• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RACIZMI – TMERRET QË NUK DUHEN HARRUAR…

August 15, 2020 by dgreca

– Mjerë ai që gjykon me metrin e sotëm. Por edhe të harrohet është e padurueshme.-

Nga Gian Antonio Stella- “Corriere della Sera”, -Përktheu Eugjen Merlika-

            “Do t’ishte gabim të gjykoheshin veprimet e një epoke nga pikëpamja e një epoke tjetër”, shkruan Alexandre Dumas, duke vënë fjalinë në gojë të D’Artagnan-it tek Tre mosketierët. Fjalë ari. Siç dëshmojnë edhe rrahjet e zjarrta të mendimeve, mbi rrëzimin e përmendoreve të shumë njerëzve që, në kohën e tyre, mendonin se ishte “e zakontë”, sado që sot fjala na tmerron, të kishin skllevër. Mjafton të rilexohet se çfarë tha, edhe vetë Abraham Linkolni në Charleston, të Illinoisit, më 18 shtator 1858: “Nuk jam e nuk kam qënë kurrë i mendimit për të mbështetur n’asnjë mënyrë barazinë shoqërore e politike ndërmjet racës së bardhë e asaj të zezë; duhet të shtoj se nuk kam qënë në dobi të votës së negërve, ose t’i bënja ata ndihmës gjyqtarë, as për t’i aftësuar për të mbuluar detyra publike, ose t’u lejonja atyre martesa me të bardhët”. Për të shtënë dridhmën.

            Vlen, fatkeqësisht edhe për Kishën. Do t’ishte e drejtë, pikërisht sepse shumë priftërinj, fretër e misionarë, kanë zhvilluar betejë kundër skllavërisë, duke filluar nga i madhi Bartolomé de Las Casas që arriti në San Domingo si pronar skllevërish dhe i kushtoi jetën lirimit të tyre, të hiqeshin ato pjesë të historisë që edhe sot bëjnë të skuqen shumë të krishterë, të zotuar në vullnetarizëm, kryesisht n’Afrikë. Nga e cila, simbas studimeve, janë rrëmbyer e shpërngulur n’Evropë, n’Amerikat e në Vendet arabe së paku nja njëzet milionë afrikanë. Së paku.  

            Sigurisht, siç mëtoi më 1992 Gjon Pali i II në vizitën e tij të faljes në Gorè, portin senegalez nga niseshin anijet me negër (“Burra, gra e fëmijë kanë qënë viktima të një tregëtie të turpëshme në të cilën kanë marrë pjesë njerëz të pagëzuar, por që nuk e kanë jetuar besimin e tyre: si mund të harrohen vuajtjet e pafund të shkaktuara popullsive të shpërngulura nga kontinenti afrikan, duke përçmuar edhe të drejtat më parësore njerëzore?”) Kisha dënoi skllavërinë që nga viti 1462, në një letër të Piut II si një krim : “magnum scelus” (poshtërsia m’e madhe). Por bëhej fjalë për shpallje parimi të zhgënjyer.

            Heshtja për temën në Këshillin e Trentos, të hapur më 1545, kur rrugët detare për Amerikë ishin hapur  prej gjysmë shekulli dhe trafiku i të zinjve kishte filluar nga portugezët shumë katolikë (me aq pagëzime të rrëmbyerve në anije), thotë shumë. Ashtu sikurse përdorimi i 475 skllevërve në bordin e anijeve të flotës papnore me bazë në Civitavecchia deri në 1726. Mjerë ai që gjykon me metrin e sotëm. Por edhe të harrohet është e padurueshme.

            “Corriere della Sera”, 4 gusht 2020    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Gian Antonio Stella, racizmi, tmerret

MASHTRIMI I MADH(3)

August 15, 2020 by dgreca

Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)/

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”

– Ramiz Alia-

Shkruan:EUGJEN MERLIKA-DIELLI*/

Tejdukja ramiziane në këtë Fjalë para Byrosë politike na jep në tërë vërtetësinë e saj rrënqethëse portretin e saktë  të komunizmit shqiptar. Në lakuriqësinë e tij ai zhvishet nga të gjitha fjalët e bukura e reduktohet në një grusht njerëzish, pa ideale, pa parime, pa moral, pa skrupuj, që ka vetëm një qëllim: ruajtja e pushtetit me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo çmim. Kjo e vërtetë merr përmasa tragjike kur mendohet se, për gati gjysëm shekulli, ky grusht njerëzish ka mashtruar në mënyrë marramendëse miliona shqiptarë, duke u prrallisur mbi idealet, mbi interesat e popullit e të atdheut, mbi parimet, besnikërinë ndaj tyre e luftën për mbrojtjen e tyre, mbi moralin proletar, njeriun e ri  e dokrrat e tjera të këtij lloji, duke u “përgjëruar” për çështjen kombëtare e bashkatdhetarët jashtë kufijvet.

“Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse ne kemi platformën tonë.” Një indiferentizëm që arrin deri në cinizëm, jo sikur bëhet fjalë për gjysmën e ndarë e të dhunuar të Kombit, por për një popull të panjohur të Azisë apo Afrikës. Ky ishte qëndrimi i vërtetë i komunistëve shqiptarë ndaj vëllezërvet të gjakut. E kishin shpalosur atë gjatë luftës, kur nuk patën guximin apo vullnetin të mbronin kufijtë e rifituar të Shqipërisë, kur s’patën kurajon as të kërkonin referendumin për Kosovën që ju kishte premtuar vetë Titoja në Bujan.  E kishin tregur që në agimin e pushtetit të tyre, duke miratuar në heshtje vrasjet masive të kosovarëvet nga ushtarët e Titos si në rastin e masakrës së Tivarit, apo më vonë shpërnguljet e tyre nga trojet e degdisjet në Anadollin e largët nga udbashët e Rankoviçit. Megjithatë, nëpërmjet propagandës demagogjike, kishin arritur të bindnin një pjesë të mirë të kosovarëve se Qeveria e “Shtetit-amë” dhe “Baca Enver” mendonin ditë e natë për ta.

 Në përfytyresën e tyre Shqipëria komuniste kishte marrë formën e ylberit, drejt të cilit ktheheshin të gjitha shikimet. E vërteta qëndronte krejt ndryshe. Ata që u munduan t’a “kapërcejnë” ylberin, për të gjetur lirinë , larg dhunës sërbe, e kuptuan shpejt duke provuar burgjet e internimet si “agjentë jugosllavë” se cila ishte e vërteta. Të tjerët do t’a kuptonin vonë, shumë vonë, kur panë me sytë e tyre se si ishte katandisur Shqipëria nga “Baca” e ndjekësit e tij. Ka prej tyre që nuk e kanë kuptuar ende  e  vazhdojnë t’i thurin hymne në internet. Është e drejta e tyre, por do të bënin mirë të lexonin frazën e vetme që, në drejtim të Kosovës e cila luftonte për mbijetesë mbas fjalimit ogurzi të Millosheviçit,  shqiptonte kreu i komunistëve të “Dheut amë”. Do të bënin mirë t’i kërkonin falje atyre mijra shqiptarëve, që kërkuan lirinë në oborret e ambasadave të huaja atë 2 korrik 1990, të cilët u damkosën prej tyre si “renegatë e tradhëtarë të atdheut”.

. Kjo bandë zaptuesish të pushtetit, që nuk tërhiqet para asnjë krimi për t’a përjetësuar atë, ka projektuar me një saktësi që të shtang edhe vitet e ardhshme, kur ai nuk do të mund të ishte më bir i dhunës. Ndryshimet në botë bëjnë të detyrueshëm ndrrimin e stilit. Mashtrimi gjysëm shekullor, në kushte të reja, duhet të përsoset më tej. Tashmë ai nuk do t’u shërbehet vetëm shqiptarëve, të tejngopur me të, por edhe “botës së lirë”, në të cilën zyrtarisht Shqipëria do të kërkojë të hyjë si një “Vend demokratik”, që ka lënë pas krahëve përvojën e urryer të “shoqërisë moniste”.

Llogaritë bëhen në imtësi e duke marrë parasysh të gjitha rastet. Ka shenja padurimi në rininë shqiptare e mund të ketë orvatje apo prirje për të ndryshuar rrënjësisht gjërat. Kjo mund të bjerë ndesh  me projektin e përjetësimit të pushtetit, që sendërtohet nëpërmjet kalimit të tij nga etërit tek bijtë. Pra Shqipëria përceptohet si një mbretëri mesjetare, në të cilën kasta drejtuese i jep  vetes të drejtën e trashëgimit të pasurisë e të ofiqeve, siç bënte aristokracia në kohët e hershme. Për të siguruar këtë gjëndje, që do të tingëllonte anakronike në kapërcyellin e mijëvjeçarëve, partia ka vënë në lëvizje të gjitha levat e saj, nga moria e kuadrove deri tek banditët që, me dhunë, do të ligjësojnë vullnetin e saj.

“…Prandaj gjithmonë të jemi të pregatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi të pregatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur që i kemi pregatitur gjithë këto vite me mund dhe sakrifica. Mjerë ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen…”

Kuadrot i futën shpejt në punë, duke i shpërndarë nëpër partitë, nëpër organet e shtypit, në institucionet, ndërsa banditët u ruajtën për ditë më të vështira, për sulmin e fundit, për t’i vënë zjarrin Shqipërisë e besueshmërisë së saj më 1997. Në atë rast u shfaqën, në gjithë larminë e mizorisë së tyre, “njerëzit tepër të vendosur” , idhtarët e dhunës së verbër që arritën të djegin të gjallë djemtë shqiptarë të Shikut, që mbronin institucionet. Pati ndonjë që arriti deri në kanibalizëm, duke pirë gjakun e një djaloshi të torturuar e më pas të vrarë nga turma e hazdisur. Si shpërblim ajo “zonjë e nderuar” u bë deputete, ndërsa për djaloshin që ra heroikisht në krye të detyrës, ra heshtja së bashku me lotët e dhimbjen e familjarëve. Vetëm pak ditë më parë Presidenti Moisiu pati kurajon t’i dekorojë si shërbyes të Shtetit, të rënë në krye të detyrës. 

Kjo do të ishte skema e fundit e strategjisë së pushtetit, një skemë që nuk mbante parasysh asnjë farë respekti as për traditat e moralin e shqiptarit dhe as për rregullat më të thjeshta të së drejtës. Por ustai i kësaj ngrehine me themel krimesh din mirë se në panikun e shembjes së regjimit idhtarët e tij nuk janë të qetë. Përpara është e panjohura e ballafaqimit me botën tjetër, atë të Perëndimit, që ka fituar “luftën e ftohtë”gjysëm shekullore. Mbi atë botë deri ahere ishin derdhur lumenj boje të zezë, pa kursyer shprehjet më fyese. Por edhe ky ballafaqim është marrë në shqyrtim që herët e për habinë e të gjithëve Kryetari Alia nxjerr në shesh kartat e kredisë, që prej shumë vitesh mbaheshin të fshehta.

“Nëse lind nevoja do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja tua përmënd. Pavarësisht problemeve që na ndajnë me ta, kini parasysh se na bashkon kauza jonë e përbashkët, që është pushteti i komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe diskonkordancat e përkohëshme. Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të keni edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.

Shoku Enver dhe Unë, i kemi ruajtur këto lidhje të domodsdoshme dhe jetike, që në fund të fundit, garantonin pushtetin tonë popullor, të cilin do ta ruajmë si sytë e ballit edhe tani edhe në të ardhmen dhe përgjithmonë…”

Është kjo një nga pikat kulmore e më interesante të Fjalës që spjegon shumë “enigma”, jo vetëm të së shkuarës por edhe të viteve të kalimit në të ashtuquajturën demokraci. Mendimi fluturon larg, në vitet e mjegullta të luftës civile, kur ndihmat i shkonin partizanëve e jo forcave nacionaliste, kur Miladini detyronte Enver Hoxhën  të bënte copa-copa marrëveshjen e Mukjes, që përkonte me strategjinë aleate të luftës pa i lëvizur qerpiku, kur prijësit nacionalistë braktiseshin në Shqipëri e trajtoheshin si robër lufte në kampet e aleatëve në Itali apo Greqi, kur ata gjenin çfarëdo preteksti për të mos zbarkuar në Shqipëri në ndihmë të forcave kundër komunistëve, të grumbulluara në Veri, kur Mbretit të Shqipërisë nuk i jepej mundësia e kthimit në Atdhe mbasi kështu kishin vendosur komunistët, kur…

Mbas një flurudhe gjysëm shekullore mendimi ndalet në vitet e para të ndryshimit, në kohët e shpresave të mëdha, në përfaqësuesit e ndryshëm të Evropës që predikonin paqen, faljen, që i vinin në një rrafsh ata që vinin nga përvojat e përndjekjeve dhe ata që i kishin vënë në jetë ato, që i jepnin strehim politik ish kuadrove të Sigurimit që “kërcënoheshin” nga “regjimi i Berishës”, që parapëlqenin të diplomuarit e regjimit kundrejt të “pashkollëve” të kundër regjimit për t’ju dhënë mundësinë e mërgimit.

Mbas blindimit që i bëhet së ardhmes nga lidhjet e vjetra e të reja me ish miqtë e ish armiqtë, Kryetari Alia përfundon fjalën e tij me një shprehje besimi, që nuk le shteg për mëdyshje: “Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht Tonat.”. 

Sikur t’a kisha lexuar këtë material më 1990-91 do t’a kisha quajtur si shprehje e delirit të një diktatori që nuk don të besojë fundin e tij, si ëndrra që i serviren bashkëpuntorëve për të mbajtur gjallë moralin e trupës që po shpërbëhet nën peshën e gërmadhave, si prodhimin e një truri të nxehur nga ethet e pushtetit. Fjala e tij do të më shëmbëllente më shumë me optimizmin e Hitlerit që, megjithëse i rrethuar nga të gjitha anët prej ushtrive armike, shpresonte të fitonte luftën në çastin e fundit me bombën atomike që shkencëtarët e tij po mundoheshin të prodhonin. Sot, mbas pesëmbëdhjetë vitesh, që në ecjen e tyre kanë plotësuar mozaikun që Ramiz Alia vizatonte më 1989, një trishtim më kapllon shpirtin e më paralizon mendimin.

“Vëndi i mjerë, trëmbet kur sheh veten. E kishim nënë dhe na u bë varr, ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri, ku psherëtimat, klithmat e rënkimet, që ngjethin erën s’kanë të numuruar…” Kjo nuk ishte Skocia e Makbethit, por Shqipëria e Enverit dhe e Ramizit. Në të kaluam pjesën më të madhe të jetës pa liri, pa të drejta, pa zhvillim, në mjerim, në terror psikologjik e policor. Patëm një shkulm gëzimi kur pamë murin e Berlinit duke u prishur e rrëzimin e qeverive komuniste në Vendet e tjera. U entuziazmuam deri në ngazëllim atë 20 shkurt të 1991 shit, kur pamë të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë monumenti i diktatorit.

I besuam me gjithë zemër ndryshimit të jetës sonë e të jetës së Vendit. Me naivitetin e një fëmije i besuam të gjithëve: partive që mbinin si këpurdha e drejtuesve të tyre që përgjëroheshin për demokracinë, premtimeve për një Shqipëri evropiane e çeqeve të bardha, Perëndimit se do të na priste krahë hapur e do të na bënte menjëherë të pasur, idesë se do të kishte një dënim për kriminelët e një shpërblim për viktimat e tyre. Por, mbi të gjitha, i besuam përfytyrimit të një shoqërie që dal ngadalë do të shkëputej nga historia, idetë dhe praktikat e shkuara, për të ecur përpara në rrugën e lirisë, të zhvillimit ekonomik, të mirëqënies e të qytetërimit, një shoqërie që do të përtërihej në vazhdimësi e do të dinte të vlerësonte mundësitë e saj potenciale në të mirë të saj.     

Sot kuptojmë se të gjitha iluzionet tona mbetën vetëm të tilla, se ne qemë robër të një mashtrimi të madh, se demokracia jonë duhej futur në thojza. 

Uinston Çërçill thonte se “Burri më i madh i Shtetit nuk mund të parashikojë më shumë se gjashtë muaj”. Mbas pesëmbëdhjetë vitesh sot janë vërtetuar të gjitha “profecitë” e ish Kryetarit Ramiz Alia. Është shprehje e gjenialitetit politik të tij, e aftësive mediatike, apo është një fatalitet historik që vazhdon të përcaktojë jetën tonë, në trajtën e një sundimi të tejzgjatur të një kaste që përcjell në breza një etje të pashuar vetëm për pushtet? A mund të kishin marrë tjetër drejtim ngjarjet e dukuritë e këtij tranzicioni  të tejzgjatur? Deri kur do të mbetemi robër të një skeme që na ka shkaktuar kaqë dhimbje e që vazhdon të paragjykojë t’ardhmen tonë? Deri kur do të vazhdojmë të jetojmë në prehrin e atij mashtrimi të madh që na shoqëroi në këto vite? Deri kur, me naivitetin tonë, do të vazhdojmë t’a ushqejmë atë mashtrim, duke i besuar ende atyre që e sendërtuan atë simbas ideve të kryemjeshtrit?

Ndoshta ka ardhur koha që secili, në ndërgjegjen e tij, t’i përgjigjet këtyre pyetjeve e përgjigjet të derdhen në detin e gjërë të vetëdijes së përgjithëshme të Popullit e Kombit, që ka nevojë për një shkundje, për një ringjallje, për një rivlerësim të vetes…

U  mundova të shtjelloj në këtë shkrim një sërë përsiatjesh rreth këtyre viteve, tashmë të mjaftueshme si kohë, për të bërë ndryshimin e nevojshëm, që do t’a kishte çuar Shqipërinë më pranë Evropës si nivel jetese, si mendësi institucionale, si bashkësi njerëzish që, mbasi ka kryer provimin e ndërgjegjes për të shkuarën, e shikon t’ardhmen me besim e synime të qarta. Kur u rrëzua e u tërhoq zvarrë monumenti i diktatorit këto ishin ëndrrat  e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Sot, fatkeqësisht, këto mbeten përsëri ëndrra. Shqipëria mbetet e lidhur , në një masë të bollshme, me të shkuarën e saj e nuk është në gjëndje t’a heqë nga supet. Mendësitë, njerëzit e simbolet e saj zotërojnë kudo, së bashku me mjerimin, paligjshmërinë, arrogancën e kastës së re, të shartuar mbi trungun e vjetër. Bilanci i këtyre viteve mbetet i varfër në nivel bashkësie, megjithëse nismat vetiake të shqiptarëve kanë rezultate të dukëshme brënda e jashtë Vendit. Edhe njëherë tjetër treguam se na tërheq më tepër “çështja e humbur”, sikur duam t’i japim të drejtë edhe sot historianit të madh të dyqind viteve më parë.  

Përsiatjet e mija u përpoqën të spjegojnë këtë kohë jo të shkurtër kalimi, me të gjitha peripecitë, dështimet, mos arritjet e problemet e saj, simbas një projekti të hartuar me shumë dinakëri mbi pesëmbëdhjetë vite më parë dhe të vënë në jetë, me shumë përpikmëri, në gjithë ata vite. Do të desha që ky arsyetim i imi të ishte vetëm një hamëndje, një ëndërr e keqe, që ecuria e ngjarjeve të mos vërtetonte bindjen, që besoj se nuk është vetëm e imja, sado fantazi politike të duket. Mendoj se ju takon atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, patën dhe kanë barrën e  përgjegjësive për vendimet e marra në jetën e sferës drejtuese të Shtetit, të vërtetojnë të kundërtën. Përndryshe, më e pakta detyrë morale karshi të sotmes e së ardhmes, është të spjegojnë pse u bënë prè dhe sendërtues të atij projekti, që po i kushton aqë shtrenjtë këtij Vendi.(Fund. Lexo ne arkiv dy vijimet e meparshme)

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Mashtrimi i Madh 3

Denoncim: Pinjollët E Regjimit Komunist ….Që drejtojnë sot Shqipërinë..

August 15, 2020 by dgreca

View Post

Shkruan: ILIRJAN BLLOSHMI-Sekretar I Deges se Vatres ne Manhattan, NY-

-Edi Kristaq Rama, kryeministër, djali i anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Po ashtu nip i anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka.

-Gramoz Kaso Ruçi, kryetar i grupit kuvendor të PS-së. Ish sekretar partie e sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së së Rrethit të Tepelenës.

-Taulant Kasem Balla, nënkryetar i grupit kuvendor të PS-së. Babai instruktor i Komitetit të PPSH-së në Librazhd.

-Ilir Hamit Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Djali i Hamitit instruktor në KQ të PPSh-së dhe ndihmës i Nexhmije Hoxhës.

-Ditmir Sulejman Bushati, ministër i Punëve të Jashtme. Djali i sekretarit të parë të komiteteve të PPSH-së në disa rrethe.

-Milva Ekonomi, ministre e Ekonomisë. Nusja e djalit të ministrit të diktaturës, Piro Dodbiba.

-Besnik Mit’hat Bare, deputet i PS-së. Babai i tij ka qenë kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i burgjeve.

-Blerina Guri Gjylameti (Maçolli), deputete të PS-së. Nuse e djalit të ish oficerit e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Robert Gjylameti.

-Besnik Rrapo Dervishi, kryetar i komisionit për informimin, i biri i ish anëtarit të KQ të PPSH-së dhe ministër i përjetshëm.

-Vexhi Adem Muçmata, deputet i PS-së, ish hetues i diktaturës.

-Erion Luan Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Djalë i dy ushtarakëve të regjimit. Familje enveristësh, si nga fisi i vet ashtu edhe nga nëna, fisi Ormënaj.

-Fatmir Sazai Xhafaj-instruktor i Komitetit të Rinisë. Bashkëshortja vajzë e Hymer Berberit, funksionar në disa ambasada.

-Blendi Pëllumb Klosi, ministër i Mirëqenies. Djalë ushtarakësh të regjimit. Gruaja e tij, Nora Ndue Gega, e bija e oficerit të Sigurimit të Shtetit.

-Ervin Alfred Bushati, deputet i PS-së, nip i persekutorit me damkë Myftar Tare.

-Saimir Bashkim Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme. Është nip i oficerit të Sigurimit, Mehmet Kapaj, me profesion bari dhensh. Njihen bëmat e tij në vitet 1966-1982 në Tepelenë, Ersekë apo Elbasan.

-Bledar Melsed Doracaj, drejtor i përgjithshëm i Gjendjes Civile. Është nip i Hysen Doracajt, kryetar dege në MPB në vitet 1975-1986.

-Blerina Doracaj (Shtylla), këshilltare e ministres Milena Harito (Shteto). Bashkëshorte e Bledarit. Është vajzë e oficerit të MPB-së, Ilir Shtylla dhe evidencieres së Sigurimit të Shtetit, Natasha Kamberi.

-Bekim Osman Murati, drejtor i prefekturave në MPB. Është djali i ish sekretarit të parë të Dibrës. Për ata që kanë harruar, shoku Osman ka qenë edhe ministër i Tregtisë në kohën e tollonave, në vitet 1982-1990.

-Irma Dashamir Bime, drejtore e Arkivit. Bija e oficerit të Sigurimit të Shtetit, i cili ka qenë zëvendëskryetar e më pas zëvendësdrejtor i Punëve të Brendshme në Tiranë. Si injorant që ishte mbiemrin e shkruante gjithnjë gabim në “Bimi” e jo “Bime”.

-Zihni Nazif Bime, shef i burimeve njerëzore në MPB, ish oficer Sigurimi. Xhaxhai i Irma Bimes.

-Besnik Shehu, ish oficer Sigurimi, këshilltar i ministrit Saimir Tahiri.

-Valbona Subhi Kaso, drejtoreshë e përgjithshme në MPB. E bija e oficerit të Sigurimit.

-Julia Arqile Done, drejtoreshë e përgjithshme në MPB. Mbesa e sekretarit të Komitetit të PPSH-së në Tepelenë Fone Done.

-Arben Skëndo, drejtor i SHKB-së në MPB, ish oficer Sigurimi në katunde.

-Fatjola Sokol Lubonja, drejtore në MPB, mbesë e shoferit të Enver Hoxhës me mbiemrin Pullazi.

-Loris Frederik Ymeri, drejtor i kabinetit të ministres Milena Harito. Është djali i drejtori të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1990.

-Milena Fatos Harito (Shteto), ministre pa ministri. Është mbesë e anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Qirjako Harito, si dhe në lidhje me familjen Koleka.

-Bledar Triumf Çuçi, ministër pa ministri. Është nipi i oficerit famëkeq të Sigurimit të Shtetit, Edip Çuçi.

-Endri Përparim Fuga, drejtor komunikimi i kryeministrit. Nip i dy funksionarëve të lartë të regjimit si Myqerem Fuga dhe Iljaz Reka.

-Sonila Llambi Gegprifti (Qato), drejtore e përgjithshme, vajzë e kandidatit të Byrosë Politike dhe ministër.

-Mimi Pjetër Kodheli, ministre e Mbrojtjes. Babai instruktor në Komitetin Qendror të PPSH-së.

-Arian Skënder Kraja, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Babai ka qenë hetues në procese politike.

-Ogerta Dionis Manastrliu, drejtoreshë e përgjithshme. Babai i saj oficer i Sigurimit të Shtetit.

-Fatos Iljaz Reka, ambasador në Maqedoni, ish oficer i Sigurimit të Shtetit..

-Ervin Bilbil Mete, zëvendësministër i Financave, drejtues i partisë komuniste G99. Djali i hetuesit të Sigurimit.

Ilirjan Blloshmi
Sekretar i Përgjithshëm
Vatra Manhattan Branch

Filed Under: Analiza Tagged With: drejtojne, Ilirjan Blloshmi, Pinjollet e Komunisteve, shqiperine Demokratike

BIELLORUSIA – BE, PYETJET PA PËRGJIGJE

August 14, 2020 by dgreca

Nga PAOLO LEPRI –Përktheu nga “Corriere della Sera”, 11 gusht 2020- Eugjen Merlika-

Biellorusia digjet mbas zgjedhjeve – farsa me të cilat Lukashenko u kacavjerr në pushtetin e tij. Por skenari i recituar nga Evropa duket se është shkruar më përpara, edhe se ajo që po ndodh në kufijtë e saj bëhet gjitënjë e më tepër dramatike – jo vetëm në lindje – e kriza si kjo rrezikojnë të kthehen në makthe.

            Është e qartë që secili në Bruksel është munduar të bëjë më të mirën. Kuptohet nga të lexuarit e deklaratave të kryetares së Komisionit Ursula von der Leyen (”nuk ka vënd për shtypje të dhunëshme të manifestuesve paqësorë”) e të kryetarit të Parlamentit evropian David Sassoli (“liria e shprehjes e e protestave janë një parim themelor”). Charles Michel, që drejton Këshillin evropian, po heton terrenin mbi propozimin e një takimi të nivelit të lartë të jashtzakonshëm. Profil i ulët, si zakonisht, nga ana e përfaqësuesit të Lartë për politikën e jashtëme Josep Borrell (ku përfundoi skuadra e pushkatimit , e mbledhur në vazhdimësi, që mbante në shënjestër Federica Mogherinin?), i zotuar të bashkërendojë deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm që vlerëson mundësinë e sanksioneve. Por disa pyetjeve, megjithatë askush nuk u është përgjigjur. Cila është mënyra për të ndalur diktatorin e Minskut? A duhet të mbizotërojnë interesat gjeopolitike (Rusia e Putinit është shumë pranë) apo vlerat e mbrojtjes së të drejtave njerëzore?

            Këto përgjigje nuk do të vijnë sepse shumë interesa të kundërta me njëra tjetrën (dhe shumë shtylla të munguara) kanë ndaluar lindjen e një politike të jashtëme të përbashkët. Siç shkruan The Economist, BE është viktimë e gjeografisë së tij e të dështimeve të tij. A është vonë për t’u ndrequr? Leverdis të përgjigjemi: jo. Por e vetmja mundësi e vërtetë është që Vëndet antare – në egoizmin e tyre të hershëm, të sulmuar vetëm përkohësisht nga përgjigja piskamës së pandemisë – të kuptojnë se përfitimet janë më të mëdhaja se harxhimi në rastet e votimit me shumicë dhe një aftësie ushtarake të përbashkët.

            “Corriere della Sera”, 11 gusht 2020        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Bjellorusia-BE, Eugjen Merlika, pyetje

MASHTRIMI I MADH (2)

August 12, 2020 by dgreca

(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”–

Ramiz Alia–

Shkruan:Eugjen MERLIKA*-

Pjesëmarrja në jetën politike e atyre që nuk ishin pajtuar kurrë me komunizmin qe një tjetër aspekt i farsës së mashtrimeve që pësoi ajo shtresë shoqërore, për të cilën u fol aq shumë në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci. Ndoshta nuk do të ishte folur aqë, sikur drejtuesit komunistë të kishin patur mprehtësinë të kuptonin se fati i keq i shqiptarëve të dënuar nga diktatura i interesonte pak ose aspak “botës së lirë”. Sigurisht nuk mund t’a dinin as ata, as të përndjekurit e të gjymtuarit e diktaturës së kuqe se jetët e tyre, të kaluara kampeve e burgjeve, nuk përbënin asnjë shqetësim për atë botë. Ata viheshin në të njëjtin rrafsh me të tjerët, e si të tillë, nuk do të kishin asnjë përparësi në opinionet publike e zyrtare të Perëndimit, për kalvarin e vuajtjeve që komunizmi i kishte detyruar të përshkonin..

Shumë kush mund të thotë se ajo shtresë nuk pati njerëz të pregatitur për të marrë pjesë në drejtimin e Shtetit dhe se periudhën e qeverisjes së PD së disa prej tyre arritën deri në postet më të larta të administratës shtetërore. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por duhet vënë në dukje fakti se e gjithë klasa politike pas komuniste, me përjashtim të një pjese të socialistëve, ishte e improvizuar dhe diletante, mbasi përvojën politike nuk mund t’a kishin marrë nga spitalet, fabrikat apo institucionet arsimore ku kishin shërbyer. Në këtë kontekst prirja, për të ngushtuar mundësinë e pjesëmarrjes së ish të dënuarve të ndërgjegjes në jetën politike, ishte e maskuar por reale. Vetë ligji për kontrollin e figurave, i hartuar dhe i shpallur me të madhe si një masë që do të kufizonte pjesëmarrjen e ish zyrtarëve komunistë në Kuvend, në të vërtetë drejtohej në përzgjedhjen e elementëve që vinin nga ish “klasat e përmbysura”. Këta duhej të ishin besnikë të PD ose drejtuesit të saj, përndryshe skartoheshin si të papërshtatëshëm, gjoja simbas dokumentave që kishte në dorë shërbimi i fshehtë e të cilat ishin trashëguar nga Sigurimi i Shtetit komunist. Se sa mund të përpunoheshin këto dokumenta merret me mënd kur nuk ekzistonte asnjë mundësi apelimi ndaj vendimeve të Komisionit.          

Dëmshpërblimi i ish të dënuarve me punë të detyruar gjatë regjimit komunist mbetet ende mbas 13 vitesh të rrëzimit të tij një problem pa zgjidhje. PD në pushtet e njohu si detyrim nga ana e Shtetit por bëri pak për t’a vënë në rrugën e zgjidhjes. Kompensoi një pjesë fare të vogël në të holla e pjesën më të madhe e kaloi në “letra me vlerë”, të cilat, në pjesën dërmuese, u kthyen pa asnjë farë vlere për mbartësit e tyre. Një pjesë e vogël e tyre u shit në treg me një të gjashtën e vlerës e shkoi për të pasuruar ata që blinin objektet e privatizuara, pjesa tjetër u gllabërua nga fantazma anglo-adriatika e askush nuk është në gjëndje të thotë se ç’fund pati. PS që zëvendësoi PD qe më e “sinqertë” në aktin e mashtrimit, mbasi për ish funksionarët e saj me z.Nano në krye, njohu shpërblimet në masën dhjetëfish nga vlera që kishte caktuar Qeveria e Meksit, për disa vite burg të dhëna nga Gjykata e Tiranës në vitet 93-94. Ishin paraparë e paralajmëruar edhe këto dënime në fjalën e Ramiz Alisë si”ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”. Por kur vjen puna për morinë e viteve të të tjerëve, në kompensimin e të cilëve të gjymtuarit e burgjeve varin shpresën e ditëve të fundit të jetës, Nano dhe kolegët e tij përdorin të gjithë arsenalin e tyre të gënjeshtrave e justifikimeve për të zvarrisur në pafundësi zgjidhjen e problemit. Ju vijnë në ndihmë në këtë demagogji të ulët, për të mos thënë kriminale, “specialistët” si Shkëlqim Cani apo ekspertët e FMN, në heshtjen bashkëpuntore të përfaqësuesvet të organizmave evropiane apo diplomacisë së aleatëve të mëdhenj Perëndimorë…

Çfarë zhgënjimi i llahtarshëm mbas një gjysëm qinvjeti kalvari të kaluar edhe sepse shpirtërisht e moralisht e kishin ndjerë veten pjestarë të botës Perëndimore! Sa larg ishin iluzionet e tyre për atë botë  nga mospërfillja e përgjithëshme me të cilën u shërbyen  prej saj. Vite më parë, në një komision me përfaqësues amerikanë që shqyrtonin kërkesat e kandidatëve për studime në shkollat e larta ushtarake të SHBA, përzgjedhja binte më shumë mbi fëmijët e komunistëve. Një pyetjeje të një antari shqiptar se përse pranoheshin pak fëmijë të ish të përndjekurve, kryetari amerikan ju përgjigj se “ata janë të mbushur me mllef dhe ky paraqet rrezikshmëri.” Sigurisht nuk mund të përgjithësohet ky episod, por mbetet trgues i një mendësie jo të dobishme në lidhje me ata që gjithënjë kishin ëndërruar një jetë tjetër. Në përfytyrimin e tyre këtë jetë e kishin binjakëzuar me botën Perëndimore, parimet, vlerat dhe institucionet e saj.

Frika nga hakmarrja e kësaj shtrese të popullsisë, e hasur jo vetëm në kastën e lartë të komunistëve, por edhe në mjediset katolike e socialiste të Evropës, e bashkuar me prirjen për të mos vënë në pah krimin komunist, në gjithë gjërësinë e thellësinë e tij, bënë që përparësia, që duhet  të kishte ajo në sistemin demokratik, të mbetej vetëm një shpresë e vakët dhe e pasendërtuar. 

Ajo frikë e hamendësuar nga shumë anë në rrjedhën e këtyre viteve nuk u përligj, mbasi hakmarrjet që priteshin nga njerëzit, të cilëve nomenklatura komuniste ju kishte gjymtuar jetën, nuk u vërtetuan. Kjo ndodhi për shpirtmadhësi, për frikë ndaj ligjit, falë një prirjeje për të mos ndërlikuar më shumë jetën, apo për motive të tjera, të cilat gjithkush mund t’i përceptojë simbas botkuptimit të tij. Por besoj se askush nuk mund të mohojë faktin se qëndrimi i asaj shtrese të popullsisë qe një leksion stili e morali në shkallën më të lartë, që tregoi epërsinë e saj të pakundërshtueshme shpirtërore ndaj xhelatëve të tyre, gjë që çuditërisht askush nuk ka dëshirë t’a verë në dukje.

Ata mjedise të së majtës evropiane, të bashkuar me ish komunistët, në të cilët kanë hyrë me të drejta të plota edhe pasardhësit e PPSHsë, thellë në vete gjejnë me vend dhunën kundër “fashistëve”, paçka se ajo dhunë rëndoi mbi tre breza njerëzish të pafajshëm. Kështu ata bënë çmos që të shmangeshin proçeset për dhjetra mijëra dënime të ndryshme në kundërshtim të plotë me Kartën e të Drejtave të Njeriut dhe ndihmuan drejt për së drejti që klasa politike komuniste, me ndonjë makiazh të vogël emërtimi, të ruante funksionin e saj drejtues edhe në sistemin e ri. Ky qëndrim ishte në përputhje me konceptet e parimet që kishin shoqëruar historinë e tyre të mbas luftës. Simbas Viktor Zaslavskit, një studjues i njohur, profesor i sociologjisë në Universitetin Luiss të Romës, drejtuesit e të majtave evropiane, sidomos komuniste, “ karshi popullsive të tiranizuara të Bllokut sovjetik tregonin një indiferentizëm absolut, sikur të bëhej fjalë për mish për top që duhej të bëhej theror në fushën e betejës së  historisë, që të kishin mbështetjen e shtypësve të tyre, për të zënë pushtetin në Perëndim. Ishte një qëndrim cinik, mbi të cilin shumë pak, në të majtën, kanë bërë një provim të vërtetë ndërgjegjeje.”.

Ja pra pse flitet pak ose aspak në Evropë për krimet e komunizmit, ja pse hasim në dukuri të tilla që ish kuadro të Sigurimit të Shtetit gëzojnë strehim politik e pensione në Itali, ndërsa një dorë pleqsh në moshë të thyer, vëllezërit Popa, megjithëse kishin rrezikuar jetën për të hyrë në Ambasadën italiane e për të jetuar në Italinë e ëndërruar, të riatdhesohen pa asnjë mundësi jetese në Shqipërinë e drejtuar nga Fatos Nano e shokët e tij.

 Në fjalën e z.Alia ravijëzohet qartë një strategji për të ardhmen e shoqërisë shqiptare që nuk ndryshon aspak nga ajo e projektuar dhe zbatuar prej partisë komuniste që nga lindja e saj deri në fundin e rremë. Është strategji e bazuar mbi terrorin e mashtrimin, mbi grabitjen e mos respektimin e asnjë të drejte njerëzore. “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të pa rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke ju dhënë nga një pashaportë dhe duke ju bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen.

Pasuria e tyre na përket Neve , sepse Ne e bëmë.”

Ata që sot trumbetojnë me forcë se komunizmi tashmë i përket së shkuarës,në leximin e kësaj pjese besoj se do të kenë rast të rishikojnë dhe një herë bindjet e tyre. Komunizmi i “reformuar” vazhdon t’a shohë Shqipërinë me të njëjtat syze që e kishte parë paraardhësi i tij. “Lufta e klasave” do të vazhdojë  siç vazhdon ndarja e shqiptarëve në “të mirë” e në “të këqij”. Ndryshojnë vetëm metodat, fasada e tyre. Ato bëhen më të holla, më dinake mbasi duhet të ruajnë formën “demokratike”, por në fakt janë më mizore, më të pamëshirshme në thelbin e tyre. Nuk është vështirë që nga fjalët e Alisë të përfytyrohet një Vend që braktiset nga bijtë e bijat e tij, në një dramë të fuqishme në të cilën regjizori pa emër e fytyrë vë në skenë diçka që i shëmbëllen një lloj spastrimi klasor, një lloj ndarjeje, kriteri bazë i të cilit është vetëm prejardhja, të lindurit me një mbiemër të caktuar që diku, në disa regjistra të fshehtë, është vënë në një rreth të kuq.  Dikur këta qytetarë të kategorisë së dytë, mbasi u ishte marrë pasuria, mbaheshin të mbyllur. Tani duhet të përzihen sepse nuk duhet të jenë të pranishëm në rindarjen e pasurisë, që “u takon” atyre, të tjerëve. Ata duhet të ikin, të enden nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë, mbasi Vendi i tyre, Shqipëria, duhet të vazhdojë të mbetet pronë e komunistëve të cilëve”u takon” t’a gëzojnë brez mbas brezi duke grabitur, duke e përçarë, duke e poshtëruar në sytë e botës, duke e sunduar në të gjitha format. Kush do t’i kundëvihej kësaj “aksiome”  do të ballafaqohej me ndëshkimin  që do të kthehet në origjinën e tij, në plumbat pa emër të njësiteve guerrile, ose dinamitin në pragjet e shtëpive. Vrasjet pa emër të viteve nëntëdhjetë e deri në ditët e sotme, ndoshta e kanë zanafillën në atë Fjalë ogurzezë të të fundmit Kryetar të Shtetit zyrtar komunist…

Tani e tutje ky Shtet duhet të ndërrojë petk, duhet të heqë uniformën ushtarake ala Mao, duhet të veshë kostumin e kollaren, për të hyrë në sallonet e Brukselit e të Strasburgut. Në fjalorin e tij nuk duhet të ketë më “luftë klasash”, “luftë kundër kapitalizmit”, “diktaturë e proletariatit” e të tjera shprehje të këtij lloji. Atje do të hyhet duke hymnizuar “lirinë”, “demokracinë”, “tregun e lirë”, “solidaritetin atllantik”, “të drejtat e njeriut”. Të gjitha këto duhet t’i shërbejnë si gjethe fiku një synimi të qartë, një besimi të palëkundur, një vendimi të pakundërshtueshëm të kupolës komuniste, të shkruar me gërma të kuqe si gjaku, me të cilin do të mbrohet, po të jetë nevoja: Shqipërinë do t’a gëzojmë Ne dhe fëmijët tanë. 

Kjo do të ishte, në projektin ramizian, Shqipëria demokratike. Nuk do të përbënte ndonjë çudi nëse do të quhej vetëm një projekt, sado cinik e kriminal që është. Nuk mund të pritej diçka tjetër nga një kastë që ishte rritur me pushtetin në dorë, mospërfillëse ndaj interesave të popullit që e mbante në kurriz. Asnjëherë deri atëhere udhëheqja komuniste shqiptare nuk kishte qënë kaq e sinqertë në paraqitjen e saj, kaq e zhveshur nga demagogjia, kaq e tejdukëshme në qëllimet e saj. Asnjëherë nuk e kishte shpalosur kaqë hapur thelbin e qënies së saj, që ishte vetëm ideja e pushtetit mbi një popull që ishte marrë nëpër këmbë e qorollisur aq gjatë n’emër të “interesave” të tij.

Mars 2004

Pj. II- Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: Eujen Merlika, Mashtrimi i Madh 2

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 343
  • 344
  • 345
  • 346
  • 347
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT