• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UJDIA ZGJEDHORE DHE PRITSHMËRIA E SHQIPTARËVE

June 16, 2020 by dgreca

Shkruan Eugjen MERLIKA-Itali/

          Fjala “reformë”, në zanafillën e saj do të thotë “të formojë sërishmi”, të ndreqë , të korigjojë, të japë një formë më të mirë, më të dobishme, më të përshtatëshme për qëllimin.

          Sa i a arrin qëllimit e ashtuquajtura reformë zgjedhore shqiptare e vitit 2020, ka shumë për të rrahur mendime. Domosdoshmëria e rishbërjes së ligjit zgjedhor erdhi si pasojë e shtrembërimeve në atë sistem të sjella nga disa dukuri të përsëritura në vite, të cilat erdhën duke u majisur deri në kufijtë e mospranimit, për të mos thënë n’ata shkandullorë. Këto dukuri ranë aq shumë në sy, sa u pasqyruan edhe në shtypin evropian e tërhoqën vëmëndjen e diplomacive të huaja (SHBA dhe BE) që, fatmirësisht, e kanë vënë nën sqetulla jetën politike shqiptare, krejtësisht të paaftë të drejtojë një Vend në caqet e në standartet e një demokracie perëndimore. Që këtu rrjedh domosdoshmëria e ndërhyrjes në pikat nevralgjike të sistemit të sëmurë, me shpresën e vagët që të mund të synohet në shëndoshjen e tij që paraqet vështirësi të pakapërcyeshme pa funksionimin e një drejtësie të saktë e të shkëputur krejtësisht nga ndikimi i politikës.

          Mendoj se problemi thelbësor që vihet para shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm i saj, është ai i meritokracisë, i vlerësimit dhe njohjes së meritës vetiake të secilit, i përzgjedhjes dhe përgatitjes së klasës drejtuese që, në mënyrë paradoksale, në njëzet vitet e fundit në Shqipëri paraqet një rënie të lirë përsa i përket vlerave morale e profesionale, që duhet të jenë cilësitë më parake, të cilat karakterizojnë figurën e zyrtarit të çfarëdo niveli. Megjithë përparimin e jashtzakonshëm që ka bërë kombi shqiptar n’atë drejtim, nëpërmjet shkollimit cilësor të një numuri shumë të madh të bijave e bijve tëtij në universitetet e huaja e shqiptare, përfaqësimi i tyre në organet shtetërore e partiakeështë i paqënë ose nuk është në nivelin e duhur. Dhe atëherë kur një pjesë tepër e vogël e tyre futen në rradhët e administratës, nuk shkojnë të shoshitur nga sita e përgatitjes por e partishmërisë, si dikur, kur kryeministri i kohës thonte: “Ne vemë një hu dhe i themi të na e bëjë punën, dhe ai e bën”. Me këtë mendësi në brendësi të tyre vazhdojnë të ecin mjaft nga drejtuesit e shtetit e të politikës shqiptare.

          Pa hyrë në shembujt konkretë, të cilët nuk është e nevojshme të vihen në dukje, sepse janë para syve të të gjithëve çdo ditë, besoj se nga kjo dukuri duhet të nisë çdo lloj reformimi, për të cilin ka nevojë shoqëria dhe shteti shqiptar. Por sa arrin ujdia zgjedhore t’i vijë përpara kësaj pritshmërie të ngutëshme të tyre? Është e vërtetë, por tepër mjerane dhe që nuk na nderon si popull, arsyeja që vihet para ligjvënësve: të shmanget vjedhja e votës. Është me të vërtetë shqetësues skajor fakti që Shqipëria, prej tridhjetë vitesh qeveriset nga një klasë politike që nguron të verë moralitetin e jetës publike në qendër të veprimtarisë së saj, duke nxitur ngjitjen e qëndrimin për kohë biblike në të të njerëzve krejtësisht të padenjë.

          Të gjithë organizmat e ngarkuar gjatë këtyre viteve me kontrollin e pasurisë së personave publikë nuk kanë kryer detyrën e tyre dhe tani pasuritë e shumë politikanëve apo e një pjese jo të vogël të aktorëve të jetës ekonomike, nuk janë në gjëndje të ligjësojnë asgjë para një kontrolli e gjykimi të paanshëm e të përpiktë. Edhe ligji i fundit për sjelljen e pasurive nga jashtë nuk më duket se shkon në drejtimin e duhur, pavarësisht nga paraqitja. Në Vendin tonë vettingu përdoret për gjykatësit dhe policët e jo për kandidatët e antarët e jetës politike. Ujdia zgjedhore, në tre vite veprimtarie nuk e ka parë t’arsyeshme të verë si një kërkesë të domosdoshme edhe filtrin e pasurisë për të gjithë ata apo ato që hyjnë në jetën politike dhe administrative të Vendit. “Reforma”nuk ka bërë asnjë ndryshim cilësor gjatë kësaj kohe dhe marrëveshja e nënëshkruar prej katër përfaqësuesve të partive kryesore mund të paraqitet si një sukses nga pikpamja politike sepse sjell në një tryezë bisedimi kundërshtarë që deri dje mohonin njëri tjetrin, por është një dështim për proçesin në vetvete, sepse nuk sjell asnjë përmirësim real të tij. Jam i bindur se mbas një viti do të jemi të pranishëm në një tjetër sagë padish e kundërpadish mbi parregullsinë e proçesit zgjedhor. Ky dështim është vulosur si sukses nga përfaqësuesit e politikës botëroreqë, siç duket, kanë përvehtësuar një thënie të hershme të kolegëve të tyre të para një shekulli: “Bon pour l’Albanie”.

          Ndryshe nuk shpjegohet ngulmimi për të mbajtur në fuqi listat e mbyllura, pra votimin thjesht për partitë e jo për individët përfaqësues të tyre, dëshmi e një prirjeje gjysëm autoritare e të pandryshuar të kryetarëve të partive, të cilët duan të kenë në dorë të gjitha mjetet e mundëshme në përcaktimin e strukturave politike, për pasojë edhe administrative të shtetit, në stlin e vjetër e famëkeq, “partia mbi të gjitha”. Kjo sigurisht e lehtëson punën e tyre por vështirëson tmerrësisht demokracinë faktike. Modelet shoqërore të të tilla përftimeve shtetërore i gjejmë sot në Kinë, në Rusi, në Turqi e gjetiu.Sigurisht nuk janë ata të dëshiruarit e pjesës më të madhe të shqiptarëve.

          Ndryshe nuk shpjegohet kryeneçësia për të mbajtur në këmbë një administratë zgjedhore që emërohet e funksionon në një zë me drejtuesit e partive, duke i u bindur atyre. Depolitizimi i administratës zgjedhore është hapi i parë e më i rëndësishëm i një reforme të vërtetë zgjedhore, e duhej të ishte i zbatueshëm që para një të katërt shekulli. Tridhjetë vite problematike përsa i takon zgjedhjeve janë edhe pasojë e kësaj mënyre të mbarështimit të tyre. Kundërshtarët e depolitizimit kanë më shumë besim tek vetvetja, tek njerëzit e politikës, se sa tek qytetarët e thjeshtë, të cilët në të gjithë Evropën kryejnë detyrën e numurimit të votave. N’Evropë ata janë punonjës t’administratës zgjedhore ose jo, të palidhur me politikën, që thirren në detyrë sa herë ka votime, paguhen për dy ditë sa mbaron proçesi e kthehen në punën e tyre të përditëshme. Besoj se ka ardhur koha të depolitizohet jo vetëm proçesi zgjedhor por edhe ai konceptual i shoqërisë, që duhet të dalë nga korniza shtatëdhjetepesë vjeçare e një politizimi të skajshëm. Jam i bindur se komisionet jo politike do të punojnë shumë më mirë se sa ata që, në gjithë këta vite të kalesës, kanë prodhuar një gjëndje të tillë pasigurie institucionale. Në propozimet e fundit të ekspertëvë ka elementë interesantë si këshilli juridik i caktuar me short nga KLD, që mund të përcaktojnë një ecuri më të rregullt të proçesit. Të shohim sa do të mbahen parasysh këto nga këshilli politik e Kuvendi.

          Këshilli politik pati meritën sinoptike të gjejë “dakordësinë”, një neologjizëm i shpikur kohët e fundit e që nuk gjëndet n’asnjë fjalor të gjuhës shqipe, për kohën e votimeve duke i çvendosur ato nga stina e verës n’atë të pranverës apo vjeshtës, një gjë e arsyeshme dhe arsyeja mbaron me kaq. Sepse nuk mund të quhet një shpikje e shquar fakti që u vendos kontrolli biometrik i dokumentave të identifikimit të votuesve. Kjo shitet si një masë parandaluese e rrezikut që ndonjë faqezi të votojë më shumë se njëherë. Është i habitshëm ky fakt, nëse është i vërtetë, e dëshmon paaftësinë e plotë të organizmave zgjedhore, kriteri veprues i të cilëve vazhdon të mbetet në fuqi, mbasi çdo qytetar ka një qendër votimi në të cilin voton, dhe duhej t’ishte absolutisht e pamundur të shkonte e të votonte në një qendër tjetër ku nuk është i regjistruar. Nuk kuptohet se si gjatë tre dhjetëvjeçarëve qytetarët të kenë kryer të tilla shkelje të praktikës, pa u gjetur bari i shërimit të kësaj sëmundjeje, por që sot qenka zbuluar nëpërmjet kontrollit biometrik.

          Një tjetër “gjenialitet” i këshillit politik dhe i pronarëve të teatrit të kukullave që qëndrojnë mbas tyre, qe marrëveshja e menjëherëshme për t’i “deleguar” këshillit zgjedhor detyrën për t’organizuar pjesëmarrjen e të mërguarve në votimet e ardhëshme. Duket se ky vendim u muar pa asnjë kundërshtim në “lavdinë” e plotë të një mendësie që vazhdon t’i quajë shqiptarët jashtë atdheut si “tradhëtarë” të tij. Ka më se pesëmbëdhjetë vite që herë pas here politikanët shqiptarë, mes të cilëve edhe kryeministri e presidenti aktual, flasin për votat e të mërguarve. Madje u organizuan në vitet e shkuara edhe dy takime me të ftuarit e qeverisë nga mërgatapër të nxjerrë në pah “ngrohtësinë” dhe “dashurinë” e shtetit amë kundrejt bijave e bijve të tij nëpër botë. Për t’i dhënë më shumëshyret kësaj dukurie të fasadës, u emërua edhe një ish kryeministër që, çuditërisht, në këto ditë nuk pipëtin fare para një përjashtimi të maskuar të të mërguarve nga mundësia e votimit prej Vëndeve në të cilët jetojnë, pa marrë mundimin e një rrugëtimi të panevojshëm për të hedhur votën në një kuti votimi në Vëndin e lindjes.

          Do t’ishte në nderin e politikës shqiptare jo një veprim skuthësh, që bën sikur e njeh të drejtën e të mërguarve për të votuar në largësi, por praktikisht e pamundëson atë, por një vendim i hapur e i ligjësuar, me të gjithë udhëzimet përkatëse për të gjithë organizmat shtetërorë që duhet të jenë të zotuar në këtë proçes. Arsyeja e një sjelljeje të tillë burracake është e njohur për të gjithë ata që jetojnë jashtë dhe është pohuar e ripohuar më se një herë nga zoti Myslim Murrizi, njëri nga personazhet më të çiltër e më të guximshëm të politikës shqiptare sot.

          Të mërguarit nuk kanë asnjë interes vetiak për votimet. Nëse kanë parapëlqimet e tyre politike, ato i nënështrohen vetëm e vetëm dëshirës së tyre për të parë mbarëvajtjen e përparimin e atdheut të tyre, me të cilin, së paku, brezi i parë i mërgatës është i lidhur shpirtërisht e në shumë raste është i vendosur të kthehet e të vdesë në tokën ku ka lindur. Por nëse do t’u jepet mundësia, të mërguarit mund të jenë një rezervë e dobishme për të shkundur nga letargjia vendnumuronë e politikës e, ndoshta për të dhënë shpresë për ndonjë risi politike në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit 21.

          Por përtej sofizmave të parafabrikuara mbi “pamundësinë kohore” të organizimit të këtyre lloj votimeve, më duket se një shpjegim i hollësishëm e i qartë i ministrit Majko bëhet një domosdoshmëri morale e politike për të e për të gjithë ata që qeverisin Shqipërinë. U habita kur dëgjova në televizion “shpjegimet”, gjoja të shprehura me “keqardhje” nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, që shtjellonin pamundësinë e organizimit për mungesë kohe. Më sollën ndërmënd ata arsyetime një thënie të Lordit Bacon rreth katër shekuj më parë: “Hipokrizia është urtia e krokodilëve që qanin duke llupur.”E kjo thënie e urtë e filozofit anglez vlen për të gjithë aktorët e politikës shqiptare sot, përfshirë këtu edhe autoritetet më të lartë si presidenti dhe kryeministri, apo pasuesit e tyre.

          Po të ishte i vërtetë vullneti për t’u dhënë bashkatdhetarëve të tyre një mundësi pjesëmarrjeje në votimet, siç e kanë shumë prej qytetarëve të mërguar në shumë Vende të botës, rruga për t’a sendërtuar thjeshtohet më së miri. Një deklaratë e hapur qeveritare, rrjedhojë e një vendimi të Kuvendit të Shqipërisë, duhej t’i ftonte të gjithëtë mërguarit që dëshirojnë të votojnë, t’i drejtojnë miratimin e tyre një organi të ngarkuar e të kapshëm on line, me të gjitha përgjigjet e nevojshme të kërkuara. Në bazë të këtyre përgjigjeve organi i ngarkuar bën kontrollin e nevojshëm në regjistrat e qëndrave zgjedhore, duke përcaktuar rregullsinë. Me mjetet e sotme të komunikimit besoj se nuk duhet më shumë se një muaj për të kryer një proçedurë të tillë duke aktvizuar personelin e nevojshëm, prandaj “keqardhjet” e rradhës dëshmojnë vetëm hipokrizinë e klasës politike që, në ndryshim nga parardhësja e saj komuniste nuk shfaq burrërinë t’i quajë dukuritë dhe objektet me emrat e tyre të vërtetë.

          Duke mos ndryshuar sistemin e votimit, duke mos ligjësuar depolitizimin e organeve zgjedhore, duke mos miratuar de facto votën e të mërguarve shqiptarë ujdia zgjedhore, e trumbetuar me bujë nga shumë anë, është një marrëveshje në zbritje për të ruajtur “statu quon”, pra një dështim i plotë sa i përket të sotmes dhe t’ardhmes së Shqipërisë. Cilido që mbron të kundërtën e këtij pohimi, mendoj se nuk i bën një shërbim së vërtetës dhe as pritshmërive të ligjëshme të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.                   

Qershor 2020                                    

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Pritshmeria e shqiptareve, Ujdia Zgjedhore

KOSOVA SHTET I NJOHUR NDËRKOMBËTARISHT, 12 VJET ME KUSHTETUTË

June 15, 2020 by dgreca

-Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, ka hyrë në fuqi para 12 viteve – në 15 Qershor 2008/

-Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

-Kosova e lirë dhe e pavarur përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike/

KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Qershor 2020/ Para 12 viteve, pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik, pas më pak se katër muajve – në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta  që përcakton që në Nenin 1 se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht,  citojmë të plota  dy nenet e para:

“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit] 

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 
2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e 
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve 
brenda kufijve të saj. 
3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë 
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. 
Neni 2 [Sovraniteti] 
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në 
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në 
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute. 
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i 
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë 
Kushtetutë dhe me ligj. 
3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare.”

Kushtetuta, akti më i lartë  juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit 2008.

Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 12 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 31 vitesh, në 28 Mars 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

 Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa,  si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes).

Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës po shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

Kosova për lirinë dhe pavarësinë është përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

Filed Under: Analiza Tagged With: 12 Vjet Kushtetute, Behlul Jashari, kosova shtet i njohur, nderkombetarisht

SI E RREZIKOI BOTËN PARTIA KOMUNISTE KINEZE

June 11, 2020 by dgreca

– MBAJTJA FSHEHTË E VIRUSIT  CORONA-19 NGA PARTIA
KOMUNISTE KINEZE SHKAKTOI PANDEMINË QË PO RREZIKON JETËN E
NJERËZVE NË GJITHË BOTËN/ – The Epoch Times sygjeron përdorimin e nji emni ma të përshtatshëm, jo koronavirus, por “Virusi i Partisë Komuniste Kineze”/
BOTOI: THE EPOCH TIMES/

Përktheu: Gjon Kadeli/
Kohët e fundit ka pasë kundërshtime se si me e quejtë këtë lloj
virusi,që ashtë përhapun në gjithë botën. Partia Komuniste Kineze
preferon me e quejtë këtë lloi virusi  “Koronanavirus”.Të tjerët e
quejnë “Wuhan virus.” dmth ,emnin e vendit ku e pat pikënisjen ky
virus,gja që asht e zakonshme me e emnue nji sëmundje.The Epoch Times
sygjeron përdorimin e nji emni ma të përshtatshëm dmth “Virusi i
Partisë Komuniste Kineze”.
Ky emën e mban P.K.K. përgjegjëse, për mosmarrjen parasysh jetën e
njerëzve,dhe si rrjedhim përhapjen e kësaj sëmundje në gjithë botën.
Kjo gjë ka krijue gjithashtu nji frikë të përgjithshme,dhe dame shumë
të mëdha ekonomike, në shumë vende të ndryshme, të cilët po përpiqen
të përballojnë këtë sëmundje.
Në të vërtetë, zyrtarët e P. K. K. e dijëshin që në fillim të
dhjetorit të vjetit të kalue, se sëmundja në fjalë ishte përhapun në
Wuhan; por ata për gjashtë javë, nuk morën masat e nevojshme kundër
kësaj sëmundje. Në të vërtet, autoritetet, ata që u përpoqën të ngrinin zanin, të vinin
në dukje rrezikun e kësaj sëmundje,i akuzuan se po përhapnin
“lajme të pavërteta” dhe përdorën censurën e rreptë të regjimit për
të mos lejue të shkruhej rreth kësaj sëmundje.
Masat për të ndalue përhapjen e virusit, nuk u morën sic duhej dhe
kështu sëmundja u përhap në gjithë Kinën. Qeveria nuk vuni në dukje
numrin e njerëzve që u prekën nga kjo sëmundje. Nga fundi i Kallnorit
kishte njoftime se qendrat e vorrimeve në Wuhan vepronin 24 orë në 7 ditët e javës për të vorrosun të vdekunit. Ndërkohë, masat për të
izolue dhe mjekue popullsinë e Wuhanit ishin shumë antinjerzore, e tuej
rrejtë rreth rrezikut ndaj Kinës. Partia komuniste e shpjegoi cështjen
tuej thanë  se “Partia asht madhështore, e lavdishme dhe e përpikët
(korrekte).”
Mospranimi i faktit, se, virusi në fjalë e pati pikëfillimin në Wahan
të Kinës asht i pa pranueshëm.Bota duhet të dijë prejardhjen e
tij. Megjithë këtë, Kina nuk ka pranue të bashkpunjojë dhe ekspertët
nga jashtë, nuk janë lejue të shkojnë në Wuhan. Pytjeve rreth
origjinës së virusit, Përkundrazi  P. K.K ka fillue fushatën e akuzave,
tuej thanë,se,gjoja Shtetet e Bashkueme janë përgjegjëse për virusin
në fjalë. Në nji mënyrë ose nji tjetër ky problem duhet të përballohet
nga bota.
Në të vërtetë, P. K. K. ka viktimizue popullin e saj , tuej mohue
virusin dhe tashti, don të viktimozojë përsëri, tuej zhvendsë tek të
tjerët përgjegjësinë për veprimet e saj. Kjo gja tregon ma së miri
sepse, emni “virus i P.K.K..” asht i nevojshëm, për të dallue viktimat
nga viktimizuesi.
Populli i Wuhanit dhe i gjithë Kinës janë viktima të arrognacës dhe të
paaftësisë që treguan autoritetet e vendit gjatë kësaj sëmundjeje tejet
helmuese.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Virusi Partise Komuniste Kineze

PAS 100 DITËVE …

June 9, 2020 by dgreca

PAS 100 DITËVE NËN LËNGATË, QYTETI I NEW YORKUT PËRJETON RIHAPJEN E FAZËS SË PARË/

-Rreth 400 mijë punonjës nisën punën me kufizime dhe nën masa mbrojtëse…Qyteti e arriti këtë moment me një kosto të lartë, duke humbur mijëra jetë njerëzore.

-Treshtetshi: New York, New Jersey dhe Connecticut kanë shënuar 46 mijë e 892 vdekje të konfirmuara të COVID-19, ndërsa në shkallë kombëtare janë shënuar 113 mijë viktima.

-Edhe pse nisi rihapja, shumë lagje në NYC mbeten problematike me infeksion deri në 50 % nga 19,9 % që është mesatarja e qytetit.

-Kryebashkiaku De Blasio paralajmëron se faza e dytë mund të ndodhë në fillim të korrikut

Përgatiti: Dalip Greca

E hëna e 8 Qershorit, siç e kishte paralajmëruar Guvernatori Andrew Cuomo në konferencën e përditshme informative të së Dielës 7 qershor, do të ishte një ditë e gëzuar sepse qyteti do të rihapej, duke respektuar fazat. Dhe e Hëna erdhi me një rihapje të kujdeshme të fazës së parë, ku u rihapën disa biznese, përfshirë prodhimin, ndërtimin dhe shitjet me shumicë dhe pakicë.

Rihapja erdhi ekzaktësisht 100 ditë pas ekzaminimit të rastit të parë të pacientit ZERO. Të hënën, Cuomo deklaroi me një ndjenjë triumfi: Ne jemi përsëri këtu!

Ai uroi njujorkezët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të ulur shkallën e infeksionit në përballjen me virusin e padukshëm.

Natyrisht që rihapja erdhi, por masat e sigurisë mbeten të pandryshueshme: distanca sociale, maska ​​dhe masa të tjera paraprake mbrojtëse, do të jenë pjesë e përditshmërisë për njujorkezët. Nuk dihet shifra e saktë e punonjësve që u rikthyen në punë gjatë së hënës, por shifrat paraprake u njoftuan për rreth 400 mijë punonjës.

-Është dita kur ne fillojmë të çlirohemi nga kjo sëmundje, ditë kur nisim rifillimin tonë në qytet, tha kryetari i bashkise Bill de Blasio të hënën nga Brooklyn Navy Yard, që u shndërrua në një prodhues i madh i maskave, të uniformave të personelit dhe të tjera pajisje jetike për përballimin e krizës. “Të gjithë njujrokezët duhet të jenë krenarë për Ju”, tha de Blasio.

Në më pak se tre muaj, New York City ka humbur të paktën 15.937 qytetarë nga COVID-19. Por media komenton se numri real mund të jetë deri në 25,000. Shifra me rreth 10 mije viktima shtese argumentohet me faktin se shumë persona vdiqën para se të testoheshin ose të merrnin ndihmën mjeksore, kështu që nuk janë raportuar të vdekur prej koronavirusit. Nderkohë që shteti I New York-ut ka raportuar se ka humbur 30 mije e 516 jetë njerëzore, ndërsa numri i të infektuarëve deri mbrëmjen e së hënës ishte 399 mijë e 892.

Sot, vdekjet e përditshme të COVID në New York janë në shifra dyshifrore(74), të dielën 41… Nuk mund të krahasohet me ditë-netët tragjike të prillit kur vdisnin mbi 800 vetë në ditë.Dhjetëra miliona punë janë humbur së bashku me dhjetëra mijëra jetë; numri i vërtetë i COVID-19 në psikikën Amerikane mund të jetë përgjithmonë i pallogaritshëm, komentojnë analistët.

Ende mbeten pa përgjigje shumë pyetje – sa janë me të vërtetë të sëmurët? A do të rikthet virusi në një fazë të dytë dhe sa forcë goditëse do të ketë ai? Kur do ta kemi vaksinën? 

A do të jetë e sigurt që fëmijët do të shkojnë në shkollë në vjeshtë? etj…

E sigurtë është se të hënën, 8 qershor, ndërtimi, prodhimi, shitësit me shumicë dhe shitësit me pakicë,  “jo-thelbësorë” rifilluan punën me kufizime. Shitësit me pakicë rihapën dyqanet dhe magazinat për dorëzim dhe marrje malli, megjithëse klientët janë përballë me masa kufizuse. Teatrot e Broadway-t dhe vendet e tjera të mëdha mbeten të mbyllura, dhe njujorkezëve ende u kërkohet të mbajnë maska ​​për fytyrën kur janë në publik. Ngrënia në natyrë akoma nuk lejohet, gjë që mund të ndodhë kur New York City të hyjë në fazën II, që de Blasio paralajmëron se mund të ndodhë në fillim të korrikut.

Progresi në NYC ka ardhur me një çmim tragjik. New York, New Jersey dhe Connecticut kanë raportuar së bashku 46 mijë e 892  vdekje të konfirmuara të COVID, ndërsa numri i viktimave në rang kombëtar i ka tejkaluar 113,000 dhe parashikohet që afër fundit të qershorit të shkojë 127 mijë.

       Duke komentuar rihapjen e qytetit, guvernatori Andrew Cuomo tha se “Kjo nuk është rihapje e pakuptimtë”. Ai , ndërsa deklaroi rihapjen, paralajmëroi për vëmendje dhe kujdes të veçantë. “Nëse shihni ndonjë rritje të shkallës së infeksionit, reagoni menjëherë….Ju e dini se çfarë do të thotë të qëndrosh i zgjuar “, tërhoqi vëmendjen Cuomo.

    Guvernatori Andew Cuomo tha të hënën se ai dhe stafi I tij do të mbajnë nën vëzhgim lagje të caktuara, ku shkalla e infeksionit është ende jashtëzakonisht e lartë në krahasim me mesataren në të gjithë qytetin.

Gjatë konferencës së tij të përditshme të koronavirusit, ditën e Hënë,Cuomo njoftoi se shteti do të vazhdojë të përqendrojë përpjekjet e tij në testimin dhe sigurimin e informacionit në lagjet me infeksion të lartë të New York City-t.

Pikat e nxehta ndodhen në Bronx, Queens dhe Brooklyn. Ja lagjet problematike: -Bathgate (Bronx), e cila ka një shkallë infeksioni prej 51 përqind; Bronx Park South dhe Jerome Park (Bronx), të dy kanë një shkallë infeksioni 50 përqind;

Flatbush (Brooklyn) dhe Queens Village (Queens), të dy kanë një përqindje infeksioni prej 45 përqind;

Morrisania (Bronx), e cila ka një normë 43 përqind;

Brownsville dhe Williamsburg (të dy në Brooklyn), të cilët kanë përkatësisht 41 përqind dhe 40 përqind infeksion; dhe,

lagjet Highbridge dhe Pelham në Bronx – të dyja kanë një infeksion prej 38 përqind.

Shkalla e infeksionit në këto lagje është jashtëzakonisht e lartë, në krahasim me nivelin 19.9 përqind të të gjithë New York City.

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, Hapja e Nju Jorkut, pas 100 ditesh

KURAJO CIVILE, MISION I INTELEKTUALEVE……..!

June 9, 2020 by dgreca

– Kurajo civile nuk do të thotë që njeriu të marrë shpatën e Skënderbeut dhe të filloj me pre krena mbar e mbrapsht…./

Shkruan: Loro Stajka-Virxhinia/

“Kritika”, analizuar edhe në kuptimin ethimologjik, do të thotë të vesh në pah: të mira, cilsi te mira pozitive, por, njëkohësisht mund të vihen në dukje edhe të metat dhe gjanat që vrasin synin dhe veshin, fyejn dekorin dhe lëndojnë mendime dhe opinione. Këto të fundit rreshtohen, nëse ka, për të vlersue të parat dhe që të dytat të mos përsëriten ose të rrallohen; kësaj i thonë “Kritikë” pozitive, shqip; ndërtuese.Por cfarë ndodh në realitet mes nesh?

 Në përgjithësi kritika jonë asht;  fymje, përcmim dhe denigrim.Shembuj ka,por unë këtu nuk e shoh të rastit të hartoj një listë të gjatë. Nuk është vendi.

Qëllimin e këtyre pak rreshtave që po shkruaj e kam tek Kuraja civile e kritikut të vërtetë,i cili në parim i peshon thanjet, mendimet e opinionet e veta!

          Nëse kjo i përgjegjet disa kushteve dhe respekton “liritë”, që supozohet se”Ku fillon liria e tjetrit aty  mbaron liria e jeme”.

Deri sa puna nuk sillet për rreth nji shamje,thash e thana a të nji shfaqje ambicioze , por thuret nji mendim apo opinion për nji punë o vepër të mirë, të aftë e dobipruese,AJO DUHET TË VEHET NË DRITËN E DIELLIT.

Natyrisht duhet theksue edhe pjesa negative në vështrimin objektiv dhe ndërtues.

Kurajo civile nuk do me thanë që njeriu të marrin shpatën e Skënderbeut dhe të filloj me pre krena mbar e mbrapsht.

Problemet, njerëzit dhe rrethanat, zgjidhen përballohen dhe analizohen, me Kurajo Civile dhe tuj bamë nji Kritikë ndërtuese.

Ky duhet të jetë misioni i intelektualëve, heshtja asht nje dezertim!        

Filed Under: Analiza Tagged With: Kurajo Civile, Loro Stajka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 359
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT