgjedh të lundrojë në hapsirën që i plotëson kënaqsitë koresponduese në përputhje me pasionet, shijet vetjake, në harmoni me personalitetin vetjak gjenetikisht “të programuar”. Madje mund të them askush më korrekt se çdokush tjetër. Çdonjëri në të drejtën e vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dashuria per Leximin, Minella Aleksi

RËNDËSIA (HISTORIKE) E TË MODERUARVE PËR DEMOKRACINË

January 13, 2021 by dgreca

Nga ANTONIO POLITO-Përktheu :Eugjen Merlika/

Demokracia përfaqësuese ka nevojë për një të djathtë të përkorët, konservatore, kushtetuese. Për t’u mbrojtur nga sulmi I skajshmërisë populiste, demokracia ka nevojë për një forcë liberale të masës, që t’a mbështjellë e t’a ruajë, të themeluar mbi interesat e kulturën e borgjezisë. Në fund të fundit është kjo që na thotë kriza amerikane. Edhe aty ku ka lindur më shumë se dy shekuj më parë, demokracia në fakt i ka treguar gjithë botës në këto ditë, se është e “varur në një fije”, siç ka shkruar Le Monde.

Nuk duhen turma të mëdha për të marshuar mbi një pallat, thuhet se pesëqind vetë, t’armatosur mirë, do të kishin ndaluar Revolucionin e Tetorit, për të mos folur mbi ecjen drejt Romës.  Ajo që duhet është një zbrazëti pushteti dhe një bashkëpuntor në të. Por nëse e djathta liberale italiane në çastin vendimtar i dha një kalim fashizmit, ajo amerikane, megjithë oportunizmat dhe burracakërinë e klasës së saj drejtuese parlamentare, më së shumti ajo qëndroi.

Trump-in e kanë mundur zgjedhësit e përkorë, që kanë patur rolin e  gjilpërës së peshores, duke e bërë atë të anonte nga ana e qëndërsorit Biden në votimet presidenciale, e më pas nga ana e demokratëve në votimin e dytë në Xhorxhian republikane, sepse ishin të lodhur nga aventura. Politikani që i tha jo presidentit, në kërkimin e 11.789 votave që i mungonin, ka qënë republikani Brad Raffensperger, sekretari i Shtetit i Xhorxhias. E përditëshmja që, mbas fakteve të Capitol Hill ka shkruar “N’emër të Zotit, shporru” duke huajtur britmën e një deputeti anglez kundër kryeministrit të tij, Chamberlain, e cila i hapi rrugën qeverisë Churchill, ishte konservatorja Wall Street Journal.  Qe një gjeneral që nuk pranoi të rrjeshtojë trupat kundër turmave që protestonin kundër dhunave raciale të policisë, siç kërkonte Trump-i, e bashkë me të ministri i Mbrojtjes republikani Mark Esper, për të cilën më vonë u pushua nga presidenti.

Nëse të gjitha këto fije nuk do të kishin qëndruar nuk do të ishim këtu të lëshonim  psherëtimën e lehtësimit për rrezikun e shmangur. Në të djathtën amerikane ka mbetur e dobët por e gjallë, një traditë e kahut të Shtetit që secili mund t’a vlerësojë duke riparë në You Tube fjalën me të cilën John McCain, kandidati republikan i tetë viteve më parë, pranoi humbjen dhe pohoi admirimin e tij për fituesin Obama.

Është vendimtar, i çmueshëm, roli që e djathta konservatore  do të dijë të ketë në rindërtimin e Grand Old Party n’Amerikë, e që do të jetë e ftuar të zhvillojë edhe thirrjen për mënyra të mira n’Evropë, përballë një populizmi të damkosur nga humbjet politike por aspak të shtruar e ndoshta të gatshëm të gjejë linfë të re në dramaticitetin që ka arritur ndeshja (jam kurioz të di se çfarë mendojnë për ndalimin e Twitter 88 milionë ndjekësat e presidentit) Ka çështje konkrete, ekonomike e kulturore, që largojnë masa të “forgotten men” në Arizona si në Gjermaninë lindore apo në Veri të Anglisë nga demokracia dhe e bëjnë atë të duket gënjeshtare dhe zhgënjyese. Shtymjen dhe zemërimin e valës populiste nuk mund t’a shtrojnë vetëm me thirrje për mënyra të mira ose një bisedë social më pak të dhunshme, nëse forcat demokratike nuk do të jenë në gjëndje të ndryshojnë apo të përditësojnë ofertën e tyre politike.

Ka dy mënyra për të lexuar gjërësinë e habitëshme dhe agresivitetin e kësaj lëvizjeje globale të opinionit. E para është ajo e zgjedhur nga një pjesë e së majtës edhe në Itali, aq e mrekulluar nga çdo lëvizje sa që të përceptpojë edhe tek zotëria me brirë dhe kapelen e marmotës në kokë që ka mësyer Capitol Hillin fytyrën e një skamësi, të viktimës së pabarazisë, e që pra propozon një përgjigje shoqërore, të reformës së kapitalizmit. E dyta është kundërveprimi liberal që sheh në Shtetn e së drejtës, në mbrojtjen e institucioneve dhe në cilësinë e ndërmjetësimit politik ndërmjet interesave ledhin e regjimeve demokratike. Sepse ajo që në të vërtetë vlen në demokraci nuk është të dërgohet në pushtet njeriu më i mirë, ose më popullor, por të sigurohet një sistem që do t’i ndalojë atij të shpërdorojë pushtetin, sa herë ai të tundohet t’a bëjë.

Një e djathtë e këtij tipi na duhet edhe neve n’Itali. E lindur në 1994 për rreth Silvio Berluskonit, e jona ka vuajtur gjatë nga prejardhia e saj personalistike e karismatike e nga kundërshtia e interesave që, pashmangmërisht e vinte në tendosje me Shtetin e së drejtës. Por edhe se me çaste rreziqesh e tensioni të rëndë ndërmjet pushteteve (për shembull me gjyqësorin), ajo e djathtë ka përfaqësuar për njëzet vite njërin ndër dy polet e një demokracie të qëndrueshme, të një vendosjeje evropiane të sigurtë, e të një ternimi demokratik të shëndoshë. Tani që e djathta e përkorët është kandisur në një qiri, e mbyllur siç është në llogoren zgjedhore të Forza Italia-s, është qenësore që të mund të zëvëndësohet nga diçka e aftë të qëndrojë edhe përballë tundimeve për të kalëruar valën populiste. Kjo e djathtë është në Vend. Në zgjedhësit lombardë për shembull edhe se në një çast kur i mungon drejtimi. Në Veneto ku e ka drejtimin. Në krahinat e në qytetet e qeverisura nga përfaqësues të Legës e të Vëllezërve t’Italisë, ku politika e s’ardhmes së afërt detyron të lënë mënjanë paragjykimet ideologjike e të mendojnë për qenësoren. Por kemi parë edhe në ndodhinë zgjedhore amerikane se sa mundim bëjnë drejtuesit e saj të dallojnë e të luftojnë ballëhapur rreziqet autoritare që fshhihen mbas bisedës populiste.

Sa më shumë të arrijë të bindet ajo se elektorati i  moderuar nuk është gëlltitur në vrimën e zezë të krizës ekonomike, e që në çastin e duhur din të rrjeshtohet kundër aventurës dhe rebelimit, aq më tepër një e djathtë e re do të jetë siguri për vazhdimësinë demokratike të një sistemi që edhe te ne nuk mund të quhet i imunizuar nga infektimi trumpist.

“Corriere della Sera”, 9 janar 2021         Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Eugjen Merlika, Te Moderuarit

GJUHA

January 13, 2021 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit LULUSHI/

Askush nuk është e para, as pula, as veza. Foshnja kur lind reagon me të qara; mënyrê lexim i një gjuhe shprehur me shenja e simbole, pastaj u krijuan hieroglifet. Ç’është gjuha, pra? Më parë u fol, apo e shkrua? Gjithkush përgjigjet sipas kohës, interesit a dëshirës. Megjithëse, pa gjuhë nuk mund të ketë lexim, dhe pa lexim nuk mund të ketë të shkruar; nuk duhet të ketë as gjuhë. Gjë e ngatërruar. Shoqëritë që sot s’lexojnë, kontribuojnë në shuarjen e të shkruarit, dhe të vetë gjuhës. Shqipja ka përvojë të hidhur në këtë drejtim; koha para shek. XIV, cilësohet si periudha më e errët, pasi nuk gjendet qoftë edhe letër e shkruar qê do të bënte të mundur atestimin, ose egzistencën shkencërisht të provuar të gjuhës shqipe para kësaj periudhe.
Historia është e çuditshme. Mijëra vite më parë, një ndryshim i menjëhershëm kulturor duhet të ketë përfshirë mbarë njerëzimin. Kjo është mënyra më e saktë për të përshkruar atë që ka ndodhur. Edhe shumë mijëra vjet pas fillimit të këtij procesi, sot ekzistojnë ende lidhje të përbashkëta të rëndësishme mes popujve, si në përralla, mite, legjenda, shprehje e fjalë. 
Para transformimeve ekonomike dhe fetare të 2,000 viteve të fundit, ngjashmëritë ishin edhe më të dukëshme, duke përfshirë emrat e disa perëndive e riteve. Ka edhe shumë aspekte të tjera të kulturës dhe jetës shoqërore që kurrë nuk do të njihen nga ato pak mbetje që arkeologjia moderne mund të zbulojë; dhe popujt vazhdojnë të grinden e armiqësohen duke mbrojtur secili pretendimet e veta.
Nuk është e paarsyeshme të spekulohet se disa gjuhë indo-evropiane kanë dallime midis tyre.
Në përgjithësi, kombet që vijnë nga Proto-Indo-Evropianët kanë vetëm deri 50% të prejardhjes nga banorët e lashtë  të stepave; shumica e trashëgimisë së tyre kulturore vjen nga popullata të tjera në zonat ku u vendosën. Kjo sigurisht la shenjë të dukshme në mënyrën e evoluimit të shoqërive, veçanërisht në rajonet ku Proto-Indo-Evropianët takuan popuj, si pellazgët, që ishin më të përparuar teknologjikisht, dhe shoqërisht më të zhvilluar. 
Proto-indo-evropianët nuk ishin një tufë e civilizuar. Ata duhet të kenë pasur një rend shoqëror dhe organizim ushtarak efikas; dinin gjëra të tilla si qeramika, endja, bujqësia, rritja e kafshëve dhe madje, në një kohë disi më vonë, metalurgjia e bakrit dhe bronzit; mbase ata kishin arritje të admirueshme në poezi, muzikë, letërsi gojore, mendim teologjik dhe filozofik etj., madje kishin përparësi si kali i zbutur… por, në fund të fundit, patjetër që nuk ishin bartësit e kulturës materiale më mbresëlënëse në botë, që gjetën mes pellazgëve. Shtoji kësaj ndikimet e thella të jashtme nga shoqëritë fqinje që shpesh mund të ndryshojnë kulturën e një populli edhe me fluks gjenesh krejt të papërfillshme dhe dominim të drejtpërdrejtë nga të huajt. Helenët, ilirët, romakët u ndikuan nga civilizimet e vjetra të Lindjes së Afërme (që përfshin edhe ndryshimet dramatike në kulturë, vlera dhe mendësi të filluara nga krishterimi), ose sesi civilizimi islamik, i lindur në Azinë Jugperëndimore, u bë një faktor jashtëzakonisht me ndikim në ndryshimet kulturore mes popujve ku u përhap edhe nëse hyrja e drejtpërdrejtë ishte masive ose minimale.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, gjuha

Dhënia e Portit të Durrësit, cënon Sigurinë Kombëtare

January 12, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Para pak kohësh në gazetën “Telegraf” dhe “Dielli” botova shkrimin me titull: A po shitet Porti i Durrësit? Shkrimi u botua pas kthimit të kryeministrit nga Emiratet e Bashkuara së bashku me ministrin Arben Ahmetaj me lajmin e bujshëm se ky vend do të jap 70 milion dollarë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Rama nga ana e tij nuk harroi të riktheksoi se miqtë e largët do të ndërtojnë portin e jahteve, aty ku sot është porti i Durrrësit, ndërkohë që ky do të zhvendoset në Porto Romano. Kryeministri nuk tha që kishte shkuar atje me një sërë ministrash, që do të qiraseshin në Dubai me dreka e darka, e ndoshta dhe argëtime falas si dhuratë nga Nustreti ( kam në lagje një peshkatar me emrin Nustret) dhe miqtë e tij. Tani na del se jo vetëm Porti i Durrësit por edhe Përmeti, ka dalë në shitje. Në daljen televizive të datës 11.01.2021 nënkryetari i bashkisë së Tiranës, i përfolur, për një shëtitje argëtuese në Barcelonë me paratë e shokëve biznesmenë, bën arsyetimin idjot se nuk mund të jenë bashkë dhe porti i mallrave (duke e quajtur të mirëqenë dhënien e portit) dhe ai turistik, ndërsa flitet për sipërfaqe shumëhektarëshe të ndara nga njëra-tjetra. Po ç’është sot Porti i Durrësit për Shqipërizën tonë?

 Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m…. Ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit një pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) botuar nga Minisria e Mbrojtjes në korrik 2014 për domosdoshmërinë strategjike thuhet: “SSK është dokumenti më themelor planifikues për Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë…Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët, për një atdhe që garanton siguri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie për të sotmen dhe brezat e ardhshëm… Plotësimi i domosdoshmërive strategjike kërkon mirëkuptimin dhe angazhimin e të gjithë popullit shqiptar, për të bërë zgjedhje të vështira, që garantojnë sigurinë, përmirësojnë jetën dhe përmbushin aspiratat për të ardhmen. Për Portin e Durrësit në këtë dokument theksohet: Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do të arrihet duke nxitur projekte strategjike për ndërtimin e një aksi të rëndësishëm ndërkombëtar, që lidh një port në bregun shqiptar të Detit Adriatik (Mesdheun) me Detin e Zi, përmes lidhjes rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të telekomunikacionit.” Si do e shohim më poshtë, nëse porti u jepet arabëve lidhja me tokën shqiptare do të jetë zero dhe koridori VIII do ketë vdekur, sepse ky ishull tashmë arab do të komunikojë me vendet mesdhetare dhe më tej, vetëm nëpërmjet detit. Atëherë le të arsyetojmë thjeshtë me pasion por pa inate jo për darkën te Nustreti dhe lapërdhira të tjera në Dubai, por ku dhe si kryeministri dhe shpura e tij kanë tradhëtuar parimet themelore të shtetit, që shprehen në dokumentin bazë të SSK-së.

E para: Nëse projekte të tilla bëhen në vende me pozicione strategjike ( në këtë rast porti i Durrësit) a shpreh ky vendim siç thuhet në SSK aspiratën, vullnetin politik të popullit shqiptar për të realizuar vizionin e përbashkët, për një atdhe që garanton siguri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie për të sotmen dhe brezat e ardhshëm të tij? Në Shqipërinë ku ne jetojmë asnjë shqiptar, me përjashtim të kryeministrit dhe miqve të Nustretit, nuk është në dijeni të kësaj afere. Atëherë si shitet apo jepet me qira Zemra e Shqipërisë në detin Adriatik dhe toka rreth tij, pa u pyetur shqiptarët dhe pa u mbledhur Komisioni i Hartimit të SSK-së? Kjo marrëveshje apo projekt marrëveshjeje para se të kthehet në kontratë të detyrueshme duke kaluar  në parlamentin më të neveritshën që nga viti 1912, duhet tu bëhet e ditur shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

E dyta: Pse nuk bëhet e ditur, pse po bëhet, kur do të bëhet, sa do të kushtojë, cilat do të jenë përfitimet e palës shqiptare, etj e tj, në këtë aferë?

E treta: Dihet se rezerva e naftës janë të kufizuara dhe në disa vende arabe në mbarim. Investimet arabe të këtij lloji kanë qëllim strategjik, që ata të ngulen në Durrësin e Bukur për jetë e mot dhe të krijojnë “Dubain 2” këtë radhë në Mesdhe, për vete sigurisht. Mos e dhëntë zoti por në hyrje të kësaj mrekullije mund të vendoset ndonjë tabelë: Ndalohet hyrja për lypësit dhe shqiptarët. Ndërkaq shitësit e Portit do ta kenë siguruar edhe passaportën arabe.

E katërta: Në dokumentin e SSK-së rradhiten dhe rreziqet kombëtare të ndara sipas niveleve. Në rreziqet e nivelit të parë rradhiten dhe “Mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme.” A është e garantuar siguria kombëtare nga dhënia me qira apo shitja e Portit të Durrësit? Ajo që është kryesorja në të gjithë këtë aferë dhe që vjen erë e keqe, është mungesa e transaprencës, që është kthyer në ligj nga qeveria Rama. Kjo qeveri shet, blen, jep me qira, me PPP, merr borxh lart e posht pa dhënë shifrat e emrin e shtetit apo  bankave, sikur të ishte një SEKT antishqiptar dhe jo shërbestare e zgjedhur nga populli, që duhet t’i shërbejë atij dhe të bëj transparent çdo veprim. Ndërkaq është çasti që Presidenti i Republikës si garantues i Kushtetutës dhe opozita që korr e nuk lidh, të shprehen haptaz e qartaz për këtë aferë. Kujtesë:  Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Sigurisë Kombëtare Detare dhe dokumenti i SSK-së i hartuar në korrik 2014, ka dy vjet e gjashtë muaj që ka skaduar. Le të shikohet në formulimin e ri të SSK-së dhe strategjia për sigurinë detare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhenia e Portit te Durresit, Gezim Zilja, Siguria Kombetare

Covodi kanakar…

January 12, 2021 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Në vitin 2015, u mbyll forcërisht një televizion publik. Atë kohë kryeministri i Shqipërisë u tha shqiptarëve se me këtë veprim ndaloi pastrimin e parave të pista, se investitori ishte një lavatriçe kartmonedhash nga tregu i zi. Nga ky vendim plotësisht politik sot Shqipëria i detyrohet investitorit plot 110 milion euro. Madje sipas disa gazetave austriake, gjykata në Belgjikë ka urdhëruar që nga zyrat ku akumulohen fondet e kompanive ajrore, ato që fluturojnë mbi hapisërën qiellore shqiptare, të filloj dëmshpërblimi i investorit në fjalë. Bëhet fjalë për ish pronarin e televizionit Agon Chanel, Françesko Beket. Pra janë 110 milion euro, një shifër që ta kuptoni se sa e vlertë do ishte për momentin, mjafton të kujtojmë se spitali covid 4 në autosradën Durrës Tiranë kushtoi mbi 10 milion euro. Kjo edhe për faktin se u shfrytëzuan ambjentet e një universiteti të mbyllur si ai Kristal, megjithëse me hije dyshimi mbi shtetëzimin etj. Pra 10 milion euro brenda 110 milionshit llogaritet thjesht se sa spitale mund të ndërtoheshin në vend për të përballuar pandeminë. Megjithatë, sot ky krim ekonomik publik nuk ka asnjë të akuzuar nga drejtësia e vendit pikërisht për dëminin kolosal që u është shkaktuar qytetarëve shqiptar. Megjithëse ai është aty në krye të shtetit dhe për ironi të fatit shqiptarët vet merren me një darkë show në një nga restorantet e Dubait, se kanë paguar dhe si  janë zhgërryer disa bashkiakë, ministra apo mestarë marrëveshjesh të errëta që e kanë bërë publike tashmë informalitetin. Nga ana tjetër, për momentin po ky dëmshkaktuesi pandemik i ekonomisë së tyre sot po grindet me 5 familje bujqësh myzeqarë të cilët nuk e japin tokën për ndërtimin e një spitali rajonal, si dhuratë nga Erdogani. Pra një spitali dhuratë. Kjo është tashmë strategjia më infomale, më shkatërruese e identitetit shqiptar të cilët edhe pse kanë projektuar deri perandori, nuk po ndërtojnë dot vendin e tyre. Një kryeministër që e thotë publikisht se e bën me kënaqësi punën e lypsit për shtetasit e tij, kur nuk e ka bërë për familjen e vetë, nuk bën asgjë tjetër por vazhdon t’ua shtoj dënimin. Në kushtetuën e vendit prona gjoja është e shenjtë dhe mbrohet me ligj. Shtetëzimet janë vendime arbitrare të tipit Enver Hoxha. Por po ti referohemi vlerës së mësipërme, pra 110 milionshit, shqiptarët nuk kishin dhe nuk kanë përse të prisnin dhurata nga Erdogani. Do e ndërtonin vet një spital, madje në më pak se tre muaj. Biles edhe shtetëzimet do t’i bënin ligjërisht brenda vullnetit të lirë. Por kjo nuk ndodh. Se të ndërtosh vet nuk ka veç përfitime ekonomik, por edhe dinjitet social. Madje shifra prej 40% e popullatës në emigrim, do të ishte gati e përsgjymuar. Dhe shifra prej 650 mijë pensionistë do të ishte më e garantuar karshi pensioneve, nuk do mbante sytë tek gjeli i fund vitit. Prindërit shqiptarë nuk do e kalonin kohën në skajp duke folur me nipërit e mbesat emigrantë, por do i kish aty në fund javë. Përkrahja sociale nuk do ishte lukunia e surrogatove të politikës me pako me ushqime në dyert e njerëzve, por e ardhur bankare si gjithë bota perëndimore me qytetarët e saj. Mirëpo sot Shqipëria është një vend i dorës së tretë i Afrikës, moda e pakove të surrogatove derë më derë është bërë pandemi më vete. Sot shqiptarët hanë fara lulediellli trotuareve dhe qosheve, tymosin kafeneve, llomotisin për darkat në Dubai, për pandeminë, vaksinën, pa e kuptuar asnjëherë se kush në fakt është covid i vërtetë. Eshtë arithmetikë e thjeshtë, do vetëm të mprehni lapsin. Bëjeni!

Filed Under: Analiza Tagged With: Covodi kanakar, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT