• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

APEL DREJTUAR KRYESISE SE FEDERATES PAN- SHQIPTARE TE AMERIKES” VATRA”

May 31, 2020 by dgreca

Shkruan: Rrapo Hajredin Danushi/

E nderuar Kryesi e Federatës Atdhetare Panshqiptare e Amerikes ”Vatra “! 

Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve ”Pronësi me Drejtësi”, në emër të pronarëve të shpronësuar nga diktatura komuniste, ju parshtojmë sa vijon: 

Duke ju vlerësuar ju, ambasadorë dhe avokatë mbrojtës të popullit Shqiptar, kërkojmë mbështetejn tuaj, për të sqaruar në strukturat përkatëse të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe të Bashkimit Europian (BE), të vërtetën e situatës së rëndë antiligjore dhe më të rrezikshme që po kalon shoqëria shqiptare.  

Problemi negativ më i madh, pas vendosjes së pluralizmit në vitin 1991, për shoqërinë shqiptare është përshtatja dhe trasformmi i diktaturës në sistem kleptokratik. Pas 1991, drejtuesit e politikës, krijuan anarkinë e titujve të pronësisë dhe me akte që bien ndesh me detyrimet kushtetuese po përvetësojnë pronat tona private dhe pronat që ligjërisht i përkisnin shtetit. Sistemi aktual ka vetëm fasadë demokratike, por në thelb ka ricikluar në politikë dhe në ekonomi, një grusht nga sistemi i mëparshëm komunist, duke i bërë ata kapitalistë ose pronarë të rinj, me pronat tona dhe me pronat e shtetit. Oligarkët e pas 1991, nëpërmjet mashtrimit, kanë keqpërdorur donacionet dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare. 

Ne ja kemi sugjeruar me dhjetra herë politikaneve tanë zgjidhjen por zëri ynë vazhdimisht ka rënë ne vesh te shurdhër. Oligarkët e politikës për të mbrojtur korrupsionin me pronat, mashtrojnë me kartën e kompensimit dhe justifikohen gjoja për interesa publike. Ata kanë arritur ta mashtrojnë Komisionin e Venecias dhe së fundmi edhe Gjykatën e Strasburgut. Zgjidhja e anarkinë e titujve të pronësisë është e thjeshtë, nëse zbatohen detyrimet kushtetuese, por mungon vullneti politik dhe duke mos pasur mjaftushëm ndërgjegje kombëtare, ata po shesin vazhdimisht interesat kombëtare në interes të klanit të tyre. 

Me datën 13 Tetor 2019, Gazeta Dielli ka botuar në shqip dhe anglisht, Apelin e Shoqatës Kombëtarte të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi “, drejtuar Institucioneve Demokratike Ndërkombëtare, mediave dhe Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi, për zgjidhjen konform Kushtetutës të problemit të pronës. Në këtë Apel kemi denoncuar faktin se në 1991, drejtuesit  e politikës shqiptare megjithëse e shpallën Shtetin zyrtarisht demokratik, ata kanë mashtruar popullin dhe ndërkombëtarët dhe prej 29 vjet, po përvetësjnë pronat tona me ligje që bien ndesh  me detyrimet kushtetuese. Apelin tonë drejtuar DASH dhe BE, Kryetari i Shoqatës Panshqiptare Vatra, z. Dritan Mishto e ka depozituar zyrtarisht pranë Qeverisë Amerikane (shih gazeta Dielli dt 13 dhe 15 Nëntor 2019). 

Delegacioni i Venecias, nuk ka analizuar arsyetimet dhe kërkesat që përfaqësuesit e pronarëve paraqitën në takimin e datës 18.09.2019, lidhur me anarkinë e pronës dhe zgjidhjen e problemit. Delegacioni i Venecias ka dhanë një informacion të manipuluar që ka devijuar vendim marjen në Sesionin e 120-të Plenar (Venecia,11 – 12 Tetor 2019). Raporti i Komisionit të Venecies (CDL-AD (2019)023), në pikën 7, duke pranuar si të ligjshëm “faktin e  kryer”  automatikisht mbështet shkeljen e neneve 41 dhe 181 të Kushtetutës dhe ka marrë në mbrojtje akte NUL ose absolutisht të pavlefshme. Çrrënjsja e korrupsionit pushtetar që në emër të ligjit po shkatërron Shqipërinë kërkon të vendoset si parakusht zbatimi i neneve 41, 42 dhe 181 të Kushtetutës. Pronarët nuk janë kundër kompensimit por Komisioni i Venecias dhe Strasburgu, nuk ka analizuar kërkesën tonë  që të ligji 133/2015 dhe platforma e Qeverisë, të saktësojnë se cila pronë duhet kthyer dhe cila duhet të kompensohet, në mënyrë që ai kompensim të përputhet me detyrimet kushtetuese. Manipulimi djallëzor i maskuar në raportin e Komisionit të Venecias, morri formë të shëmtuar zyrtare me vendimin e Gjykatës së Strasburgut “Beshiri grup”, datë 17 Mars 2020. Çështja Beshiri k. Shqipërisë (nr. 29026/06), e ka futur drejtësinë në rreth vicioz, sepse ka njohur si të ligjëshëm mashtrimin e oligarkisë së politikanëve shqiptarë, të cilët me ligjin 133/2015, kërkojnë që të kompensohen prona që janë përfituar me akte juridikisht të pavlefshme ose “Nul ab Initio”. Ky Vendim, e pranon si të mirëqenë platformën e Qeverisë, që mohon kthimin fizik dhe ofron si zgjidhje kompensim, kur Kushtetuta në fuqi përcakton qartë se cilat prona duhen kthyer dhe cilat duhen kompensuar. Shteti Shqiptar në 2018 nëpërmjet Avokatit të Shtetit ka raportuar zyrtarisht në Strasburg, gënjeshtrën e madhe se pronarët përbëjnë vetëm 0.6% dhe se ulja e masës së kompensimit bëhet për të mos thelluar borxhin e shtetit që është në shifra të larta. Kjo është bërë për të justifikuar si nevojë publike pakësimin e çmimit të kompensimit.  Me këtë vendim Gjykata e Strasburgut, ka pranuar kërkesën e Qeverisë për zvogëlimin deri në 10% të çmimit të kompensimit, pa analizuar dhe pa urdhëruar që në ligjin ligji 133/2015, duhet detyrimisht të përcaktohet se çarë prone duhet të kompensohet, kërkesë që ne e kemi theksuar. Sipas dokumentave zyrtare familjet pronare në Shqipëri janë afro 87% dhe dizinformimi i Strasburgut përbën një vepër penale. Duke mos bërë këtë analizë, vendimi i GJEDNJ “Beshiri grup”datë 17 Mars 2020, e ka futur popullin dhe sistemin e drejtësisë në rreth vicioz pasi favorizoi mafien e pronave dhe kontrollin e saj mbi pushtetin nëpërmjet Gjykatës. 

Me ndërhyrjen në kompensim Gjykata e Strasburgut ka mohuar vetveten si institucion i drejtësisë sepse ky qëndrim justifikon shkeljen e Kushtetutës dhe të drejtave të Njeriut në Shqipëri, shkel parimet e nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës, justifikon standard të dyfishtë krahasuar me vendimet e tjera të mëparshme që ka marrë Gjykata e Strasburgut me vendimin pilot M. Puto nga 2012 deri 2016. Vendimi i Strasburgut, Beshiri grup datë 17 Mars 2020, përbën faktor rreziku për egzistencën e Shqipërisë sepse mohimi i pronës së trashëguar dhe standardet e dyfishta, për interes të një grushti oligarkësh në Shqipëri janë spastrim etnik dhe gjenocid i heshtur. Sot mbi 50% e rinisë përpiqen të emigrojnë. Shkatërimi i themelit të demokracisë në Shqipëri e lehtëson eliminimin e Kosovës. Anarkia poskomuniste e titujve të pronësisë ngjan me një rinovim të planit të Çubrilloviçit që dështoi të realizonte spastrimin etnik të Kosovës martire, në shekullin e kaluar.  

Ligji 133/2015, shkon së bashku me ligjin nr 71/2019 dhe ligjin nr 20 dt 5 Mars 2020. Presidenti Bujar Nishani e ka denoncuar publikisht faktin se relacioni i palës shtetërore dërguar Komisionit të Venecies, për ligjin 133/2015, ishte i fallsifikuar, por Venecia nuk reagoi ndaj denoncimit të Presidentit Nishani (gazeta Dielli dt 30 Mars 1016) dhe kjo e çvleftëson atë si institucion që duhet të sigurojë demokraci nëpërmjet ligjit.    

Ligji 133/2015, maskon aktet e kryera në zbatim të neneve antikushtetuese në të gjitha ligjet e mëparëshme nga viti 1991 për kthimin dhe kompensimin e pronave si dhe të akteve që janë nxjerrë në shkelje të këtyre ligjeve antikushtetuese. Ligji 133/2015, lidhet me ligjin për legalizimet e ndërtimeve pa leje, që praktikisht në zonat turistike ka shërbyer si lavatriçe e parave të pista. Ligji 133/2015, lidhet dhe me ligjin nr. 20 datë 5 Mars 2020, që urdhëron regjistrimin e çdo lloj akti (AMTP), të dhënë nga komisionet e proneve, përfshi dhe aktet që institucionet shtetërore i kanë konstatuar si akte pa bazë ligjore pa bërë asnjë lloj kontrolli për ligjëshmërinë e tij në rraport me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës. Ligji 133/2015 që e trajton pronën e grabitur si pronë të grabitësit, lidhet edhe me ligjin Nr 71 /2019 “PËR KORPORATËN E INVESTIMEVE SHQIPTARE”.

Ligji nr 71/2019, “Për korporatën…” në nenin 9, parashikon 15 deri maksimumi 30 ditë për ti dhënë të drejtën e pronësisë,  njëpersoni të tretë, për një pronë  që ai nuk ka asnjë lidhje me atë pronë por vetëm faktin se ai deklaron se ka para për të investuar. Me ligjin nr 71/2019 “Për korporatën…”, Shteti zgjeron dhe justifikon vjedhjen, pasi (neni 7/1), kur pronarët originalë të padisin Korporatën në gjykatë deri në Strasburg, sipas nenit 6/3 shteti ja kalon përgjegjësinë Korporatës dhe duke e falimentuar Korporatën praktikisht ka vjedhur pronat turistike të pronarëve të ligjëshëm. Duke mos bërë këtë analizë,   vendimi i GJEDNJ “Beshiri grup”datë 17 Mars 2020, ka krijuar rreth vicioz pasi favorizon mafien e troje turistike dhe kontrollin e saj mbi pushtetin gjyqësor nëpërmjet Strasburgut.

Shteti nuk mund të japi me qira enfiteozë, leasing prona për të cilat nuk ka titull pronësie në përputhje me Kushtetutën. Në këtë situatë të anarkisë institucionale, pronarët kanë 29 vjet që mbahen peng pa i kthyer pronën e tyre të trashëguar. 

Ligji 133/2015 maskoi korrupsionin pushtetar dhe kërkon që për shkeljet që Shteti ka bërë pronarët ta zgjidhin të drejten e tyre, duke paditur njeri tjetrin në gjykata. Gjetja e të drejtës me ligjet aktuale dhe me gjykatat shqiptare është praktikisht e pamundur.

Akti i fundit, shembja e Teatrit Kombëtar dt. 17 maj 2020, kur çështja ishte në proces gjyqësor flet për mentalitetin e gabuar se Kryeministri = Shteti, që del mbi gjykatën dhe mbi Kushtetutën, pa analizuar ankesat se në kohën e shembjes me fadromë, brenda ndërtesës kishte artistë që kundërshtonin shembjen. 

Opinioni i Komisionit të Venecias maskoi korrupsionin me pronat dhe që vjen në emër të drejtësisë është me pasoja kriminale. Anarkia e titujve të pronësisë është krijuar nga pushtetarët, për të përvetësuar. Citojmë nenin 8 të ligjit 7501 që thotë: “Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë e fizikë, nuk njihet pronësia e mëparëshme, as madhësia dhe as kufijtë e saj para kolektivizimit”. Neni 25 i këtij ligji thotë: “Toka bujqësore që merret në pronësi sipas këtij ligji, trashëgohet në bazë të dispozitave ligjore për trashëgiminë, që do të miratohen”. Sqarojmë se ligji për trashëgiminë ka ekzistuar dhe s’ka qenë i nevojshëm ndonjë miratim tjetër, përveç justifikimit të vjedhjes në emër të ligjit. 

Nëse qytetari me ligjin 7501, ka marrë prona që nuk i janë shpronësuar famljes së tij, atij nuk i takon asgjë as me të vjetrën dhe as me të renë. Referuar Kushtetutës së Shkodrës që i përket shek XIV, Kanunit dhe traditës zakonore, Biblës, Kuranit, nenit 181 dhe 41 të Kushteutës në fuqi dhe Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës, pronat e grabitura duhet të kthehen  në origjinë. Malli i grabitur në çdo kohë i kthet të zotit së bashku me frutet e tij të munguara dhe pavarësisht se grabitësi e ka atë në disponim të tij apo e ka disponuar në persona të tretë.

Problemi i pronave nuk mund të trajtohet si vjedhje e thjeshtë. Prona është themeli i demokracisë dhe në kushtet e postkomunizmit anarkia e titujve të pronësisë ka sjellë korrupsion në administratën shtetërore dhe gjenocid për Shqipërinë. Vetë Kryeministri Edi Rama deklaruar në Kuvend në 2013 se ka mbi 8000 të vrarë për çështje prone. Janë me mijra hasmëri dhe familje të ngujuara, mbi 50% e rinisë që përpiqen me çdo mënyrë të emigrojnë. Duke krijuar sa më shumë gropa sociale, ekonomike dhe pasiguri në Shqipëri edhe Kosova mbetet e sabotuar. Përvetësimi i pronave tona dhe i pronave që i përkasin shtetit nga mafia e pushtetarëve nuk mund të justifikohet si nevojë publike. 

Ndryshimet e drejtuesve të “Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, SPAK dhe ONM nuk e zgjidhin anarkinë e pronës, nëse vetë Shteti nuk zbaton kushtetutën dhe nëse Shteti nuk fillon i pari me deklarimin e pasurive që i përkasin shtetit dhe deklarimin e pasurive që Shteti pas vitit 1991 i privatizoi dhe i transferoi në persona te tretë, me ligje që kanë vlerë NUL, pasi bien ndesh me detyrimet kushtetuese.  Akti nul nuk mund të marri fuqi vepruese por krijon vetëm komplikime sociale.  

Ne kërkojmë ndërhyrjen tuaj për zgjidhjen e pronës konform kushtetutës në fuqi. Kjo realizohet pa kosto dhe pa faturë financiare për shoqërinë nëse DASH, Banka Botërore  dhe institucionet e BE, do të kërkojnë si parakusht, që Shteti Shqiptar të ketë detyrimin që  e drejta e pronësisë, e drejta e përdorimit dhe kompensimi i pronës, të realizohet në përputhje me Kodin Civil dhe Kushtetutën. Kjo kërkon që Shteti të detyrohet të korrigjojnë titujt e pronesisë që ka dhënë gabim pas 1991 dhe ti korrigjojë ato në përputhje me nenet 41, 42, dhe 181 të Kushtetutës. Kështu Shteti korrigjon gabimet e tij, me aktet Nul dhe mbivendosjet e personave të tretë, në pronat e subjekteve të shpronësuar nga diktatura dhe mbyll burimin e korrupsionit pushtetar dhe të krimit të organiuar. 

Ne realizimin praktik kjo kërkon që Shteti me instrumentat e tij të hapi regjistrat e shtetëzimeve që bëri sistemi i diktaturës, të dallojë pronat që i përkasin Shtetit nga pronat që Shteti i ka shpronësuar qytetarëve. Po ashtu me instrumentat e tij Shteti të korrektojë titujt e pronësisë, konform detyrimeve Kushtetuese, për atë pjesë që ato konstatohen se janë dhënë  në shkelje të neneve 41 dhe 181 të Kushtetutës. Kompensimi të jepet për ato prona që nuk mund të kthehen fizikisht pasi janë tjetërsuar për nevoja publike, por jo për pronat e përfituara në mënyrë abuzive.

Ne jemi të bindur në patriotizmin dhe mbështetjen tuaj, për ta shpëtuar Shqipërinë dhe Kosovën nga korrupsioni postkomunist dhe jemi në dispozicion për çdo sqarim. 

Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me drejtësi”, 

me konsideratën më të lartë,

Kryetari

Rrapo Hajredin Danushi

Tirane, 21 Maj 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: leter Vatres, Pronesi me Drejtesi

PANDEMIA DHE ELEMENTET E SAJ

May 30, 2020 by dgreca

NGA ANILA SHALA/

P- padukshmëri/

Jeta ka ironi të shumta, të cilat kur ndodhin na tronditin dhe na fusin në mendime të thella, ku gjejmë veten duke bërë pyetje filozofike. Ngacmojmë ndërgjegjen tonë, e cila nuk harron edhe nëse vetëdija jonë po; i bëjmë presion mendjes duke i shtruar pytje, përgjigjet e së cilave jo vetëm që nuk i gjejmë në mendjen tonë, por as në libra, media e portale të shumta. E viti 2020 na shkaktoi një ngjarje historike, një luftë botërore moderne, një pandemi, që tundi botën dhe të gjitha sferat e saj. Por shtrohet pyetja, nga kush u shkaktua kjo pandemi?

Kjo situatë u shkaktua nga padukshmëria. Padukshmëria e virusit, pika e tij e fortë e dobësia jonë., që doli të jetë paradoksale. Veçori kjo e tij që rriti numrin e pasojave në njerëz e në veprimtaritë e tij. Qëndrojmë të mbyllur duke soditur bukuritë e natyrës dhe nuk shohim asgjë të pahijshme. Përkundrazi shohim një bukuri mahnitëse, që i ka munguar natyrës me vite e disa nga ne nuk e kanë përjetuar kurrë këtë bukuri. E pse mos të dalim? Asgjë nuk po shohim, asgjë të dyshimtë nga e cila të frikësohemi e të fshihemi nga ajo. Mirëpo, këtu është qëllimi që ka armiku ynë. Nuk shihet, nuk vërehet prezenca e tij deri sa ai të na pushtoj. Nuk kemi armë për ta mposhtur, është më i fortë se sa shpikjet tona e paramendimet tona për të. Kështu që duhet të fshihemi nga ai duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona duke u shkëputur nga jeta jonë normale në mënyrë që mos të përballemi me të, sepse fitorja ndaj tij është skeptike. E pasi që jemi në shtëpi me shumë kohë të lirë, na bie në mend edhe një pyetje tjetër. A kemi vrasës tjerë të padukshëm në jetën tonë? Armiq që na sulmojnë pak e nga pak çdo ditë, e ne i shpërfillim dhe nuk ndërtojmë as muret mbrojtëse e as nuk punojmë për t’i mposhtur ata. 

Këta janë të ndryshëm për secilin, andaj është përgjegjësi e secilit të filloj betejën e tij ndaj tyre, kurse tani duhet të luftojmë armikun tonë të përbashkët e të padukshëm me armët e vetme, të cilat i kemi në duar.

A- ambicie

Ambicia është një dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të bërë diçka me vlerë, e cila do të ndihmonte personin që e posedon dhe e shfrytëzon atë për zhvillime pozitive. Arritjet e fituara nga ato zhvillime jo vetëm që e ndihmojnë atë individ, por edhe komunitetin në të cilin ai ndodhet. Ky synim po kërkohet të posedohet e të fitohet gjatë situatës në të cilën gjendemi, por kjo ndodhi të jetë e vështirë, sepse është zvogëluar lista e burimeve të cilat na inspirojnë e na ofrojnë gëzim. Tani priremi të jemi vetëm euforik, jemi produktiv për disa momente, bëjmë një listë të mbushur të gjërave, të cilat duam t’i bëjmë mirëpo shumë pak prej tyre përmbushen. 

Disa kemi vendosur që të pushojmë, sepse këtë kohë të lirë nuk do ta kemi ndoshta asnjëherë. E disa të tjerë mundohemi të shfrytëzojmë këtë kohë për të bërë gjëra sa më produktive. Por prapë se prapë tek të dy palët mungon dëshira e zjarrtë për të implementuar planet që kemi, mungon energjia optimiste e ditëve të zakonshme, sepse është e vështirë që në një presion nga lajmet dhe ngjarjet e fundit të kemi një qëndrim optimist. 

Mbi të gjitha duhet provuar të gjitha mënyrat që ndjenja e të qenurit ambicoz të rikthehet tek ne në mënyrë që të kalojmë më shpejt ditët që na kanë mbetur e pastaj të fillojmë jetën e normalitetit të ri. Pasi që të gjitha gjërat kanë ndryshuar dhe po vazhdojnë ende të ndryshojnë.

N- ndryshueshmëri

Si qenie njerëzore kemi tendencë të shpërfillim të mirat, që na rrethojnë dhe përqendrohemi tek sendet negative. Gjithashtu harrojmë edhe të jemi mirënjohës për shumë gjëra, kurse u kushtojmë kohë e rëndësi aktiviteteve e ngjarjeve të shumta vlerat e të cilave janë edhe më të përkohshme se relativiteti. Nëse ne kemi si parim ligjin e këtij të fundit nuk e besoj se do të kemi shumë probleme në jetë, por fatkeqësisht edhe këtë e harrojmë. E pastaj pasojat vijnë dhe jo gjithmonë jemi të aftë të përballemi me to.

Në rastin tonë ishte pandemia arsyeja e rikujtimit të shumë personave, vlerat e përgjegjësive, të cilat i kemi harruar si pasojë e jetës dinamike, por edhe neglizhencës sonë. E tani armiku jonë duke na mbyllur shumë lehtë e shpejt na tregoi se mund të humbasim lehtësisht më të dashurit tanë, pasurinë tonë dhe shumë gjëra të tjera. Kështu që, çdo veprim i yni luan rol dhe lë gjurmë edhe nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm për pasojat dhe ndikimin e atyre veprave. Këtë ndryshueshmëri të rutinës sonë e shkaktoi kjo situatë në të cilën nuk gjendet vetëm vendi ynë, por e tërë bota dhe vazhdimisht priten ndryshime. Qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, që përfshin sektorë të shumtë nga të cilët varet mbijetesa e popullsisë, por edhe zhvillimi i shtetit. Pastaj kemi ndryshimet në sistemin edukativo-arsimor, sfidë me të cilën njerëzimi nuk është përballur asnjëherë me këto përmasa. Pra, çdo gjë ka marrë kthesa dhe rrugë të ndryshme. E ndryshime ka edhe në gjendjen emocionale të njerëzve. Ata këtyre ditëve mësuan përsëri se çfarë është me vlerë në jetën e tyre e çfarë jo, çka meriton përkushtim e nga çka duhet të heqin dorë. 

E sot më shumë se kurrë na tregoi se si duhet të kemi një ndryshueshmëri për të mirë. Duke i qëndruar njëri tjetrit pranë, duke ndihmuar që të tejkalojmë këtë sfidë, sepse vetëm njëri tjetrin kemi tani. Të tjerat ikin më shpejt, e njeriu për të mbrojtur veten nga vetmia, që e ka mangësi e ka frikë nga ajo i duhet qenia e tij. I duhet një njeri tjetër të flas, të shpreh mendime dhe të kaloj kohë me të. Fundja, jemi qenie humane dhe tani erdhi koha që ta dëshmojmë atë më së miri.

D- dobitë 

Si çdo ngjarje me të cilën është ballafaquar njeriu edhe kjo në të cilën po kalojmë tani ka anën e saj pozitive dhe negative. A nuk është ashtu edhe për çdo gjë në këtë jetë? Është thënë shumë moti në një proverb kineze se çdo e mirë ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë. Madje ndoshta edhe është bërë klishe duke u përsëritur vazhdimisht, por a ndalemi ndonjëherë të logjikojmë dhe të mendojmë më shumë rreth filozofisë që përmban. Duket një fjali e thjeshtë, por në fakt mban në vete shumë enigma dhe kuptime.

Me anën negative të ngjarjeve aktuale jemi njohur dhe po u bëjmë ballë çdo ditë. Megjithatë në mënyrë që t’ia lehtësojmë vetes luftën me betejën që po mbizotëron duhet të kujtojmë dhe të mundohemi të gjejmë sado pak dobi të cilat ajo po i ofron. Ndoshta edhe duket absurde se si të kërkojmë përfitime nga e gjithë kjo. Prapë se prapë duhet të mundohemi, sepse është në të mirën tonë. Dobi e kësaj pandemie është koha e lirë, që ajo po na ofron e ndoshta nuk do ta kemi më, prandaj është zgjidhje e jona se si dëshirojmë të shfrytëzojmë këtë kohë. Duke kaluar kohë me familje, duke u mbushur me energji, e cila do të na duhet pas kësaj dhe duke punuar në arritjen e planeve tona afatgjate. Dhe nuk janë vetëm këto, ka edhe shumë mënyra tjera se si mundemi të kalojmë ditët, vetëm dallon se për çfarë jemi të interesuar dhe çfarë kemi për synim. Disa nga përfituesit më të mëdhenjë janë natyra dhe qeniet e saj; bimët e shtazët. Pas shumë konferencave e organizimeve të shumta, të cilat u zhvilluan në gjithë botën për qëllim të eleminimit të ngrohjes globale dhe reduktimit të veprimtarive njerëzore që shkaktojnë pasoja të dëmshme botës së gjallë. Tani i erdhi koha natyrës që të marrë veten, të rikthej energjinë dhe bukurinë e saj. Të bëhet përsëri shtëpi për shumë bimë e shtazë, të cilat çdo ditë po rrezikoheshin nga veprimet tona të pamenduara. Por nuk është natyra e vetmja, sepse kjo është një dobi zingjirore. Ajo shkon në hallka – hallka dhe secili përfiton, e në këtë rast edhe ne do të përfitojmë së shpejti nga natyra. Përfitime këto që do të sjellin ndryshime pozitive në lëmi të ndryshme globale.

Prandaj, duhet të kemi një qëndrim realist ndaj këtyre ndodhive dhe t’i shohim ato në perspektiva të ndryshme, sepse kur të dalim nga kjo pandemi do të filloj jeta normale. Por një jetë normale e re për të gjithë, pasi që asgjë nuk do të jetë si më parë. 

E- empatia

Empatia është aftësia për të kuptuar ose ndjerë atë që një person tjetër po përjeton, domëthënë aftësia për ta vendosur veten në pozicionin e tjetrit. Rëndësia e të qenurit empatik është shumë e madhe dhe mungesa e saj ka ndikuar në mospërmisimin e shumë ngjarjeve në botë, gjithashtu edhe në pengimin e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë. Efektet pozitive të empatisë janë: nxitja e ndjenjave të mira, pozitive, nxitja e shëndetit dhe mirëqenies fizike e emocionale, shërimi i problemeve të dhimbshme psikologjike, zgjidhja më e lehtë e konflikteve dhe shumë dobi tjera, që ndihmojnë mënyrën e jetesës. Pra, mund të themi se empatia është gjithmonë me rol, mirëpo është veçanërisht e rëndësishme gjatë një krize të shëndetit publik. Praktikimi i empatisë gjatë pandemisë COVID-19 jo vetëm që hap mendjen për atë që po përjetojnë të tjerët, por gjithashtu mund të sigurojë një lidhje sociale që mund të ndihmojë në luftimin e ndjenjave të izolimit. 

Gjatë një ngjarjeje, e cila ndodhet në një shkallë të gjërë, është e rëndësishme të mbajmë mend se të gjithë jemi në këtë luftë së bashku, se ajo çfarë kemi është vetëm njëri-tjetri. Duhet të mendojmë për të tjerët dhe të mos harrojmë të kërkojmë ndihmë nëse na nevojitet. E gjithashtu edhe të dhurojmë ndihmë në bazë të mundësive dhe kushteve që kemi, sepse në këto raste edhe ndihma më e vogël vlenë dhe ka peshë të madhe. Për këtë arsye duhet të kërkojmë mënyra se si të ndihmojmë, qoftë edhe duke qenë një bashkëbisedues me dikë, pasi që gjendja jonë psikologjike gjatë situatave të tilla nuk është stabile dhe mund të sfidohemi me çrregullime të shumta. Qoftë hormonale, të gjumit, shëndetit mendor dhe fizik, po ashtu edhe çrregullime të mënyrës së të jetuarit. Prandaj edhe në ngjarje të tilla, komunikimi zë një vend të madh në përmisimin e gjendjes aktuale.

Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë për të mbështetur të tjerët është thjeshtë të qëndrojmë në shtëpi dhe t’u përmbahemi udhëzimeve nga organet kompetente. Të dëgjojmë të tjerët, të përfshihemi në akte shërbimi, sepse këto janë strategjitë që mund të ndihmojnë në ndërtimin e empatisë. E si përfundim empatia dhe mirëkuptimi janë pjesa kritike e dhembshurisë dhe më e rëndësishmja e veprimit. Prandaj të përpiqemi të jemi sa më empatik në mënyrë që të përfitojmë jashtëzakonisht shumë përmes sjelljeve tona.

M- meditimi

Meditimi është çelësi për hapjen e dyerve të ekzistencës. Ai ështe gjendje e jo-mendjes, e vetëdijes së pastër, por pa asnjë përmbajtje. Ai është njëra prej mundësive dhe zgjidhjeve më të mira që mund të praktikoj njeriu në mënyrë që të përfitoj në shumë sfera të jetës.  E kryesorja që të krijoj një transformim në veten dhe jetën që jeton përmes mënyrave të shumta të meditimit. Të drejtohet nga hyjnorja, por së pari duhet ditur ç’është meditimi e pastaj çdo gjë tjetër vjen në mënyrë të natyrshme. Arti i meditimit është si të veprojmë fuqishëm. Si t’i heqim qafe mendimet dhe si të shndërrojmë në vetëdije energjinë, e cila rrymon si mendim. 

Mendja jonë është gjëmb, i cili shkakton dhimbje të shumta me mendimet e saj të pafunda, ku me raste janë mendime skeptike, pesimiste e cinike. Sidomos gjatë situatave të ngjashme me atë në të cilën ndodhemi, sepse triumfon e panjohura dhe ajo është gjithmonë frikësuese. Meditimi sjellë shumë përfitime për shëndetin tonë fizik, mendor dhe emocional. Ai shëron njëkohësisht mendjen dhe trupin nëpërmjet gjendjes së qetësisë. Disa përfitime fizike të meditimit janë rregullimi i tensionit të gjakut dhe përmisimi i frymëmarrjes si pasojë e rritjes së sasisë së ajrit në mushkëri. Personat që praktikojnë meditimin ndihen më mirë, më të qetë dhe kanë më shumë vetkontroll. Gjithashtu edhe reaksionet kimike në trup që lidhen me stresin janë më të vogla, kjo e fundit ndikon në zvogëlimin e ankthit. Përfitime tjetra nga meditimi janë qetësimi i mendjes, rregullimi i humorit, zhvillimi i memories dhe reduktimi i depresionit. Kohëve të fundit shumë mjek këshillojnë pacientët e tyre të meditojnë kur kanë probleme të llojeve të ndryshme, sepse është një terapi alternative që ndihmon njerëzit të ekuilibrojnë gjendjen fizike, psikologjike dhe emocionale.

Të gjitha këto anë pozitive të meditimit do të luanin një rol të madh për personat, të cilët janë duke e praktikuar ose do të praktikojnë këtyre ditëve. E sidomos ditëve të fundit, në këtë kohë pandemie ku hulumtojmë vazhdimisht zgjidhje të ndryshme në mënyrë të arritjes së një qetësie shpirtërore dhe kur jemi gjithmonë të ekspozuar nga numri i madh i lajmeve në media, të cilat jo gjithmonë janë të vërteta. Dhe meditimi është zgjidhja jonë e duhur në mënyrë që të dalim nga kjo betejë e fortë dhe të gatshëm për të filluar jetën tonë të re. Meditimi është ilaç, prandaj harroni problemet tuaja dhe thjesht hyni në meditim dhe pastaj do vëreni rezultatet.

I- inovacioni

Inovacioni është një ide e re, pajisje efektive ose proces, që mund të shihet si aplikimi për zgjidhje më të mirë, që ofron mundësi për plotësimin e kërkesave të reja dhe nevojave aktuale të tregut. E gjithë kjo realizohet përmes produkteve, shërbimeve, teknologjive dhe ideve efektive, që janë të aplikueshme për qeverinë, tregjet e ndryshme dhe shoqërinë në përgjithësi. Viteve të fundit me zhvillimin e teknologjisë dhe pjesëmarrjen e saj në përditshmërinë tonë është bërë më vitale rëndësia e inovacionit. Për këtë arsye çdo kompani mundohet që përmes inovacionit t’u ofroj klientëve produkte më të reja dhe të sofistikuara, ku përmes kësaj metode jo vetëm që ndihmon ato kompani të përfitojnë financiarisht, por u ndihmon edhe klientët të përfitojnë. Pasi që përmes atyre pajisjeve mund të kryejnë shërbime të shumta, të cilat nuk kanë mundur t’i kryejnë më parë ose të ndihmojnë në kryerjen më efektive dhe të shpejt të shërbimeve.

Gjatë pandemisë inovacioni ka ndikuar në kalimin e saj në mënyrë më të lehtë, duke ofruar alternativa të shumta në degë të ndryshme për të zëvendësuar procese, të cilat nuk mund të zhvillohen gjatë kësaj kohe. Gjithashtu të ndihmoj në parandalimin e krizave si në aspektin ekonomik ashtu edhe në fushën e edukimit dhe fushat e tjera esenciale. Nëse nuk do të ekzistonte teknologjia në këtë situatë do të vështirësohej jeta e njeriut. Përmes inovacionit është zhvilluar mësimi online në të gjithë botën me anë të platformave të shumta. Kjo ka ndihmuar që nxënësit dhe studentët të përfundojnë vitin e tyre akademik edhe pse në një mënyrë ndryshe, të mos humbasin mundësinë e shkollimit, që është parësore për ta. Mënyra e tillë e të zhvilluarit të mësimit është përcjellur me sfida të mëdha e sidomos në vendet ku mungon pajisja me mjetet teknologjike, përveç kësaj kanë pësuar ndryshime dhe çrregullime metodologjia e të mësuarit dhe vlerësimit. Mirëpo, duhet të kemi një qëndrim pozitiv drejt kësaj, sepse në qoftë se nuk do të kishim këtë mundësi do të shkaktohej një kaos më i madh pasi që do të ndërronte e gjithë ecuria e zhvillimit të këtyre proceseve. Sa i përket ekonomisë, përmes zhvillimit të teknologjisë, disa kompanive dhe bizneseve u është mundësuar që përmes platformave të avancuara online të shesin produktet e tyre. Kjo ka ndihmuar që edhe klientët të mos mbesin pa ato produkte apo të blejnë artikuj të tjerë, gjithashtu ka ndihmuar që ato biznese të mos pësojnë humbje të madhe financiare dhe të zhvillojnë biznesin e tyre përmes këtyre platformave.

Përveç përfitimeve të lartpërmendura, inovacioni teknologjik ka shfaq një ndikim të madh në rutinën tonë gjatë qëndrimit në shtëpi. Nëpërmjet filmave, librave online, serialeve dhe rrjeteve të shumta sociale, që kanë pasur një rëndësi të madhe në argëtimin dhe përmisimin e disponimit tonë. Duke mos harruar edhe seminarët dhe eventet e ndryshme edukative e kulturore të zhvilluara në platformat online. Për ta përmbyllur, inovacioni ka qenë njëri prej faktorëve kyç që ka ndihmuar në përballimin e kësaj sfide dhe po vazhdon ende të ndihmoj në pakësimin e pasojave të saj. Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm të shfyrtëzojmë përfitimet nga ai në mënyrën më të mirë të mundshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anila Shala, Elementet, Pandemia

Shqipëri utopike

May 29, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Dalja nga një regjim, në vitet ‘90, ku çdo gjë kishte marrë ngjyrën e një partie të vetme, pamja përpara për shqiptarët shfaqej si ëndërr, tokë e ndaluar. Shpresat e tyre ishin për një demokraci plotësisht jo partiake, demokraci laike, që zhvendoste nga froni fenë komuniste.
Por regjimi u tregua tinzar. Pushteti i tyre nuk dorëzohej, por kalonte në duar më të sigurta. Para se të “rrëzohej” regjimi u mblodh dhe caktoi profetët e tij, i përhapi në mbarë vendin, që turma e verbër do t’u besonte. Ishin këta “baballarë” të cilë caktuan agjentët e tyre politikë, dhe bënë që gjendja të dukej shumë-partish, si e parë me kaledeoskop.
Profetët ofruan edhe një llogari të re të asaj se si Shqipëria do të bëhej. Karakteristika më e çuditëshme e historisë së shkruar shqiptare është sekularizmi i saj i plotë. Në të kaluarën, shumica e ngjarjeve që kanë nxitur kombet në projekte të vetë-përmirësimit kanë qenë histori për detyrimet e njerëzve ndaj një ose më shumë perëndive. Për pjesën më të madhe të historisë, kombet kanë pyetur veten se si paraqiten në sytë e Zotit.
Shqiptarët zakonisht kishin pasur një besim të veçantë, komunizmin. Kur kjo “fe” u përmbys ata përqafuan “shqiptarizmin” dhe vazhdojnë të mendojnë për veten e tyre si të jashtëzakonshëm a ndryshe nga çdo komb. Në portale e TV, kronikat e lajmeve i paraqesin ata herë të zemëruar, herë të vëllazëruar, plot mirësi, dashuri, durim, por kurrë të gjunjëzuar e mëkatarë. Njeriu krenar nuk e bën këtë për vete dhe as për kombin, por sepse ndjehet i braktisur, sepse nëse nuk kujdesesh për secilin nuk kujdesesh për asgjë.
Idealistë të vërtetë shqiptarë ishin ata atdhetarë që jetuan në shek 18-19, kur vetë Shqipëria s’ishte gjë tjetër veçsa një ide. Ata mendonin për një qëndrim tradicional midis fesë (për të pasur frikë nga diçka më e madhe se vetvetja), dhe nevojës për siguri (për të ruajtur kohën e për të hedhur poshtë rastësinë). Ata donin të krijonin shpresën për një Shqipëri pa elita, pa klasa, ku të evokuohej a ringjallej historia e kohës së shkuar – që kjo Shqipëri utopike të respektonte Zotin si objekt të pakushtëzuar të dëshirës dhe drejtësia shoqërore të ishte parimi i gjallë i vendit, shpirti i kombit. Fakti që ide të tilla atëherë nuk fituan ishte se ato lindën nga atdhetarë jashtë, ndërsa koncepti për një Shqipëri të pavarur nuk gjente dot tokë pjellore ku të hidhej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Shqiperia Utopike

KOSOVA DREJT QEVERISË SË RE…

May 28, 2020 by dgreca

Abdullah Hoti, i mandatuar nga LDK per Qeverine e re.

-Gjykata Kushtetuese e Kosovës i jep të drejtë Presidentit për Dekretin. Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin  z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

– Kushtetuesja e Kosovës:  E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi dhe privilegj/

– Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës/

– AVDULLAH HOTI: KOHA TË BASHKOHEMI PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS

PRISHTINË, 28 Maj 2020-Gazeta DIELLI/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës  sot në mbrëmje njoftoi Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 28 maj 2020. Gjykata Kushtetuese e Kosovës i jep të drejtë Presidentit për Dekretin. Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin  z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë u dërgua Deklaratë e Sh.B.A-ve për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thekson Deklarata.

 VENDIMET E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS  NGA SEANCA SHQYRTUESE E MBAJTUR MË 28 MAJ 2020:

Lexoje ketu: https://gjk-ks.org/vendimet-nga-seanca-shqyrtuese-e-mbajtur-me-28-maj-2020/ 

AVDULLAH HOTI: KOHA TË BASHKOHEMI PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS

I mandatuari për Kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka shkruar:

Si mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë.
Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët.
Bashkë me miqtë tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, do të punojmë me përkushtim për jetësimin e aspiratave tona për integrime euroatlantike.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Qeveri e re

KUSHTETUSJA, IKEN KURTI, VJEN HOTI

May 28, 2020 by dgreca

Gjykata Kushtetuese pajtohet me dekretin e Thaçit, rrëzohte ligjërisht Qeveria e Kryemnistrit Kurti

Nga Shkelqim Hysenaj*

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Në vendim e Gjykatës Kushtetuese thuhet:

Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

Gjykata ka sqaruar se kur një qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në kuvend dhe partia fituese e zgjedhjeve, por nëse kjo parti dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë e drejta i kalon një partie tjetër.

“Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër”.

“Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për Kryeministër dhe formimit të qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. 

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti insiston në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit dhe LDK-ja shprehet se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, por të qeveriste nga një ekzekutiv i ri, me fuqi të plota kushtetuese.

 

Presioni mbi Gjykatën Kushtetuese

Që nga dita kur u rrëzua qeveria, u ashpërsua gjuha politike në Kosovë, kryesisht mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Derisa pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi për të mandatar Avdullah Hotin e LDK-së, shpeshherë ashpërsimi i gjuhës dhe kundërshtimeve u interpretua si presion mbi Gjykatën Kushtetuese

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të Thaçit për qeverinë e re deri më 29 maj.

Më 19 maj përmes një reagimi, Gjykata Kushtetuese tha se diskursi publik kërcënues i përdorur nga presidenti dhe kryeministri në detyrë ka për qëllim ndikimin apo paragjykimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politikë dhe institucionalë për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, u tha në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 13 maj Vetëvendosje organizoi një aktivitet të cilin aktivistë të saj e quajtën “provë për protestë”. 

Në kohën sa vendi po përballej me masa të rrepta për kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri, rreth 500 persona morën pjesë në këtë aktivitet.

Partitë politike e quajtën këtë organizim si presion mbi Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen delikate që po trajtonte sa i takon mandatarit të ri për formimin e qeverisë.

Respektimi i vendimit

Gjatë kohës sa Gjykata Kushtetuese po trajtonte këtë lëndë, partitë politike kanë folur për respektimin e vendimit të Kushtetueses.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të respektojë vendimin që Kushtetuesja nxjerrë për dekretin e tij për t’ia dhënë mandatin partisë së dytë, LDK-së.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar vazhdimisht se pret nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë intepretimin e Kushtetutës dhe jo, siç është shprehur ai, shkrimin e saj.

Edhe LDK-ja që priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e qeverisë së re, është deklaruar se do të respektojë çfarëdo vendimi që nxjerr ky institucion.

Thirrje për respektim të vendimit kanë bërë edhe vendet e Quint-it.

Çka ndodhi me qeverinë?

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve pas shumë javësh negociata arriti marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës në fillim të muajit shkurt.

Por, koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike zgjati vetëm 45 ditë.

Që nga ditët e para të bashkëqeverisjes u shfaqën mospajtime.

Heqja e tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e që ishte kërkesë amerikane, ndau në dysh koalicionin qeverisës.

Vendimi final për tërheqje të LDK-së nga koalicioni me Vetëvendosjen u morr pasi kryeministri Albin Kurti, shkarkoi nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun, një prej figurave kyçe të LDK-së.

Pas këtij vendimi LDK-ja mblodhi nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të votohej mocion mosbesimi për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Më 25 mars, me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës rrëzoi qeverinë.

Që nga ajo ditë Kosova vazhdon të udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, në kuadër të së cilës, vazhduan punën edhe ministrat e LDK-së.

  • Kortezi Evropa e Lire

Filed Under: Analiza Tagged With: IKEN KURTI, Kushtetusja, VJEN HOTI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 363
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT