(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)
“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”–
Ramiz Alia–
Shkruan:Eugjen MERLIKA*-
Pjesëmarrja në jetën politike e atyre që nuk ishin pajtuar kurrë me komunizmin qe një tjetër aspekt i farsës së mashtrimeve që pësoi ajo shtresë shoqërore, për të cilën u fol aq shumë në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci. Ndoshta nuk do të ishte folur aqë, sikur drejtuesit komunistë të kishin patur mprehtësinë të kuptonin se fati i keq i shqiptarëve të dënuar nga diktatura i interesonte pak ose aspak “botës së lirë”. Sigurisht nuk mund t’a dinin as ata, as të përndjekurit e të gjymtuarit e diktaturës së kuqe se jetët e tyre, të kaluara kampeve e burgjeve, nuk përbënin asnjë shqetësim për atë botë. Ata viheshin në të njëjtin rrafsh me të tjerët, e si të tillë, nuk do të kishin asnjë përparësi në opinionet publike e zyrtare të Perëndimit, për kalvarin e vuajtjeve që komunizmi i kishte detyruar të përshkonin..
Shumë kush mund të thotë se ajo shtresë nuk pati njerëz të pregatitur për të marrë pjesë në drejtimin e Shtetit dhe se periudhën e qeverisjes së PD së disa prej tyre arritën deri në postet më të larta të administratës shtetërore. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por duhet vënë në dukje fakti se e gjithë klasa politike pas komuniste, me përjashtim të një pjese të socialistëve, ishte e improvizuar dhe diletante, mbasi përvojën politike nuk mund t’a kishin marrë nga spitalet, fabrikat apo institucionet arsimore ku kishin shërbyer. Në këtë kontekst prirja, për të ngushtuar mundësinë e pjesëmarrjes së ish të dënuarve të ndërgjegjes në jetën politike, ishte e maskuar por reale. Vetë ligji për kontrollin e figurave, i hartuar dhe i shpallur me të madhe si një masë që do të kufizonte pjesëmarrjen e ish zyrtarëve komunistë në Kuvend, në të vërtetë drejtohej në përzgjedhjen e elementëve që vinin nga ish “klasat e përmbysura”. Këta duhej të ishin besnikë të PD ose drejtuesit të saj, përndryshe skartoheshin si të papërshtatëshëm, gjoja simbas dokumentave që kishte në dorë shërbimi i fshehtë e të cilat ishin trashëguar nga Sigurimi i Shtetit komunist. Se sa mund të përpunoheshin këto dokumenta merret me mënd kur nuk ekzistonte asnjë mundësi apelimi ndaj vendimeve të Komisionit.
Dëmshpërblimi i ish të dënuarve me punë të detyruar gjatë regjimit komunist mbetet ende mbas 13 vitesh të rrëzimit të tij një problem pa zgjidhje. PD në pushtet e njohu si detyrim nga ana e Shtetit por bëri pak për t’a vënë në rrugën e zgjidhjes. Kompensoi një pjesë fare të vogël në të holla e pjesën më të madhe e kaloi në “letra me vlerë”, të cilat, në pjesën dërmuese, u kthyen pa asnjë farë vlere për mbartësit e tyre. Një pjesë e vogël e tyre u shit në treg me një të gjashtën e vlerës e shkoi për të pasuruar ata që blinin objektet e privatizuara, pjesa tjetër u gllabërua nga fantazma anglo-adriatika e askush nuk është në gjëndje të thotë se ç’fund pati. PS që zëvendësoi PD qe më e “sinqertë” në aktin e mashtrimit, mbasi për ish funksionarët e saj me z.Nano në krye, njohu shpërblimet në masën dhjetëfish nga vlera që kishte caktuar Qeveria e Meksit, për disa vite burg të dhëna nga Gjykata e Tiranës në vitet 93-94. Ishin paraparë e paralajmëruar edhe këto dënime në fjalën e Ramiz Alisë si”ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”. Por kur vjen puna për morinë e viteve të të tjerëve, në kompensimin e të cilëve të gjymtuarit e burgjeve varin shpresën e ditëve të fundit të jetës, Nano dhe kolegët e tij përdorin të gjithë arsenalin e tyre të gënjeshtrave e justifikimeve për të zvarrisur në pafundësi zgjidhjen e problemit. Ju vijnë në ndihmë në këtë demagogji të ulët, për të mos thënë kriminale, “specialistët” si Shkëlqim Cani apo ekspertët e FMN, në heshtjen bashkëpuntore të përfaqësuesvet të organizmave evropiane apo diplomacisë së aleatëve të mëdhenj Perëndimorë…
Çfarë zhgënjimi i llahtarshëm mbas një gjysëm qinvjeti kalvari të kaluar edhe sepse shpirtërisht e moralisht e kishin ndjerë veten pjestarë të botës Perëndimore! Sa larg ishin iluzionet e tyre për atë botë nga mospërfillja e përgjithëshme me të cilën u shërbyen prej saj. Vite më parë, në një komision me përfaqësues amerikanë që shqyrtonin kërkesat e kandidatëve për studime në shkollat e larta ushtarake të SHBA, përzgjedhja binte më shumë mbi fëmijët e komunistëve. Një pyetjeje të një antari shqiptar se përse pranoheshin pak fëmijë të ish të përndjekurve, kryetari amerikan ju përgjigj se “ata janë të mbushur me mllef dhe ky paraqet rrezikshmëri.” Sigurisht nuk mund të përgjithësohet ky episod, por mbetet trgues i një mendësie jo të dobishme në lidhje me ata që gjithënjë kishin ëndërruar një jetë tjetër. Në përfytyrimin e tyre këtë jetë e kishin binjakëzuar me botën Perëndimore, parimet, vlerat dhe institucionet e saj.
Frika nga hakmarrja e kësaj shtrese të popullsisë, e hasur jo vetëm në kastën e lartë të komunistëve, por edhe në mjediset katolike e socialiste të Evropës, e bashkuar me prirjen për të mos vënë në pah krimin komunist, në gjithë gjërësinë e thellësinë e tij, bënë që përparësia, që duhet të kishte ajo në sistemin demokratik, të mbetej vetëm një shpresë e vakët dhe e pasendërtuar.
Ajo frikë e hamendësuar nga shumë anë në rrjedhën e këtyre viteve nuk u përligj, mbasi hakmarrjet që priteshin nga njerëzit, të cilëve nomenklatura komuniste ju kishte gjymtuar jetën, nuk u vërtetuan. Kjo ndodhi për shpirtmadhësi, për frikë ndaj ligjit, falë një prirjeje për të mos ndërlikuar më shumë jetën, apo për motive të tjera, të cilat gjithkush mund t’i përceptojë simbas botkuptimit të tij. Por besoj se askush nuk mund të mohojë faktin se qëndrimi i asaj shtrese të popullsisë qe një leksion stili e morali në shkallën më të lartë, që tregoi epërsinë e saj të pakundërshtueshme shpirtërore ndaj xhelatëve të tyre, gjë që çuditërisht askush nuk ka dëshirë t’a verë në dukje.
Ata mjedise të së majtës evropiane, të bashkuar me ish komunistët, në të cilët kanë hyrë me të drejta të plota edhe pasardhësit e PPSHsë, thellë në vete gjejnë me vend dhunën kundër “fashistëve”, paçka se ajo dhunë rëndoi mbi tre breza njerëzish të pafajshëm. Kështu ata bënë çmos që të shmangeshin proçeset për dhjetra mijëra dënime të ndryshme në kundërshtim të plotë me Kartën e të Drejtave të Njeriut dhe ndihmuan drejt për së drejti që klasa politike komuniste, me ndonjë makiazh të vogël emërtimi, të ruante funksionin e saj drejtues edhe në sistemin e ri. Ky qëndrim ishte në përputhje me konceptet e parimet që kishin shoqëruar historinë e tyre të mbas luftës. Simbas Viktor Zaslavskit, një studjues i njohur, profesor i sociologjisë në Universitetin Luiss të Romës, drejtuesit e të majtave evropiane, sidomos komuniste, “ karshi popullsive të tiranizuara të Bllokut sovjetik tregonin një indiferentizëm absolut, sikur të bëhej fjalë për mish për top që duhej të bëhej theror në fushën e betejës së historisë, që të kishin mbështetjen e shtypësve të tyre, për të zënë pushtetin në Perëndim. Ishte një qëndrim cinik, mbi të cilin shumë pak, në të majtën, kanë bërë një provim të vërtetë ndërgjegjeje.”.
Ja pra pse flitet pak ose aspak në Evropë për krimet e komunizmit, ja pse hasim në dukuri të tilla që ish kuadro të Sigurimit të Shtetit gëzojnë strehim politik e pensione në Itali, ndërsa një dorë pleqsh në moshë të thyer, vëllezërit Popa, megjithëse kishin rrezikuar jetën për të hyrë në Ambasadën italiane e për të jetuar në Italinë e ëndërruar, të riatdhesohen pa asnjë mundësi jetese në Shqipërinë e drejtuar nga Fatos Nano e shokët e tij.
Në fjalën e z.Alia ravijëzohet qartë një strategji për të ardhmen e shoqërisë shqiptare që nuk ndryshon aspak nga ajo e projektuar dhe zbatuar prej partisë komuniste që nga lindja e saj deri në fundin e rremë. Është strategji e bazuar mbi terrorin e mashtrimin, mbi grabitjen e mos respektimin e asnjë të drejte njerëzore. “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të pa rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke ju dhënë nga një pashaportë dhe duke ju bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen.
Pasuria e tyre na përket Neve , sepse Ne e bëmë.”
Ata që sot trumbetojnë me forcë se komunizmi tashmë i përket së shkuarës,në leximin e kësaj pjese besoj se do të kenë rast të rishikojnë dhe një herë bindjet e tyre. Komunizmi i “reformuar” vazhdon t’a shohë Shqipërinë me të njëjtat syze që e kishte parë paraardhësi i tij. “Lufta e klasave” do të vazhdojë siç vazhdon ndarja e shqiptarëve në “të mirë” e në “të këqij”. Ndryshojnë vetëm metodat, fasada e tyre. Ato bëhen më të holla, më dinake mbasi duhet të ruajnë formën “demokratike”, por në fakt janë më mizore, më të pamëshirshme në thelbin e tyre. Nuk është vështirë që nga fjalët e Alisë të përfytyrohet një Vend që braktiset nga bijtë e bijat e tij, në një dramë të fuqishme në të cilën regjizori pa emër e fytyrë vë në skenë diçka që i shëmbëllen një lloj spastrimi klasor, një lloj ndarjeje, kriteri bazë i të cilit është vetëm prejardhja, të lindurit me një mbiemër të caktuar që diku, në disa regjistra të fshehtë, është vënë në një rreth të kuq. Dikur këta qytetarë të kategorisë së dytë, mbasi u ishte marrë pasuria, mbaheshin të mbyllur. Tani duhet të përzihen sepse nuk duhet të jenë të pranishëm në rindarjen e pasurisë, që “u takon” atyre, të tjerëve. Ata duhet të ikin, të enden nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë, mbasi Vendi i tyre, Shqipëria, duhet të vazhdojë të mbetet pronë e komunistëve të cilëve”u takon” t’a gëzojnë brez mbas brezi duke grabitur, duke e përçarë, duke e poshtëruar në sytë e botës, duke e sunduar në të gjitha format. Kush do t’i kundëvihej kësaj “aksiome” do të ballafaqohej me ndëshkimin që do të kthehet në origjinën e tij, në plumbat pa emër të njësiteve guerrile, ose dinamitin në pragjet e shtëpive. Vrasjet pa emër të viteve nëntëdhjetë e deri në ditët e sotme, ndoshta e kanë zanafillën në atë Fjalë ogurzezë të të fundmit Kryetar të Shtetit zyrtar komunist…
Tani e tutje ky Shtet duhet të ndërrojë petk, duhet të heqë uniformën ushtarake ala Mao, duhet të veshë kostumin e kollaren, për të hyrë në sallonet e Brukselit e të Strasburgut. Në fjalorin e tij nuk duhet të ketë më “luftë klasash”, “luftë kundër kapitalizmit”, “diktaturë e proletariatit” e të tjera shprehje të këtij lloji. Atje do të hyhet duke hymnizuar “lirinë”, “demokracinë”, “tregun e lirë”, “solidaritetin atllantik”, “të drejtat e njeriut”. Të gjitha këto duhet t’i shërbejnë si gjethe fiku një synimi të qartë, një besimi të palëkundur, një vendimi të pakundërshtueshëm të kupolës komuniste, të shkruar me gërma të kuqe si gjaku, me të cilin do të mbrohet, po të jetë nevoja: Shqipërinë do t’a gëzojmë Ne dhe fëmijët tanë.
Kjo do të ishte, në projektin ramizian, Shqipëria demokratike. Nuk do të përbënte ndonjë çudi nëse do të quhej vetëm një projekt, sado cinik e kriminal që është. Nuk mund të pritej diçka tjetër nga një kastë që ishte rritur me pushtetin në dorë, mospërfillëse ndaj interesave të popullit që e mbante në kurriz. Asnjëherë deri atëhere udhëheqja komuniste shqiptare nuk kishte qënë kaq e sinqertë në paraqitjen e saj, kaq e zhveshur nga demagogjia, kaq e tejdukëshme në qëllimet e saj. Asnjëherë nuk e kishte shpalosur kaqë hapur thelbin e qënies së saj, që ishte vetëm ideja e pushtetit mbi një popull që ishte marrë nëpër këmbë e qorollisur aq gjatë n’emër të “interesave” të tij.
Mars 2004
Pj. II- Vijon