• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. DR. MENTOR PËRMETI NË 100 VJETORIN E LINDJES

December 21, 2020 by dgreca

-KONFERENCA KOMBËTARE “BUJQËSIA, NJË SHKENCË JETËSORE ME RRËNJËT NË BIOLOGJINË E APLIKUAR”-

Universiteti Bujqësor i Tiranës  zhvillloi në datën 3.12.2020 Konferencën Kombëtare: ‘’Bujqësia, shkenca jetësore me rrënjët në Biologjinë e Aplikuar’’ organizuar në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Akademikut Prof. Dr. Mentor Përmeti.

Konferenca shkencore u organizua në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe MInistrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia COVID 19, konferenca u zhvillua online në platformën Zoom.

Në të morën pjesë përfaqësues të stafit akademik e drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës; studiues, akademikë, ish-pedagogë,  kreu i Akademisë së Shkencave, përfaqësues e drejtues të lartë të MBZHR-së, specialistë të sektorit të bujqësisë dhe jo vetëm, familjarë të Prof. Dr. Përmetit, profesorë nga fakulteti i Shkencave të Natyrës, përfaqësues të Institutit të Kërkimeve Gjenetike, Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve e shumë të tjerë.

Konferenca u hap nga Prof. As. Erinda Lika, zv/Rektore e Shkencës dhe Projekteve e cila në fjalën e saj pasi falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët e ketij eventi, theksoi faktin që Universiteti Bujqësor e konsideron veprimtarinë kërkimore dhe krijimin e kontakteve dhe rrjeteve me studiues nga Institutet e ndryshme vendase dhe të huaja si një gur themeli dhe një faktor shumë të rëndësishëm për veprimtarinë e tij të përditëshme.

Fjala përshëndetëse në këtë konferencë u mbajt nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i cili pasi falenderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre në këtë event, përmendi ndër të tjera disa nga cilësitë e paçmuara dhe atributet e Prof. Mentor Përmetit.

-‘’Prof. Dr.  Përmeti ishte një shkencëtar brilant i bujqësisë dhe Përmirësimit Gjenetik të Bimëve që me kontributin e tij të shquar shkencor dhe akademik, hodhi themelet e kërkimit shkencor të bujqësisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe më gjerë. Ai lartësoi emrin dhe vlerat e Institutit të Lartë Bujqësor si dhe të kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë’’– tha Prof. Sallaku. ‘’Ai investoi shumë në burimet njerëzore dhe gjatë punës së tij si pedagog dhe si drejtues në universitet, përgatiti breza specialistësh të aftë të cilët udhëhoqën me sukses kërkimin shkencor në bujqësinë shqiptare, drejtuan institutet dhe stacionet kërkimore në vend’’– vijoi më tej Rektori i UBT-së.

Në cilësinë e të ftuarit special, një fjalim përshëndetës mbajti edhe kreu i Akademisë së Shkencave, Akad. Prof. Dr. Skënder Gjinushi  i cili gjithashtu foli për kontributet dhe meritat e Prof. Përmetit si një studiues dhe dijetar i spikatur në fushën e tij.

-‘’Mentor Përmeti ishte dhe mbetet një figurë emblematike. Ai shkëlqeu në të gjitha fazat e jetës së tij dhe la gjurmë si një ndër themeluesit e UBT-së. Si anëtar i Akademisë së Shkencave ai mbajti një peshë të madhe të projekteve të rëndësishme që ka zhvilluar kjo Akademi veçanërisht në studimet albanologjike por jo vetëm. Ai meriton të quhet autor patentash shkencore, duke përmendur këtu punën e tij për grurin Dajti etj. Prof. Përmeti pati një kontribut të madh për brezat pasardhës’’– shtoi Prof. Gjinushi ndërsa falenderoi organizatorët dhe në veçanti UBT-në për organizimin e një konference të tillë.

Sesioni plenar i konferencës moderuar nga zv. Rektorja e UBT-së, Prof. As. Dr. Erinda Lika, vijoi me fjalën përshëndetëse të radhës nga zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo; nga Prof. Dr. Vjollca Ibro e cila e konsideroi ndër të tjera Prof. Përmetin si një model në fushën e gjenetikës; nga Mira Përmeti, vajza e Akademikut Përmeti; nga ish- Rektori i UBT-së Prof. Dr. Lufter Xhuveli, etj.

Ndërkaq një pjesë e veprimtarisë shkencore dhe akademike e Prof. Përmetit u përcoll me mjaft interes nga Prof. Dr. Fetah Elezi, ish- Drejtor i Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, nëpërmjet një materiali përmbledhës shoqëruar me një kolazh fotosh e pamjesh nga jeta, puna dhe karriera e Përmetit në dekada.

Po aq me interes ishte edhe sesioni i parë, moderuar nga  zv. Rektori për  Marëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, Prof. Dr. Alban Ibraliu  dhe  Drejtori i Institutit te Resurseve Gjenetike, Prof. Dr. Belul Gixhari; sesioni i dytë i konferencës,  moderuar nga Prof. As. Dr. Rigers Bakiu dhe Prof. Dr. Anila Hoda.  Gjatë këtyre sesioneve u prezantuan një sërë punimesh dhe studimesh të kryera nga pedagogë, kërkues shkencor të ndryshëm me larmishmëri tematikash të lidhura kryesisht me fushën e bujqësisë por jo vetëm.

Konferenca shkencore u përmbyll me zhvillimin e sesionit të tretë të posterave, moderuar nga Prof. Dr. Fetah Elezi dhe Prof. Dr. Arjana Kraja, gjatë të cilit u prezantuan postera me të dhëna e informacione mjaft të rëndësishme me tematika gjithashtu të larmishme  në sektorin e bujqësisë etj.

Të gjitha prezantimet dhe punimet e realizuara në kuadër të kësaj konference kombëtare, si një vlerë e shtuar e institucionit organizator, u botuan në Librin e Abstrakteve dhe njëkohësisht do të jenë pjesë e një numri special në revistën shkencore të UBT (The Albanian Journal of Agricultural Sciences-AJAS) publikim i cili do të mund të aksesohet nga studiues të tjerë, pedagogë, studentë etj. Kontribut të veçantë për organizimin e këtij eventi dha Prof. Dr. Vjollca Ibro, ish-rektore e Universitetit Bujqësor si dhe një ndër nismëtarët e organizimit të kësaj konference.

Konferenca “Bujqësia, shkenca jetësore me rrënjët në Biologjinë e Aplikuar’’ pason Simpoziumin e I-rë Shkencor organizuar 5 vite më parë po nga UBT, për nder të Akademikut Mentor Përmeti.

Filed Under: Analiza Tagged With: 100 vjetori, Lindjes, Prof.Dr. Mentor Permeti

HISTORIA PËRSËRITET -KARRIGA BOSH E KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË-DHE NJË UDHËHEQSE NDRYSHE NGA KOSOVA

December 20, 2020 by dgreca

“Në komb t’onë, duket se tërë hollësia e mendjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes, i kanë renë për miras gruas.” (Faik Konica, Revista Albania, 1906)

“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emërin shqipëtar…”, këndonte Naimi i madh.  Shyqyr që Naimi u ka kënduar maleve, fushave, bregoreve lumenjve dhe kodrave të Shqipërisë — dhuratës nga Zoti — si dhe “vendasve të mi të bekuar”, shqiptarëve në përgjithësi dhe jo politikanëve shqiptarë.  Sepse, politikanët shqiptarë shpesh ia dalin që me sjelljet e tyre me njëri tjetrin dhe me të tjerët, me praktikat dhe me vendimet e tyre si përfaqësues të popullit shqiptar, as nuk na kanë nderuar as nuk na bëjnë krenarë si shqiptarë, kudo që gjëndemi. 

Vizita e Dr. Vjosa Osmanit, Kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës në Tiranë ishte një rast i tillë, zhgënjyes.  Ashtu si edhe mijëra shqiptare e shqiptarë, anë e mbanë botës edhe unë mbetem i zhgënjyer dhe i hidhëruar në shpirt nga pritja që iu bë në Parlamentin shqiptar, Dr. Vjosa Osmani, bartëse e dy detyrave kryesore të Republikës së Kosovës. 

Atë ditë nuk e ndjeva veten aspak krenar se jam shqiptar.  Ju lutem lexojeni fjalimin e Zonjës fisnike nga Kosova në Paralamentin e Shqipërisë dhe më thoni se çfarë tha gabim në fjalën e saj kjo përfaqësuese edenjë e një brezi të vuajtur të shqiptarëve të Kosovës dhe pse duhej që karriga e Kryeministrit të Shqipërisë të ishte bosh për ato 14 minuta që foli Zonja Osmani. Veni re gjithashtu mos-respektin e hapët që treguan parlamentarët e pranishëm shqiptarë ndaj pranisë së Vjosa Osmanit në Kuvendin e Shqipërisë, me telefona në dorë duke lexuar dhe duke dërguar mesazhe.  Leri më duartrokitjet me dy gishta, të disa prej tyre.  Karriga bosh e Kryeministrit ishte një shprehje tjetër e qartë mos respekti për Kosovën dhe një akt bojkotimi me dashje të Zonjës Osmani.  Disa prej këtyre “burrave”, të parlamentit të Shqipërisë e treguan haptas përbuzjen dhe irritimin  e tyre ndaj zyrtares së lartë dhe gruas fisnike nga Kosova.   

Fatkeqësisht, bojkotimet kanë një histori të gjatë dhe të shëmtuar në Shqipërinë e shekullit të kaluar. Gjatë komunizmit, Shqipëria njihej botërisht si vendi i bojkotimeve. Bojkotime ndaj lindjes e perëndimit, bojkotime ndaj organizatave ndërkombëtare, madje bojkotime edhe ndaj të Madhit Zot, duke e shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, vendin bojkotues kundër Zotit.  Karriga bosh e Kryeministrit të Shqipërisë gjatë fjalimit të Zonjës Osmani në Kuvendin e Shqipërisë më kujtoi karrigat bosh të delegacionit të Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe largimin nga salla të delegacionit të regjimit hoxhist, 55-vjetë më parë, kur Papa Pali i VI – i pari Papë në histori që ka vizituar OKB-ën.  Shtypi i kohës shkruante se delegacioni i Shqipërisë komuniste ishte i vetmi delegacion që u largua nga salla — për të kundërshtuar praninë e udhëheqsit të Kishës Katolike në OKB, duke shkaktuar kështu një skandal të vërtetë diplomatik në skenën botërore.  Shtypi i asaj kohe shënon se bojkotimi, nga delegacioni i regjimit komunist shqiptar, i fjalimit të Papës Pali VI në OKB – është pasuar nga një fushatë e egër, fyese dhe denigruese kundër Papës dhe Vatikanit – urdhëruar nga vet Enver Hoxha dhe shpërndarë nga mjetet e propagandës së tij me radio dhe me shtyp.   E njëjta gjë ndodhi edhe pas fjalimit të Zonjës Vjosa Osmani në parlamentin e Shqipërisë, të ënjtën që kaloi, një fjalim  të cilin Presidentja në detyrë, Zonja Osmani me të drejtë e cilësoi, “sikur i flet njeriu familjes së vet”, por trajtimi që iu bë asaj nga një pjesë e medias së oborrit të pushtetit, nuk kishte asgjë të bënte me familjen e madhe shqiptare. 

Jo, jo, Zonja Osmani, të gjithë e kuptuam shpejt pas fjalimit në parlamentin shqiptar, ti nuk u trajtove si pjesëtare e “familjes shqiptare”.  Pjesëtarë të caktuar të medias, të akredituar pranë “oborrit mbretëror”, u hodhën menjëherë në veprim duke shfryrë mllef kundër teje due duke justifikuar sjelljet e “trimave” të Shqipërisë karshi teje, një gruaje fisnike –politikane ndryshe — nga Kosova.   Unë e kam lexuar tri herë fjalimin tëndë në parlamentin e Shqipërisë, e nderuara Presidente, dhe nuk mund të gjej ndonjë arsye logjike se pse janë çuar peshë këta njerëz.  Ku e kanë hallin? 

Pse janë të zemëruar me fjalimin tënd në parlament dhe me vizitën tënde në Tiranë, në përgjithësi, megjithëse pritja juaj nga Presidenti Ilir Meta ishte dinjitoze dhe me protokoll të rasstit.  Ndoshta u zemëruan se e fillove vizitën tënde në Shqipërinë Nenë me një homazh tek memoriali i Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, në Lezhë.  Mos vallë janë zemëruar me ty se kritikove disa prej politikave të Shqipërisë ndaj Serbisë dhe të qëndrimeve të saj ndaj Kosovës?  Ju Zonja Presidente me të drejtë paralajmëruat se, “Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë, këtu e në çdo vend tjetër të botës.” Ka gjë të keqe në këtë deklaratë?  Duket se as thirrja e Dr. Vjosa Osmanit për unfikim të ideve dhe bashkrendim të politikave dhe programeve kombëtare nuk u prit mirë.  A po u zemëruan nga thirrja e saj publike që Kuvendi i Shqipërisë t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë.  A po mos i zemërove “burrat” e Kuvendit dhe “trimat” e qeverisë së Shqipërisë dhe zëdhënsit e tyre në median e oborrit të tyre me thirrjen tënde që dy qeveritë dhe parlamentet shqiptare t’i garantojnë rinisë shqiptare, “një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.”  A po ishte mesazhi i Presidentes së Kosovës që i zemëroi ata më së shumti: Hiqni traun me Kosovën! Pyetja është pse gjithë ky mllef kundër një gruaje fisnike shqiptare e edukuar në Amerikë dhe qëndrimeve të saja atdhetare dhe thirrjeve për unifikim dhe bashkrendim të objektivave mbarëkombëtare midis dy shteteve shqiptare?

Duke marrë parasysh qendrimet e Tiranës zyrtare ndaj disa prej këtyre çeshtjeve, unë besoj se këto dhe arsye të tjera kontribuan që, fatkeqësisht, një pjesë e vizitës ssë Presidenetes së Kosovës në Tiranë të mos ishte aq e këndëshme për të as për shumë prej nesh që jemi dakort me ato që Dr. Osmani tha anë parlamentin e Shqipërisë.  Fatkeqësisht, ajo nuk u prit plotësisht si një si pjesëtare e familjes shqiptare, “në shtëpinë tonë të përbashkët”.  Duket se “establishmenti” politik, për mungesë të një fjale më të mirë shqip, u trondit nga fjalët e një përfaqusese të re të politikës shqiptare, qoftë në Kosovë qoftë në Shqipëri — frikë nga një udhëheqëse ndryshe e një brezi të ri politikanësh shqiptarë, që jep shpresë se ditët më të mira për Kombin shqiptar nuk janë larg, nëqoftse ajo dhe të tjerë si ajo nuk lejohen nga politikanët e këtyre 30-viteve të fundit të marrin në dorë frenat e të ardhmes kombëtare.

Unë jam i mendimit gjithashtu se një gjë tjetër që trazoi  zemrat e disa prej “burrave” të Shqipërisë është paragrafi i fundit i fjalimit  historic due shumë prekës të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë, ku ajo foli, ndër të tjera, edhe për vuajtjet dhe krimet komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe regjimit sllavo-komunist të ish-Jugosllavisë ndaj qindra mijëra familjeve shqiptare, në përgjithësi  dhe familjes së saj të ngushtë, në veçanti,  duke përmendur vrasjen e xhaxhait të nënës së saj, i cili është vrarë dhe varrosur i gjallë nga regjimi i Enver Hoxhës, si kundërshtar politik, varri i të cilit as nuk dihet, si shumë kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës.  “Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin dhe familja ime.  Gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmershme në burgjet e regjimit serb dhe në fund kishte vdekur nga ato tortura, ndërsa xhaxhai i nënës sime, vëllai tjetër Sulejman Vuçiterna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës’- u tha ajo parlamentarëve shqiptarë.

Veshët e deputetëve shqiptarë nuk ishin mësuar të dëgjonin të vërteta të tilla në atë parliament, për krimet kotmuniste kundër shqiptarëve në të dy anët e kufirit, të dy regjimeve komuniste si motra: regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist sllavo-jugollav të Titos e Rankoviqit.  Një deklaratë e tillë e guximshme nga Zonja Osmani duhet të ketë shkaktuar iiritm të madh në radhët e disa deputetëve të pranishëm atë ditë, ish-bashkpuntorë dhe nostalgjikë të atij regjimi vrasës.

Zonja e nderuar, Presidentja në detyrë e Kosovës dhe njëherazi edhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, u tregoi “burrave” të politikës shqiptare – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë — si dhe përfaqsuesve të medias shqiptare, në shërbim të politikanëve shqiptarë — vlerat e gruas shqiptare: nënave, motrave dhe bijave të këtij Kombi të lashtë dhe krenar – e të cilat, sipas Faik Konicës janë dalluar gjithmonë për nga hollësia e mendjes dhe e zemrës dhe për nga bukuria e karakterit dhe e sjelljes – vlera këto që u mungojnë shumë burrave të politikës shqiptare, fatkeqësisht.  Ketë mungesë vlerash njerëzore dhe shqiptare, shumë prej tyre e treguan haptas javën që kaloi, me trajtimin që i akorduan Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani, e cila la nder kudo që shkoi, sidomos me fjalimin e saj historik në Kuvendin e Shqipërisë, javën që kaloi. 

Frank Shkreli

pastedGraphic.png

                   Dr. Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë të ënjtën që kaloi

            pastedGraphic_1.pngUrimin e saj dërguar Presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, Presidentja në detyrë e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani e ka përfunduar me fjalët e ish-Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: “Zoti e bekoftë Kosovën!  Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!  Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme e të përjetshme!”

pastedGraphic_2.png

 Presidentja në detyrë e Kosovës Dr. Vjosa Osmani një fjalim prekës në parlamentin e Shqipërisë përmendi faktin se një afërm i saj ishte varrosur gjallë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ajo e kishte fjalën për kolonelin Sulejman Vuçitërna që vdiq në kënetën e Maliqit i dënuar nga Enver Hoxha si kundërshtar politik, shkruan Dashnor Kaloci në një artikull për gazetën Telegraf

pastedGraphic_3.png

A është Dr. Vjosa Osmani rugovistja/i e fundit?  Në takimin me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Z. Veliaj, Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, ka diskutuar edhe për mundësinë e ngritjes së një shtatoreje të Presidentit Ibrahim Rugova në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, njofton Klan Kosova.

                            

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shklreli, Historia perseritet, Karrigia bosh e Kryeministrit

Dënojmë Shukriun por jo Shukrinjtë

December 19, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

1) Në maj të vitit 2016, në rrjetet sociale plasi një skandal seksual. Denoncim ishte i emisionit ”Të paekspozuarit” në televizionin Ora News. Kryetari i Bashkisë Dibër tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me nëpunësen, një njëzetëvjeçare. Shukria i Dibrës etj. Përfundimi, mirë që e shkarkuan nga detyra, por Prokuroria e kohës e dënoi edhe për korrupsion pasiv. 

2) Po në Dibër 3 vjet më vonë plas një tjetër skandal. Përgjimet e tabloitit gjerman Bild. Janë zgjedhjet që do nxjerrin kandidatin për vendin bosh të Shukrisë. Një masakër e tërë elektorale ku me zë të qartë dalin sheshit blerja, kartat e identitetit, kërcënimet, premtimet për vende pune etj. Triumfi spektakolar i krimit elektoral ku aktorët kryesor ishin ministra si ai brëndshmi, i pushtetit lokal a infrastrukturës, deri tek kryeministri i vendit. 

3) Kjo është epoka e atyre që pretendonin dhe e pranonin vet se kishin shkaktuar tërmet elektoral. Si tha Damo Gjiknuri, tërmet, i q…. robtë. Ndërsa njëri përfundon në bankën e të akzuarve, për drogë. Tjetri merr kreun e komisionit të reformës në drejtësi. Një tjetër bëhet kryetar Bashkie diku. Një tjetri i bëjnë vajzën deputete etj.

4) Sot Prokuroria e Dibrës, ajo që nuk fali Shukrinë për një tentantivë pallimi. Fali ata që na palluan gjithë shoqërinë shqiptare, madje e palluan publikisht. Preteksi ka mbaruar afati i denoncimit. Apo është tejkaluar koha e pretendimit për krimin elektoral. Megjithatë po ky institucion sot nuk e sheh këtë afat kohor kur dënon disa komisionerë nga ky skandal elektoral. Ata që ne i quajmë peshq të vegjël. Dhe për më tepër ky institucion e pranon si krim, por pluhurit përsipër i hedh ca pluhur. Kësisoj koha e hetimit ka mbaruar. Nuk mund të hetohen më peshqit e mëdhenj. 

5) Nga ana tjetër motorët e regjimit janë ndezur herët sot. Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani është sipas tyre bullafiqe, marksiste, majtiste ekstreme që kërkon të bëj liderin e kombit. Dje hezitonin, sot kanë shpërthyer. Dhe jo rastësisht. Prokuroria e Dibrës me një sqarim absurd mbyll hetimet e vjedhjes së votës aty. 

6) Ajo që nuk kuptoj në gjithë këtë histori është qetësia opozitare. Sot rrugët duhet të mbyteshin nga indinjata. Por nuk ndodh. Madje është rasti unik opozitar i një qetësie ku çfarë kumbon ditë e natë janë vetëm motorët duble v të regjimit. Hajduti që bërtet kapni hajdutin. Krimineli që bërtet kapni kriminelin. Një opozitë që giciliqet nga frika e frikës mbi konceptin e protestës. Se është ajo apo jo mbrapa adoleshentëve. Një opozitë që pret 25 prillin. Që nuk është asgjë tjetër, por një trangull brenda një karrocerie me domate.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shukrijte, Shukriu

Fjalët e fundit

December 19, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Thellësia e fjalës tregohet në thjeshtësinë e saj. Në fjalët e fundit të njeriut përmblidhet ndonjëherë gjithë urtësia e jetës së tij. Gjatë shekullit të 3-të, Shën Laurenti u dënua me vdekje në Romë se ishte i krishterë. Zyrtari romak e dënoi me një vdekje mizore. Ai do të digjej i gjallë. Fjalët e tij të fundit ishin: “Kur të më kesh pjekur mirë në njërën anë, mos harro të më kthesh në anën tjetër”. Ironia e tij e tërboi romakun, i cili s’mund t’i bënte gjë tjetër veçse ta digjte. 
Arkimedi i lashtë ishte matematicien, i cili shpiku shkencat e mekanikës dhe hidro-statikës, dhe zbuloi metoda të ndryshme për të lëvizur objekte të rënda duke përdorur forca të vogla, të tilla si levën dhe rrotën. Fjalët e fundit të Arkimedit ishin jo “mos më vrit” por “mos i prish rrathët e mia”, një referencë për qarqet në vizatimin matematik që ai po studionte para se të vritej nga një ushtar romak.
Volteri, filozof, ishte i njohur për rebelim kundër intolerancës fetare dhe monarkisë absolute. Gjatë gjithë jetës, përpjekja e tij më e gjatë dhe e vështirë ishte për liri për të komunikuar. Liria e fjalës, besonte Volteri, ishte rrënja e të gjitha lirive, sepse vetëm liria e fjalës ka aftësinë t’i hapë sytë dikujt në rrugën drejt së vërtetës. Kur prifti e nxiti atë të hiqte dorë nga Satanai, Volteri u përgjigj: “Kjo nuk është koha për të bërë armiq të rinj”., duke iu referuar njëkohësish Satanait dhe priftit. 
“Dashuri—-Tragjedi” jane fjalët e fundit që Wagneri la të shkruar në një notë muzikore, si për të thënë se la pas sa miq edhe armiq. Richard Wagner dominoi muzikën evropiane si ndoshta askush tjetër. Pas vdekjes së tij në 1883, bota mbajti zi, kompozitorët u tronditën nga vdekja e tij. “Vagner è morto !!!” shkroi Giuseppe Verdi, antipodi italian i Wagnerit. “Duke lexuar lajmet dje, u trondita nga tmerri”. Johannes Brahms, i parë si kundërshtari kryesor gjerman i Wagnerit, dërgoi një kurorë të madhe dafine në funeral. Gustav Mahler vrapoi nëpër rrugë me lot, duke qarë, “Mjeshtri ka vdekur!” Pietro Mascagni u veçua për disa ditë, duke shkruar me shpejtësi Elegjinë për orkestër mbi vdekjen e Wagnerit. Liszt e përkujtoi dhëndrin e tij me një skicë të çuditshme pianoje. 
Cili është fjalimi më tërheqës në histori?
Nga Çikago, më 1942, ajo, krahas Zonjës së Parë Eleonor Ruzvelt, qëndroi përpara një turme të madhe, duke i qortuar se nuk mbështesnin hapjen e frontit të dytë. “Zotërinj,” tha ajo, “unë jam 25 vjeç dhe kam vrarë 309 okupatorë fashistë deri tani. A nuk mendoni se mjaft jeni fshehur pas shpinës time?” Këto fjalë u pasuan me duartrokitje të forta dhe po, fjalimi mbahej nga një grua, Lyudmila Pavliçenko, snajpera femër më vdekjeprurëse në botë. Pavarësisht se në fillim u refuzua të pranohej si snajpere dhe hyri në kurs për infermiere, asaj iu dha një provë që e kaloi me lehtësi. Brenda 75 ditëve të para si snajpere, ndërsa luftonte në Odessa, Pavliçenko bëri 309 vrasje të konfirmuara, “pa llogaritur dy që i kishte vrarë kur dha provimin”, dhe shumë të tjera të pa-konfirmuara. Ajo u bë famëkeqe mes gjermanëve, të cilët u përpoqën ta tërhiqnin në anën e tyre përmes transmetimeve në radio. Pastaj e kërcënuan se do ta copëtonin atë në 309 copa. “Ata madje e dinin edhe rezultatin tim!” – tregonte  Pavlichenko më vonë duke qeshur. Pavliçenko është e para shtetase sovjetike (ajo ishte nga Ukraina) që vizitoi Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të fushatës të Stalinit për hapjen e frontit të dytë në Europë.
Ka edhe raste të tjera të njerëzve që ndikuan me vepra e fjalë të thjeshta në këtë botë të ndërlikuar. Bota është e lidhur me fije të padukshme. Qëndron e varur rrotulluese. Fijet jane gurtësuara. Janë kthyer në vargonj. Sado herë pas here njerëzit përpiqen të shkëputen prej tyre, në fund përsëri bien në to. Është rrjetë merimange Bota, të gjithë jemi kapur prej saj. Sepse nuk ka si shpjegohet që një revoltë pas një qetësie shoqerohet me revoltë, kryengritja me kryengritje, trazira me trazira dhe njeriu përfundon përsëri nën zgjedhën që kishte; një dorë e vetme e padukshme e kontrollon botën të rrokulliset drejt vetes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Fjalet e fundit

Diplomacia e sotme dhe historia e hidhur

December 19, 2020 by dgreca

Nga Prof.Dr. Mehdi Hyseni/

Pse Vjosa Osmani, gjatë vizitës, që i bëri Parlamentit të Shqipërisë, nuk kërkoi zbardhjen e vrasjeve makabër të heronjve të UÇK-së: Ilir (Halit) Konushefci, Dr. Hazir Malaj dhe kolonel Ahmet Krasniqi ( maj, shtator 1998), por e përmendi vetëm rastin historik të xhaxhait të saj, Sylejman Vuçitërna? 

Vizita e Vjosa Osmanit  (kryetare e Kuvendit dhe U.D. së Presidentit të Kosovës), që i bëri Shqipërisë , më 17 dhjetor 2020, na gëzoi të gjithëve. Mirëpo, fjala e rastit të saj, e lexuar para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, imponon këtë pyetje të pashmangshme: -Ishte  vizitë zrytare apo private?

Së pari, nëse ka qenë vizitë private, atëherë, është krejtësisht i pranueshëm rikujtimi-shpalimi i historikut tragjik për “xhaxhain Sylejman Vuçitërna, si dhe  kërkesa e saj për të vizituar varrin e tij.

Për më tepër, kjo temë private e Vjosës ka mundur të preket, por vetëm jashtë Protokollit, gjatë drekave, darkave dhe pauzës, si rregull jo e shkruar, anëtarët e delegacioneve, mund të shpalojnë kujtime dhe tema të ndryshme nga jeta e tyre private. Kjo është praktikë e vjetër, e njohur qëkur daton diplomacia. Mirëpo, këto nuk mund të përfshihen në itinerarin e axhendës së Protokollit të bisedimeve zrytare mes palëve biseduese të çfarëdo niveli qoftë ndërshtetëror.

Së dyti, nëse ajo vizitë ka qenë zyrtare me axhendë protokollare (të harmonizuar mes dy shteteve), atëherë,  ajo temë private për “xhaxhain Sylejman Vuçitërna” nuk do të duhej  të lexohej para deputetëve  të Kuvedit të Shqipërisë, por t’i dorëzohej drejtpërdrejt Insititutit të Historisë , sepse ishte “temë historike”, jo temë aktuale e  politikës dhe e diplomacisë  së sotme shqiptare. 

Ndryshe, nuk ishte momenti e as vendi, që të rikujtohej ajo temë e dhembshme dhe tragjike, sepse  jo vetëm që na bëri të gjithëve “të qajmë”, por, njëkohësisht  krioji përshtypjen e ngatërrimit të interesit të përgjithshëm zyrtar me atë të interesit privat personal. 

Krahas kësaj teme për “Xhaxhain Sylejman Vuçitërna”, patjetër, do të duhej të kërkonte nga kryekuvendari Gramos Ruçi dhe nga deputet e tjerë të Parlamentit, që të zbardhej rasti i vrasjeve makabër të heronjve të UÇK-së: Ilir (Halit) Konushefci, Dr. Hazir Malaj dhe kolonel Ahmet Krasniqi (maj, shtator të vitit 1998).

Mirëpo, nëse tema “Xhaxhai Sylejman Vuçitërna” ka qenë e përfshirë në pikat shqyrtuese të axhendës së protokollit zyrtar mes dy palëve, atëherë, çdo diskutim është i panevosjhëm dhe absurd. 

Sa më sipër, përditë flitet dhe shkruhet me pompë se “presidenti i Kosovës, duhet të jetë figurë unifikuese” dhe, rreptësisht të përfillë interesin e përgjithshëm të popullit dhe të shtetit (jo vetëm atë personal, partiak etj.), atëherë, pse Vjosa Osmani e përmendi vetëm xhaxhain e saj në Parlamentin e Shqipërisë, e jo, edhe kërkesën e domosdoshme për zbardhjen e vrasjeve politike të heronjve të UÇK-së: Ilir Konushefci, Dr. Hazir Malaj dhe Ahmet Krasniqi (të vrarë në territorin e Shqipërisë), familjet e të cilëve qe 22 vjet po kërkojnë drejtësi nga  institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, por drejtësia ka dështuar, ashtu sikurse politika. Këtë padrejtësi, Vjosa do të duhej t’ua përkujtonte shtetarëve të Shqipërisë ( Presidentit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Parlamentit, Gramos Ruçi), ashtu siç ua përkujtoi për xhaxhain Sylejman Vuçitërna.

Prandaj, drejtësi, barazi, flijim për gjithë kombin, shtetin dhe atdheun, jo për asnjë parti dhe, për asnjë lider që e diskriminon, e shfrytëzon dhe e tradhton kombin dhe atdheun.

Filed Under: Analiza Tagged With: Diplomacia e sotme, Historia e hidhur, Mehdi Hyseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 313
  • 314
  • 315
  • 316
  • 317
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT